Aq shumë e deshën UÇK-në, saqë e mbushën me veteranë të rremë

Shkrime relevante

Aq shumë e deshën UÇK-në, saqë e mbushën me veteranë të rremë

Nga: Lirim Gashi, Prishtinë ____ Aq shumë e deshën UÇK-në, saqë Organizatën e...

Hoxha i katër grave dhe livadhet që ujiste Qazimi

Luan - Asllan Dibrani, Gjermani 25 shtator 2026 Tregim satirik Në atë shtëpi, fjala...

“Nisma e Deçanit” në Zvicër, ftesë për Kuvendin e 3-të të Rregullt Vjetor, që do të mbahet nesër në ora 18

Saim Tahiraj ____ “NISMA E DEÇANIT” – ZVICËR F T E S Ë PËR KUVENDIN...

Mentor Mripa – zëri që e sheh botën përmes shpirtit

Hajriz Mamaj, Prishtinë Vështrim poetiko-letrar dhe biografik Mentor Mripa është një figurë e...

Behajdin Allaqi – intelektuali i Lëvizjes dhe misteri i një zhdukjeje që u bë çështje e historisë

Nga Dr. Sadri Ramabaja, Prishtinë Portret Behajdin Allaqi (7 prill 1963 – 11...

Shpërndaj

Nga: Lirim Gashi, Prishtinë
____
Aq shumë e deshën UÇK-në, saqë Organizatën e Veteranëve të Luftës e mbushen me mijëra veteranë të rremë.
Dashuria e tyre për UÇK-në, siç duket, kishte hyrë në një fazë të re.
Dikur dashuria dëshmohej me lule.
Sot, për disa, dëshmohet me lista.
Të fusin në listë nëse ke mjaftueshëm para.
Ta japin statusin e veteranit.
Të japin pension.
Dhe, si në çdo abonim familjar serioz, ta përkujtojnë edhe ku duhet ta çosh votën.
Kontrata nuk shkruhet.
Nuk ka nevojë.
Ajo nënkuptohet:
„Statusi është i yti për sa kohë që vota është e jona.“
Nëse harron se kush të futi në listë, mos u shqetëso.
Institucionet kanë kujtesë më të mirë se njeriu.
Statusi mund të rishikohet.
Pensioni mund të ndërpritet.
Por vota duhet të mbërrijë gjithmonë në kohën dhe në destinacionin e duhur, përndryshe dihet çfarë të gjen.
Madje duhet të mbërrijë e freskët, e paprekur dhe e dokumentuar përmes fotografisë.
Dhe kështu, një luftë që duhej të prodhonte heronj e prodhoi edhe një industri shtesë.
Industrinë e veteranëve.
Një fabrikë moderne.
Nuk kërkon pushkë.
Nuk kërkon uniformë.
Nuk kërkon as luftë.
Kërkon vetëm një formular.
Dhe një kujtesë të shëndoshë politike.
Sepse këta i deshën aq shumë heronjtë dhe dëshmorët e luftës, saqë edhe varret, monumentet dhe lapidarët e tyre i ndërtuan me shumë patriotizëm dhe me shumë pak çimento.
Guri është i shtrenjtë.
Çimentoja është e shtrenjtë.
Patriotizmi, për fat të mirë, është falas.
Dhe kur mungon materiali, shtohet fjala ”Rroftë UÇK”.
Një ditë dikush mund të pyesë:
„Pse duket ky monument sikur është ndërtuar pas një tenderi që e kishte humbur edhe vetë shpresën?“
Pyetje e rrezikshme.
Sepse mund të zbulojë se edhe dëshmori paska pasur një buxhet.
Se edhe patriotizmi paska pasur përfitues.
Ata e deshën Kosovën aq shumë, saqë pasurinë shtetërore e trajtuan sikur gjyshi t’ua kishte lënë me testament.
Shteti?
Publiku?
Pasuria e përbashkët?
Po, po.
Gjithçka është e përbashkët.
Sidomos kur duhet të ndahet.
Dhe kur një pasuri nuk ka pronar të dukshëm, gjithmonë gjenden disa patriotë të gatshëm ta marrin nën kujdesin e tyre.
Në mënyrë private.
Me shumë dashuri.
Dhe me shumë interes.
Këta aq shumë e deshën arsimin dhe shkencën, saqë diplomat universitare filluan t’i shesin nëpër kiosqe si çamçakëzat e Linda Morinës.
Në fund, diploma e blerë humbi aq shumë vlerë, saqë filloi të konkurrojë me kondomin.
Por kondomi ka një avantazh.
Të paktën të mbron nga disa sëmundje seksualisht të transmetueshme.
Diploma e blerë prej tyre nuk të mbron kurrë nga budallallëku.
Përkundrazi.
Ndonjëherë ta jep edhe certifikatën që je budalla origjinal.
Budalla me diplomë.
Një status i ri akademik.
Pastaj erdhi sovraniteti.
E deshën edhe atë.
Aq shumë e deshën, saqë territorin e Kosovës e prenë në copa si një byrek familjar.
Dhe pjesën veriore e nxorën në treg.
Vetëm se populli u tregua monitorues i rreptë.
Nuk e pranoi çmimin.
Nuk e pranoi marrëveshjen.
Dhe nuk lejoi që pjesa t’i shitej arushës.
Byreku, gjithsesi, ka një epërsi ndaj hartës politike:
kur e pret, të paktën e di kush e ka ngrënë.
Për këta njerëz, e vetmja gjë e shenjtë mbetet :
paraja.
Historia?
Ka çmim.
Lavdia?
Ka faturë.
Biografia?
Ka tarifë.
Nëse jeta jote nuk të mjafton për një biografi heroike, mos u dëshpëro.
Merre një shkrimtar me qira.
Mundësisht një amerikan ose anglez.
Paguje lirisht me paratë e taksapaguesve.
Dhe ai do ta shkruajë një jetë aq madhështore, saqë edhe ti vetë do të habitesh kur ta lexosh.
Kështu heroi i tyre nuk ka më nevojë të bëjë histori.
Mjafton të blejë dikë që t’ia shkruajë.
Dhe nëse edhe kjo nuk mjafton, ekziston lobimi.
Me paratë e taksapaguesve mund të paguash njerëz jashtë vendit që do ta arsyetojnë me shumë zell copëtimin e Kosovën.
Për interesat e tua.
Për versionin tënd të historisë.
Dhe papritur shteti shndërrohet në bankomat patriotik.
Futet karta.
Del fatura.
Shkruhet historia.
Sipas porosisë.
Kështu një pjesë e politikës sonë ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm.
E ka kthyer patriotizmin në dekor.
Luftën në kapital politik.
Veteranin në numër.
Diplomën në mall.
Shtetin në pronë.
Historinë në biografi me porosi.
Dhe përgjegjësinë në një send të humbur.
Ku?
Askush nuk e di.
Ndoshta ndërmjet tenderit dhe sirtarit.
Dhe pastaj dalin para kamerave.
Me flamur.
Me fjalime.
Me fytyrën e duhur.
Dhe na tregojnë sa shumë e duan UÇK-në.
Natyrisht që e duan.
Kush nuk do ta donte një histori që mund të përdoret për gjithçka?
Për fjalime.
Për monumente.
Për vota.
Për tenderë.
Për biografi.
Për imazh.
Për gjithçka.
Vetëm jo për përgjegjësi.
Sepse UÇK-ja nuk ka nevojë për dashurinë e atyre që e përdorin si dekor politik.
Heronjtë nuk kanë nevojë për biografi të blera.
Dëshmorët nuk kanë nevojë për monumente të mëdha me materiale të vogla.
Kosova nuk ka nevojë për pronarë privatë të patriotizmit.
Dhe qytetari nuk ka nevojë për politikanë që i tregojnë çdo ditë se sa shumë e duan atdheun.
Sepse atdheu nuk është pronë private.
Patriotizmi nuk matet me flamuj.
As me lista veteranësh.
As me madhësinë e monumenteve.
As me trashësinë e biografive.
Patriotizmi fillon me një pyetje.
Një pyetje shumë të pakëndshme:
Çfarë ke bërë për vendin tënd kur askush nuk të shikonte?
Dhe këtu fillon problemi.
Para kamerës mund të jesh gjithçka.
Hero.
Patriot.
Veteran.
Doktor.
Lobist.
Shpëtimtar.
Por kur kamera fiket dhe dosja hapet, dekoratat heshtin.
Mbetet vetëm një pyetje:
Çfarë ke bërë?
Përgjigjen nuk mund ta shkruajë asnjë biograf.
As i huaj.
As vendas.
As i paguar.
As falas.
Sepse një biograf mund të zbukurojë jetën.
Një monument mund ta madhërojë.
Një flamur mund ta mbulojë.
Një slogan mund ta bërtasë.
Por ka një gjë që nuk mund ta bëjë askush:
t’ua heqë pasojat veprimeve.
Historia mund të lustrohet.
Mund të retushohet.
Mund të shitet.
Mund të rishkruhet.
Por pasojat kanë një ves të tmerrshëm:
nuk pranojnë korrigjime.
Dhe, për fat të keq të tyre, nuk kanë as redaktor.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu