Kreu Blog Faqe 1550

Pse e dua Albin Kurtin?

0
Lirim Gashi, Prishtinë
Sepse mendja e tij është e hapur dhe e ndritur, ndërsa karakteri i tij stabil, i vendosur, i pastër si loti, i ndershëm, human, besnik, fisnik, i dashur, i guximshëm, paqësor, mirëdashës dhe atdhetar.
Sepse është deri në indet e kromozomeve edhe njeri edhe shqiptar.
Sepse është edhe kosmopolit edhe atdhetar.
Sepse ia fut këmbët të gjithë kriminelëve serbë dhe tradhtarëve shqiptarë në një këpucë dhe në gojë nga një luc.
I love Albin Kurti. Ti je vëllai im më i mirë.
Vuçiqi, Daçiqi, Bërrnapiçka dhe zvarraniket e tyre shqiptarë, vetëm mund të vajtojnë, të fotografohen dhe të nguliten në mullar.
I am so happy që më në fund e kemi një Kryeministër 100% të ditur, të ndershëm, të guximshëm, të vendosur, kosmopolit, atdhetar dhe shqiptar.

Arsimi i fëmijëve në shkollat shqipe të mësimit plotësues në Zvicër, detyrë dhe vlerë kombëtare

0

Nga: Nexhmije Mehmetaj

Mijëra e mijëra bashkatdhetarë, për shkaqe ekonomike, politike e shoqërore kanë ardhur nder vite në Zvicër. Fillimisht erdhën individualisht si punëtorë stinor e më vonë sidomos në vitet ’90 të shekullit që lëmë pas, gjatë regjimit të Millosheviqit në Kosovë u krijuan kushte detyruese që prindërit të merrnin me vete edhe familjet.

Në këto rrethana, për ta ruajtur e për të kultivuar gjuhën amtare dhe identitetin kombëtar te fëmijët shqiptarë, u hapën shkollat e mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Një mbështetje e tillë nga vendi pritës dhe nga Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptar “Naim Frashëri” përbën një rrugëzgjidhje të efektshme për konsolidimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Shkolla e parë shqipe e pavarur u hap më 20 shtator 1990 në Glarus dhe më pastaj shkolla me mësim plotësues u hapën në 18 kantone tjera. Intensiteti për mësimin e gjuhës shqipe ka qenë më i madh në vitin shkollor 1996/97 numri i nxënësve arriti deri në 6.295 dhe ka një si fashitje gjatë këtyre 10 -15 vjetëve të fundit.

Qëllimi dhe përfitimet nga mësimi shqip

Shkolla ka për qëllim që fëmijët shqiptarë ta zotërojnë sa më mirë gjuhën e folur amtare shqipe dhe atë të shkruar, ta kultivojnë dhe të njohin letërsinë shqiptare, historinë dhe gjeografinë e vendit të të parëve.

Mësimi i gjuhës amtare fillon të zhvillohet në familje, vazhdon të përvetësohet në shkollën e mësimit plotësues ku përvetësohen të katër shprehitë komunikuese gjuhësore: të dëgjuarit, të folurit, të lexuarit, të shkruarit.

Çelësi i suksesit padyshim është kur fëmijët fillojnë të përdorin elemente të gjuhës së shkruar dhe të lexojnë e zgjerojnë thesarin e tyre leksikor, zhvillojnë aftësitë e të shprehurit dhe nxënë kështu gradualisht gjuhën amtare e cila bëhet gjithnjë e më e rëndësishme, si në shkollë, ashtu edhe jashtë saj. Në mënyrë të theksuar forcohet edhe kompetenca e orientimit mes gjuhës standarde dhe dialektit. Gjithashtu mësimi shqip, frenon ndikimin e tepruar të huazimeve nga gjuhët e vendit pritës. Dallimet mes një folësi që ka ndjekur mësimin shqip dhe atij që shqipen e ka mësuar vetëm në gjirin familjar janë të dukshme.

Mësimi shqip luan rol thelbësor në ndërtimin e dygjuhësisë

Fëmijët duke ditur shqipen (L1 ) si dhe duke nxënë në shkollën zvicerane njërën nga gjuhët e vendit pritës gjermanishten, frëngjishten apo italishten (L2) në ketë mënyrë ndërtojnë një identitet dy kulturor dhe dygjuhësor.

Mbi një bazë të thjesht nxënësit/et përdorin shqipen me pjesëtarët e familjes, rrethin më të gjerë si dhe me të afërmit kur kthehen në vendlindje, ndërsa gjuhën e vendit pritës, të shkollës së përditshme që medoemos duhet ta nxënë deri në nivele më të larta shprehëse, shtrohet si domosdoshmëri që kërkon mjedisi, për të u arsimuar dhe integruar në shoqërinë pritëse.

Fëmijët që e dinë mirë gjuhën shqipe arrijnë sukses më të mirë në shkollën zvicerane.

Pedagogu zviceran Prof Dr Georges Lüdi duke folur për dygjuhësinë e fëmijës ndër të tjera shkruan: Aftësia e fëmijës normal për të mësuar dy apo shumë gjuhë  praktikisht është e pakufizuar. Mësimi i një gjuhe të dytë, të tretë, të katërt nuk përfaqëson, për ta ndonjë mbingarkesë njohëse. Por që  të kemi një gjuhë të dytë të zhvilluar mirë, medoemos duhet që të jenë themelet e forta të gjuhës së parë. Nëse gjuha e parë L1 ka themelin e fortë mbi te do të zhvillohet mirë gjuha e dytë L2. Kështu do të vlerësohet dygjuhësia funksionale e fëmijës.

Edhe albanologu zviceran Prof Dr Dr Basil Schader (2005) në studimin për rëndësinë e gjuhës amtare dhe suksesin shkollor të nxënësve shqiptarë në Zvicër thotë: “Nxënësit që kanë ndjekur mësimin plotësues të gjuhës shqipe janë së paku për gjysmë note më të mirë sa ata që nuk kanë vijuar mësimin e gjuhës shqipe”.

Me gjithë këto të mira që ka mësimi i gjuhës shqipe, numri i fëmijëve që ndjekin mësimin shqip është mjaft i ulët. Shumica e fëmijëve shqiptarë kanë braktisur gjuhën shqipe si diçka të pa rëndësishme, kanë  humbur njohurit gjuhësore të shqipes, iu kanë përkushtuar vetëm mësimit në gjuhën e vendit pritës, kanë mësuar gjermanisht apo frëngjisht por kanë mbetur analfabet në gjuhën amtare, nga mundësia për të folur e shkruar dy gjuhë,  kanë mbetur me një gjuhë.

Për situatën dygjuhësore ndër shqiptare po sjellim përsëri mendimin e Prof. Dr Dr Basil Schader, në studimet e tij Gjuha shqipe në kontakt me gjermanishten në Zvicër thotë: ”Shqiptarët, nga ana e tyre, sidomos ata të brezit të dytë a të tretë, janë ballafaquar me detyrën e vështirë që të ndërtojnë, në kontekstin e ri shoqëror, një identitet dy kulturor e dygjuhësor, i cili as nuk bie në kurthin e asimilimit, as në atë të vetë izolimit.”

 Qëndrimet e prindërve ndaj mësimit shqip

Brezi i parë i mërgimtarëve me njohuri minimale të gjuhëve të shtetit pritës e favorizoi më shumë mësimin shqip përkundër rrethanave jo të favorshme të asaj kohe.

Brezi i mesëm i mërgimtarëve është më indiferent ndaj mësimit shqip, prindër me bindje të gabuar se mjafton të flitet shqip me fëmijë dhe jo nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë për të mësuar gjuhën e kombit të vet. Thënia e shumë prindërve se mësimi i gjuhës amtare e pengon mësimin e gjuhës së dytë është plotësisht i gabuar.

Tek brezi i ri ( prindër të arsimuar në shkollat zvicerane), kanë  njohuri të pakta të shqipes, për të ia transmetuar fëmijës. Kjo kategori e prindërve nuk e flasin më gjuhën shqipe as në familje, është vënë re presioni i fëmijëve që ushtrojnë mbi prindërit ( me sukses ) që mos të shkojë në mësimin shqip. Këto qëndrime të fëmijëve, prindërit i marrin si të drejta. Duke thënë se fëmija im nuk po donë të shkojë në shkollën shqipe.

Në situatën që ka të bëjë me qëndrimet, brezat e dy niveleve të fundit janë në rrugë e sipër të asimilimit nga bashkësia mbizotëruese për shkak se gjuha e parë në të shumtën e rasteve nuk flitet më as në familje.

Është realitet se mësimi shqip është detyrë dhe vlerë për çdo fëmijë shqiptar.

Prandaj  është e nevojshme të merret parasysh rëndësia e një qasje dygjuhëshe në mënyrë që të mbështetet më mirë zhvillimi i gjuhës shqipe.

Delemont, 29.09.2021

 

Liria e shtypit – Kjo ferrë në sytë e politikanëve shqiptarë

0

Nga: Frank Shkreli

Ky ishte titulli i një shkrimi mbi lirinë e shtypit në Shqipëri që kam shkruar në vitin 2015, si një reagim i imi ndaj deklaratave të zyrtarëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë në atë kohë Frank Shkreli/ Liria e shtypit, kjo “ferrë“në sy të politikanëve shqiptarë | Gazeta Telegraf, drejtuar medias shqiptare, ose “Kënetës mediatike” shqiptare, siç preferonte ta cilësonte Kryeminsitri Rama në atë kohë. Gjatë viteve, fjala e lirë dhe liria e shtypit kanë qenë dhe janë subjekte të preferuara për tu trajtuar, sidomos, përballë sulmeve dhe kritikave nga pushtetarët shqiptarë. Raste të tilla reagimesh anti-media, gjatë viteve, ku liria e shtypit dhe fjala e lirë duket se konsiderohen si pengesa kryesore e pushtetarëve shqiptarë, ka pasur dhe ka mjaft, sidomos në Tiranë.  Mbizotëron një atmosferë ku gazetarët dhe shtypi konsiderohen të rrezikshëm, veprimtaria e të cilëve duhet frenuar dhe kontrolluar — në sytë e politikanëve shqiptarë të të gjitha ngjyrave, pa përjashtim.  Janë shumë raste për të përmendur kur dhe sa herë janë bërë përpjekje dhe janë marrë masa efektive të kontrollit qeveritar ndaj medias gjatë këtyre 30-viteve “pluralizëm”, për të kontrolluar dhe penguar edhe ashtu gjysëm lirinë e veprimtarisë së medias në Shqipëri, duke shkaktuar në këtë mënyrë, edhe përhapjen e vet-censurës nga gazetarët e frikësuar se nëqoftse nuk i përshtaten vijës zyrtare mund të humabsin edhe punën, si rrjedhim i trysnisë zyrtare, kërcënimeve dhe frikësimeve të dala nga qarqet politike dhe mbështetsve të tyre, ndaj punës së përditshme të gazetarëve.

Nuk besoj të ketë patur ndonjë subjekt tjetër me rëndësi publike – siç është liria e shtypit — që ka pësuar aq shumë ndryshime gjatë viteve dhe propozime ligjore me qëllim kufizimin e lirisë së fjalës dhe lirisë së medias. Sikur liria e të shprehurit dhe liria e medias — në mbrojtje të interesit publik, siç ndodhë në çdo vend normal që e quan veten “demokratik” – është rreziku më i madh që i kanoset sot shoqërisë shqiptare dhe interesave kombëtare.

Duket sikur qëllimi për të penguar lirinë e fjalës dhe lirinë e shtypit në Shqipëri është një detyrë me orar të plotë për një ose më shumë persona. Vërtetë, gjatë viteve janë shënuar shumë raste ndërhyrjeje nga qeveria shqiptare kundër lirisë së fjalës dhe të medias në përgjithësi, por kësaj radhe më ra në sy propozimi më i fundit i Kryeministrit Rama – që në fillim të mandatit të tretë – gjëja më me rëndësi në sytë e qeverisë Rama-3, na qenka krijimi i asaj që ata e quajnë Agjensia për Media dhe Informim.  Jo, more jo, sot për sot nuk ka sfidë me të madhe se kontrollimi i medias dhe i fjalës së lirë as ndonjë plan më të rëndësishëm, si për shembull për të zbutur deri dikur zbrazjen e vendit, ndërkohë që rinia shqiptare dhe më të përgatiturit e vendit, po largohen masivisht, problemet ekonomike dhe shoqërore dhe shumë e shumë probleme të tjera me të cilat përballet sot Shqipëria dhe Kombi shqiptar. Por, për klasën politike në Tiranë, është pikërisht për ta, ajo “ferra në sy”: liria e shtypit dhe media e lirë që i ka të gjitha fajet për gjëndjen e krijuar ekonomike, politike dhe shoqërore në vend dhe si e tillë informacioni duhet të kufizohet dhe shpërndarja e informimit të përqendrohet në duart e qeverisë.

Si përfundim, kufizimi i lirisë së fjalës dhe lirisë së medias për të shkuar përpara pa kokëçarje nga media — krijimi i Agjensisë për Media dhe Informim – është përparësi kombëtare dhe duhej miratuar, pa vonesë, në mbledhjen e parë të qeverisë Rama-3. Aq i rëndësishëm e serioz ishte ky propozim, përparësi numër një në krahasim me hallet e tjera të shqiptarëve!  Sipas vet Kryeministrit dhe zëdhënsve të tij, miratimi i këtij enti do bëhet me një ligj të ngjashëm me atë gjerman. Gjithmonë ruajuni dhe  të kini kujdes kur politikanët shqiptarë, në përpjekje për të bindur dike për meritën e propozimit të tyre — krahasojnë diçka që duan të miratojnë me ndonjë shembull nga vendet demokratike – kështu e bejnë gjermanët, amerikanët, italianët e tjerë, thonë ata.  Kësaj radhe, mos u shqetësoni na thonë mbështetsit e këtij propozimi, duke na siguruar se Agjensia Shqiptare për Media dhe Informim e propozuar nga Kryeminisitri Rama është, kryesisht, në përputhje me modelin gjerman dhe si e tillë duhet të pranohet nga të gjithë. Si mund të gabojmë me krijimin e një agjencie alla gjermane!?    Ja si e shpjegoi Z. Rama krijesën e tij të re, Agjencinë Shqiptare për Media dhe Informim, në një intervistë për Zerin e Amerikës javën që kaloi.  i pyetur se si do iu përgjigjej kritikëve të themelimit të këti enti qeveritar.  Zoti Rama u përgjigj kështu:

“Ky është një reagim që vjen me siguri nga mosnjohja dhe moskuptimi i rolit dhe i misionit të kësaj agjencie. Agjencia është ndërtuar mbi modele të konsoliduara në vende shumë të zhvilluara demokratike. Republika Federale e Gjermanisë e ka identikisht të tillë dhe, në fakt, prej shembullit të saj ne kemi krijuar këtë agjenci. Ata e quajnë Zyra për Mediat dhe Informimin e Qeverisë, ne e kemi Agjencia për Median dhe Informimin pranë Këshillit të Ministrave. Po kështu edhe Italia, po kështu edhe vende të tjera. Dhe kjo agjenci nuk ka lidhje fare as me propagandën as me kontrollin, por ka lidhje me një rritje të kapacitetit të qeverisë për të ndërvepruar me opinionin publik dhe me burimet e informacionit, në mënyrë që të garantojmë që informacioni, që kërkohet nga qeveria, të jetë sa më i shpejtë dhe njëkohësisht sa më integral në funksion të mediave dhe, nga ana tjetër, që qeveria të jetë në vijimësi e informuar dhe natyrisht e vetëdijshme deri në fund për opinionet e qytetarëve, për opinionet e mediave dhe opinionet në mjedisin pluralist shqiptar,” është shprehur Shefi i qeverisë shqiptare.

Sikurë, shoqëria shqiptare ka nevojë për një sistem më integral në funksion të mediave siç pretendon Kryeministri Rama. Sidoqoftë, nëse dikush mendon se me krijimin e Agjencisë për Media dhe Informim, vërtetë, do të avancohet liria e fjalës dhe veprimtaria e shtypit të lirë, asnjanës, gjithpërfshirës dhe objektiv në Shqipëri, atëherë siç thonë këtu në Nju Jork, unë kam një urë t’ua shes juve: urën e Bruklinit.  Të jeni të sigurt se ashtu siç ka ndodhur këto tre dekada “post-komunizëm”, kjo krijesë e re për kufizimin lirisë së fjalës do ta lejë Shqipërinë, sa i përket lirisë së shtypit, aty ku është tash 30-vjet, e karakterizuar si një vend “gjysëm i lirë”, nga organizatat ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe nga disa shtete perëndimore.

Por nëqoftse prisni ndonjë kundërshtim ndaj kësaj nisme anti-demokratike të kryeministrit prej opozitës në Parlamentin e ri të Shqipërisë, mos u entuziazmoni shumë se shënjat nuk janë të mira as nga ajo palë, sa i përket lirisë së fjalës dhe medias së lirë. Këto ditë lexova në median shqiptare në lidhje me një debat brenda grupit parlamentar të Partisë Demokratike që të jep përshtypjen se opozita e re nuk do të mbrojë lirinë e fjalës në Kuvend dhe as nuk do të kundërshtojë krijimin e Agjencisë për Media dhe Informim, kur ti paraqitet Kuvendit për miratim.  Sipas medias, edhe aty u fol me fraza anti-liriës së fjalës për deputetët, si për “koordinim” mesazhesh, “dakordësi me zyrën e shtypit”, leje nga lartë për dhenje intervistash nga deputetët dhe të tjera fraza të tilla që nuk flasin mirë për një grup opozitar nga i cili mund të prisnin shqiptarët mbrojtjen e lirinë e fjalës, as për të veten as për të tjerë.  Shpesh e kam thenë, nëqoftse nuk ka liri brenda partisë as vendi nuk gëzon liri. Dy partitë aktuale më të mëdha të vendit e pasqyrojnë këtë fakt, si më mirë nuk ka, për fat të keq të shqiptarëve.

Bazuar në përvojën e së kaluarës, edhe ndërkombtarët, siç është OSBE-ja apo diplomatët perëndimorë në Tiranë, kanë dështuar, mizorisht, në misjonin e tyre për të mbrojtur lirinë e fjalës dhe lirinë e shtypit në Shqipëri.  Vura re në fillim të këtij muaji se Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po shënon, siç shprehet ajo, përparime të mëtejshme në përpjekjet e saj në ndihmë të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) për ngritjen e një qendre trajnimesh për gazetarët e rinj të transmetuesit publik dhe studentët e gazetarisë.  Në shikim të parë, kjo duket një ndërmarrje fisnike nga ana e OSBE-ës, por ky nuk është problemi kryesor me të cilin përballet sot shtypi dhe gazetaria në Shqipëri. Shqipëria ka mjaft gazetarë të zotët që nuk kanë aq nevojë për trajnim se sa kanë nevojë për liri të plotë veprimi, jashtë dhe larg influencave dhe kontrolleve e pengesave qeveritare ndaj profesionit të tyre, siç duket të jetë kjo krijesa e re e Kryeministrit shqiptar e quajtur Agjencia Shqiptare për Media e Informim.

Për lirinë e shtypit duhet folur haptazi dhe shpesh, si një e drejtë themelore për çdo shoqëri demokratike të lirë ose “gjysmë të lirë”, siç karakterizohet Shqipëria – për 30-vjet tani — nga shumë organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe qeveri perëndimore. Liria e shtypit, pra, edhe për shqiptarët është një vlerë dhe e drejtë bazë që duhet të mbrohet, të kultivohet dhe mbi të gjitha të zbatohet nga të gjithë, por sidomos nga qeveria dhe entet shtetërore, me qëllim për të bërë Shqipërinë dhe shqiptarët pjesë të këtyre vendeve që ndajnë këto vlera të përbashkëta e universale. Kultivimi, mbrojtja dhe i zbatimi i plotë i lirisë së shtypit, në përputhje me vlerat shqiptare dhe me të drejtat universale të njeriut është dhe mbetet në interesin kombëtar të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Për të sigurar këtë angazhim edhe të Shqipërisë si një vend anëtar i organizatave ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e fjalës, nuk është i nevojshëm themelimi i ndonjë agjencie të re qeveritare, me pretendimin se gjoja kjo agjenci do të jetë në fundkison të lirisë së medias. Nuk është e tillë!  Ashtu siç bënte dikur regjimi komunist kur merrte me forcë pronat e shqiptarëve dhe i shtëtëzonte për qëllime të veta, ashtu edhe ky veprim është i njëjtë në thelb — megjithse në një fushë tjetër, fushën e lirisë së fjalës dhe të shtypit të lirë – por më në fund është një shtetëzim i mënyrës së përhapjes së lajmeve dhe të lirisë së shqiptarëve, në përgjithësi!

Kroi lirik dhe buzëqeshja e humbur e Traboinit

0

Nga Anton Gojçaj

Kolec Traboini, Ajo që jetojmë përditë, poezi, botoi: Pantheon, Tiranë – Washington DC 2021)

Sasia dhe cilësia e krijimtarisë letrare të Kolec Traboinit,  në përputhje me mbiemrin që ka, e që është emri i fshatit të të parëve të tij, ta sjellin në mendje një burim uji në atë fshat, i cili në të folmen e vendit quhet Kroni i Traboinit. Ashtu siç del uji i pijshëm nga burimi, nga kroi lirik i Traboinit burojnë vargje të kthjellëta, pandërprerë…   Deri në vitin 1990 ai kishte botuar vetëm një libër me tregime, kurse pas atij viti ka botuar mbi 40 libra me poezi, prozë letrare, publicistikë etj. Përveç kësaj, përkthen nga anglishtja dhe ka botuar edhe disa përmbledhje me poezi të zgjedhur amerikane.
Lirika e Traboinit përshkruan dhe zbulon, rrëfen dhe rrëfehet, sqaron dhe këshillon… Dominon stili kolokvial, ka intonacion të rregullt, është poezi komunikuese dhe inkluzive – paraqet artistikisht sekuenca nga përditshmëria. Është poezi reflektuese, me mendime të thella dhe të bukura, që japin porosi të mira e të bukura.
Përmbledhja “Ajo që jetojmë përditë” është e organizuar në katër cikle: Dashuria është art, Saga e kujtimeve, Pikëllimet e shiut, Pellazg pa atdhe.
Dashuria në lirikën e Traboinit manifestohet në shumë trajta dhe kuptime. Fillimisht, si një vajzë e brishtë, e kthjellët dhe e përkorë, pastaj si një buzëqeshje e mbështjellë me fshehtësi (“Po e qeshura s’deshifrohej, / ish si mors nga galaktika” – Për një yll që xixëllon), por edhe si diçka transparente dhe pa fshehtësi (“S’ka sekrete / dashuria, / ka veç dritë e mirësi” – Dashuria vjen tek ti), nganjëherë e ndien si një prani ekzaltuese dhe euforike që antropomorfizon gjithësinë (“Kur jam me ty; / qielli qesh e lulet / këndojnë.” – Kur jam me ty), e nganjëherë si një substancë dehëse që shlyen moshën e shpërfill kuptimin  e vetëpërmbajtjes për qëllime të shenjta, duke shkaktuar  tundim dhe joshje (“Por, o Zot, kur shoh / çapkënet e Tiranës, / hidhet e përdridhet / gjaku im në dej” – Murgesha).
Kur i këndon dashurisë, por edhe në poezitë me motive të tjera, zëri lirik përdor dy mënyra: 1. komunikimin intim, të drejtëpërdrejtë, me të dashurën  (p.sh. poezitë: “Ty ditëlindja të ka humbur”, “Ti je një lule”, “Kur jam me ty” etj. etj.) dhe 2. komunikimin me anë të të cilit ia shpreh lexuesit mendimet, ndjenjat dhe dëshirat e folësit lirik alias poetit, që shprehin  porosi të ndryshme nga përvoja e jetës empirike (p.sh. poezitë: “Dashuria është art!”,  “Dashuritë e vogla”, “Për një yll që xixëllon” etj. etj.).
Një imazh i jashtëzakonshëm, që gjeneron xixa reflektimi të thellë filozofik-transhedental gjendet në një strofë të vjershës “Lotët e Madalenës”:
Madalena / qëndronte në kopshtin / Gethsemane, / ku Krishti u nda me dishepujt, / nga buka dhe vera, / nga puthja e Judës / që e eklipsoi  puthjen e saj, / të cilën donte t’ia jepte / fytyrës njerëzore / para se të kthehej / në hyjni.  // Tërë bota tretej / Në lotët e saj”
Vargjet e sipërcituara ndërtojnë një paralele krahasuese ndërmjet puthjes së Judës – simbol i tradhëtisë, dhe puthjes së Madalenës, një mëkatare e njohur (të pushtuar nga demonët), e cila megjithatë njohu mëshirën e Hyut. Tërthorazi, sikur aty figurativisht, puthja e Madalenës, mëkatares së penduar, megjithëse eklipsohet nga puthja e Judës, nxënësit që tradhëtoi mësuesin/mikun/Zotin e vet,  e fisnikëron dhe e “rehabiliton” jo vetëm një femër të thjeshtë me emër e mbiemër por mbarë shoqërinë njerëzore. (Sipas Ungjillit të Lukës, Maria Madalena, Jezusit,  “filloi me lot t’ia lajë, t’ia fshijë me flokë, t’ia puthë e t’ia lyejë me parfum” këmbët (Luka 7: 37-38). Ajo, me gjithë mëkatet e saj  të dikurshme, i ndejti besnike Jezusit pranë kryqit, krah për krahë me të ëmën e tij, Marinë e Jozefit, deri në çastin kur Jezusi dha shpirt.
Vetëm mbi krahasimin e puthjes së Judës me puthjen e Madalenës mund të shkruhet një libër i tërë, nga aspekte dhe këndvështrime të ndryshme: teologjike, filozofike, psikologjike, sociale, politike etj., duke pasur parasysh sjelljet dhe veprimet e shoqërisë shqiptare, por edhe asaj njerëzore. Traboini me këtë poezi ka prekur në nervin (pikëdhembjen) e epokës sonë… Kjo poezi fton për të reflektuar në vazhdimësi mbi paradigmat shoqërore dhe modelet kulturore… Pendimit të sinqertë i duhet dhënë më shumë rëndësi sesa stigmatizimit të pafund të mëkatit, çfarëdoqoftë ai  – që është në përputhje edhe me porosinë kristiane që e mira e mund të keqen, pavarësisht se autorit mund të mos i ketë shkuar fare ndërmend ky dimension. Por, sipas teorisë së letërsisë,  vepra letrare, shpesh, thotë më shumë seç mendon autori i saj.
Poezitë e ciklit “Saga e kujtimeve” përshkohen shpesh nga urtësia e dalë nga përvoja e jetës dhe përçojnë këshilla, porosi, mësime të ndryshme… Thuhet se lirika humb kur merr rolin e mësueses apo të edukatores, dhe kjo vërehet në disa raste në poezitë e këtij cikli, por nuk mund të thuhet se ato poezi janë pa hire… Nganjëherë, kur thuhen me shije, me maturi dhe dije, edhe moralizimet, këshillat, kanë hijeshinë e vet.
Poetikën e vet Traboini e ndërton kryesisht nëpërmjet imazheve (përshkrime pamjesh) poetike, që diku janë statike: p.sh. pika e vesës në diell ;  e diku në lëvizje: Një gjeth rrëzohet / mbi ujëra bie ; – nganjëherë edhe në nivelin e strofës: “E gjithnjë më bëhej se / në fushën me grurë / shihja një prift / që hidhte veladonin / e vraponte si i marrë / pas një lulëkuqeje, / që i bëhej si çupkë, / çupkë për t’u pirë / në kupkë.”  (Dashuria ime adoleshente me Korçën)
Ka edhe figura stilistike, që merren shpesh nga frazeologjia e bisedave të përditshme, që janë të  afërta, spontane, lozonjare dhe të natyrshme: të ha me sy ; Ajo ish një yll i vogël / unë gjahtar që vija gracka; malli i ndezur vonshëm etj.
Nuk mungojnë as metaforat, krahasimet, personifikimet … interesante, si psh. Fëminia – lulja e qershisë ; qiej të përmbysur ; të ngjalave politike ; Këshilla është / patericë e drunjtë ; luleborat që varen / në buzën tënde¸; e unë, me flokët e tua / të harlisura në erë / do të thur vargje ; ka edhe vajza me fytyrë si mollë ; mendimet rënduar në kërkim, / si bletët dehur pas luleve ; shira që qajnë ; dielli buzëqesh / e na bën me sy  etj. – që dëshmojnë për mjeshtrinë e penës që i krijoi.
Një numër imazhesh dhe figurash të huazuara (përshkruara) nga bota e përditshme në poezinë e Traboinit fitojnë funksionin e figurës letrare (p.sh. ca zogj të hallakatun në erë ; si një zog krahthyer / i rrëzuar nga qielli ; Dhe një polic që ruan molin ; Pemë të lagura, njerëz / me çadra / aty diku në një cep / një njeri i bërë qull ; Një tufëz resh / diku në qiell, / një shtërg që ik / pa dit’ ku shkon. etj. etj. ) – që janë me të vërtetë si peizazhe prej fjalësh. Domethënë : figurat në këtë poezi ndërtohen kryesisht në formën e përshkrimit të pamjeve ose imazheve nga bota reale,  të ngjyrosura emocionalisht, e më rrallë si lidhje befasuese, “të panatyrshme” fjalësh, që nëpërmjet defamiljarizimit do të hapnin dritare të reja kuptimesh.
Leximi i poezisë së Kolec Traboinit, e tillë çfarë është ajo, jep kënaqësi.
Vdekja mbizotëron si motiv në ciklin “Pikëllimet e shiut”. Shprehja ironike dhe pasiguria e çastit kur ajo mund të vijë shkojnë dorë për dorë në vargjet e Traboinit:  “Vdekjen e kam / fare afër, – vjen e më troket / në derë / çdo ditë. // – Dil, – më thotë- bëj ç’ke për të bërë / se e nesërmja / nuk dihet / ndoshta vij…”    (Lotët nuk kanë kuptim kur bie shi)
Nëse cikli i parë, “Dashuria është art”, karakterizohet nga dinamika, koloriteti dhe gjallëria, cikli i tretë është më i thellë, ngapak i zymtë, por edhe ajo zymtësi artikulohet me gjuhë të qartë. Pamundësia e parafytyrimit të vdekjes shprehet bukur në poezinë “Lotët nuk kanë kuptim kur bie shi” :
“Nuk e di si do të jetë / ajo botë, / por e di / që nuk do të ketë / as yje, / as hënë, / as gjethe që lëvizin në erë, / asgjë nga ato / për të cilat / këndova një jetë;  // as vjeshtë, / as pranverë, / e unë do të kthehem / në pluhur. “
Është aq njerëzore frika nga vdekja dhe pranimi i frikës: “Në këtë natë të errët / gjumi nuk më zë, / nga droja se në mëngjes / nuk zgjohem më.” (Hija e vdekjes)
Cikli i fundit “Pellazg pa atdhe” i kushtohet atit të poetit dhe të parëve të tij, por në mënyrë të veçantë fshatit të gjenezës familjare: “ Traboinit është buzëqeshja ime e humbur” (Traboini).
Dyvargëshi i fundit i vjershës “Në Rrmaj” përshkruan vizitën e të birit pranë varrit të të atit: “-Ku ikën? – më thotë im Atë që nga varri / sikur të ishte ai e jo unë, i gjalli…” hamendëson relativizimin e hendekut ndërmjet botës së të vdekurve dhe botës së të gjallëve, gjegjësisht sugjeron një shkëmbim hipotetik vendesh, jo pa domethënie…
Kolec Traboini është një zë origjinal, mirëpo në ndonjë poezi të tij vërehen gjurma intertekstuale, qoftë eksplicite ( përmendet trumcaku i Migjenit në poemën “Pellazg pa atdhe”), qoftë implicite  (çiftet antitetike te poezia “Bëj të qaj e nuk qaj dot” t’i kujtojnë çiftet  antitetike të poezisë “Syrgjyn- vdekur” të Fan Nolit.
Vështrimin për këtë libër do ta përfundojmë me fjalët se “poezia” mbetet gjithmonë matanë, jashtë interpretimit, e pazëvendësueshme nga interpretimi, që gjithmonë mbetet i pjesërishëm, funksioni i të cilit është për t’i shërbyer asaj gjegjësisht për të ndërmjetësuar ndërmjet veprës poetike dhe lexuesit.

Përshtypje: Jeta – Burg dhe Burgu – Jetë!

0
Besnik Mustafaj: “Një sagë e vogël”, roman. Tiranë, 1995.
Të kalosh çaste leximi me romanin “Një sagë e vogël” të Besnik Mustafaj, do të thotë të përjetosh thuajse deri në mizori dramën e madhe tronditëse të burgut në tri pamje, që autori, në parathënien që mund të merret edhe si prolog, i quan “tri nyje” te një fatumi, ngaqë hija e burgut ka rënduar vazhdimisht si në ankth i verbër, i pakuptueshëm, që megjithatë vetë rrëfimi në tri pjesë, i viktimave të tre brezave, e zbërthen dhe e bën tejet “të kuptueshme” deri aty saqë të krijohet pamja e një rrethi vicioz, ku në Shqipërinë e shekullit të fundit, jeta paraqet burg dhe burgu jetë!
Ky dimension tepër tragjik, nëpërmes dramës së tre gjeneratave të viktimizuara, shfaq anamnezën më të thellë të kësaj problematike në letërsinë tonë nëpër të cilën ka kaluar Shqipëria e regjimeve të satrapëve dhe diktaturave, tematizimi i së cilës nuk është se nuk është prekur, por rëndom nga dioptria e ndonjë “disidence”, e pragmatizmave ideologjike ose e ndonjë “hakmarrjeje” e të viktimizuarve, e parë nga këndvështrimi personal, nuk ia ka nxjerrë në pah dimensionin e saj jashtë dramave të vërteta dhe të thella, që e kanë ngarkuar shoqërinë shqiptare me fatkeqësi, pasojat e të cilave edhe sot e gjithëditën vazhdojnë të ndjehen.
Këndvështrimi i Mustafajt, nuk është i fokusuar vetëm te diktatura dhe mekanizmat e saj të njohur, ku burgu paraqiste një mjet i pashmangshëm për mbajtjen po edhe për krijimin e njeriut të zhvlerësuar deri në palcë, pa identitet dhe dinjitet elementar madje, ku i përcaktohet çdo gjë, edhe jeta intime. Përkundrazi, autori përcaktohet që “saga e burgut” fillimisht të kapet nga dimensioni socio-etik për te ai socio-politik për t’u përmbyllur me atë jetësor gjithnjë si pasojë e lidhur me shkakun. Kjo qasje shfaq edhe karakteret në raport me burgun po edhe atë që shfaqet si “mentalitet i burgut”, i cili, në rastin e parë, siç ngjet me gjyshin e Lulit Omer Hutën, ka të bëjë me trimërinë si virtyt i shoqërisë patriarkale, që megjithatë bie në kundërshtim me normat dhe rendin që i imponon shteti autoritar çastin që ai shfaqet si kapërcim nga njëra gjendje shoqërore në tjetrën, pra nga ajo e pushtimit tek shteti, ku kundëthëniet e çlirimit me lirinë vazhdojnë në planin e brenshëm. Ndërsa në rastin e dytë, viktimizimin e nipit dhe mbesës (Lulit dhe Lindës), lidhet me kohën e diktaturës, jo nga ndonjë fajësi e tyre, por me konceptin e njohur të mbikëqyrjes së individit deri te përmasat absurde dehumanizuese, që për nga pasojat, ua kalojnë edhe atyre të Gulagut, pra ku vuajtja fizike përdoret si mjet për disiplinim dhe shkatërrim në masë!
Por, ajo që është veçori e kësaj sage “të vogël” për nga faqet por të madhe për nga trajtimi, të veçantë nga rrëfimet e ngjashme dhe madje krejt të ndryshme, ka të bëjë me dimensionin e një të vërtete, të paparë ose të anashkaluar, se “jeta e burgut” kthehet në “burg të jetës” dhe, madje, dimensioni i dytë, përfshinë edhe mekanizmat e saj të brendshëm deri aty sa edhe ata, të identifikuar thellësisht me të, çastin që ai mungon, qoftë edhe te kohët kalimtare, ndjehen viktima “të lirive”! Personazhi i Hyqmet Hidit, gjyshit të Lindës, një gardiani me stazh nga burgu i mbretit te ai fashist, mungesa e burgut, kur ai do të thyhet pas kapitullimit të fashizmit dhe ikja e të burgosure nga ai, do t’i kthehet në një opsesion deri aty sa jetën pa burg dhe të paburgosur si dhe shtetin pa burg, ta marrë për fatkeqësi personale po edhe shoqërore, gjë që paradigma e kësaj fatkeqësie, bashkë me ato të viktimave anbllok të diktaturës, veprës i jep një fuqi të jashtëzakonshme pasqyruese, që atë e radhit ndër veprat më të realizuara të letërsisë shqipe.

Bisedë me meshtarin Dom Gasper Gurakuqin për Sapën dhe thrakasit

Fahri Xharra

Shkruan Fahri Xharra

Shum kush nder né ká mendue deri më sot se fjala Sapë këtu nuk âsht tjetër veç fjala Shat e nderlikueme prej të huejve me fjalën Shàt, e e perkthyeme në italishten Zappa. Por ky perkthim nuk ka giasë, per kundra, se Sapa âsht emen i moçëm fort, qi mund i apin ndoshta dritë historisë s’onë.
Nuk mund të thohet se Shat âsht perkthye në Zappa, perse, posë giasës s’emnit s’emnit Shat me Shàt e Sapa me Zappa, kurrnji provë tjetër nuk mundet me u qitë, as nuk mund i epet farë arsyeje këtì perkthim. Na shofim, per kundra, se emnat e vendeve, gadi kurr nuk janë kenë perkthye prej të huejve, por, no janë kenë njitë emna të rì, no janë kenë prishë të vjetrit në shqyptim e në shkrim. Shkodres, bie fjala, t’i kèn thânë Shkoder, Skadar, a Skutar, shifet gjith-herë, se fjala âsht nji sado qi e prishun, por jo e perkthyeme. Ashtu Lissus, Lesh, Alessio, etj.

Mandej, Sapa nuk kje thirrë veç Sapë, por edhe Sapatë. Kështu Koya Zaccaris qi sundoj nder këto vende në fillim të shekullit XV e mbrapa, nenshkruhej “dominus Sabatensis et Dagnensis” sikursè edhe Ipeshkëvit e kësaj selì n’ato kohna: “episcopus sappatensis”. N’u perkthye, prà, Shati në Zappa, Sapata pse u tha?
Njimend sot populli e thrret dioçezin: Dioçezi i Zadrimës e jo i Sapës, por me pvetë banorët e Nenshatit: shka âsht Sapa, të gjith mbas gojdhanet na diftojn se në Shkrep të Nenshatit âsht kenë dikuer kalà, e i kanë thanë Kalaja e Capës. Në maje të këtì shkrepit gjindet ç’me kohë Kisha Kathedrale, e para sot 50 a 60 vjetëve, këtu gjindej edhe Ipeshkëvija, e cilla, mbas nji termeku qi e rrenoj, kje ngrehë ku âsht tesh brî malit të Shë Mhillit, e kisha kje pertrî ku â sot.
A shenjuene Shat e Sapë dy sende dàmas a po nji send të vetun, na s’po dona këtu m’e rëmue, si edhe nuk po i a hîm me kerkue vendin e caktuem ku kje. Në paten shenjue nji send të vetun, duhet me thanë se Shat âsht kenë dikur emen i pergjithtë kà mujtë me diftue nji herit edhe qytetin rreth këshqelit, sikuer thona sot f’shat a p’shat; Sapë mandej, âsht kenë emen i veçantë i atì shatit e qytetit. Në paçin shenjue dy sende damas, bje fjala, Shati këshqelin e Sapa qytetin, atëherë merret vesht edhè mâ udob se Sapa nuk âsht nji perkthim i Shatit në Zappa: “Mandej, shkruen Thalloczy,[1] n’e shmajten e lumit (Drin) ndjek ana e Zadrimës mbas Drin. Këjo u emnote atëherë edhe fusha e Shatit, Pian del Sati (1459 Ljubič 10, -138) me këshqel Sati (Castrum Satti, Sattum, Sat, castello di Satti) nën Monte di Satti. Këshqelat: i Dèjës, i Satit, i Sapatës, e krahinat e Rogamanies e të Zadrimës, i perkitëshin aso kohet gjinís së Zaccarìs, mâ vonë Dukagjinit. Edh sot gjindet këtu nji katund Nden Sat a se Nenshat (Hahn, Reise usw.328). vendi kryeparë veç kje Sapa a Sapata, selì qi i perkitte argjipeshkëvís së Tivarit: “episcopus Sappatensis”.
Kundra gojdhanës mund të qesin kush, si vertè ka qitë, se emnin Sapë e kan ndie të parët e Nenshatit, prej ndonji Ipeshkëvit të huej, e se prandej gojdhana nuk ka vlerë. Por kjo fjalë âsht e kotë; persè mâ parë do të mendohet qi i hueji kà xânë prej vendasit emnin e vendit, se i vendasi prej të huejit emnin e vendit të vet.
Don dijt mandej se Sapa âsht kenë qytet i hershëm me ket emen, edhe perpara se t’u themelote këtu Ipeshkëvija. Nuk u bâ Sapa qytet pse u themelue Ipeshkëvija, por pse Sapa kje qytet u themelue në tê Ipeshkëvija. “Në vjetë 1291 e pertrine vendasit të rrenuemin qytetin e Savës e lypëne nji ipeshkëv, qi Papa i ua dha mbas lutjet t’argjipeshkëvit të Tivarit e të regjineshës Elenë”, (Theiner, Mon. Slav, 1, 111)
Së mbrami don vûe oroe se Sapë e Sapatë nuk gjindet veç këtu, por edhe njeti. Nji herë kena nji lumë në Berishë qi i thonë Sapaç; në Bosnie ndeshena në lumin Sapna qi derdhet n’Drî t’atyshem; në Bullgarie nji vend quhet Saparevo, nji tjetër në Serbi Sabats, e kush di kû njeti. Deri nder bjeshka të Karnies emnohet nji vend Sapata, andej kah Regolato.

Dioçeza e Sapes e djegur nga regjimi komunist

Shum mâ lerg, prà, se në nji perkthim të Shatit n’italishten Zappa, do t’i kerkohet fillja Sapës s’onë. E mbassi ky emën u gjetka në shumë vende, duhet thanë se nji popull a fis i herëshm fort e kà njitë gjithkund ku ka banue.
Cilli ka muejt me kenë ky popull?

Mbas këtì të pvetun n’a dalin para dy popjt mâ jetikët e këtyne anave, due me thanë Illyrt e Thrakët.
“Populli i Illyrve, shkruen Mommsen,[2] shtrihej n’e parë nder brigje të detit Adriatik, ç’prej grykës së lumit Po per të giatë t’Istries, Dalmatjes e Epirit deri kah Akarnania e Etolia, mandej, per mrenda, në Makedonie të syper, si edhe në Serbì të sotme në Bosnie e në tokë hungare bregut të djathtë të Danubit; kështu qi kah të lèmit kufizote me popuj të Thrakëve, kah prendimi me të Keltëve, prej të cillve të mramëve Taçiti çiltas e dàn.”
Thrakët, prep Mommsen[3], e kishin ndejen dikuer kah të lemit e tyne (Illyrve), ç’prej dedit Aegeus deri në grykë të Danubit, e, jo mâ pak, në njenen anë, bregut të shmâjt të këtì lumit, në Transilvanie të soçme, në tjetrën anë, andej Bosphorin, nemose në Bitinie deri kah Frigia; këtej me arsye Herodoti i thrret Thrakët mâ i perhapuni nder popuj qi aj njifte mbas Hinve”.
Prandej në Bieshka të Karnies (Alpi Carniche) kû gjindet Sapata[4] kjene illyrt, si edhe në Serbije, ku gjindet Sabats, në Bosnie ku âsht Sapna, e në Shqypnì ku gjindet Sapa e jonë. Në Bullgarie, per kundra, kû gjindet Saparevo, banuene Thrakët.
( Fundi i pjesës së parë)

(nga “Hylli i Dritës, Ndanduer 1922, Num. XI, ff. 519-527.” dhe e shkruar nga Gasper Gurakuqi)

Fjalori frazeologjik frëngjisht-shqip* i prof. Eshref Ymerit, një tjetër vepër madhore e leksikografisë sonë dygjuhëshe

0

Prof.dr. Rami Memushaj

Parathënie

Ky fjalor frazeologjik frëngjisht-shqip që po i jepet në dorë lexuesit, është i katërti fjalor dygjuhësh i këtij lloji që ka dalë nga pena e prof. Eshref Ymerit. I botuar vetëm dy vjet pas daljes së “Fjalorit frazeologjik anglisht-shqip”, ai është dëshmi e intensitetit me të cilin është punuar për hartimin e tij. Siç e kemi vënë në dukje në një rast tjetër, lëndën e shqipes profesori e ka nxjerrë nga korpusi i pasur i frazeologjizmave, i krijuar prej tij duke vjelë shprehjet frazeologjike (frazemat) nga fjalorët shpjegues e frazeologjikë të shqipes dhe nga rreth 500 vepra artistike e publicistike. Edhe masën më të madhe të frazemave të frëngjishtes ai e ka nxjerrë gjatë viteve kur punonte për hartimin e “Fjalorit frazeologjik rusisht-shqip”, kohë gjatë së cilës – në mungesë të fjalorëve shpjegues e frazeologjikë shqip ose të fjalorëve frazeologjikë gjuhë e huaj – shqip – për t’u gjetur frazemave të rusishtes barasvlerës sa më të afërt shqip, qe i detyruar të qëmtonte fjalorët e anglishtes, të italishtes e të frëngjishtes për të parë ç’frazema të këtyre gjuhëve u përgjigjeshin frazemave të rusishtes. Ka qenë një punë fort e mundimshme e cila ka zgjatur disa dhjetëvjeçarë, por që ia lehtësoi autorit barrën e hartimit të fjalorëve frezeologjikë italisht-shqip, rusisht-shqip, anglisht-shqip dhe, më në fund, edhe të “Fjalorit frazeologjik frëngjisht-shqip”. Inventarin e shprehjeve frënge e ka pasuruar më tej z. Sefulla Kata, specialist i frëngjishtes, bashkautor i Fjalorit, i cili, veç kësaj, ka verifikuar e saktësuar zë për zë barasvlerësit apo përshtatjet shqip të frazemave frënge. Si rrjedhim i këtij bashkëpunimi të një frazeologu me një specialist të frëngjishtes, ka dalë një vepër e vëllimshme dhe mjaft e arritur, e cila shënon një sukses të ri të gjuhësisë shqiptare.

Prof. dr. Rami Memushaj

Për ndërtimin e korpusit të Fjalorit autorët kanë shfrytëzuar një literaturë të pasur në të dy gjuhët, që për frëngjishten përfshin rreth 18 fjalorë, nga të cilët 6 fjalorë shprehjesh frazeologjike e proverbash; kurse për shqipen, përveç kartotekës së pasur vetjake të prof. Eshref Ymerit, edhe 16 burime të tjera: fjalorët shpjegues të shqipes, dy fjalorë sinonimesh, Fjalorin frëngjisht-shqip të V. Kokonës, 7 fjalorë frazeologjikë, nga të cilët dy fjalorë frazeologjikë të shqipes dhe pesë fjalorë frazeologjikë gjuhë e huaj – shqip. Veç këtyre, është shfrytëzuar edhe korpusi i fjalëve të urta të shqipes, i nxjerrë nga botimi i Institutit të Kulturës Popullore “Fjalë të urta të popullit shqiptar” (1983).
Ashtu si tre fjalorët e parë frazeologjikë, edhe ky fjalor i ri përmban një lëndë të pasur gjuhësore nga të dyja gjuhët. Në frëngjishte kjo pasuri arrin në 40.200 frazema të frëngjishtes, të ngritura mbi 7440 vatra kuptimore në 1526 faqe. Ky numër frazemash është gati dy herë më i madh nga ai i fjalorëve të mëparshëm frazeologjikë të këtij autori, çka e bën këtë vepër një fjalor frazeologjik të tipit të madh. Frazemat e shqipes është e vështirë të numërohen, megjithatë mund të themi se kemi të bëjmë me një korpus shumë të pasur.
Hartimi i një fjalori frazeologjik me përmasa të tilla, në të cilin gjuha shqipe ballafaqohet me një gjuhë kulture të madhe dhe me një leksik shumë të pasur, siç është frëngjishtja, ka qenë një sipërmarrje e vështirë për autorët. Por ata e kanë përballuar me sukses këtë sprovë, duke dëshmuar jo vetëm njohjen e thellë prej tyre të pasurisë frazeologjike të shqipes, që e bën atë të aftë të ballafaqohet me një gjuhë letrare me një traditë lëvrimi gati mijëvjeçare. Kësaj autorët ia kanë arritur falë lëndës së pasur frazeologjike të shqipes dhe të frëngjishtes të grumbulluar gjatë një gjysmë shekulli nga prof. Eshref Ymeri dhe përkushtimit të z. Sefulla Kata, që me vullnet e durim e ka pasuruar më tej lëndën e fjalorit dhe ka saktësuar barasvlerëset shqipe të frazemave frënge.
Ky fjalor i ri përbën një vepër tjetër madhore të leksikografisë dygjuhëshe që autorët ua dhurojnë përdoruesve, në radhë të parë përkthyesve prej frëngjishtes ose në frëngjishte. Botimi në harkun e më pak se 14 vjetëve i katër fjalorëve të mëdhenj dygjuhësh me autor të vetëm ose kryesor prof. Eshref Ymerin, është dëshmi e gjallë e një pune që vetëm një studiues i palodhur e me vullnet të hekurt mund ta përballonte. Pa e tepruar aspak, mund të themi se këto ndihmesa e bëjnë atë kontribuesin më të madh në fushë të fjalorëve frazeologjikë dygjuhësh dhe një ndër frazeografët më të shquar shqiptarë.
“Fjalori frazeologjik frëngjisht-shqip” paraprihet nga Hyrja, në të cilën autorët shtjellojnë hapat e hedhur prej tyre për hartimin veprës, burimet e shfrytëzuara dhe vështirësitë që paraqet hartimi i një fjalori të tillë. Më tej ata vënë në dukje pasurinë e madhe frazeologjike të gjuhës frënge, duke theksuar se burimet e kësaj pasurie janë të brendshme (urtësia popullore, historia, folklori, letërsia artistike etj.) dhe të jashtme, si bibla dhe huazime ndërgjuhësore, sidomos nga latinishtja, greqishtja e vjetër, anglishtja, italishtja etj.
Në një syth të veçantë, autorët shpjegojnë se zërat e këtij fjalori janë organizuar duke u mbështetur në fjalët që shërbejnë si vatër kuptimore e frazemave, të cilat janë kryesisht emra dhe, më rrallë, një pjesë tjetër emërtuese e ligjëratës (folje, mbiemër a ndajfolje). Vatrat kuptimore, të renditura alfabetikisht, janë dalluar grafikisht, duke i dhënë me shkronja të mëdha të trasha, ndërsa frazemat që lidhen me një vatër kuptimore janë renditur poshtë saj gjithashtu alfabetikisht. Kjo mënyrë renditjeje e lehtëson shumë gjetjen e një shprehjeje frazeologjike në fjalor, mjaft që përdoruesi i tij të jetë në gjendje të dallojë vatrën e saj kuptimore. Për shembull, të gjitha frazemat që kanë si vatër kuptimore fjalën ouvragei “punë”, janë renditur alfabetikisht poshtë saj sipas shkronjës së parë me të cilën fillojnë frazemat:

OUVRAGEI ■ ouvrage de fée – punë me shije të hollë.
ouvrage de patience – punë e mundimshme me shumë kujdes.
ouvrage frappé (marqué) au bon coin – 1. artikull (produkt) i shkëlqyer. 2. krijim i (vepër e) klasës së parë.
abattre (de) l’ouvrage (de l’ouvrage) – bën lloj-lloj punësh, bie copë (copa, copash) në punë, punon pa e ditur ç’është lodhja (pa e njohur lodhjen, pa u lodhur).
avoir un ouvrage en portefeuille – ia del në krye (në fund, në skaj) punës, i vë majën (pikë, kapak, kapakun, vulën) punës, i jep fund punës, e qit mbanë punën.
c’est du (un) bel ouvrage – puna është bërë (është kryer) mirë (për bukuri).
caresser un ouvrage – e bën (e kryen) punën me merak.
débiter de l’ouvrage – punon vendçe.
……
Fjalori përfshin njësi frazeologjike të mirëfillta dy-ose shumëfjalëshe, rrallë edhe njëfjalëshe (si p.sh., illico “aty për aty, fët e fët, në vend, pa e bërë të gjatë”; pedibus “më këmbë”; pic “1. drejt, pingul. 2. pikërisht në kohën e duhur”); shprehje-kalke fluturake, që lidhen me mite të lashtësisë, gojëdhëna ose fakte historike, si: épée (glaive) de Damoclès “shpata e Damokleut”, langue d’Esope “gjuha e Ezopit”, nœud gordien “nyjë gordiane”, tonneau des Danaїdes “voza e Danaidave”, victoire à la Pyrrhus “fitore si e Pirros”, Sésame, ouvre-toi! “Sezam, hapu!”, entente cordiale “miratim i përzemërt”, cinquième colonne “kolona e pestë”, le Nouveau Monde “Bota e Re, Amerika”, Mur des Fédérés “muri i komunarëve”, latin de cuisine (de sacristie) “latinishte e shpërfytyruar” etj.
Në një masë më të kufizuar ka edhe fjalë të urta e maksima, sidomos pjesë të tyre që janë kthyer në frazema, si p.sh.: il faut laisser les morts en paix “për të vdekurit nuk duhet folur keq”; monnaie fait tout “paraja e hedh (e kthen) ujin përpjetë, paraja hap çdo portë”; tout le monde peut se tromper “kushdo mund të gabojë”; de longues terres, longues nouvelles “kush vjen nga larg, ka se ç’të tregojë”; quand le loup est pris, tous les chiens lui lardent les fesses “kur ujku bie në lak, çdo langua kërkon ta kafshojë; kur luanit i mbetet këmba (kur luanin e lënë këmbët), edhe gomari kërkon ta shkelmojë” etj.; Paris vaut bien une messe! “Parisi e meriton një meshë, ia vlen të bësh një kompromis (të hysh në një kompromis) për hir të një leverdie të dukshme”, si përshtatje e shprehjes Sire, sire, la couronne vaut bien une messe! “Sovran, sovran, kurora e meriton një meshë”; en huit “pas një jave” si shkurtim i shprehjes d’aujourd’hui en huit “nga sot një javë” etj.
Për t’u ardhur në ndihmë përdoruesve, zërat e Fjalorit janë pajisur edhe me shënime që shënojnë fushën e veprimtarisë shoqërore të përdorimit të një frazeme të frëngjishtes (anat, gjeol, muz, treg etj.), ngjyrimet shprehëse-emocionale (iron, keq, përb, shak etj.) dhe rrafshet ligjërimore të përdorimit të saj (krahin, libr, thjesht, zyrt, zharg etj ). Pajisja me këto shënime ia shton edhe më tepër vlerat fjalorit, duke qenë se e ndihmon përdoruesin të zgjedhë frazemën barasvlerëse shqipe që i përgjigjet më mirë një frazeme të caktuar të frëngjishtes që ka këta tregues. Për më tepër, përdoruesit i vjen në ndihmë edhe dallimi i kuptimeve të frazemave homonimike, që janë shënuar me shifra romake, dhe të frazemave polisemike që janë shënuar me shifra arabe.
Veçori tjetër e këtij Fjalori, ashtu si e fjalorëve të tjerë frazeologjikë të prof. E. Ymerit, është se si barasvlerës të frazemave frënge në shumicën e rasteve jepet jo një frazemë e vetme e shqipes, po një varg i gjatë sinonimik frazemash. Dhënia e frazemave sinonime i lejon autorit të shpalosë pasurinë e madhe frazeologjike të shqipes. Vargu i këtyre frazemave sinonime, është mjaft i madh, duke arritur për zëra të veçantë në disa dhjetëra, p.sh.:
en servir de dures à qqn – e bën brashnjë (helaq, horr, leckë, për një lek, për ujë të ftohtë, për vaj e për uthull, qepaze, rezil, rreckë, qyqe, rregëzinë), ia shtrëngon dhëmbët nganjëherë, e fut (e kalon, e shkon) në vrimë të gjilpërës, ia numëron të shtata, i bie me havan në kokë, i heq një dajak (një dredhë), i jep një dajak (një dru, një kopaçe, një dhëmb), ia bën samarin copë, i tërheq vërejtjen (vëmendjen), i nxjerr ujë të zi, i heq (i tërheq, i shkul, i zgjat) veshët, e zë (e kap) nga (për) veshi, ia jep nderin në dorë (në grusht), i jep një mësim të mirë dikujt.
Ashtu si edhe në fjalorët e mëparshëm frazeologjikë ku është bashkautor ose autor i vetëm, prof. Eshref Ymeri për pjesën shqipe të Fjalorit nuk i ka vënë vetes detyrë të japë të dhëna për fushën, ngjyrimet dhe stilin e përdorimit të frazemave. I mbetet përdoruesit që ndër sinonimet e shumta të zgjedhë atë që duhet, gjë që mund ta bëjë duke iu referuar kontekstit ku përdoret një shprehje e caktuar. Për shembull, ai që përkthen nga frëngjishtja në shqipe, për të gjetur barasvlerësin e duhur në një varg frazemash sinonime, duhet që, së pari, të shohë në fjalor shënimin për stilin apo rrafshin e ligjërimit të cilit i përket frazema frënge, pastaj kontekstin në të cilin ajo është përdorur në tekstin frëngjisht dhe, më në fund, të kërkojë në fjalorët frazeologjikë të shqipes se cila nga shprehjet e ofruara në këtë fjalor i përgjigjet më mirë stilit të ligjërimit në të cilin është përdorur shprehja frënge.
Përkthimi i shprehjeve frazeologjike është një punë e vështirë, për arsye se në to përzihen kuptimet e figurshme të fjalëve me aspekte jashtëgjuhësore, që lidhen me kushtet në të cilat kanë lindur. Kësaj pune fort të mundimshme autorët ia kanë dalë mbanë duke gjetur barasvlerësit shqip për një pjesë të frazemave që kanë të njëjtën vatër kuptimore në të dy gjuhët, si p.sh.: être sur des chardons “është tamam si mbi gjemba”, traiter comme un chien “e trajton si qen, sillet si me ndonjë qen”, clair comme en plein jour “ka dritë si në mes të ditës (si ditën me diell)”, au plus tard… “jo më vonë se…”, l’homme est un loup pour l’homme “njeriu për njeriun është ujk, njeriu ha njeriun, njeriu në shoqëri është egoist në skajshmëri”, de pied en cap “që nga këmbët deri te koka, që nga koka deri te këmbët, kokë e këmbë, fund e krye, tërësisht” etj.
Kur frazemës frënge nuk ka qenë e mundur t’i gjendej barasvlerësi shqip, sidomos për shprehjet frazeologjike që përcjellin tradita gojëdhënore që lidhen me doket e vjetra dhe me fakte nga mënyra e jetesës së popullit francez, autorët kanë përdorur kalkimin ose thjesht kanë dhënë përkthimin e fjalëpërfjalshëm të frazemës frënge të vendosur në thonjëza, të ndjekur nga frazema ose frazemat shqipe që i përgjigjen më mirë asaj, me qëllim për t’iu afruar sa më shumë kuptimit të origjinalit, çka përbën edhe një ndihmë për përdoruesin e fjalorit, sidomos për përkthyesin nga frëngjishtja në shqip. Sa për ilustrim, po japim këtu disa frazema të tilla të vështira për t’u përkthyer, në rast se nuk njihet konteksti historik ose kulturor i përdorimit të tyre:
abbaye de Thélème “abacia e Telemit”, organizim ideal i shoqërisë.
accorder vos flûtes, vos violons “akordoni flautet, violinat”, merruni vesh, bini në një mendje, bini në ujdi.
brûler ses vaisseaux “u vë zjarrin anijeve të veta”, e fillon nga e para, fillon radhë të re, i ndërpret lidhjet me të kaluarën, i vë vizë së kaluarës, s’ka më kthim prapa, këput urat, hyn në një rrugë të re.
cavalerie de Saint-Georges “kavaleria e shën Gjergjit”, monedhat e florinjta angleze, ari anglez.
le repos du guerrier “çlodhja e luftëtarit”, bashkëshorte e kujdesshme dhe mirëkuptuese e një njeriu aktiv.
serpent monétaire (européen) ek vjet – “nepërka valutore”. Ka qenë fjala për ndryshimin përpjesëtimor të kursit të valutës të vendeve të Tregut të Përbashkët.
Një veçori tjetër edhe e këtij Fjalori janë shënimet me karakter etimologjik e kulturor për burimin e frazemave me karakter historik të frëngjishtes, të frazemave të marra nga latinishtja, greqishtja e vjetër, anglishtja, italishtja etj., si edhe burimin mitologjik për shprehje të huazuara nga bibla ose nga mitet e lashta. Këto shpjegime vlejnë, në radhë të parë, për zgjerimin e horizontit kulturor të përdoruesit; por, më shumë, ato vlejnë për ta ndihmuar atë të zgjedhë e frazemën e duhur përgjegjëse të shqipes.
“Fjalori frazeologjik frëngjisht-shqip” plotëson një zbrazëti në fushën e fjalorëve dygjuhësh për frëngjishten, një gjuhë me traditë të hershme në Shqipëri, për të cilën, fatkeqësisht, ka pak fjalorë frëngjisht-shqip, edhe këta të tipit të vogël. Në fushën e frazeologjisë, këtë zbrazëti po e plotëson “Fjalori frazeologjik frëngjisht-shqip i autorëve Eshref Ymeri e Sefulla Kata, i cili, pa dyshim, është fjalori më i madh dhe më i mirë i botuar deri më sot në fushën e frazeologjisë dygjuhëshe me gjuhë të dytë shqipen.
Jemi të bindur se ky Fjalor, si vepra më e re dhe më e plotë për frazeologjinë frënge, do të shërbejë si një libër tryeze në radhë të parë për përkthyesit nga frëngjishtja në shqip e anasjelltas, për mësuesit dhe për pedagogët e studentët e frëngjishtes, po edhe për frëngjishtfolësit shqiptarë që duan ta thellojnë njohjen e gjuhës frënge.
Përtej këtyre vlerave, ky Fjalor – ashtu si fjalorët e tjerë me autor të vetëm ose kryesor prof. Eshref Ymerin – duke ballafaquar shqipen me një gjuhë të një kulture të madhe, siç është frëngjishtja, nxjerr në pah jo vetëm pasurinë frazeologjike të gjuhës shqipe, por edhe përkthyeshmërinë e saj të lartë. Për këtë arsye, ai u duhet edhe leksikografëve e frazeografëve, të cilëve mund t’u shërbejë si model për hartimin e fjalorëve frazeologjikë gjuhë e huaj – shqip edhe për gjuhë të tjera.
Do të ishte një ndihmesë e çmuar për frazeografinë shqiptare, nëse profesori do të arrinte që lëndën shumë të pasur shqip të këtyre fjalorëve frazeologjikë dygjuhësh ta përdorte si bazë për hartimin e një fjalori të madh frazeologjik të gjuhës shqipes. Ky fjalor do të shënonte kurorëzimin e punës së tij prej më shumë se një gjysmë shekulli dhe do të përbënte një vepër monumentale për frazeologjinë e gjuhës shqipe. Tiranë, 15 maj 2021

*Fjalori ka dalë nga shtypi në gusht 2021. Është botim i Shtëpisë Botuese “Bota Shqiptare”, me drejtor zotërinë Genti Gjonaj. Është shtypur si botim luksoz në Studion e njohur Intergrafika, me drejtor zotërinë Eduard Shima. 

Rezistenca aktive paqësore e përmasave vetëflijuese!

0

Florim Zeqa 

Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës në 23 marsin e vitit 1989, në Kuvendin e atëhershëm të Kosovës u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974 e ish Federatës Jugosllave, e cila Kosovën e përafronte në masë të madhe me republikat e tjera, duke e lënë Kosovën pjesë përbërëse të Serbisë. Suprimi i autonomisë së Kosovës u pasua me pushtimin e Kosovës me mijëra policë dhe ushtarë serbë, duke ushtruar masa represive dhe dhunë sistematike ndaj popullatës shumicë shqiptare, e cila më pas i mori përmasat e një aparteidi të vërtetë.

LDK bartëse e rezistencës aktive paqësore

Krijimi i situatës së rënduar pas suprimimit të autonomisë, e kishte shtruar nevojën imediate të organizimit të shqiptarëve të Kosovës. Një grup intelektualësh të shquar shqiptarë e formojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, subjektin e parë politik i cili e shënon edhe hapjen e proceseve demokratike në Ballkan dhe këtë pjesë të Evropës në përgjithësi.

Kësisoji, LDK brenda vetëm pak muajve i arrinë përmasat e një levizje demokratike, e cila, duke e bërë shkëputjen nga sistemi politik i kohës, u rritë dhe u homogjenizua, u shndërru në bartëse të rezistencës aktive paqësore dhe promotor i të gjitha zhvillimeve të mëvonshme politike.

Sikurse organizimi i qytetarëve rreth lëvizjes paqësore demokratike (LDK), edhe unifikimi i popullatës kundër pushtuesve serbë ishte i përmasave biblike. Padëgjueshmëria qytetare ndaj regjimit okupues të Millosheviqit, e kishte detyruar këtë të fundit, që t’i largojë qindramijëra shqiptarë në vendet e tyre të punës me pretekstin e mospranimit të masave të jashtëzakonshme të Serbisë.

Me këtë akt qyqarë, satrapi i Ballkanit kishte menduar që përveq me dhunë sistematike, t’i nënshtrojë edhe me uri shqiptarët e Kosovës. Por u mashtrua keq, madje kjo ç’menduri iu kthye në bumerang! Shqiptarët e Kosovës dhe të gjitha trojeve etnike u unifikuan akoma më shumë në përkrahje të njëri-tjetrit! Mërgata e jonë, si asnjëherë më parë gjatë historisë u mobilizue në mbështetje materiale të institucioneve paralele të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve në rrethanat e okuppimit klasik të Serbisë.

Ngjarjet që vunë themelet e shtetit të Kosovës

E di që është i pamundur përshkrimi kronologjik i të gjitha zhvillimeve politike dhe shoqërore gjatë 10 viteve të rezistencës paqësore në një shkrim autorial, por do t’ shkëpusë vetëm disa prej tyre, për të dëshmuar homogjenizimin e paparë e të padëgjuar të shqiptarëve gjatë kësaj periudhe historike; nivel i lartë humaniteti dhe solidariteti ndërqytetarë, falja e të gjitha gjaqeve dhe ngatërresave, shpallja e Deklaratës së Pavarësisë së 2 Korrikut 1990 para dyerëve të mbyllura të Kuvendit nga pushtuesit serb, Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit e të njëjtit vit, Referendumi mbarëpopullorë për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, mbajtur prej 26-30 Shtator 1991, zgjedhjet e para të lira dhe pluraliste për Kuvendin e Republikës së Kosovë, të mbajtura më 24 Maj 1992, nga të cilat zgjidhet edhe kryetari i parë i Republikës së Kosovës me mandatin e Kushtetutës së Kaçanikut.

Të gjitha këto ishin veprime vetëflijuese, për shkak se u realizuan nën masa të egra represive të pushtuesve serbë, të cilat paraqitnin rrezik permanent për jetën e delegatëve, aktivistëve dhe veprimtarëve, humanistëve dhe qytetarëve që e ndanin kafshatën e gojës me njëri-tjetrin!

Përmes këtij shkrimi të shkurtër, desha t’iu tregoj rrahagjoksëve që “luftën” e bënë hoteleve luksoze dhe disa politikanëve të pasluftës që “luftën” e bënë për pushtet e jo për shtet!

Shteti bëhet duke dhënë gjithçka, pa marrë asgjë prej tij. Të tillë ishin politik-bërësit, aktivistët dhe veprimtarët e viteve të ‘90-ta, të harruarit e ditëve të sotme siq po harrohen dita-ditës edhe heronjët dhe dëshmorët, invalidët e luftës dhe ushtarët e vërtetë të lirisë së Kosovës.

Sot nuk kemi nevojë për vetëflijime dhe as për heronjë dhe dëshmorë të rinjë. Kemi nevojë për kontributin e secilit qytetar për shtetin e Kosovës. Ta befasojmë edhe një herë Serbinë me unitetin tonë sikurse në vitet e ’90-ta, duke e bojkotuar çdo produkt të saj dhe çdo lëvizje nëpër territorin e saj.

Vuçiqi të izolohet dhe të largohët nga pushteti në Serbi

0

Nga Skënder MULLIQI

Tanket serbe janë pozicionur afër veriut të vendit tonë. Në Mal të Zi nga dita në ditë po ngritën tensionet politike më Serbinë , pas ngjarjeve më popa serb në Cetine, dhe në Bosnje thuhet së gjendja politike në përgjithësi nuk është e mirë. Edhe pse janë ngjarje të ndara , të përbashkëten e tyre e kan së Serbia është duke i kërcënuar më luftë.Pushteti shovinist i Beogradit po paraqiten si i pafajshem ,ku gjoja serbët po mbrohen nga agresioni .Vuçiqi nuk po merrë obligime dhe as nuk po pranon së në Kosovë ka pasur gjenocid nga forcat e Millosheviqit, e ku ky ishte shef I informacionit.

Ai po rrenë kur dëklaron së Kosova është fajtore për gjendjen e krijuar në veri më masat e reciprocitetit për targa .Ky ultranocianalist i tërbuar jo vëtem që po kërcënon më luftë, por edhe po dërgon ultimatume , tërthorazi duke kërcënuar edhe forcat paqëruejtëse të KFOR-it. Këto provokime kaq të rënda të Serbisë , nuk ishte dashur të lejohën të bëhën nga bashkësia ndërkombëtare, duke i larguar në mënyrë urgjente barrikadat dhe forcat serbe nga Jarinja dhe Bërnjaku.Neser zëvëndëskryeministri i Kosovës ,në takim më palën serbe duhet bërë të çartë Serbisë, së më një politikë të tillë luftënxitëse në veri, nuk mund të vazhdohen bisedimet.Duhet bërë të çartë regjimit shovinist të Beogradit, së apsolutisht janë të pa pranueshme qëndrimet e tilla destruktive hegjemoniste.

Manipulanitit Vuqiq duhet hequr dilemat së mund të fiton “Zajednicën” më kompetenca ekzekutive , kur e kemi Asociacionni e komunave shqiptare.Shihet së u bënë gabime të mëdha, duke filluar të Decentralizmi , Plani Gjashtë Pikësh i Ban Ki Munit,Fusnota famoze , e kështu më radhë deri të humbja e 8200 hektarëve toke më Mal të Zi dhe më nënshkrimin e marrveshjës për “Zajednicën”, e shumë marrveshje të tjera të cilat nuk i ka implementuar pala serbe .Vuçiqi duke mos respektuar asgjë që ka lidhje më Kosovën , po iu kthehët rrënjëve të nacionalizmit serbomadh në Ballkan.Legjionët çetnike të Vuçiqit dhe të Sheshelit janë quar peshë ,duke kërkuar taksiratin për popullin e vet. Janë duke luajtur më zjarrë në të cilën vet do të digjën…!

Nese dikur Serbia i ka zgjëruar territorët e veta në kurrizin e tokave shqiptare, kjo dëshirë e tyre tash do tju shkurtohët.Nuk do të marrin asnjë pëllmbë nga tokat shqiptare,por janë të detyruar të na i kthejnë tokat e grabitura. Ky njëri primitiv që po kërkon kaos, vrasës i shqiptarëve të Kosovës dhe të myslimanëve në Bosnjës, gjatë shpërbërjës së ish –Jugosllavisë , duhet më në fund ti tregohet vendi, nga faktori ndërkombëtar, duke e izoluar dhe larguar nga pushteti në Serbi.Ky kriminelë i kohës të Millosheviqit po kërkon destabilizim të rajonit dhe më gjerë.

Përfundimisht Evropa dhe Amerika duhet të mos i ndëgjojnë më rrenat e tij, së është për paqë dhe stabilitet , kur po vepron krejt ndryshe.Këtij maniaku politik duhet mëshuar nga të gjitha anët deri sa të rrëzohet mbi tokë, këtij pinjolli edhe të Rusisë të Putinit.

Bisedimet më një njeri të tillë zor që sjellin përparim dhe as stabilizim të marrdhënjëve të ndërsjella , dhe aq më pak integrime rajonale përmës idesë të plasuar të Open Ballkanit…!

Rikthim i frikshëm i skenarëve destabilizues në rajon

0

Profesionalisht, këtë zhvillim e gjej si përgjigje të vonuar për disa nga pikëpyetjet strategjike që u kam adresuar publikisht udhëheqësve të Beogradit dhe rajonit në 15 vjetët e fundit. Rikthimi te armët sigurisht që kënaqë ekstremistët, krimin e organizuar, oligarkët e pushtetit dhe gardën e sekserëve të korruptuar, por nuk u shërben aspak qytetarëve, as masave të mirëbesimit reciprok dhe as agjendës së integrimit euroatlantik të vendeve të rajonit. Si e tillë, shërben vetëm si mekanizëm i agjendës së politikanëve zullumqarë, për të mbajtur me çdo mjet/çmim (edhe me gjak) pushtetin, për të vjedhur pasuritë publike, si dhe për të vrarë shpresat e bashkëjetesës paqësore mes qytetarëve të Ballkanit.

Duke e parë kështu, rikthimi i frikshëm te tanket, aeroplanët Mig-29, raketat dhe bashkë me to ëndrrat ruse, te fryma e urrejtjes ndëretnike, te rrënjët e destabilitetit si dhe te konfliktet e përgjakshme, përçmon kujtimin për 300 mijë të vrarët si dhe vuajtjet dhe sakrificat e papërshkruara të qytetarëve të vendeve të Ballkanit nga makineria kriminale e Millosheviqit!

Falni, por mos harroni … Kjo thënie mbetet edhe sot si mesazh-epitaf jo vetëm për Kosovën e martirizuar, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjën, Kroacinë, Slloveninë dhe Shqipërinë që e paguan aq shtrenjtë marrëzinë e Millosheviqit, por edhe për ShBA-në, NATO-n, BE-në, OKB-në etj. që kontribuuan aq shumë për paqen e rajonit të mbërthyer nga urrejtja dhe luftërat e përgjakshme !

Së dyti, përsëris edhe më qartë se përtej statuseve dhe protagonizmit populisto-nacionalist të udhëheqësve pa fuqi/këllqe në Facebook: Mbetet domosdoshmëri kritike dhe përgjegjësi e lartë shtetërore përgatitja dhe jetësimi i një platforme partneriteti strategjik midis Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Për më qartë, jetësimi i konceptit “dy shtete një komb” dhe atij të mençur mbi sovranitetin, sigurinë dhe mbrojtjen mbarëkombëtare, si dhe zhvillimi i 12 projekteve të përbashkëta do të duhet të konfirmohet si përqasja afatmesme e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare! Thënë këtë, duhet nënvizuar edhe më fortë se kjo përqasje e vonuar nuk përben asnjë kërcënim ndaj Serbisë apo vendeve të tjera të rajonit!

Për më tepër, të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Serbinë, mbeten shumë të mirëpritura të bëhen pjesë e projekteve mbi emergjencat civile – përfshirë zjarret, përmbytjet, aksidentet industriale, ambientaliste, epidemitë, sigurinë kibernetike, reciprocitetin në dogana etj. Po ashtu, jam i bindur që kjo qasje e mençur do të inkurajohej dhe mbështetet nga ShBA-ja dhe nga NATO, pasi ka dekada që zbatohet me sukses mes vendeve baltike (Lituani, Estoni, Letoni), mes vendeve Skandinave (Norvegji, Finlandë, Suedi), vendeve të ulëta (Belgjikë, Holandë, Luksemburg) etj.

Së fundmi, përtej heshtjes së gjatë dhe dështimit të frikshëm të politikanëve zullumqarë për rikthimin te forca e armëve, shpresoj që fuqia e arsyes së mendjeve të hapura të zgjohet, paqja dhe integrimi euroatlantik të triumfojnë si opsion dhe agjenda të vetme për rajonin e mbushur me histori dhe udhëheqës gjakatarë!

Por, paqja, stabiliteti dhe demokracia funksionale, si ShBA-ja dhe gjithë Evropa, nuk janë dhurata të përjetshme! Në të kundërtën, ato mbeten kambana alarmi dhe mision i vetëm për të ndenjur zgjuar, punuar dhe luftuar fort kundër rikthimit te errësira e urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore!

Në vend të mesazhit përmbyllës, ritheksoj edhe më fortë: Stop rikthimit te tanket, aeroplanëve, raketave ruse, skenarëve të destabilitetit, mendjeve të ndryshkura, si dhe heshtjes së frikshme të politikanëve zullumqarë në rajon!