ARKIVI:
25 Prill 2026

Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë: Mes propagandës politike dhe interpretimit ndërkombëtar

Shkrime relevante

Elisa Spiropali e sjell letrën e Rexhep Qosjes në aktivitetin për 90-vjetorin e Ismail Kadaresë, pas vdekjes

Elisa Spiropali, ish-ministre e Jashtme e Shqipërisë, Tiranë  TË ZGJUARIT JANË BASHKË...

LVV fton PDK-në dhe LDK-në që të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri

Sadri Ramabaja, Prishtinë Kur me një akt të urtë sjell dritën në...

Politikë pa parime

Rafuna Mevi, Londër Sikur Machiavelli të rikthehej në jetë, e të kishte...

The Evening Post (1936) / Historia e rrallë e koleksionistit të autografeve me Mbretin Zog

Burimi : Revista finlandeze “Eeva”, 1 janar 1936, faqe n°10 Nga Aurenc Bebja*,...

Rishikimi i trashëgimisë toponimike në hapësirën shqiptare

Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan Një domosdoshmëri shkencore, kulturore dhe institucionale për...

Shpërndaj

Naim J. Krasniqi, historian

Demonstratat e marsit dhe prillit të vitit 1981 në Kosovë përbëjnë një nga ngjarjet më të
rëndësishme politike dhe shoqërore në historinë e saj moderne. Ato nisën si protesta studentore në kampusin universitar të Prishtinës, por shumë shpejt u shndërruan në një lëvizje më të gjerë me përmasa politike. Një nga elementet më të debatueshme të këtyre ngjarjeve është mënyra se si ato u interpretuan nga klasa politike e kohës, nga media ndërkombëtare, por edhe nga shtresa të ndryshme shoqërore.
Fillimisht, shpërthimi i protestave u lidh me një incident të vogël në mensën studentore, ku thuhet se një student hodhi një pjatë ushqimi. Megjithatë, ky episod nuk mund të konsiderohet si shkaku i vërtetë i demonstratave, por vetëm si një shkëndijë që ndezi një pakënaqësi të akumuluar prej kohësh. Reduktimi i një lëvizjeje të tillë në një incident banal ishte pjesë e një diskursi më të gjerë politik që synonte ta minimizonte rëndësinë e saj.
Klasa politike e Kosovës në atë kohë, e integruar në sistemin komunist jugosllav, përdori një gjuhë të ashpër dhe shpesh denigruese ndaj protestuesve. Demonstruesit u etiketuan si “armiq”,
“irredentistë” dhe “kundërrevolucionarë”, duke i paraqitur kështu si kërcënim për rendin shtetëror dhe jo si qytetarë – studentë që në çdo vend të botës konsiderohen si shtresa më e lartë e shoqërisë me kërkesa legjitime.
Në disa raste, gjuha e përdorur arrinte deri në dehumanizim, duke i cilësuar ata me terma ofendues, si në deklaratat e Fadil Hoxhës: „…këta janë plehu i Kosovës“, apo „…bira mini për 300 grosh…“.
Ali Shukrija deklaronte se „…demonstruesit ishin të armatosur…“, ndërsa Azem Vllasi i cilësonte ngjarjet si „…kontrarevolucionare dhe kundër vëllazërim-bashkimit…“, duke tentuar gjithashtu të barazonte numrin e të plagosurve mes milicisë dhe protestuesve.
Sipas raportimit të gazetës „Süddeutsche Zeitung“ (15 prill 1981), Vllasi deklaronte se gjatë trazirave kishte nëntë (9) të vrarë, ndër ta edhe një polic, si dhe 261 të plagosur (130 civilë dhe 131 policë). Kjo nënkupton se tetë (8) demonstrues ishin vrarë, ndërsa në numrin e të plagosurve paraqitet një polic më shumë, gjë që ngre pikëpyetje për saktësinë dhe interpretimin e shifrave. Kjo qasje dëshmon për një përpjekje për të relativizuar dhunën shtetërore.
Në të njëjtën linjë ishte edhe deklarimi i Kole Shirokës, i cili akuzonte Shqipërinë për ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë, duke thënë se „…vetëm Prishtina ka soba elektrike më shumë se krejt Shqipëria…“. Kjo u pasua nga deklarata ekstreme dhe diskriminuese, si ajo e Ali Shukrijës, që sugjeronte masa për uljen e natalitetit të shqiptarëve dhe kufizimin e furnizimit me ushqim.
Këto qëndrime u kritikuan edhe nga analistë ndërkombëtarë. Carl Gustaf Ströhm, në gazetën „Die Welt“, i përshkruan këto politika me titullin simbolik „Kühlschränke gegen Skanderbeg“
(“Frigoriferë kundër Skënderbeut”), duke nënvizuar kontrastin mes mirëqenies materiale dhe identitetit kombëtar. Edhe pse ekzistonte një nivel zhvillimi ekonomik, shumë shqiptarë në Kosovë vazhdonin ta shihnin Shqipërinë si atdheun e tyre të vërtetë.
Media gjermane e pasqyroi situatën përmes titujve domethënës dhe shpesh ironikë, si: „Friedloses Amselfeld“, „Kühlschränke gegen Skanderbeg“ dhe „Wer hat den Kopf verloren im Kosovo?“, si dhe nga revista „Der Spiegel“: „Jugoslawien: Ohne roten Stern“, „Ohne Pluderhosen“, „Idealer Hirte“ dhe „Alle schweigen“.
Titulli „Pa yllin e kuq“ sugjeron humbjen e ndikimit të ideologjisë komuniste në Kosovë, ku
shqiptarët po mobilizoheshin më shumë rreth identitetit kombëtar sesa ideologjisë socialiste. Kjo mbështetet edhe nga fakti se demonstratat nuk kishin karakter të theksuar ideologjik, por kërkesa për barazi sociale dhe kombëtare.
„Pa tirqe“ paraqet një kontrast mes modernizimit të imponuar dhe ruajtjes së traditës kombëtare.
Një përshkrim i ngjashëm gjendet edhe në „Die Zeit“, ku Christian Schmidt-Häuer shkruan për bashkëjetesën kontradiktore të elementeve tradicionale dhe moderne.
Titulli „Bariu ideal“ është një kritikë ironike ndaj pushtetit, që e sheh popullin si një “tufë” për t’u kontrolluar. Kjo përforcohet nga përshkrimet e gjendjes së jashtëzakonshme dhe kontrollit të rreptë në Kosovë, ku edhe të huajt që merrnin leje vizite shoqëroheshin nga persona të shërbimeve të fshehta.

Pamje nga demonstratat e vitit 1981

Ndërsa „Të gjithë heshtin“ përshkruan një atmosferë frike, represioni dhe autocensure, ku
mungon debati publik dhe dominon heshtja kolektive.
Një element tjetër i rëndësishëm i diskursit zyrtar ishte përpjekja për t’i paraqitur
demonstratat si rezultat i ndikimeve të jashtme, veçanërisht nga Shqipëria. Kjo synonte të shmangte vëmendjen nga problemet e brendshme dhe të justifikonte masat represive.
Në kontrast, media perëndimore ofronte një analizë më kritike dhe më të thelluar, duke vënë në pah absurditetin e shpjegimeve zyrtare. Pyetja nëse një revoltë mund të shpërthente nga pakënaqësia ndaj ushqimit në mensë shërbente për të theksuar se shkaqet ishin shumë më të thella.
Një aspekt problematik ishte edhe mungesa e transparencës në raportimin e viktimave dhe të plagosurve. Shifrat shpesh ishin kontradiktore, duke ngritur dyshime për manipulim. Theksimi i viktimave nga radhët e policisë dhe minimizimi i atyre civile ishte pjesë e një strategjie
propaganduese.


Gazeta „Frankfurter Allgemeine Zeitung“, në një artikull të Viktor Meier (7 prill 1981), me titull „Dogmatiker gegen Gemäßigte“, përshkruan një ndarje brenda elitës jugosllave: mes atyre që favorizonin represionin dhe atyre që kërkonin zgjidhje më të moderuara. Stane Dolanc paraqitet si më i matur në deklarime, duke pranuar dobësitë e sistemit, por duke theksuar se problemet nuk mund të zgjidhen vetëm me forcë.
Në përfundim, demonstratat e vitit 1981 nuk mund të reduktohen në një reagim të thjeshtë social apo në incidente të rastësishme. Ato përfaqësojnë një pakënaqësi të thellë politike që lidhet me identitetin, barazinë dhe statusin e shqiptarëve në Jugosllavi. Diskursi zyrtar u përpoq t’i delegjitimonte këto kërkesa, ndërsa analiza ndërkombëtare shpesh arriti të depërtonte më thellë në thelbin e problemit. Kjo i bën këto ngjarje thelbësore për të kuptuar zhvillimet e mëvonshme në Kosovë.

Hydajet Hyseni.., me 26 mars 1981

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu