Po paraqesim hyrjen e librit të Ignatius Parrino “ACTA ALBANIAE VATICANA”, libri i vetëm me dokumente nga Arkivi Sekret i Vatikanit i botuar deri sot. Sapo të kemi gati fondet e nevojshme, librin do ta botojmë të plotë në njëmijë kopje.
LEXUESIT
Duke u afruar shekulli i pestë nga vdekja e pariparueshme e atij atleti fort të pamposhtur të Krishtit dhe të Kombit Shqiptar, kishim vendosur ta kremtonim denjësisht nga ana jonë kujtimin e një emri kaq të madh; dhe mendonim se këtë nuk mund ta bënim më mirë sesa duke botuar burime të mirëfillta të historisë.
Megjithatë, mendonim se këtë nuk mund ta kryenim si duhet, veçse duke u kujdesur të botoheshin të gjitha aktet që, që nga koha e Gjergj Kastriotit, të quajtur Skënderbe, ruheshin në arkiva dhe flisnin për çfarëdo çështjesh shqiptare; sepse askush nuk e kalon këtë jetë i vetëm, askush në këtë si të thuash teatër të botës nuk mund të luajë ndonjë rol veçse bashkë me gjithë njerëzit e tjerë, sidomos me ata të kohës së vet, dhe as nuk mund të njihet vërtet mirë e në thellësi veçse bashkë me ta dhe nëpërmjet tyre.
Nuk e mohojmë se shumë gjëra për çështjet shqiptare ishin nxjerrë prej kohësh nga arkivat, në një mënyrë a në një tjetër, ose më saktë ishin marrë si copa të shkëputura; madje, jo shumë vite më parë, Jovan Radoniqi [Jovan Radonić, lat. Iohannes Radonichius] mblodhi në një vend, me mund të madh e nga të gjitha anët, shumë gjëra për vetë Gjergjin tonë — punë që, me të vërtetë, nuk themi se u bë pa merita. Megjithatë, siç e kemi provuar tepër shpesh me përvojë, pikërisht ato gjëra që në vetë ato burime të mirëfillta dukeshin aq të qarta, të shkëputura nga konteksti i tyre, siç thonë, historik, grumbullonin jo dritë, por errësirë.
Prandaj na u duk se detyra jonë ishte t’i hulumtonim deri në themel arkivat që mund t’i arrinim dhe të mblidhnim e të botonim gjithçka që u përket, nga larg a nga afër, çështjeve shqiptare.
Punë vërtet e madhe dhe sigurisht përtej forcave e jetës së pak njerëzve; aq më tepër, lexues, nëse mendon se për një mund kaq të madh na qe vënë një afat i parakohshëm, që nuk mund të shtyhej: viti MCMLXVIII [1968], pesëqindvjetori i vdekjes së Gjergjit, që po afrohej.
Për sa i përket Arkivit Sekret të Vatikanit, mbetej vetëm një rrugë: të mos ndiqnim një seri të vetme sipas rendit kohor, por, duke ndjekur ndarjet e vetë Arkivit, të botonim sa më parë, në një vëllim të posaçëm, veçmas çfarëdo që të gjenim në secilën ndarje, duke ruajtur rendin kohor vetëm brenda kufijve të së njëjtës ndarje.
Tashmë, jashtë serisë, kemi botuar të ashtuquajturin «Libër i Breveve të Kalikstit III», që studiuesit të mos mbeteshin krejtësisht pa diçka, qoftë edhe pak, nga Arkivi i Vatikanit brenda vitit jubilar; sepse ai libër ishte më i pasuri nga të gjithë për çështjet e Kastriotëve.
Por tani, duke e nisur punën tonë me rregull, marrim përsipër t’u ofrojmë lexuesve, brenda kufijve të një vëllimi të vetëm, korrën e të gjithë librave të breveve për sa i përket shekullit XV dhe Shqipërisë.
Siç është e natyrshme, qëllimi ynë nuk duhet të jetë të botojmë këtu gjithçka që ruhet në libra të tillë, por vetëm ato që mendojmë se u vlejnë atyre që i hulumtojnë ose i përshkruajnë çështjet shqiptare; ndër to, ato që trajtojnë Shqipërinë drejtpërdrejt ose
posaçërisht [ex professo] do t’i transkriptojmë të plota; kurse ato që i prekin këto çështje vetëm nga larg, do ta kemi për rregull t’i paraqesim në përmbledhje, por me besnikëri, që të mos mungojë asnjë dritë.
Të gjitha këto [i paraqesim] duke mos ruajtur rendin e kodikëve as të fletëve brenda kodikëve, por, me sa mundëm, duke vendosur rendin kohor.
Në qoftë se dikush do të donte të dinte diçka për këta libra të breveve, do t’i themi këtë: që nga papa Martini V e këtej, u bë zakon që disa nga letrat papnore të mos mblidheshin më në repertorët e zakonshëm, që ne i quajmë Regjistrat e Vatikanit ose të
Lateranit [Regesta Vaticana / Lateranensia], por të shënoheshin veçmas, meqë trajtonin çështje të çfarëdoshme jo në mënyrë juridike, si ato që zinin vend në regjistra, por më tepër në mënyrë kalimtare [administrative] sesa vendimore.
Prandaj ndodhi, sigurisht, që librat e breveve të kësaj kohe të ofrojnë një korrë shumë më të pasur njoftimesh për ngjarjet sesa Regjistrat.
Këta libra të breveve nuk u hartuan me rregull, as menjëherë pas dërgimit të letrave, por ose shumë më vonë, ose pasi papa kishte vdekur; ndonjëherë u kopjuan nga një grumbull i çrregullt kopjesh, ose edhe u lidhën si të mundeshin nga vetë kopjet, ashtu siç
ndodheshin. Nuk është pra çudi që në ndonjërin nga këto vëllime gjenden breve të papëve të ndryshëm; dhe të mos u duket aspak çudi lexuesve tanë që, gjatë botimit, u detyruam t’i shpërbënim disi ata libra, për të ruajtur rendin kohor.
Të gjitha i paraqitëm me kujdes të njëjtë dhe me masë të barabartë, sipas rëndësisë së çështjeve; megjithatë ato që zgjodhëm nga libri i Kalikstit III, meqenëse, siç thamë, i kemi botuar mjaft gjerësisht në një vëllim të posaçëm jashtë serisë, këtu i paraqesim më shkurt,
duke sjellë të plota vetëm ato që u përkisnin drejtpërdrejt çështjeve shqiptare.
Letrave ose breveve, qofshin të sjella të plota, qofshin të përmbledhura, nuk na u duk e përshtatshme t’u shtonim pothuajse asnjë shënim ose koment tonin; por, që lexuesit të mos i mungojë asnjë ndihmë, shtuam tregues, sa më të pasur që mundëm.


