
Prof. Dr. Sabri Tahiri
Kosova ndodhet prej një kohe të gjatë përballë një ngërçi politik dhe institucional që ka konsumuar energjinë e shoqërisë, ka dëmtuar funksionimin normal të institucioneve dhe ka krijuar një pasiguri të panevojshme për të ardhmen e vendit. Pas një periudhe të gjatë përplasjesh politike, mosbesimi dhe pamundësie për të arritur marrëveshje, kandidatura e profesor dr. Bekim Sejdiut për President të Republikës mund të shihet si një mundësi për të hapur një kapitull të ri: atë të kompromisit institucional dhe të rikthimit të kulturës së dialogut.
Çështja, në këtë rast, nuk duhet të trajtohet vetëm si zgjedhje e një personi për postin e Presidentit. Ajo duhet të shihet si një provë e pjekurisë politike të klasës politike dhe e aftësisë së institucioneve të Kosovës për ta vendosur interesin e shtetit mbi interesat e ngushta partiake.
Bekim Sejdiu paraqet një profil profesional që e dallon nga shumë kandidatura tipike politike. Formimi i tij juridik dhe akademik, përvoja si profesor universitar, përvoja diplomatike dhe shërbimi si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese përbëjnë një kombinim të rëndësishëm për ushtrimin e detyrës së Presidentit.
Presidenti i Republikës nuk është vetëm figurë ceremoniale. Kushtetuta i atribuon atij përgjegjësi të rëndësishme në funksionimin e institucioneve, përfaqësimin e shtetit dhe politikën e jashtme. Për këtë arsye, përvoja në të drejtën kushtetuese, diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare është një përparësi që nuk duhet nënvlerësuar.
Në këtë kuptim, profili i profesor Sejdiut mund të konsiderohet më shumë institucional sesa partiak. Dhe pikërisht kjo mund të jetë një nga arsyet që ai të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet subjekteve politike me qëndrime të ndryshme.
Nëse kandidatura e tij është produkt i një marrëveshjeje ndërmjet forcave politike, kjo nuk duhet të jetë fundi i procesit, por fillimi i një përgjegjësie të re.
Një president konsensual nuk mund të jetë president i partive që e kanë propozuar. Ai duhet të jetë President i Republikës së Kosovës.
Kjo do të thotë se, pas zgjedhjes, ai duhet të dëshmojë pavarësinë institucionale, paanshmërinë dhe gatishmërinë për të komunikuar me të gjitha forcat politike, përfshirë ato që mund të mos e kenë mbështetur kandidaturën e tij.
Kjo është edhe pika ku kandidatura duhet të vlerësohet me seriozitet nga opozita dhe shoqëria civile. Nuk kërkohet pajtim mbi çdo çështje politike. Kërkohet pajtim mbi nevojën që Presidenti të jetë institucion i të gjithë qytetarëve.
Kosova nuk ka nevojë për një tjetër cikël zgjedhor vetëm për ta prodhuar një krizë të re.
Zgjedhjet janë instrumenti më i rëndësishëm demokratik, por ato nuk duhet të bëhen mekanizëm automatik për zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje politike. Kur një marrëveshje institucionale është e mundur dhe kur ekziston një kandidat me profil profesional e institucional që mund të sigurojë një shumicë të gjerë, përgjegjësia politike duhet të jetë që së pari të shfrytëzohet kjo mundësi.
Një palë zgjedhje të reja do të kërkonin kohë, do të konsumonin edhe më shumë energji politike e shoqërore dhe do të rrisnin pasigurinë institucionale. Mbi të gjitha, ekziston rreziku që ato të mos e ndryshojnë substancialisht raportin politik dhe ta rikthejnë vendin në të njëjtin ngërç.
Prandaj, para se Kosova të shkojë përsëri drejt zgjedhjeve, duhet të provohet seriozisht rruga e marrëveshjes politike dhe institucionale.
Kandidatura e profesor Sejdiut mund të shërbejë si një test i rëndësishëm për të gjitha subjektet politike.
Për subjektet që e propozojnë, testi është nëse janë të gatshme ta respektojnë pavarësinë e Presidentit pasi ai të zgjidhet.
Për opozitën, testi është nëse mund ta vlerësojë një kandidat mbi bazën e profesionalizmit dhe interesit shtetëror, pa e kushtëzuar domosdoshmërisht mbështetjen me përfitime politike.
Për shoqërinë civile, testi është nëse mund të kërkojë standarde të larta profesionale dhe institucionale pa u shndërruar në instrument të përplasjeve partiake.
Ndërsa për partnerët ndërkombëtarë, një zgjidhje e tillë do të mund të ishte dëshmi se institucionet e Kosovës janë të afta të prodhojnë kompromis demokratik edhe në rrethana të vështira.
Duhet bërë edhe një dallim i rëndësishëm: konsensusi nuk nënkupton që të gjitha partitë duhet ta duan kandidatin, pra, koncensusi nuk do unanimitet.
Në një demokraci pluraliste kjo është pothuajse e pamundur.
Konsensusi nënkupton që një kandidat mund të pranohet nga një shumicë e gjerë politike dhe shoqërore si person që mund ta ushtrojë detyrën me dinjitet, profesionalizëm dhe paanshmëri.
Në këtë kuptim, kandidatura e Bekim Sejdiut mund të jetë më shumë se një kompromis ndërmjet dy subjekteve politike. Ajo mund të shndërrohet në një kompromis më të gjerë institucional, nëse partitë e tjera dhe shoqëria civile e vlerësojnë atë mbi bazën e aftësive dhe integritetit të tij.
Kosova ka nevojë për një fillim të ri
Pas një periudhe të gjatë polarizimi, shoqëria kosovare ka nevojë për një frymë tjetër politike. Jo për heqjen dorë nga dallimet ideologjike dhe programore, por për vendosjen e disa interesave themelore të shtetit mbi konfliktet partiake.
Presidenti i ardhshëm duhet të jetë një faktor stabiliteti, dialogu dhe komunikimi institucional. Duhet të jetë në gjendje të flasë me pozitën dhe opozitën, me shumicën dhe pakicat, me institucionet vendore dhe me partnerët ndërkombëtarë.
Nëse profesor dr. Bekim Sejdiu arrin ta ndërtojë këtë rol, atëherë kandidatura e tij mund të marrë një kuptim shumë më të gjerë sesa zgjedhja e radhës për një post kushtetues. Ajo mund të shënojë fillimin e një kulture të re politike, ku kompromisi nuk shihet si dobësi dhe dialogu nuk konsiderohet humbje.
Në vend të një krize të re, një marrëveshje për shtetin
Kosova nuk duhet të lejojë që lodhja politike e qytetarëve të shndërrohet në zhgënjim demokratik.
Qytetarët kanë nevojë për institucione funksionale, ekonomi më të qëndrueshme, perspektivë evropiane dhe siguri për të ardhmen. Përmbushja e këtyre objektivave kërkon institucione legjitime dhe funksionale, jo përplasje të pafundme.
Prandaj, nëse kandidatura e profesor dr. Bekim Sejdiut mund të sigurojë një shumicë të mjaftueshme dhe nëse ai merr përsipër publikisht të jetë President i të gjithë qytetarëve, atëherë do të ishte e arsyeshme që partitë politike ta shfrytëzonin këtë mundësi për ta mbyllur krizën institucionale.
Nuk do të ishte një fitore e LVV-së.
Nuk do të ishte një fitore e LDK-së.
Nuk do të ishte humbje e opozitës.
Do të ishte një fitore e Republikës së Kosovës.
Në këtë moment, vendit nuk i duhet një tjetër betejë politike për pushtet. I duhet një marrëveshje për funksionimin e shtetit.
Kandidatura e Bekim Sejdiut mund të jetë pikërisht një mundësi e tillë.
Dhe kjo mundësi ia vlen të provohet.
Zgjedhja e një presidenti koncensual do të ishte një fitore e Republikës së Kosovës.
Gjilan, 2. Shtator 2026


