
Shefqet Gjocaj
Ah, sikur të paktën, të vritej në betejë!
27 vjet më parë, në burgun e Dubravës u vra Avdullah Tahiri, veprimtari i shquar i çështjes kombëtare. Avdullahu ishte themeluesi i celulave të para të UCK-së në zonën e Karadakut dhe njëri ndër organizatorët e parë të protestave dhe demonstratave të studentëve të vitit 1981. Avdullahun, me të cilin kishim lidhje familjare (ishte vëlla i gruas së vëllait tim të madh Muhametit), kisha fatin dhe nderin ta njihja në një kohë përplot vlime dhe aktivitete nga viti 1981 e tutje dhe mund ta them me plot gojën se ishte ndër njerëzit më të paepur dhe me trimi që kam takuar ndonjëherë në jetë. Ai edhe pas burgut që bëri, për organizim të demonstratave të vitit `81 nuk u ndal kurrë në aktivitetin e tij kombëtar.

Fillimisht në organizimin e jetës shoqërore dhe lëvizjes politike të viteve ’90 ku ishte kryetar i subjekteve të bashkuara të komunës së Gjilanit, të cilat sipas porosisë së tij publike të vitit 1998, duhet të rreshtoheshin përkrah UÇK. Ai me të dal në skenë UÇK-së, ishte i pari që mori rrugën e Drenicës, për t’u takuar me celulat e para të UÇK-së dhe ishte ndër ushtarët e parë të saj. Por ai qarkulloi në vazhdimësi, duke udhëtuar vazhdimisht nga vija e frontit në Drenicë, për në Anamoravë, ku me instruksionet e marra, formoi celulat e para të UÇK-së në zonën e Karadakut dhe ishte komandanti i parë i kësaj zone.

Edhe përkundër rrezikut, ai nuk u ndal kurrë, derisa e ndaluan: Me datë 15.08.1998 e arrestojnë në rrethinë të Gjilanit dhe fillimisht i caktohet paraburgimi prej dy muaj dhe pastaj i njëjti i vazhdohet. Gjatë kësaj periudhe të hetimeve, Avdullahu përjetoi tortura çnjerëzore. Gjykimi zgjatë nga data 25 Shkurt-3 Mars 1999 dhe Avdullahu dënohet me 4 vite burg, për “terrorizëm”. Nga burgu i Gjilanit, ne muajin Prill 1999 e dërgojnë në burgun e Dubravës ku vazhdon trajtimi çnjerëzor dhe në fund vritet, me datë 19 Maj 1999, se bashku me heroin tjetër te Kosovës Enver Topallin dhe Gjokë Ndrecajn.
Burgosja dhe vrasja e tij, më tepër se një humbje njerëzore ishte goditje e madhe për krejt luftën çlirimtare, sidomos për organizimin e saj në zonën e Karadakut. Dhe përtej vrasjes dhe humbjes njerëzore, të gjithë ata që e kanë njohur Avdullahun, pengun me të madh e kanë pse ai u vra në burg dhe jo p.sh. ne betejë.

Sepse ai edhe para se te fillonte lufta, shumë kohë më parë e ëndërronte të vinte ajo ditë që të fillohej rezistenca e armatosur dhe ishte aq entuziast për të, por edhe i bindur në fitore. “Ju nuk e dini sa të ligj janë ata…” shprehej shpesh kur i referohej armikut, për t’u dhënë zemër të tjerëve, që mendonin se ishte e pamundur të luftohej një shtet që ishte superfuqi ushtarake e kohës. Ky ngelet edhe pengu im më i madh: Pse nuk u vra në betejë. Sepse me përcaktimin dhe vetëmohimin e tij të skajshëm, ishte e pritshme që ai të vritej. Sepse Avdullahu nuk kalkulonte, dhe nuk kishte kalkuluar kurrë. Ai i admironte heronjtë që me shembullin e tyre të rënies kishin motivuar breznitë.

Dhe për fund, jo vetëm unë, por të gjithë ata që e njohën, në aktivitetin e tij janë unanim: Avdullah Tahiri i jep kuptim titullit kuptim titullit HERO i Kosovës!
Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së tij!


