E para, situata e re e krijuar rreth konstituimit të organeve të Kuvendit, ose më saktësisht zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit, ashtu siç e parasheh rregullorja, nëse futet nën llupën tonë sociologjike, kuptojmë se kriza e rikthyer në “nyjen gordiane” për konstituimin e institucioneve, ku zgjedhjet ende nuk janë konvertuar tërësisht në funksionalitet institucional, kemi një situatë ku “beteja” procedurale po fsheh një konflikt shumë më të thellë për natyrën e rendit politik që po vjen. E ai rend, siç e kam potencuar shumëherë në shkrimet e mia, ka të bëjë me vënien e themeleve të një arkitekture të re juridike, ose të asaj që LVV-ja e ka identifikuar si “Republikë të Tretë”. Dhe ajo çfarë është më interesante në këtë fakt, e që nuk është duke e kuptuar as opozita, as mediet sociale, as shoqëria civile, bashkë me shumë ekspertë juridikë, është se edhe seancat konstituive, po edhe krejt “beteja” politike që po zhvillohen aktualisht, apo që janë zhvilluar në krejt këta gati 20 muajt e fundit, janë “laboratorët” apo, të themi edhe më thjesht, “balonat” testuese për të filluar instalimin e Projektit të ri, jo me turravrap rebelues, e as me mjete të dhunshme, por me mjete demokratike, me vlera e norma që nuk po i konteston as Washingtoni e as Brukseli.
Tani, nëse e vendosim këtë Projekt (“Republikën e Tretë”#) mbi ca koordinata dhe fakte që tashmë i dimë të gjithë ne që jemi dëshmitarë të proceseve, zhvillimeve dhe dinamikave të ndodhura gjatë krejt periudhës së pasluftës së ndodhur në vitin 1999, mund ta kuptojmë shumë më mirë edhe situatën apo situatat e krijuara, e madje ca nga to edhe të improvizuara e të identifikuara si absurde.
E dyta, ne kemi një zhvillim logjik të këtyre proceseve që, siç thashë, as opozita nuk është kah i kupton, se sidomos kjo “Republika e Dytë” (sepse ajo e para, që identifikohet me Kushtetutën e Kaçanikut, ka mbetur në muzeun e trashëgimisë sonë), që ndryshe njihet edhe si Republikë konsociative e shumicës, apo “Republika ahtisariane”, që fuqizon argumentet e kompromisit, entitetet pakica si komunitete, mekanizmat e balancimit, suflerizmin permanent të ndërkombëtarëve dhe kufizimin e logjikës së shumicës, ka nevojë të ndryshohet dhe në fokus, në vend të termit “komuniteti”, të afirmohet ai i “qytetarit”; në vend të konceptit “e drejtë e vetos” (që vlen ekskluzivisht vetëm për 3/4% serb!?), të instalohet ai i shumicës; në vend të standardit të “ndërmjetësimit” të kalohet te standardi i sovranitetit, ashtu siç janë krejt shtetet normale; në vend të normës kushtetuese “konsensusokracia” të kalohet në “demokraci majoritare”.
E treta, tymnaja që u ngrit rreth deklarimit të përfaqësuesit të Listës “Srpska” gjatë propozimit të kandidatit për nënkryetar të Kuvendit të ri, ku ai propozimin e bëri qëllimisht “Në emër të popullit serb”, për t’i hedhur karburant shtesë situatës edhe ashtu polarizuese të skenës politike, nuk mund të thuhet se ishte një gafë e thjeshtë, por një simptomë nxitëse për të prodhuar një moment provokues të institucionalizimit diskursiv rreth subjektivitetit kolektiv serb. Që i bie se ky provokim, që me siguri është gatuar e dizajnuar në Beograd, nga Aleksandër Vuçiq, ka për qëllim, midis të tjerash, edhe zhvendosjen e burimit të legjitimitetit nga institucioni parlamentar në një pozicionim të ri që sociologjikisht mund të definohet si etnopolitik. Dhe nuk janë të rastësishme tani reagimet e menjëhershme të eksponentëve të LVV-së (Vigan Qorrolli, Ilir Kërçeli, etj.) nëpër rrjetet sociale, të cilët (shih ti?!) nga kundërshtuesit e ashpër të arkitekturës ahtisariane, shndërrohen, në vend të transformuesve të sistemit, në gardianë të tij!
Epilogu; Pra, LVV-ja, e njohur dikur si kundërshtare shumë e ashpër e arkitekturës ekzistuese, tani, duke marrë “xherdanin” e pushtetit dhe duke u identifikuar si forcë qeverisëse dhe institucionale, ajo, në vend që ta riinterpretojë sistemin nga brenda, po bëhet avokate e saj. Mund të jetë kjo një taktikë e përkohshme për ta realizuar procesin e nisur; fillimisht si lëvizje, për t’u shndërruar në subjekt politik dominant, pastaj për ta vënë një kontroll institucional, në mënyrë që, duke qenë brenda konturëve të sistemit, ta ushtrojë gradualisht transformimin e rregullave të lojës. Dhe pikërisht është duke ndodhur ky proces që mund të shquhet si metamorfozë graduale e regjimit të legjitimitetit, apo si rrugëtim drejt narrativës së Republikës së Tretë, e që opozita e as mediet nuk janë kah e kuptojnë. Andaj, në gjykimin tim, jo vetëm seanca e fundit konstituive, por të gjitha seancat e mëparshme që u zhvilluan si pasojë e ngërçit, apo, si kam thënë unë, në kuadër të “kaosit të menaxhuar” me përpikëri, në fakt ishin dhe mbetën “beteja” (juridiko-politike) jo për ta dëshmuar lindjen juridike të “Republikës së Tretë”, por për ta instaluar ngadalë, por sigurt, fillimin e normalizimit politik të saj….




