Kreu Blog Faqe 1322

Masakra në Burgun e Dubravës – akt i gjenocidit! 

0

Gjatë javës së fundit të muajt prill 1999 dhe dy javëve të para të muajit maj 1999, në Burgun e Dubravës u bë grumbullimi i pengjeve shqiptare nga disa burgje serbe ku ishin mbajtur deri atëherë.   

Përzgjedhja, transferimi dhe sistematizimi i tyre në pavijonet e Burgut të Dubravës u bë në funksion të kryerjes së një nga krimet më të shëmtuara në kuadër të zbatimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë: vrasjen masive të pengjeve të luftës! 

Më datë 19 maj 1999 aeroplanët e NATO-s bombarduan caqet ushtarako-policore serbe që ndodheshin jashtë mureve të burgut të Dubravës. Pas tërheqjes së tyre, aviacioni jugosllav sulmoi pavijonet e stërmbushura me shqiptarë, me ç’rast u vranë Enver Topalli, Abdullah Tahiri dhe Gjokë Ndrecaj, ndërsa u plagosën 19 të tjerë. 

Në përputhje me strategjinë për fshehjen e gjurmëve të krimit të gjenocidit, propaganda gebelsiane në krye me ministrin e atëhershëm të informatave të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, Aleksandar Vuçiq, krimet e aviacionit jugosllav ia atribuoi NATO-s. 

Përkundër asaj se në konferencat për shtyp të datës 21 maj 1999, Pentagoni dhe NATO hodhën poshtë propagandën serbe dhe me prova të pakontestueshme të mbështetura në incizimet e aksioneve të bombardimeve të caqeve ushtarako-policore, dëshmuan se asnjë bombë e tyre nuk kishte rënë brenda mureve të burgut, propaganda e Aleksandar Vuçiqit vazhdoi me të njëjtin avaz. 

Kjo propagandë serbe e fajësimit të NATO-s për krimet që kishte planifikuar t’i kryente vetë, vazhdoi me intensitetit të shtuar deri më 24 maj, kur përfundoi njëri nga krimet më makabre të gjenocidit në Kosovë. Gjatë gjenocidit në Burgun e Dubravës, forcat serbe vranë 117 të burgosur shqiptarë dhe plagosën mbi 400 të tjerë, 100 prej të cilëve ishin në gjendje tejet të rëndë.  

Sot mbushen 23 vjet nga fillimi i këtij krimi monstruoz dhe askush nga zinxhiri komandues i forcave të armatosura serbe apo nga ata që ekzekutuan planin e vrasjes së pengjeve në Burgun e Dubravës nuk është përgjigjur për këto akte kriminale!  

Në dallim nga koha kur Aleksandar Vuçiq ishte ministër i propagandës gjenocidare të Serbisë, sot në cilësinë e presidentit të shtetit, vazhdon të mohojë përgjegjësinë për përgatitjen dhe zbatimin e këtij akti gjenocidar dhe për këtë fajëson forcat e NATO-s.  

Qendra “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e hapur” kërkon drejtësi për të gjitha viktimat e gjenocidit në Burgun e Dubravës. 

Gjenevë, 19 maj 2022
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” 

Nga konferenca për shtyp në Pentagon, 21 maj 1999: 

https://youtu.be/CvIxtHpWQTY?t=2772 

 Lokacioni ku kanë goditur forcat e NATO-s: 

https://goo.gl/maps/KpdKXZdHASsSjDfP7 

_____

Pamje të rënda, fotografi nga masakra e Dubravës

news image

Ndërmjet datave 19 e 23 maj 1999, në burgun e Dubravës u krye masakër mbi të burgosurit shqiptarë nga forcat serbe, ku rreth 1.000 shqiptarë iu nënshtruan terrorit për këto katër ditë dhe 160 u vranë, kurse mbi 300 u plagosën.

Të burgosurit shqiptarë, shumica të arrestuar me arsyetimin se ishin pjesë e UÇK-së, u vranë nga rojet serbe të burgut, pasi paraprakisht NATO-ja sulmoi ndërtesën e burgut.

Reuters-i ka arritur të kapë momentet e masakrës dhe fotografitë janë shqetësuese.

A mundet LGBTQ (IU) të krijoj një familje normale?

0

Prof. Pirro Prifti, Tiranë

Me mbështetjen e Këshillit të Europës nëpërmjet Ambasadës Pink ka realizuar një Podkast për parandalimin e gjuhës dhe krimeve të urrejtjes ndaj transgjinorëve ose siç quhen LGBTQ (IU). Kështu Ambasada Pink me 21 Maj 2022 do të realizojë një tip paradë me moton : `NE JEMI FAMILJE`. Kjo Ambasadë ka realizuar çdo vit aktivitete në mbështetje të transgjinorëve.
Pak Histori
Termi i parë i përdorur gjerësisht, homoseksual, tani një term i përdorur kryesisht në kontekste shkencore, ka pasur ndonjëherë konotacione negative në Shtetet e Bashkuara. Gay u bë një term popullor në vitet 1970.
Rreth vitit 1988, aktivistët filluan të përdorin inicializmin LGBT në Shtetet e Bashkuara. Deri në vitet 1990 brenda lëvizjes, homoseksualët, lezbiket, biseksualët dhe transgjinorët fituan respekt të barabartë. Kjo nxiti disa organizata të miratonin emra të rinj, siç bëri Shoqëria Historike GLBT në 1999. Edhe pse komuniteti LGBT ka parë shumë polemika në lidhje me pranimin universal të grupeve të ndryshme anëtare (individët biseksualë dhe transgjinorë, në veçanti, ndonjëherë janë margjinalizuar nga LGBT më të mëdha komuniteti), termi LGBT ka qenë një simbol pozitiv i përfshirjes.
Aktorja transgjinore Candis Cayne në vitin 2009 e përshkroi komunitetin LGBT si “minoritetin e fundit të madh”, duke vënë në dukje se “Ne ende mund të ngacmohemi hapur” dhe “të na thërrasin në televizion”.
Në vitin 2016, Udhëzuesi i Referencës për Media të GLAAD-it deklaron se LGBTQ është inicializmi i preferuar, duke qenë më gjithëpërfshirës i anëtarëve më të rinj të komuniteteve që përqafojnë queer-in si një vetë-përshkrues. Megjithatë, disa njerëz e konsiderojnë queer-in si një term nënçmues me origjinë nga gjuha e urrejtjes dhe e refuzojnë atë, veçanërisht në mesin e anëtarëve më të vjetër të komunitetit.
LGBT di të thotë sipas gërmave: L – Lesbian; G – Gay; B – Bisexual; T – Transsexual. Pa më vonë i u shtuan gërma të tjera: Q – Queer; dhe i – intersex.
Të tëra këto kategori jo-normale njerëzish i bëjnë karshillëk shumicës dërrmuese të popullatave të cilat janë Heteroseksuale pra janë njerëz që mund të formojnë familje normale 1 burrë+ 1 grua.
Kategoritë jo heteroseksuale janë një minoritet në popujt e të gjitha vëndeve, por në bazë të ligjit të të drejtave dhe lirive të njeriut edhe ata kanë të drejtë të jetojnë si komunitete të veçanta pa u ngacmuar dhe u përdorur gjuah e urrejtjes dhe homophobia ndaj tyre.
Një Analizë
Deri në vitin 1973 individët Gay (pederastët pasivë apo aktivë) kategorizoheshin nga Shoqata Psikiatrike Amerikane si Homoseksualë , e largoi këtë kategori si sëmundje psikiatrike të cilët i quanter këta individë Homoseksualë nga Manuali Diagnostik dhe Statistikor  (Diagnostic and Statistical Manual – DSM). Spjegimi Nga Shoqata u realizua nëpërmjet argumentit se Homoseksualiteti mund të përfshihet në tre kategori të mëdha: si pathologi, si immaturitet, dhe si variacion normal.
Si Teori Patologjike, Homoseksualitetit i ka dhënë një përgjigje psiko-analisti Edmund Bergler: “Unë nuk kam asnjë paragjykim ndaj homoseksualëve; për mua ata janë njerëz të sëmurë që kërkojnë ndihmë mjekësore… Megjithatë, megjithëse nuk kam asnjë paragjykim, do të thosha: Homoseksualët janë në thelb njerëz të pakëndshëm, pavarësisht nga mënyra e tyre e jashtme e këndshme apo e pakëndshme… guaska [e tyre] është një përzierje e çuditshmërisë. , agresivitet të rremë dhe pëshpëritje. Si të gjithë mazokistët psikikë, ata janë të nënshtruar kur përballen me një person më të fortë, të pamëshirshëm kur janë në pushtet, të paskrupullt për të shkelur një person më të dobët”.
Si Teori immaturiteti Homoseksualiteti në meshkuj apo femra, janë teori psikanalitike që i konsiderojnë shprehjet e ndjenjave ose sjelljes homoseksuale në një moshë të re si një hap normal drejt zhvillimit të heteroseksualitetit të të rriturve. Në mënyrë ideale, homoseksualiteti duhet të jetë vetëm një fazë kalimtare që njeriu e tejkalon. Megjithatë, si një “arrest zhvillimor”, homoseksualiteti i të rriturve barazohet me ngecjen e rritjes. Ata që mbajnë këto teori priren ta konsiderojnë papjekurinë si relativisht të mirë, ose të paktën jo si “të keqe” në krahasim me ata që teorizojnë se homoseksualiteti është një formë psikopatologjie.
Si teori e Variacioneve normale Kjo teori e trajtojnë homoseksualitetin si një fenomen që ndodh natyrshëm Teori të tilla zakonisht i konsiderojnë individët homoseksualë si të lindur të ndryshëm, por është një ndryshim i natyrshëm që prek një pakicë njerëzish, si mëngjarashët. Besimi kulturor bashkëkohor se njerëzit janë “të lindur homoseksualë” është një teori normale e variacionit. Duke qenë se këto teori barazojnë normalen me të natyrshmen, ato e përcaktojnë homoseksualitetin si të mirë (ose, në bazë, neutral). Teori të tilla nuk shohin vend për homoseksualitetin në një manual diagnostik psikiatrik.
Sidoqoftë largimi nga norma i këtyre individëve mesa duket ka patur edhe aspekte të tjera si ajo se kush e bën prekjen e parë seksuale tek individi apo individja fëmijë sipas kësaj prekje të parë edhe individi apo individja priren të devijojnë nga heteroseksualiteti që është diçka normale tek shumica e njerzve.
Është e qartë se duke qënë individë të veçantë apo grup njerëzish në minoritet në krahasim me popullatën Demokracia perëndimore pas vitit 1973 dhe më vonë i ka trajtuar si njerëz që kërkojnë mbrojtje sepse janë njerëz, dhe mbrojtja bazohet tek `ligji i të Drejtave dhe Lirive të njeriut`. Dihet opinion i Religjioneve të Krishtera dhe Islame për këtë problem të cilat bazohen tek morali Kristian apo dhe islam në të cilin Familja përbëhet nga një çift mashkull dhe Femër të cilët lindin pas-ardhës.
Ruajtja e Familjes ka rëndësi të madhe edhe në kohët e sotme sepse prishja e saj do të shkaktojë prishjen e shoqërisë njerëzore. Përfshirja e LGBTQ (IU) në përbërje si të një familje normale, duke insistuar që dhe një çift mashkull+mashkull apo Femër+Femër mund të jenë familje duke i quajtur edhe në formë ligjore prindi NJË dhe Prindi DY të cilët mund të mbajnë dhe të rrisin edhe fëmijë.
Në një takim me përfaqësuesit e BE nje klerik i lartë kishtar i cili kritikoi BE për mungesën e kontributit të Kishës në realizimin e Kushtetutës, së BE deklaroi: “Nëse do të injorojmë rregullat morale, ne injorojmë në fund të fundit edhe vetë lirinë; Nëse rregullat morale kapërcehen dhe deklarohen relative – do të minohej themeli i vetë këndvështrimit europian të botës “.
Pra ne nuk jemi kundër ruajtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut përsa i përket LGBTQ (IU) por nxitja dhe promovimi se jeta e këtij komuniteti është një jetë për tu admiruar, dhe se ky komunitet mund të formojë familje normale, dhe se nga ky komunitet duhet marrë shëmbuj, kjo është e papranueshme. Në Shqipëri, që nga individi Torja në kohën e diktaturës, e deri më sot, shqiptarët kanë qënë të distancuar ng ky lloj komuniteti sepse traditat popullore dhe ato religjioze nuki pranonin individë të tillë, por edhe ne nuk i kemi diskriminuar, por edhe nuk i kemi përkrahur këtë kategori si një kategori normale. Këta individë apo komunitet minor në shoqërinë tonë nuk diskriminohen por as duhet që nëpërmjet festive të tilla tip `ylberi` të nxitet shoqëria jonë dhe të mashtrohet se këta indivdë të mund të krijojnë familje normale, dhe se shoqëria jonë mund të krenohet me këtë grup individësh të cilët kanë prioritet perversitetin seksual. Shoqëria shqiptare respekton te drejtat dhe liritë e individit por nuk ka prioritet as homofobinë dhe as deviacionet seksuale.

priftipirro2017@gmail.com

In memoriam Dr. Gjon Buçaj – 14 shkurt 1934 – 14 maj 2022

0

Don Lush Gjergji, Prishtinë

In memoriam 

Dr. Gjon Buçaj 

* Dr. Gjon Lek Buçaj u nda nga jeta në moshën 88 vjeçare, më 14 maj 2022.

Një ditë para kalimit në amshim, Dr. Gjon Buçaj,  në pyetjen time si je tash më shëndet, me shkuan kështu: “Po, falemindës Zotit! Jam ma mirë pak. Do të marri shumë kohë mëkamja e plotë.” 

Mirëpo sëmundja dhe vdekja dinake dhe grabitqare nuk pritën dhe nuk ia mundësuan rimarrja e shëndetit, që e shpresonte ai, familja, miqtë e tij të shumtë në Amerikë dhe në botë. 

Lajmin për kalimin e tij në amshim ma dha Merita Bajraktari – Mc Cormak me këto fjalë: “Gjon Buçaj ndërroi jetë sot. Pushoftë në Paqen e Krishtit.” 

Posa e mora këtë lajm, së pari u luta për shpirtin e tij dhe amshimin e lumtur, si dhe për tërë familjen, që ta kenë ngushëllimin në vdekjen dhe ngjalljen e Jezu Krishtit, si burim feje, frymëzim jete dhe pavdekësie… Fill i shkrova të bitit të Dr. Gjonit, Eduardit kështu: “I dashuri Eduard, e kujtoj Dr. Gjon Buçaj me ndjenja të thella të nderimit dhe falënderimit, me uratë dhe dashuri. Zoti Dr. Gjonin e pastë në parajsë, ndërsa juve ju ngushëlloftë me fuqinë e fesë së krishterë! Pushoftë në paqe!” 

Ajo çka mund të bëja është urata, pjesëmarrja ime shpirtërore në këtë ndarje të përkohshme, apo si thotë Shën Nëna Tereze “kthimi në Shtëpinë e Atit”, paraqitja dhe kremtimi i Meshën për shpirtin e tij si dhe për flladi, ngushëllim dhe siguri që na vjen prej Krishtit të ngjallur, i cili i vetmi thotë dhe garanton kështu: Unë jam të ngjallurit dhe jeta. Kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë… Lumë ata që nuk shohin por besojnë! 

Do të “lundëroj”  pak në kujtimet mia me të dashurin dhe të paharrueshmin Dr. Gjon Buçaj. Jemi njohur mjaft kohë, diku fill pas luftës së Kosovës 1998 – 1999. Për Dr. Gjonin më kishte folur shpesh një mik dhe koleg i tij nga ditët e rinisë dhe studimeve, piktori ynë i njohur, Blerim Luzha. Ai i kishte humbur lidhjet qysh moti, por me këmbëngulje kërkonte ndonjë “shenjë”. Dhe ndodhi deri diku “mrekullia”, u takuam dhe njoftuam fill pas Luftës.  

Dr. Gjon Buçaj ishte një atdhetar i shquar, një njohës i gjuhës   dhe kulturës, letërsisë, historisë, me pak fjalë çështjes shqiptare, të kaluarës sonë martire, të cilën e kishte provuar në shpinë dhe në zemër, por edhe idealist dhe optimist për të tashmen dhe të ardhmen tonë më të mirë. Më thoshte kështu: “Gjithë ky gjak i derdhur për Fe dhe Atdhe, gjithë kjo farë e mirë, doemos do të rritet dhe do të gufojë, ndoshta jo aq shpejt, por s’ka më ku shkon…” 

Pata shumë takime me të në Amerikë, në New York, por edhe në Kosovë. Gjithmonë i qetë, shumë i vëmendshëm në bashkëbisedime, i matur në fjalë dhe në sjellje, mbi të gjitha dashamir i të mirës, të drejtës, të vërtetës, jetës, mbi të gjitha Dashurisë. Si Kryetar i “Vatrës” disa herë me priti me bashkëpunëtorë, ma dha rastin të paraqitem me ndonjë libër, botim, kumtesë, me një rast së bashku me Dr. Nusret Pllanën, rreth gjenocidit serbë ndaj Shqiptarëve me shekuj… 

Ishte i ngazëlluar për çdo fjalë, rresht, varg, botim, dhe me shpirt rinor dhe të frymëzuar “shijonte” fjalën dhe porosinë e bukur dhe aktuale. 

Ishte dalluar tejet shumë me organizimin e 100 – vjetorit të “Vatrës”, ku ndër të tjera me thoshte: “Tashmë jemi të ndarë anekënd botës. Ti thua që feja dhe Dashuria na afrojnë dhe bashkojnë, së pari me Zotin, pastaj edhe me njëri-tjetrin. Edhe unë mendoj si Ti, por do ta shtoja që kultura, gjuha shqipe, krijimtaria, historia, mbi të gjitha e tashmja dhe e ardhmja e përbashkët, duhet të na bashkojnë…” 

Sa herë vinte në Kosovë, kurrë nuk e harronte Imzot Dodë Gjergjin dhe neve bashkëpunëtorët e tij, Katedralen dhe Shenjtëroren Nëna Tereze në Prishtinë. Në çdo takim kishte edhe afrim dhe bashkim, vrull dhe vullnet “për ta shërbyer Popullin tonë të braktisur dhe të harruar, por prej Zotit të bekuar… Po vijnë së fundi ditë të mira edhe për ne. Nëpërmjet Nënës Tereze vërtet Zoti na ka bekuar dhe na ka bërë të njohur në mbarë botën. Tashmë edhe ne me atë jemi të lumtur dhe shumë krenar…” 

Shpirtin, zemrën, brendinë, thellësinë dhe pasurinë e tij shpirtërore dhe kulturore e kam njohur dhe shijuar për së afërmi gjatë disa ditëve në Washington, kur Libraria e Kongresit Amerikan, Sektori Evropian, më kishte ftuar për ta paraqitur dhe dhuruar librin tim më të njohur kushtuar Nënës Tereze: Mother of Charity, Mother Teresa, Vepar – Drita, 2015, f. 240.  

Kjo ndodhi më 14 tetor 2016, në bashkëpunim me Dr. Gjon Buçaj, Merita Bajraktari McCormak  dhe shumë të tjerë. Dr. Gjon Buçaj më priti në aeroportin e Washingtonit, me buzëqeshje karakteristike dhe me fjalë: “Mirë se të ka prue Zoti!” 

Pas përshëndetjes fill më pyeti: “Ku do të jesh këto ditë, në ndonjë hotel me pesë yj, apo tek unë, ku jam unë dhe gruaja, me djalin tim dhe pesë nipa…” 

Unë pa kurrfarë hamendje i thashë; “Te pesë yjtë e tu…” 

Ishin ditët më të bukura të takimeve, bisedimeve, përmallimit, shëtitjeve, vizitave të dy ambasadat tona, të Shqipërisë dhe Kosovës, në State Departpartment, nëpër kisha, monumente, përmendore, kudo… 

Ishim së bashku – një në ndjenja, përjetime, ngazëllime. Më 14 tetor 2016, përpos librit tim të lartpërmendur, unë Bibliotekës së Kongresit Amerikan, i dhurova edhe tri libra – vëllime tjera kushtuar Nënës Tereze, kuptohet  që i kam shkruar unë dhe që janë botuara në gjuhën anglishte. Aty pata rastin edhe për një fjalë rasti. 

Bashkëkombësit tanë, të ardhur edhe nga viset tjera të Amerikës, me prejardhje nga trojet tona stërgjyshore, sidomos i nderi Lekë Gojçaj, së bashku me Marjan Cubin, ishim të lumtur për këtë ndodhi, unë do të them edhe “mrekulli” të rendit të parë, që një figurë shqiptare, Nëna Tereze, një autor shqiptar, unë, një botim kaq i bukur dhe tejet luksoz, tash e tutje do ta ketë një vend të lartë të nderit në Bibliotekën më të madhe të botës,  që  amerikanët e quajnë Librari.  

Hyrja dhe dalja në këtë Bibliotekë ishte tejet i rreptë, me shumë kontrollime. Drejtori i Sektorit Amerikan më përcillte gjithkund dhe ishte shumë mirënjohës për këtë ngjarje të rrallë dhe të bukur. Në dalje, për të krijuar pak atmosferë festive, unë ndër të tjera thashë kështu: “Ju garantoj me krye se Shqiptarë mund të vjedhin gjithçka, por kurrë e për këtë jetë,  nuk do të vjedhin libra!” 

Fjala ime i pëlqeu shumë Drejtorit, Dr. Gjonit dhe përcjellësve të mi aq të përkushtuar dhe të dashur, ndër të cilët enkas kishte ardhur  prej Detroitit edhe vëllai im meshtar Don Ndue Gjergji dhe shumë të tjerë. 

Deshi Zoti, dikush ndoshta do të thotë fati, që prapë isha në Amerikë afro një muaj, me vizita, takime, ligjërata, meshë në tri qendra të mëdha: Në Detroit, New York dhe në Washington (8 dhe 9 maj 2022), me dëshirë të madhe që të shiheshim. Ishte e pamundur. Kudo prapë takime, bisedime, promovime, sidomos me rastin e 25 – vjetorit të vdekjes së  Nënës Tereze. Përcjellës besnik dhe shumë i vëmendshëm kësaj radhe ishte  veprimtari i njohur Mirash Nuculaj në udhëtime dhe takime në New York dhe Washington, me pjesëmarrje të shumë miqve dhe dashamirëve, me kujtime të përmallshme  dhe uratë falënderimi për ata që kaluan në amshim: Prena, Pashk dhe Lekë Gojçaj, Mrika lind. Pecaj – Xhema, Zef Balaj dhe të tjerë. 

Vizita familjeve të tyre, urata në varreza, ndezja e qiriut dhe lulet,  Mesha, ishin gjeste të thjeshta të dashurisë dhe falënderimit ndaj atyre që kaluan në amshim, si dhe kujdes për të gjallë. 

Dr. Gjon Buçaj, nuk ishte mirë. Ndër të tjera ai më shkruante kështu me 9 maj 2022: “Faleminderes, i dashtun Don Lush… Jemi aq afër por nuk mund të takohemi…Nejse, virusi corona  asht sabotuesi kryesor që të mos shihemi tue qenë kaq afër, por bekimet për të cilat jam mirënjohës, nuk mundet me i ndalë Të shkoftë puna mirë e mbarë gjithmonë! Me përzemërsi,  Gjon Buçaj.” 

I dashuri Dr. Gjon Buçaj, tash je “liruar” prej Corona Virusit, edhe prej trupit, kësaj jete tokësore, që aq shumë e ke dashur dhe jetuar… Tash e tutje do të jemi së bashku në uratë, në Zotin, e një ditë do të shihemi dhe do të jemi së bashku në amshimin e lumtur. 

Jepja, o Zot, pushimin e pasosur. I shndritë Drita e pambaruar. Pushoftë në paqe! Amen. 

Familjes, bashkëshortes, fëmijëve, nipave dhe mbesave, miqve të shumtë në Amerikë dhe kudo gjetiu: Ngushëllime! 

Prishtinë, 18 maj 2022   

Bashkëbisedim me Jusuf Buxhovin në bibliotekën “Bilall Xhaferi” në Sarandë

Në bibliotekën “Bilall Xhaferi” në Sarandë sot u zhvillua një bashkëbisedim me shkrimtarin dhe historianin Jusuf Buxhovi dhe botuesin amerikan Ramiz Tafilaj. Në promovimin që u drejtua nga Hekuran Halili, nënkryetar i Klubit të krijuesve jonian, mori pjesë edhe drejtoresha e zyrës arsimore në Sarandë, Majlinda Mavro.
Rreth vepës letrare, historiografike dhe publicistike të Buxhovit folën Thoma Nika, Bardhyl Maliqi, Kiço Mavro dhe Rexhep Shahu.
Maliqi u ndal te vepra “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazi” duke e vlerësuar si njërën ndër veprat më të realizuara të letërsisë shqipe, që edhe sot e gjithditën ruan aktualitetin e vet. Ndërsa, K.Mavro u ndal të romani “Dushkaja”, të cilën e quajti roman-ese, ndër më të rëndësishmit e letërsisë sonë.
Thoma Nika foli për profilin publicistik të Buxhovi si dhe ndikimin e madh të tij në gazetarinë shqiptate si korrespodent i përhetshëm i Rilindjes në Bon. Rexhep Shahu theksoi rolin e Buxhovit si intelektual në lëvizjen shtetformues përkrah Rugovës dhe brezit që mori përgjegjësinë historike për t’u prirë proceseve shtetndërtuese.
Në fund, autori u nderua me mirënjohje të përbashkët nga “Klubi i krijuesve jonian” dhe “Unioni i gazetarëve shqiptarë” dega në Sarandë.
Me këtë rast, autori i dhuroi bibliotekës “Bilall Xhaferi” 40 libra nga opusi i tij letrar dhe historiografik.

Princi Albin, fajtori kryesor për ferrin emocional të Princeshës Kimete!

0
Lirim Gashi, shkrimtar nga Prishtina
Duke lexuar një shkrim të Kimete Berishës, kuptova se kjo grua e zgjuar, e bukur dhe e pamartuar kosovare, po kalon nëpër “ferr emocional”.
Dhe ju them me sinqeritetin më të madh; më dhembi shpirti kur kuptova se simpatia ime kishte humbur çdo shpresë.
Sepse është mëkat i madh që një milion burra shqiptarë ta shikojnë tavanin si hutat dhe të mos ndërmarrin asgjë për t’ia kthyer kuptimin e jetës Kimetës së bukur dhe të zgjuar, qe i ka ngjyrosur me aq shumë ngjyra të bukura imagjinatat e tyre bardhë e zi.
Një gjë duhet ta dini lexues të dashur:
Vetëm njerëzit më të mirë në botë kalojnë nëpër ferrin emocional të Dante Aligerit, birit të Petrarkës, kur humbasin pozitivitetin e lartë që zbukuron brendësinë e tyre ezoterike, e veçanërisht gratë e uritura për dashuri të pafund.
Fatkeqësisht, Kimetja e ka humbur ndjeshmërinë e saj të lartë pozitive, sepse e ka humbur edhe inteligjencën emocionale pozitive, që funksionon në mënyrë të qëndrueshme vetëm kur optimizmi i lindur dhe i pathyeshëm emocional e shtrinë për toke pesimizmin e bezdisshëm, me nokaut klasik në raundin e parë, përndryshe individi fillimisht bëhet pesimist dhe në fund nihilist.
Për ata që nuk e kuptojnë fjalën nihilist, ja një shpjegim i vogël.
Nihilistët janë individë që i binden hiçit, domethënë që i binden pakuptimësisë së gjithçkaje që ekziston, sepse ata refuzojnë dhe mohojnë të gjitha qëllimet, idealet, vlerat dhe normat pozitive.
Lind pyetja :
Çfarë ka ndodhur me Kimeten tonë të ëmbël si mjalta dhe pse është bërë e hidhur si leshi i portokallit ?
Kimetja, e cila u frymëzua dhe formësua në fëmijëri nga përrallat që përshkruanin jetën e princeshave më të bukura angleze, në një moment të caktuar të jetës së saj besonte se ishte Lady Diana, ndaj filloi ta imitonte në çdo mënyrë.
Ndryshe nga Lady Diana, e cila e shihte princin Çarls si një trampolinë për t’u ngjitur në majën e Mbretërisë Britanike dhe më pas për të kërcyer nga ajo lartësi mbi Kalin e Bardhë të Princit Dodi Alfajed, Kimetja përdori Teki Dervishin si trampolinë për t’u ngjitur në Majën e Pançiqit dhe për të kërcyer nga ajo lartësi mbi Kalin e Bardhë të Princit Albin.
Dhe çfarë bëri Princi Albin ?
Ende pa kërcyer Kimetja mbi Kalin e tij të Bardhë, ai e shpalli Majën e Pançiqit pikë kryesore strategjike për mbrojtjen e Kosovës nga invazioni serb.
Ndaj Kimetja aq shumë u zemërua me vendimin e tij për t’ia ndaluar asaj kërcimin nga ajo lartësi mbi Kalin e tij të Bardhë, saqë e filloi kundër tij një invazion pothuajse atomar.
Ndaj Princi Albin në vend që të përballet me invazionin konvencional serb, tani po përballet me invazionin atomar të Kimetes, i cili do të zgjasë deri në rrëzimin e tij përfundimtar nga Kali i Bardhë.
Kur?
Në shekullin 22, ditën e mërkurë.?

Tregime mbi konvertimin nga krishtërimi në islam në Malësinë e Karadakut

0
Fshati Burim në Malin e Zi (Malsinë e Karadakut).
Ahmet Asani, Zvicër
▪︎ Nëse shkojmë gjashtë-shtatë gjenerata prapa, pra diku rreth viteve 1840/70, e gjithe malsia e Karadakut del t’ketë qenë e krishterë! Për këtë periudhë më së miri flet rasti i Martirëve të Karadakut, rast i cili kishte ndikuar që gjitha fshatrat e Karadakut, nga frika se mund t’ju ndodhte e njejta gjë, me shpejtesi te madhe ishin konvertuar në Islam!
▪︎ Thuhet se në ate kohë kishte mjaftuar që i pari i fshatit të shkonte te Myftiu i qytetit dhe të deklarohej per konvertimin e gjithë fshatit në islam! Kishte mjaftuar qe bajraktari te binte ne shehadet dhe me kete i gjithë fisi te deklarohej se ishte konvertuar ne islam!
▪︎ Reth menyres së konvertimit të fshatrave të Karadakut nga krishterimi në islam ka tregime te ndryshme, nga ato më tragjiket sikur rasti i Martirëve te Karadakut, e deri te ato me komiket sikur rasti i nje fshati të karadakut, tregim ky të cilin si fëmi e kam degjuar nga më të vjetrit dhe do t’ua tregoj ketu në origjinal, ashtu si e kam degjuar! Nga që tregimi ka edhe skena humori, bëhuni gati për të qeshur. Lexim të kēndëshëm:
?
Pamje nga Tanusha
▪︎ Në një fshat të larget të Karadakut, mos tja permendi emnin, që kishte ngelur i krishter, nga frika se mos ndeshkoheshin, fshati merr vendim qe shpejtë te konvertohej. Nga që në gjitha fshatrat ishte vendosur sistemi klerik musliman me faltore e hoxhallarë dhe nuk mjaftonte me forma deklarative!
▪︎ Nga që fshataret e ketij fshati te larget malor, nuk gjenin hoxhë i cili donte te shkonte ne ate fshat të larget malor, fshataret kishin vendosur qe ta kidnaponin nje hoxhë ne qytet dhe ta sjellnin ne fshatin e tyre!
▪︎ Nje dite bajraktari thirri pleqësine e fshtatit dhe marrin vendim me zgjedh djalin ma trim te fshatit e me dërgu me shku ne Gjilan, per me kidnapu atje nje hoxhë! Nejse merret vendimi dhe e caktojn Markun, nje djal i ri, trim dhe i shkathët! Bajraktari ja jep Markut kalin e shalës dhe nje revole dhe e porosit qe mos te kthehet pa hoxhë ne fshat.
▪︎ Ate dite qellon te jetê dite e premte, Marku ishte afruar afer xhamise se qytetit dhe priste kur te dilte hoxha, ta percjellte ate dhe diku rruges ta kidnaponte! Mirepo, per fatin e keq të tij, ajo dite kishte qene dita kur ishin pas kthye haxhitë nga Qabja, dhe kur del xhemati nga xhamija nje pjese ishin me plisa kurse haxhitë dhe vetë hoxha mbanin në kokë kapuça te haxhive!
▪︎ Ra ne hall Marku, s’dinte cilin ta merrte! Nis xhemati te shperndahet rrugeve e rrugicave te qytetit, Marku i l’shohet mbrapa nje te riu dhe po e percjellte! Kur dolen ne nje rrugë ku nuk kishte njerez, Marku nxorri alltinë dhe i doli te riut perpara! Mos luj i tha, hyp ne kali se t’vrava, mos pyet pse, kur te dalim nga qyteti te tregoj!
▪︎ Nga frika se do te vritej, i riu me kapuç te haxhive hyp n’kali, Marku i hypi kalit dhe dyte vazhduan rrugen! Kur u larguan nga qyteti, Marku i tha te zbriste nga kali dhe dyte u ulen ne një kodrinë prej ku shihej fshati! Si e ke emrin zotni hoxhë, e pyeti Marku te riun me kapuç te haxhive ne kokë! Emrin e kam Hysen ju pergjigj i riu, por nuk jam hoxhë! Mos me shit perralla ja ktheu Marku dhe ja tregoi gjithe historine e fshatit pa hoxhë!
▪︎ Pavaresisht te gjithave ti Hysen djali do te sillesh si hoxhë, e urdheroi Marku! Kur te shkojmë ne fshat do të sillesh si hoxhe, une do te behem ndihmesi yt dhe nje dite do ta mundesoj te largohesh nga fshati e te kethehesh ne shtepinë tënde! Ne regull ja ktheu Hyseni Markut dhe u nisen per ne fshat.
▪︎ Rruges Hyseni e lut Markun qe kur te vijne ne fshat ta pergatis shpejtë nje lejkë (pocerrkë), t’ja hap nje vrime dhe ta mbush me miza të bletës e ta mbyll me një tapë! U kry tha Marku, pune e lehte eshte kjo per mua! Per mos me zgjat me shume, erdhen dyte ne fshat, u prezantua Hyseni si hoxhë, e shpalli Markun per ndihmes dhe ja la emrin Hasan.
Fshati Burim në Malin e Zi të Shkupit, (Malsia e Karadakut). Pas rrënimit dhe humbjes së gjurmëve të kishave të panumërta, investimet religjioze të “vëllezërve turq e arab”, na i sollën xhamitë njërën pas tjetrës në “Karadak”.
▪︎ Hoxha kërkoi nga fshatarët që ti hiqnin tavolinat e karrikat nga kisha dhe te vinin per ta mesuar faljen e namazit! Erdhen meshkujt e fshatit ne kishe, e cila tani u be xhami, kishin marr postaqitë me veti ashtu siç i kishte porosit hoxha dhe po prisnin çfar do t’ju thoshte hoxha!
▪︎ Shume lehtë ju tha Hyseni, çka t’baj unê bani edhe ju, çka t’them une thuni edhe ju! Ne rregull i thanë fshataret dhe nisi lutja! Allahu ekber hoxha – Allahu ekber fshtataret! U perkul Hyseni me kokë ne dysheme u perkulen edhe fshataret dhe preken dërrasat e dyshemes me kokat e tyre!
▪︎ Hysenit per sherr i kishte hy hunda në nje plasë mes dërrasave dhe nuk po mund kurresesi ta nxirrte! O hunda bërtiti Hyseni, “o hunda” bërtiten fshataret! Ngriti zanin Hyseni, “hunda nuk po baj hajgare” edhe fshataret te gjithe me za të nalt “hunda nuk po baj hajgare”!
▪︎ E nxorri Hyseni disi hunden nga plasa e drrasave dhe e nderpreu namazin! Kaq për fillim u tha fshatareve! Mirepo nje fshatar filloi te dyshonte dhe ju drejtua hoxhes qe t’ua tregonte fshatarëve kuranin, nuk mund te ketë hoxhë pa kuran, ju drejtua fshatari hoxhës! Ashtu i tha Hyseni dhe e luti Mark-Hasanin qe t’ja sjellte lejkën ( pocërrken) qe e kishte bere gati!
▪︎ A po e shihni kete lejkë ju drejtua Hyseni fshatarëve, po i thane ata! Eh, kjo lejkë eshte plotë e perplotë me kurana! Fillimisht vetem mund ta afroni lejkën deri te veshi dhe ta degjoni zanin e kuranave, ma vonë do t’ua tregoj kuranat, por me kusht qe ju t’i puthni ata e jo te ikni nga kuranat!
▪︎ Pasi që të gjithe me radhe e degjuan gumzhitjen e bleteve te mbyllura ne lejkë, Hyseni hoqi tapen nga lejka dhe i leshoi bletat! Filluan fshataret te vrapojne si te çmendur pas bletëve qe ti puthnin ato, fytyrat e fshatareve u bene me gunga nga kafshimi i bletëve, u be rremujë e madhe ne kishën xhami dhe Hyseni shfrytezoi rastin te ikte nga fshati!
▪︎ Kur perfundoi rremuja e shkaktuar nga bletat, fshataret panë qe nuk ishte hoxha ne faltore dhe ju drejtuan Markut: “O Hasan ku met bre hoxha”, e Marku iu pergjigj: “Hoxha i morri nja dy kurana me veti dhe iku prronit te poshtë”! ??
* Karadaku përfshinë fshatrat e rrethit të Gjilanit, Bujanocit, Preshevës, Kumanovês e Shkupit!
____
* Autori i shkrimit Ing. Ahmet Asani, është aktivist i njohur i çështjes kombëtare. Jeton në Zvicër.

Aksioni “Ta pastrojmë Junikun“ me rastin e shënimit të 110-vjetorit të Kuvendit të Junikut (21-25 Maj 1912)

Adem Lushaj 
110-vjetori i Kuvendit të Junikut 
Në Junik është organizuar “Aksioni për pastrimin e Junikut!”
Zyra për informim e Komunës së Junikut, ka lëshuar komunikatë me të cilën njofton se qytetarët dhe institucionet e kësaj komune, janë në shënim të përvjetorit të 110-të të mbajtjes së “Kuvendit të Junikut”. Në këtë komunikatë të lëshuar nga Arton Gaxherri-zyrtar komunal për informim thuhet:
“Nën organizimin e Komunës së Junikut, përkrahur nga shumë qytetarë të Junikut, OJQ, Institucione shkollore, QKMF, QPS, Policia e Kosovës, PTK, Zjarrfikësit, përfaqësues fetar,…është ndërmarrë aksion pastrimi me moton: “Ta pastrojmë Junikun“.
Ky aktivitet u mbajtë në kuadër të organizimeve me rastin e shënimit të 110-vjetorit të Kuvendit të Junikut (21-25 Maj 1912).
Qytetarë të nderuar!
Sot ishte një aktivitet për Junikun tonë të pastër. Junikun pa mbeturina.
Andaj, ju gjithmonë keni treguar qytetari dhe kulturë sa i përket kësaj sfere. Të vazhdojmë me këtë traditë, me këtë kulturë.

Ta mbajmë Junikun e pastër!”

“Festa e Abetares” në Karagaq të Pejës dhe veçimi racist i ashkalinjve që gjuhë amtare e kanë shqipen!

0
Nga: Ymer Avdiu, Prishtinë
 
“Festa e Abetares”, racizmi budallë,turpi dhe faqja e zezë?!
Sot në portalet e Kosovës dhe nga aktivistë e qytetarë u shpërnda një foto nga Karagaqi i Pejës, ku është mbajtur aktiviteti qendror për “Festën e Abetares” tërë Kosovën, e në të cilin aktivitet paskan marrë pjesë edhe nxënës nga Shqipëria. Por lezetin e kësaj feste, shume e rëndësishme për këta fëmijë të klasës së parë e paska prishë, turpëruar dhe madje shkretue deri në absurd ndarja e disa fëmijëve të komunitetit ashkali në një kënd të veçantë të sallës, ndaras nxënësve të tjerë. Këta fëmijë gjuhë amtare e kanë shqipen dhe shkollën e bëjnë në gjuhen shqipe. Kjo ndarje nuk ka si quhet ndryshe pos racizëm i shkallës më të egër e më primitive të saj-segregacion.
Duke e njohur mirë natyrën e këtyre organizimeve që bëhen ndër ne dhe psikologjinë e organizatorëve (në shumicën e rasteve pa asnjë premisë pedagogjike e didaktike e edukuese, që do të ishte misioni dhe karakteri i një feste të tillë, por për qëllime revyale e sfilate dhe për tu dukur dikush në gro-plan), mund të “baj be me 24 pleq”, se askujt nuk i ka shkuar ndër mend për pasojat që ka pasur kjo ndarje, ky budallëk i organizatorit dhe as qe i ka shkuar ndërmend kujt se ky është një segragacion dhe nje racizëm i turpshëm. Pra kjo pamje raciste segregacionale është bërë nga budallëku, por ky racizëm budallë është turpi dhe faqja e zezë për ne të gjithë pa përjashtim, është ndërgjegjja jonë e vrarë, është gjynahu ynë i shpërfaqur në ditë me diell. Dhe, besoni se nuk ka fare rëndësi çfarë pasqyre të ndryrë na qet, shfaq, prezanton dhe na reflekton para botës, (pavarësisht se s’ kalon pa pasoja), krahasuar, me pasojën dhe me mëkatin që është bërë ndaj këtyre fëmijëve dhe të gjithë fëmijëve tanë që po e mbarojnë klasën e parë në gjithë vendin dhe njollë e marres për tërë sistemin arsimor të Kosovës dhe ne si shoqëri. Turpi bëhet aq më i madh për ne si shqiptarë, që nga viti 1986 e deri në fund të luftës 1999 e kemi provuar në shpirtin dhe qenien tonë racizmin dhe segragacionin e shtetit serb. Si njeri që gjatë asaj periudhe (1986-1999) jam angazhuar me tërë qenien time njerëzore dhe intelektuale për të drejtën e shqiptarëve për barazi me të tjerët dhe për shkollim të lirë, sot kur e shoh këtë fotografi segregacioni , ndjehem tepër i turpëruar, maksimalisht i fyer dhe i thyer në shpirt. Personalisht jo vetëm se solidarizohem me këta fëmijë, por sot jam ashkali, egjiptas, rom, boshnjak, goran, torbesh dhe pjesëtar i çdo minoriteti të Kosovës dhe i çdo minoritari në botë që i shkelen të drejtat njerëzore.
Ani pse është bërë prej budallëku , nga pakujdesia dhe mungesa e sensit njerëzor në radhë të parë dhe nga mungesa ekstreme e dijes dhe e profesionalizmit, organizatorët duhet të përgjegjën, jo vetëm moralisht, kurse Ministria e Arsimit…. të Kosovës do të duhej që sot të dilte me një kërkimfalje publike.
Në krejt këtë turp, ana pozitive ishte reagimi i shpejtë, i ashpër dhe besoj i sinqertë i njerëzëve të këtij vendi, pra i shoqërisë, i medies, i aktivistëve dhe i qytetarëve që e shprehen në rrjetet e tyre sociale.
Besoj dhe dua ta shoh si rast të izoluar. Personalisht kam parë raste shumë pozitive në 3 shkolla të Prishtinës si trajtohen mirë dhe me dinjitet nxënësit e komunitetit ashkali, të cilët jo veç se janë të integruar dhe të pranuar mirë në klasë dhe në shkollë, por janë pjesë e të gjitha grupeve kulturore që organizon shkolla: Janë këto shkollat fillore “Emin Duraku”, “Qamil Batalli” dhe “Asim Vokshi” të Prishtinës e besoj se si në këto tri shkolla është edhe në shumicën absolutet të shkollave të Kosovës.
Eshtë koha e fundit që të gjitha manifestimet kulturore që organizohen, veçmas në shkolla dhe për fëmijë, që ta kenë një porosi të qartë dhe jo tubime tallava e për promovim të dikujt dhe të disave.
____
* Autori është gazetar dhe specialist i çështjeve arsimore. Jeton në Prishtinë.

Sheshi i virtyteve kombëtare, pajtimi, urtia, sakrifica dhe trimëria

0
Niq Krasniqi, Vjenë
Këto virtyte të larta njerëzore të Kombin tonë në historinë më të re personifikohen si është më së miri nga Pajtori Anton Çetta, Presidenti Ibrahim Rugova dhe Komandanti Adem Jashari,
andaj i bëjë ftesë publike Presidentes Vjosa Osmani, Kryeministrit Albin Kurti, Ministrit të Kulturës Hajrulla Çeku dhe Kryetarit të Komunës së Prishtinës Perparim Rama, që të përkrahin idenë dhe mbështesin realizimin e Sheshit të Virtyteve Kombëtare në Prishtinvë,
pranë apo perball Kuvendit të Kosovës dhe kundrejt Sheshit Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
I cili si i tillë, si simbolikë e këtyre virtyteve të larta do të simbolizonte edhe virtytin e UNITETIT, sikur për qytetarët e shoqërinë tonë, ashtu edhe për miqtë tonë,
duke shërbyer si vend i përkujtimit dhe nderimit për qytetarët e Kosovës dhe vizitorët, sidomos për delegacionet e huaja zyrtare, të cilët vizitën e tyre do ta fillonin me vendosjen e kurorës së luleve te ky sheh prane figurave të tijë.
Në këtë kuptim ftohet arkitekti i njohur Perparim Rama që kësaj ideje ti jep edhe zgjidhjen e duhur hapësinore dhe estetike, përfshi edhe nje hapësirë për personalitete tjera që gjatë jetës së tyre kanë personifikuar virtyte kombëtare dhe një hapesirë te vecantë për një përkujtimore kushtuar viktimave të terrorit shtetëror serb dhe gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosove në vitet 1998-të dhe 1999-të.
Ftoj të gjithë lëvruesit e kultivuesit e këtyre virtyteve të përkrahin këtë ide e iniciativë, që do të na shërbente si një burim i rrjedhshëm i këtyre virtyteve.
Ftoj të gjithë bashkëkombasit dhe bashkatdhetarët të perkrahin këtë ide dhe iniciativë, që do të na afronte e bashkonte me njeri-tjetrin përherë me dhe sipas këtyre virtyteve.
Ftoj të gjithë miqtë, të afermit e të njofshmit të përkrahin këtë ide, duke i dhënë hapësirë komunikimin e bisedat e tyre dhe duke e përcjellur gjithandej ku frymohet e mendohet shqip, për pajtim, me urtësi e me unitet, për përparim dhe zhvillim të gjithëmbarshëm.
Përzemërsisht e me përkushtim,
______
* Krediti për punimin e fotografisë i takon vëllaut Tomor Krasniqi

Armiqtë tanë të vetëm janë politikanët tanë kriminelë dhe indiferenca jonë 

0

Nga Aurel Dasareti

Ne lexojmë shkrime të mirëfillta për të hedhur një dritë të pjerrët mbi jetën tonë, për të parë mendimet dhe idetë tona nga këndvështrime të reja dhe ndoshta për t’i korrigjuar ato. Ndër detyrat e jetës, nuk di asgjë më të rëndësishme sesa të mos lavdëroj ata që meritojnë  ndëshkim. 

*** 

Ne shqiptarët nuk e lëmë diellin të lindë kurrë. 

Pushteti antikombëtar, i korruptuar dhe kriminal po shkatërron vendin dhe kombin, ndërsa ne po luftojmë të shkruajmë komente politikisht korrekte. Gjendja katastrofike nuk përmirësohet kur Shqipëria drejtohet nga një grup banditësh dhe një tufë analfabetësh. 

*** 

Thirrni gjërat me emrat e tyre të vërtetë. Të quash “një lopatë një lopatë” është një shprehje e figurshme, e cila i referohet të quash diçka “siç është”, domethënë të shkosh drejt e në temë,  të flasësh qartë dhe drejtpërdrejt për gjëra dhe të përmendësh diçka me emrin e duhur, madje edhe gjëra të turpshme apo të pakëndshme, pa zbukuruar fjalët ose shprehjet me lule.  

 

Me funksionar publik nënkuptohet kushdo që ushtron autoritet publik në emër të shtetit ose komunës, ose që e ka këtë kompetencë në bazë të pozitës së tij.  

Nga Kodi Penal i shteteve demokratike rezulton se nëpunësi publik dënohet nëse shpërdoron pozicionin e tij për të cenuar të drejtën e dikujt duke kryer ose moskryer një akt shërbimi. Pretendimi për faj është i qëllimshëm. Shkelja dënohet me gjobë, me humbje të shërbimit ose me burgim. 

Kryeministri i një vendi demokratik duhet të jetë një person i punësuar nga banorët e vendit (në rastin tonë nga Kombi Shqiptar) për të kryer një detyrë veçanërisht të rëndësishme për një periudhë të caktuar kohore. 

*** 

Megalomani dështak i Shqipërisë, Edvin Kristaq Rama, i vetëquajturi “Nxënës i Konicës”, është i rrethuar nga krijesa që i thonë vetëm atë që ky padishah serbo-fil dëshiron të dëgjon, dhe meqenëse iluzionet e përsëritura shpesh kthehen në besime të forta, pacienti që vuan nga sëmundje mendore (ndoshta për shkak të drogës së përzier me rakinë serbe) bie viktimë e iluzioneve në kokën e tij. Kjo duket qartë në argumentet që ai paraqet kudo, pavarësisht se çfarë. Çdo fakt i padiskutueshëm që nuk pajtohet me “të vërtetën” e tij është detyrimisht një gënjeshtër. Ndërsa e vërteta e vërtetë është krejt ndryshe. 

*** 

Shqiptarët përfaqësohen në parlament nga të zgjedhurit e mercenarit serb, një komunitet “rilindësish” zuzarë, biografitë e të cilëve përfshijnë vjedhje, vjedhje, vjedhje por edhe vrasje dhe arrestime të shpeshta. 

Kryeministri i Shqipërisë që ka ofenduar rëndë mbi 90% të popullit shqiptarë duke i quajtur gomarë, e ka mbrojtur hapur Serbinë prej vitesh, dhe ky “humanist” që përçmon kombin e tij, apelon që përveç masakrave të mëparshme, të harrohet edhe gjenocidi i fundit i barbarëve serb ndaj shqiptarëve të Kosovës (1998-99) duke cituar një kashelashë të qëndisur nga gjyshja e tij: “Komshiu i lumtur, shtëpi e lumtur”. 

*** 

Në një sistem diktatorial të gjitha fëlliqësitë që i shkojnë për shtati regjimit janë të zakonshme.  

Në një sistem demokratik, deklarata fyese ndaj gazetarëve apo banorëve të vendit, që i nxjerrë nga goja ndonjë kryeministër apo deputet i kuvendit, janë vetëm një sirenë paralajmëruese për t’u ngritur dhe mbrojtur demokracinë në vend. 

Sikur Shqipëria të ishte një demokraci e vërtetë, asnjë kryeministër, asnjë deputet i kuvendit qoftë ai mashkull apo femër, askush, qoftë me fjalë (deklarata) apo me vepra, nuk mund të shkonte përtej vullnetit të shqiptarëve.  

Para se të merrnin detyrën (pasi i vodhën dhe blenë votat), të gjithë u betuan se nuk do të shkelnin Kushtetutën e Vendit. Çdo shkelje e Kushtetutës, nga cilido qoftë prej tyre, është vepër penale, akt kriminal kundër vendit dhe kombit shqiptar, dhe shkelësi patjetër të dënohet me burgim afatgjatë. Apo jo? 

Dhe, a ka ndonjë vend demokratik në rruzullin tokësor (përveç Shqipërisë diktatoriale) që shkelësit e Kushtetutës përkatëse i quan “zonja” dhe “zotëri” në vend të kriminel dhe kriminele? Po gardianët (rojet) e burgut, kur do t`ua dërgojnë ushqimin këtyre shkelësve të ligjit, a do t`ju thuan: “Urdhëro, të bëftë mirë, apetit të mirë zonjë (zotëri)”, – ose në vetvete do t’i përçmojnë? 

PS: Kuptohet, përherë kur kritikoj, në çdo shkrim, fjalët e mia u drejtohen vetëm atyre që e meritojnë, ok?  

*** 

Edhe para Ramës, gjatë regjimit monist të dajës, Shqipëria u trondit nga shumë valixhe të mbushura me skandale ku aktorët kryesorë ishin politikanët „e zgjedhur“ nga „parti të ndryshme të zonës, ndaj mund të flasim për një lloj tendence të përgjithshme të „rilindësve“ që i ka rezistuar kohës dhe ka mbijetuar gjatë dekadave.  

Skandalet përfshijnë gjithashtu një numër ministrash të brendshëm dhe komisarësh policie, gjyqtarë, për shkak të krimit të organizuar, kontrabandës së paautorizuar të drogës, marrjes së dhuratave dhe formave të tjera të përfitimeve dhe shpërdorimit të detyrës. Pasioni ishin paratë që fitonin me ryshfet dhe shantazhe të biznesmenëve vendas. 

Shqiptarët dhe mentaliteti i tyre shpeshherë dhe me meritë lidhen me epitetin e heronjve, njerëzve të guximshëm, patriotë, krenarë dhe të fortë që besojnë fort në pikëpamjet e tyre dhe në mendimin e tyre të pagabueshëm. Por padyshim që është koha për t’u shqetësuar dhe pyetur se kujt i besojnë dhe kush i përfaqëson. Këta shembuj tregojnë se në politikë (dhe religjion) ata kanë një besim të çuditshëm te mashtruesit që i turpërojnë, shfrytëzojnë, varfërojnë, i zvogëlojnë numerikisht (rinia ka ikur) dhe shkatërrojnë.  

*** 

Ato 5-6 media të vërteta kombëtare që kanë në fakt shqiptarët, flasin e shkruajnë për kriminelët çdo ditë: tradhtarë, pedofilë, trafikantë të qenieve njerëzore dhe drogës, arrogantë, të vrazhdë (…) por çfarë rëndësie ka!  

Rënia e kritereve reflektohet në faktin se Partia Komuniste ekstremiste antikombëtare, pas largimit përgjithmonë të xhaxhait, u maskua si një “rilindës socialist”, një prostitutë servile serbo-file; kështu që çdo gjë që është e gabuar – për ta është bërë krejt normale.  

Dhe ai makth po kthehet tani. Shqipëria është ende, në fund të fundit dhe pavarësisht gjithçkaje, vendi i Enverit. Jo vetëm që e kaluara e keqe po kthehet, por po na shërbehet një e ardhme edhe më e keqe.  

Dhe sa më shumë zemërim dhe dënim nga ata të paktët që i kundërvihen ligësisë, aq më i fortë është pozicioni i tyre dhe aq më i qëndrueshëm është popullariteti i tyre.  

Dhjetë vjet më parë, filloi mbretërimi i “piktorit” nudist që ishte një anomali e votuesve shqiptarë të cilëve nuk u ishte mbushur mendja nga terrori i dajës, një plejadë që shihet një herë në një mijë vjet, rreshtimi i planetëve dhe rënia e lutjeve. Qytetarët dhe votuesit pritej të mësonin diçka sepse ishin djegur, ndoshta pak në siklet, të kthjelloheshin dhe të kuptonin se eksperimenti me komunistët kishte dështuar. Megjithatë, në këto dhjetë vite Rambo, pavarësisht kritikave dhe dënimeve, ka arritur të fitojë edhe tre cikle zgjedhore në Shqipëri, në një vend që ende mendon se ka fatin e mirë që sundohet nga trashëgimtari i dajës, autokrati që ka kapur absolutisht të gjitha pushtetet. Cili është sekreti? Sigurisht në faktin se Rambo dhe banditët e tij thjesht nuk kanë konkurrencë të denjë. Është e dukshme kudo dhe sot. Pse? Mungon rezistenca. Edhe ajo opozitë e dobët që ishte, është grimcuar, thërrmuar, e copëtuar dhe e ndarë pjesë-pjesë përbrenda nga disa minj të kanalizimeve… 

Nuk mjafton pyetja Kush duhet të qeverisë a të drejtojë”, por “Si të kontrollohen ata që drejtojnë” 

*** 

Çfarë është një përfaqësues parlamentar (deputet), shpjeguar thjeshtë? 

Një përfaqësues parlamentar është një anëtar i zgjedhur i Asamblesë Kombëtare të Shqipërisë, Kuvendit.  

Çfarë bën një përfaqësues? 

Një përfaqësues është një person i zgjedhur ose i emëruar nga një grup njerëzish për të folur për grupin (në emër të grupit) në një kontekst zyrtar. 

Çfarë do të thotë fjala: përfaqësuar? 

Përfaqësimi është të vepruarit në emër të dikujt ose në vend të dikujt; të qëndrojë për diçka (për të mbrojtur diçka) – duke mos shkelur aspak  interesat e popullit dhe vendit.  

Një mbrojtje të programit të partisë së vet, por duke mos dëmtuar për asnjë çmim interesat kombëtare dhe të vendit. Pra, një mbrojtje e padiskutueshme e sigurisë, interesave dhe vlerave të Shqipërisë.  

*** 

Fanatikët e partisë që minojnë ekzistencën e kombit dhe vendit.  

Në një demokraci, partia politike që do të qeverisë vendin zgjidhet nga votuesit, për të qenë zëdhënësja e votuesve. Ajo nuk duhet të mashtrojë votuesit e saj. A i mashtroi “Rilindja” votuesit e saj  

Është e domosdoshme që edhe në trojet e arbrit të sundojë ligji, i njëjtë për të gjithë, askush para ligjit.  

Shkelësit e ligjit (kriminelët) duhet të burgosen, pavarësisht gjinisë. Askush nuk duhet të shihet përmes syzeve. Gratë duhet të kryejnë burgimin e tyre në burgjet e veta ose në repartet e burgjeve të përshtatura për gratë.  

Barazia para ligjit është një parim që thotë se ligjet do të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe se të gjithë kanë të drejtë për të njëjtin trajtim nga autoritetet publike dhe nga gjykatat. Barazia para ligjit është një nga të drejtat e njeriut. 

Edhe gratë “rilindëse” të Kuvendit të Shqipërisë (ato që eventualisht meritojnë respekt pavarësisht gabimeve të deritanishme) duhet të kenë pavarësinë dhe sigurinë e tyre, të ulen në tryezën e vendimeve dhe të thonë atë që mendojnë, të mos e lënë veten të dirigjohen nga një karkalec i pandërgjegjshëm qëllimi kryesor i të cilit është që njerëzit e arsimuar dhe kualifikuar në lëndë dhe profesione të ndryshme, e sidomos të rinjtë e Shqipërisë, të largohen përgjithmonë nga vendi i tyre. Gjenocidi në mënyrë paqësore. 

*** 

Shqipëria, një vend me natyrë të egër (të paprekshme) dhe të bukur, kushte të vështira jetese dhe një popull heroik, liridashës me një të kaluar të lavdishme, të cilët përmes disfatës dhe vuajtjeve kanë arritur statusin e tyre të paracaktuar, të dhënë nga Zoti si një vend i ribashkuar dhe një komb i lirë, demokratik… 

______

  • Aurel Dasareti, USA, është ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike 
  • Megjithëse këtë letër Aurel Dasareti ua dërgon përafërsisht 1 mijë vetave, Drinit i duket domethënëse dhe me porosi, andaj e boton për lexuesit e vet.

  • Të nderuar,

    Mjerisht, shteti ëmë dhe FYROM është kapur nga mbeturinat e shumëllojshme ndryshme shqipfolëse . Në Kosovë ekziston shpresa. Të shpresojmë se edhe në shtetin amë Shqipëri, shumë shpejtë do të vijë në pushtet një parti e reformuar e vërtet. Rinia e shqiptarëve të FYROM-it, pothuajse të gjithë kanë ikur, ndërkaq Ahmetat e pashkolluar, 40 vite me radhë vazhdojnë të dëmtojnë rëndë (në çdo aspekt) kombin shqiptarë në atë trevë të pushtuar- premtojnë “shpresa” me rrena dhe mashtrime tjera, dhe atje pothuajse nuk ka ndonjë medium të pavarur, paguhen nga regjimi fashist i “maqedonëve” imagjinarë, pranda shqiptarët nuk mund të shikojnë nëpër errësirë.

    Shkruesit nuk duhet të mbeten më politikisht korrekt gjatët përshkrimit të veprave kriminale të tradhtarëve që janë shkaktarët e varrimit përfundimtarë të botës shqiptare.

    PS: Pasi nuk jam në rrjetet sociale (për shkak të profesionit), letrat e mia (të ndare në 7 grupe) i dërgoj tek përafërsisht 1.000 shqiptarë. Nëse ndonjërin prej jush e mërziti me këto shkrime që i kam 100% pa konflikt interesi, le të më tregoje…

    Kalofshi mirë, Aureli