KUR RINGJALLJA E HISTORISË SHPALLET “PROVOKIM” !
Reagimi i Këshillit të Bashkësisë Islame në Vushtrri ndaj nismës për ndërtimin e një kishe katolike shqiptare në Zogaj është interesant jo për atë që thotë, por sidomos për atë që hesht.
Në një reagim të gjatë përmenden “harmonia”, “toleranca” dhe “bashkëjetesa”, por nuk gjendet asnjë fjalë për faktin themelor se kisha është planifikuar të ndërtohet pranë themeleve të një kishe paleo-kristiane të shekullit V. të.
Pikërisht ky fakt historik duket se është ai që shqetëson më shumë, sepse ai nuk mund të zhbëhet me deklarata.

Është paradoksale që rikthimi i kujtesës historike të quhet provokim. Nëse ringritja e një kishe mbi gjurmët e një trashëgimie të lashtë konsiderohet kërcënim, atëherë problemi nuk qëndron te kisha, por te mënyra se si lexohet historia.
Thuhet se në atë zonë nuk jetojnë katolikë. Por a matet e drejta për të ndërtuar një objekt kulti vetëm me statistikat e ditës? Nëse do të ndiqej kjo logjikë, shumë monumente fetare, kulturore e historike nuk do të ishin ndërtuar apo restauruar kurrë. Trashëgimia nuk është pronë e shumicës së momentit; ajo është pasuri e historisë.
Kisha e Zogajt nuk ndërtohet kundër askujt. Ajo nuk synon të marrë asgjë nga askush dhe as të cenojë të drejtën e askujt për të besuar ndryshe. Ajo ndërtohet për të rikthyer në dritë një kapitull të historisë shqiptare që për shumë kohë është lënë në hije.
Prandaj është e vështirë të mos krijohet përshtypja se ajo që shqetëson disa ideologë nuk është vetë ndërtesa, por simbolika e saj: rikthimi i vëmendjes te rrënjët historike dhe shpirtërore të shqiptarëve.

Liria e besimit nuk nënkupton vetëm të drejtën për të ruajtur bindjen ekzistuese. Ajo përfshin edhe të drejtën për ta ndryshuar atë, për t’u kthyer te besimi i të parëve ose për të mos pasur asnjë besim. Kjo është një e drejtë themelore, jo një provokim.
Po ashtu, është bërë e ditur se në ditën e vendosjes së gurthemelit pritet të pagëzohen qindra shqiptarë e shqiptare. Nëse kjo është zgjedhja e tyre e lirë, ajo duhet respektuar njësoj si çdo zgjedhje tjetër fetare. Liria fetare nuk mund të jetë selektive.
Në fund, mbetet një pyetje e thjeshtë: si mund të quhet “provokim” ndërtimi i një kishe pranë themeleve të një kishe pesëmbëdhjetë shekujsh të vjetër, ndërsa heshtja ndaj kësaj trashëgimie të paraqitet si “mbrojtje e tolerancës”?

Historia nuk fshihet me reagime. Kujtesa nuk zhbëhet me deklarata. Dhe identiteti historik i një populli nuk mund të mbahet peng nga frika e së kaluarës.
Nëse kisha e vogël e Zogajt nuk do t’i plotësojë nevojat e të gjithë atyre shqiptarëve që zgjedhin lirisht të rikthehen te besimi i të parëve, atëherë kjo do të jetë një arsye më shumë që në të ardhmen të ndërtohen edhe objekte të tjera kulti aty ku ekziston kjo nevojë. Kjo nuk është një sfidë ndaj askujt; është ushtrim i një të drejte themelore në një shoqëri të lirë dhe demokratike.
Zoti e bekoftë Kombin SHQIPTAR !



