Reportazh nga Bytyçi: Rikthim në vendlindje për 50-vjetorin e gjimnazit “Murat Paci”

Shkrime relevante

Mbresa e kujtime apo kur e prisnim të shtunave Ali Sutajn

Flori Bruqi, Prishtinë _____ Ali Sutaj konsiderohet si një nga figurat më të...

«Darka e Lamës» në Schöftland: SHBK «Salih Çekaj» shënon 16 vjet veprimtari

Shkroi: Juliana Müller, Zvicër _____ Mbrëmja tradicionale e shoqatës mbushi sallěn plot dhe...

Reportazh nga Bytyçi: Rikthim në vendlindje për 50-vjetorin e gjimnazit “Murat Paci”

Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi” (Tiranë – Prizren) • 21 Nëntor 2026, Pac,...

Roli i kolonisë shqiptare në Rumani në shpalljen e pavarësisë

Enver Ferati, Mitrovicë _____ Rëndësia e kolonisë shqiptare në Rumani dhe kontributi i...

Balada e pleshtit “lirimjan”

Afrim Caka, Gjakovë ____ BALADA E PLESHTIT, LIRIMJAN Lirim MEHMETAJ: - “Edhe me qenë SPIUN,...

Shpërndaj

Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi” (Tiranë – Prizren) • 21 Nëntor 2026, Pac, Tropojë

Foto: Drejtori i shkollës, Junik Dunisha, në hapjen e veprimtarisë

Nisma dhe mobilizimi i menjëhershëm i Shoqatës “Bytyçi”

Ndonëse fillimisht nuk u mor vesh se nga lindi nisma për kremtimin e 50-vjetorit të hapjes (dhe rihapjes pas një ndërprerjeje) të Shkollës së Mesme të Përgjithshme “Murat Paci” në Pac, Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi” (Tiranë–Prizren) nuk e kaloi këtë sinjal në heshtje. Edhe pse dikush që e mundonte egoizmi, pa ndonjë autorizim, kishte dashur të krijonte dualitet, kryesia e shoqatës reagoi menjëherë. Ajo u mblodh në “selinë” e saj, tek “Mrizi i Zanave” në Tiranë, e përbërë nga kryetari z. Agron Isa Gjedia, nënkryetarët z. Islam Sadikaj dhe zj. Shpresa Mulaj, kryetarja e Forumit të Gruas zj. Hajrie Haklaj dhe sekretari për marrëdhëniet me diasporën z. Adil Koloshi. Qëllimi ishte i qartë: të mbështesnim dhe të angazhoheshim drejtpërdrejt në këtë manifestim, me apo pa ftesë, pasi në shtëpinë tonë nuk kemi nevojë për ftesa.

Shumë shpejt u bë e ditur se, përkundër dualitetit të tentuar, në krye të organizimit qëndronte stafi pedagogjik i shkollës. Ky staf përbëhej nga drejtori z. Junik Dunisha dhe mësuesit: z. Besim Kerrnaja, zj. Enida Sadikaj, z. Erkand Sinani, z. Fatlind Kernaja, zj. Redona Demushi, zj. Rudina Demaliaj, zj. Shpresa Hysaj, zj. Liljana Tutaj, zj. Hare Mustafaj, zj. Denisa Sokolaj dhe zj. Erjona Imeraj. Këtij organizimi iu bashkuan edhe ish-drejtori dr. Skënder Demaliaj dhe ish-zëvendësdrejtori z. Sadri Oruçi, të cilët na përcollën ftesën zyrtare për t’u bërë pjesë e kësaj ngjarjeje. Ky ishte aktiviteti i parë i këtyre përmasave në atë vend pas më shumë se 22 vitesh. Ai pasonte festën e madhe të Bytyçit dhe bytyçasve, të organizuar nga shoqata jonë po në atë shkollë, në një ditë të ftohtë vjeshte e me shi të vitit 2004.

Foto: Stafi mësimor-edukativ i shkollës “Murat Paci”, Pac

Udhëtimi drejt vendlindjes dhe kujtimi i gjallë i kryeurtakut z. Ali Rrustem Mula

Ashtu sikurse ishte caktuar, manifestimi u mbajt më datë 21 nëntor 2026, në oborrin dhe ambientet e shkollës në Pac të Njësisë Administrative Bytyç. Përfaqësia jonë—e përbërë nga kryetari z. Agron Isa Gjedia, nënkryetarët z. Islam Sadikaj e zj. Shpresa Mulaj dhe anëtarja e kryesisë zj. Fetije Imeri—u nis pa gdhirë nga Tirana. Udhëtimi u krye me makinën dhe drejtuesin e mjetit, z. Nazmi Shima, njëherësh bashkëpunëtor, fotograf dhe kameraman i shoqatës. Ndonëse u nisëm në errësirë, nën rigat e një shiu përmasat e të cilit ende nuk dalloheshin, rruga vajtje-ardhje na shkoi shumë mbarë; jo vetëm që u hap koha, por edhe ngjarjet e asaj dite rodhën natyrshëm, pa ngërçe e hareshëm.

Që në krye të herës, i gjithë grupi që po udhëtonim së bashku e ndjeu se ky udhëtim drejt vendlindjes mbartte një ngarkesë të veçantë emocionale. Zakonisht, në udhëtime të tjera, këmbët të çojnë vetvetiu atje, por zemra stepet nga frika se do të përballesh me trishtimin dhe heshtjen që ka kapluar gjithçka. Kjo ndodh sepse vendi është braktisur dhe udhëton me kilometra e orë të tëra pa hasur në ndonjë njeri për të shkëmbyer qoftë edhe një përshëndetje. Por këtë radhë frynte një tjetër erë që na këndellte shpirtin: atje do të kishte gjallëri e zëra njerëzish, dhe do të çmalleshim me miq e bashkëvendës, një pjesë të të cilëve nuk i kishim takuar prej vitesh.

Si një koincidencë ogurbardhë, pikërisht atë ditë bëheshin plot pesë vite që njëri nga aktivistët kryesorë të shoqatës sonë dhe kryeurtaku i krahinës së Bytyçit, i ndjeri z. Ali Rrustem Mula, ishte ndarë nga jeta dhe shpirti i tij kishte kaluar në amshim. Duhet theksuar se në udhëtime të tilla që organizonte shoqata, ai thuajse nuk mungonte asnjëherë. Falë mjeshtërisë dhe shpirtit të tij artistik, rruga me të kalonte hareshëm, “si në kalë”, pa e ndier lodhjen e aq më pak ndonjë notë trishtimi apo mërzitjeje. Por në fundin e asaj dite vërejtëm se, edhe pse fizikisht jo, as këtë radhë ai nuk na mungoi. E ndjemë gjatë gjithë kohës sikur të ishte së bashku me ne, teksa qyfyret e tij—me fabula të ndërtuara shumë mirë artistikisht e të gërshetuara me një pedagogji tradicionale plot urtësi—na i ushqyen bisedat përgjatë gjithë rrugës.

Me t’iu afruar vendlindjes, sapo lë pas fshatin Leniq dhe ndalon në “Bregun e Kacurretit”, menjëherë përballesh me fshatin Çorraj, për të vijuar në një fushëpamje më të largët. Prej asaj pike të lartë, para te del thuajse e gjithë Lugina e Bytyçit. Pamja e saj kufizohet nga Bregu i Pacit, i cili nuk të lejon ta rrokësh me sy deri në fund fushën e Bytyçit, por kufirin e saj të skajshëm e shënon me një madhështi natyrore maja e Dhinës, e cila ngrihet lart dhe nuk mbulohet dot nga ai breg.

Foto: Kryesia e Shoqatës “Bytyçi”: Islam Sadikaj, Agron Isa Gjedia, Shpresa Mulaj

Atmosfera e festës në Pac: Në gjurmët e të parëve dhe të kujtimeve të veta

Ndonëse për shkak të rrugës së gjatë arritëm pasi kishte filluar veprimtaria, me të mbërritur në Pac pamja ishte krejt ndryshe nga heshtja e zakonshme. Ka qenë zakon që në raste të tilla të thuhej se gjithçka vijoi në gjurmët e të parëve; por kësaj radhe, sa e sa bij, bija dhe nëna të asaj krahine kishin ardhur jo vetëm për të ndjekur gjurmët e të parëve të tyre, por edhe për të gjetur gjurmët e kujtimeve të veta. Të larguar prej vitesh nga ajo trevë, i kaplonte ajo nostalgji e dlirë që është një pjesë kaq e bukur e jetës. Kjo ngjarje bëri bashkë ish-mësues e ish-nxënës nga Shqipëria e diaspora, mësues nga shkolla të tjera të rrethit, banorët e paktë që kanë mbetur në zonë, si dhe nxënësit aktualë, prindërit e stafin pedagogjik. Nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe kryetari i Bashkisë Tropojë, z. Rexhë Byberi, dhe drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar Tropojë, zj. Shote Basha.

Foto: Stafi mësimor e edukativ i shkollës, si dhe grupi artistik i saj, me Kryetarin e Bashkisë, z. Rexhë Byberi, dhe Drejtoreshën Arsimore të Tropojës, zj. Shotë Bashaj.

Po ashtu, e vetmja shoqatë përfaqësuese e Tropojës e pranishme në këtë përvjetor ishte Shoqata “Gegëhyseni – Nderi i Kombit”. Ajo përfaqësohej nga kryetarja zj. Mirjeta M. Imeraj, aktivistja zj. Fatjona Mulgeci, si dhe anëtarët e kryesisë z. Gëzim Prengzi dhe z. Besjan Gjonaj (njëherësh edhe anëtar i Këshillit Bashkiak Tropojë).

Një vëzhgues i vëmendshëm dinte të dallonte të veçantat e këtij tubimi të mirëfilltë e të organizuar, ku spikatën ish-maturantët e kësaj shkolle. Të ardhur të organizuar si shokë mature, bënë përshtypje të veçantë maturantët e vitit 1986, ose matura e shtatë e asaj shkolle që nga themelimi. Me këtë rast kishin arritur të vinin: z. Astrit Gjedia, z. Feriz Rexha, z. Ilir Hajdari, z. Isa Tuta, z. Maxhun Hajdari, z. Sadri Dana, z. Salih Geci, z. Can Sinani dhe z. Skënder Rexha. Menjëherë pas kësaj mature, binin në sy për nga organizimi edhe ish-maturantët e vitit 1984, të përfaqësuar nga zj. Fetije Imeri, zj. Lefteri Mustafaj (Onuzi), z. Selajdin Gjedia dhe z. Ilmi Biçprendi.

Foto: Disa nga maturantët e vitit 1986.

Njëherësh, nderuan me pjesëmarrjen e tyre në këtë jubile edhe ish-mësuesit që kanë shërbyer ndër vite në këtë vatër dijeje: z. Avdi Kuçana, z. Sherif Mustafaj, zj. Ajshe Mustafaj, dr. Skënder Demaliaj, z. Hamdi Jahelezi, z. Xhemajl Hysenleka, z. Gani Muhameti dhe z. Cen Avdullahi. Të pranishëm ishin edhe z. Petrit Imeri, z. Ibrahim Hajdarmataj e z. Hazir Hoxha, edhe pse këta të fundit nuk kishin dhënë mësim në atë shkollë, së bashku me mësues kolegë nga shkollat e tjera të rrethit dhe të krahinës.

Ceremonia e hapjes—e moderuar nga zj. Stela Aliaj dhe z. Redoni Demaliaj—u çel me një minutë heshtje në nderim të mësuesve të parë dhe të gjithë pedagogëve që kontribuan ndër vite në këtë shkollë e që sot nuk jetojnë më. Më pas vijoi fjala përshëndetëse e drejtorit z. Junik Dunisha, e ndjekur nga përshëndetjet e drejtoreshës së Zyrës Arsimore, zj. Shote Basha, dhe kryetarit të Bashkisë Tropojë, z. Rexhë Byberi. Ky i fundit, i prekur nga atmosfera e ngrohtë e këtij përvjetori, vlerësoi gjysmë shekulli histori, dije e përkushtim që e kanë kthyer shkollën “Murat Paci” në një vatër kyçe edukimi për të gjithë zonën. Ai shprehu mirënjohjen për organizatorët e mësuesit dhe rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të bashkisë për arsimin.

Megjithatë, historiku i kësaj shkolle nuk del i plotë nëse nuk pasqyrojmë faktin domethënës të rihapjes së saj. Pasi shkolla e mesme ishte mbyllur një herë, komuniteti i prindërve të nxënësve, me në krye ish-kryetarin e komunës, z. Kujtim Muharrem Gjedia, e ngriti me këmbëngulje këtë problem me peshë të madhe sociale dhe ia doli që ajo shkollë të rihapej, duke vijuar misionin e saj fisnik.

Foto: Vizitë në muzeun e shkollës.

Një fjalë rasti mbajti edhe dr. Skënder Demaliaj, i cili kishte ardhur në këtë përvjetor me botimin monografik “50-vjetori i Shkollës së Mesme ‘Murat Paci’ në Pac, Tropojë”, të realizuar në bashkëautorësi me ish-zëvendësdrejtorin e shkollës, z. Sadri Oruçi. Ngarkesë të fortë emocionale sollën edhe përshëndetjet e ish-nxënëses ekselente dhe më pas mësueses së kësaj shkolle, zj. Lefteri Mustafaj (Onuzi), si dhe të ish-mësuesit dhe gazetarit 80-vjeçar z. Ibrahim Hajdarmataj. Ky i fundit lexoi mesazhin prekës të dërguar nga z. Ibrahim Hamza, një prej mësuesve të parë të zonës që prej vitit 1958 dhe ish-drejtor zone. Kur flitet për nxënësit ekselentë të asaj shkolle, në këtë ditë festive nuk mungoi as zj. Drita Avdi Nezaj, një nxënëse e shkëlqyer e cila i ka çarë rrugët e jetës me aftësi dhe përkushtim.

Në shenjë vlerësimi, Bashkia Tropojë akordoi certifikata mirënjohjeje për veteranët e arsimit që mbajtën gjallë këtë vatër dijeje që nga themelimi i saj në vitin 1976. Mes tyre u vlerësua edhe çifti i mësuesve të palodhur e ish-drejtuesve të kësaj shkolle, zj. Ajshe Mustafaj (me 17 vite shërbim) dhe z. Sadri Oruçi (me 20 vite kontribut si mësues e nëndrejtor).

Mirënjohja që shkoi te pragu i shtëpisë për veteranin z. Elez Isuf Sylhasani

Në këtë ditë të shënuar munguan fizikisht edhe disa mësues e drejtues të kësaj shkolle—dikush për shkak të largësisë dhe dikush nga pamundësia shëndetësore. I tillë ishte rasti i veteranit të arsimit, me karrierë të plotë profesionale në këtë zonë, z. Elez Isuf Sylhasani. Ish-mësues dhe drejtues për shumë vite i kësaj shkolle, ai nuk mund të zbriste dot për arsye shëndetësore nga shtëpia e tij deri te godina ku kishte dhënë mësim e kishte drejtuar me përkushtim për shumë vite.

Por kjo nuk kaloi pa u ndier, sepse ish-nxënësit e tij nuk e harruan. Maturantët që ai i kishte marrë që nga viti i parë i asaj shkolle e deri në përfundim të saj shkuan e vizituan në shtëpi, duke i dhuruar një portret të tij të përgatitur në përmasa të konsiderueshme në adeziv. Me respekt e mall të veçantë, në shtëpi e vizitoi edhe bashkëfshatari i tij, kryetari i shoqatës z. Agron Isa Gjedia. Ai i çoi aty frymën e festës dhe mirënjohjen e të gjithë komunitetit, pasi mungesa e tij u ndje dukshëm nga pjesëmarrësit përgjatë gjithë asaj dite veprimtarish.

Zëri i ish-nxënësve dhe kujtesa e gjallë e bankave të shkollës

Ky përvjetor solli edhe një jehonë të gjerë mes ish-nxënësve dhe bijve të trevës të shpërndarë kudo, të cilët edhe kur nuk mundën të ishin fizikisht të pranishëm, e ndanë festën me mendje e me zemër. Ndër ta spikati reflektimi prekës i ish-nxënëses së dalluar zj. Xhane Sherif Imeraj (pjesë e monografisë së 50-vjetorit), e cila e kujtoi shkollën “Murat Paci” si një tempull të vërtetë dijeje e vlerash. Përmes kujtimeve të saj u ringjall koha kur klasat mbusheshin me dhjetëra nxënës nga Vladi, Zherka, Stoberda, Demaliaj, Isenaj, Tutaj, Paci e Çorraj, por edhe nga Berisha e Kami. Ata ecnin me orë të tëra në këmbë pranë lumit, mbi ura e nëpër male, në shi e dëborë, për të mbërritur te bankat e dijes, ku i prisnin mësuesit e përkushtuar.

Po me të njëjtën dashuri e ngarkesë emocionale u bashkua në distancë me përjetimet e pjesëmarrësve të asaj dite edhe bija e nderuar e kësaj treve, zj. Zyra Ahmetaj—një ndër të rrallat bija të asaj krahine, e cila lumturohet sinqerisht për çdo arritje të krahinës së Bytyçit, të bytyçasve dhe të Shoqatës “Bytyçi”. Edhe pse e pamundur për të marrë pjesë fizikisht në këtë veprimtari, ajo përcolli një mesazh prekës e plot frymëzim, i cili është për t’u mbajtur mend dhe vijon si më poshtë:

Foto: Në zyrën e drejtorit: Kryetari i Bashkisë, z. Rexhë Byberi, drejtori i shkollës, z. Junik Dunisha, dhe mësuesja Erisa (Dusha) Dunisha, bashkëshortja e drejtorit, e cila ishte atë ditë për të kontribuar.

“Urime Shkollës së Mesme ‘Murat Paci’ në Pac, drejtorit z. Junik Dunisha dhe gjithë kolektivit të mësuesve e nxënësve për këtë organizim të fuqishëm e plot dritë, ashtu siç është vetë drita e dijes që kjo vatër ka përcjellë në këto 50 vite si gjimnaz, por edhe si shkollë 8- e 9-vjeçare e Pacit! Ju falënderoj nga zemra për gëzimin që më keni falur dhe më besoni se me shpirt kam qenë pranë jush në këtë festë të dritës e të diturisë! Lavdi sakrificës dhe heroizmit të mësuesve ndër breza në këtë shkollë!

Qofshi të nderuar ju, përfaqësues të Shoqatës Mbarëkombëtare ‘Bytyçi’ (Tiranë–Prizren), për pjesëmarrjen dhe kontributin tuaj në këtë manifestim! Të përgëzoj, vëlla i madh i krejt bytyçasve, kryetar i shoqatës sonë z. Agron Isa Gjedia, për fjalën, dhuratën dhe krejt kontributin tuaj të çmuar me shoqatën tonë, me të cilin na keni bërë ngahera krenarë krejt fisin tonë Bytyç! Zoti ju bekoftë dhe gëzofshi ndër mote! E përjetshme qoftë Shkolla e Mesme ‘Murat Paci’!

Këtë urim të fundit e shoqëroj me thirrjen e zemrës që familjet bytyçase të qëndrojnë në këto katunde të bekuara, për të mbajtur gjallë jetën dhe gjithë virtytet e larta të fisit tonë të sojshëm, Bytyçit, e për të vijuar nxjerrjen e bijve e bijave të devotshme që përcjellin ndër breza dijen, sojninë dhe trashëgiminë tonë. Njëherësh, u drejtoj një thirrje instancave shtetërore që t’i kthejnë sytë nga ky fis, nga këto toka, fusha e male të mbrojtura me gjak e sakrifica; t’i shikojnë ato kulla me frëngji që ndërtuan të parët tanë dhe të investojnë që jeta të lulëzojë përjetësisht në këto troje me vlera të paçmuara—që toka të mbillet e të punohet, që bagëtitë të shtohen e të kullosin livadheve, kodrinave e majave, dhe të verojnë në bjeshkën tonë, më të mirën bjeshkë, Sylbicën e çmuar! Rroftë shkolla ‘Murat Paci’ me mësues e nxënës! Lavdi përjetë!”

Fjala e kryetarit, minipanairi i librit dhe ekspozita e rrallë për Murat Pacin

Në emër të Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi” (Tiranë–Prizren), përshëndeti të pranishmit edhe kryetari z. Agron Isa Gjedia. Ai përdori edhe një shaka konfidenciale ndaj drejtorit z. Junik Dunisha, të cilin e ka nip, për të respektuar porosinë e tij që folësit të mos zgjateshin, por në atë kohë të kufizuar nuk la pa përcjellë mesazhe të forta për vendlindjen. Ai i bëri thirrje çdo mature dhe çdo biri e bije të Bytyç-Berishës që jo vetëm t’i kthejnë sytë, por edhe të vënë dorë mbi vendlindjen. Z. Gjedia e cilësoi “nezrin për vendlindjen” si nezrin më të shenjtë për të gjithë ata që janë larguar, për t’ia kthyer asaj si një borxh moral ndaj të parëve dhe amanet për brezat që vijnë. Njëherësh, ai shprehu gatishmërinë e shoqatës për të bashkëpunuar ngushtë me Bashkinë Tropojë në çdo projekt që mbështet arsimin dhe rininë e zonës.

Një vend qendror në fjalën e tij zuri figura e ndritur e Murat Pacit, emrin e të cilit mban shkolla. Z. Gjedia bëri me dije se, pas propozimit dhe lobimit të shoqatës, një rrugë në Tiranë mban tashmë emrin e tij. Gjithashtu, në cilësinë e tij si avokat, ai kishte përfunduar me vendim gjyqësor të formës së prerë regjistrimin zyrtar të Murat Pacit në regjistrat e gjendjes civile të krahinës, ku mungonte pas djegies së arkivave gjatë dhe pas luftës. Për ta bërë figurën e tij sa më të gjallë për nxënësit e sotëm, shoqata në bashkëpunim me shkollën çeli për herë të parë një fotoekspozitë me fotofakte nga arkivi personal i kryetarit z. Agron Isa Gjedia. Këto fotografi nuk e kishin parë kurrë më parë dritën e publikimit dhe ruheshin si surprizë për librin e përgatitur për Murat Pacin, por falë këtij aktiviteti thyen heshtjen të imponuara nga ky 50-vjetor jubilar.

Po atë ditë të shënuar, në ambientet e shkollës ishte hapur edhe një minipanair me libra dhe botime nga autorë bytyças, një pjesë e të cilave vinin për herë të parë në këtë trevë. Për stafin mësimor, ish-mësuesit, nxënësit dhe të ftuarit, shoqata përmes kryetarit të saj shpërndau edhe dy numrat e fundit të gazetës “Bytyçi”, me shumë informacion dhe tema të patrajtuara ndonjëherë, të cilat iu dhanë jo më pak se 60 personave.

Një moment i veçantë i kësaj dite jubilare ishte edhe dhurimi për bibliotekën e shkollës i veprës me mjaft interes për etnokulturën dhe historinë etnokulturore, librit studimor “Plisi i bardhë – emblemë hyjnore e shqiptarisë”, i cili u dhurua nga vetë autori i tij, kryetari i shoqatës z. Agron Isa Gjedia. Ky botim studimor me peshë të veçantë historike e etnografike—i cili ka pasur fatin e regjistrimit në regjistrat zyrtarë ndërkombëtarë në Bibliotekën e Kongresit në Uashington (SHBA)—pasuron tashmë fondin e artë të gjimnazit “Murat Paci”, duke mbetur një testament dijeje e krenarie për brezat që vijnë. Fakti që autori është bir i kësaj krahine i jep këtij akti një shkëlqim dhe domethënie të dyfishtë, duke dëshmuar se treva e Bytyçit, përmes bijve të saj, vijon të japë një kontribut të pashoq në ruajtjen e identitetit, kulturës dhe pasurimin e vlerave më të larta kombëtare.

Gjatë fjalës së tij, z. Gjedia bëri publik edhe gjestin fisnik të çiftit z. Islam dhe zj. Fatbardha Lauka—i pari ish-nxënës dhe më pas të dy mësimdhënës të kësaj shkolle—të cilët dhuruan për bibliotekën e shkollës disa tituj nga librat e tyre. Po ashtu, u përmend edhe porosia e sekretarit z. Adil Koloshi, i cili dorëzoi për bibliotekën dy ekzemplarë të librit të tij monografik “Bytyçi”, i pasur me të dhëna historike dhe etnografike për krahinën.

Krahas pllakatës së kornizuar dhe banderolës me urimin e shoqatës, secili prej anëtarëve të delegacionit solli një kontribut të çmuar konkret për shkollën dhe dokumentimin e kësaj ngjarjeje:

  • Nënkryetarja zj. Shpresa Mulaj kishte siguruar në Bibliotekën Kombëtare një sasi të konsiderueshme titujsh librash si dhuratë për pasurimin e bibliotekës së shkollës.
  • Anëtarja e kryesisë zj. Fetije Imeri dha një kontribut të dukshëm për dekorimin e mjediseve të shkollës me flamuj, banderolën e shoqatës, paraqitjen në adeziv të librit “Plisi i bardhë – emblemë hyjnore e shqiptarisë”, si dhe fiksimin në kanavacë të amzës së shkollës me notat e Murat Pacit, ku ai shkëlqeu me rezultate maksimale, si model frymëzimi për brezat e rinj.
  • Nënkryetari z. Islam Sadikaj, në emër të shoqatës, angazhoi dhe solli fotografin dhe kameramanin z. Nazmi Shima, bashkëpunëtor i shoqatës, për të fiksuar në foto e video çdo moment të kësaj dite historike.

Fjala e kryetarit z. Agron Isa Gjedia u mbyll mes duartrokitjeve me vargjet kushtuar kësaj vatre të dijes:

Pesëdhjetë vite dritë e dije,
Nga ky prag dolën breza të tërë,
Bytyç-Berisha, vend trimërie,
Emrin e Pacit e mban me nder!

Me emrin e ndritur të Murat Pacit,
Kjo vatër e shenjtë kurrë mos u shoftë,
Kudo që të shkojmë, në çdo skaj të fatit,
Nezri për vendlindjen i bekuar qoftë!

Historia e qëndresës dhe mikpritja e pashtershme bytyçase

Grupi artistik i shkollës—i përgatitur dhe i drejtuar me përkushtim nga mësuesja zj. Denisa Sokolaj—solli një program të pasur kulturor. Ai përbëhej nga nxënësit e talentuar z. Joel Isufaj, z. Mirlind Istrefaj, z. Gëzim Hajdarmataj, z. Lorenc Istrefaj, z. Erdonis Cani, z. Redon Demaliaj, z. Erenik Hoxha, zj. Arsia Imeraj, z. Besnik Doçi, zj. Stela Aliaj dhe zj. Aida Imeraj, të cilët performuan së bashku me grupin e valleve “Dardania” të Tropojës. Programi përfshinte këngë, ninulla, valle (duke përfshirë vallen e Bytyçit dhe ritin tradicional “Nata e Kanës” me nusen zj. Arsia Imeraj), ese dhe recitime që shpalosën historinë e lavdishme të krahinës së Bytyçit, figurën e Murat Pacit dhe sakrificat e heronjve të saj. Përmes vargjeve u kujtua qëndresa e pathyeshme e kësaj treve, e cila ndonëse u dogj tri herë nga pushtuesit serbo-malazezë, austriakë dhe gjermanë, nuk u dorëzua kurrë, por u ringrit sërish mbi trojet e veta.

Një falënderim i veçantë i shkon djalit të krahinës sonë nga fshati Çorraj, DJ-it të talentuar Jetmir Kujtim Nezaj. Me kontributin e tij të çmuar dhe krejtësisht falas, ai ngriti në një tjetër nivel anën artistike të këtij aktiviteti madhështor, duke u bërë pjesë kyçe e suksesit të një ngjarjeje që prej vitesh i mungonte trevës sonë. Faleminderit përzemërsisht për profesionalizmin dhe shpirtin fisnik!

Në përmbyllje të aktivitetit, mësuesit dhe nxënësit e shkollës shtruan një koktej të pasur me gatime tradicionale të zonës. Kjo u realizua me mbështetjen financiare dhe bujare të sponsorëve z. Bekim Ahmetaj, z. Erion Madani, z. Ilmi Biçprendi dhe z. Zog Vatnikaj, të cilët kontribuan për organizimin e koktejlit festiv dhe dekorimin e shkollës. Sofra përfshinte gatime nga flia, byreku, lakrori e qulli me tamël, te petullat, revania, mjalti, djathi e pula e fshatit, si dhe pije të ndryshme të shumta. Ky gjest dëshmoi edhe një herë se bujaria, sojnia dhe mikpritja në Bytyç nuk shterrojnë kurrë. Gëzuar 50-vjetorin dhe qofshi faqebardhë!

Ndarja me vendlindjen, pesha e mallit dhe drita e shpresës

Krahas atij gëzimi të përligjur, ndarja nga njëri-tjetri dhe nga vendlindja krijonte njëfarësoj trishtimi, ndërsa ai vend i bekuar boshatisej dalëngadalë nga pjesëmarrësit dhe pas asaj ndarjeje rrallë shihje më këmbë njeriu. Ndonëse që herët e përherë mërgimtarët e kanë ndier peshën e largësisë nga vendlindja dhe atdheu—aq sa dikur, kur ktheheshin rrallë në vendin e tyre, nuk ishin të pazakonta rastet që disa prej tyre të merrnin me vete një grusht dhe nga toka e tyre—edhe atë ditë të gjithë ata që kishin migruar dhe emigruar donin të merrnin diçka me vete, përveç mallit dhe mbresave të thella. Në kushtet e zhvillimit të sotëm u janë krijuar mundësi të reja, që të mos marrin dhe nga toka e vendlindjes, por fotografi apo videoincizime.

Foto: Vendlindja në horizont: Agron Isa Gjedia.

Këtij tundimi të arsyeshëm nuk i shpëtoi as grupi i shoqatës sonë, i cili në rrugëkalimin e kthimit për në Tiranë regjistroi sekuenca filmike dhe pamje plot emocion. I tillë ishte rasti i nënkryetares zj. Shpresa Mulaj. Në këtë përvjetor që përkonte me një gjysmë dekade nga shkuarja në amshim e shpirtit të babait të saj dhe njëherësh kryeurtakut të krahinës së Bytyçit, z. Ali Rrustem Mula, ajo nuk e la pa shkuar aty ku ai kishte punuar shumë vite me përkushtim, në spitalin e Pacit, si dhe bëri incizime në vendet nga kishte kaluar. Kthimi kishte peshën e vet të largimit edhe për z. Agron Isa Gjedian, i cili fiksonte në fotografi jo vetëm peizazhet e krahinës, por edhe vendin e tij të lindjes, fshatin Çorraj, nga ku u kalua gjatë kthimit për në Tiranë.

Përndryshe, asaj dite plot shkëlqim e cila na begatoi ndejën e këndshme, ndodhi që gjatë largimit, disa re që kullosnin në qiell lëshonin hijet e tyre mbi malet e luginat e krahinës, sikur po lëviznin në kompjuter me një maus. Por ato, ose të tjera si ato, nuk e kishin për herë të parë, sepse vazhdonin ritin e tyre të përjetshëm, që atëherë kur nuk njihej as kompjuteri e as mausi i tij—të cilat përpara dukurive të tilla të natyrës ngjajnë si një lodër. Kështu, edhe natyra që ishte e qeshur kur shkuam, në kthim dukej si e mrrolur nga mërzia e largimit të njerëzve të krahinës, të cilët nuk dihet se kur do të kujtohen edhe një herë për t’u bashkuar së toku si dikur e si këtë herë—kuptohet, me firot e dhimbshme që sjellin koha dhe rruga.

Megjithatë, fakti që shkolla vijon të mbijetojë, dashuria e pakufishme e nxënësve për dijen dhe dhuntitë e tyre në përgatitjen artistike, si dhe stafi i përkushtuar i asaj shkolle me në krye drejtorin z. Junik Dunisha, na japin shpresë për perspektiva që nuk do të vyshken kurrë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu