Kur fanatizmi religjioz shtrembëron historinë dhe përpiqet t’i privatizoj heronjtë!

Shkrime relevante

Pensionistët e “Rilindjes” dhe “Bujkut”, viktimë e një tjetër diskriminimi!

Zeqir Bekolli, Drenas ____ Historia e gazetës “Rilindja” dhe e gazetës “Bujku” është...

Kur fanatizmi religjioz shtrembëron historinë dhe përpiqet t’i privatizoj heronjtë!

Saranda Ademi, Zvicër ____ KUR FANATIZMI SHTREMBËRON HISTORINË DHE PËRPIQET T’I PRIVATIZOJË HERONJTË! Duke...

Dikë po e shqetëson nderimi i një Heroi Shqiptar?

Basri Beka, Prishtinë ____ ADEM JASHARI NË KISHË: PSE JU SHQETËSON NDERIMI I...

Letër e hapur Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama

Xhemil Zeqiri, Danimark _____ Lënda: Mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë...

Shpërndaj

KUR FANATIZMI SHTREMBËRON HISTORINË DHE PËRPIQET T’I PRIVATIZOJË HERONJTË!
Duke lexuar këto komente, vij në një përfundim sa të dhimbshëm, aq edhe shqetësues: një pjesë e shoqërisë sonë jo vetëm që nuk e ka mësuar historinë e popullit të vet, por përpiqet ta shtrembërojë atë sipas bindjeve, paragjykimeve dhe fanatizmit fetar. Njësoj siç disa e keqinterpretojnë edhe Kuranin e Biblen, duke e përdorur fenë për të justifikuar përçarjen, në vend që të kultivojnë respektin dhe mirëkuptimin.
Kur nuk i kupton vuajtjet e popullit tënd, kur harron historinë dhe sakrificat e brezave, kur arrin të ironizosh figura të historisë shqiptare vetëm për shkak të emrit apo përkatësisë së tyre fetare, atëherë nuk po mbron as fenë, as kombin. Po dëshmon varfëri të thellë të vetëdijes historike dhe kombëtare!
Adem Jashari është dhe mbetet simbol i madh i qëndresës dhe sakrificës shqiptare. Por madhështia e tij nuk ndërtohet duke përçmuar figura të tjera që kanë kontribuar për kombin shqiptar. Historia jonë nuk fillon me një emër dhe nuk përfundon me një betejë!
Shqiptarët kanë mbijetuar ndër shekuj falë qëndresës, sakrificës dhe kontributit të njerëzve të besimeve të ndryshme. Askush nuk ka të drejtë ta fshijë këtë trashëgimi vetëm sepse një figurë historike quhej Pjetër, Gjon, Mark, Hasan apo Mehmet.
Një shqiptar mysliman ka po aq të drejtë ta nderojë Adem Jasharin sa një shqiptar katolik, ortodoks , protestant apo jofetar. Askush nuk ka monopol mbi patriotizmin!
Kritika ime nuk është ndaj besimtarëve myslimanë, ndaj Islamit apo ndaj ndonjë feje tjetër. Kritika është ndaj çdo mendësie fanatike e përçarëse që kërkon t’i ndajë heronjtë sipas përkatësisë fetare dhe ta shndërrojë historinë kombëtare në pronë të një grupi të caktuar.
Feja është çështje e ndërgjegjes dhe bindjes personale, ndërsa dëshmorët janë trashëgimi e përbashkët kombëtare.
Adem Jashari nuk pyeti çfarë feje kishin shqiptarët për të cilët sakrifikoi. Prandaj as ne nuk duhet të pyesim çfarë feje ka shqiptari që e nderon!
As UÇK-ja dhe as emblema e saj nuk mund të privatizohen nga askush. Ato përfaqësojnë një luftë çlirimtare dhe një sakrificë kombëtare, jo një përkatësi fetare. Ideali i lirisë, i dinjitetit dhe i bashkimit kombëtar nuk mund të kufizohet brenda mureve të një xhamie, kishe apo ideologjie.
Prandaj, ju që përpiqeni t’i ndani dëshmorët në myslimanë e katolikë, që përqeshni emrat shqiptarë dhe që mendoni se vetëm ju keni të drejtë të përcaktoni kush është patriot e kush jo, duhet të kuptoni një të vërtetë të thjeshtë:
Nuk bëhesh më patriot duke përçmuar historinë kombëtare. Nuk bëhesh më besimtar duke fyer besimin e tjetrit. Dhe nuk e madhëron Adem Jasharin duke nënçmuar shqiptarët e tjerë që kanë dhënë kontribut për atdheun!
Të mos njohësh historinë është mungesë dijeje. Por ta shtrembërosh me vetëdije, për të ushqyer urrejtje dhe përçarje, është përgjegjësi morale.
Shqiptaria nuk është pronë e myslimanëve, katolikëve, ortodoksëve , protestantëve apo jofetarëve. Ajo është identiteti ynë i përbashkët, i ndërtuar mbi gjuhën, historinë, kulturën, qëndresën dhe sakrificën e brezave.
Heronjtë nuk na lanë amanet përçarjen, por lirinë, dinjitetin dhe bashkimin kombëtar!
Kush kërkon t’i privatizojë heronjtë, nuk po e mbron historinë, por po përpiqet ta marrë peng atë.
Sepse heronjtë i përkasin kombit, jo fanatizmit. Feja nuk e zvogëlon shqiptarin dhe shqiptaria nuk ia mohon askujt fenë!
Një komb, një histori e përbashkët, shumë besime dhe një respekt i pandashëm për ata që sakrifikuan për lirinë!
Baden 23 nëntor 2026
Saranda Teresa Bruno Ademi

K O M E N T E

1 KOMENT

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu