Kreu Blog Faqe 107

Kush falsifikoi dokumente për Dritan Goxhajn?

0
Autorizimi i Dritan Goxhajt nga “grupi koordinues i protestës” të bëhet zëdhënës i tij dhe prezantimi i tij si “luftëtarë i UÇK-së”, më shtrëngoi t’u kthehesha reagimeve të mia të publikuara në vitin 2024 për këtë “ANAL-isti” që thur himne për organizatat terroriste Hamas dhe Hesbollah si dhe për regjimet totalitare të Rusisë dhe Iranit.
Në reagimin tim të datës 23 qershor 2026 të titulluar “Simboli i UÇK-së nuk e ka vendin në protestën e Tiranës” publikova njoftimin drejtuar Shtabit të Operacionit “Shigjeta”, të datës 21 prill 1999, nëpërmjet të cilit njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (Xheladin Gashi – Komandant Plaku) informonte Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtrinë Çlirimtare e Kosovës për deklaratën refuzuese dhe përbuzëse të Dritan Goxhajt për t’u bërë pjesëtar i UÇK-së.
Publikimi edhe nga ana e kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, të njoftimit të nënshkruar nga Komandant Plaku, nxiti shumëkënd që është përfshirë në trazirat të kërkojnë qime në vezë për të përgënjeshtruar vërtetësinë e njoftimit të nënshkruar nga Xheladin Gashi, dhe për t’ia atribuuar atij gjoja “falsifikimin” e këtij dokumenti. Në kuadër të kësaj përpjekjeje, në portale të ndryshe dhe në rrjete sociale u publikuan “vërtetime” që “dëshmonin” pjesëmarrjen e Dritan Goxhajt në radhët e UÇK-së.
Fillimisht shpërndanë “dokumentin” me numër protokolli Nr.prot. 86/92 dt. 03.01.1999, nëpërmjet të cilit ministri i Ministrisë së Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme, z. Azem Syla dhe zëvendësministri pa emër, por me nënshkrim, vërtetonin se “Dritan Laver Gorxhaj ka qenë pjesëtar i UÇK-së gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës prej 1 marsit 1999 deri në fund të luftës, me detyrë komandant i Shtabit të Përgjithshëm”.
Të gjitha format e falsifikimeve të dokumenteve janë të neveritshme, mirëpo ky vërtetim duhet të hyjë në rekordet më të çuditshme të Librit e Guinness. Është i pashembullt pretendimi se një dokument është protokolluar në një datë kur institucioni në të cilin protokollohet dokumenti në fjalë nuk ka ekzistuar. Më 3 janar të vitit 1999 Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe rrjedhimisht as ministria e Mbrojtjes dhe asnjë ministri tjetër e saj nuk ka ekzistuar. Qeveria e Përkohshme e Kosovës u formua më 2 prill 1999, domethënë KATËR MUAJ MË VONË se pretendimi i dokumentit të falsifikuar.
Nuk e di nëse dikush ua ka tërhequr vërejtje falsifikatorëve për gomarinë që kishin bërë, por ajo që është e sigurt ka të bëjë me faktin se pak kohë më vonë doli edhe “dokumenti” i dytë për të njëjtën çështje.
Në “dokumentin” e dytë, falsifikatorët ndryshojnë datën e protokollit ( Nr. prot. 88/92 dt 08.09.1999) dhe Dritan Goxhajn e degradojnë nga “komandant i Shtabit të Përgjithshëm” në “komandant kompanie”. Mirëpo në dallim nga “dokumenti” i parë, ku në anën e majtë të “vërtetimit” figuronte funksioni zëvendësministër, pa emër e pa mbiemër, ndërsa në anën e djathtë ajo e ministrit Azem Syla, në “dokumentin” e dytë mungon funksioni zëvendësministër, por bashkë me nënshkrimin është shënuar me shkrim data 3 shtator 2000!!!
Të nënshkruhet një dokument në emër të ministrisë së Mbrojtjes një vjet pasi të jetë protokolluar, dëshmon për injorancën e tyre falsifikatorëve. Qeveria e Përkohshme e Kosovës ndërpreu funksionimin e saj më 31 janar dhe rrjedhimisht askush nuk ka mundur të nënshkruaj NËNTË MUAJ MË VONË në emër të një ministrie që nuk ekzistonte!
E vetmja gjë që mbetet e pandryshuar në të dy “dokumentet” e falsifikuara ka të bëjë me “vërtetimin se Dritan Laver Gorxhaj ka qenë pjesëtar i UÇK-së gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës prej 1 marsit 1999 deri në fund të luftës”.
Mirëpo “rrena i ka këmbët të shkurta” thotë një shprehje e njohur popullore. Falsifikuesit e këtyre “dokumenteve” ose nuk kanë qenë në dijeni, ose mendojnë se shqiptarët kanë harruar se përafërsisht para tre vjetësh, më 18 shtator 2023, në intervistën për emisionin Quo Vadis të Vizion Plus TV të publikuar në YouTube babai i Dritanit, Dilaver Goxhaj deklaroi:
“Dritani në këtë periudhë ishte në praktikë fluturuese në Greqi dhe u kthye me datë 29 mars të vitit ’99, pesë ditë pasi kishte hyrë NATO në luftë”.
Me një fjalë, përgënjeshtrimi i pretendimit se gjoja “Dritan Goxhaj ka qenë pjesëtar i UÇK-së gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës prej 1 marsit 1999” vjen nga babai i tij!
Në kuadër të manipulimeve të lartpërmendura, reagoi publikisht edhe Azem Syla, nënshkrimi i së cilit i cili figuron në dy “dokumentet” e falsifikuara. Në prononcimin e 23 qershorit 2026, ish komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sqaroi se Dritan Goxhaj nuk ka qenë në Kosovë, në frontin e luftës, por ai i është bashkuar UÇK-se disa jave para mbarimit te luftës, në Helshan të Shqipërisë.
Për mua është e qartë që në kontekst të krizës globale në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku rendi i ri botëror është duke marrë formë me rreshtime të reja të aleancave, mercenarët dhe ANAL-istët që thurin himne për Hamasin, Hesbollahun dhe regjimet totalitare kanë për mision të përpiqen të krijojnë “Shqipërinë e re” sipas këtyre modeleve.
Për mua është e qartë se nuk është e rastësishme që mbështetësit e Hamasit, Hebollahut dhe regjimeve totalitare paraqiten si “luftëtarë të UÇK-së”, por e kanë për mision që t’u japin “argumente” forcave që kundërshtonin ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër Serbisë, për të “dëshmuar” se kjo ndërhyrje ka ndihmuar forca “terroriste”, “fundamentaliste islamike” dhe antidemokratike.
Për mua është e qartë se reagimet e mia nuk “pinë ujë” te mercenarët që kanë misione antishqiptare. Por habitem kur shoh disa nga miqtë e mi, të mbrojnë “mercenarët” e llojit të Goxhajve dhe të shpërndajnë gënjeshtrat e falsifikuesve të “vërtetimeve”. Mendoj se nuk i nderon veprimi që për inat të Ramës apo për hir të Satëmës, shkojnë e flenë me mullixhiun.
Në këtë kontekst pikëpamjet e mia janë të qarta: NUK KRIJOHET SHQIPËRIA E RE ME FUNDËRRINA TË VJETRA! Pakënaqësitë e ligjshme të qytetarëve duhet të adresohen në atë mënyrë, që të mos lënë asnjë shteg për mercenarët e shërbimeve të ndryshme sekrete.

Letër e Hapur: Testi i Maturës po rrezikon të ardhmen e vendit

0

Prof. Sabri Tahiri, Gjilan

Të nderuar qytetarë, përfaqësues të institucioneve arsimore, media dhe të gjithë ata që kujdesen për të ardhmen e arsimit në Kosovë,

Si njëri nga hartuesit kryesorë të Kurrikulës Kombëtare të Arsimit Parauniversitar të Kosovës, po e ngre publikisht një shqetësim madhor, që nuk është më vetëm një problem teknik i arsimit, por një krizë morale dhe kombëtare: mënyra se si po organizohet dhe zhvillohet Testi i Maturës Shtetërore po shkatërron besimin në sistemin arsimor, po dëmton të rinjtë e ndershëm dhe po rrezikon seriozisht cilësinë e të ardhmes sonë kolektive.

Çfarë po ndodh?

Në shumë shkolla të Kosovës, sipas dëshmive të shumta dhe të përsëritura, testi i maturës po zhvillohet me lehtësim të drejtpërdrejtë të kopjimit, ku administratorë, mësimdhënës dhe persona përgjegjës lejojnë, ose në disa raste nxisin kopjimin. Në këtë mënyrë, nxënës të papërgatitur arrijnë rezultate të larta padrejtësisht, ndërsa nxënësit e përkushtuar dhe të ndershëm ndihen të turpëruar, të padukshëm dhe të humbur në këtë sistem të shtrembëruar.

Përvoja ime personale e drejtpërdrejtë:

Para disa vitesh, pata përgjegjësinë të jem mbikëqyrës i rregullsisë së Testit të Maturës në një komunë. Zbatova me përpikëri disiplinën dhe ndershmërinë që kërkon një test i tillë kombëtar. Por sapo stafi i DKA-së komunale – përfshirë drejtorin dhe disa drejtorë shkollash – kuptuan që po e mbaja testin me rregull dhe nuk po lejoja manipulime, më erdhën personalisht në vendin ku zhvillohej testi dhe më luten që të isha “më tolerant”, sepse – sipas tyre – “edhe në komunat e tjera po bëhen tolerantë” dhe “nëse veprojmë me rregull, del komuna jonë keq në krahasim me të tjerat”!
Imagjinoni ku kemi arritur. Ky shembull nuk është i rrallë. Është pasqyra e një realiteti ku rregulli ndëshkohet, ndërsa shkelja justifikohet me pretekstin “kështu po bëjnë të gjithë”. Dhe më pas, nga këto institucione dhe struktura, kërkohet “përparim” arsimor dhe zhvillim kombëtar!

Pasojat janë të rënda dhe afatgjata:

Degradimi i meritokracisë – ku mundi, përgatitja dhe ndershmëria nuk vlerësohen.

Regjistrimi i studentëve të papërgatitur në universitetet tona, duke ulur cilësinë e arsimit të lartë dhe duke krijuar profesionistë të dobët nesër.

Normalizimi i pandershmërisë – nxënësit mësojnë se suksesi arrihet përmes manipulimit, jo përmes dijes.

Rënia e besimit publik në arsimin kombëtar – një goditje e rëndë për çdo përpjekje reformuese dhe zhvillimore.

Mjaft më me arsim formal pa përmbajtje!

Ne nuk kemi luksin të vazhdojmë të tolerojmë një proces që jo vetëm nuk mat dijen, por e maskon injorancën si sukses. Po krijojmë një realitet të rremë akademik, ku diploma ka më shumë vlerë se dija.

Thirrje publike për veprim:

Unë, dhe shumë kolegë e qytetarë që ndajnë këtë shqetësim, kërkojmë me ngulm nga MASHTI dhe institucionet përgjegjëse:

1. Të rishikojnë menjëherë procesin e organizimit të Testit të Maturës, në përputhje me standardet e etikës dhe kontrollit real.

2. Të sanksionojnë rastet e identifikuara të shkeljes, pa marrë parasysh pozicionin e individëve të përfshirë.

3. Të vendosin mekanizma të mbikëqyrjes së jashtme dhe të pavarur, që garantojnë barazi dhe ndershmëri.

4. Të mbrojnë nxënësit e ndershëm – ata janë themeli i së ardhmes sonë dhe nuk duhet të ndihen të humbur në këtë proces të shtrembëruar.

Nuk ka zhvillim ekonomik, institucional apo demokratik pa arsim të drejtë, të barabartë dhe me integritet. Nuk ka shtet të fortë me breza të mashtruar që diplomohen përmes kopjimit. Koha për të vepruar është tani.

Me përgjegjësi dhe sinqeritet të plotë,

Prof. Dr. Sabri Tahiri
Ish-kryetar i Këshillit Shtetëror të Kurrikulës së Kosovës
Udhëheqës i Ekipit të Ekspertëve Arsimor për Hartimin e Kornizës së Kurrikulës së Arsimit Parauniversitar

Më 26 qershor 2026

Mbroje shtetin nga rrëmbyesit islamik të protestës së Tiranës

0

Luan Dibrani, Durrës

MBROJ SHTETIN NGA RRËMBYESIT E PROTESTËS!

Protesta është e qytetarëve, jo lodër në duart e prapaskenave

Ka çaste kur një komb duhet të flasë qartë.
Jo me pëshpërima.
Jo me frikë.
Jo me gjuhë të zbehtë.
Por me zë burri, me ndërgjegje qytetare dhe me dashuri të pastër për shtetin.

Sot duhet thënë hapur:

Protesta qytetare është e shenjtë kur buron nga dhimbja e popullit.
Por bëhet e rrezikshme kur futet në duart e atyre që duan ta rrëmbejnë, ta ngjyrosin, ta përdorin dhe ta shndërrojnë në armë kundër shtetit shqiptar.

Kjo karikaturë politike nuk është thjesht vizatim.
Është pasqyrë.
Është thirrje.
Është alarm.
Është një shuplakë artistike mbi fytyrën e prapaskenës.

Në qendër qëndron mburoja e shtetit shqiptar: “MBROJ SHTETIN”.
Sepse shteti nuk është pronë partie.
Shteti nuk është pronë qeverie.
Shteti nuk është pronë rrugësh, studiosh televizive, hoxhallarësh politikë, analistësh mercenarë apo ish-figurash që sot vrapojnë pas protagonizmit.

Shteti është i qytetarëve.
Protesta është e qytetarëve.
Shqipëria është e shqiptarëve.

Kur protesta e drejtë rrezikon të kapet nga duar të pista politike

Askush nuk e mohon të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
Askush nuk ka të drejtë t’ia mbyllë gojën popullit kur kërkon transparencë për tokën, detin, natyrën, Zvërnecin, Sazanin, investimet dhe pasurinë publike.

Qytetari ka të drejtë të pyesë.
Ka të drejtë të kundërshtojë.
Ka të drejtë të kërkojë llogari.
Ka të drejtë të thotë: mos prekni pasurinë publike pa transparencë!

Por tjetër gjë është protesta qytetare, dhe tjetër gjë është kapja e saj nga figura që kërkojnë ta fusin në një skenar tjetër.

Sepse kur në mes të një kauze qytetare shfaqen njerëz me retorikë antiamerikane, me prirje ideologjike të huaja, me nostalgji për regjime të errëta, me gjuhë kundër orientimit perëndimor të shqiptarëve, atëherë protesta nuk është më vetëm protestë.

Atëherë lind pyetja:

Kush po e rrëmben protestën?
Kush po i fut duart në zemër të saj?
Kush po e përdor dhimbjen qytetare për axhendë tjetër?

Emrat që dolën në skenë duhet të japin sqarime publike

Në skenën publike janë përmendur emra si Dritan Goxhaj, Olsi Jazexhiu, Shefqet Krasniqi, Ilir Kulla, Ikballe Huduti, Mustafa Terniqi, Sazan Guri dhe figura të tjera që, në forma të ndryshme, janë lidhur me debate, qëndrime, mbrojtje publike, predikime, analiza apo prani në këtë atmosferë politike.

Këta emra nuk mund të qëndrojnë mbi publikun si mjegull.

Nëse janë për protestë qytetare, le ta thonë qartë.
Nëse janë për transparencë, le ta thonë qartë.
Nëse janë për Shqipërinë evropiane, le ta thonë qartë.
Nëse janë për aleancën strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, le ta thonë qartë.

Por nëse pas tyre qëndron një frymë tjetër — antiamerikane, antiizraelite, anti-perëndimore, pro-iraniane, pro-turke politike, pro-serbe apo çfarëdo orientimi që nuk përputhet me interesin strategjik shqiptar — atëherë le të dalin pa maska.

Populli nuk duhet të mashtrohet.
Protesta nuk duhet të përdoret.
Shteti nuk duhet të shantazhohet.

UÇK-ja nuk është dekor për prapaskena

Një nga pyetjet më të rënda është kjo:

Pse ju duhet UÇK-ja në këtë protestë?
Pse ju duhen simbolet e UÇK-së?
Kush ua dha të drejtën ta përdorni emrin e saj për një skenë politike të paqartë?

UÇK-ja nuk është shall proteste.
UÇK-ja nuk është parullë rruge.
UÇK-ja nuk është mbulesë për askënd.

UÇK-ja është gjak.
Është sakrificë.
Është varr dëshmori.
Është plagë në trupin e kombit.
Është aleancë historike me Amerikën dhe botën demokratike.

Ai që mban emrin e UÇK-së dhe njëkohësisht flet kundër Amerikës, kundër Perëndimit, kundër miqve strategjikë të shqiptarëve, e ka humbur të drejtën morale të flasë në emër të saj.

Edhe nëse ka qenë veteran.
Edhe nëse ka qenë pjesë e luftës.
Edhe nëse ka shkrepur një plumb.
Ai nuk mund ta marrë UÇK-në peng për axhendat e veta të sotme.

UÇK-ja nuk është dekor.
UÇK-ja është amanet.

Shteti nuk gjunjëzohet para manipulimit

Karikatura politike e tregon qartë: në qendër është mburoja e shtetit. Rreth saj janë qytetarët. Poshtë janë telat e ngatërruar, maskat e thyera, letrat e grisura: “Manipulim”, “Propagandë”, “Axhendë e huaj”, “Prapaskenë”.

Kjo është pamja e vërtetë e rrezikut.

Jo protesta.
Jo qytetari.
Jo zëri i lirë.

Rreziku është manipulimi i protestës.
Rreziku është futja e duarve të huaja në revoltën qytetare.
Rreziku është kur disa duan ta përdorin turmën si mjet presioni kundër shtetit, kundër aleancave perëndimore dhe kundër identitetit kombëtar shqiptar.

Prandaj mesazhi duhet të jetë i prerë:

Mbroj shtetin!
Mbroj qytetarin!
Mbroj protestën e pastër!
Mbroj Shqipërinë nga prapaskena!

Protesta është e jona, jo e kapësve të saj

Protesta e drejtë nuk ka nevojë për tutorë.
Nuk ka nevojë për predikues politikë.
Nuk ka nevojë për zëdhënës të errët.
Nuk ka nevojë për analistë që sot mbrojnë njërin, nesër tjetrin, dhe pasnesër shesin mjegull si parim.

Protesta e drejtë ka nevojë për qytetarë.
Për zemër.
Për arsye.
Për transparencë.
Për dinjitet.
Për shtet.

Kush del në protestë për Zvërnecin, le të flasë për Zvërnecin.
Kush del për Sazanin, le të flasë për Sazanin.
Kush del për mjedisin, le të flasë për mjedisin.
Kush del për pasurinë publike, le të kërkojë dokumente, ligj, transparencë dhe përgjegjësi.

Por kush del me axhendë të fshehtë, kush fshihet pas simboleve kombëtare, kush përdor UÇK-në si mburojë, kush fut frymë fetare-politike në një protestë qytetare, ai nuk po e mbron protestën.

Ai po e rrëmben atë.

Shqipëria nuk është arenë e huaj

Shqipëria nuk është arenë e Iranit.
Shqipëria nuk është arenë e Turqisë politike.
Shqipëria nuk është arenë e Serbisë.
Shqipëria nuk është laborator i fanatizmave.
Shqipëria nuk është vend ku flamuri kombëtar përdoret për të mbuluar axhenda të importuara.

Shqipëria është tokë shqiptare.
Me gjuhë shqiptare.
Me kulturë shqiptare.
Me kujtesë shqiptare.
Me orientim evropian.
Me miqësi strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kush nuk pajtohet me këtë rrugë, le ta thotë hapur.
Jo pas maskave.
Jo pas protestës.
Jo pas UÇK-së.
Jo pas fesë.
Jo pas “analizave” të porositura.

Qeveria duhet transparencë, por shteti duhet mbrojtje

Kjo nuk do të thotë se qeveria duhet të jetë mbi kritikën. Jo.

Qeveria duhet të japë transparencë.
Duhet të shpjegojë projektet.
Duhet të mbrojë mjedisin.
Duhet të garantojë ligjin.
Duhet të dëgjojë qytetarin.
Duhet të dëshmojë se zhvillimi nuk bëhet në kurriz të natyrës, të pronës publike dhe të interesit kombëtar.

Por një gjë tjetër duhet thënë po aq fort:

Kritika ndaj qeverisë nuk duhet të kthehet në sulm ndaj shtetit.
Protesta kundër një projekti nuk duhet të kthehet në tribunë antiamerikane.
Kauza qytetare nuk duhet të bjerë në duart e aventurierëve politikë.

Shteti duhet të qëndrojë.
Institucionet duhet të qëndrojnë.
Rendi duhet të qëndrojë.
Qytetari duhet të mbrohet.
Protesta e pastër duhet të mbrohet.

Gjunjëzimi politik i prapaskenës

Kur themi “gjunjëzoni këta”, nuk flasim për dhunë.
Flasim për gjunjëzim moral.
Flasim për gjunjëzim politik.
Flasim për çmaskim publik.

Le të gjunjëzohet gënjeshtra para së vërtetës.
Le të gjunjëzohet manipulimi para qytetarit.
Le të gjunjëzohet propaganda para shtetit.
Le të gjunjëzohet prapaskena para dritës.

Sepse arma më e fortë nuk është urrejtja.
Është fjala.
Është arti.
Është karikatura.
Është analiza.
Është guximi qytetar.

Dhe kjo karikaturë politike thotë pikërisht këtë:

Maskat ranë.
Telat u panë.
Prapaskena doli në dritë.
Tani qytetari duhet ta marrë protestën në dorën e vet.

Thirrje për qytetarin shqiptar

Qytetar shqiptar, mos e lër protestën të ta vjedhin.
Mos e lër dhimbjen tënde të bëhet kapital politik i të tjerëve.
Mos e lër flamurin të përdoret nga duar të huaja.
Mos e lër UÇK-në të bëhet dekor i askujt.
Mos e lër shtetin të përkulet para prapaskenave.

Protesto kur duhet.
Kërko llogari kur duhet.
Kritiko qeverinë kur duhet.
Mbro natyrën kur duhet.
Por kur sheh se protesta po rrëmbehet, ngrihu edhe kundër rrëmbyesve.

Sepse protesta është e qytetarit.
Shteti është i qytetarit.
Shqipëria është e qytetarit.

Fjala e fundit

Sot mesazhi është i qartë dhe i prerë:

Mbroj shtetin nga rrëmbyesit e protestës.
Mbroj protestën nga manipuluesit.
Mbroj UÇK-në nga përdoruesit.
Mbroj qytetarin nga mashtruesit.
Mbroj Shqipërinë nga prapaskenat.

Kush ka kauzë të pastër, le të dalë në dritë.
Kush ka axhendë të huaj, le të mos fshihet më.

Sepse Shqipëria nuk gjunjëzohet.
Shteti nuk dorëzohet.
Qytetari nuk mashtrohet përgjithmonë.

Protesta është qytetare.
Shteti është kombëtar.
Dhe maskat kanë filluar të bien.

Protestë pro-amerikane – mbrojtja e Aleancës që nuk guxojmë ta tradhëtojmë

0
Sot jemi këtu sepse dikush po luan me themelet e shtetit.
Dikush po përpiqet të krijojë mjegull, dyshim, frikë, teori boshe kundër aleatit tonë historik.
Dikush po e ushqen popullin me paranoja, sikur Amerika qenka kërcënim, sikur Perëndimi qenka rrezik.
Kjo është marrëzi.
Kjo është papërgjegjësi.
Kjo është rrezik kombëtar.
Kur Bashkimi Evropian angazhohet për 750 miliardë euro blerje të gazit amerikan LNG, bota e kupton qartë se Amerika është shtylla e sigurisë globale.
Vetëm ne, një vend i vogël me buxhet 3.6 miliardë euro, nuk guxojmë të flasim me mendësi fshati, me komplekse inferioriteti, me fantazi anti‑perëndimore.
Mesazhi ynë është i prerë:
Kosova nuk ka luksin të sillet si e pavarur nga realiteti.
Kosova nuk ka luksin të harrojë kush e shpëtoi.
Kosova nuk ka luksin të kafshojë dorën që e ngriti nga hiri.
Amerika nuk është armiku ynë.
Amerika është arsyeja pse ne ekzistojmë si shtet.
Kushdo që e relativizon këtë të vërtetë, kushdo që e shtrembëron, kushdo që e helmon opinionin publik me teori të kota, po i bën dëm Kosovës e jo Amerikës.
Ky është momenti i llogarisë kombëtare.
Ne nuk jemi këtu për të heshtur.
Ne nuk jemi këtu për të duruar.
Ne nuk jemi këtu për të pranuar që orientimi perëndimor i Kosovës të bëhet lodër ideologjike.
Ne jemi këtu për të thënë me zë të hekurt:
Kosova është me Amerikën.
Kosova qëndron me Perëndimin.
Kosova nuk lëkundet.
Kosova nuk përkulet.
Kosova nuk tradhton.
Thirrja jonë është ultimative.
Sot protestojmë sepse nuk pranojmë që ky vend të rrëshqasë në aventurë anti‑perëndimore.
Sot protestojmë sepse nuk pranojmë që sakrifica e brezave të shkelet nga ideologji të rreme.
Sot protestojmë sepse nuk pranojmë që aleanca me SHBA‑në të vihet në pikëpyetje nga askush.
Dhe po e themi troç, pa asnjë filtër:
Kosova nuk do ta tradhtojë Amerikën.
As sot.
As nesër.
Asnjëherë.

A përputhen kufijtë e demarkuar me dokumentacionin historik dhe gjeodezik mbi të cilin mbështetej kufiri administrativ i Kosovës?

1
Agim Vuniqi, Vashington
____
Në demokraci, pyetjet nuk janë kërcënim për shtetin. Përkundrazi, ato janë mekanizmi përmes të cilit forcohet besimi në institucione. Prandaj, pyetja nëse kufijtë e demarkuar të Republikës së Kosovës përputhen me dokumentacionin historik dhe gjeodezik mbi të cilin ishte ndërtuar kufiri administrativ i Kosovës nuk duhet të perceptohet si debat politik, por si një çështje shkencore, juridike dhe institucionale.
Kosova nuk e krijoi territorin e saj në vitin 2008. Pavarësia u shpall mbi territorin që kishte si njësi kushtetuese në kuadër të ish-Jugosllavisë. Kufijtë administrativë të Kosovës ishin të përcaktuar në dokumentacionin zyrtar të kohës dhe shërbyen si bazë territoriale për shtetin e ri. Pikërisht për këtë arsye, çdo proces demarkacioni duhet të ketë si pikënisje dokumentacionin historik dhe jo interpretimet politike.
Kjo nuk është një tezë politike. Është parim i së drejtës ndërkombëtare. Në proceset e krijimit të shteteve të reja, kufijtë administrativë ekzistues kanë shërbyer shpesh si bazë për kufijtë ndërkombëtarë, me qëllim ruajtjen e stabilitetit dhe shmangien e konflikteve. Megjithatë, formalizimi i një kufiri kërkon demarkacion teknik në terren, duke përdorur koordinata gjeodezike, harta topografike, dokumente kadastrale dhe matje moderne.
Pikërisht këtu lind pyetja që ende kërkon një përgjigje të plotë.
A përputhen të gjitha segmentet e kufirit të demarkuar me hartat topografike dhe dokumentacionin arkivor mbi të cilin mbështetej kufiri administrativ i Kosovës?
Kjo pyetje nuk mund të marrë përgjigje me deklarata politike. Ajo kërkon prova.
Në debatet për demarkacionin me Malin e Zi dhe, në një masë më të vogël, me Maqedoninë e Veriut, janë paraqitur interpretime të ndryshme. Njëra palë ka argumentuar se kufiri i demarkuar ndjek vijën administrative historike. Pala tjetër ka pretenduar se në disa segmente ekzistojnë devijime nga dokumentacioni i mëparshëm. Pikërisht sepse këto interpretime janë të ndryshme, përgjigjja duhet të vijë nga dokumentet dhe jo nga retorika.
Çfarë dokumentesh?
Së pari, hartat topografike zyrtare të ish-Jugosllavisë, të përgatitura nga institucionet gjeodezike shtetërore. Së dyti, dokumentacioni kadastral dhe procesverbalet e komisioneve kufitare. Së treti, koordinatat gjeodezike mbi të cilat është mbështetur demarkacioni bashkëkohor. Vetëm krahasimi profesional i këtyre burimeve mund të tregojë nëse ekziston apo jo ndonjë mospërputhje dhe, nëse po, sa është shtrirja e saj.
Kjo nuk është kërkesë për rihapje konfliktesh. Është kërkesë për transparencë.
Nëse dokumentacioni historik dhe matjet moderne përputhen, atëherë kjo duhet të prezantohet qartë para opinionit publik dhe debatit t’i vihet pikë mbi bazën e fakteve. Nëse, përkundrazi, evidentohen mospërputhje, institucionet kanë detyrimin t’i shpjegojnë ato dhe të mbajnë përgjegjësi politike për vendimet e marra. Llogaridhënia nuk është shenjë dobësie; është shenjë e një demokracie funksionale.
Historia nuk shkruhet me deklarata.
Ajo shkruhet me dokumente.
Edhe kufijtë nuk mbrohen me emocione, por me prova.
Për këtë arsye, Kosova duhet të krijojë një arkiv publik digjital ku të jenë të qasshme hartat historike, dokumentacioni kadastral, aktet juridike dhe materialet e komisioneve të demarkacionit. Kjo nuk do të shërbente vetëm për studiuesit. Do të ishte një akt i rëndësishëm transparence ndaj qytetarëve dhe një garanci se çështje kaq të ndjeshme nuk do të mbeten peng i interpretimeve politike.
Në fund, pyetja nuk është nëse duhet besuar njëra apo tjetra palë.
Pyetja është shumë më e thjeshtë:
A përputhet kufiri i sotëm me dokumentacionin historik mbi të cilin është ndërtuar territori i Republikës së Kosovës?
Nëse përgjigjja është po, dokumentet do ta vërtetojnë.
Nëse përgjigjja është jo, po dokumentet duhet ta dëshmojnë.
Sepse në një shtet demokratik, e vërteta historike nuk përcaktohet nga shumica politike, por nga faktet e verifikuara. Vetëm mbi to mund të ndërtohet besimi i qytetarëve, siguria juridike dhe autoriteti i shtetit.

Rrafshimi i Varreve në Isniq: Sulm ndaj Kujtesës Historike dhe Harmonisë Fetare të Shqiptarëve

1

“Shqiptarët nuk kanë një kulturë të zhvilluar varrezash”.

“Zor të gjesh varreza të vjetra dhe të bukura siç janë në vende të tjera të Evropës. Madje shumë të rralla janë varret origjinale të mbetura në Shqipëri nga koha para Luftës së Dytë Botërore. Arsyet kryesore për këtë mungesë janë niveli i lartë i shkatërrimit dhe vetë-shkatërrimit që ka kapluar trevat shqiptare në shekuj, si dhe kalimi i shumicës së shqiptarëve në fenë islame gjatë kohës osmane.”

Albanologu Robert Elsie.

Aryeja kryesore e prishjes së varrezave dhe humbja e gjurmëve shqiptare të krishtera, ka qenë se pushtimi i Perandorisë Osmane se ka lejuar identitetin e krishter në varreza. Kështu ka vepruar pushtimi i Perandorisë Osmane deri në vitin 1912. Pas vitit 1999, punët  e tyre i morën imamët…!

Basri Beka, Prishtinë

Largimi dhe rrafshimi i varreve të Canë Lekës, Nikë Lekës dhe Prekë Lekës në Isniq nuk është thjesht një ndërhyrje mbi disa varre të vjetra. Ky është një sulm ndaj kujtesës historike të shqiptarëve, ndaj rrënjëve tona dhe ndaj një trashëgimie që për shekuj ka dëshmuar vazhdimësinë e kombit tonë.
Varret e të parëve tanë nuk janë vetëm gurë e dhe. Ato janë dokumente të historisë sonë, dëshmi të asaj se kush ishim, çfarë përfaqësonim dhe si kemi mbijetuar si komb. Çdo përpjekje për t’i zhdukur këto dëshmi ngjan me një përpjekje për të fshirë kujtesën kolektive të shqiptarëve.
Veçanërisht i rëndë është fakti se bëhet fjalë për varre të shqiptarëve të krishterë, të cilët janë pjesë e pandashme e historisë sonë kombëtare. Pikërisht kujtesa se shqiptarët kanë ardhur nga e njëjta rrënjë, pavarësisht përkatësisë fetare, ka qenë themeli që ka ruajtur harmoninë fetare ndër shqiptarë. Populli ynë ka ditur se dje ishim njëri-tjetri, se kemi të njëjtin gjak, të njëjtën gjuhë dhe të njëjtën histori. Kushdo që cenon këto dëshmi historike, cenon edhe frymën e bashkëjetesës dhe harmonisë që na ka dalluar ndër shekuj.
Ky akt është i papranueshëm, i turpshëm dhe moralisht i dënueshëm. Askush nuk ka të drejtë të vendosë mbi kujtesën historike të një komuniteti, aq më pak të zhdukë gjurmët e të parëve pa transparencë, pa konsultim dhe pa respekt ndaj familjeve e trashëgimisë sonë kombëtare.
Kërkojmë zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin e përgjegjësve dhe marrjen e masave konkrete që raste të tilla të mos përsëriten më. Heshtja përballë këtij veprimi do të ishte bashkëfajësi ndaj shkatërrimit të kujtesës sonë historike.
Varret mund të rrafshohen, por historia nuk mund të zhduket. Kujtesa e Canë Lekës, Nikë Lekës dhe Prekë Lekës do të jetojë te pasardhësit, ndërsa detyra jonë mbetet ta mbrojmë të vërtetën historike dhe trashëgiminë e të parëve tanë

Operacioni Huduti – Kronikat e një Kombi të Hutuar

0
Në kujtim të logjikës së humbur, e cila u pa për herë të fundit duke ikur nga një konferencë shtypi.
Në Ballkan, ku politika prej kohësh ka vendosur të jetojë sipas ligjeve të teatrit dhe jo të arsyes, ndodhi një ngjarje që askush nuk e priste, por që të gjithë ishin të gatshëm ta besonin.
Igballe Huduti u shpall person i padëshiruar në Shqipëri.
Lajmi zbriti mbi opinionin publik si një pëllumb që kishte humbur rrugën dhe përfundoi në një mbledhje qeveritare.
Për disa orë askush nuk e kuptoi saktësisht se çfarë kishte ndodhur, por të gjithë kishin mendim.
Kjo është, në fund të fundit, forma më e lartë e pjesëmarrjes demokratike në Ballkan.
Në fillim qarkulluan shpjegimet tradicionale.
Dikush tha se ishte komplot.
Një tjetër tha se ishte hakmarrje.
Një i tretë tha se ishte diplomaci.
Ky i fundit u konsiderua menjëherë i dyshimtë.
Pastaj erdhi komunikata zyrtare.
Sipas autoriteteve shqiptare, masa ishte marrë mbi bazën e informacioneve të institucioneve të sigurisë.
Në dosje përmendeshin lidhje të pretenduara me regjimin iranian të ajatollahëve, dalje publike pranë ish-presidentit iranian Mahmoud Ahmadinejad dhe deklarata që autoritetet i konsideronin problematike për rendin kushtetues, sigurinë kombëtare dhe rendin publik.
Për herë të parë në këtë histori, dokumentet tingëllonin më serioze se debatet televizive.
Kjo krijoi një problem të madh.
Politika jonë është mësuar të jetojë me skandale, por jo me nuanca.
Menjëherë nisi lufta për interpretimin.
Njëra palë e shpalli Hudutin viktimë.
Tjetra e shpalli kërcënim.
Një grup i tretë nuk ishte ende i sigurt se kush ishte Huduti, por ishte gati ta mbronte ose ta dënonte me vendosmëri patriotike.
Brenda një dite, zonja Huduti arriti të jetë njëkohësisht:
* rrezik për shtetin,
* viktimë e shtetit,
* problem rajonal,
* zgjidhje rajonale,
* simbol i rezistencës,
* dhe simbol i rrezikut.
Një sukses që zakonisht kërkon vite karrierë politike.
Ndërkohë, në Prishtinë, zhvillohej një dramë tjetër.
Sipas burimeve që nuk ekzistojnë, por që zakonisht dalin të sakta pas dy muajsh, ishte vënë në lëvizje Operacioni “Baba-Nana”.
Në atë republikë të vogël ku çdo krizë prodhon tri komisione, katër konferenca dhe pesë interpretime kushtetuese, dikush kishte shpikur një ide madhështore:
Të nominohej Igballe Huduti për presidente të Kosovës.
Jo sepse kishte program.
Jo sepse kishte shumicë.
Jo sepse kishte ndonjë mundësi reale.
Por sepse Shqiptari ka një traditë të gjatë për të zëvendësuar aritmetikën me simbolikën.
Përdhunë t’Edi Ramës.
Në konferencën imagjinare për shtyp, organizatorët e kësaj kryevepre politike deklaruan:
“Po e forcojmë demokracinë.”
“Si?”
“Kjo është çështje teknike.”
“Po pse Huduti?”
“Sepse demokracia kërkon guxim.”
“Po çfarë përfaqëson ajo?”
“Varet nga pyetja tjetër.”
Gazetarët shënuan gjithçka.
Asnjë nuk qeshi.
Kur absurdi bëhet institucion, qeshja fillon të duket joprofesionale.
Në Tiranë, nominimi imagjinar u interpretua si provokim.
Analistët televizivë, të cilët zakonisht dinë gjithçka për gjithçka menjëherë pas reklamave, nisën analizat.
Disa zbuluan plane gjeopolitike.
Disa zbuluan konspiracione ndërkombëtare.
Disa zbuluan veten.
Asnjëri nuk zbuloi ndonjë zgjidhje për problemet që kishin qytetarët, PELIKANËT,
Por kjo nuk ishte pjesë e emisionit.
Në studiot televizive shpërtheu entuziazmi.
Brenda dy orësh, të njëjtët njerëz që një javë më parë diskutonin për çmimin e domates dhe tensionet në Lindjen e Mesme dhe mushkonjat n’Zvërrnec, tashmë po diskutonin për fatin e qytetërimit shqiptar.
Një ekspert deklaroi:
“Kjo është çështje historike.”
Një tjetër:
“Kjo është çështje kombëtare.”
Një i tretë:
“Kjo është çështje ekzistenciale.”
Asnjëri nuk arriti të shpjegonte pse.
Por në Shqiptari, shpesh mjafton ta thuash me ton të rëndë.
Ndërkohë populli shikonte.
Një pjesë pyeste:
“Po çka po ndodh?”
Një pjesë tjetër përgjigjej:
“Nuk e di, por po ndodh me seriozitet.”
Ndërsa më të urtit kishin hequr dorë prej kohësh.
Ata pinin kafenë dhe shikonin ekranet si njerëz që kanë humbur telekomandën e realitetit.
Në një qoshe të harruar të republikës, një qytetar guxoi të bëjë një pyetje të rrezikshme:
“Po mirë, kush po merret me ekonominë?”
Askush nuk iu përgjigj.
Një tjetër pyeti:
“Po arsimi?”
Heshtje.
Një i tretë:
“Po spitalet?”
Kamerat ishin fikur.
Dhe kështu, ndërsa dosjet qarkullonin, deklaratat shumëzoheshin dhe patriotizmi prodhohej me shumicë industriale, kombi vazhdonte jetën e tij të zakonshme.
Rrugët mbeteshin me gropa.
Institucionet me probleme.
Qytetarët me halle.
Kosova pa president.
Shqipëria pa pelikan.
Maqedonis pa rrugë me emra Shqiptarësh.
Lugina u harrua plotësisht.
Ndërsa politika vazhdonte të merrej me atë që politika e Shqiptarëve di të bëjë më mirë: me vetveten.
Epilogu:
Pas javësh debatesh, analizash, konferencash shtypi, deklaratash patriotike, kundërdeklaratash patriotike dhe patriotizmi me orar të zgjatur, në rrjetet sociale, rezultati ishte madhështor.
Asnjë problem nuk ishte zgjidhur.
Pelikanët ngelën n’Zvërrnec.
Hudutja nuk u bë presidente.
Asnjë reformë nuk ishte përfunduar.
Asnjë qytetar nuk ishte pyetur.
Por të gjithë ishin lodhur.
Dhe kjo u konsiderua progres.
Ndërsa protagonistët vazhdonin garën e tyre për tituj (BABA-NANA), simbolika dhe histori personale, logjika vazhdonte të mungonte.
Thuhet se është parë për herë të fundit duke kaluar kufirin pa dokumente.
Disa kërkuan ta shpallnin non grata.
Të tjerë propozuan ta kandidonin për presidente.
Shqiptarët ende nuk ka vendosur.

Dy fytyrat e së njejtës oligarki mafioze, Edi Rama dhe Aleksander Vuçiq

1
RAMA DHE VUÇIQI: DY FYTYRA TË SË NJËJTËS OLIGARKI MAFIOZE, BALLKANIKE DHE GLOBALE
Rama dhe Vuçiqi e ndiejnë zemërimin e qytetarëve të tyre, sepse në vendet ku udhëheqin politikën kanë ndërtuar shtete të thella paralele private, në të cilat zbatojnë interesat e oligarkëve më të pasur shqiptarë, serbë dhe globalë.
Ata kanë ngritur një mur të padukshëm kinez që i ndan nga qytetarët e zakonshëm, prej të cilëve kërkojnë vetëm votat, ndërsa në këmbim u japin thërrime buke.
Aq më e trishtueshme është se të dy kanë arritur të dërgojnë ekstremistët e tyre të blerë mes protestuesve për ta zhvlerësuar aq shumë qëllimin e protestave, saqë ata vetë, në krahasim me protestuesit, të duken të pafajshëm dhe të pastër si peshqit e detit përballë minjve të kanalizimeve.
Kjo gruaja e bezdisshme, me emrin e çuditshëm Igballe Huduti, gjatë gjithë kohës dhe kudo e shtyn dhe e përhap ideologjinë e saj ekstremiste fetare, sepse paguhet prej atyre që e mbështesin. Por ajo që mbetet e çuditshme është se famën ia ngriti televizioni kosovar Klan Serbia; prandaj gjithçka tjetër rreth ndalimit të hyrjes së saj në Shqipëri nga regjimi i Ramës duket si një shfaqje teatrale për moshën parashkollore.
Ngjashmëria më e madhe mes Ramës dhe Vuçiqit nuk qëndron tek ideologjia, kombësia apo retorika publike, por tek mënyra se si e konceptojnë pushtetin. Të dy e shohin shtetin si një mekanizëm që duhet kontrolluar nga lart-poshtë, ku institucionet ekzistojnë kryesisht për t’i shërbyer regjimeve dhe oligarkëve tē tyre, e jo qytetarit.
Për këtë arsye, të dy kanë kultivuar sisteme ku besnikëria politike shpërblehet më shumë se profesionalizmi, ku oligarkët ekonomikë janë më të rëndësishëm se sipërmarrësit e lirë, dhe ku mediat e afërta me pushtetin kanë më shumë hapësirë sesa zërat kritikë.
Interesi që i bashkon nuk është dashuria për popujt e tyre, por ruajtja e pushtetit. Për ta, stabiliteti i pushtetit është më i rëndësishëm se zhvillimi i demokracisë. Prandaj, shpeshherë, edhe kur paraqiten si kundërshtarë në publik, në praktikë prodhojnë efekte të ngjashme politike: dobësimin e institucioneve të pavarura, centralizimin e vendimmarrjes dhe varësinë e ekonomisë nga grupe të privilegjuara.
Në këtë kuptim, shqiptarët dhe serbët e zakonshëm përballen me probleme shumë të ngjashme. Ata largohen masivisht nga vendet e tyre jo sepse u mungon patriotizmi, por sepse u mungon perspektiva. Të rinjtë largohen, profesionistët largohen, ndërsa mbeten strukturat që ushqehen nga afërsia me pushtetin.
Kur bëhet fjalë për Kosovën, interesi i qytetarëve të saj shpesh reduktohet në objekt pazari mes elitave rajonale. Kosova ka nevojë për marrëdhënie normale me Serbinë, por jo për marrëveshje që hartohen mbi kokën e qytetarëve të saj. Po ashtu, Shqipëria duhet të jetë mbështetëse e interesave të Kosovës, jo t’i shohë ato përmes prizmit të interesave afatshkurtra të elitave politike.
Prandaj sfida e shqiptarëve dhe serbëve nuk është thjesht të zëvendësojnë një lider me një tjetër. Historia e Ballkanit ka treguar se rrëzimi i një njeriu nuk garanton ndryshimin e sistemit. Qytetarët duhet të kërkojnë institucione të forta, drejtësi të pavarur, media të lira dhe transparencë financiare. Vetëm kështu pushteti bëhet i zëvendësueshëm dhe oligarkitë humbin fuqinë e tyre.
Nëse shqiptarët dhe serbët duan të çlirohen nga cikli i njëjtë i zhgënjimeve, duhet të refuzojnë politikën e frikës, kultin e liderit dhe propagandën që i ndan. Qytetari i zakonshëm në Beograd dhe qytetari i zakonshëm në Tiranë kanë më shumë interesa të përbashkëta mes tyre sesa me oligarkët që pasurohen në emër të patriotizmit.
Armiku më i madh i të dy popujve nuk është fqinji përtej kufirit, por korrupsioni, kapja e shtetit dhe politika që e përdor nacionalizmin si perde për të fshehur privilegjet dhe krimet e saj.
Njerëzit e të gjitha gjinive, profesioneve, bindjeve politike, fetare dhe orientimeve seksuale, të cilët i lexojnë rregullisht analizat, diagnozat, parashikimet dhe këshillat e mia për shërimin e shoqërive tona nga budallallëku, mendjengushtësia, perceptimi dhe vetëdija sipërfaqësore, si dhe nga shija e keqe, e dinë se ato janë të sakta si orët zvicerane.
Por unë nuk mundem njëkohësisht të shkruaj, të lexoj, të kuptoj dhe të mendoj edhe në vend të budallenjve, sytë dhe veshët e të cilëve nuk janë të lidhur me trurin.
Shqiptarët dhe serbët duhet ta kuptojnë më në fund një të vërtetë të thjeshtë, por të pakëndshme: jemi popuj tepër të vegjël për të përballuar luksin e armiqësive të përhershme.
Jetojmë në një botë ku edhe vetë Evropa e Bashkuar, me qindra miliona banorë, ekonomi gjigante dhe teknologji të avancuar, shpesh ndihet e vogël, inferiore dhe e pafuqishme përballë ngritjes së Kinës, fuqisë ushtarake të Rusisë dhe potencialit demografik e ekonomik të Indisë. Në një botë të tillë, është tragjikomike që shqiptarët dhe serbët vazhdojnë të konsumojnë energjitë e tyre duke ushqyer urrejtje të trashëguara dhe konflikte që pasurojnë vetëm kastat politike.
Politikanët parazitë e dinë se qytetarët e frikësuar janë më të lehtë për t’u sunduar sesa qytetarët e lirë. Prandaj ata prodhojnë vazhdimisht armiq imagjinarë, tensione artificiale dhe drama patriotike. Ata e përdorin flamurin si perde, himnin si altoparlant dhe historinë si armë propagandistike për të fshehur korrupsionin, hajnitë, nepotizmin, kapjen e shtetit dhe pasurimin e paligjshëm.
Sa herë që një oligark vjedh miliona, një patriot profesionist del në televizor për të folur për tradhtinë kombëtare. Sa herë që një pushtetar kapet në skandal, menjëherë shpiket një krizë e re kombëtare. Sa herë që qytetarët fillojnë të kërkojnë llogari, dikush nxjerr nga magazina e propagandës fantazmat e vjetra të urrejtjes etnike.
Por e vërteta është më e thjeshtë.
Punëtori shqiptar ka më shumë të përbashkëta me punëtorin serb sesa me oligarkun shqiptar që e shfrytëzon. Mjeku serb ka më shumë të përbashkëta me mjekun shqiptar sesa me politikanin serb që e përdor patriotizmin për të fshehur dështimet e veta. Të rinjtë në Tiranë, Prishtinë, Beograd apo Novi Sad largohen për të njëjtat arsye: mungesën e perspektivës, korrupsionin, padrejtësinë dhe kapjen e institucioneve.
Asnjë i ri nuk largohet nga vendi i vet sepse e urren kombin e tij. Ai largohet sepse është lodhur duke parë se si mundësitë rezervohen për klientët e pushtetit, ndërsa talenti dhe puna e ndershme shpërblehen me emigrim.
Prandaj shqiptarët dhe serbët nuk duhet të mbeten peng i politikanëve gjakpirës dhe djersëpirës që patriotizmin e përdorin si mburojë mbi krimet e tyre ekonomike, politike dhe morale. Patriotizmi i vërtetë nuk matet me sa fort bërtet kundër fqinjit, por me sa shumë punon për ta bërë vendin tënd më të drejtë, më të lirë dhe më të zhvilluar.
Një komb nuk forcohet duke urryer një komb tjetër. Një komb forcohet kur ndërton institucione që funksionojnë, gjykata që nuk shiten, media që nuk blihen dhe ekonomi që nuk kontrollohen nga një grusht familjesh të privilegjuara.
Nëse shqiptarët dhe serbët vazhdojnë të jetojnë në hijen e konflikteve të së kaluarës, do të mbeten provinca të varfra në periferi të botës. Nëse arrijnë të shohin përtej propagandës së politikanëve të tyre, mund të bëhen qytetarë të lirë që konkurrojnë me botën, jo me njëri-tjetrin.
Sepse në shekullin XXI beteja më e rëndësishme nuk zhvillohet mes shqiptarëve dhe serbëve. Ajo zhvillohet mes shoqërive të hapura dhe oligarkive të korruptuara, mes dijes dhe injorancës, mes lirisë dhe manipulimit.
Dhe në atë betejë, armiku më i rrezikshëm nuk është fqinji përtej kufirit, por hajduti që valëvit flamurin me njërën dorë, ndërsa me tjetrën zbraz arkën e shtetit.

Deklaratë ndaj rrafshimit dhe largimit të tre varreve të të parëve të Isniqit, të ndjerëve Canë Leka, Nikë Leka dhe Prekë Leka

1
Në foto: Vorret e Isniqit
___
SHOQATA INTELEKTUALE “ISNIQI” nga ISNIQI”
DEKLARATË PROTESTE PUBLIKE
___
Shoqata Intelektuale “Isniqi nga Isniqi” shpreh indinjatën dhe kundërshtimin e saj të qartë dhe të prerë ndaj rrafshimit dhe largimit të tre varreve të të parëve të Isniqit në varrezat e Ibrdemajve, që i përkisnin të ndjerëve Canë Leka, Nikë Leka dhe Prekë Leka.
Ky veprim përbën një cenim të rëndë të kujtesës historike, të dinjitetit të të parëve tanë dhe të trashëgimisë kulturore e ADN_shpirtërore e Isniqit. Varret nuk janë vetëm struktura fizike, por dëshmi të gjalla të ekzistencës, identitetit dhe vazhdimësisë së një komuniteti ndër breza.
Fakti që këto varre i përkisnin besimit katolik e bën edhe më të domosdoshme ruajtjen dhe trajtimin e tyre me respekt të veçantë, si pjesë e historisë fetare dhe shoqërore të Isniqasve. Çdo ndërhyrje në to, e aq më tepër rrafshimi apo zhdukja e tyre pa transparencë të plotë dhe pa konsultim me familjarët dhe komunitetin, është e papranueshme dhe e dënueshme moralisht dhe kombtarisht.
Shoqata vlerëson se ky akt nuk prek vetëm familjarët e të ndjerëve pra Isniqasve, por përbën humbje për kujtesën kolektive të Isniqit dhe krijon një precedent të rrezikshëm në raport me vazhdimsin dhe trashëgiminë tonë fetare dhe historike.
Në këtë drejtim, kërkojmë përgjegjësi institucionale dhe sqarim të plotë mbi rrethanat e këtij veprimi, si dhe masa të menjëhershme për mbrojtjen e çdo dëshmie historike dhe kulturore që lidhet me të kaluarën fetare,kombetare te komunitetit tonë.
Shoqata Intelektuale “Isniqi ”nga Isniqi thekson se ruajtja e varrezave dhe respekti ndaj të parëve nuk janë vetëm obligim moral dhe kulturor, por edhe detyrim ndaj identitetit tonë historik dhe kombëtar.
Kulla e Osdautajve në Isniq
“Ruajtja e varrezave nuk është vetëm një akt kujtese, por një detyrim moral dhe patriotik ndaj vazhdimësisë së qenies sonë kolektive; sepse një popull që humb respektin për të vdekurit e vet, rrezikon të humbë edhe ndërgjegjen e vet historike, identitetin kulturor dhe dinjitetin e së ardhmes që ndërton mbi kujtimin e të kaluarës.”
Isniq, 25.06. 2026
Në emër të Shoqatës Intelektuale
“Isniqi nga Isniqi”
Kryetar: Dr. Shaqir Shala

Amerikë, më fal! Sot për “mua” po proteston Igballja!

0

Ilir Sefaj, Prishtinë

Tash kur janë bërë plot 27 vjet që kur forcat e KFOR-it zbarkuan në Kosovë, pas një fushate bombardimesh prej 78 ditësh nga ana e NATO-s mbi caqet e ish-ushtrisë serbe (jugosllave), seç më shpërfaqen pamjet e gëzimit të madh që shpërtheu në masën e qytetarëve, të cilët deri në datën e 12 qershorit 1999 ishin mbyllur në zgavrën e miut në përpjekje për ta shpëtuar kokën nga forcat kriminale serbe, të cilat në luftën e Kosovës nuk kursyen fëmijë, gra e pleq.

Sa herë vjen 12 qershori, në rrjetet sociale, në media elektronike e mediume online, (për fat të keq vetëm në vendin tonë nuk kemi gazetë ditore), shfaqen pamje të afër tri dekadave më parë, ku një popull i vuajtur, të cilin okupatori serb nuk e linte të shiste as qese plastike në treg për të mbijetuar në vitet ’90, të shpërthejë në entuziazëm teksa forcat e Aleancës Veriatlantike futeshin si fitimtare në Kosovë, falë edhe luftës tokësore me përmasa titanike që bënin ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e konsideriuar si guerilja më e suksesshme në botë.

Është një burrë atje teksa hedhet mbi autoblinden e ushtarëve e gazetarëve ndërkombëtarë, duke shfaqur kështu gëzimin që po shpëtonte nga një masakër lehtë e mundshme, sikur forcat paqeruajtëse të mos ndërhynin në Kosovë. Pastaj është një tjetër atje që ia puth çizmen ushtarit britanik të KFOR-it në Prishtinë, vetëm pak orë pas zbarkimit të tyre në kryeqendrën e Kosovës. Janë këto ditë gëzimi e shprese që erdhën nga veprimet luftarake të UÇK-së në tokë, e bombave të NATO-s nga qielli që ia kthyen shpresën këtij populli të shumëvuajtur.

E sot?! Sot flamurin e shenjtë të UÇK-së e valëvit Igballe Huduti në Tiranën time! E valëvit këtë flamur në Tiranën shqiptare, një grua që mund përfaqësojë gjithçka përveç interesave të vendit tim.

Amerikë, Shqipëri, Tiranë, më fal! Unë nuk jam ajo, ne nuk jemi ajo!

Sot protagonistë të protestave në Shqipëri janë igballet e hudutët që hapur dalin kundër aleatit tonë të përjetshëm, Amerikës. E tmerrshme. Më shumë se e tmerrshme.

Për më keq, hudutka krijon edhe opinion në vendin tim, ajo është fytyrë e njohur televizive në Kosovë. Xhaxhai im gazetar e shkrimtar i njohur, i cili ka shkruar shumë pë Shipërinë tonë të bukur, do të thoshte, medet, medet me M të madhe.

Kam edhe shumë për të thënë, por po e mbyll me kaq, se në fund të fundit çfarë mund të thuash tjetër pas fjalës MEDET!