Lidhur me mundësinë e shfuqizimit të Dhomave të Specializuara…, sqarim i Profesorit Kolë Krasniqi, ekspert i njohur i sigurisë

Shkrime relevante

Duam Presidenten – dhe pikë ! Përgjigja e Sak Mujit për analistin Lirim Gashi

Sak Muji, Zvicër ____ DUAM PRESIDENTEN — DHE PIKË! ____ Përgjigje analistit Lirim Gashi Lirim Gashi,...

Presidenti i Greqisë Kostandin Tasulas nga Paramithia e kërcënon Shqipërinë me veto

Arben Llalla, historian “Historia nuk duhet të përdoret si instrument i politikës” Me...

Leqet e Hotit apo çka e ban nji rrugë të paharrueshme?

Ilir Seci, New York ____ Leqet e Hotit Çka e ban nji rrugë të...

Më 18 Tetor 2026, të dielën, Ditën e Çlirimit të Fierit e festojmë së bashku!

Elida Sopoti, Fier- Shqipëri, Athinë - Greqi DITA E ÇLIRIMIT TË FIERIT...

Si i dënoj Gjykata e Apelit në Prishtinë ish-krerët e UÇK-së në Hagë?

Isa Mulaj, Istog ____ Institute for Economic Policy Research and Analyses (INEPRA) ____ Dhomat e...

Shpërndaj

Sqarim profesional lidhur me mundësinë e shfuqizimit të Dhomave të Specializuara
Pyetjeve të disa gazetarëve nga Kosova dhe Shqipëria lidhur me mundësinë e shfuqizimit të Gjykatës Speciale, përkatësisht Dhomave të Specializuara të Kosovës, u përgjigjem si vijon:
1. A është juridikisht e mundur që Kuvendi i Kosovës ta shfuqizojë Gjykatën Speciale përmes një vendimi dhe çfarë procedure do të kërkohej?
Kuvendi i Kosovës nuk mund t’i shfuqizojë Dhomat e Specializuara vetëm përmes një vendimi apo rezolute të zakonshme parlamentare. Ky mekanizëm gjyqësor nuk është themeluar vetëm me ligj, por mbështetet në këto baza juridike:
– nenin 162 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
– Ligjin nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar;
– marrëveshjen ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, të ratifikuar me Ligjin nr. 04/L-274;
– marrëveshjen me Mbretërinë e Holandës, si shtet pritës.
Prandaj, një vendim apo rezolutë e zakonshme e Kuvendit mund të ketë peshë politike, por nuk mund të prodhojë efektin juridik të mbylljes së Dhomave të Specializuara. As shfuqizimi i Ligjit nr. 05/L-053 nuk do të mjaftonte përderisa neni 162 i Kushtetutës mbetet në fuqi.
Një ligj i zakonshëm nuk mund ta mënjanojë një dispozitë kushtetuese dhe as një marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar, e cila, sipas nenit 19 të Kushtetutës, ka epërsi ndaj ligjeve të zakonshme.
Për një përpjekje të plotë juridike për përfundimin e mandatit dhe funksionimit të Dhomave të Specializuara do të kërkoheshin:
– ndryshimi ose shfuqizimi i nenit 162 të Kushtetutës;
– ndryshimi ose shfuqizimi i Ligjit nr. 05/L-053;
– përfundimi, sipas procedurave përkatëse juridike, i marrëveshjes së ratifikuar me Bashkimin Evropian;
– zgjidhja e statusit të marrëveshjes me Mbretërinë e Holandës, në cilësinë e shtetit pritës;
– rregullimi i statusit të procedurave dhe çështjeve gjyqësore që janë ende në zhvillim.
Amendamenti kushtetues mund të propozohet nga Presidenti i Republikës, Qeveria ose së paku një e katërta e deputetëve të Kuvendit, përkatësisht 30 deputetë.
Para votimit në Kuvend, amendamenti i propozuar duhet t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese për vlerësim paraprak nëse zvogëlon ndonjë nga të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë. Për miratimin e tij kërkohen votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, pra së paku 80 vota, duke përfshirë edhe dy të tretat e deputetëve që mbajnë vendet e garantuara për komunitetet joshumicë.
Megjithatë, edhe përmbushja e kësaj procedure të brendshme nuk do ta lironte automatikisht Kosovën nga detyrimet e saj ndërkombëtare.
Neni 162 e ndërlidh mandatin e Dhomave të Specializuara me mekanizmin e njoftimit nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Prandaj, përfundimi juridikisht i qëndrueshëm i mandatit të tyre nuk mund të realizohet thjesht me një veprim të njëanshëm të Kuvendit.
2. A do të kishte pasoja juridike ose ndërkombëtare nëse deputetët do të nisnin një nismë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale?
Deputetët kanë të drejtë kushtetuese të ndërmarrin iniciativa politike, ligjore dhe kushtetuese. Vetë mbledhja e nënshkrimeve ose paraqitja e një propozimi nuk përbën veprim të kundërligjshëm dhe nuk krijon, në vetvete, përgjegjësi juridike për deputetët.
Megjithatë, pasojat juridike dhe politike do të vareshin nga përmbajtja, qëllimi dhe mënyra e realizimit të nismës.
Nëse synohet zhvillimi i një debati parlamentar, rishikimi politik i mandatit ose kërkesa për negociata me Bashkimin Evropian, atëherë kemi të bëjmë me ushtrim të ligjshëm të kompetencave parlamentare.
Nëse, ndërkaq, synohet ndërprerja e njëanshme e funksionimit të Dhomave të Specializuara dhe pengimi i procedurave gjyqësore që janë në zhvillim, do të lindnin probleme serioze kushtetuese dhe ndërkombëtare.
Një ligj ose vendim i tillë mund t’i nënshtrohej kontrollit të Gjykatës Kushtetuese dhe të shpallej i papajtueshëm me nenin 162 të Kushtetutës, me parimin e ndarjes së pushteteve, me pavarësinë e gjyqësorit dhe me detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
Në planin ndërkombëtar, një veprim i njëanshëm mund të sillte:
– përkeqësim të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës;
– cenim të besueshmërisë së Kosovës si shtet që i respekton marrëveshjet dhe detyrimet ndërkombëtare;
– ndikim negativ në proceset integruese euroatlantike;
– kushtëzim ose dobësim të mbështetjes diplomatike dhe financiare;
– shfrytëzim propagandistik të çështjes nga Serbia;
– krijimin e perceptimit se institucionet e Kosovës po ndërhyjnë në drejtësi për të mbrojtur persona të caktuar.
Nuk mund të thuhet paraprakisht se një nismë e tillë do të sillte automatikisht vendosjen e sanksioneve, sepse kjo do të varej nga vlerësimi politik i partnerëve ndërkombëtarë. Megjithatë, reagimet e fuqishme diplomatike dhe pasojat negative për bashkëpunimin ndërkombëtar do të përbënin rreziqe reale.
3. Nëse mblidhen nënshkrimet e deputetëve për një seancë të jashtëzakonshme me pikë të vetme shfuqizimin e Gjykatës Speciale, a mund të procedohet kjo çështje në Kuvend dhe cilët do të ishin hapat e mëtejshëm?
Po, çështja mund të procedohet për debat parlamentar. Sipas nenit 69, paragrafit 4, të Kushtetutës, seanca e jashtëzakonshme mund të thirret me kërkesën e Presidentit të Republikës, të Kryeministrit ose të një të tretës së deputetëve.
Në Kuvendin me 120 deputetë nevojiten së paku 40 nënshkrime. Nëse kërkesa është e rregullt, Kryetari i Kuvendit duhet ta thërrasë seancën brenda 48 orëve nga paraqitja e saj.
Kërkesa duhet ta përcaktojë qartë çështjen që propozohet për shqyrtim dhe të shoqërohet me materialin përkatës, siç mund të jetë propozim-rezoluta, projektligji ose teksti i amendamentit kushtetues.
Megjithatë, 40 nënshkrime janë të mjaftueshme vetëm për kërkimin e seancës së jashtëzakonshme, por jo edhe për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara.
Në një seancë të tillë, Kuvendi mund:
– të zhvillojë debat parlamentar;
– të miratojë një rezolutë politike;
– t’i kërkojë Qeverisë të fillojë konsultime me Bashkimin Evropian;
– të kërkojë raportim institucional lidhur me mandatin dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara;
– të iniciojë procedurën për ndryshimin ose shfuqizimin e ligjit përkatës;
– të iniciojë procedurën për ndryshimin e nenit 162 të Kushtetutës.
Nëse kërkohet ndryshimi kushtetues, duhet të paraqitet një tekst konkret i amendamentit dhe të sigurohen së paku 30 deputetë propozues. Amendamenti pastaj duhet t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese për vlerësim paraprak.
Vetëm pas përfundimit të këtij kontrolli, amendamenti mund të votohet në Kuvend. Për miratimin e tij kërkohet shumica e dyfishtë: së paku 80 vota të deputetëve dhe dy të tretat e votave të deputetëve që mbajnë vendet e garantuara për komunitetet joshumicë.
Pas ndryshimit eventual të Kushtetutës, do të duhej të zhvillohej veçmas procedura për ndryshimin ose shfuqizimin e Ligjit nr. 05/L-053. Paralelisht, Qeveria do të duhej të zhvillonte negociata me Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Holandës për përfundimin e detyrimeve ndërkombëtare, statusin e Dhomave dhe trajtimin e procedurave gjyqësore në zhvillim.
Pra, 40 nënshkrime mund ta hapin debatin parlamentar, por nuk mund ta mbyllin Gjykatën. Një rezolutë politike nuk mund ta zëvendësojë ndryshimin kushtetues, kontrollin paraprak të Gjykatës Kushtetuese, shumicën e dyfishtë parlamentare dhe zgjidhjen e detyrimeve ndërkombëtare.
Në rrethanat aktuale, rruga juridikisht më e dobishme dhe institucionalisht më e përgjegjshme është zhvillimi i një procedure të fuqishme dhe profesionale të apelit, kërkesa për transparencë dhe respektim të plotë të standardeve të gjykimit të drejtë, si dhe dialogu institucional me Bashkimin Evropian lidhur me mandatin, funksionimin dhe përgjegjshmërinë e Dhomave të Specializuara.
Ndërprerja e njëanshme e funksionimit të tyre gjatë zhvillimit të procedurave të apelit do të ishte juridikisht shumë e dëmshme dhe politikisht jashtëzakonisht e rrezikshme për Republikën e Kosovës.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu