Leqet e Hotit
Çka e ban nji rrugë të paharrueshme?
Shqipnisë nuk i mungojnë rrugët malore që duken si me u pa ndërtue për me e ba edhe njeriun ma të arsyeshëm me harrue oraret e veta. Ka rrugë që të bajnë me mbajtë frymën, por Leqet e Hotit të japin nji ndjesi krejt tjetër — diçka mes madhështisë e çmendisë.
Në nji naltësi rreth 730 metrash mbi nivelin e detit, Leqet e Hotit janë nji kalim malor në Malësinë e Madhe, aty ku rruga kombëtare SH20 kalon prej peizazhit karstik rreth Hanit të Hotit e Rrapshit drejt luginës së Cemit.
Prej asaj naltësie, rruga të ngjall nji ndjesi si me qenë në nji atraksion rrotullues të “Disney World”: pak randësi ka a je tue u ngjitë apo tue zbritë. Kur ngjitesh, adrenalina shtohet bashkë me përjetimin, ndërsa prej rrafshit të ultë ngjitesh përmes nji vargu kthesash që të çojnë qindra metra nalt. E zbritja sjell nji tjetër spektakël: humbja e lartësisë përmes kthesave të ngushta e të njëpasnjëshme, drejt luginës së Cemit.
Këtu rruga pushon së qenuni thjesht rrugë dhe nis me u dukë si nji vizatim i bamë prej nji dore të shqetësueme.
Gjarpnim pas gjarpnimi, SH20 kapet mbas shpatit të malit. Poshtë, Cemi gjarpnon përmes gurit gëlqeror, pyjeve e faqeve të thepisuna shkambore.
Vetë terreni asht nji dramë e lashtë. Forcat tektonike kanë ngritë e ça shkambijtë karbonatikë të sistemit Dinarik-Alpin, ndërsa uji, erozioni e proceset karstike i kanë gërrye e skalitë ngadalë, tue hapë rrugën e tyne përmes shkambit.
Shpella, formacione gëlqerore, gryka të ngushta e kanione të thella — krejt janë kapituj të së njajtës histori gjeologjike.
Xhamat e makinës ulun krejt poshtë. Motori tue gulçue. Gurë, ujë, pyje — e ajo ndjesia e ambël se mali, në të vërtetë, s’do të kishte pasë kurrfarë qejfi me të pa aty.
Ti e din se Cemi ka vazhdue rrjedhën kah perëndimi, drejt Malit të Zi, tue çue ujët e vet përmes nji toke që e ka historinë shumë ma të vjetër se kufini modern.
Këto male kanë qenë shpi e bashkësive shqiptare dhe e fiseve si Hoti, Kelmendi, Gruda e Kastrati. Kufini ndërkombëtar e ndau këtë botë etnografike, kulturore e gjeografike; nuk e krijoi atë.
E ka historinë edhe vetë rruga.
Kësaj udhe zbriti për në fushëbetejë legjendari Çun Mula, bajraktari i Hotit. Kanga për të këndohet edhe sot me të njajtën freski, sikur të kishte dalë dje prej grykave të malit:
“Ka po shkon, more Çun Mula,
prej Kelmendi sot u ula,
kam marrë vesh se m’asht zanë rruga…”
Poshtë Leqeve të Hotit shtrihet rruga kah Bajza e Hani i Hotit, porta perëndimore për në këtë botë malore.
Sot, SH20 i çon udhëtarët përmes Rrapshës, Leqeve të Hotit e ma tej, drejt Kelmendit.
Por rruga që shohim sot asht relativisht e re në trajtën e saj. Segmenti Hani i Hotit–Tamarë u rindërtue e u përmirësue gjatë viteve 2010, tue e shndërrue nji rrugë dikur të vështirë e të ashpër malore, në nji prej rrugëve ma mbresëlënëse të krejt Ballkanit.
U asfaltue ma në fund.
Por asfalti nuk e zbuti malin.
Veçse e bani madhështinë e tij ma të prekshme.
E ndoshta prandej rrugë të tilla kanë randësi.
Sepse na e kalojmë shumicën e jetës tue u mundue me i shkurtue udhëtimet, me i drejtue rrugët e me mbërritë ma herët.
E mandej, me dëshirë, fluturojmë e udhëtojmë me qindra e mijëra kilometra veç me gjetë nji rrugë që na detyron me ecë ma kadalë.
Leqet e Hotit e bajnë pikërisht këtë gja.
E ngushtojnë botën derisa s’mbetet tjetër veç timoni, ajri i ftohtë i malit, guri gëlqeror që ngrihet mbi xhamin e përparmë dhe Cemi që vezullon diku shumë poshtë.
Për disa kilometra, oraret zhduken.
Rruga bahet destinacioni.
Ndoshta rrugët ma të paharrueshme nuk janë ato që na çojnë diku.
Ndoshta janë ato që, për pak kohë, na bajnë me harrue se mbërritja ka randësi…



