ARKIVI:
14 Korrik 2026

Anthony Athanas, shqiptari që nderoi Amerikën dhe nuk harroi kurrë Shqipërinë

Shkrime relevante

Anthony Athanas, shqiptari që nderoi Amerikën dhe nuk harroi kurrë Shqipërinë

Anthony Athanas – Shqiptari që u bë një legjendë amerikane (Korrik, 1911-...

Snezhana Paunoviq foli me gjuhën e Millosheviqit – ëndrra për spastrimin e shqiptarëve ka vdekur përgjithmonë

Basri Beka, Prishtinë ____ Organizata Shqiptaria dënon me ashpërsinë më të madhe deklaratën...

Ata që sulmojnë Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, sulmojnë vetëdijen kombëtare shqiptare

Basri Beka, Prishtinë Ata që sulmojnë Gjergj Kastriotitn Skënderbeun, sulmojnë vetëdijen...

Ujku qimen e ndërron, por zanatin nuk e harron

Basri Beka, Prishtinë E përshëndes vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për...

Për gjurmët historike e ndërgjegjen kombëtare

Nue Oroshi, historian Gjurmë në histori dhe ndërgjegje kombëtare (Studime,publicistikë dhe ligjërime...

Shpërndaj

Anthony Athanas – Shqiptari që u bë një legjendë amerikane

(Korrik, 1911- Maj 2005)

Nga Frank Shkreli

Në përvjetorin e lindjes së njërit prej vatranëve më të shquar të shekullit të kaluar 

   Sa herë më bie rasti të kujtoj Anthony Athanas, nuk më vjen ndër mend së pari restoranti i famshëm “Anthony’s Pier 4”, as fotografitë e tij me presidentë amerikanë, senatorë, artistë e personalitete botërore që zbukuronin muret e atij institucioni të njohur të Bostonit. Më kujtohet vetë Anthony.  Më kujtohet buzëqeshja e tij e ngrohtë, mënyra si të priste në hyrje të restorantit dhe përulësia me të cilën të bënte të ndiheshe si në shtëpinë tënde. Ishte pronar i një prej restoranteve më të njohura të Amerikës, por nuk sillej kurrë si njeri i rëndësishëm. Përkundrazi. Kur hynte një shqiptar, ai shihte para së gjithash një bashkatdhetar. Kjo ishte madhështia e Anthony Athanas.

Kam pas fatin dhe privilegjin që Anthony Athanas ta kem takuar disa herë kur isha me shërbim në Washington dhe më vonë gjatë veprimtarive të komunitetit shqiptaro-amerikan, por dhe në restorantin e tij, në Boston, dhe në takime në Nju Jork e Boston. Pa përjashtim, çdo herë largohesha nga takimet me të, me të njëjtën përshtypje: se përballë nuk kisha vetëm një biznesmen të suksesshëm shqiptaro-amerikan, por një burrë që nuk kishte lejuar që suksesi ta largonte nga njerëzit e vet, nga “Vatra” dhe nga Shqipëria.

Sot në përvjetorin e lindjes së tij, mendova se ia vlen të kujtojmë Anthony Athanas, jo vetëm njeriun që realizoi ëndrrën amerikane, por edhe shqiptaro-amerikanin që e kishte kuptuar se suksesi merr kuptim të plotë vetëm kur vihet në shërbim të komunitetit shqiptaro-amerikan, në interes të Amerikës sonë të dashur dhe të lidhjeve tona të ngushta historike, komb me komb, sidomos në këtë 250-vjetor të të themelimit të Amerikës. Në përvjetorin e lindjes së tij, për mua, si shqiptaro-amerikan, kujtimi i Anthony Athanas nuk është vetëm një detyrim moral ndaj një bashkatdhetari të shquar të cilin kam pasur priviliegjin ta njoh deri diku. Kjo datë është edhe një rast për të reflektuar mbi vlerat që ai përfaqësoi gjatë gjithë jetës së tij këtu në Amerikë: punën e palodhur, integritetin, mirënjohjen ndaj vendit që i hapi dyert dhe për besnikërinë e pandërprerë të tij ndaj Shqipërisë.

Ka data, pra, që meritojnë të kujtohen jo vetëm për të nderuar një njeri, por, njëkohsisht, edhe për t’u kujtuar brezave se çfarë mund të arrijë shqiptari kur puna, ndershmëria dhe dashuria për atdheun bëhen pjesë e pandashme e jetës së tij. Përvjetori i lindjes së Anthony Athanas është njëra prej këtyre datave. Emri i Anthony Athanas nuk lidhet vetëm me restorantin legjendar “Anthony’s Pier 4”, siç mendojnë disa,  dikur ndër më të njohurit në Shtetet e Bashkuara, ose me biznese të tjera.  Emri Anthony Athanas, ndoshta si rrallë ndonjë tjetër, lidhet me një jetë që mishëroi në mënyrën më të denjë atë që amerikanët e quajnë “American Dream”, por që për Anthony Athanas nuk ishte kurrë një histori e shkëputur, krejtësisht, nga rrënjët e tija shqiptare.  Ai ka lindur në Korçë dhe si shumë bashkatdhetarë të brezit të tij, mori rrugën e emigrimit në një moshë fare të njomë. Ishte vetëm katër vjeç kur mbërriti në Amerikë, në vitin 1911, për t’u bashkuar me të atin. Jeta nuk i fali atij asgjë. Në moshën 13-vjeçare u detyrua të linte shkollën për të punuar. Por ajo që nuk mundi t’i jepte shkolla, Anthonit ia dha puna, përkushtimi dhe inteligjenca natyrore e shqiptarit. Nga larës i enëve e deri tek pronari i një prej restoranteve më të famshme të Amerikës, rruga e tij nuk ishte as e lehtë dhe as e shkurtër. Ishte një jetë e ndërtuar me djersë, sakrifica dhe këmbëngulje. Kur hapi “Anthony’s Pier 4” në Boston në vitin 1963, askush nuk mund ta kishte parashikuar se ai restorant do të bëhej një institucion amerikan,  Frank SHKRELI: Restoranti “Anthony’s Pier 4” nuk është më | Gazeta Telegraf, i një shqiptari që u bë legjendë amerikane. Për dekada me radhë, “Anthony’s Pier 4” nuk ishte vetëm një restorant. Ishte një simbol i suksesit amerikan të një shqiptari. Në vitet e lulëzimit të tij, mijëra klientë e frekuentonin çdo ditë, ndërsa në muret e tij vareshin fotografi me presidentë amerikanë, senatorë, artistë, diplomatë dhe figura të njohura amerikane dhe botërore. Për të përmendur vetëm disa, Frank Sinatra, John F. Kennedy, Richard Nixon, Henry Kissinger, Elizabeth Taylor, Alfred Hitchcock e shumë personalitete të tjera, ishin mysafirë të rregullt të Anthony Athanas.  Megjithatë, as fama dhe as pasuria nuk ia ndryshuan karakterin e shqiptarit.  Anthony nuk e harroi kurrë vendlindjen. Nuk e harroi gjuhën. Nuk e harroi kombin.  Përkundrazi!

Sa më shumë rritej emri i tij në Amerikë, aq më shumë shtohej angazhimi i tij qëllim mirë, në shërbim të komunitetit shqiptaro-amerikan. Siç thashë më lartë ka data që duhet të kujtohen në jetën e disa njerzve, por unë sot po kujtoj Anthony Athanas edje si një shembëll të rrallë – ndoshta ndër të vetmit të tillë – të komunitetit shqiptaro-amerikan gjatë shekullit të kaluar e deri në ditët e sotëme.  Anthony Athanas ishte dhe mbetet, historikisht, ndër figurat më të rëndësishme të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”.  Ishte bashkëpunëtor i afërt i Fan Nolit dhe Faik Konicës dhe më vonë një nga mbështetësit më besnikë të vazhdimësisë së kësaj organizate historike në Shtetet e Bashkuara. Për ata që e njihnin, Anthony Athanas, nuk e bëri këtë angazhim për interes personal, sepse nuk kishte nevojë as për emër, as për para. Ai i kishte fituar të dyja me punën e tij. E bëri sepse besonte se shqiptari, sado larg të jetojë, nuk duhet ta harrojë kurrë përgjegjësinë ndaj kombit të vet.  Me një rast, ish-kryetari i “Vatrës”, Agim Karagjozi, e ka përshkruar Anthony Athanas, me të drejtë, si trashëgimtarin e Fan Nolit në Federatën Vatra. Ishte një vlerësim që nuk i bëhej një biznesmeni të pasur shqiptaro-amerikan, por një patrioti të përkushtuar shqiptaro-amerikan. Pas largimit nga jeta të Fan Nolit dhe të brezit të themeluesve, “Vatra” kishte nevojë për njerëz që ta mbanin gjallë frymën e saj. Anthony Athanas ishte ndër ata burra që nuk lejuan të shuhej ai pishtar që Noli, Konica dhe patriotët e tjerë kishin ndezur në fillim të shekullit të kaluar. Ai nuk e bëri këtë për lavdi personale as për pëfitime materiale. Ai e bëri këtë sepse e konsideronte si detyrim ndaj historisë së shqiptarëve në Amerikë.

Më vonë, ndonëse në moshë të shkuar, dhe kur çështja kombëtare kërkonte zërin dhe autoritetin e tij, Anthony nuk mungoi. Gjatë luftës së Kosovës ai iu bashkua delegacioneve amerikane që vizituan Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, duke përdorur prestigjin e tij në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve. Kjo ishte arsyeja pse ai gëzonte respekt jo vetëm në komunitetin shqiptaro-amerikan, por edhe në qarqet më të larta politike dhe shoqërore amerikane.

Gjatë jetës së tij shumë dimensionale, Anthony Athanas nderoi Shqipërinë, me besnikërinë ndaj prejardhjes së vet dhe me shërbimin e palodhur të tij ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan. Sot, në një kohë kur shoqëria shqiptare, sidomos komuniteti shqitaro-amerikan, kërkon modele frymëzimi, jeta e Anthony Athanas mbetet, për të gjithë ne, një dëshmi suksesi i vërtetë që nuk matet vetëm me pasurinë që krijon, por edhe me gjurmën që lë në jetën e njerëzve dhe në historinë e kombit tënd.  Për këtë arsye, Anthony Athanas nuk është vetëm një figurë e shquar e diasporës shqiptaro-amerikane.  Ai është pjesë e historisë sonë kombëtare.   Sot, kur shpesh dëgjojmë të flitet për modele frymëzimi në komunitettin shqiptaro-amerikan ose më gjërë, nuk kemi nevojë t’i kërkojmë larg.  Anthony Athanas mbetet një prej tyre. Ai na kujton se suksesi nuk matet vetëm me pasurinë që grumbullojmë, por me respektin që fitojmë në komunitet dhe më gjërë, me dorën që u shtrijmë të tjerëve dhe me shërbimin që i bëjmë kombit tone të origjinës dhe Amerikës tone të dashur.   Ky ishte, pra ishte Anthony Athanas. Një amerikan i mirë. Një shqiptar i madh. Por edhe një vatran që e nderoi përjetë emrin e shqiptarit në Amerikë. Top of Form Ai e deshi Amerikën, sepse Amerika i dha mundësinë të ndërtonte jetën e tij, i lirë. Por, ai nuk e harroi kurrë Shqipërinë. Pikërisht, për këtë arsye, Anthony Athanas mbetet një nga figurat më fisnike të historisë së diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Ashtu do mbahet mend!

Nderim të përhershëm kujtimit të tij! 

Ajka e dikurshme shqiptare anti-komuniste, Anthony Athanas, Prof Martin Camaj, Dr Hamdi Oruçi, në një seminar të Federatës Vatra, 1968, Nju Jork

Krerët e mërgatës shqiptare antikomuniste dikur, Anthony Athanas, Prof. Ernest Koliqi, Prof. Nexhat Peshkëpia, ndër të tjerë, mbledhur në Romë, 1968 – një rast i humbur historic për Kombin!

Anthony Athanas duke folur gjatë një darke në Nju Jork, para një mijë pjesëmarrësve në një seminar të Vatrës—foto nga revista Shejzat e Ernest Koliqit

 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu