Kreu Blog Faqe 108

Rrafshimi i Varreve në Isniq: Sulm ndaj Kujtesës Historike dhe Harmonisë Fetare të Shqiptarëve

1

“Shqiptarët nuk kanë një kulturë të zhvilluar varrezash”.

“Zor të gjesh varreza të vjetra dhe të bukura siç janë në vende të tjera të Evropës. Madje shumë të rralla janë varret origjinale të mbetura në Shqipëri nga koha para Luftës së Dytë Botërore. Arsyet kryesore për këtë mungesë janë niveli i lartë i shkatërrimit dhe vetë-shkatërrimit që ka kapluar trevat shqiptare në shekuj, si dhe kalimi i shumicës së shqiptarëve në fenë islame gjatë kohës osmane.”

Albanologu Robert Elsie.

Aryeja kryesore e prishjes së varrezave dhe humbja e gjurmëve shqiptare të krishtera, ka qenë se pushtimi i Perandorisë Osmane se ka lejuar identitetin e krishter në varreza. Kështu ka vepruar pushtimi i Perandorisë Osmane deri në vitin 1912. Pas vitit 1999, punët  e tyre i morën imamët…!

Basri Beka, Prishtinë

Largimi dhe rrafshimi i varreve të Canë Lekës, Nikë Lekës dhe Prekë Lekës në Isniq nuk është thjesht një ndërhyrje mbi disa varre të vjetra. Ky është një sulm ndaj kujtesës historike të shqiptarëve, ndaj rrënjëve tona dhe ndaj një trashëgimie që për shekuj ka dëshmuar vazhdimësinë e kombit tonë.
Varret e të parëve tanë nuk janë vetëm gurë e dhe. Ato janë dokumente të historisë sonë, dëshmi të asaj se kush ishim, çfarë përfaqësonim dhe si kemi mbijetuar si komb. Çdo përpjekje për t’i zhdukur këto dëshmi ngjan me një përpjekje për të fshirë kujtesën kolektive të shqiptarëve.
Veçanërisht i rëndë është fakti se bëhet fjalë për varre të shqiptarëve të krishterë, të cilët janë pjesë e pandashme e historisë sonë kombëtare. Pikërisht kujtesa se shqiptarët kanë ardhur nga e njëjta rrënjë, pavarësisht përkatësisë fetare, ka qenë themeli që ka ruajtur harmoninë fetare ndër shqiptarë. Populli ynë ka ditur se dje ishim njëri-tjetri, se kemi të njëjtin gjak, të njëjtën gjuhë dhe të njëjtën histori. Kushdo që cenon këto dëshmi historike, cenon edhe frymën e bashkëjetesës dhe harmonisë që na ka dalluar ndër shekuj.
Ky akt është i papranueshëm, i turpshëm dhe moralisht i dënueshëm. Askush nuk ka të drejtë të vendosë mbi kujtesën historike të një komuniteti, aq më pak të zhdukë gjurmët e të parëve pa transparencë, pa konsultim dhe pa respekt ndaj familjeve e trashëgimisë sonë kombëtare.
Kërkojmë zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin e përgjegjësve dhe marrjen e masave konkrete që raste të tilla të mos përsëriten më. Heshtja përballë këtij veprimi do të ishte bashkëfajësi ndaj shkatërrimit të kujtesës sonë historike.
Varret mund të rrafshohen, por historia nuk mund të zhduket. Kujtesa e Canë Lekës, Nikë Lekës dhe Prekë Lekës do të jetojë te pasardhësit, ndërsa detyra jonë mbetet ta mbrojmë të vërtetën historike dhe trashëgiminë e të parëve tanë

Operacioni Huduti – Kronikat e një Kombi të Hutuar

0
Në kujtim të logjikës së humbur, e cila u pa për herë të fundit duke ikur nga një konferencë shtypi.
Në Ballkan, ku politika prej kohësh ka vendosur të jetojë sipas ligjeve të teatrit dhe jo të arsyes, ndodhi një ngjarje që askush nuk e priste, por që të gjithë ishin të gatshëm ta besonin.
Igballe Huduti u shpall person i padëshiruar në Shqipëri.
Lajmi zbriti mbi opinionin publik si një pëllumb që kishte humbur rrugën dhe përfundoi në një mbledhje qeveritare.
Për disa orë askush nuk e kuptoi saktësisht se çfarë kishte ndodhur, por të gjithë kishin mendim.
Kjo është, në fund të fundit, forma më e lartë e pjesëmarrjes demokratike në Ballkan.
Në fillim qarkulluan shpjegimet tradicionale.
Dikush tha se ishte komplot.
Një tjetër tha se ishte hakmarrje.
Një i tretë tha se ishte diplomaci.
Ky i fundit u konsiderua menjëherë i dyshimtë.
Pastaj erdhi komunikata zyrtare.
Sipas autoriteteve shqiptare, masa ishte marrë mbi bazën e informacioneve të institucioneve të sigurisë.
Në dosje përmendeshin lidhje të pretenduara me regjimin iranian të ajatollahëve, dalje publike pranë ish-presidentit iranian Mahmoud Ahmadinejad dhe deklarata që autoritetet i konsideronin problematike për rendin kushtetues, sigurinë kombëtare dhe rendin publik.
Për herë të parë në këtë histori, dokumentet tingëllonin më serioze se debatet televizive.
Kjo krijoi një problem të madh.
Politika jonë është mësuar të jetojë me skandale, por jo me nuanca.
Menjëherë nisi lufta për interpretimin.
Njëra palë e shpalli Hudutin viktimë.
Tjetra e shpalli kërcënim.
Një grup i tretë nuk ishte ende i sigurt se kush ishte Huduti, por ishte gati ta mbronte ose ta dënonte me vendosmëri patriotike.
Brenda një dite, zonja Huduti arriti të jetë njëkohësisht:
* rrezik për shtetin,
* viktimë e shtetit,
* problem rajonal,
* zgjidhje rajonale,
* simbol i rezistencës,
* dhe simbol i rrezikut.
Një sukses që zakonisht kërkon vite karrierë politike.
Ndërkohë, në Prishtinë, zhvillohej një dramë tjetër.
Sipas burimeve që nuk ekzistojnë, por që zakonisht dalin të sakta pas dy muajsh, ishte vënë në lëvizje Operacioni “Baba-Nana”.
Në atë republikë të vogël ku çdo krizë prodhon tri komisione, katër konferenca dhe pesë interpretime kushtetuese, dikush kishte shpikur një ide madhështore:
Të nominohej Igballe Huduti për presidente të Kosovës.
Jo sepse kishte program.
Jo sepse kishte shumicë.
Jo sepse kishte ndonjë mundësi reale.
Por sepse Shqiptari ka një traditë të gjatë për të zëvendësuar aritmetikën me simbolikën.
Përdhunë t’Edi Ramës.
Në konferencën imagjinare për shtyp, organizatorët e kësaj kryevepre politike deklaruan:
“Po e forcojmë demokracinë.”
“Si?”
“Kjo është çështje teknike.”
“Po pse Huduti?”
“Sepse demokracia kërkon guxim.”
“Po çfarë përfaqëson ajo?”
“Varet nga pyetja tjetër.”
Gazetarët shënuan gjithçka.
Asnjë nuk qeshi.
Kur absurdi bëhet institucion, qeshja fillon të duket joprofesionale.
Në Tiranë, nominimi imagjinar u interpretua si provokim.
Analistët televizivë, të cilët zakonisht dinë gjithçka për gjithçka menjëherë pas reklamave, nisën analizat.
Disa zbuluan plane gjeopolitike.
Disa zbuluan konspiracione ndërkombëtare.
Disa zbuluan veten.
Asnjëri nuk zbuloi ndonjë zgjidhje për problemet që kishin qytetarët, PELIKANËT,
Por kjo nuk ishte pjesë e emisionit.
Në studiot televizive shpërtheu entuziazmi.
Brenda dy orësh, të njëjtët njerëz që një javë më parë diskutonin për çmimin e domates dhe tensionet në Lindjen e Mesme dhe mushkonjat n’Zvërrnec, tashmë po diskutonin për fatin e qytetërimit shqiptar.
Një ekspert deklaroi:
“Kjo është çështje historike.”
Një tjetër:
“Kjo është çështje kombëtare.”
Një i tretë:
“Kjo është çështje ekzistenciale.”
Asnjëri nuk arriti të shpjegonte pse.
Por në Shqiptari, shpesh mjafton ta thuash me ton të rëndë.
Ndërkohë populli shikonte.
Një pjesë pyeste:
“Po çka po ndodh?”
Një pjesë tjetër përgjigjej:
“Nuk e di, por po ndodh me seriozitet.”
Ndërsa më të urtit kishin hequr dorë prej kohësh.
Ata pinin kafenë dhe shikonin ekranet si njerëz që kanë humbur telekomandën e realitetit.
Në një qoshe të harruar të republikës, një qytetar guxoi të bëjë një pyetje të rrezikshme:
“Po mirë, kush po merret me ekonominë?”
Askush nuk iu përgjigj.
Një tjetër pyeti:
“Po arsimi?”
Heshtje.
Një i tretë:
“Po spitalet?”
Kamerat ishin fikur.
Dhe kështu, ndërsa dosjet qarkullonin, deklaratat shumëzoheshin dhe patriotizmi prodhohej me shumicë industriale, kombi vazhdonte jetën e tij të zakonshme.
Rrugët mbeteshin me gropa.
Institucionet me probleme.
Qytetarët me halle.
Kosova pa president.
Shqipëria pa pelikan.
Maqedonis pa rrugë me emra Shqiptarësh.
Lugina u harrua plotësisht.
Ndërsa politika vazhdonte të merrej me atë që politika e Shqiptarëve di të bëjë më mirë: me vetveten.
Epilogu:
Pas javësh debatesh, analizash, konferencash shtypi, deklaratash patriotike, kundërdeklaratash patriotike dhe patriotizmi me orar të zgjatur, në rrjetet sociale, rezultati ishte madhështor.
Asnjë problem nuk ishte zgjidhur.
Pelikanët ngelën n’Zvërrnec.
Hudutja nuk u bë presidente.
Asnjë reformë nuk ishte përfunduar.
Asnjë qytetar nuk ishte pyetur.
Por të gjithë ishin lodhur.
Dhe kjo u konsiderua progres.
Ndërsa protagonistët vazhdonin garën e tyre për tituj (BABA-NANA), simbolika dhe histori personale, logjika vazhdonte të mungonte.
Thuhet se është parë për herë të fundit duke kaluar kufirin pa dokumente.
Disa kërkuan ta shpallnin non grata.
Të tjerë propozuan ta kandidonin për presidente.
Shqiptarët ende nuk ka vendosur.

Dy fytyrat e së njejtës oligarki mafioze, Edi Rama dhe Aleksander Vuçiq

1
RAMA DHE VUÇIQI: DY FYTYRA TË SË NJËJTËS OLIGARKI MAFIOZE, BALLKANIKE DHE GLOBALE
Rama dhe Vuçiqi e ndiejnë zemërimin e qytetarëve të tyre, sepse në vendet ku udhëheqin politikën kanë ndërtuar shtete të thella paralele private, në të cilat zbatojnë interesat e oligarkëve më të pasur shqiptarë, serbë dhe globalë.
Ata kanë ngritur një mur të padukshëm kinez që i ndan nga qytetarët e zakonshëm, prej të cilëve kërkojnë vetëm votat, ndërsa në këmbim u japin thërrime buke.
Aq më e trishtueshme është se të dy kanë arritur të dërgojnë ekstremistët e tyre të blerë mes protestuesve për ta zhvlerësuar aq shumë qëllimin e protestave, saqë ata vetë, në krahasim me protestuesit, të duken të pafajshëm dhe të pastër si peshqit e detit përballë minjve të kanalizimeve.
Kjo gruaja e bezdisshme, me emrin e çuditshëm Igballe Huduti, gjatë gjithë kohës dhe kudo e shtyn dhe e përhap ideologjinë e saj ekstremiste fetare, sepse paguhet prej atyre që e mbështesin. Por ajo që mbetet e çuditshme është se famën ia ngriti televizioni kosovar Klan Serbia; prandaj gjithçka tjetër rreth ndalimit të hyrjes së saj në Shqipëri nga regjimi i Ramës duket si një shfaqje teatrale për moshën parashkollore.
Ngjashmëria më e madhe mes Ramës dhe Vuçiqit nuk qëndron tek ideologjia, kombësia apo retorika publike, por tek mënyra se si e konceptojnë pushtetin. Të dy e shohin shtetin si një mekanizëm që duhet kontrolluar nga lart-poshtë, ku institucionet ekzistojnë kryesisht për t’i shërbyer regjimeve dhe oligarkëve tē tyre, e jo qytetarit.
Për këtë arsye, të dy kanë kultivuar sisteme ku besnikëria politike shpërblehet më shumë se profesionalizmi, ku oligarkët ekonomikë janë më të rëndësishëm se sipërmarrësit e lirë, dhe ku mediat e afërta me pushtetin kanë më shumë hapësirë sesa zërat kritikë.
Interesi që i bashkon nuk është dashuria për popujt e tyre, por ruajtja e pushtetit. Për ta, stabiliteti i pushtetit është më i rëndësishëm se zhvillimi i demokracisë. Prandaj, shpeshherë, edhe kur paraqiten si kundërshtarë në publik, në praktikë prodhojnë efekte të ngjashme politike: dobësimin e institucioneve të pavarura, centralizimin e vendimmarrjes dhe varësinë e ekonomisë nga grupe të privilegjuara.
Në këtë kuptim, shqiptarët dhe serbët e zakonshëm përballen me probleme shumë të ngjashme. Ata largohen masivisht nga vendet e tyre jo sepse u mungon patriotizmi, por sepse u mungon perspektiva. Të rinjtë largohen, profesionistët largohen, ndërsa mbeten strukturat që ushqehen nga afërsia me pushtetin.
Kur bëhet fjalë për Kosovën, interesi i qytetarëve të saj shpesh reduktohet në objekt pazari mes elitave rajonale. Kosova ka nevojë për marrëdhënie normale me Serbinë, por jo për marrëveshje që hartohen mbi kokën e qytetarëve të saj. Po ashtu, Shqipëria duhet të jetë mbështetëse e interesave të Kosovës, jo t’i shohë ato përmes prizmit të interesave afatshkurtra të elitave politike.
Prandaj sfida e shqiptarëve dhe serbëve nuk është thjesht të zëvendësojnë një lider me një tjetër. Historia e Ballkanit ka treguar se rrëzimi i një njeriu nuk garanton ndryshimin e sistemit. Qytetarët duhet të kërkojnë institucione të forta, drejtësi të pavarur, media të lira dhe transparencë financiare. Vetëm kështu pushteti bëhet i zëvendësueshëm dhe oligarkitë humbin fuqinë e tyre.
Nëse shqiptarët dhe serbët duan të çlirohen nga cikli i njëjtë i zhgënjimeve, duhet të refuzojnë politikën e frikës, kultin e liderit dhe propagandën që i ndan. Qytetari i zakonshëm në Beograd dhe qytetari i zakonshëm në Tiranë kanë më shumë interesa të përbashkëta mes tyre sesa me oligarkët që pasurohen në emër të patriotizmit.
Armiku më i madh i të dy popujve nuk është fqinji përtej kufirit, por korrupsioni, kapja e shtetit dhe politika që e përdor nacionalizmin si perde për të fshehur privilegjet dhe krimet e saj.
Njerëzit e të gjitha gjinive, profesioneve, bindjeve politike, fetare dhe orientimeve seksuale, të cilët i lexojnë rregullisht analizat, diagnozat, parashikimet dhe këshillat e mia për shërimin e shoqërive tona nga budallallëku, mendjengushtësia, perceptimi dhe vetëdija sipërfaqësore, si dhe nga shija e keqe, e dinë se ato janë të sakta si orët zvicerane.
Por unë nuk mundem njëkohësisht të shkruaj, të lexoj, të kuptoj dhe të mendoj edhe në vend të budallenjve, sytë dhe veshët e të cilëve nuk janë të lidhur me trurin.
Shqiptarët dhe serbët duhet ta kuptojnë më në fund një të vërtetë të thjeshtë, por të pakëndshme: jemi popuj tepër të vegjël për të përballuar luksin e armiqësive të përhershme.
Jetojmë në një botë ku edhe vetë Evropa e Bashkuar, me qindra miliona banorë, ekonomi gjigante dhe teknologji të avancuar, shpesh ndihet e vogël, inferiore dhe e pafuqishme përballë ngritjes së Kinës, fuqisë ushtarake të Rusisë dhe potencialit demografik e ekonomik të Indisë. Në një botë të tillë, është tragjikomike që shqiptarët dhe serbët vazhdojnë të konsumojnë energjitë e tyre duke ushqyer urrejtje të trashëguara dhe konflikte që pasurojnë vetëm kastat politike.
Politikanët parazitë e dinë se qytetarët e frikësuar janë më të lehtë për t’u sunduar sesa qytetarët e lirë. Prandaj ata prodhojnë vazhdimisht armiq imagjinarë, tensione artificiale dhe drama patriotike. Ata e përdorin flamurin si perde, himnin si altoparlant dhe historinë si armë propagandistike për të fshehur korrupsionin, hajnitë, nepotizmin, kapjen e shtetit dhe pasurimin e paligjshëm.
Sa herë që një oligark vjedh miliona, një patriot profesionist del në televizor për të folur për tradhtinë kombëtare. Sa herë që një pushtetar kapet në skandal, menjëherë shpiket një krizë e re kombëtare. Sa herë që qytetarët fillojnë të kërkojnë llogari, dikush nxjerr nga magazina e propagandës fantazmat e vjetra të urrejtjes etnike.
Por e vërteta është më e thjeshtë.
Punëtori shqiptar ka më shumë të përbashkëta me punëtorin serb sesa me oligarkun shqiptar që e shfrytëzon. Mjeku serb ka më shumë të përbashkëta me mjekun shqiptar sesa me politikanin serb që e përdor patriotizmin për të fshehur dështimet e veta. Të rinjtë në Tiranë, Prishtinë, Beograd apo Novi Sad largohen për të njëjtat arsye: mungesën e perspektivës, korrupsionin, padrejtësinë dhe kapjen e institucioneve.
Asnjë i ri nuk largohet nga vendi i vet sepse e urren kombin e tij. Ai largohet sepse është lodhur duke parë se si mundësitë rezervohen për klientët e pushtetit, ndërsa talenti dhe puna e ndershme shpërblehen me emigrim.
Prandaj shqiptarët dhe serbët nuk duhet të mbeten peng i politikanëve gjakpirës dhe djersëpirës që patriotizmin e përdorin si mburojë mbi krimet e tyre ekonomike, politike dhe morale. Patriotizmi i vërtetë nuk matet me sa fort bërtet kundër fqinjit, por me sa shumë punon për ta bërë vendin tënd më të drejtë, më të lirë dhe më të zhvilluar.
Një komb nuk forcohet duke urryer një komb tjetër. Një komb forcohet kur ndërton institucione që funksionojnë, gjykata që nuk shiten, media që nuk blihen dhe ekonomi që nuk kontrollohen nga një grusht familjesh të privilegjuara.
Nëse shqiptarët dhe serbët vazhdojnë të jetojnë në hijen e konflikteve të së kaluarës, do të mbeten provinca të varfra në periferi të botës. Nëse arrijnë të shohin përtej propagandës së politikanëve të tyre, mund të bëhen qytetarë të lirë që konkurrojnë me botën, jo me njëri-tjetrin.
Sepse në shekullin XXI beteja më e rëndësishme nuk zhvillohet mes shqiptarëve dhe serbëve. Ajo zhvillohet mes shoqërive të hapura dhe oligarkive të korruptuara, mes dijes dhe injorancës, mes lirisë dhe manipulimit.
Dhe në atë betejë, armiku më i rrezikshëm nuk është fqinji përtej kufirit, por hajduti që valëvit flamurin me njërën dorë, ndërsa me tjetrën zbraz arkën e shtetit.

Deklaratë ndaj rrafshimit dhe largimit të tre varreve të të parëve të Isniqit, të ndjerëve Canë Leka, Nikë Leka dhe Prekë Leka

1
Në foto: Vorret e Isniqit
___
SHOQATA INTELEKTUALE “ISNIQI” nga ISNIQI”
DEKLARATË PROTESTE PUBLIKE
___
Shoqata Intelektuale “Isniqi nga Isniqi” shpreh indinjatën dhe kundërshtimin e saj të qartë dhe të prerë ndaj rrafshimit dhe largimit të tre varreve të të parëve të Isniqit në varrezat e Ibrdemajve, që i përkisnin të ndjerëve Canë Leka, Nikë Leka dhe Prekë Leka.
Ky veprim përbën një cenim të rëndë të kujtesës historike, të dinjitetit të të parëve tanë dhe të trashëgimisë kulturore e ADN_shpirtërore e Isniqit. Varret nuk janë vetëm struktura fizike, por dëshmi të gjalla të ekzistencës, identitetit dhe vazhdimësisë së një komuniteti ndër breza.
Fakti që këto varre i përkisnin besimit katolik e bën edhe më të domosdoshme ruajtjen dhe trajtimin e tyre me respekt të veçantë, si pjesë e historisë fetare dhe shoqërore të Isniqasve. Çdo ndërhyrje në to, e aq më tepër rrafshimi apo zhdukja e tyre pa transparencë të plotë dhe pa konsultim me familjarët dhe komunitetin, është e papranueshme dhe e dënueshme moralisht dhe kombtarisht.
Shoqata vlerëson se ky akt nuk prek vetëm familjarët e të ndjerëve pra Isniqasve, por përbën humbje për kujtesën kolektive të Isniqit dhe krijon një precedent të rrezikshëm në raport me vazhdimsin dhe trashëgiminë tonë fetare dhe historike.
Në këtë drejtim, kërkojmë përgjegjësi institucionale dhe sqarim të plotë mbi rrethanat e këtij veprimi, si dhe masa të menjëhershme për mbrojtjen e çdo dëshmie historike dhe kulturore që lidhet me të kaluarën fetare,kombetare te komunitetit tonë.
Shoqata Intelektuale “Isniqi ”nga Isniqi thekson se ruajtja e varrezave dhe respekti ndaj të parëve nuk janë vetëm obligim moral dhe kulturor, por edhe detyrim ndaj identitetit tonë historik dhe kombëtar.
Kulla e Osdautajve në Isniq
“Ruajtja e varrezave nuk është vetëm një akt kujtese, por një detyrim moral dhe patriotik ndaj vazhdimësisë së qenies sonë kolektive; sepse një popull që humb respektin për të vdekurit e vet, rrezikon të humbë edhe ndërgjegjen e vet historike, identitetin kulturor dhe dinjitetin e së ardhmes që ndërton mbi kujtimin e të kaluarës.”
Isniq, 25.06. 2026
Në emër të Shoqatës Intelektuale
“Isniqi nga Isniqi”
Kryetar: Dr. Shaqir Shala

Amerikë, më fal! Sot për “mua” po proteston Igballja!

0

Ilir Sefaj, Prishtinë

Tash kur janë bërë plot 27 vjet që kur forcat e KFOR-it zbarkuan në Kosovë, pas një fushate bombardimesh prej 78 ditësh nga ana e NATO-s mbi caqet e ish-ushtrisë serbe (jugosllave), seç më shpërfaqen pamjet e gëzimit të madh që shpërtheu në masën e qytetarëve, të cilët deri në datën e 12 qershorit 1999 ishin mbyllur në zgavrën e miut në përpjekje për ta shpëtuar kokën nga forcat kriminale serbe, të cilat në luftën e Kosovës nuk kursyen fëmijë, gra e pleq.

Sa herë vjen 12 qershori, në rrjetet sociale, në media elektronike e mediume online, (për fat të keq vetëm në vendin tonë nuk kemi gazetë ditore), shfaqen pamje të afër tri dekadave më parë, ku një popull i vuajtur, të cilin okupatori serb nuk e linte të shiste as qese plastike në treg për të mbijetuar në vitet ’90, të shpërthejë në entuziazëm teksa forcat e Aleancës Veriatlantike futeshin si fitimtare në Kosovë, falë edhe luftës tokësore me përmasa titanike që bënin ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e konsideriuar si guerilja më e suksesshme në botë.

Është një burrë atje teksa hedhet mbi autoblinden e ushtarëve e gazetarëve ndërkombëtarë, duke shfaqur kështu gëzimin që po shpëtonte nga një masakër lehtë e mundshme, sikur forcat paqeruajtëse të mos ndërhynin në Kosovë. Pastaj është një tjetër atje që ia puth çizmen ushtarit britanik të KFOR-it në Prishtinë, vetëm pak orë pas zbarkimit të tyre në kryeqendrën e Kosovës. Janë këto ditë gëzimi e shprese që erdhën nga veprimet luftarake të UÇK-së në tokë, e bombave të NATO-s nga qielli që ia kthyen shpresën këtij populli të shumëvuajtur.

E sot?! Sot flamurin e shenjtë të UÇK-së e valëvit Igballe Huduti në Tiranën time! E valëvit këtë flamur në Tiranën shqiptare, një grua që mund përfaqësojë gjithçka përveç interesave të vendit tim.

Amerikë, Shqipëri, Tiranë, më fal! Unë nuk jam ajo, ne nuk jemi ajo!

Sot protagonistë të protestave në Shqipëri janë igballet e hudutët që hapur dalin kundër aleatit tonë të përjetshëm, Amerikës. E tmerrshme. Më shumë se e tmerrshme.

Për më keq, hudutka krijon edhe opinion në vendin tim, ajo është fytyrë e njohur televizive në Kosovë. Xhaxhai im gazetar e shkrimtar i njohur, i cili ka shkruar shumë pë Shipërinë tonë të bukur, do të thoshte, medet, medet me M të madhe.

Kam edhe shumë për të thënë, por po e mbyll me kaq, se në fund të fundit çfarë mund të thuash tjetër pas fjalës MEDET!

Në Bushat të Shkodrës zbulohet tempull antik i shekujve IV-III para Krishtit

0

Strukturën e zbuluar, arkeologët e interpretuan si një tempull i cili është një nga zbulimet më të rëndësishme të ekspeditave të fundit në këtë sit arkeologjik. Zbulimi është pjesë e kërkimeve në një qendër urbane të periudhës ilire, e cila prej vitesh po studiohet nga arkeologë shqiptarë dhe polakë, nën drejtimin e Saimir Shpuzës.

Struktura ka një sipërfaqe rreth 20 hektarë dhe me një sistem fortifikimi që rrethon qytetin. Kjo qendër ka përmasa të krahasueshme me Shkodrën dhe Lezhën e së njëjtës periudhë.

Vendosja e tempullit në pikën më të lartë të qytetit, me pamje mbi fushën e Zadrimës, Shkodrës dhe Lezhës tregon rëndësinë e kësaj strukture në organizimin e hapësirës urbane antike.

Ndryshe nga Shkodra dhe Lezha, të cilat kanë pasur vazhdimësi banimi dhe ndryshime gjatë shekujve, ky sit ka ruajtur më shumë elemente të strukturës së tij të lashtë, duke krijuar mundësi për të kuptuar më mirë organizimin e një qyteti të kësaj periudhe.

Siti arkeologjik i Bushatit tashmë është shpallur zonë e mbrojtur arkeologjike, duke garantuar ruajtjen e mëtejshme të strukturave dhe dëshmive që po zbulojnë historinë e këtij qyteti antik.

Kosova e Shqipëria janë përballë një rreziku të madh, zbrazjes së trojeve shqiptare dhe shuarjes graduale të fuqisë sonë kombëtare në vendin tonë

0
Kosova dhe Shqipëria nuk po përballen më vetëm me krizë ekonomike, politike apo sociale. Sot jemi përballë një rreziku shumë më të madh: zbrazjes së trojeve shqiptare dhe shuarjes graduale të fuqisë sonë kombëtare në vendin tonë.
Popujt e mëdhenj mund t’i përballojnë më lehtë valët e emigrimit. Ne jo. Ne jemi dy shtete të vogla shqiptare, me numër të kufizuar banorësh, dhe për këtë arsye çdo i ri që largohet, çdo familje që ikën, çdo fshat që boshatiset, çdo shkollë që mbyllet, është goditje direkte mbi të ardhmen tonë kombëtare.
Mjafton të shikosh realitetin përreth nesh ku shohim:
– shkolla moderne pa nxënës,
– salla sporti pa sportistë,
– fusha të hapura sportive pa fëmijë,
– shtëpi të mbyllura e të pluhrosura,
– oborre të lëna pas dore,
– toka djerrë e të papunuara,
– pemë të pavjelura,
– biznese që rrin hapur gjithë ditën pa hyrë këmb njeriu brenda,
– pleq e plaka që presin në heshtje ndonjë zë fëmije apo nipi e mbese që ua ka marrë mërgimi.
Kjo nuk është më vetëm braktisje e fshatit.
Kjo është shpërbërje e heshtur e kombit.
Rreziku për ne nuk është vetëm varfëria.
Nuk është vetëm korrupsioni.
Nuk është vetëm paaftësia e qeverive.
Rreziku më i madh është se po humbim njerëzit tanë: të rinjtë, çiftet e reja, profesionistët, fermerët, punëtorët, nxënësit, studentët – pra shtyllën që e mban gjallë shtetin, ekonominë dhe kombin.
Nëse vazhdohet me këtë ritëm, pas 20 apo 30 vitesh ne do ta paguajmë shtrenjtë këtë indiferencë:
– me fshatra të shuar,
– me qytete të mplakura,
– me ekonomi të dobët,
– me më pak lindje,
– me më pak shkolla,
– me më pak prodhim,
– me më pak peshë kombëtare e politike në rajon.
Shteti nuk mbahet vetëm me flamur e me himn.
Shteti mbahet me njerëz.
Me familje që ndërtojnë jetën këtu.
Me të rinj që e shohin të ardhmen këtu.
Me fëmijë që mbushin shkollat.
Me bujq që punojnë tokën.
Me sipërmarrës që investojnë.
Me besim se vendi yt nuk është stacion i përkohshëm, por shtëpia ku ndërtohet e ardhmja.
Pikërisht këtu qëndron dështimi më i madh i klasës politike shqiptare, në Kosovë e në Shqipëri: nuk arriti ta bëjë atdheun vend shprese për të rinjtë e vet. Përkundrazi, e ktheu në vend zhgënjimi, pasigurie, padrejtësie dhe ikjeje masive.
Sot, kush nuk e sheh këtë katastrofë ose është i verbër, ose nuk do ta pranojë të vërtetën.
Shqipëria dhe Kosova kanë hyrë në një fazë shumë të rrezikshme, ku dobësia e brendshme kombinohet me interesa të jashtme destabilizuese. Çdo trazim politik, çdo nxitje e anarkisë, çdo radikalizëm i importuar, çdo përpjekje për ta mbajtur të dobët shtetin shqiptar duhet parë me shumë seriozitet. Sidomos kur Shqipëria synon integrimin europian dhe kur çdo destabilizim i saj i shërben pikërisht atyre që nuk e duan një Shqipëri të fortë, moderne, europiane dhe të ankoruar përfundimisht në Perëndim.
Prandaj kjo nuk është kohë për propagandë boshe.
Nuk është kohë për folklor politik.
Nuk është kohë për mashtrime elektorale me ndihma të përkohshme e me show televiziv.
Kjo është kohë për alarm kombëtar.
Na duhet urgjentisht një strategji shqiptare kundër shpopullimit:
– mbështetje reale për familjen dhe lindshmërinë,
– paga dinjitoze dhe vende pune serioze,
– arsim cilësor dhe shëndetësi funksionale,
– subvencione të fuqishme për bujqësinë dhe jetën në fshat,
– strehim të përballueshëm për çiftet e reja,
– mbështetje për biznesin prodhues,
– dhe mbi të gjitha, një shtet që i jep qytetarit arsye për të jetuar këtu, jo për të ikur.
Unë nuk po shkruaj për panik.
Po shkruaj nga dhimbja.
Nga dhimbja kur e shoh fshatin tim të heshtur.
Kur shoh shkollën pa fëmijë.
Kur shoh oborret pa zë.
Kur shoh pleqtë duke pritur më kot.
Kur shoh shtëpitë e mbyllura dhe tokën e lënë.
Kur e kuptoj se kombet nuk humbin vetëm në luftë.
Kombet humbin edhe kur zbrazin vetveten, kur dorëzohen para ikjes dhe kur nuk reagojnë në kohë.
Nëse sot nuk zgjohemi, nesër do të jetë vonë.
Dhe atëherë pasardhësit tanë do të na gjykojnë jo pse nuk patëm mundësi ta ndalim këtë tragjedi, por pse e pamë me sy dhe heshtëm.

Energjia nuk udhëhiqet me slogane – Kosova ka nevojë për numra, jo për zhurmë

0
Agim Vuniqi, Vashington
____
Prej muajsh, debati për energjinë në Kosovë është shndërruar në një kakofoni zërash. Disa e paraqesin LNG-në si shpëtimin e vetëm të Kosovës. Të tjerë e demonizojnë si rrezik strategjik. Shumica flasin me bindje, por rrallë me fakte. Më pak dëgjohen inxhinierët, ekonomistët e energjisë dhe ekspertët e sistemeve energjetike; më shumë dëgjohen militantët politikë.
Kjo është pikërisht ajo që i mungon Kosovës: një debat profesional, i mbështetur në të dhëna, analiza kosto-përfitim dhe transparencë institucionale.
Ky shkrim synon të rikthejë fokusin tek pyetjet thelbësore që duhet të udhëheqin çdo vendimmarrje energjetike: sa kushton ndërtimi i infrastrukturës së gazit dhe alternativave të tjera, sa kohë kërkojnë këto projekte për t’u realizuar, kush do t’i financojë ato dhe si do të ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve, veçanërisht në faturat e energjisë. Pa përgjigje të qarta për këto çështje, çdo debat mbetet i paplotë dhe potencialisht i gabuar.
Paradoksi është i dukshëm. Qytetarët po përballen me fatura më të larta të energjisë, ndërsa debati publik dominohet nga interpretime politike, jo nga shpjegime teknike. Në vend se të dëgjojmë sa do të kushtojë ndërtimi i infrastrukturës së gazit — që në rajon zakonisht varion nga 500 milionë deri në mbi 1 miliard euro për terminale dhe rrjete bazë (shih: International Energy Agency, “Gas Infrastructure Development Costs”, 2021; European Commission, TEN-E project cost benchmarks) — sa do të kushtojë lidhja e konsumatorëve (që mund të arrijë 1,000–3,000 euro për familje sipas vlerësimeve të Energy Community Secretariat për zgjerimin e rrjeteve të gazit në Ballkanin Perëndimor, 2020), sa do të jetë çmimi për megavat-orë (shpesh i vlerësuar në intervalin 70–120 €/MWh për LNG të importuar sipas raporteve të BloombergNEF dhe IEA Gas Market Report 2022–2023) apo kush do ta financojë rrjetin, publiku dëgjon akuza dhe kundërakuza politike.
Në fakt, vetë dokumentet strategjike të Kosovës flasin për një tranzicion energjetik shumë më kompleks sesa paraqitet në debate televizive. Strategjia Energjetike 2022–2031 synon që deri në vitin 2031 të rritet ndjeshëm pjesëmarrja e burimeve të ripërtëritshme, të instalohen rreth 600 MW energji diellore, 600 MW energji të erës dhe kapacitete të konsiderueshme të baterive për stabilizimin e sistemit. Në të njëjtën kohë, parashihet edhe rehabilitimi i një pjese të kapaciteteve ekzistuese me bazë linjitin për të ruajtur sigurinë e furnizimit. (Balkan Green Energy News)
Ajo që bie në sy është se strategjia nuk e ka vendosur gazin natyror në qendër të sistemit energjetik të Kosovës. Përkundrazi, vetë analizat mbi të ardhmen e gazit në Kosovë vërejnë se nuk ekziston ende infrastrukturë funksionale e gazit dhe se investimet eventuale mbeten objekt shqyrtimi dhe jo vendim i përfunduar. (westernbalkans-infohub.eu)
Prandaj pyetja kryesore nuk është nëse dikush është “pro” apo “kundër” LNG-së. Pyetja është shumë më e thjeshtë:
Sa kushton?
Sa vite duhen për ndërtim (zakonisht 4–7 vite për projekte të plota LNG dhe rrjete shpërndarjeje sipas International Gas Union, World LNG Report 2022 dhe IEA Infrastructure Timelines Analysis)?
Kush paguan?
Sa do të përfitojë qytetari (dhe a do të përkthehet kjo në ulje apo rritje të faturave mujore me 10–30% sipas skenarëve të tarifave të analizuar nga Energy Community Secretariat dhe World Bank Western Balkans Energy Reports)?
Pa këto përgjigje, çdo debat është më shumë propagandë sesa politikë energjetike.
Në literaturën ekonomike ekziston një parim i thjeshtë: nuk ka burim energjie të lirë; ka vetëm kosto të ndryshme që shpërndahen në mënyra të ndryshme. LNG-ja kërkon terminale, gazsjellës, stacione kompresimi, sisteme sigurie, kontrata afatgjata furnizimi dhe konsumatorë të mjaftueshëm për ta bërë investimin ekonomikisht të arsyeshëm. Nëse këto mungojnë, atëherë edhe projekti më i mirë teorikisht mund të rezultojë i kushtueshëm praktikisht.
Nga ana tjetër, as linjiti nuk mund të trajtohet me romantizëm. Kosova zotëron një nga rezervat më të mëdha të linjitit në Evropë, por ai shoqërohet me kosto mjedisore, shëndetësore dhe teknologjike që nuk mund të injorohen. Debati serioz nuk duhet të jetë “linjit apo LNG”, por si të sigurohet energji e përballueshme, e qëndrueshme dhe e besueshme për qytetarët.
Më shqetësues se vetë debati për LNG-në është mungesa e komunikimit institucional. Deri sot, publiku nuk ka marrë shpjegime të mjaftueshme mbi skenarët ekonomikë të gazit, kostot e mundshme, afatet e realizimit apo ndikimin në tarifat e energjisë. Në një demokraci funksionale, ministria përgjegjëse do të duhej të kishte konferenca të rregullta, raporte publike dhe një zëdhënës teknik që u përgjigjet pyetjeve të qytetarëve.
Energjia nuk është çështje ideologjike. Nuk është garë mes partive. Nuk është betejë mes “proamerikanëve” dhe “antiamerikanëve”, as mes “të gjelbërve” dhe “industrialistëve”. Energjia është matematikë. Është inxhinieri. Është ekonomi.
Dhe matematikës nuk i interesojnë sloganet.
Qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë për më shumë retorikë. Kanë nevojë për numra. Kanë nevojë për analiza. Kanë nevojë për transparencë.
Kjo është një thirrje e drejtpërdrejtë për politikëbërësit dhe institucionet: publikoni menjëherë analiza të detajuara kosto-përfitim për çdo opsion energjetik, organizoni dëgjime publike me ekspertë të pavarur, dhe vendosni afate konkrete për vendimmarrje të bazuar në të dhëna. Ministria e Ekonomisë, ZRRE dhe institucionet përkatëse duhet të krijojnë një platformë të hapur ku qytetarët dhe ekspertët mund të shqyrtojnë skenarët, kostot dhe ndikimet reale në tarifa. Pa këto hapa konkretë, çdo strategji mbetet vetëm në letër.
Sepse kur paguhet fatura e energjisë, nuk paguhet me deklarata politike. Paguhen kilovatët.

Kurr Shqipëri s`tu nda gazepi, apo kur Edi Rama thonë: “Nëse shkoi unë, e marr me vete edhe partinë socialiste”

1
Sinan Kastrati, Suedi
Kurr Shqipëri s`tu nda gazepi
Protestat në Shqipëri, Edi Rama: Nëse shkoi unë, e marr me vete edhe partinë socialiste”
Edi, merre edhe partinë demokratike të Kosovës, motrën e partisë socialiste të Shqipërisë
Ajo që po ndodh nëpër rrugët e sheshet Tiranës, nuk është parë asnjeherë në këto 36 vitet e “demokracisë” me protesta kundër Edi Ramës dhe qeverisë socialite.
Në Kosovë, pas zgjedhjeve të fundit, të 7 qershorit, ende nuk po dihet a do të kemi parlament, qeveri e president apo, vendi do të shkoj përsëri në zgjedhje.
Mbetet për t`u parë por mua më shqetëson pse Edi Rama dhe udhëheqës të tjerë të partisë socialiste shtinë pyka e përqajnë edhe më shumë Kosovën e Maqedonië.
Çka iu desht Taulant Ballës e Edi Ramën të takohen me djalin e Hashim Thaçit, Endritin?
Edi e din se e ka përkrahjen e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleksandar Vučić-it, presidentit të Sërbisë por, është koha që edhe Qevria shqiptare të na lerë në hallet tona se edhe ashtu, Kosova ka bolll derte, halle e telashe.
Tash kur duhët të zgjidhet presidenti i Kosovës, vetëm Ramushi doli me me propozim që nëse opozita e propozon per president, ai do të kandidon.
Edhe Ganja e Drenicës, e lakmon të ulet aty ku më parë ishin ulur inxhja Atifete e Vjosa.
Po edhe Linda Morina, kënëtarja që iu këndoj të gjithë prijësve të Kosovës, do të bënte mirë të kandidonte për presidente të Kosovës.
Endrit Thaçi publikon foto me Yll Limanin e Taulant Ballën“,
Gazeta Express, 17/02/2026 12:51
Endrit Thaçi takon Edi Ramën: Falënderim për qëndrimin në anën e së vërtetës kur të tjerët heshtën“, Sinjali.com, 24 Qershor 2026 12:05
Ka qëndruar në anën e së vërtetës”, djali i ish Presidentit Hashim Thaçi takon Edi Ramën: Faleminderit për mbështetjen ndaj UÇK-së!, TEMA 24 Qershor 2026, 12:00
Satirë
“Ramushi i propozon opozitës: Më zgjidhni president t´i kundërvihem Kurtit!”
Nga: Sherif Ramabaja Më: 24 qershor 2026 Në ora: 19:23
Më 25 qershor 2026

Vdekja nuk është fundi, poezi nga Fetah Sheholli

0

Fetah Rrustem Sheholli 

VDEKJA NUK ËSHTË FUNDI 

Poezi

Pranë banesës tënde të fundit
Oh, Mimi!
Malli më erdhi si dallgë deti
Për një fjalë… 

Thekshëm m’u përgjigj amshimi:
„Prej këtu krejt e ka në zap
Mbretëria e heshtjes 

Këtu asgjë s’ka kufi
Edhe nëse takohet Toka e Qielli
S’ka dhembje, lutje e britma
Nuk ndodh kataklizma… 

Netët dhe ditët
As vitet dhe shekujt
Kurrë nuk e gjejnë mbarimin” 

Mbetet jashtë orbitës
Vetëm rrugëtimi jetësor
Nuk është meteor 

Shpirtmiri Ngadhnjimi Ynë:
Fytyra jote nuk i frikësohet pasqyrës
Dy Yje vazhdojnë lozën tënde të jetës 

Na mbete oqean kujtimesh
Me atë qetësinë e qiellit
Pa re të zeza… 

Vdekja s’qenka fundi
Oooo, Ngadhnjim Ngadhnjimtari! 

Herticë-Besianë,
24 qershor 2026