Kreu Blog Faqe 1373

Pellazgët, para ardhësit e parë të Shqiptarëve

Autor: Mathieu Aref, Paris

PELLAZGËT, PARA ARDHËSIT E PARË TË SHQIPTARËVE

  • Mathieu Aref është Doktor i Historisë dhe Qytetërimit të Antikitetit, Universiteti Sorbonne, Paris

Akademia e Shkencave në Tiranë dhe akolitët e saj në Prishtinë e gjetkë refuzojnë me pa justifikim dhe ndonjë studim serioz të pranojnë Pellazgët si paraardhësit e parë të Shqiptarëve. Nga ana tjetër, ajo pohon pa ndonjë provë të prekshme ose argument bindës se vetëm Ilirët janë paraardhësit e Shqiptarëve!? Kjo “akademi” me sa duket injoron historinë arkaike (edhe më pak historinë para helene) të Greqisë dhe shkrimet antike ku të gjithë autorët e lashtës, pa përjashtim, pohuan se Pellazgët ishin paraardhësit e Helenëve dhe jo stërgjyshërit e tyre. Ata u transmetuan helenëve një pjesë të madhe të gjuhës, kulturës dhe legjendave të tyre. Mbretërit e parë të Athinës, nga të cilët Cekropsi ishte mbreti i saj i parë dhe jo Kranaosi që ishte pellazg, qenë me origjinë egjiptiane nga dinastia Saite e deltës të Nilit në perëndimin e Egjiptit në shekujt VIII-VII p.e.s. Në Këngën XVI, 233-236 në Iliadë Zeusi konsiderohej si një zot apo mbret Dodonas (kryeqyteti i “kultit” pellazg) dhe Pellazg. Tek Herodoti Jonët ishin Pellazg para se te bëheshin Helen. etj.
Ndërsa unë pohoj në të gjitha shkrimet e mia dhe tezën time, me zë të lartë dhe të qartë, se gjatë katër shekujve të ashtuquajtur të “errët” 1200 – 800 p.e.s. nuk ka të dhëna që provojnë ekzistencën e Helenëve gjatë asaj periudhe aq të largët dhe aq të errët. Mikenasit nuk mund të ishin Helenë sepse helenët nuk ekzistonin në kohën e tyre. Lufta e Trojës, domethënë ajo e shekullit XX p.e.s. dhe më herët, nuk i përkiste luftës e vërtetë të Helenëve dhe as periudhës të quajtur mikene sepse në atë kohë ekzistonin vetëm Pellazgët. Domethënë një litani që vazhdoj për 2500 vjet me mashtrime të gëlltitura nga shumica të autorëve modern si dhe disa ideologë në fundin e shekullit XIX.
Të bazohesh tek Ilirët për të përcaktuar origjinën e Shqiptarëve është sikur dikush të më thotë se unë jam pasardhës i babait tim dhe jo i gjyshit tim! Kjo dëshmon se ata që janë të kacagjelthur në Akademinë e Tiranës nuk kanë shfletuar as edhe një faqe të vetme të shkrimeve të autorëve antikë ose i kanë lexuar gabimisht apo keqlexuar Ata sigurisht nuk janë të vetëdijshëm se emri “Ilir” (p.sh., Peonët tek Iliada) ishte “si emër” (jo si popull!) i njohur vetëm që nga shekulli VII p.e.s. dhe u citua në shkrimet e lashta vetëm në shekullin e VI p.e.s. në kohën e poetit Pindari.
Për më tepër, Herodoti dhe Tukididi i konsideruan ata si një popull “i lirë” dhe i “pavarur” pasi vetë, pa dyshim, ata e konsideronin veten si të tillë, domethënë popull (jo shtet) “i lirë, të lirë”. Më pas ai emër cilësor u përhap si një “etnonim” kur bëhej fjala vetëm për shumë “fise pellazge” të lirë dhe të pavarur pas humbjes të sovranitetit të Pellazgëve pas pushtimit helen në shekullin VIII p.e.s. Në Europën juglindore, emri Ilir u shfaq në perëndim kurse në lindje ai Trak. Origjinën e këtij emri e kam shpjeguar në librin tim të parë në vitin 2003.
Ai popull “trako-ilir” i fiseve pellazge ishte i përbërë nga principata dhe mbretëri të vogla, një traditë tipike dhe mijëvjeçare pellazge. Ata ishin të mbijetuarit e fundit të Pellazgëve emri i të cilëve përfundoi duke u shkrirë me atë të pasardhësve të tyre të fundit, Ilirët dhe Trakët. Për shembull, një mbret Taulant nuk u quajt kurrë “mbret ilir” por “mbret i taulantëve”, mbreti i Dasareteve dhe Autariateve e quajtën veten përkatësisht “mbret i Dasareteve” dhe “mbret i Autariateve” dhe jo mbretër Ilirë. Të huajt, a posteriori, i quanin mbretër “Ilirë”. Janë të tjerët që i quajtën ata ilirë!
Ishin sidomos romakët të cilët, më vonë kishin një mori perandorësh me origjinë trako-ilire si Aureliani, Diokleciani dhe Konstantini, që përhapën dhe përgjithësuan përfundimisht emrin “ilir”…a posteriori. Para tyreve emrat e Frigasve, Dardanëve ose Trojanëve kishin pësuar të njëjtin fat pas një integrimi dhe asimilimi shumë të ngadaltë me kalimin e kohës dhe shumë para tyre Lelegët, Karienët, Liqienët, Ligurët, Iberët, Filistinët, etj. kishin pësuar të njëjtin fat. Të gjithë ata popuj Frigjianë, Trojanë, Dardan, Friggjian, Trakë, Peonë, Moskë, etj. i gjejmë në Iliadë përballë Akeasve, Danaenëve, Kademenëve me origjinë Egjipto-Feniko-Asiriane.
Iliada dhe Odisea janë shkrimet e vetme të para në kuptimin e ngushtë të termit që u “shkruan” vetëm në kohën e Pizistratit ne mes të shekullit VI p.e.s. Helenët, Dorianët dhe Ilirët nuk përmenden në poezitë epike dhe veçanërisht tek Iliada e Odisea. Në të vërtetë emri “i lirë” citohet me njëfarë frekuencë vetëm pas botimit të Iliadës në mes të shekullit të VI p.e.s. Ata u përmenden rregullisht në kohën e Pindarit, 518 – 438 p.e.s. E njëjta gjë ndodhi edhe për Pelopidët, përfshirë Pelopsin, i cili ia dha emrin Peloponezit i cili më parë qe i quajtur “Pellazgia”.
Nuk përmenden as Helenet, as Jonët (të Jonit) dhe as Dorianët (dorët, popull “autokton, i tokës tonë) popull pellazg që ishte nën shërbimin të pushtueseve “Spartian”, emër që në gjuhën egjiptiane shkruhet SPRT (gjuhë bashkëtingëllore). Me përjashtim të emrave Pellazg, Jonian, Trak, Frigjian, Etrusk, emrat e cituar më sipër nuk përmenden në dokumentet Hitite, Egjiptiane, Asiriane ose Ugaritike.
Së fundmi, për të mbyllur çështjen mbi Ilirët, duhet të theksohet se Romakët pas pushtimit të trojave “Ilire” në vitin 168 p.e.s. krijuan Provincën Romake “Illyrii Proprie Dicti” domethënë “Iliria e emërtuar saktë”. Duhet theksuar se ky emër i përgjithshëm “Ilir” (i lirë) u kthye si etnonim nga gjithë të huajt sikur shumë më vonë u bë fati i emrit Albania, Albani, Albanie për të emëruar “Shqipërinë” pas mbretërimit të Skënderbeut. Krijimi i “Provincës ilire” nga romakët zvogëloi ndjeshëm trojat e vërtetë të pellazgo-trako-ilirëve që përfshinin të gjithë gadishullit të Evropës Jug-Lindore dhe shkonte nga të dy brigjet e Danubit deri në Kretë para shfaqjes së Helenëve, Romakëve, Sllavëve , Bullgarëve, Hungarezëve (si dhe, me në veri, Finlandezëve dhe Estonezëve me origjinë Uralo-Ugriane), Bizantinët dhe Osmanët. Kjo provincë Romake shtrihej në të gjithë bregdetin Adriatik nga Istria deri në Epir.
Harta e Ilirisë e krijuar nga Romakët është mashtruese sepse “trojat” ilire (të lirë dhe të pavarur) ishin më shumë të gjëra dhe më të mëdha se ajo copë vendi e krijuar nga Romakët dhe e quajtur “Provinca Ilirii proprie dicte”. Fatkeqësisht të gjithë gjeografët, historianët, arkeologët, etnologët dhe gjuhëtarët kanë ruajtur vetëm këtë hartë reduktuese për të përcaktuar kufijtë të Ilirisë të mëparshme që shtrihej nga dy brigjet e Danubit deri në Epir/Çamëri dhe nga Aadriatiku deri në Traki. Është e çuditshëm që arkeologët dhe historianët shqiptarë përdorin deri më sot vetëm përvijimet e kësaj harte mashtruese të kohës romake!
Sa për Homerin, ai mbetet një personazh i diskutueshëm dhe disa pretendojnë se ai ishte i verbër ose kurrë nuk ka shkruar ose ishte një poet i shkëlqyer. Ai për mua sigurisht ka ekzistuar, por që kurrë nuk shkroi me të voglin fjalë të poezive epike, sepse ai ishte një rapsod “pellazg” analfabet i cili recitonte poezitë epike përmendësh (poezi të traditës “gojore” pellazge). Ai shkonte nga qyteti në qytet, nga pallat në pallate, nga festa në festë për të lavdëruar heronjtë të shekujve të mëparshëm dhe Helenët e hasën atë rapsod kur mbërritën në Pellazgji.
Shumica e historianëve modernë, arkeologë, gjuhëtarë, mitologë dhe të tjerë kanë mbetur të habitur, të turbulluar dhe të pasigurt se me çfarë këmbë të vallëzojnë përpara një ngatërrese të pazgjidhshme! Pse? Për shkak se e gjithë historia e Antikitetit, legjendat, kronologjia midis zonave të tjera, u modifikuan, u rafinuan dhe madje u manipuluan nga pushtuesit helenë që kur arritën në tokën e Pellazgëve! Unë nuk do të rishkruaj pjesën kryesore të tezës time këtu, por thjesht do të jap dy shembuj që janë thelbësorë për të kuptuar të gjitha këto përvetësime, manipulime dhe mashtrime.
Së pari, për të provuar se ata ishin një popull autokton, helenët me mbërritjen e tyre krijuan një “përmbytje” e cila do të shkatërroje gjithçka që ekzistonte më parë, domethënë civilizimin pellazg. Të vetmit që mbijetuan nga kjo përmbytje ishin, si më magji, Deukalioni dhe gruaja e tij Pirrha djali i të cilëve Hellên është bërë “eponim” i një qytetërimi të ri. Duke hyrë në të gjitha hollësitë dhe misteret e asaj historie, dora e manipuluesit bëhet shumë e qartë. Janë ndërhyrë perëndi ose heronj të huaj egjiptianë, fenikas dhe asirianë që i bëjnë të rrjedhun nga Zeusi pellazg, martesa të përziera, etj.
Prandaj duhet të kemi një mendje të zhvilluar kritike, kulturë të gjerë, largpamësi të madhe dhe madje të jemi vizionar për të qenë në gjendje të ndajmë bykun nga grurin. Për më tepër, në shekullin III – II p.e.s. një matematikan Eratosteni (276 – 194 p.e.s.) shpiku datën 1193/4-1183/4 për Luftën e Trojës. Ai nuk tregoi ndonjë provë dhe ka shkrojtur për një luftë në lidhje me Helenët kur ato ”nuk ekzistonin” akoma në atë kohë të largët dhe ndërkohë kishin qenë edhe “katër shekuj të errët” (1200 – 800 p.e.s.) ku nuk gjehet ndonjë provë që vërteton ekzistencën e Helenëve të cilët u shfaqën pas shekullit VIII p.e.s.!
Si rezultat, Helenët, si manipulues profesionistë, shndërruan një Luftë shumë të lashtë të Trojës, domethënë midis viteve 1800 – 1200 p.e.s. dhe bilës edhe me herët tek Troja VI dhe VII e arkeologëve, në një luftë të vërtetë midis pushtuesve të rinj Helenë (Akeas, Danaen, Kadmean, Pelopidë) dhe Pellazgëve të Azisë së Vogël (Trojan, Frigas, Dardanë, Trakë, Peonë, Meonas, Moskë, etj). Troja VIII e arkeologëve qe një luftë që unë e zhvilloj rreth viteve 720 – 680 p.e.s. Kështu pra, që atëherë, të gjithë para historianët, historianët, arkeologët, kronologët, etnologët, antropologët, gjuhëtarët i bazojnë studimet e tyre mbi antikitetin grek në një datë të rremë apo jo të saktë.
Deri më sot, të gjitha datat e antikitetit helen janë ose të diskutueshme ose të dyshimta. Për më tepër disa kronologë pohojnë se të gjitha datat që dimë që nga lojërat e para olimpike në vitin 776 p.e.s., datë që shumë autorë e konsiderojnë si fillimi i qytetërimit helen, duhet të ulen me të paktën 60 vjet. Kështu që kjo është një pjesë e vogël e argumenteve të studimeve dhe kërkimeve të mia të gjata dhe të mundimshme që vejnë në dyshim “historinë e pranuar zakonisht”. Kjo është arsyeja pse u deshën më shumë se pesëdhjetë vjet për të zbuluar mashtrimin më të madh të historinë njerëzore.
Akademia e Tiranës nuk ka pasur me të voglin kuriozitet ose prirjen për të marrë një kopje të tezës sime në frëngjisht e botuar më 2016 ose e botuar në Shqip në Dhjetor 2021 Ajo do të kishte gjetur të gjitha përgjigjet për pyetjet që injoronte dhe do të kish gjetur të gjitha shpjegimet, analizat e thella, argumentet bindëse, dëshmitë dhe të gjitha referencat e verifikueshme. Janë 909 shënime dhe referenca në tezën time! Është e qartë se kjo Akademi u mbyll në kullën e saj të fildishtë dhe është dyndur në një mënyrë të keqe, e cila mund ta çoje vetëm në një rrugë pa krye. Kjo dëshmon se në Shqipëri nuk ka historianë të vërtetë të specializuar për Antikitetin e lashtë, madje as një “katedër” Antikiteti në universitetet shqiptare nuk ekziston deri më sot! Më një anë tjetër kam vërejtur se vetëm arkeologët flasin për histori gjë që nuk është specialiteti i tyre.
Për më tepër, kjo Akademi duke mos i konsideruar Pellazgët si para ardhës të shqiptarëve i ka lënë derën hapur Greqisë e cila automatikisht do të hidhet me këtë rast për të deklaruar zyrtarisht se Pellazgët nuk janë paraardhësit e Shqiptarëve por të helenëve. Në këtë mënyrë rrethi plotësohet dhe kjo sigurisht që do të kënaqi egon e Akademisë e cila do ta duartrokasë ngrohtësisht këtë vendim dhe do t’u japë arsye që të ketë konsideruar Ilirët si para ardhësit të vërtetë të shqiptarëve. Por ata që nuk gënjehen do të shohin aty një bashkëveprim të papranueshëm dhe të turpshëm mes grekëve dhe Akademisë së Tiranës dhe mbështetësit e saj të ndryshëm. Kjo është një tjetër tradhti në perspektivë.
A është kjo një bashkëpunim politik me Greqinë? A është një aleancë okulte? Ndërsa unë Mathieu Aref Canameti (Arif Mati), për të cilin disa intelektualë shqiptarë madje dyshojnë në identitetin tim, jam nga dy anët e prindërve etnikisht, trashëgimisht, moralisht dhe atdhetarisht më shqiptar se të gjithë ata që dyshojnë në identitetin tim. Ashtu pra u bëra një ngatërrestar që i shqetëson ata falë veprimeve të mia për më shumë se pesëdhjetë vjet të kushtuara çështjes Pellazgo-kombëtare. Unë ende jam në këmbë për të zbuluar mashtrime historike të tjera falë këmbënguljes time të palëkundshme, vullnetit tim të pandryshueshëm, veprimeve dhe tezës sime të mbrojtur shkencërisht me Universitetin Sorbonne të Parisit, Francë.
Këta njerëz të pa aftë dhe ziliqarë duhet ta dinë se përveç studiuesit-hulumtuesit-historianit-etnogjuhëtarit dhe intelektualit eklektik, filozofit, polemistit, poetit dhe piktorit, unë jam një qenie njerëzore, një patriot nga Shqipëria e Veriut, paraardhësit e të cilit që nga Gjergj Kastrioti kanë luftuar trup dhe shpirt për sovranitetin dhe pavarësinë e Atdheut të tyre. Rajoni i Matit ishte pjesë e territorit të madh të një fisi të lashtë ilirë i quajtur Albani, i cili shtrihej nga krahina e Durrësit deri në Dibër përmes Krujës, Mirditës dhe Matit dhe kryeqyteti i të cilit ishte Albanopoli, sot Zgërdheshi. Ky emër “Albëni”, për shkak të rotacizmit të dialektit tosk është kthyer në “Arbëri” në kohën të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot-Skenderbeut. Jam biri i asaj Albënie. Heroi ynë i paharruar, admiruesi i maqedonasit Leka i Madh dhe i nipit të tij epirot “Burri” (në greqisht Πύρρος, Pyrrh-os i parë i Epirit 318 – 272 p.e.s.). Gjërgj Kastrioti është krijuesi i vërtetë i shtetit të parë më emrin “Shqipëri” (vendi i shqiponjave) dhe e dinte, sigurisht shumë mirë, historinë e këtij emri të Atdheut tonë.
Krenaria dhe nderi im tipik pellazgo-shqiptar nuk më lejon të gjunjëzohem para atyre që jo vetëm nuk më respektojnë, dyshojnë apo injorojnë identitetin tim dhe atë që unë përfaqësoj për historinë e Antikitetit, por as nuk i njohin cilësitë dhe aftësitë e mija si universitar, shkencëtar dhe historian të antikitetit dhe sidomos specialist i Pellazgëve paraardhës të Shqiptarëve. Ata as nuk e dinë që në Francë ose në një vend tjetër të civilizuar nuk merret një gradë doktorature duke fryrë fletët e saj ose duke e blerë nga tregtarët e paskrupullt, por duke ndjekur mbrojtjen e një teze e ndërtuar sipas rregullave shkencore të rrepta. Për shembull, më pohime të pakundërshtueshme si dhe prova, argumente bindëse, analiza të thella, dëshmi të shumta, referenca të verifikueshme, etj.

Dallimet dhe ngjashmëritë e Putinit me Milosheviqin dhe Federatës Ruse me Serbinë

1

Nga Ryzhdi Baloku, Pejë

Këto ditë në mediet vendore dhe botërore si asnjëherë më parë është gjithnjë aktuale tema e agresionit të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, që dikur të dyja këto shtete ishin pjesë e një shteti të përbashkët, i cili quhej Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike. Edhe Serbia me Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë e Hercegovinën, Kosovën etj., dikur ishin pjesë e një shteti të përbashkët që quhej Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, ndaj të cilave në vitet e nëntëdhjeta Serbia kreu agresion, mu sikurse Federata Ruse ndaj disa Republikave të ish BRSS.
Me këtë rast vendosa që nga këndvështrimi im ta bëj një analizë krahasuese për shkaktarët e nisjes së këtyre luftërave, përmes vënies së tyre në një paralele, që nga gjeneza e ngjarjeve që lidhen me agresionin serb e deri të zhvillimet e tanishme të agresionit rus.
Nëse i shikojmë me kujdes strukturat e ndërtimit shtetëror të Bashkimit Sovjetik dhe të Jugosllavisë, mund t’i vërejmë dallimet dhe ngjashmërinë mes tyre, si nga aspekti historik ashtu edhe ai politik e shoqëror.
Nga ky këndvështrim mund të themi lirshëm se Jugosllavia fillimisht ishte një kopje e Bashkimi Sovjetik, si nga ndërtimi ashtu edhe nga funksionimi. Mirëpo, më vonë, pas decentralizimit që ndodhi me kushtetutën e Jugosllavisë së vitit 1974, u krijuan dallime thelbësore krahasuar me funksionimin e Bashkimit Sovjetik, si nga aspekti ekonomik, po ashtu edhe ai politik e shoqëror.
Ngaqë temë e këtij shkrimi është zhvillimi i tanishëm i agresionit rus ndaj Ukrainës dhe ngjashmëria e tij me agresionin serb në ish Jugosllavi, do të përpiqem për t’i përfshirë disa nga shkaqet e këtyre agresioneve.
Për ta kuruar dhe shëruar sëmundjen duhet gjetur shkaktarin, andaj do të tentoj t’i gjej arsyet që i nisen luftërat në territorin e Jugosllavisë dhe të Bashkimit Sovjetik.
Thuhet se një shkëndijë e ndez një mal, andaj edhe ky agresion paraqet një rrezik të madh, i cili mund ta ndezë një luftë globale që mund ta shkatërrojë botën brenda një kohe të shkurtër.
Një fjalë e urtë thotë: “Nxjerr një kashtë, dalin gjashtë” ! Në këtë kontekst mund të themi se edhe agresioni i Federatës Ruse në Ukrainë i nxori në pah shumë çështje, të cilave bashkësia ndërkombëtare nuk iu kishte kushtuar vëmendje të duhur deri me tash.
Si duket Bota Perëndimore i kishte qitur në harresë Luftërat Ballkanike të viteve 1912/13, të cilat i kishte nxitur Rusia përmes shteteve sllavo-ortodokse që i kishte formuar vetë, pas mposhtjes së Perandorinë Osmane me 1877.
Shumica nga këto shtete të sapokrijuara ballkanike, pas një kohe u zgjeruan në tokat shqiptare përmes dëbimeve masive dhe masakrave të ushtruara mbi popullatën civile në Sanxhakun e Nishit, të Kosovës lindore.
Kjo mizori e kryer ndaj shqiptarëve që s’ishte parë deri atëherë, mund të konsiderohet edhe si gjenocidi i parë në Evropë, duke mos e harruar assesi edhe atë grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Krijimi i këtyre shteteve në truallin e Ballkanit ishte i qartë. Përmes tyre, Rusia pretendonte për të dalë në detet e nxehta, me qëllim që ta shtrinte ndikimin e saj edhe në Evropë.
Këto shtete sllavo-ortodokse, serbe, malazeze e bullgare, si dhe ai grek, satelite të Rusisë, pa ndonjë kundërshtim (asokohe) i miratonin planet dhe direktivat e shtet-ndërtuesit të tyre, me qëllim të përfitimit të ndërsjellë. Pos kësaj, mund të themi po ashtu se aspak nuk ishte rastësi edhe shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, të cilën e nisi Rusia përmes nacionalistëve serbë, me vrasjen e Franc Ferdinandit në qendër të Sarajevës, me 1914.
Serbia jo vetëm që e zgjeroi territorin e saj me ndihmën e Rusisë ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm ushtarësh e oficerësh kozakë, ajo njëkohësisht e rriti edhe numrin e popullsisë së saj përmes asimilimit të popujve të tjerë, e sidomos të shqiptarëve të besimit ortodoks, të cilët i konvertoi në serbë, ndërsa ata të Sanxhakut në boshnjakë. Zaten, një pjesë e madhe e popullatës e Malit të Zi përbëhet nga shqiptarët e asimiluar.
Pos kësaj, s’duhet harruar po ashtu se pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Jugosllavia (lexo: Serbia e Rusia) kreu pastrim etnik (lexo: gjenocid) edhe ndaj gjermanëve të Vojvodinës.
Më vonë edhe pas konsolidimit dhe forcimit ekonomik e ushtarak të Jugosllavisë së AVNOJ-it, nëpër republikat e këtij shteti herë pas here pati edhe vlime politike, të njohura në ato vite si: “IB”, “MAS-POK”, “PLAVA KNJIGA” etj., të cilat u eliminuan përmes “dorës së fortë” të kryetarit të shtetit të asaj kohe, Josip Broz Tito.
Edhe pas lëvizjeve të cekura dhe një periudhe relativisht të gjatë të “qetësisë së para stuhisë politike” në Jugosllavi, pasuan demonstratat e vitit 1981 në Kosovë. Këtë manifestim Serbia e shfrytëzoi si shkak që ta nisë sulmin për suprimimin e autonomisë së saj, të cilën e realizoi në vitin 1989 përmes tankeve të Armatës Jugosllave dhe fluturimeve të avionëve luftarakë mbi Kuvendin e Kosovës, seancë kjo që e zhveshi Kosovën nga shtetësia e saj.
Pjesa dërmuese e udhëheqjes jugosllave në një farë mënyre e përkrahu këtë veprim kundër-kushtetues të Serbisë, duke e bërë “kurban” popullatën shqiptare që jetonte në këtë shtet, me paramendim se Serbia do t’i përfundojë apetitet e veta. Megjithëkëtë, më vonë u pa se ajo nuk ndaloi me aq. Në vitet e nëntëdhjeta Serbia nisi agresionin mbi të tjerët, mu si Federata Ruse që i filloi luftërat pas shpërbërjes së BRSS.
Ndonëse fillimisht shpërbërja e Bashkimit Sovjetik qe kryer pothuajse në mënyrë paqësore, megjithatë më vonë pati edhe gjakderdhje, ngase Federata Ruse nisi t’i ndërzejë bashkëkombësit e vet, për t’u shkëputur prej shteteve të reja në të cilat kjo popullatë jetonte si një pakicë etnike kompakte. Me ndihmën e Rusisë, Osetia Jugore u shkëput nga Gruzia, duke e shpallur pavarësinë e saj me 28 nëntor të vitit 1991.
Përkundër përpjekjeve për ta kthyer territorin e humbur, në gusht të vitit 2008 Gruzia e humbi luftën ndaj Osetisë Jugore, të cilën e mbronin ushtarët e Federatës Ruse.
Duke marrë parasysh që secili nacionalitet i Bashkimi Sovjetik e kishte shpallë pavarësinë e tij në kufijtë ekzistues të Republikave në të cilat jetonin, edhe çeçenet e ndërmorën një hap të tillë me 1994, duke menduar se do të rezultonte me tërheqjen e ushtrisë federale ruse nga Çeçenia. Mirëpo, parashikimi i tyre doli i gabuar. Tri grupe operative ruse nga tri drejtime ia mësynë Çeçenisë, për ta futur kryeqytetin Grozni nën rrethim, të cilin e goditen pa ndonjë seleksionim, me sulme të ashpra nga toka dhe ajri.
Pas luftërave të përgjakshme dhe me likuidimin e liderit çeçen, Dudajev, në vitin 1996 u nënshkrua marrëveshja për ndërprerjen e luftës me delegacionin e këtij nacionaliteti të kryesuar nga Mashadov. Përkundër kësaj, lufta e dytë mes palëve ndërluftuese nisi serish në vitin 1999, ndërsa prej vitit 2000 e deri në vitin 2009 konflikti u zhvillua në trajtën e luftës guerile dhe kundër-guerile.
Sipas kushtetutës në fuqi, Federata Ruse në përbërjen e saj i ka 85 subjekte federale, prej të cilave 22 janë republika, ku bën pjesë edhe Çeçenia, 1 krahinë autonome e quajtur Zhidovska dhe 62 krahina jo-autonome; (“oblast” – emërtim origjinal i përshkruar me kushtetutën e saj).
Pos luftërave të drejtpërdrejta të Federatës Ruse ndaj të tjerëve brenda territorit të ish Bashkimit Sovjetik, s’duhet harruar edhe ato të nxitura e të mbështetura prej saj, qoftë edhe në formë tërthore, siç është rasti i luftës në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit për regjionin Nagorno Karabah, i banuar me shumicë armene, konflikt i cili kishte nisur rreth 30 vite më parë, që në fund pasoi me një luftë të përgjakshme. Mirëpo, me ndërmjetësimin e Federatës Ruse, në vitin 2020 arrihet marrëveshja e paqes mes tyre, të cilën edhe tash e mbikëqyr ushtria ruse.
Kur bëhet fjalë për serbët në RSFJ, mund të dokumentohet lehtë se ata gjithmonë kanë dominuar mbi të tjerët me vetë faktin se gjuha komanduese në armatë ishte gjuha e saj. Pavarësisht këtij argumenti, synimi i tyre ishte shumë më i madh. Të gjitha dëshmitë na shpijnë në konstatimin se shpërbërja e saj e kishte gjenezën në hegjemonizmin serb, që ka të bëjë me ëndrrën e tyre mesjetare për ta krijuar Serbinë e madhe.
Procesin e projektit (të ri) për Serbinë e Madhe të cilin e kishte përgatitur Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve në Beograd, Millosheviqi e nisi në Kosovë, ngaqë e konsideronte si “hallkën më të dobët” në federatën jugosllave. Caku përfundimtar i tij ishte që një nga një t’i shkërmoqë elementet e konstruktit decentralizues të Federatës, me pretendim që pastaj ta krijonin një sistem të pushtetit absolut të dominuar nga ta.
Skenarin e përmendur e filluan me mitingje, të cilat më vonë degraduan në dhunë e gjakderdhje. Qëllimi i Millosheviqit dhe klikës së tij ishte që njëkohësisht t’i frikësonte edhe të tjerët, në mënyrë që mos ta pengonin në veprimet që do t’i ndërmerrte më vonë ndaj Krahinës Autonome të Vojvodinës dhe Republikave të Jugosllavisë, ku pos në Bosnjë e Hercegovinë serbët ishin pakicë kombëtare.
Mitingjet e përmendura, udhëheqja e Serbisë i quajti “revolucion”, me qëllim që ta ndizte luftën, ngase i tërë arsenali ushtarak i Armatës Jugosllave dominohej nga ta.
Në sy të ushtrisë paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, serbët kryen gjenocid në vitin 1995 ndaj popullatës boshnjake në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa bashkësia ndërkombëtare si për çudi heshti.
Për fatin tonë, një gjenocid të tillë ndaj shqiptarëve të Kosovës e pengoi NATO, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kur njerëzimi paqedashës mendoi se u arrit një paqe e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor, Rusia e nxiti dhe e ndihmoi luftën tjetër vëllavrasëse në Siri, për t’ia mësyrë së fundmi edhe sivëllezërve të vet në Ukrainë.
Pas këtij agresioni, Bota u trand si asnjëherë më parë dhe u rreshtua në anën e viktimës, pos Serbisë së Aleksandar Vuçiqit që u radhit në anën e agresorit. Madje, për ta përkrahur Federatën Ruse organizuan edhe mitingje në Beograd.
Arsyeja e reshtimit të Serbisë në anën e Rusisë është e qartë, janë aleatë të vjetër! Kohë më parë, me miratimin e Presidentit Aleksandar Vuçiq, Federata Ruse e ndërtoi bazën e saj afër qytetit të Nishit. Prej kësaj Federate, Serbia u furnizua me sistemin e raketave Kornet, Pancir, pastaj me automjete të blinduara zbulimi, tanke moderne, helikopterë, avionë luftarakë etj.
Pos kësaj, s’duhet harruar se para pak vitesh, mercenarët serbë kishin shkuar në Krime dhe Donbas, për t’i ndihmuar ruset në luftë kundër ushtrisë së Ukrainës. Po ashtu nuk është rastësi shkuarja e grupeve adoleshente (fëmijë të luftëtarëve serbë), që t’i vijojnë trajnimet luftarake nëpër kampet ushtarake të Rusisë, me qëllim që të aftësohen dhe perfeksionohen në mjeshtërinë e vrastarëve profesionistë.
Përkundër krimeve të kryera dhe dëmeve të mëdha materiale që shkaktuan serbët gjatë luftërave në ish Jugosllavi, bashkësia ndërkombëtare nuk e detyroi Serbinë që t’i paguajë reparacionet e luftës. Përkundrazi, ajo e përkëdheli udhëheqjen e saj të re që ishte zgjedhur pas përfundimit të luftës në Kosovë, edhe pse kjo kastë politike i mohonte krimet dhe gjenocidin e kryer nga shteti i tyre.

Vuçiq , duke i raportuar Putinit …

Si duket, duke e parë këtë qëndrim oportunist të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë, madje edhe miklues ndaj udhëheqjes së saj, Rusia si fuqi e madhe botërore mori guximin dhe iu kthye ëndrrës për rikthimin e Perandorisë së dikurshme, me agresion ndaj Ukrainës, e cila ka rreth 45 milionë banorë, në një sipërfaqe prej 603.628 km2.
Si përfundim mund të nënvizoj se ngjarjet e fundit në Ukrainë e bënë bashkësinë ndërkombëtare më syçelë ndaj Federatës Ruse dhe Serbisë, siç thotë proverbi “Ra ky mort e u pamë”, andaj edhe këto zhvillime mundësuan që të shihet fytyra e vërtetë e qeverisë së Rusisë në krye me Vladimir Putinin dhe e qeverisë së Serbisë në krye me Aleksandar Vuçiqin.

The Chicago Tribune / Pas tërmetit shkatërrues në Elbasan, dy amerikane të ndihmës sociale organizuan një shkollë për 300 fëmijë

Nga Aurenc Bebja (Francë)

“The Chicago Tribune” ka botuar, të premten e 11 shkurtit 1921 dhe të mërkurën e 8 shkurtit 1922, dy shkrime në lidhje me ndihmën e dy grave amerikane ndaj fëmijëve shqiptarë pas një tërmeti shkatërrues asokohe në Elbasan, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

 Gratë amerikane organizojnë shkollë për shqiptarët

Burimi : The Chicago Tribune, e premte, 11 shkurt 1921, f.3

Se si dy punonjëse amerikane të ndihmës sociale organizuan një shkollë për 300 fëmijë shqiptarë pasi një tërmet shkatërroi shtëpitë e tyre, tregohet nga Majori E. J. Swift i Kryqit të Kuq Amerikan, i cili është personi i parë që ka arritur nga Parisi në Elbasan, Shqipëri, ku 3.000 shtëpi u shkatërruan në tërmetin e fundit që shkaktoi humbjen e katërmbëdhjetë jetëve.

 Zonjusha Winifred Warren, Nju Jork dhe zonjusha Norah (Hazel) Ruddy, Çikago, ishin vendosur në Shqipëri në lidhje me punën e Kryqit të Kuq të Rinjve”, tha Major Swift. “Sapo ndodhi tërmeti, ato organizuan ndihmë për të vuajturit dhe ngritën tenda për ata që kishin mbetur të pastrehë.

Kur të plagosurit dhe të pastrehët u mjekuan”, vazhdoi Maj. Swift, dy gratë e Kryqit të Kuq, të cilat ishin vetëm punonjëse të ndihmës së shpejtë në vend, menjëherë ndërmorën hapa për të vazhduar mësimet e fëmijëve dhe, meqë moti ishte i favorshëm, i mbajtën ata nën portokallitë. U vendosën stola dhe tavolina me portokallitë sipër, sikur situata të ishte normale.

Heroina e tërmetit arrin në Paris

Burimi : The Chicago Tribune, e mërkurë, 8 shkurt 1922, f.2

Zonja Winifred K. Warren, e dekoruar tri herë nga qeveria shqiptare për veprën e saj heroike gjatë tërmetit të vitit të kaluar, mbërriti dje në Paris dhe ndodhet në hotel Sylvia për disa ditë para lundrimit për në Amerikë.

Zonja Warren dhe Zonja Hazel Ruddy, një tjetër vajzë amerikane, ishin në Elbasan kur ndodhi tërmeti, 30 kilometra me kalë nga vendbanimi më i afërt. Ato ishin ndër të paktët të mbijetuar të fatkeqësisë dhe punuan për shumë orë pa pushim për të shpëtuar të plagosurit dhe për t’u dhënë shërbim mjekësor. Të dyja vajzave iu dha mirënjohja më e lartë e qeverisë shqiptare si shpërblim për shërbimet e tyre.

* Nga Aurenc Bebja, Francë). Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), : https://www.darsiani.com/la-gazette/the-chicago-tribune-pas-termetit-shkaterrues-ne-elbasan-dy-amerikane-te-ndihmes-sociale-organizuan-nje-shkolle-per-300-femije/

Publikuar në :

https://gazetadielli.com/the-chicago-tribune-pas-termetit-shkaterrues-ne-elbasan-dy-amerikane-te-ndihmes-sociale-organizuan-nje-shkolle-per-300-femije/

https://americaneye.al/termeti-shkaterrues-ne-elbasan-ne-1921-dhe-ndihma-e-dy-amerikaneve-per-300-femije/

https://www.kultplus.com/lajme/the-chicago-tribune-ne-vitin-1921-pas-termetit-shkaterrues-ne-elbasan-dy-amerikane-te-ndihmes-sociale-organizuan-nje-shkolle-per-300-femije/

https://alb-spirit.com/2022/03/19/grate-amerikane-ndihmojne-femijet-pas-termetit-ne-elbasan/

https://opinion.al/termeti-ne-elbasan-1921-dy-amerikane-organizuan-nje-shkolle-per-300-femije/

https://www.botasot.info/historia-lajme/1780196/the-chicago-tribune-pas-termetit-shkaterrues-ne-elbasan-dy-amerikane-te-ndihmes-sociale-organizuan-nje-shkolle-per-300-femije/

https://www.syri-vision.tv/the-chicago-tribune-ne-vitin-1921-pas-termetit-shkaterrues-ne-elbasan/

Ndërsa Stalini i ri në Moskë pushton Ukrainën, Stalini i vjetër ripushton Tiranën

0

Nga: Frank Shkreli

Më poshtë është lajmi i rrjetit të televizionit të Tiranës, ABC News i datës 10 Janar, 2022. Pothuaj, për tre muaj as nuk e përmendi kush më këtë lajm se busti i Stalinit po rishfaqej në “mesin e Tiranës”.  Por mbrëmë në një program tek Syri TV u treguan fotografi aktuale të bustit të Stalinit dhe të Leninit, rivendosur një hapësirë publike në Tiranë.  Si është e mundur që për tre muaj nuk i vuri re askush bustet e Stalinit dhe të Leninit në mes të Tiranës? ASshtu siç kishte ndodhur me monumentin dedikuar “heronjëve” të Erdoganit, që u vendos në Tiranë ashtu në hestje dhe pa publicitet. Punët e këqia ashtu bëhen gjithmonë, larg szve të publikut. Ku është “media e lirë” në Shqipëri?  A po nuk i bën askujt, asnjë përshtypje një shfaqje e tillë e shëmtuar në kryeqytetin e shqiptarëve, një kombi që ka vuajtur më së shumti nga komunizmi.  I mrekullueshëm është fakti që rinia shqiptare dhe element të tjerë të shoqërisë shqiptare, më në fund, po zgjohen dhe po protestojnë padrejtsditë. Nuk mjafton të protestohet për çmimet e larta, sado që keni të drejtë të protestoni, sidomos, nën kushtet ekonomike të atij vendi. Ia vlen të protestohet edhe për vlera të tjera, për vlerat kombëtare, për lirinë dhe demokracinë e vërtetë – jo për “lirinë dhe demokracinë”, që simbolizojnë bustet e Stalinit dhe të Leninit, të rivendosura, sipas disa lajmeve, në hapësirat publike të Tiranës.

Çfarë qeverie është kjo dhe çfarë shteti është ky që lejon një gjë të tillë dhe me çfarë shoqërie kemi të bëjmë pas 32 vjet të shembjes së Murit të Berlinit, që toleron rishfaqjen dhe vendosjen e busteve të Stalinit dhe Leninit, mu në mes të Tiranës.  Ku janë përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë, përfshir Ambasadën e Shteteve të Bashkuara që nuk reagojnë ndaj dukurive të tilla në një shtet anëtar të NATO-s dhe aspirant për antarësim në Bashkimin Evropian. More me Stalinin e Leninit do futeni ju në Evropë?

Shoh se Ambasada jonë, përmend shpesh dhe me krenari, se ky vit shënon 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona.  Po çfarë të festojmë more të nderuar në këtë 100-vjetor, rivendosjen e busteve të Stalinit dhe të Leninit në mes të Tiranës, në një kohë që stalini i ri në Moskë, Putini, adhurues i Stalinit të “madh”, siç e quante Enver Hoxha, pushton një vend paqësor e demokratik dhe po kërcënon botën me luftën e tretë botërore dhe me armë bërthamore. Do festoni me këtë qeveri shqiptare që lejon rivendosjen e busteve të këtyre kriminelëve të huaj komunistë në tokën shqiptare.  32 vjet pas gjoja shembjes së komunizmit në Shqipëri – ju do të festoni 100-vjetorin e marrëdhënieve amerikano-shqiptare me këta apologjetë të komunizmit ndërkombëtar?  “Krah për krah”, me këta përfaqsues sot që pretendojnë të jenë të Kombit shqiptar, por që promovojnë figura të tilla kriminale të historisë botërore dhe armiq të përbetuar të shqiptarëve gjatë historisë, duke lejuar ose injoruar rishfaqjen e busteve të baballarëve të komunizmit në Tiranë. Çfarë vlerash përfaqësojnë këta njerëz, si liderë të shqiptarëve të vuajtur nga komunizmi, që meritojnë respektin tonë.

Dikush mund të pyes, po çfarë ka të bëjë 100-vjetori i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane me rivendosjen e busteve të Stalinit dhe Leninit në mes të Tiranës. Ka të bëjë shumë! Ka të bëjë me vlerat e përbashkëta midis dy popujve, për të cilat shpesh janë shprehur diplomatët tanë në Tiranë. Dy popujt tanë, shqiptarët dhe amerikanët, kanë vlera të përbashkëta, por jo me këta politikanë shqiptarë që lejojnë praninë e këtyre kriminelve komunistë, qoftë edhe bustet e tyre, mu në qëndër të Tiranës. Për mua vlerat, që simbolizojnë Stalini dhe Lenini, si dhe prania e busteve të tyre në mes të Tiranës — si në kohën e Enver Hoxhës — nuk përbëjnë “vlera të përbashkëta” shqiptaro-amerikane që duhet të festohen, “krah për krah”, me këtë klikë politike të papërgjegjëshme ndajë popullit të vet dhe ndaj historisë kombëtare, në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve amerikano-shqiptare. Të pakën ne shqiptaro-amerikanët – taksapagues të këtij vendi të dashur e të bekuar për ne — meritojmë një konsideratë pak më të madhe se kaq nga përfaqsuesit tonë diplomatikë, sidomos për ata mijëra shqiptaro-amerikanë, familjet e të cilëve janë burgosur e pushkatuar, pikërisht se pse kundërshtonin komunizmin ndërkombëtar që përfaqësonte Enver Hoxha me mikun e tij të madh, Stalinin. Merreni me mend se si u duket atyre shqiptaro-amerikanëve kur të vizitojnë Tiranën dhe të shohin bustet e Stalinit, Leninit e ndoshta edhe të Enver Hixhsë, mund të mes të Tiranës?

Të nderuar diplomatë amerikanë dhe evropiano-perëndimorë në Tiranë, mos heshtni përball dukurive të tilla në Tiranë, siç është rivendosja e bustit të Stalinit, dishepullit dhe mësuesit të Enver Hoxhës, i cili i shkaktoi aq vuajtje, dhimbje e krime Kombit shqiptar.  Rishfaqja e busteve të Stalinit dhe Leninit në Tiranë të Shqipërisë, “post-komuniste”, anëtare e NATO-s, janë rezultat i drejtë për drejtë i dështimit politik të kësaj klase politike shqiptare “post-komuniste” për tu distancuar nga komunizmi, por edhe dështim i diplomatëve perëndimorë në Tiranë gjatë këtyre 32- viteve, të cilët asnjëherë nuk kanë kërkuar – të pakën jo publikisht — nga kjo klasë politike “post-komuniste”, që të dënojnë krimet e komunizmit të Enver Hoxhës në Shqipëri dhe të përballen njëherë e mirë me krimet e regjimit komunist në atë vend. Siç e shihni, marrja e fotove “krah për krah” me këta përfaqsues të qeverisë shqiptare sot – që lejojnë ringritjen e busteve të Stalinit dhe Leninit në Tiranë — fotot nga platformat e anijeve amerikane të ankoruara në Durrës, disa muaj më parë — nuk mjaftojnë. Shqiptarët meritojnë më shumë se kaqë në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve shqiptaro-amerikano. Mos heshtni të nderuar diplomatë! Mos u bëlni pjesë e sallës së turpit (Hall of shame) me ata politikanë shqiptarë që refuzojnë  për 32 vjet tani të dënojnë krimet e komunizmit dhe të përballen zyrtarisht dhe seriozisht me të kaluarën e tmershme komuniste në Shqipëri.  Flisni për vlerat e verteta perëndimore që bashkojnë dy popujt tanë!

https://abcnews.al/fotolajm-ringjallet-stalini-ne-tirane/

https://www.syri.net/politike/492996/arben-imami-publikon-foto-n-ne-cim-peka-live-busti-i-leninit-dhe-stalinit-jane-vendosur-ne-tirane/

Opozita e ndarë favorizon pushtetin

0

Nail Draga, Ulqin

Nga skena politike në Shqipëri

Zgjedhjet e pjesshme vendore të mbajtura me 6 mars në Shqipëri dëshmuan në praktikë se opozita ende nuk mund të këndellët nga humbja e zgjedhjeve parlamentare (25 prill 2021) ndërsa ndarja e Partisë Demokratike në dy pjesë dëshmoi se skena politike opozitare në Shqipëri është në pozitë të pavolitshme si asnjë herë deri më tash, që është në favor të pushtetit

Ndonëse me 6 mars në Shqipëri u mbajtën zgjedhje të pjesshme vendore në gjashtë bashki:Shkodër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë, Lusnjë e Dibër nuk ndodhi ndonjë befasi, sepse çdo gjë dual sipas parashikimëve. Nga numri i përgjithshëm i bashkive pesë prej tyre i fitoi Partia Socialiste, ndërsa Shkodrën “Shtëpia e lirisë”, përkatësisht krahu i Sali Berishës, i ish PD-së.

Refuzimi nga qytetarët

Në këto zgjedhje të pjesshme vendore bie në sy pjesëmarrja e ultë e qytetarëve në votime. Një dukuri e tillë nuk është befasuese, sepse procesi i votimit ka kohë që refuzohet nga qytetarët që shpjegohet nga pakënaqësia me gjendjen ekonomike, përkatësisht zhgënjimi nga partitë politike si dhe nga emigrimi i shqiptarëve në botën e jashtme. Por, nuk duhet të harrojmë se ma së shumti janë të demoralizuar demokratët të cilët nga përçarja kanë refuzuar të dalin në zgjedhje. Sipas të dhënave të publikuara pjesëmarrje më të ultë në zgjedhje kishte në bashkinë e Durrësit 26.27%, Shkodrës 29.11%, Rrogozhinë 30.95%, ndërsa më tepër kishte në Lushnjë 35.96%,Vorë 40.33% dhe Dibër 43.35%.
Nëse krahasojmë daljën në votime me zgjedhjet parlamentare të mbajtura me 25 prill 2021, ajo ishte ishte më e ultë nga 15-25%, dëshmi refuzimi nga eletorati votues për subjektët politike konkuruese.

Vetëm Shkodra votoi të Djathtën

Bashkia e Shkodrës në total kishte 250 qendra votimi, por nga këto tre nuk u zhvillua procesi i votimit në zonat e thella malore, si rezultat i reshjeve të borës dhe të pamundësisë praktike që popullsia të votojë aty. Kështu nga 247 qendra votimi, Bardh Spahia i “Shtëpisë së Lirisë” mori 20125 vota ose 43.7%. Më pas u rendit Majlinda Angoni nga PS me 18.205 vota(39.5%) dhe kandidati i PD, Xhemal Bushati me 7749 vota(16.8%). Duke marrë parasysh se numri i votusve i tre qendrave të votimit është më i vogël se ndryshimi në mes kandidatëve të parë dhe të dytë, ku nuk do të ndikojë në rezultatin përfundimtar, del se Bardh Spahia është kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Shkodrës.
Pavarësisht nga ndarja në PD, të djathtët fituan në Shkodër, duke dëshmuar se socialistët këtu do të vazhdojnë në opozitë, pavarësisht se udhëheqin me pushtetin qendror.
Nga ana tjetër ne pesë bashki tjera socialistët fituan bindshëm, duke dëshmuar se fitorja në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 nuk ishte rastësi. Dhe nuk ka si të ishte ndryshe se ata aty ishin në pushtet që i favorizonte në krahasim me demokratët.

Vazhdon rënia e Partisë Demokratike

Eshtë përshtypje e përgjithshme se mos pjesëmarrja e PD në zgjedhjet vendore në vitin 2019, ishte një veprim i dështuar politik, sepse ia mundësuan PS të marrë pushtetin vendor në tërë Shqipërinë. Ndërsa largimi i deputetëve nga parlamenti më pas dëshmoi dështimin e radhës, që u përcaktu në zgjedhjet parlamentare të mbajtura me 25 prill 2021.
Humbja e tillë e cila ishte e radhës paraqiti paknaqësi të elektorati votues demokrat, që arriti kulmin me largimin e deputetit Sali Berisha nga grupi parlamentar me arsyetimin se është shpallur “person non grata” nga SHBA. Nga ai moment trubulencat politike moren kahje tjetër sepse Sali Berisha dual në skenë me “Foltorën”, duke ofruar rreth vetës një numër të konsideruar idhtarësh e militantësh partiak. Takimet e mbajtura anë e kënd Shqipërisë, dëshmuan se Sali Berisha kishte mbeshtetje politike por pritej momenti që të dëshmohej në praktikë.
Dhe ishin zgjedhjet e pjesshme vendore me 6 mars që ofruan mundësinë për të dëshmuar se cila pjesë e PD ka me tepër mbeshtje të elektorati votues.
Në pamundësi që të paraqitet në siglën e PD, sepse ajo zyrtatisht është legale nga ana e Lulzim Bashës, grupi i rithemelimit të PD-së i cili mbeshtet Sali Berishën, u paraqit me siglën “Shtëpia e lirisë” e cila ishte e regjistruar nga LSI dhe PDK. Dhe votimet e 6 marsit dëshmuan se “Shtëpia e lirisë” kishte mbeshtetje më tepër së sa PD, duke dëshmuar më votë se ata janë demokratët autentik, që paraqet moment të veçantë në skenën politike në Shqipëri.

Demokratët kërkojnë përgjegjësi

Pas përfundimit të zgjedhjeve të 6 marsit, deputetët e demokratëve u takuan në një mbledhje urgjente ku u diskutua për zgjedhjet, duke kërkuar nga kryedemokrati që të marrë pëgjegjësinë dhe të zgjedh situatën. Sipas informacionit bëhet me dije se një numër i konsideruar i deputetëve janë shprehur se kryetari i partisë është përgjegjësi kryesor për humbjen dhe si i tillë Basha duhët të mbajë përgjegjësi, madje duke kërkuar edhe dorëheqjen e tij. Nga gjendja e kriuar kanë paraqitur dorëheqjen dy nënkryetarët e PD si dhe anëtarë të kryesisë së saj, që paraqet situatë të re e cila do të reflektojë për të gjetur zgjidhje të pranueshme për Demokratët në favor të opozitarizmiot dhe pluralizmit politik në Shqipëri.
Vetëm një riorganizim apo rizgjedhje, me kuadra të dëshmuara pa hipoteka nga e kaluara, duke vlerësuar profesionin e meritokracinë do të jetë në favor të Demokratëve të cilët duan një PD të bashkuar, konkurente në skenën politike e jo të ndarë, sepse si e tillë është në favor të pushtetit aktual.

Test për elektoratin votues

Pavarësisht se këto zgjedhje ishin të pjesshme, ishte ky një test për të parë se ku qëndron elektorati votues demokrat, i cili del qartë se është i zhgënjyer nga pozita aktuale e opozitës, çështje e cila mbetet për diskutim jo vetëm për momentin, sepse një opozitë e përçarë është në favor të pushtetit. Pasi këto zgjedhje do të jenë të afatizuara vetëm për një vit, sepse në vitin vijues do të mbahën zgjedhjet e përgjithshme vendore, është kohë e mjaftueshme për ndryshime brenda vet opozitës, nëse mendojnë të sfidojnë pushtetin aktual.

(Mars 2022)

Rusia gjithsesi do ta humbasë luftën në Ukrainë

0

Nga Aurel Dasareti

Rusia e humbi luftën në Ukrainë në momentin kur e filloi. Çmendaraku nazist-terrorist Putin është befasuar nga gatishmëria e Ukrainës për të luftuar, si dhe nga rezistenca me të cilën është përballur Rusia, e cila do ta humbasë luftën e Ukrainës: qoftë ushtarakisht, politikisht ose të dyja.
***
Unë jam një nga ata që mendojnë se Rusia agresive-pushtuese do ta humbasë luftën në Ukrainë në një të ardhme shumë të afërt.
Megjithatë, tani për tani le të mos harrojmë se pjesa tjetër e Evropës (përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe trojet tjera shqiptare) është gjithashtu ndër objektivat e Rusisë.
Dy javët e ardhshme do të jenë vendimtare. Forcat pushtuese të Putin-it nuk do të jenë në gjendje të marrin Kievin. Mendoj se Ukraina do ta fitojë luftën:
Nuk besoj se rusët kanë mjaft ushtarë (të aftë) për ta rrethuar qytetin e madh (luftarak) dhe të paktën jo për ta marrë atë. “Kulmi është arritur kur një forcë ushtarake nuk mund të kryejë më operacione.”
Kjo do të thotë se lufta arrin në një pikë ku përparimi i forcave ruse ndalet. Për më tepër, pas “pikës kulmore të luftës”, ndoshta do të jetë shumë e shtrenjtë për rusët të vazhdojnë me terrorin. Besoj se nuk ia vlen barra qiranë. Me sa duket ukrainasit do të mbeten me përparësinë. Perëndimi duhet të shtojë dërgesat e armëve për Ukrainën. Mendoj se gjatë dy javëve të ardhshme Rusia do të arrijë kulmin e ligësive, që do të thotë se ata nuk do të mund të vazhdojnë më sulmin.
Rusia tani është në një Luftë rraskapitjeje (rrënimi). Sipas disa ekspertëve, Rusia nuk ka atë që duhet për të fituar një luftë të tillë:
Agresorëve u duhen tre gjëra për të fituar një luftë rrënimi, dhe nuk i kanë të tria gjërat. Ata nuk kanë kohë, nuk e kanë “fuqinë punëtore” dhe nuk besoj se i kanë municionet.
Kjo kushtëzon që vendet perëndimore të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën në mënyra të ndryshme: Domethënë, që ne Perëndimi, jo vetëm të ruajmë (të mbajmë), por edhe të rrisim furnizimin me ato mjete që ukrainasve u nevojiten për të shkatërruar pajisjet ushtarake ruse. Sa më e fortë Ukraina, aq më e dobët Rusia. Dhe, aq më e sigurt Kosova, Shqipëria…
Lufta që ka tronditur botën. Kjo është një analizë e thjeshtë, por asgjë nuk është aq e sigurt. Është e vërtetë se deri tani, ukrainasit kanë pasur sukses në strategjinë e tyre:
Ukrainasit kanë qenë të zgjuar në aspektin strategjik dhe e kanë kthyer armikun në një terren ku dobësitë ruse bëhen më të dukshme.
Për forcat agresore ruse, të cilat e kanë lodhur veten duke luftuar drejt Kievit për javë të tëra, me gjithë terrorin e gjithanshëm kundër civilëve ukrainas, mund të jetë e vështirë për të pushtuar dhe marrë nën kontroll kryeqytetin. Mund të jetë një luftë e gjatë rraskapitjeje. Një moçal evropian…një Somali dhe Afganistan…

PS: Ky është një koment. Komenti shpreh qëndrimin e autorit.

  • Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike

Jo “Pika” por “Pyka”!

0

Florim Zeqa    

Nuk e besoj se mund të ketë njeri në Kosovë që nuk i gëzohet luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, arrestimet e fundit të zyrtarëve policor janë aq sipërfaqësore dhe të nivelit të ulët saqë nuk ja vjenë të mburret qeveria për suksesin e arritur në atë drejtim!

Arrestimi për 2.5 euro ryshfet, anomali e llojit të vet

Të arrestohet një zyrtar shtetëror për 2.5 euro (dy euro e gjysmë) të supozuara si “marrje ryshfeti”, qoftë ai punëtorë i administratës, polic apo doganier, përveqse qesharake është edhe paradoksale në shtetin e varfër të politikanëve të pasurur.

Aksioni i koduar me emrin “Pika”, me 50 zyrtarë shtetëror të arrestuar, nga të cilët 48 pjestarë të Policisë së Kosovës dhe dy nga Shërbimi Doganor i Kosovës, pa asnjë arrestim të nivelit të lartë është shqetësim për të ardhmen e shtetit tonë!

Të gjithë lexuesit e këtyre rreshtave do të pajtohen me mendimin tim, se niveli alarmant i korrupsionit dhe krimit të organizuar në vendin tonë burimin nuk e ka në pikat kufitare, por në institucionet më të larta të shtetit dhe në selitë e partive politike, aty ku të fortët e politikës i bëjnë planet dhe i ndajnë sferat e interesit nëpër zona dhe territore të caktuara në Kosovë!

Për hirë të paanësisë partiake, kësaj radhe nuk do të ndalem në emra të përveqëm të subjekteve politike apo liderëve partiak, se cila parti apo cili politikan është treguar më i shkathtë sesa tjetri në zhvatjen e pasurive shoqërore dhe shtetërore, pasi janë prokurorët e shtetit ata të cilët duhet t’i trajtojnë me prioritet rastet korruptive nga lartë-poshtë, respektivisht nga hierarkia e lartë shtetërore, nëpër  të gjitha institucione veç e veç, ku lëndët e profilit të lartë gjithnjë mbetën nëpër sirtarët e pluhërosur të sistemit të drejtësisë!

Afera korruptive me dhënjen e tenderëve, subvencioneve dhe lojë me çmime ka pasur nëpër të gjitha qeveritë e pasluftës deri në këtë të fundit, ku dikush brenda natës bëhet milionerë, por, për habi asnjë prokuorë nuk e merrë guximin të merret me oligarkët politik dhe ekonomik të cilët përfitojnë në situata krizash ekonomike, politike dhe pandemike!

Arrestimi spektakularë i 48 policëve dhe dy doganierëve i ka qitë hije të zezë imazhit pozitiv të Policisë së Kosovës, e cila deri dje krahasohej ndër më profesionalet dhe më të pastrat në rajon dhe më gjerë!

Arsyeja pse arrestimet e zyrtarëve policorë nuk është dashtë të ndodhin në mënyrë spektakulare dhe në të njëjtën ditë dhe orë, është fakti se akuzat për veprat e dyshuara ndaj tyre nuk kanë të bëjnë më krim të organizuar dhe as korrupsion të orkestruar!

Janë politikanët e profilit të lartë apo “peshqit e mëdhenj”, ata të cilët duhet të arrestohen dhe t’iu konfiskohet pasuria e paligjshme, e jo një zyrtarë policorë që dyshohet se e paska pirë një kafe në mënyrë të “paligjshme”!

Po e përserisë, paligjshmëritë më të mëdha kanë ndodhur dhe ndodhin në presidencë, qeveri dhe parlament e jo në një pikë doganore e cila është e vëzhguar nga të gjitha anët me kamerat e sigurisë!

Jo aksioni “Pika”, por “pyka” e politikës është ajo që e ndanë të mirën nga e keqja. Sikurse drita që e zhdukë errësirën, sikurse pastërtia që e eleminon ndytësirën, edhe drejtësia duhet ta mundë padrejtësinë aty ku mjegulla është më e dendur në institucionet e larta shtetërore, kur kafetë nuk llogariten pas drekave dhe darkave të shtrenjta nëpër restorantet luksoze!

Rama me dyfytyrësi apo me shumëfytyrësi

0

Prof.dr. Eshref Ymeri

Në fillim të viteve ’90, Rama mendonte dhe ëndërronte të futej në politikë, sepse ajo i dukej zeja e tij më e parapëlqyer. Thuhet sa asokohe ai pati synuar të krijonte edhe një parti politike, por nuk e kam informacionin e duhur se si është e vërteta. Ishte koha kur pati nisur lëvizja dhjetoriste për vendosjen e demokracisë dhe kur më 12 dhjetor 1990 u krijua partia demokratike. Siç kanë qarkulluar fjalët, Rama kishte pasë synuar të hynte në këtë parti, të dalë nga lëvizja dhjetoriste, me qëllim që të zinte diku majat në drejtimin e saj, një lëvizje kjo, e cila, me kalimin e viteve, degjeneroi në një demoshëmti dhjetoriste. Thuhet se nuk e pranuan në këtë parti, megjithëse e vërteta nuk është ndriçuar përfundimisht. Rama i përkiste sërës së intelektualëve, të cilët, për të çarë drejt politikës dhe për t’u bërë të besueshëm në radhët e popullit të varfëruar në maksimum nga diktatura kriminale komuniste enverhoxhiste, duhej ta shanin dhe ta telendisnin komunizmin enverian me rrënjë e me degë. Me sa duket, Rama kishte parasysh Fjalën e Ramiz Alisë të nëntorit të vitit 1989 në Byronë Politike, ku ai pati deklaruar:
“Partia që do të marrë pushtetin, do ta shajë komunizmin me themel e me çati” (Citohet sipas: “Pas në kohë, fjalimi i pazakontë i Ramiz Alisë në vitin 1989”. Faqja e internetit e gazetës “Mapo”. 22 korrik 2018).
Këtë orientim të Ramiz Alisë, Rama e pati si yll karvani në përpjekjet e tij të ethshme për të çarë në politikë. Prandaj tre vjet pas këtij orientimi, Rama do të shpërthente mllefin e vet kundër komunizmit:
“Duhet pranuar më në fund hapur që lufta kundër okupatorit degjeneroi në një luftë të përgjakshme civile… shkaktare e së cilës ishte Partia Komuniste Shqiptare, e drejtuar nga emisarët jugosllavë” (Citohet sipas: Edi Rama dhe Ardian Klosi, “Refleksione“, Shtëpia botuese “Albania”, Tiranë 1992, f. 7).
Pra, komunizmin në Shqipëri Rama e demaskon hapur për degjenerimin që i bëri luftës kundër pushtuesve të huaj në luftë vëllavrasëse.
Në të njëjtën kohë, Rama e quan kriminale veprën e partisë së punës pas luftës. Ai deklaron :
“Denoncimi pa kompromis i veprimtarisë kriminale të PPSH-së deri në nxjerrjen e saj jashtë ligjit është i vetmi shteg nga duhet të kalojë PSSH-ja për të fituar të drejtën e qytetarisë në shoqërinë e ardhshme shqiptare dhe e vetmja mundësi për opozitën që atdheun e mbetur në duart e rrugaçëve të qosheve të errëta të nomenklaturës apo të kriminelëve ordinerë, t’ua kthejë miliona njerëzve të ndershëm që kanë humbur besimin” (po aty).
Në të njëjtën kohë, Rama zhvesh shpatën dhe i turret me rreptësi partisë socialiste, për të cilën thotë:
“Për sa kohë PS nuk ka bërë denoncimin e plotë të origjinës dhe historisë së saj, ajo s’mund ta ketë të drejtën për të qenë një parti e ligjshme” (po aty).
Këto fjalë të rrepta të Ramës kundër komunizmit rezultuan një gënjeshtër e kulluar, sepse në qenien e tij fshihej një mashtrues me damkë Ata që e patën lexuar me vëmendje librin e sipërcituar të Ramës dhe të Klosit, pavarësisht bindjeve të tyre politike, në nëntor të vitit 2005, kur Rama erdhi në krye të partisë socialiste, patën menduar dhe patën shpresuar se ai do bëhej kryemotori i denoncimit të origjinës dhe të historisë së saj, do të bëhej figura kryesore politike për dekomunistizimin me ligj të shoqërisë shqiptare. Por Rama jo vetëm që s’e bëri një gjë të tillë, por, përkundrazi, atë parti, si trashëgimtare besnike të partisë së punës, e armatosi edhe më shumë me ide neokomuniste, thelbin e të cilave e përbën degjenerimi i pluralizmit politik, krijimi i një sistemi njëpartiak dhe përjetësimi i pushtetit, sipas shembullit të kryeshovinistit Putin në Rusinë neocariste.
Por, për habinë e të gjithëve, Rama, gati tridhjetë vjet më vonë, në Kuvendin e Shqipërisë, lëshon një deklaratë befasuese për komunizmin. Ai shprehet :
“Im at, po, ka qenë komunist, si shumë të tjerë dhe kanë qenë në anën e duhur të historisë”.  Kështu u shpreh Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, gjatë një debati në parlament me disa deputetë të “opozitës” …Kryeministri aktual i Shqipërisë deklaron – 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit  nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë – se komunistët shqiptarë, në krye me Enver Hoxhën, njërin prej diktatorëve më gjakatarë që ka njohur historia, na paskan qenë, “në anën e duhur të historisë”.  Kush është ky njeri, a është Edi Rama “antikomunisti” i vitit 1990, apo simpatizant i komunizmit sot? (Citohet sipas: Frank Shkreli. “Komunizmi dhe komunistët në anën e duhur të historisë!???”. Faqja e internetit e gazetës “Dielli”. 03 gusht 2020).
Pas kësaj deklarate prej neokomunisti të thekur, vetvetiu arrihet në përfundimin se Rama, duke e vlerësuar komunizmin si ideologji “në anën e duhur të historisë”, mbështet plotësisht shtyllat që përbëjnë themelet e kësaj ideologjie të mallkuar. Këto shtylla janë:
Së pari, marrja dhe mbajtja e pushtetit me dhunë, jo përmes garës me vote të lirë të formacioneve politike, çka është e pamundur, sepse komunizmi nuk e lejon pluralizmin politik.
Së dyti, diktatura e proletariatit, e cila, faktikisht s’është gjë tjetër, veçse diktaturë e egër e partisë komuniste. Shprehja diktaturë e proletariatit kësaj partie i duhet si perde tymi për të mashtruar popullin e thjeshtë, me qëllim që të fshehë diktaturën e saj.
Së treti, lufta e klasave, të cilën partia komuniste e shndërron në një mjet sa të fuqishëm, aq edhe të përbindshëm për shfarosjen e kundërshtarëve politikë dhe për përçarjen e popullit deri në përmasa tragjike. Lufta e klasave çon pashmangshmërisht në depersonalizimin e plotë të indivitit, i cili vjen e shndërrohet ca nga ca në një qenie të robotizuar.
Së katërti, zhdukja e fesë, si një institucion shpirtëror i njeriut që lidhet kryekëput me jetën e tij personale. Me zhdukjen e fesë, partia komuniste synon çrrënjosjen e kultit të Hyjnisë nga shpirti i njerëzve, me qëllim zëvendësimin e tij me kultin e individit të kryediktatorit.
Në romanin e rrallë në historinë e letërsisë shqipe, me titull “Diktatori në kryq”, të prezantuar në panairin e librit të vitit 2019, shkrimtarja e shquar Mira Meksi ka hyrë në botën e përsiatjeve të diktatorit, i cili kërkon që kulti i tij të hyjnizohet në mendjet e njerëzve. Dhe këtu ajo zbulon me art se njëra nga veçoritë e ushtrimit të pushtetit të diktatorit shfaqet në aftësinë e tij për ta ushqyer mbarë shoqërinë me qenien e vetvetes, çka çon në radhët e popullit në shpërthimin e shfrenuar të servilizmit të neveritshëm ndaj tij. Prandaj ai mundohet të futet në indin e jetës së vendit nëpërmjet pushtimit të çdo qoshke të tij. Kësisoj ai kërkon që në sytë e njerëzve të zërë vendin e Hyjnisë, me qëllim që t’i bindë se prej tij varet mirëqenia e tyre. Kështu që ata duhet të vendosin shenjën e barazisë mes diktatorit dhe shtetit, në kuptimin që nëse nuk ekziston diktatori, nuk ka më shtet. Kur diktatori synon që, përmes kultit të individit, të shndërrohet në Hyjni, ai arrin disa pikësynime. Ai kërkon t’u futë frikën njerëzve, pra, t’i detyrojë kundërshtarët politikë të mendojnë mirë para se të ndërmarrin ndonjë hap kundër tij, duke ua bërë të qartë se ai është i pamposhtshëm. Veç kësaj, në psikologjinë e njerëzve diktatori kërkon të krijojë bindjen se ai gëzon statusin e Hyjnisë, çka i siguron një pushtet politik absolut. Dhe, të vësh në diskutim pushtetin e diktatorit, është njëlloj sikur ke vënë në diskutim ligjet e natyrës. Nën presionin e furishëm të pushtetit absolut të diktatorit, edhe masat e gjera të popullit zënë e shushaten dhe, me kalimin e kohës, fillojnë të besojnë se ai ka tiparet e Hyjnisë. Një rol të rëndësishëm në nxitjen e histerisë për himnizimin e kultit të diktorit, luajnë mjetet e informimit masiv, letërsia artistike dhe artet e bukura. Kudo ekspozohen portretet e diktatorit, piktorët, skulptorët, kompozitorët, shkrimtarët dhe poetët krijonin vepra, në të cilat himnizohet figura e tij me aftësi hyjnore. Mes poetëve shqiptarë pati rënë në sy Ismail Kadarea, i cili “aftësitë hyjnore” të kryediktatorit Enver Hoxha i pati përjetësuar në poezinë me titull “Kur flet Enveri”. Aty lexojmë këto vargje qesharake me një kundërmim servilizmi të pështirë: “Bota pavarësinë më të rrallë se uraniumi e ka. / Ndaj kur një fjalë e gjallë për të / Çan mes sarkofagësh të vdekjes, / Një fjalë e gjallë për lirinë, / Bota vë veshin në përgjim. / Ndaj kur midis qiellit memorial të kësaj vjeshte / Fjalët e Enver Hoxhës ndeshin, / Bubullimat mënjanohen me nderim” (Citohet sipas: Milosao. Shtojcë e organit “Gazeta Shqiptare”. 27 qershor 2004, f. 13).
Regjisori rus i filmave dokumentarë Vitali Manski (1963), thotë:
“Putini po jeton në një realitet krejt tjetër, në një realitet “hyjnor”. Dhe, për pasojë, – vazhdon regjisori, – “pjesa dërrmuese e popullsisë ruse e përfshin atë në radhën e shenjtorëve” (Citohet sipas: “Ç’ka në kokë një diktator?”. Faqja e internetit “Novaja gazjeta”. 29 qershor 2016).
Së pesti, zhdukja e pronës private, e cila ka për qëllim që mbarë popullin ta kthejë në argat të shtetit komunist. Praktika 45-vjeçare e diktaturës komuniste në vendin tonë vërtetoi më së miri se zhdukja e pronës private çon në rrënimin e ekonomisë së vendit dhe në varfërimin e pandalshën të mbarë popullit, i cili në vitet ’80 arriti deri në atë shkallë mjerimi, saqë të kërcënohej nga degjenerimi gjenetik për shkak të mungesës së ushqimit dhe diktaturën komuniste ta shikonte në dritën e syrit për kafshatën e gojës. Një popull i varfër i duhet së tepërmi kryediktatorit se e sundon shumë më lehtë.
Mirë që Rama u rokanis kokën lexuesve me propagandën e tij për komunizmin “në anën e duhur të historisë”, po pse nuk u thotë atyre as edhe një fjalë të vetme për pesë shtyllat e mësipërme? Se Rama mund të binte edhe në përsiatje: po pa ato pesë shtyllat, komunizmi, si ideologji, a është e mundur të mbijetojë?
Por më shumë se dy vjet pas kësaj piruete politike, së cilës publicisti i njohur Frank Shkrel ia nxjerr bojën paq, Rama e harron tërësisht deklaratën e mësipërme për komunizmin “në anën e duhur të historisë” dhe, në një mjedis të huaj diplomatik, komunizmin në Shqipëri e “zhvesh lakuriq”. Ja se si u shpreh ai në atë mjedis:
“Asokohe, Shqipëria ishte një bunker në terr. Për thuajse gjysmë shekulli, ajo u zvarrit nën një nga regjimet komuniste më shtypëse në Europë, që e bëri vendin tonë, më duhet ta them, Korenë e Veriut të Europës” (Citohet sipas: “Mandati i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Rama nga Nju Jorku: Ngjarje me rëndësi historike. Më lini të dal jashtë skenarit dhe ta them troç…”. Faqja e internetit e gazetës “Panorama”. 15 shkurt 2022).
Tani lexuesit e nderuar, duke qenë në dijeni të këtyre lakadredhave politike të Ramës, vetvetiu nxjerrin përfundimin se ai vuan nga çekuilibri mendor.
Me sa duket, Rama vuan nga çrregullime në mekanizmin mbrojtës të psikikës, që do të thotë se ai e ka humbur aftësinë për ta mbajtur veten larg përjetimeve të pakëndshme. Një çekuilibrim i tillë i psikikës në psikologji quhet çrregullim disociativ, çka do të thotë se individi nuk është i aftë t’i përballojë përjetimet e pakëndshme. Në latinisht fjala disociativ (dissociatio) do të thotë, siç u përmend më lart, çrregullim në mekanizmin mbrojtës të psikikës. Ky çrregullim mund të jetë shkaktuar nga një traumë e rëndë emocionale, e pësuar sidomos në fëmjërinë e hershme, çka sjell si pasojë një sëmundje të rrallë psikike, gjatë së cilës individualiteti i njeriut sikur vjen e copëzohet dhe brenda qenies së tij menjëherë fillojnë të jetojnë dy, tre, katër apo edhe më shumë individë. Me këtë rast, në momente të caktuara, në qenien e individit bëhet një “ndërrim” – njëra pjesë e tij, si në një proces zinxhir, zëvendëson pjesën tjetër. Prandaj Rama, askushi i vitit 1992, mohon vetveten pas nëntorit të vitit 2005, pra, kur bëhet dikushi, kur vjen në krye të partisë socialiste. Egërsia e tij kundër komunizmit në vitin 1992, fashitet krejtësisht dhe, si kryetar i partisë socialiste, ai shndërrohet në një neokomunist të tërbuar, të etur tmerrësisht për pushtet personal. Kjo etje e papërmbajtur e shndërroi atë në një diktator shembullor brenda partisë, të cilën, me kalimin e viteve, e katandisi në një kope “bujkrobërish socialistë”, në një tufë kurrizshtuarish, pa kurrfarë dinjiteti personal. Domosdo që me qëndrime të tilla, pa bosht karakteri, Rama do të vinte te deklarata e vetvetishme në mbrojtje të komunizmit para deledeputetëve figurantë. Por, për ta shitur veten si antikomunist “të regjur” në sytë e botës perëndimore, në Nju Jork ai lëshoi deklaratën e mësipërme kundër komunizmit, duke shkelur mbi vetveten e vitit 1992 dhe mbi vetveten në Kuvend kur deklaroi se komunizmi na paska qenë “në anën e duhur të historisë”.
Pas këtyre deklaratave njëra më skandaloze se tjetra, lexuesi gjakftohtë rri e shtron pyetjen:
A ka fytyrë të vërtetë Rama dhe nëse ka, cila është ajo? Se deklaratat e mësipërme dëshmojnë shkoqur fare se Rama u dalluaka jo për dyfytyrësi, por për shumëfytyrësi?
Pikërisht shumëfytyrësia e tij të kujton një personazh të shkrimtarit amerikan Rei Bredberi (Ray Douglas Bradbury – 1920-2012). Ja çfarë shkruan ai për atë personazh:
“Atij i dukej sikur vetja i qe copëzuar, sikur i qe ndarë në disa pjesë dhe njëra pjesë qenkej e nxehtë prush, kurse tjetra e ftohtë akull, njëra delikate, e ëmbël, tjetra e egër, njëra emocionuese, tjetra e ftohtë gur. Dhe secila pjesë e “unit” të tij të copëzuar mundohej t’ia zhdukte farën pjesës tjetër”.
Me lakadredhat e tij të pafundme, karakteristike këto për një politikan, të zhveshur nga çdolloj morali, Rama, si një simbol i pastër i së keqes në vendin tonë, të sjell në kujtesë fjalët aq kuptimplote të matematikanit, fizikanit, letrarit, filozofit dhe teologut francez Blez Paskal ( Blaise Pascal – 1623-1662), i cili shkruan:
“E keqja ka shumë fytyra, ndërkohë që e mira, mund të themi, ka vetëm një fytyrë”.
Në vazhdim të fjalës së tij në Nju Jork, të cituar më lart nga faqja e internetit e gazetës “Panorama”, Rama theksoi:
“Anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit është një ngjarje me rëndësi historike për Shqipërinë… Më lini ta nis, duke dalë jashtë skenarit dhe duke e thënë troç, përkundër këshillës së ambasadorit dhe të të tjerëve: … Vetëm një imagjinatë pa fre do kish guximin ta ëndërronte diçka të tillë veç tri dekada më parë. Madje dyshoj se edhe imagjinata më e shfrenuar nuk do kish qenë dot aq e shfrenuar sa ta ëndërronte këtë tri dekada më parë”.
Është e qartë si drita e diellit se sikur Ramën të mos e gërryente përbrenda orë e çast kompleksi i inferioritetit, ai nuk do të guxonte kurrë të lëshonte një deklaratë të tillë që ia nxjerr bojën keq. Kjo për arsye se mandati i përkohshëm i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit nuk do të thotë absolutisht se vendi ynë paska “kapur qiellin me dorë”, sepse ky mandat është një ritual i zakoshëm për çdo vend tjetër kur i vjen radha, si anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Por këtë mandat për vendin tonë Rama e thekson dhe e propagandon me të madhe në të gjitha udhëkryqet, sepe kërkon t’ia ngrejë sa më lart autoritetin vetvetes, se “nuk i thonë shaka” që mandati në fjalë përkon pikërisht me kohën kur ai, dhe jo dikush tjetër, është kryeqeveritari i Tiranës, çka, sipas mendjes së tij të mykur nga ethet e pushtetit, do të thotë se kjo “aritje e jashtëzakonshme” ëshë plotësisht “meritë” e tij personale!!!
Deklarata e Ramës të kujton Frojdin (Sigmund Freud – 1856-1939), i cili thotë:
“Sa më imponues të mundohet të duket njeriu me paraqitjen e jashtme përmes fjalëve që thotë, aq më shumë demonë lëvrijnë brenda qenies së tij”.
Rasti Rama në pushtet që prej vitit 1998, një rast që ka lënë prapa edhe kryeshovinistin rus të ditëve tona Putin, i cili e gëzon kolltukun e kryediktatorit që prej marsit të vitit 2000, më kujton esenë me titull“E pse?!” të intelektualit të njohur nacionalist shqiptaro-australian Federik Radovani, të botuar në faqen e internetit “Fjala e Lirë” të datës 21 shkurt 2022. Në atë ese ai shkruan:
“Një Burrë i dijtun nga Korça, që prej vitit 1955 jetonte në Shkodër, ishte shumë i njoftun me emnin Prof. Petro Fundo. Ai ka pasë thanë në 1985: “Diktator si Enver Hoxha, kushedi sa kohë sundojnë edhe pas vdekjes…”.
Pra, megjithëse kryediktatori Enver Hoxha ka gati 37 vjet që ka ikur në amshim, prapëseprapë enverizmi nuk ka vdekur në asnjë mënyrë, nuk ka vdekur stili i qeverisjes enveriste, mbartës i së cilës është Rama dhe turma e “bujkrobërve socialistë” që e ndjekin nga pas pa përtim. Deri kur do të vazhdojmë me këtë gjendje, o popull shqiptar? Mos vallë derisa Shqipëria të zbrazet tërësisht nga brezi i ri dhe brezi i mesëm dhe aty të mbeten vetëm mbi 600 mijë pensionistë, çka përbën vënien në jetë të strategjisë së kahershme të ortodoksisë serbosllave për shpërbërjen tërësore të kombit shqiptar, strategji që Rama po e zbaton si argat besnik i saj? Kjo strategji tmerrësisht armiqësore jo vetëm ndaj Republikës së Shqipërisë, por edhe ndaj mbarë kombit shqiptar, i kishte rënë në sy edhe eurodeputetes Doris Pak, e cila, në tetor të vitit 2015, pati deklaruar publikisht:
“Pashë shifrat e azilkërkuesve shqiptarë në muajin shtator në Gjermani dhe janë vërtet të pabesueshme. Ndoshta është një koiçidencë, por shtrohet pyetja, pse shqiptarët nuk iknin para se Shqipëria të ishte një vend kandidat dhe ikin tani që Shqipëria është një vend kandidat? Besoj se ka një lidhje me situatën politike” (Citohet sipas: “Pack: Pse shqiptarët po ikin tani që është Rama kryeministër?”. Marrë nga faqja e internetit “Gazeta Shqiptare”. 30 tetor 2015).

Feniks, Arizona
17 mars 2022

Orakulli shqiptar – Cako – ose futja kot, se ia futë bukur

0

Arben Çokaj - gazetar Arben Çokaj

Pasi baloshi Trump hodhi COVID-19, që të fitonte zgjedhjet pa fushatë, me idenë se po shkatërron Kinën, dhe nuk i doli ashtu si e priti, se kjo iu kthye në bumerang Amerikës e shoqërive liberale, më pas u krijua shoqëria konspirative QAnon, me kreun e saj Mr. Q, i cili ishte një ish-agjent i shërbimeve sekrete amerikane. Dhe teoritë konspirative lulëzuan më pas, ku doli në dritë edhe Cako, që kishte kohë që merrej me këto teori, botonte libra përmes Helga Secret, shtëpisë botuese të tij, në emër të vajzës, e përmes tyre e sqaron edhe botën, që nga injoranca e tokës së rrafshët e deri te vaksina me fetus

Këta, për të justifikuar poshtërsitë e baloshit, ia hidhnin fajin për hordhëqet e kësaj bote anonimatit, grupimeve fantazmë, që këta krijonin në mendjen e tyre dhe i quanin Iluminati1, tani Cako flet për kill-luminatin, dmth. për Iluminatin që vret, Qabala – një grup i hershëm hebre, që merrej me teori sekrete, që është edhe emri i një qyteti në Azerbajxhan, qeverisë botërore, grupit të 300-ve, etj. dmth. organismave fantazmë, që nuk ekzistojnë, ose kanë ndikim modest në botë, por që gjoja, e komandojnë të gjithë botën, dhe janë përgjegjëse për të gjitha gjërat që ndodhin në tokë.

Pra, për të tretur qokun, për ta larguar nga përgjegjësia administratën amerikane, ata ia hedhin fajin anonimatit, sikur jo administrata e shtetit amerikan, etj. por një grupim tjetër i komandon gjërat në botë. Të gjitha poshtërsitë në botë i bëjnë në fakt shtetet e ndryshme dhe shërbimet e tyre sekrete e më gjerë, por teoricienët konspiorativë mundohen qëllimisht, të krijojnë idenë, se të gjitha këto gjëra ndodhin për një arsye, se dikush po na kontrollon e dominon.

Po feja si e ngriti kultin e vet, që sundon mendjet e njerëzve për mijëra vjet? Përmes autoritetit anonim. Feja tha në kohën e saj primitive dhe empirike të krijimit, se gjithçka në botë është krijuar nga askushi. Ai është i madh dhe i fuqishëm dhe i komandon gjërat në tokë. Por ai nuk duket, nuk del në dritë, se i trembet njeriut… Dhe njerëzit vazhdojnë e besojnë në pafuqinë e tyre mendore, kohore dhe fizike…

Dhe këto teori konspirative merren, për rrjedhojë, siç edhe mund të kuptohet me gjithçka. Ngaqë janë të trashë dhe kanë disa info, i sqarojnë gjërat në mënyrë empirike. Prandaj bien edhe në marrina të tilla, sa ta hapin barkun, si vaksina me chip, vaksina me fetus, me kristale qelqi aq të vogla sa nuk shihen as me mikroskopin më të fuqishëm, etj., apo pretendime si toka e sheshtë, që ka qenë si ide e botës, para modelit heliocentrik të Kopernikut, dmth. krejt në fillesat e saj. Në ato që thonë, një njeri me dije e kulturë mesatare e vëren menjëherë mungesën e konsistencës aty. Prandaj unë i quaj këto edhe si teoritë e rrenave.

Tani meqë Cako u bë i famshëm, me ato që di e ka dëgjuar, këtij i duhet tani të japë sqarime për botën në përgjithësi, si një teolog konspirativ, dhe i tremb njerëzit me parashikimet e tij sofiste e okulte, sipas atyre teorive dhe shpesh e vëren se bie në nivelin banal, apo gjendet në situatën “futja kot”, sa për të mbushur kohën televizive. Normalisht se kemi të bëjmë me njerëz me fiksacione e psikoza, që ndikohen më shumë nga kjo.

Edhe për luftën në Ukrainë, Cako ka përgjigjen e tij. Hyjnizon Putinin, atë diktator, dhe poshtëron Zelenskyn, një hero i popullit të tij, i cili me përpjekjen e tij për liri, mundet se dështon, dhe e dëmton edhe Ukrainën, në këtë luftë të tmerrshme me Rusinë, pasi u fut në lojë nga amerikanët, me idenë se ata do e përkrahin, dhe janë duke e përkrahur aq sa munden, por nuk i dihet ende se kush do të fitojë. Por Zelensky dhe populli ukrainas është trim, dhe e meritojnë lirinë për të cilën po luftojnë.

Unë nuk e quaj zgjuarsi këtë që bëri Zelensky, pasi me një marrëveshje paqësore, Ukraina kishte përfituar më shumë nga Rusia, sesa nga kjo luftë shkatërrimtare, por në ëndrrën e tyre për liri, e kuptoj Zelenskyn dhe popullin ukrainas, të cilëve u ka ardhë majë hundës nga dominimi rus, dhe duan të shkëputen prej tij, pavarësisht kostos, që ata po paguajnë. Pra, jam me Ukrainën, dhe popullibn e saj në të drejtën e tyre dhe rrugën e tyre drejt Europës. Pavarësisht se as Europa, nuk është parajsë. Ka edhe ajo problemet e saj.

Gjatë bisedës së fundit te Rrethi katror i Manushit në TCH, të dielën me 13 mars, Cako preku edhe temën e naftës në Shqipëri. Prodhohen rreth 1 mijë ton naftë bruto tek ne, dhe na e vjedhin të gjithën. Nuk dihet nëse Bankers Petroleum – kompani amerikane, që menaxhon 90% të hajnisë, paguan ndopak tatime, apo nëse shteti shqiptar fiton ndonjë lek nga kjo naftë, që po i vidhet në mënyrë barbare. Nuk kemi të dhëna.

Para se të vinte në pushtet, Edi Rama, e ngriti këtë problem, dhe e kritikoi me këtë video, hajninë e tmerrshme që po i ndodhë burimeve shqiptare – por që më pas nuk ndryshoi gjë.

Cako tregonte me zgjursinë e tij a’la futja kot, se ky i nisi një mesazh Ramës në atë kohë, duke i thënë se kushdo qeveri të vijë në pushtet, nuk ka se çfarë i bën naftës sonë, që po vidhet. Dmth. ky i thoshte Ramës, kujdes, lëri të na vjedhin, se Soros qëndron pas Bankers Petroleum. Dhe nëse ti provon t’i ndalosh, sipas Cakos, ata do të shkatërrojnë. Pra, sipas Cakos anonimati na e ka në dorë jetën në këtë rast, kill-luminati…

Konceptet shoqërore që në lashtësi kanë qenë të tilla, njerëzit tremben më shumë nga padija e tyre, nga autoritetri anonim, se sa nga një përbindësh që duket. Dmth. kaq e rrezikshme është padija, në këtë rast, sa psh. në Ukrainë, më i rrezikshëm është kill-luminati i paduksghëm, që komandon edhe Putinin, sipas asaj që artikulon Cako, se vetë Putini e ushtria ruse. Sepse sipas Cakos, Putinin nuk e detyrojnë të bëjë luftë interesat e Rusisë, shërbimet e tij sekrete e ushtarake (që nuk pjerdhin për fantazmën Iluminati), ngacmimet që ai mund të ketë marrë nga Ukraina, për grupe naziste si Azov, apo për laboratore të rrezikshme biologjike, por e detyron të bëjë luftë kill-luminati. Dmth. futja pordha Cako se na kënaqe.

Ne nuk kemi shtet të rregullt shqiptar, nuk kemi organe drejtësie e prokurori funksionale, kemi korrupsion të madh e gjithë-përfshirës, dhe nuk jemi komb shtet-formues, prandaj Rama me të tijtë kanë synimin të vjedhin sa të munden në këtë vend, se po të ishte ndryshe, hajnia në naftën shqiptare e më gjerë nuk do të lejohej të ndodhte nga frika e Cakos, por ja që nuk kemi shtet të rregullt, ok?! E përderisa jemi shtet i vogël dhe pa besim në vetvete, themi: “më mirë mut, se i vogël” dhe pranojmë pastaj edhe kësi gjërash kaq absurde e qesharake!

Cako – si fallxhorët klasikë, që marrin përvojat e jetës dhe parashikojnë të ardhmen, edhe ai me ato që di, në optikën e tij konspiative parashikon se çfarë mund të ndodhë, duke ngjallur frikë e duke pretenduar se “ja, e kishim thënë më parë“, në mënyrë që të trembin njerëz e të tërheqin vëmendjen, pasi njerëzit vetë e kanë këtë natyrë, kanë dëshirë të gënjehen e mashtrohen, mjafton që ata të ndihen mirë, ose të veçantë me këtë!

Nëse do e vërenim me kujdes, Cako ka gënjyer sa herë në parashikimet e tij “absolute“. Tha se do fitojë Trump, e nuk fitoi. U detyrua më pas të hante rrenën: “ia vodhën zgjedhjet”, prapë Iluminati. Tha se humbet Rama në zgjedhjet e fundit, e Rama fitoi. Tani e justifikon me hajninë e zgjedhjeve edhe këtë, Po ç’rëndësi ka kjo? Humbet tjetri, pavarësisht si humbet, ndërsa Cako parashikonte ndryshe. Por Cako vazhdon në të tijën!


1. Historikisht, emri zakonisht i referohet Iluminatit bavarez, një shoqëri sekrete e epokës iluministe, e themeluar më 1 maj 1776 në Bavari, sot pjesë e Gjermanisë. Qëllimet e shoqërisë ishin të kundërshtonte supersticionin, obskurantizmin, ndikimin fetar mbi jetën publike dhe abuzimet me pushtetin shtetëror. “Rendi i ditës,” shkruanin ata në statutet e tyre të përgjithshme, “është që t’i jepet fund makinacioneve të furnizuesve të padrejtësisë, për t’i kontrolluar ata pa i dominuar ata.” Shoqëritë Iluminati – u shpallën të jashtëligjshme përmes dekretit nga Charles Theodore, Zgjedhësi i Bavarisë, me inkurajimin e Kishës Katolike, në 1784, 1785, 1787 dhe 1790. Gjatë viteve të mëvonshme, grupi në përgjithësi u fye nga kritikët konservatorë dhe fetarë, të cilët pretendonin se Illuminati vazhdonte të fshihej dhe ishin përgjegjës për Revolucionin Francez.

Pas më shumë se tre dekadash mbulimi për Rusinë, largohem i dëshpëruar

0

Një burrë e ka shuar shpresën e ndritur,
që shumëkush e ndjeu dikur

Nic Robertson
Nic Robertson

Analizë nga Nic Robertson, CNN11 mars 2022Përktheu Arben Çokaj

(CNN) Po largohem nga Moska i zemëruar dhe i trishtuar.

Ndjehet si një kalim nga errësira në dritë, për të lënë pas miq të bllokuar në vizionin e tunelit të një njeriu.

Presidenti rus Vladimir Putin nuk po shkatërron vetëm Ukrainën, por dy kombe, duke dënuar rusët në një izolim, që ata nuk e kanë zgjedhur domosdoshmërisht.

Gjatë dy muajve të fundit, ndërsa raportoja nga Moska, kam takuar shumë njerëz që kanë qenë të tmerruar, të tronditur dhe të mpirë nga agresioni i pakujdesshëm i Putinit. Disa prej tyre e besuan kur tha se nuk do të pushtonte Ukrainën. Disa madje njihnin lojtarë në rrethin e brendshëm të Kremlinit dhe mendonin se i kuptonin linjat e kuqe të Presidentit, por tani ky besim është i fryrë dhe kanë frikë se ai nuk ka fare kufij.

Ajo që i bën veprimet e Putinit edhe më të turpshme është se si ai e ekzekutoi komplotin e tij në pamje të qartë. Duke shpërqendruar me njërën dorë, duke e fiksuar vëmendjen te diplomacia, edhe pse këmbëngulte në mënyrë të rreme se trupat e tij në masë po kryenin stërvitje në kufijtë e Ukrainës.

Moskovitët e zakonshëm as nuk u zmbrapsën, pasi ai e kreu këtë tradhti duke e marshuar kombin në luftë me një koktej ankesash të ziera me kujdes.

Putini kaloi vite duke ndërtuar një narrativë të rreme së bashku me perandorinë e tij. Dëshirat që atij iu mohuan, të tilla si tërheqja e NATO-s në linjat e 1997 ose ndalimi i Ukrainës nga anëtarësimi, ishte faji i Perëndimit, pretendoi ai. Por nëse Putin besonte se siguria e Rusisë ishte e kërcënuar dhe se bota moderne perëndimore ishte përballur me të, e vërteta ishte se ai kurrë nuk u përshtat me dinamikën e ndryshimit të shekullit 21.

Një shije lirie

Vizita ime e parë në Moskë erdhi në vitin 1990 jo shumë kohë pasi Perdja e Hekurt filloi të bjerë. E kisha parë Murin e Berlinit të rrëzohej vitin e kaluar, duke paralajmëruar ribashkimin e Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore, dhe isha në Bukuresht pak më vonë kur u rrëzua presidenti rumun Nicolae Ceaușescu.

Në atë kohë, një paketë me cigare amerikane Marlboro tundej në anë të rrugës jashtë zyrës së CNN në rrugën mbresëlënëse Kutuzovsky Prospekt, të bënte një udhëtim me taksi, një paketë tjetër e paguar për një prerje flokësh. Moska më në fund po lidhej me botën; byroja jonë kishte linja telefonike, që unë i ndihmova t’i instaloja si inxhinier i ri, të cilat ishin shtesa të drejtpërdrejta satelitore në centralin tonë të Atlantës.

Presidenti amerikan George H. W. Bush dhe Presidenti Sovjetik Mikhail Gorbachev shtrëngojnë duart në korrik 1991.

Gjatë atyre ditëve të gjata dhe të ndritshme të verës, udhëheqësi i fundit i BRSS, Mikhail Gorbachev, i dha rrjetit tonë lejen për të ngritur një skenë në Sheshin e Kuq në qendër të kryeqytetit rus. Ne ishim mediat e para perëndimore që transmetonim drejtpërdrejt nga terreni i parakaluar ushtarak, oborre nga varri i Leninit nën hijen e mureve me tulla paraprake të Kremlinit dhe ishim dëshmitarë të Kongresit të fundit të Partisë së Bashkimit Sovjetik.

Bota po ndryshonte, Lufta e Ftohtë po shkrihej, horizonte të reja dukeshin dhe një brez rusësh ishte gati të shijonte liritë që dëshironin.

Shtatë vjet më vonë e ndihmova Gorbaçovin — i cili ishte rrëzuar nga pushteti jo shumë kohë pas debutimit tonë në Sheshin e Kuq, i rrëzuar pas një grushti shteti dhe pasuar nga alkoolisti Boris Yeltsin — të ngjiste një shkallë hekuri të rrënuar në një skenë tjetër live në krye të një hotel i ri i mrekullueshëm me zinxhir perëndimor, ku po mbulonim zgjedhjet atë vit. Demokracia dukej gati.

Netët në Moskë në vitin ’97 ishin të egra, me argëtues që kërcenin në bare. Vendi ishte në një shëtitje, me pasuri të mëdha për t’u bërë, oligarkë të sapokrijuar ndërsa rojet e gjahut u kthyen në gjuetarë të paligjshëm, aparatçikët e KGB-së u bënë donatorë mafiozë, që blinin asete shtetërore dhe Putini po shkonte drejt pushtetit.

Në minutat e fundit të shekullit të 20-të, Yeltsin e nxori Putinin nga mjedisi i korruptuar nga paratë në Kremlin për ta zëvendësuar atë si President rus — dhe në këmbim, Jelcin, i cili kishte luftuar me akuzat për korrupsion, mori imunitet nga ndjekja penale.

Për njëfarë kohe, pasi Putini erdhi në pushtet në fillim të mijëvjeçarit, pati një dritë të modernizuesit për liderin e ri të Rusisë, por ky reputacion nuk zgjati shumë. Me pasion të shfrenuar, ai shpejt u fut në nacionalizëm, përqafoi nostalgjinë perandorake dhe konservatorizmi i Kishës Ortodokse Ruse ngjalli dyshimet e epokës sovjetike ndaj perëndimorëve dhe e mbyti mospajtimin. Asnjë nga këto nuk u bë për ta bërë Rusinë një vend më të mirë për të jetuar; thjesht ia bëri më të lehtë sundimin.

Ai hodhi shpejt të gjitha gjurmët e lëkurës liberale që ai pranon se nuk ishte kurrë i tij: në mendjen e tij, shpërbërja e Bashkimit Sovjetik kishte qenë një fatkeqësi kombëtare dhe një fatkeqësi, që ai synonte ta korrigjonte. Dhe megjithëse ai erdhi në pushtet duke u zotuar për të çrrënjosur korrupsionin, në realitet ai u ngrit vetëm nën sundimin e tij.

Këtë vit, ndërsa kam qenë në Moskë duke mbuluar ngritjen dhe shpërthimin e luftës në Ukrainën fqinje, u bë e qartë për mua me dhimbje se, ashtu siç bënë nazistët në Gjermani gjatë viteve 1930 dhe 40, Putinit i janë bërë ligje me urdhër të tij. Dhe si shumë njerëz të fortë para tij, Presidenti rus po çliron pa mëshirë aparatin shtetëror të bindur dhe bashkëpunëtor që ai vetë ndërtoi, për t’i zbatuar ato me bindje.

Me pak fjalë, çdo dëshirë e tij realizohet me lehtësi.

Një inat i ndezur

Ditët e fundit, arteriet e bllokuara të Moskës kanë pulsuar deri te dritat blu vezulluese të automjeteve të policisë të çdo madhësie dhe forme, nga policët e thjeshtë të trafikut te kamionët e ngarkuar me protestues të arrestuar së fundmi, sirenat e tyre të forta që këmbëngulin, që trafiku tjetër t’u jepet atyre ndërsa ata shpërthejnë në rrugën e tyre.

Ndërsa më shumë qytete ukrainase u shkatërruan nën bombardimet ruse, policët e gatshëm për trazira detyruan shkrimin orwellian të Putinit për të shtypur çdo simpati për fqinjët e tyre. Në të gjithë Rusinë, më shumë se 1000 protestues në ditë arrestoheshin gjatë javës së parë të luftës.

Ne shikonim si të rinj dhe të moshuar, burra dhe gra përplaseshin me trup, krahët e përkulur në mënyrë torturuese pas shpine, fytyra të përplasura në dysheme, këmbët të shpërndara nga një makinë njerëzore e stërvitur mirë, e paguar mirë, kërcënuese. Për këtë qëllim është rritur një degë e shtetit, e cila tani po përdoret në mënyrë të patundur.

Putin mban një fjalim gjatë një parade ushtarake të Ditës së Fitores
në Sheshin e Kuq në Moskë në 2018.

Ka një zemërim të zjarrtë kur sheh se çfarë po ndodh si në Ukrainë ashtu edhe në Rusi, duke e ditur se të pafajshmit do të vuajnë dhe e gjen zërin tënd të mbytur dhe duke luftuar për të bërtitur kundër çmendurisë së sajuar të qartë të justifikimit të Putinit për luftën.

Çdo akt i egër moralisht i neveritshëm i dëshmuar është një tjetër qymyr për atë zjarr të brendshëm. Çdo mbrëmje e ftohtë, duke parë protestuesit e arrestuar, për guximin për të vënë në dyshim luftën e Putinit, duke guxuar të shprehin pikëpamjet e tyre, kthehet në një flakë të furishme.

Edhe kjo, si lufta në Ukrainë, është pika e sfidës së autokracisë ndaj demokracisë, ku liria takohet me forcën brutale dhe ligjet cinike.

Putin e ka formësuar shtetin rus tërësisht sipas imazhit të tij, një lëvizje që nuk do të korrigjohet lehtë. Shumica janë të turpshëm, bashkëfajtorët janë shumë të thellë për t’i kthyer veprimet e tyre, miqtë e tij të sanksionuar janë paralajmëruar të gëlltisin zemërimin e tyre dhe të marrin humbjet për ekipin si patriotë të vërtetë.

Në rrugët anësore larg policisë së trazirave, protestuesit kundër luftës i mbysin ndjenjat e tyre teksa na tregonin agonitë e tyre, të “dashurisë së Rusisë”, “urrejtjes së Putinit” dhe të grisur nga dëshira për të qenë “kudo” përveç këtu.

Putini ka mbjellë një korrje të hidhur, me dënimin ndërkombëtar që përforcon artificat e tij, duke forcuar dorën e tij duke i mbyllur gojën atyre që nuk dëshirojnë. Media e pavarur, në mbështetje të jetës që kur shërbimet ruse të sigurisë dyshohet se helmuan liderin e opozitës Alexey Navalny pothuajse dy vjet më parë, befas po mbytet nën ligjet e reja të ashpra të mediave që ngërthejnë çdo kritikë, e dënueshme me deri në 15 vjet burg.

Më pak se një muaj para pushtimit të Putinit, takova spikeren Ekaterina Kotrikadze të TV Rain, një nga stacionet e fundit të pavarura. Fjalët e saj atëherë ishin profetike: “Nuk mund të jesh kurrë i sigurt se nesër stacioni juaj televiziv do të jetë akoma live dhe në transmetim“.

Ditë pas fillimit të luftës, Putini e mbylli atë. Kotrikadze, një zë elokuent i shpresave të ndritshme të zhveshura të Rusisë, tani është në arrati, jashtë Rusisë me burrin e saj redaktor dhe fëmijët e tyre të vegjël të zgjuar. Vendi është më i errët pa to.

Policia ruse arreston një protestues në qendër të Moskës më 6 mars.

I ashtuquajturi “Operacioni Special Ushtarak” i Putinit në Ukrainë duket si të gjitha luftërat e tij të mëparshme: Siri, Çeçeni dhe Gjeorgji. Jetë të shtypura, qytete të shkatërruara verbërisht nga raketa me rreze të gjatë dhe predha artilerie për të ngopur vizionin e tij.

Është e pamundur të dihet se ku përfundon inati i tij, në Ukrainë apo më gjerë. Putin këmbëngul se Ukraina nuk është një vend i vërtetë, dhe në fakt pjesë e Rusisë, por a do të ndalet ai edhe nëse e pushton atë? Apo është NATO, siç pretendon ai, problemi i vërtetë, duke sugjeruar se ai mund të ndalet në kufirin e aleancës ushtarake perëndimore? A do të ketë një perde të re të hekurt apo do të shpërthejë Lufta e Tretë Botërore si ajo e fundit — nga dëshirat mashtruese llogaritëse të një njeriu?

Në Moskë nuk ka nevojë t’i përgjigjemi kësaj. Rrugës për në aeroport të shtunën, pashë atë që dukej të ishte stuhia e kalorësisë së Putinit, e kaluar me shpejtësi marramendëse në një flakë dritash vezulluese dhe sirenash, trafiku në drejtim të tij ishte i ndaluar nga rruga. Ishte një kujtesë në kohën e duhur, nëse kisha nevojë për një të tillë, të një perandori të padiskutueshëm në fushën e tij.

Një pjesë e dhimbjes për të parë gjithë këtë është të dish se kaq shumë nga pasuria e madhe e intelektit dhe burimeve të Rusisë janë të pashfrytëzuara. Ndërkohë, një njeri dhe miqtë e tij po e shkatërrojnë vendin.

Ajo që unë e di me siguri, ndërsa largohem, dhe do të vazhdoj të mbaj të gjitha të nesërmet e shëmtuara, që Putini është gati të shkaktojë, është se kjo është lufta e tij dhe jo e Rusisë. Pyetja me të cilën përballet bota sot është se si ta bëjmë të qartë këtë dallim.