Protestat dhe sulmet kundër „Gjykatës Speciale“ (GJS) e komprometojnë dhe e dëmtojnë reputacionin e UÇK-së

Shkrime relevante

Hashim Thaçi dhe Gjykata Speciale, në sytë e një norvegjezi

Shemsi Bunjaku, Prishtinë ___ Po dua me e pa këtë temë nga një...

Protestat dhe sulmet kundër „Gjykatës Speciale“ (GJS) e komprometojnë dhe e dëmtojnë reputacionin e UÇK-së

Ibrahim Kelmendi, Gjermani ____ A po simulojmë leshkot apo vërtetë janë të tillë...

Ah bre Lirim, ti …këta vetëqeverisësa të Marshall Titos!

Sak Muji, Zvicër AH BRE LIRIM TI QIFSHA KETA VETEQEVERISESA TE MARSHALL...

Fasulet ishin i vetmi sektor i ekonomisë ku sistemi funksiononte me tepricë

Tito e Rankoviqi - pushim pas gjuetisë...! Shkruen e knon: Lirim Patrioti Lirim...

Shpërndaj

____
A po simulojmë leshkot apo vërtetë janë të tillë (?)
____
Për hir të viktimave që sot po i keqpërdorin profiterët e luftës nga kampi i Thaçit, si dhe marionetat e fshehta të BIA-s serbe dhe të strukturave të tjera armiqësore të inteligjencës, po përpiqem edhe një herë ta shtjelloj bindjen time:
Protestat dhe sulmet kundër „Gjykatës Speciale“ (GJS) e komprometojnë dhe e dëmtojnë reputacionin e UÇK-së, luftës sonë çlirimtare dhe shtetit tonë ligjor. Njëkohësisht, me këto protesta dhe sulme po largohemi edhe nga shtetet që na ndihmuan që Kosova të bëhej SHTET – për herë të parë në historinë e njerëzimit.
Leshkot duhet t’i falim, sepse vështirë se mund të fajësohen pse janë leshko. Por ata që vetëm shtiren si leshko janë komplotistë të paskrupullt sa herë që gënjejnë se Gjykata Speciale nuk është dashur të themelohej me vendim të Kuvendit të Kosovës; kur gënjejnë se Dhomat e Specializuara po e gjykojnë dhe po e diskreditojnë UÇK-në; si dhe kur përhapin gënjeshtra të tjera të ngjashme, me të cilat e komprometojnë edhe më shumë UÇK-në.
Njerëzit racionalë e dinë se goditjen shumë më të rëndë Kosovës ia dha Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE), kur në janar të vitit 2011 miratoi raportin e komisionit të saj hetimor, të formuar me kërkesë të parlamentarëve rusë e serbë, si dhe të serbofilëve të tjerë në APKE, të kryesuar nga zvicerani serbofil Dik Marti.
APKE-ja atëherë kishte 318 parlamentarë që përfaqësonin parlamentet e 47 shteteve anëtare.
Nuk më kujtohet të kemi pyetur seriozisht veten: si është e mundur që Kosova i zhgënjeu aq shpejt parlamentarët, në një masë të tillë që shumica e tyre ta votonin një raport kaq shpifës dhe inkriminues?
Leshkot që shtiren si leshko vazhdojnë të përsërisin se Kuvendi i Kosovës, Gjykata Speciale dhe Prokuroria Speciale u formuan vetëm për shkak të akuzave për trafikim organesh nga pjesëtarë të UÇK-së në „Shtëpinë e Verdhë“ në rajonin e Matit.
Jo!
Gjykata Speciale na u imponua fillimisht përmes rezolutës së APKE-së, të miratuar pikërisht në janar të vitit 2011. Më pas, formimin e saj e rekomanduan edhe SHBA-ja dhe BE-ja, me qëllim që të hetoheshin dhe të procedoheshin qindra akuza të përfshira në atë raport shpifës, i cili në versionin origjinal, në gjuhën angleze, përmban 14.513 fjalë.
Qeveria amerikane, duke e ndier veten të komprometuar nga raporti i Dik Martit, projektoi krijimin e Gjykatës Speciale brenda juridiksionit të Republikës së Kosovës. Formimin e saj e mbështetën, përfshirë edhe financiarisht, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe, Zvicra, Norvegjia dhe Turqia.
Kundër formimit të Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës ishin Rusia, Serbia dhe disa parlamentarë që ishin vërtet leshko, si dhe disa të tjerë që vetëm shtirreshin si të tillë.
Për fat të mirë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli e kuptuan idenë dhe kërkesën e qeverisë amerikane. Prandaj ishin ndër njerëzit kryesorë meritorë që më shumë se dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës votuan për themelimin e Gjykatës Speciale.
Madje, Departamenti i Shtetit i SHBA-së vendosi në krye të hetimeve dy kryeprokurorë amerikanë, si dhe një numër të madh gjyqtarësh në Dhomat e Specializuara.
Prokurorët, gjyqtarët dhe hetuesit e tjerë vinin nga SHBA-ja, BE-ja, Britania e Madhe, Zvicra dhe Norvegjia – asnjë prej tyre nga shtetet që kishin qenë kundër bombardimit të Serbisë nga Aleanca e NATO-s.
Po këto shtete financuan Gjykatën Speciale, Prokurorinë Speciale, hetuesit dhe paraburgimet, madje edhe avokatët, nëse të akuzuarit nuk do të vendosnin vetë ta keqpërdornin buxhetin e shtetit tonë për të paguar ekipe të mëdha avokatësh me tarifa marramendëse.
Leshkot që shtiren si leshko e fshehin qëllimisht faktin se akuzat për krime lufte në Kosovë, të përfshira në raportin e Dik Martit, lidhen me krime që pretendohej se ishin kryer në territorin e atëhershëm të RFJ-së – pra të Serbisë – sepse Kosova, para 17 shkurtit 2008, nuk ishte shtet i njohur ndërkombëtarisht.
Ata fshehin edhe faktin se për krime të tilla duhej të zbatohej Kodi Penal i RSFJ-së dhe se nuk mund të përjashtohej „bashkëpunimi“ me institucionet e shtetit në territorin e të cilit pretendohej se ishin kryer krimet e luftës – këtë herë ato për të cilat pretendohej se i kishte kryer UÇK-ja, sipas akuzave të përfshira në raportin e Dik Martit.
Prokuroria Speciale, me sa duket, ishte përcaktuar të grumbullonte sa më shumë akuza të paraqitura nga institucionet serbe, nga civilët serbë të Kosovës, por edhe nga shqiptarët dhe pjesëtarët e komuniteteve të tjera joshumicë, në mënyrë që të gjitha këto akuza të procedoheshin, hetoheshin dhe gjykoheshin një herë e përgjithmonë, në mënyrë që të mos ktheheshim më kurrë te kjo temë.
Për fat të mirë, trupi gjykues i Dhomave të Specializuara e pastroi UÇK-në nga akuza kolektive e përfshirë në raportin e Dik Martit, duke individualizuar krimet që eventualisht mund t’i kishin kryer individë brenda UÇK-së.
Ndërsa leshkot që shtiren si leshko vazhdojnë të shpikin se trupi gjykues e ka gjykuar UÇK-në si Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale (NPK), vetëm pse katër të dënuarit janë trajtuar edhe si pjesëmarrës në një NPK.
Po, sipas këtij pretendimi, ata ishin NPK, bashkë me Xhavit Halitin, Azem Sylën & Co., por, siç pretendohet këtu, ata ishin NPK me qëllim që ta sabotonin dhe ta minonin UÇK-në guerile dhe luftën tonë çlirimtare.
Ndërsa për krimet që kanë kryer, për të cilat u gjykuan më 16 shtator, dyshohet se i kanë kryer me urdhër të eprorëve të RDB-së serbe, DGSE-së franceze dhe strukturave të tjera armiqësore të inteligjencës.
Ngjashëm me krimin ndaj të rinjve serbë në lokalin „Panda“, për të cilët pretendohet se u vranë nga RDB-ja për ta komprometuar UÇK-në.
Prandaj, para disa kohësh kam propozuar publikisht që Prokuroria Speciale t’i kërkojë RDB-së dhe DGSE-së dosjet për gjashtë ose shtatë pjesëtarët kryesorë të bërthamës së NPK-së, sepse është e mundur që në ato dosje të jenë regjistruar edhe urdhrat që lidhen me veprimtarinë e NPK-së.
Leshkot që shtiren si leshko tani bëjnë sikur u dhimbset pa masë fati i katër të dënuarve më 16 shtator 2026.
Në të vërtetë, u dhimbset vetëm Hashim Thaçi.
Prandaj tani po e komprometojnë UÇK-në, luftën tonë çlirimtare dhe shtetin tonë ligjor kur gënjejnë se katër të dënuarit ishin „maja“, „liderë“ apo „drejtues“ të UÇK-së.
Këtyre njerëzve nuk u intereson fakti se katër të dënuarit dhe avokatët e tyre u përpoqën ta bindnin trupin gjykues se nuk ishin komandantë, liderë apo krerë të UÇK-së, sepse UÇK-ja nuk ishte një ushtri klasike me hierarki funksionale dhe të rregulluar në mënyrë të rreptë.
Edhe sikur të ishin, siç po pretendojnë tani leshkot që shtiren si leshko dhe profiterët e luftës të kampit të Thaçit, kjo nuk do të duhej të theksohej posaçërisht tani, kur tashmë atyre u është dhënë aktgjykimi si kriminelë lufte.
Duhet të presim me qetësi dhe dinjitet se çfarë do të vendosin instancat më të larta gjyqësore, nëse katër të dënuarit do të ankohen.
Po ta dëgjonin këshillën time, ndoshta as nuk do të ankoheshin, sepse druhem se dënimet e tyre mund të rriten.
Uroj që të ndërpriten protestat dhe sulmet kundër Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë Speciale, sepse me to po dëmtohet reputacioni i UÇK-së dhe i shtetit tonë ligjor.
Njëkohësisht, po provokohen shtetet që na ndihmuan ta ndërtojmë shtetin e Kosovës, duke i vënë ato në një pozitë që të pyesin veten nëse ndihma që na dhanë ishte e arsyeshme – madje edhe nëse duhet t’i rishikojnë njohjet që ia dhanë shtetit të Kosovës menjëherë pas shpalljes së pavarësisë në Kuvendin e Kosovës.
—
Dëshiroj që për këtë temë të zhvillojmë një debat dhe polemikë konstruktive.
Prej kohësh kam krijuar imunitet ndaj fyerjeve dhe kërcënimeve që më drejtojnë rugovistët, thaçistët dhe kurtistët – ndërsa Policia e Kosovës bën sikur nuk i sheh.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu