Koha e Ardhjes-Adventit është një thirrje për zgjimin e ndërgjegjes dhe të shpirtit

Shkrime relevante

Mbresa e kujtime apo kur e prisnim të shtunave Ali Sutajn

Flori Bruqi, Prishtinë _____ Ali Sutaj konsiderohet si një nga figurat më të...

«Darka e Lamës» në Schöftland: SHBK «Salih Çekaj» shënon 16 vjet veprimtari

Shkroi: Juliana Müller, Zvicër _____ Mbrëmja tradicionale e shoqatës mbushi sallěn plot dhe...

Reportazh nga Bytyçi: Rikthim në vendlindje për 50-vjetorin e gjimnazit “Murat Paci”

Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi” (Tiranë – Prizren) • 21 Nëntor 2026, Pac,...

Roli i kolonisë shqiptare në Rumani në shpalljen e pavarësisë

Enver Ferati, Mitrovicë _____ Rëndësia e kolonisë shqiptare në Rumani dhe kontributi i...

Balada e pleshtit “lirimjan”

Afrim Caka, Gjakovë ____ BALADA E PLESHTIT, LIRIMJAN Lirim MEHMETAJ: - “Edhe me qenë SPIUN,...

Shpërndaj

Dom Fran Sopi, Pejë

Drita e Kohës së Ardhjës apo Adventit më hap shumë fusha mendimesh. Por vetëm në qoftë se drita e tij hyn brenda ndërgjegjes sime, ajo mund të rizgjojë thelbin e shpirtit tim dhe të fesë sime. Sepse drita e vërtetë e Adventit nuk është vetëm ajo që ndizet mbi kurorën e Ardhjes, në kishat tona apo në shtëpitë e besimtarëve. Është, para së gjithash, drita që kërkon të ndizet në brendësinë e njeriut, aty ku ndërgjegjja takohet me të vërtetën, ku heshtja bëhet lutje dhe ku shpirti e ndien nevojën për t’u kthyer te Zoti.

Sa herë vije apo afrohet Koha e Ardhjes, si meshtar I Kishës Katolike të Krishtit, e ndiej se vet Kisha e Tij, nuk na fton thjeshtë të përgatitemi për një festë që përsëritet çdo vit. Por, më fjalë tjera na fton të hyjmë në një kohë të veçantë të hirit, të shqyrtimit të ndërgjegjes dhe të ripërtëritjes së marrëdhënies sonë me Hyjin. Koha e Ardhjes-Adventi nuk është vetëm kujtimi i ardhjes së Krishtit në Betlehem, por edhe pritja e ardhjes së Tij në lavdi dhe, njëkohësisht, gatishmëria për ta pranuar Atë në jetën tonë të përditshme.

Në këtë kuptim, më tingëllojnë thellë fjalët e Ungjillit: «Rrini zgjuar, sepse nuk e dini në cilën ditë do të vijë Zotëria juaj!» (Mt 24,42).

Kjo thirrje e Krishtit nuk më drejtohet vetëm mua si meshtar, por çdo njeriu që dëshiron ta jetojë fenë me ndërgjegje të zgjuar. Të rrish zgjuar shpirtërisht do të thotë të mos lejosh që zakoni ta zëvendësojë besimin, që fjalët ta zëvendësojnë dashurinë dhe që pamja e jashtme e devocionit ta mbulojë zbrazëtinë e brendshme.

Si meshtar, gjatë kësaj kohe, e pyes veten: A e kam lejuar dritën e Krishtit të depërtojë në të gjitha hapësirat e shpirtit tim? A jam bërë unë vetë një dëshmitar i asaj drite për njerëzit që më janë besuar? A arrij, përmes fjalës, lutjes, shërbesës dhe shembullit tim, t’ua afroj të tjerëve ngrohtësinë e pranisë së Hyjit?

Sepse nuk mjafton të flasësh për dritën, nëse zemra mbetet e mbyllur ndaj saj. Nuk mjafton ta predikosh shpresën, nëse nuk përpiqesh të bëhesh shenjë shprese për të tjerët. Dhe nuk mjafton ta shpallësh ardhjen e Krishtit, nëse nuk i krijon Atij vend në ndërgjegjen dhe në jetën tënde.

Në këtë udhëtim shpirtëror më shoqëron edhe zëri profetik i Gjon Pagëzuesit: «Përgatiteni udhën e Zotit, rrafshoni shtigjet e tij!» (Lk 3,4).

Sa kuptim të thellë marrin këto fjalë në jetën tonë! Udhët e Zotit nuk përgatiten vetëm me zbukurime, me këngë apo me kremtime të jashtme. Ato përgatiten duke larguar nga zemra krenarinë, egoizmin, urrejtjen, indiferencën dhe gjithçka që na pengon ta njohim fytyrën e Krishtit në fytyrën e vëllait tonë.

Për mua, Adventi është edhe një kohë e heshtjes së frytshme. Në një botë që gjithnjë e më shumë mbushet me zhurmë, nxitim dhe shqetësime, heshtja para Zotit bëhet një nevojë shpirtërore. Pikërisht në atë heshtje njeriu mund ta dëgjojë zërin e ndërgjegjes, t’i njohë dobësitë e veta dhe të zbulojë se Hyji nuk pushon së kërkuari zemrën e tij.

Si meshtar i Kishës Katolike, e shoh këtë kohë edhe si një përgjegjësi baritore. Në çdo kremtim të Eukaristisë, në çdo rrëfim, në çdo takim me një të sëmurë, me një familje në vështirësi apo me një njeri të vetmuar, Adventi më kujton se Krishti vazhdon të vijë drejt nesh. Shpesh Ai vjen në mënyrë të heshtur, përmes atyre që presin një fjalë ngushëllimi, një dorë të shtrirë, një falje apo një shenjë dashurie.

Dhe pikërisht këtu drita e Adventit merr kuptimin e saj më të bukur: kur nuk mbetet vetëm një përjetim personal, por bëhet dritë që shpërndahet edhe në jetën e të tjerëve.

Ungjilli na kujton: «E fjala u bë njeri e banoi ndër ne.» (Gjn 1,14).

Kjo e vërtetë e madhe e mishërimit, të cilën e kremtojmë në Krishtlindje dhe drejt së cilës na udhëheq Adventi, më bën të meditoj për përvujtërinë e pakufishme të Hyjit. Ai nuk erdhi në botë me madhështinë e pushtetit tokësor, por në thjeshtësinë e një fëmije. Nuk zgjodhi pasurinë dhe lavdinë njerëzore, por varfërinë e Betlehemit, për t’i treguar njerëzimit se dashuria e vërtetë nuk ka nevojë për madhështi të jashtme.

Prandaj, sa herë e shoh dritën e qirinjve të Adventit, dëshiroj që ajo të më kujtojë jo vetëm afrimin e Krishtlindjes, por edhe nevojën time të përhershme për kthim shpirtëror. Çdo qiri që ndizet le të jetë një ftesë për më shumë besim, për më shumë shpresë, për më shumë dashuri dhe për një paqe që buron nga pajtimi me Hyjin dhe me njëri-tjetrin.

Drita e Adventit nuk e ndryshon njeriun vetëm pse ai e sheh. Ajo e ndryshon atëherë kur njeriu e pranon, kur e lejon të depërtojë në ndërgjegjen e tij dhe kur, i ndriçuar prej saj, merr guximin ta ndryshojë jetën e vet.

Pikërisht në fund të këtij meditimi, dëshiroj ta kthej mendimin tim në një lutje të thjeshtë: O Zot Jezus, Ti që je Drita e botës, hyr edhe një herë në thellësinë e shpirtit tim. Ndriçoji ato hapësira të ndërgjegjes sime që kanë mbetur në hije. Më jep një zemër të përvujtë, një fe të gjallë dhe një dashuri që nuk lodhet duke u dhuruar. Bëj që shërbesa ime meshtarake të mos jetë vetëm shpallje e Fjalës sate, por edhe dëshmi e gjallë e pranisë sate ndër njerëz. E them këtë sepse Adventi i vërtetë fillon atëherë kur drita e Krishtit nuk mbetet vetëm para syve tanë, por hyn në ndërgjegjen tonë, rizgjon shpirtin tonë dhe e bën fenë tonë një jetë të përditshme dashurie, shprese dhe përkushtimi.

Në nëntor 2026

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu