ARKIVI:
3 Maj 2024

Një fillim i mbarë me një hap të mbrapshtë, mungesa e opozitës në Bruksel nuk tregoi seriozitetin e Ramës ndaj BE

Shkrime relevante

Bota neve na njeh si popull nëpërmjet Gjergj Kastriotit, Nënë Terezës, Adem Jasharit e të tjerëve

Flori Bruqi, Prishtinë Duke ditur se figura e kryeheroit tonë arbëror Gjergj...

Parlamenti Britanik miratoi mocionin e Alicia Kearns për Kosovën

M.Sh/RTKLive Dhoma e Ulët e Parlamentit britanik ka miratuar të enjten një...

25-vjetori i shugurimit të Kishës Zoja e Shkodërs në Nju Jork

Nga: Frank Shkreli Nga historia e komunitetit katolik shqiptaro-amerikan Duke folur për përpjekjet...

Zgjedhjet në MV na rikthejnë tek epoka e Bogdanit

Nga Dr Sadri Ramabaja, Prishtinë Ekziston një hendek midis pritshmërive nga zgjedhjet...

Reflektime nga Ramiz TAFILAJ – Prishtinë, Teksas

Ramiz Tafilaj, botues Takimi i Madh i Prishtinës, 2024 Këtë javë u mbajt...

Shpërndaj

Nga

Nga: Frank Shkreli

Kjo klasë politike shqiptare është aq e pashpresë për të ardhmen e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar saqë edhe po të duam të gëzohemi për një rast të gëzueshëm, këta nuk të lenë as të gëzohemi si shqiptarë kudo që jemi. E kam fjalën për hapjen zyrtarisht, të bisedimeve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, megjithëse ky proces, sipas zyrtarëve të BE-së, është një rrugë shumë e gjatë. Megjithëkëtë, nuk na lenë të festojmë as për një ditë, të paktën derisa të ktheheshin në Tiranë, që të na bindnin se asgjë nuk ka ndryshuar.

Shqipëria dhe shqiptarët kudo, kishin nevojë të dëgjonin një lajm të mirë për Kombin tonë, përballë grindjeve dhe konflikteve, përballë korrupsionit, që është jashtë kontrollit në të gjitha nivelet e qeverisë dhe të shoqërisë, përballë drogës dhe vrasjeve të përditëshme midis grupeve kriminale, çmimeve të larta, papunësisë dhe zbrasjes së vendit nga rinia. Të gjithë u gëzuam kur morëm lajmin se Bashkimi Europian ka vendosur të çelë, zyrtarisht, negociatat me Shqipërinë, pa marrë parasysh se kush sundon sot në Tiranë dhe megjithë rrugën e gjatë përpara.

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Z. Oliver Varhelyi gjatë fjalës së hapjes zyrtare të procesit të negociatave me Shqipërinë u shpreh gjatë një konference të përbashkët shtypi me Kryeministrin e Shqipërisë Z. Rama se në këtë rrugë të gjatë nevojitet një “konsensus mbarë-ndërkombëtar” dhe se për të dalur me sukses na “duhen të gjithë në Shqipëri”. Pyetjes së një gazetari se pse në delegacionin e Shqipërsië nuk kishte asnjë përfaqësues të opozitës, Kryeministri i të gjithë shqiptarëve – të pakën në letër- u përgjigj me ironi: “Nuk dimë kush është opozita. Nuk e dimë se kush është në krye të partisë”.

  1. Varhelyi u shpreh se procesi kërkon dhe nevojitë gjithëpërfshirje, duke shtuar se, “Negociatat kanë natyrë shtrënguese. Do ketë një ndikim madhor, pozitiv te shoqëria dhe na duhet që gjithësecili të bëhet pjesë e kësaj rruge”, ka thënë ai. Duket se Z. Rama nuk është në të njëjtat valë me Bashkimin Europian sa i përket gjithëpërfshirjes në procesin e antarësimit të Shqipërisë në BE, pozitë, opozitë, shoqëri civile, e tjera grupe të interesit.

Kjo dukuri në Bruksel dje më solli në kujtesë nënshkrimin e Memorandumit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara më 15 mars 1991. Kur për këtë qëllim në SHBA kishte ardhur delegacioni shqiptar me në krye Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë të asaj kohe, Z. Muhamet Kapllani, komuniteti shqiptaro-amerikan vuri re se në atë delegacion nuk kishte anëtarë të opozitës së re të posa themeluar në Shqipëri. Si përfundim, komuniteti nguli këmbë që Memorandumi të mos nënshkruhej përderisa të mos ketë në atë ceremoni edhe përfaqësues të opozitës shqiptare, të posa formuar. Me fjalë të tjera, që ceremonia në Departamentin e Shtetit të ishte një akt mbarëkombëtar, gjithëpërfshirës shqiptar. Ashtu edhe ndodhi, kërkesa e komunitetit tonë këtu u pranua nga Departamenti i Shtetit dhe pak më vonë edhe Ministri Kapllani ra dakort se kërkesa e komunitetit shqiptaro-amerikan ishte e justifikuar. Ceremonia e nënshkrimit u vonua derisa në Ëashington arritën përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë, të posa themeluar, zotërinjtë Dr Sali Berisha dhe Gramoz Pashko.

Arsyetimi i komunitetit shqiptaro-amerikan ishte se Washingtoni nuk duhej të rivendoste marrëdhëniet me një regjim komunist, i cili për 50-vite vetëm urrejtje shprehte ndaj Amerikës, por duhej të përfshinte në delegacionin shqiptar edhe përfaqësues të segmenteve të tjera të shoqërisë shqiptare, që në atë kohë ishin të pakta ose jo-ekzistuese. Sepse – në prak të ndryshimeve të mëdha në Shqipëri me shembjen e Murit të Berlinit – këto nuk ishin marrëdhënie të Amerikës vetëm me një regjim diktatorial në Tiranë, por ishte një ceremoni për rivendosjen e marrëdhënieve historike, popull-me- popull, pa marrë parasysh se kush sundonte në Tiranë, në atë kohë.

Mungesa e opozitës shqiptare në Bruksel të martën nuk mund të bindi askënd dhe më pak vetë BE, se Kryeministri Rama është vërtet serioz për antarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sepse Bashkimi Europian nuk pranon vende mono-partiake, siç është Shqipëria. Për këtë arsye, rruga  e antarësimit të Shqipërisë në BE edhe nëqoftëse ndodh eventualisht do të jetë shumë më e gjatë se ç’pritet normalisht.

Fatkeqësisht, mos përfshirja qysh tani e opozitës shqiptare në këtë proces është një fillim i mbrapshtë i këtij procesi të gjatë. I para-destinuar të dështojë dhe i cili nuk premton shumë për antarësimin eventual të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Është vështirë të thuhet nëse – çelja zyrtare e negociatave të BE-së me Shqipërinë pardje në Bruksel – është “fillimi i fundit apo fundi i fillimit”-, a nuk di se çkaje. Fatkeqësisht, të martën Zoti Rama ishte në Bruksel për propagandën e radhës, por sytë e mendjen i ka gjithnjë të drejtuar kah nisma “Ballkani i hapur”, ruso-serbe, e shpinën ia ka kthyer Bashkimit Europian me kohë! Mungesa e cilëve do përfaqësues të opozitës shqiptare në Bruksel, të martën që kaloi, nuk është një shenjë pozitive as nuk tregon vullnet të mirë nga autoritetet e Tiranës që negocitatat midis Shqipërisë dhe BE-së në të ardhmen, do të dalin me sukses. Mos ftesa e përfaqësuesve të opozitës politike shqiptare në Bruksel, ishte një hap tepër i gabuar, sido që ta shikosh. Një mentalitet ky i një republike bananesh, i padenjë për Kombin shqiptar! Si gjithmonë, edhe punët e mbara – siç është nënshkrimi i hapjes së negociatave me Bashkimin Europian – politika shqiptare i fillon për mbrapshti.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu