
Osman Osmani: Per të gjithe lexuesit e mundshem: Historia e Lëvizjes për Republikë nuk fillon më 17 shkurt 1982 dhe nuk përfundon me Mbledhjen e Përgjithshme të korrikut 1987. Ajo ka një kronologji më të gjatë, te mehershme dhe te mevonshme, ku secila ngjarje duhet vlerësuar në kohën dhe kontekstin e vet. Dokumenti i 17 shkurtit dëshmon bashkimin e LNÇKVSHJ-së me PKMLSHJ-në në LRSSHJ.
Dokumentet e 15 majit dëshmojnë bashkimin e OMLK-së me të. Mospajtimet dhe përçarjet që pasuan duhen studiuar, por ato nuk i fshijnë vendimet që u morën. Po ashtu, rëndësia e Mbledhjes së Përgjithshme të vitit 1987 nuk kërkon zhvlerësimin e vitit 1982. As zhvillimet e mëvonshme politike, as lufta çlirimtare dhe as shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nuk mund të përdoren për ta shkruar historinë sikur një etapë e saj nuk ka ekzistuar. Ato kërkojnë një kronologji të plotë dhe vlerësim të ndershëm të kontributeve. Për çështjet ku nuk pajtohemi, le të paraqiten dokumente dhe argumente. Fyerjet ndaj meje dhe etiketimet ndaj veprimtarëve e drejtuesve të luftës nuk i japin përgjigje asnjë pyetjeje historike.

Ibrahim Kelmendi: Osman Osmani, gati jemi duke u mirëkuptuar. Sigurisht, Lëvizja pati jetëgjatësi më të madhe sesa periudha nga 17 shkurti 1982 deri te Mbledhja e Parë, në korrik 1987. Ajo zgjati deri më 27 qershor 1999, kur mbajti Mbledhjen e fundit, zhbërëse, me të cilën u vendos shndërrimi në parti politike të quajtur Partia e Bashkimit Demokratik (PBD), e formuar nga Kuvendi Themelues i 4 korrikut 1999.
Por kjo parti, me kryetar Bardhyl Mahmutin, nuk e përballoi dot komplotin e radhës të NKP-së, tashmë nën drejtimin e “kryeministrit” Hashim Thaçi. Më 10 tetor 1999 u “shndërrua” në Parti të Prosperitetit Demokratik, ndërsa pak muaj më vonë në PDK-në e marionetës komplotiste Hashim Thaçi, i cili tashmë është gjykuar si kriminel lufte dhe vrasës i Behajdin Allaqit. Po përpiqem të ta sqaroj edhe keqkuptimin tënd se Lëvizja paska pasur vetëm pesë vjet jetëgjatësi, nga 17 shkurti 1982 deri në tetor 1987, që të mos e përsërisësh më. Ato pesë vjet ishin histori e sfidimit të LR(S)SHJ-së suaj komplotiste, e cila, në Mbledhjen e Parë të Përgjithshme, në tetor 1987, u shndërrua në LPRK dhe filloi të praktikonte demokracinë pluraliste, me zgjedhje të fshehta të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm nga delegatët e mbledhjeve (kuvendeve) të përgjithshme, e jo si deri atëherë, me kooptime nga ata që na kishin komplotuar më 17 shkurt e 15 maj 1982.
Pyetje: Më 17 shkurt 1982, a u bashkuat në LR(S)SHJ ju të PKMLSHJ-së virtuale dhe ata të Sabri Novosellës, të LNÇKVSHJ-së, gjithashtu virtuale, apo e patët themeluar LR(S)SHJ-në? Nëse ishit bashkuar, nuk do të duhej të vazhdonit edhe pas bashkimit me veprimtarinë e PKMLSHJ-së si parti pararojë e LR(S)SHJ-së. Mendoj se, për lexuesit më të rinj, duhet sqaruar edhe akronimi LR(S)SHJ. Edhe emërtimi i organizatës që e “polli” 17 shkurti 1982 u kontestua ende pa u tharë boja e nënshkrimeve të protagonistëve “bashkues”.
Sabri Novosella me dervishët e tij thoshte se ishte formuar LRSHJ, ndërsa Abdullah Prapashtica me dervishët e tij thoshte se ishte formuar LRSSHJ. Kjo grindje edhe për emrin zgjati deri në fund të korrikut 1982, kur ju, dy palët e bashkuara, u armiqësuat dhe u ndatë. Që prej asaj kohe, “krahu” juaj nuk ishte më në asnjërën Lëvizje, as LRSHJ e as LRSSHJ. Ndërsa ne, për rrjedhojë të inercisë, vazhduam t’i përdornim të dy akronimet komplotistë, që na i pollët ju protagonistë famëkeq.
Ndërsa “krahu” i Sabriut u (vetë)largua në prill 1984, pasi na pati shkaktuar një të vrarë dhe dy të plagosur në Zvicër, si dhe dy të plagosur në manifestimin e 7 prillit 1984 në Dyseldorf. Fatmirësisht, edhe komplotisti i tretë “bashkues”, Xhafer Shatri, u (vetë)largua në vitin 1985. Ato (vetë)largime tuajat i kam përjetuar si çlirim të Lëvizjes për Republikën e Kosovës, të cilën e patëm formuar më 17 janar 1982, por që, sipas teje, nuk paska ekzistuar, meqë nuk kemi “dokument” si ai i juaji i 17 shkurtit 1982. Edhe atë gëzim për çlirimin e mbajta të ndrydhur deri në vitin 1987, kur formuam komisionin për përgatitjen e projekt-programit që duhej t’ia propozonim Mbledhjes së Parë të Përgjithshme. Në atë komision pata informuar se Lëvizja kishte platformë, të cilën e kishim miratuar në gusht 1981, por na e kishte komplotuar Sabri Novosella në tetor 1981, gjatë takimit që pati në Stamboll me Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën.
Të njëjtin e kishim miratua edhe më 17 janar 1982. Goxha histori e ngatërruar edhe kjo e Lëvizjes, sepse shërbimet sekrete jugosllave na impononin marioneta që të na komplotonin nga brenda, sikurse i ndodhi edhe UÇK-së, me komplotin e NKP-së së Xhavit Halitit, Azem Sylës, Rexhep Selimit, Hashim Thaçit & Co.
Fatmirësisht, po e jetoj kohën kur edhe kjo NKP u gjykua dhe u dënua nga Dhomat e Specializuara, më 16 shtator 2026, duke e fisnikëruar UÇK-në, të cilën e pati njollosur Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, kur më 7 janar 2011 miratoi Raportin e saj inkriminues për “krimet e UÇK-së”, i njohur në publik si raporti i parlamentarit zviceran Dick Marty. Uroj që edhe komplotin që po ia shkakton NKP-ja shtetit tonë, me protesta e sulmet që po ia bëni Gjykatës Speciale për shkak të verdiktit të 16 shtatorit, ta përballojmë pa pasoja të mëdha, sepse tani po shoh se NKP-ja e Hashim Thaçit & Co paska lëshuar metastaza më të mëdha sesa mendoja.
Rrjedhimisht, uroj të dështoni edhe me këtë komplot që po ia shkaktoni reputacionit të UÇK-së dhe shtetit tonë ligjor, duke i përkrahur katër të dënuarit si kriminelë lufte, prej të cilëve dy janë dënuar edhe për vrasjen e Heroit Behajdin Allaqi.
Ditë sa më të mbarë.
Vazhdon


