Kreu Blog Faqe 187

Punëtorët e gazetës “Rilindja”, vazhdojnë të jenë të diskriminuar dhe pa pensione të plota !

0

Zeqir Bekolli, Drenas

Historia e gazetës Rilindja nuk është vetëm histori e gazetarisë shqiptare në Kosovë, ajo është edhe histori e rezistencës kulturore dhe politike të një populli nën pushtim. Por paradoksi tragjik është se njerëzit që e mbajtën gjallë këtë institucion në kohët më të vështira, sot vazhdojnë të përballen me padrejtësi dhe diskriminim institucional.
Goditja e parë e rëndë erdhi në gusht të vitit 1990, kur regjimi i Slobodan Millosheviqit ndaloi botimin e gazetës “Rilindja”. Ky akt nuk ishte vetëm një vendim administrativ. Ai ishte rdhe një përpjekje për të heshtur zërin e shqiptarëve në Kosovë. Gazetarët dhe punëtorët e saj u përballën me presion, vrasje,  përndjekje dhe humbje të vendeve të punës.
Megjithatë, fryma e gazetës nuk u shua. Ajo vazhdoi të jetojë përmes gazetës “Bujku”, e cila u bë një formë alternative e informimit dhe rezistencës. Por edhe kjo përpjekje u ndërpre, më 31 dhjetor 1998, në kulmin e represionit serb dhe territ informativ gjatë luftës në Kosovë.
Pas përfundimit të luftës dhe vendosjes së Administratës Ndërkombëtare, shumëkush priste që padrejtësitë të korrigjoheshin. Por ndodhi e kundërta. Më 30 janar 2002, administrata e UNMIK-ut, me një vendim të njëanshëm, i dëboi punëtorët e “Rilindjes” nga Pallati i saj. Ky veprim u perceptua nga shumëkush si një goditje e re ndaj një institucioni që kishte mbijetuar edhe nën regjimin represiv serb.
Diskriminimi nuk u ndal me kaq. Në periudhën e Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Kosovë, punëtorët dhe gazetarët e “Rilindjes” vazhduan të përballen me trajtim të padrejtë. Kompleksi i “Rilindjes”, me rreth 5.5 hektarë truall, iu mor ndërmarrjes, ndërsa proceset e privatizimit dhe kompensimit u shoqëruan me vonesa dhe paqartësi.
Një ndër çështjet më të diskutueshme është ajo e të ashtuquajturit “20 përqindësh”, që u takon punëtorëve nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore. Edhe pse punëtorët e “Rilindjes” kanë të drejtë në këtë përqindje për ndërtesat, pagesat janë vonuar për vite të tëra, ndërsa e drejta për 20 për qind të truallit është mohuar plotësisht.
Padrejtësia bëhet edhe më e thellë kur merret parasysh çështja e stazhit të punës. Ligji parasheh njohjen e stazhit për periudhën 1989–1999 për punëtorët që punuan me ligje të Republikës së Kosovës dhe  u përjashtuan nga puna për arsye politike. Megjithatë, për shumë punëtorë e gazetarë të “Rilindjes” nuk është njohur stazhi për periudhën 1990–2002, edhe pse ata vazhduan të punojnë dhe të kontribuojnë në rrethana jashtëzakonisht të vështira.
Si pasojë e këtyre vendimeve, shumë prej këtyre gazetarëve dhe punëtorëve sot përballen me një realitet të hidhur, me  mohimin e të drejtës për pension të plotë. Kjo padrejtësi nuk është produkt i një qeverie të vetme, por ajo është trashëguar dhe vazhduar nga të gjitha qeveritë e pasluftës në Kosovë deri te kjo e sotmja.
Në një shoqëri që pretendon të ndërtojë shtetin e së drejtës dhe të nderojë historinë e saj, trajtimi i punëtorëve të “Rilindjes” mbetet një provë morale dhe institucionale. Punëtorët e “Rilindjes” nuk kërkojnë privilegje. Ata kërkojnë vetëm njohjen e kontributit të tyre dhe një Ligj që rregullon statusin e pensionistit në realitetin e ri në Kosovë. Sepse pa  këtë ligj edhe gjykatat tona po kanë telashe të sjellin vendime në dobi të pensionistëve të diskriminuar. Me një fjslë, pa drejtësi për ata që mbajtën gjallë fjalën e lirë në kohët më të errëta, edhe vetë kujtesa e lirisë rrezikon të zbehet.

Dr. Vjosë Osmani as “notere es Kurtit”, as “karrieriste”, por presidente unike e Kosovës

0
Idriz Zeqiraj, Gjermani   
 
      Qysh dy vjet më parë, opozita destruktive ka lansuar idenë e zgjedhjeve për presidentin. Qëllimshëm donin bllokadën, për rrjedhojë zhbllokimin me zgjedhje të reja.
    Shpifjet korale, akuza të poshtra e kriminale, nuk kanë rreshtur, që kur krerët e LDK-së, të prirë nga Isa Mustafa, si argatë të Hashimit dhe të PDK-së së tij, filluan goditjet e rugovistëve idealistë. Krimi në pushtet kishte prekur çdo qelizë të klasës politike dhe të shoqërisë kosovare. Ndryshimi ishte domosdo e kohës. Binomi Vjosa dhe Donika ishte i duhuri, për ta nismuar ndryshimin. LVV ishte rishtare në politikë, e pa inkriminuar, e pa shantazhuar dhe e gatshme për t`u angazhuar, për ndryshimin e madh – largimin nga pushteti të krerëve pushtetarë e shtetërore, të zhytur në krime vrastare, hajnore zyrtare dhe rrast të shantazhuar nga Serbia dhe ndërkombëtarët.
     Dr. Vjosë Osmani me përgatitje supreme politike, diplomatike dhe intelektuale e kompletuar, mençurisht, u zgjodh në kreun e shtetit – presidente e Republikës të Kosovës. Këtë detyrë e ushtroi me dinjitet dhe parime me integritet të plotë. Ajo dëshmoi se nuk ishte as “notere e Kurtit” dhe as “karrieriste”.
Përkundrazi, ajo shkëputi çdo lidhje partiake me LDK-në, LVV dhe, së fundi, edhe partinë e themeluar  dhe të pagëzuar nga ajo, me emërtesën adekuate
“GUXO”.
     “Amerika është partnere e luftës, partnere e së kaluarës, por jo partnere e së tashmes dhe të ardhmes”, – kishte blasfemuar dhe shkretuar Albin Kurti! Kjo edhe mund të përligjej, nëse Kosova do të kishte një shtet partner rezervë, me fuqi ekonomike, ushtarake dhe miqësore, më të madh se sa Amerika. Por, kundërpeshë mund të aludohet Rusia dhe Kina të marra së bashku për forcë ekonomike dhe ushtarake, ndërsa me zero (o) miqësi për Kosovën.
     Që këtej shpërthimi i presidentes Vjosë Osmani: “Nuk luhet bixhoz me ndërkombëtarët”, – e thënë në sallën e Kuvendit, për ta stopuar Albinin në kryeneçësinë në raport me Amerikën. Shto këtu edhe marrëveshjen e në Bruksel dhe Ohër, të biseduar me Vuçiq, të monitoruar nga Borrel dhe Lajçak, e panënshkruar nga palët. Ndryshimi nga asociacion në “vetë-menaxhim”, ka ngjallur huti dhe dyshime.
     Megjithatë, kryeministri Albin Kurti ka reflektuar dhe Amerikën, tashmë, e ka vënë “në ballë të oxhakut”, duke e konsideruar si partnere “të tashme dhe të ardhme”. Kjo duhet vlerësuar dhe besuar, sepse Albini llogaritet si djalë bollshëm i lexuar dhe i shkolluar, andaj ka fituar zemrat e shqiptarëve vendorë dhe botërorë.
     “Shqiptarët e duan Amerikën nga frika dhe jo për dashurinë e natyrshme”, – është shprehur Kurti. Përgjithësimi është i gabuar, por, realisht, ai e ka fjalën  për njerëzit e shantazhuar, për “madurotë” shqiptarë, të cilët ekzekutuan si “derrat e egër” bashkëkombasit  kundërshtarë politikë, me qëllim të marrjes dhe të mbajtjes të pushtetit dhunshëm. Dhe, këta janë disa “komandantë” kriminelë dhe hajna zyrtarë, sojin e të cilëve Amerika po e lufton anekënd Globit.
     “Amelika, Amelika”, përsëritë, vend e pavend, opozita e ardhur në pushtet, me dhunë e përgjakje, e ka plotë gojën, përjashto LDK.në, e cilat ka qasje të  siqertë për miken Amerikë. Subjektet ultra-komuniste, PDK, AAK, NISMA, të koalicionuara në PAN, tipike enverhoxhiste e staliniste, te ekstremit të majtë, i kanë konvertuar në emërtesa fallso të djathta!? Por, ato kanë qenë dhe mbeten të majta, partnere të Lindjes komuniste dhe kurrë të Amerikës dhe të Evropës Perëndimore. Këto subjekte kanë lindur nga mitra e përgjakur e LPK-së, e cila, dikur protestonte kundër bashkimit të dy Gjermanive, “sepse po dobësohet komunizmi në shkallë botërore”, arsyetonin militantët e LPK-së!
     Kishte një parashikim të bazuar se Albini nuk e donë Vjosën për presidente, ngaqë parapëlqen bashkëpunëtorë të bindur. Lojërat me numra të Kurtit u lexuan lehtësisht edhe nga populli. Edhe opozita ka të drejtë, të mos këtë tri postet kryesore pozita, pavarësisht fitores së madhe, vazhdon të bllokojë. Mund t`i lihet posti i krye kuvendarit opozitës, ndërsa kryeministri është i padiskutueshëm për pozitën.
     Tashmë, është pranuar nga pozita dhe opozita, plus populli i Kosovës dhe shqiptarët, se Vjosë Osmani ka përmbushur në plotëni detyrën e Presidentit/es
të vendit, pas Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Ajo arriti të krijojë një lidhje ndryshe me SHBA dhe BE-ë. Që këtej pasoi heqja e sanksioneve dhe një serë procesesh të tjera, duke ndikuar edhe në rehabilitimin e Kurtit dhe të qeverisë së tij.
     Nuk ka asnjë mëdyshje se mandati i dytë presidencial për Vjosë Osmanin, është interes shtetëror. Dhe, kushdo që kundërshton këtë, mendon për përfitime personale dhe aspak për interesin shtetëror.
     Është neveritëse të thuhet se Albini nuk i ka asnjë borxh Vjosës, për ta kandiduar për presidente, ndërkohë që ajo i ka dhuruar shumë-mijëra votues atij, madje në tri palë zgjedhjet radhazi. Kjo do të ishte jo vetëm mosmirënjohje ndaj një presidente krejt të veçantë, por edhe një fyerje dhe zhgënjim skajor i shqiptarëve të kudondodhur. Inati dhe xhelozia e pa motivuar, do t`i turpëronte të gjithë kontestuesit e kandidaturës të Vjosës, madje, për jetë e mot!
     Intervista e Vjosë Osmanit, dhënë Çim Pekës, ishte sqaruese, e sinqertë se Albin Kurti nuk i dha ofertë serioze asaj për postin e Presidentes. Përndryshe, ai duhej dhe duhet ta propozon Vjosën, duke “e justifikuar për punën e shkëlqyer; e donë populli, e duan shqiptarët, e donë Amerika, e duan ndërkombëtarët.
Për 5 (pesë) vjet ishte jashtë angazhimit partiak. Madje, është propozim jashtë-partiak. Kandidat tjetër nuk do të kemi nga ana e qeverisë dhe as nga LVV”.
Ky do të ishte propozimi dhe arsyetimi i Kurtit, për kandidaturën e vetme të Vjosës për Presidente.
     Dhe, nëse ky propozim nuk do të refuzohet, atëherë fajësia do t`i mbetet opozitës dhe LVV do të dilte faqebardhë, edhe nëse vendi do të shkonte në zgjedhje.
     Veprimtaret e shquara, Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla provuan “ta çajnë” bllokadën, për ta pavarësuar partinë famoze, LDK-në e Ibrahim Rugovës, e cila e bëri paqen, respektivisht, rezistencën aktive paqësore dhe luftën çlirimtare të Kosovës. Por karrocimi i klanit të Isa Mustafës ishte i hekurt dhe i goditi, deri në përzënien nga LDK-ja, për rritjen dhe qëndresën e së cilës kishin investuar shumë.
     Megjithatë, me punë dhe vullnet klasik, në koalicion me LVV, e cila, të paktën, nuk ishte pjesë e përgjakjes të LDK-së dhe Kosovën, arritën të shporrin nga pushteti i përgjakur “komandantët” vrastarë, hajna zyrtarë, haraçxhinj, makro-kontrabandistë, në bashkëpunim me Listën Serbe. Por edhe klanin patericë të PDK-së, brenda Lidershipit të LDK-së.
     E ardhmja u përket reformatorëve. Historia ka lënë në harresë perandorë, mbretër, shefa shtetërorë, gjeneralë…! Por, reformatorët mbijetojnë shekujt, epokat. Andaj, pavarësisht anatemimit, mallkimit të padrejtë dhe idiotesk, të bërë nga lakenjtë e Isa Mustafës, në adresë të Vjosë Osmanit dhe Donikë Gërvallës, ato kanë qenë dhe do të mbetën reformatore heroina.
     Guximshëm dhe dinjitetshëm denoncuan krimin dhe kriminelët, sepse është cinizëm dhe skajshëm kriminale, të vazhdojnë ta sundojnë popullin e përvuajtur të Kosovës vrasësit e kundërshtarëve politikë, përkatësisht, ushtarakët luftë-bërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës; veprimtarët e LDK-së;  gazetarët e “Bota Sot”; por, edhe brenda llojit – veprimtarët e hershëm të LPK-së, për ta pamundësuar konkurrencën në të ardhmen.
 
     “Ata që po i vret UÇK-ja, po i vajton LDK-ja”, – është titulli i një shkrimit, i shkruar nga kryetari i LPK-së, pikërisht, kur vrasjet cilësore, të përzgjedhura, të listuara u bënë normë-masive. Shkrimi u botua në njërën nga gazetat më përçarëse “shqip-folëse!” Ujdia, dakordimi për marrjen e pushtetit,
 dhunshëm e përgjakshëm, nga LPK-ja ishte arritur ndërmjet – Shërbimeve Informative – të Francës, Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë! Paraprakisht, është
uzurpuar udhëheqja e hershme e LPK-së, nga udhëheqja e re e kompozuar në Tiranë; është pushtuar gazeta e LPK-së; janë sekuestruar Fondet e Mërgatës, nën kërcënimin klishe “ose Fondin, ose ta vras djalin e hasretit”! Këto janë të dhëna, fakte, nga dorë e parë, nga palët në përballje! Klikoni, i gjeni dhe kontaktoni dëshmitarët okularë.
     Veprimtaret e dëshmuara për Kosovën, për lirinë dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës, si dhe për demokracinë. Sepse “liria pa demokraci është një përrallë dimri”, – ka thënë poeti gjerman Getë.
     Prandaj, veprimtaret Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla sikur sot të pensionohen nga politika, ato kanë kryer detyrën qytetare dhe atdhetare, më mirë se askush tjetër. Ato do ta gëzojnë përjetësisht respektin e shqiptarëve vendorë dhe botërorë, për shërbimin e madh, unik, në favor të popullit, Atdheut-Kosovë  dhe më gjerë në Shqiptari.
     Një mësim të veçantë, të dhënë shqiptarëve, nga Vjosa dhe Donika, është përzgjedhja e aleancave, koalicioneve partiake, për bashkëqeverisje. Mjerisht, kryetari i partisë, Isa Mustafa, është katapultuar në krye të LDK-së nga Hashim Thaçi dhe SHIK-u i tij kriminal. Rrjedhimisht, LDK-ja ishte bërë bisht dhe patericë e PDK-së. Dhe, hisedar në udhëheqje ishte edhe Hashimi. Këtë turpërim “me tupan” nuk mund ta duronin veprimtaret dinjitare dhe vendosen ta bëjnë ndryshimin e madh, andaj gëzojnë lavdinë e reformatoreve, pavarësisht çmimit që mund ta paguanin.

Falsifikimet ruse ne krijimin e Serbisë

0

Fahri Xharra, Gjakovë

Ne fakt Serbia nuk ishte krijue si një shtet i cili po buronte nga e drejta historike,por si një projekt Ruso-madh për t’krijue nje entitet sllav i cili në fazat e mavonshme ishte parapare t’i bashkohej të ashtuquajtures “Botë sllave” që pretendon shtrimjen deri në ujërat e ngroheta të Mesdheut.( Xhelil Arifi)

Asnjë e drejt historike nuk e mbronte krijimin e shtetit dhe kombit serb, sepse Rusia qe ne shek.17 -të qellimin e saj e arsyetoi thjesht me manipulimin e termit “serv”, “greco-servian” që në vetvete ishte një term latin për besimtarët e fesë ortodokse duke i quajtur “sherbëtor” .

Serbët e sotëm ende vazhdojnë të njejtin mashtrim së pari të vetvetes e pastaj edhe të tjereve me termin “serv”,

E kemi në dorë një dokument të Republikes se Venedikut per ortodokset e Dalmacisé të vitit 1755, vit ky kur serbët nga trillimi i Rusisë ishin ende në laboratorin e fasifikimit .

Shprehja italiane “Nazione Greca Serviana” është shumë domethënëse dhe duhet kuptuar në kontekstin historik të shek. XVIII, jo me kuptimin modern të “kombit”
Çfarë do të thotë “Nazione” në atë kohë?
Në dokumentet e administratës veneciane apo austro-hungareze, fjala “nazione” nuk nënkuptonte domosdoshmërisht një komb etnik si sot, por shpesh:
një bashkësi fetare
një komunitet juridik-administrativ
një grup njerëzish me rit të përbashkët kishtar
Pra, është më shumë term institucional sesa etnik.
2. “Greca” – dimensioni fetar
Fjala “Greca” zakonisht i referohet:
ritit ortodoks lindor (bizantin)
Jogrekëve etnikë
Në shumë dokumente të kohës:
“grek” = ortodoks
“latin” = katolik
Kjo vjen nga trashëgimia e Perandorisé Bizantinev ku gjuha liturgjike dhe kultura kishtare identifikoheshin si “greke”.
3. Pra, çfarë është në të vërtetë “Nazione Greca Serviana”?
Në praktikë, kjo shprehje i referohet:
një komuniteti ortodoks (rit “grek”)
që nuk ishte i lidhur me strukturën kishtare serbe
Kjo mund të përfshinte
shqiptarë ortodoksë
vllehë (arumunë)
ose të tjerë, të gjithë nën të njëjtin organizim kishtar
4. Pse është e rëndësishme?
Ky term tregon qartë një realitet historik :
identiteti në Ballkanin e shek. XVIII ishte shpesh fetaro-kishtar, jo kombëtar si sot
administratat e huaja i klasifikonin njerëzit sipas ritit dhe juridiksionit kishtar, jo sipas gjuhës apo vetëdijes etnike

1. Regjistrimet veneciane (Dalmaci, Venedik, Shqipëri e Veriut)
Në dokumentet e Republijes se Venedikut, komunitetet ortodokse shpesh quheshin:
“Nazione Greca”
ose “Greco-Serviana”
Këtu përfshiheshin:
shqiptarë ortodoksë nga veriu dhe jugu
vllehë (arumunë)
sllavë

Arsyeja: klasifikimi bëhej sipas ritit bizantin, jo sipas gjuhës.
Në disa qytete bregdetare (si Kotorri, Zara, apo edhe në zonat shqiptare), një shqiptar ortodoks mund të figurojë si “grek” vetëm sepse ndiqte liturgjinë lindore.
2. Dokumentet osmane dhe termi “Rum”
Në Perandoriné Osmane, të gjithë ortodoksët regjistroheshin si:
“Rum” (romakë / bizantinë
grek
bullgarë
shqiptarë ortodoksë
Pra, një shqiptar ortodoks në Korçë apo Berat identifikohej administrativisht si “Rum”, jo si “shqiptar”.Kjo lidhej me autoritetin e Ptriarkanes Igumenike të Stambollit që përfaqësonte gjithë ortodoksinë në Perandori.

“Kombi kosovar”, thikë pas shpine trupit të gjallë shqiptar

1

Luljeta Pula, politikane e shkrimtare nga Prishtina

Tani, gjithnjë e më shumë dëgjohen zëra që depërtojnë idenë e çmendur, për një “komb kosovar “.

Për një komb të ndarë nga trungu ynë shqiptar!

Me mbulesën e shtirur të gjoja tezës moderne, civile dhe evropiane ! Kjo sajesë që jehon çdo ditë në dyert tona , është një konstrukt i paqëndrueshëm historikisht dhe një rrezik real për identitetin tonë kombëtar dhe unitetin kombëtar shqiptar. Kombi Kosovar , është vetëm një rrezik biblik që sfidon historinë dhe vetëdijen tone kombëtare !

Dëgjohen zëra të shtirur se  “Kosova është një shtet i ri dhe ai duhet të ndërtojë një identitet të ri, përtej etnisë shqiptare”. Më pas se gjoja “Identiteti kosovar është gjithpërfshirës dhe i nevojshëm për për shtetin multietnik”. Dhe teza të tjera të çoroditutra se ne , pra Kosova “duhet të largohet nga nacionalizmi shqiptar, për të ecur drejt Evropës”. Këto teza që janë fund e krye anakronike, pa asnjë të vërtetë në konceptin e tyre, dhe tejet të rrezikshme për qenien tone kombëtare, nuk do duhej fare të trajtoheshin as të merreshin seriozisht.

Ato janë aq të shtirura e aq boshe, e lojë fjalësh, saqë do duhej të shpërfilleshin me neveri. Dhe do duhej të neglizhoheshin dhe të hudheshin në plehëra, si një frymë pa asanjë vlerë. Ama fakti që ato, sa vijnë e shtohen, sa vijnë e predikohen dhe propagohen me zë të lartë, sa vijnë e na bezdisin pa turp, megjithatë meritojnë përgjigje. Këto kuaziteza që kanë gjetur vend në shoqërinë tone, që duron gjithçka, janë një keqkuptim thelbësor, ose më saktë një manipilim i vetëdijshëm me të vërtetën, se shteti qytetar dhe identiteti kombëtar nuk janë të njejtë. Dhe përjashtohen midis tyre.

Sepse dihet pa ekuivoke, se një shtet mund të jetë demokratik dhe multietnik pa e mohuar identitetin kombëtar të popullit shumicë.

A keni dëgjuar ndonjëherë se Franca shpikë një “komb parisien” apo se Italia flet për një “komb romak”?

Përkundrazi, ato ndërtojnë shtetin e tyre mbi një identitet të qartë historik, duke respektuar dhe garantuar të drejta për të gjithë qytetarët.

Kuaziargumenti tjetër që dëgjohet në këtë kakofoni të rrezikshme zërash mashtrues e manipulues ,se për të ecur drejt Evropës duhet të largohemi nga nacionalizmi shqiptar, është edhe më i rrezikshëm edhe më skandaloz !

Po Evropa nuk është ndërtuar mbi mohimin e kombeve, por përkundrazi, mbi respektimin e tyre. Gjermanët janë gjermanë, francezët janë francezë dhe askush në botë nuk u kërkon atyre të shpikin identitetet artificiale, për të qenë evropianë. Këtu ngre kry kompleksi i inferioritetit ndaj kombit të tyre , të atyre që propagojnë këtë turp, dhe dëshira e mbjellur kaherë për tu distancuar nga vetja e tyre.

Përse ne duhet ta mohojmë vetveten për të qenë modern, e për të iu mbaruar qefin evropianëve ?

Duke hequr dorë nga vetja jonë ?

Dhe nacionalizmi në Evropë është aq i hapur dhe këmbëngulës! Dhe shumë popuj evropian me të drejtë krenohen me te ! Përse ne duheshka të heqim dorë nga vetvetja dhe nga nacionalizmi ynë i ligjshëm që është për ne edhe dinjitet edhe krenari. Kjo ide turpi, për të ashtuqujaturin komb kosovar, nuk është as spontane dhe as e rastit e as e pafajshme. Ajo është në shërbim të një logjike të vjetër të qarqeve antishqiptare për dobësimin e lidhjeve kombëtare shqiptare. Ajo është në shërbim të fragmentimit të identitetit tone kombëtar. Dhe kjo kuazitezë bie ndesh me vetë përvojën historike të Kosovës.

Breza të tërë të kombit tonë shqiptar kanë sakrifikuar, jo për një identitet fals, të ri e të paqartë. Por për lirinë, dinjitetin dhe krenarinë tonë si shqiptarë. Si mund të injorohet e të relativizohet pa fije turpi kjo trashëgimi, me teori të imponuara dhe të importuara të qarqeve më antishqiptare ?

Sepse identiteti kosovar është identitet shtetëror dhe qytetar që flet për përkatësi ndaj Republikës së Kosovës!

Por ai nuk mund, dhe nuk guxon të zëvendësojë identitetin e shenjtë kombëtar shqiptar. Na e dijmë që ka ide që lindin nga nevoja historike, dhe se ka ide që lindin nga sakrifica . Po kjo nga se lindi ? As nga nevoja dhe as nga sakrifica! Kjo herezi, si mori krahë në Kosovë ? Kjo lindi jo nga hutimi, por më keq se kaq! Kjo lindi nga komplekset e inferioritetit, nga mohimi i vetvetes dhe nevojës për tu identifikuar me të tjerët, nga harresa e qëllimshme e vetvetes dhe injorimi vetanak ! Kjo që kërkojnë ata, që me zë e thonë këtë herezi ,është thirrje për shkëputje nga rrënjët, thirrje për mohimin e historisë, ftesë për modernitet për llogari të identitetit kombëtar dhe një provë e rrezikshme mbi kujtesën kolektive. Sepse askush nuk I kërkon një populli të heqë dorë nga vetja për të qenë ‘”modern”. Europa nuk u ndërtua duke i zhdukur identitetet, por, përkundrazi, duke i respektuar ato . E thirrja tjetër për tu larguar nga nacionalizmi shqiptar, çfarë do të thotë ? Çfarë është ky largim ? A është largim nga gjuha? A është largim nga historia ? Nga gjaku i derdhur ? Nga varret e dëshmorëve që ranë për komb e për atdhe dhe jo për ide të shpikura e të shpifura, që rrënojnë dinjitetin tonë kombëtar ? Dhe për një identitet të lindur në tavolinat e errëta politike !

Sepse kombi nuk është projekt që shpiket sipas rrethanave. Kombi është kujtesë, është sakrificë, është mbamendje e gjallë që nuk fshihet, është jeta vetë ! Kombi nuk ndërtohet me slogane, kombi nuk ndërtohet me parulla e as me ide të shpifura që helmojnë kujtesën. Kombi jeton në gjuhë, në traditë, në qytetërim, në ndërgjegje, në identitet dhe në vetëdije e cila nuk flaket asnjëherë !

A janë more këta në vete? Po kombi nuk është projekt politik ! E nuk krijohet me slogane. Dhe nuk ndërrohet si rroba sipas kohës ! Ai është gjuhë, është histori, është traditë, është qytetërim, është sakrifice, është gjak i derdhur për të qenë shqiptar ! Shqiptar dhe jo diçka tjetër ! Këta po na kërkojnë, me një qetësi të frikshme të harrojmë kush jemi ! Na thonë, kjo është “më evropiane”. Asnjë vend europian nuk ka krijuar komb të ri për të qenë më demokratik ! Por Europa nuk kërkon nga askush të mohojë veten e të mohojë rrënjët e veta . Përkundrazi ajo i respekton ato. Po edhe sikur të kërkonte ? Çfarë pastaj ? Të dorëzohemi, a ?

A janë more këta në mend që kërkojnë të ndërtojmë një identitet të ri, përtej atij shqiptar? Kosova është shtet ,po! Një arritje madhore ! Por shteti nuk është komb ! Shpirti i Kosovës është shqiptar! Dhe zemra e Shqiptarisë është Kosova ! Kosova, pra ! Identiteti qytetar i shtetit ka rëndësi . Po. Kush po e cenon atë ? Askush ! Por ai nuk mund ta zëvendësojë identitetin kombëtar shqiptar ! Kjo ide e rrezikshme e këtij farë kombi kosovar është e porositur, e rrezikshme dhe e qëllimshme.

Nuk ka asnjë dyshim se ajo tenton të krijojë një çarje dhe ndarje artificiale, pikërisht aty ku historia ka ndërtuar një tërësi që nuk ndahet. Duke e afirmuar veten si progresiste, kjo ide me rrezik, është anakronizëm, është degradim dhe deformim i së vërtetës dhe historisë sonë, deformim i kujtesës sonë kolektive. Ajo është prapakthim dhe qëllim i projektuar për fragmentimin e shqiptarëve, së cilës çarje shqiptarët gjithmonë i kanë paguar haraç. Dhe e themi hapur, Kosova është shtet i pavarur , dhe kjo, nuk ka asnjë dyshim është arritje madhore historike ! Por shteti nuk është komb ! Shteti është strukture politike ! Ndërsa kombi është shpirt ! Dhe shpirti i Kosovës ka qenë, është dhe do të mbetet shqiptar ! Dhe të përpiqesh të zëvendësosh identitetin kombëtar me një konstrukt të ri, të paqartë, të paqëndrueshëm e të pambështetur në histori, kjo nuk është guxim ! Kjo është lojë e rrezikshme me të ardhmen !

Sepse një popull që fillon të dyshojë në veten e tij, ai rrezikon të humbasë gjithçka! Këta që e thonë këtë marrëzi dhe e propagojnë atë , pra kombin kosovar, e që nuk ndalen çdo ditë, si e kanë menduar këtë punë ? Ti ndajmë rrënjët tona të përbashkëta, ta ndajmë historinë, ta ndajmë të kaluarën tonë , të ndajmë të mirën e të keqen që e ndamë bashkë ndër shekuj, të ndajmë vajin dhe festën bashkë, të harrojmë vuajtjet e njeri tjetrit që i ndamë bashkë, të ndajmë dramat që i përjetuam bashkarisht dhe gëzimet që i bëmë bashkë ! Cfarë kërkojnë këta ? Të ndajmë shpirtin nga trupi, të ndajmë kokën nga trupi, të ndajmë ate që nuk ndahet dot, e që jeton vetëm si një dhe e tërë ! Si e kanë menduar këta këtë kob ? Këta që e predikojnë dhe e propagojnë pa turp këtë ferr për kombin tone ! Çfarë i shtyn ata në këtë perversitet që nuk e bën askush në botë? Ku e mësuan këta këtë çmenduri ? Dhe është nën dinjitetin tim edhe moral edhe kombëtar të debatoj me këto teza ogurzeza e të çmendura që sjellin vetëm zi e kob ! Dhe të përgjigjem në këtë deformim mendor dhe çmenduri perverse ! Megjithate, këmbëngulja e tyre është e rrezikshme, dhe ndaj rrezikut duhet të reagohet ! Një jetë të tërë e kam pasur vetëm një ideal ! Atë të Bashkimit Kombëtar ! Kujt iu ka mërzitur Shqipëria sot ? Cilat janë shtysat dhe motivet e tyre destruktive që i shtyjnë ata në këto ujëra të ndotura ! Kush po i cytë ata në këtë opstrukcion e destruktivitet ? Kush po i cytë ata kundër kombit shqiptar ? Ku është inteligjenca e mjerë e Kosovës, që nuk i dëgjohet zëri edhe sot, kur ka paralajmërime ogurzeza për të ardhmen e këtij populli ? Këta pa fije turpi e hezitimi dalin e thonë se  “Kosova duhet të ndërtojë një identitet të vetin, përtej përkatësisë shqiptare”?! Dhe askush nuk reagon. Pra përpjekje për një komb të ri! Në emër të modernitetit ! Pra duan të na bindin të bëjmë diçka tjetër nga ajo që jemi .Flasin për një’ “identitet kosovar” demek si domosdoshmëri e shtetit të ri. Thonë pa fije brejtje ndërgjegjeje se “Duhet të ndërtojmë një identitet përtej atij shqiptar”. Pa fijen e turpit trumbetojnë “kombin kosovar” mbi harresën e kësaj historie. Dhe aq u bën se kjo do të ishte shkëputje e rrezikshme nga rrënjët tona ! Sepse një popull që harron se nga vjen, ai rrezikon të mos dijë më se ku po shkon. Por unë e di, se këta, që flasin kështu e që propagojnë këtë ide të rrezikshme , janë nostalgjikët jugosllavë , që kurrë nuk u shkëputën nga sentimenti për Jugosllavinë ! Dhe kurrë nuk e harruan vëllazërim bashkimin , me popujt e Jugosllavisë ! Janë ata, pikërisht ata, që Shqipërinë e kanë përjetuar dhe e kanë qujatur armiqësore, sepse të tillë e ka qujatur Jugosllavija. Sepse ndërdija e tyre funksionon me frekuenca e sinjale jugosllave. Edhe tani ! Dhe kjo ndërdije sugjeron , si përherë distancim nga Shqipëria!

Këta predikojnë distancimin nga Shqipëria, sepse ata kështu e ndjejnë, e mendojnë dhe e përceptojnë. Sepse fare nuk u bën përshtypje se me të tilla dokrra perverse, cenohet identiteti kombëtar shqiptar, cenohet tradita dhe historia jonë e ndërthurrur dhe e përbashkët. Sepse ndërdija e tyre, jo rastësisht sugjeron ndarjen dhe distancimin, sepse kështu, do ishim më pak shqiptarë , kështu do ishim të ndarë dhe të ndryshëm nga njeri tjetri! Dhe kështo do të sundoheshim më lehtë, e do mbroheshim më vështirë ! Dhe, po , ju flet ndërdija ! Jugosllavija dhe Sërbija, këte do donte ! Këta, demek kosovocentristet, pa iu trembur qerpiku, kërkojnë dhe godasin supstancën tonë kombëtare, në emër të modernitetit dhe kosmopolitizmit! Dhe ky akt destruktiv e rrënues duhet sulmuar në kor ! Duhet në kor të goditet kjo e zezë nga të gjithë, por në radhë të pare nga inteligjencia, andej e këndej kufirit ! Me një zë ! Sepse ky akt dekadent e antihistorik, duhet flakur tutje me guxim dhe vendosmëri !

Lufta kundër Iranit nuk ka përfunduar – ajo thjesht ka hyrë në një fazë të re…!

0
Gabimi më i madh që mund të bëhet pas një armëpushimi është të besohet se vetë armëpushimi u jep përgjigje pyetjeve që e shkaktuan luftën. Ai ndalon zjarrin. Nuk e zgjidh domosdoshmërisht konfliktin. Ai ngrin një moment. Nuk e zhduk logjikën që çoi drejt përplasjes.
Pikërisht aty ndodhemi tani.
Shumë nga debati publik ngec në një lloj tuneli mediatik. A fitoi Trump apo u tërhoq? A u frikësua Irani apo shpëtoi regjimi fytyrën? A i arriti Izraeli objektivat e tij apo u ndal përgjysmë? Këto pyetje nuk janë të parëndësishme, por janë më pak të rëndësishme sesa duken. Për të kuptuar se ç’ po ndodh realisht, duhet të fillohet në një nivel tjetër: jo me rubrikat e ditës, por me realitetet strategjike bazale.
Realiteti i parë është se interesat e SHBA-së dhe të Izraelit mbivendosen, por nuk përputhen plotësisht. Të dyja duan të dobësojnë aftësinë e Iranit për të kërcënuar rajonin. Të dyja duan të kufizojnë kapacitetet bërthamore dhe ushtarake të Iranit. Të dyja e shohin projektin agresiv rajonal të regjimit iranian si destabilizues. Por kjo nuk do të thotë se kanë të njëjtin prag dhimbjeje, të njëjtin horizont kohor apo të njëjtin përkufizim të fitores.
Për SHBA-në, Irani është një çështje shumë e rëndësishme, por jo e vetmja dhe jo gjithmonë kryesorja. Uashingtoni duhet të marrë parasysh çmimet e naftës, ekonominë globale, politikën e brendshme, ciklet zgjedhore, ngarkesën ushtarake, Kinën, Rusinë dhe hartën më të gjerë strategjike amerikane. Për Izraelin, llogaritja është ndryshe. Irani nuk është një problem mes shumë të tjerëve. Në një masë të madhe, Irani është korniza që përfshin pothuajse të gjitha problemet e tjera: Hezbollah-un, armatosjen rajonale, kërcënimin me raketa, luftën me dronë, çështjen afatgjatë të parandalimit dhe stabilitetit.
Kjo do të thotë se i njëjti armëpushim mund të duket ndryshe, varësisht nga kush e sheh. Për një president amerikan mund të jetë një mënyrë për të stabilizuar një situatë të rrezikshme përpara se kostot të shpërthejnë. Për Izraelin mund të jetë një pauzë operative e përkohshme në një luftë që në esencë vazhdon.
Realiteti i dytë është se luftërat moderne nuk vendosen më vetëm duke shkatërruar ushtrinë klasike të kundërshtarit. Irani mund të humbasë baza ajrore, objekte, qendra komanduese dhe kapacitete prodhuese, dhe megjithatë të ruajë një mjet shumë të rrezikshëm – aftësinë për të krijuar trazira rajonale dhe globale me kosto relativisht të ulët. Pikërisht aty qëndron një nga mësimet reale të kësaj lufte.
Dronët e lirë, depot e shpërndara të raketave, lufta asimetrike e vazhdueshme dhe kërcënimi ndaj pikave kyçe të tregtisë globale, nuk janë fenomene anësore. Ato janë vetë elementi i terrenit të ri strategjik. Nuk është e sigurt që pala që shkatërron më shumë fiton e para. Mund të jetë ajo që e bën më të shtrenjtë për kundërshtarin të vazhdojë, ose më të shtrenjtë për botën ta injorojë.
Prandaj Ngushtica e Hormuzit nuk është një detaj. Prandaj infrastruktura energjetike nuk është një çështje periferike. Prandaj mbrojtja ajrore, rezervat e raketave mbrojtëse, prodhimi dhe logjistika, janë po aq të rëndësishme sa tanket, avionët dhe flotat në epokat e mëparshme. Raundi tjetër i kësaj lufte nuk do të vendoset vetëm nga vullneti politik, por edhe nga kush mëson më shpejt mësimet teknike dhe ekonomike të saj.
Kjo na çon te realiteti i tretë? Paj, luftërat janë gjithashtu shkolla. Çdo luftë e papërfunduar është një klasë për luftën e ardhshme. Një luftë e paqartë ose e ndërprerë është veçanërisht e rrezikshme, sepse të dyja palët dalin prej saj me argumente se nuk kanë humbur ende dhe me një shtysë të fortë për t’u përshtatur, për të korrigjuar dobësitë dhe për t’u rikthyer më të përgatitura.
Izraeli do të nxjerrë përfundimin se mbrojtja ajrore duhet thelluar, rezervat duhen rritur, varësitë nga furnizimet e jashtme duhen zvogëluar dhe se presioni ndaj rrjetit rajonal të Iranit duhet të vazhdojë aty ku është e mundur. Irani do të nxjerrë përfundimin se edhe një regjim i goditur rëndë mund të ushtrojë ende ndikim të madh përmes tregjeve të energjisë, kapaciteteve të qëndrueshme me raketa dhe përfaqësuesve në disa fronte. SHBA-ja do të nxjerrë përfundimin se edhe krizat e kufizuara rajonale mund të konsumojnë burime në mënyrë disproporcionale dhe të kenë pasoja të drejtpërdrejta në politikën e brendshme.
Asgjë nga kjo nuk tregon një luftë të përfunduar. Gjithçka tregon një luftë që ndryshon formë.
Kjo na çon te një pikë e katërt që shpesh keqkuptohet… konflikte të tilla nuk drejtohen vetëm nga interesa në kuptimin e ngushtë, por edhe nga mënyra se si aktorët e kuptojnë veten, historinë dhe atë që është në rrezik. Kjo nuk do të thotë se liderët janë të robëruar nga ideologjia. Do të thotë se nuk mund të zvogëlohen vetëm në oportunizëm të pastër.
Irani nuk e sheh veten si një shtet të zakonshëm. Vetëkuptimi i regjimit ndërtohet mbi rezistencën, qëndrueshmërinë, sakrificën dhe bindjen se historia mund të përmbyset përmes vullnetit dhe përballjes së gjatë. Kjo e bën regjimin të aftë të përballojë vuajtje në një mënyrë që shumë sisteme më pragmatike nuk mund ta bëjnë. Në të njëjtën kohë, Izraeli nuk është vetëm një fuqi ushtarake që reagon mekanikisht ndaj kërcënimeve. Izraeli e lexon këtë konflikt edhe përmes përvojës së vet historike – se armiqtë që flasin hapur për eliminim duhet marrë seriozisht, se dështimi në parandalim kushton shtrenjtë dhe se luftërat e lëna përgjysmë kanë prirjen të rikthehen në kushte më të këqija.
Kur përplasen dy mënyra të tilla të të menduarit, armëpushimet janë pothuajse gjithmonë të brishta. Jo sepse askush nuk dëshiron qetësi, por sepse qetësia nuk i përgjigjet pyetjes që secila palë e konsideron vendimtare.
Për Iranin, pyetja është nëse regjimi mund të imponojë ende peshë, frikë dhe hapësirë strategjike pavarësisht humbjeve ushtarake. Për Izraelin, pyetja është nëse armiku është privuar realisht nga aftësia e tij për të vepruar në të ardhmen apo vetëm është dëmtuar përkohësisht. Për SHBA-në, pyetja është nëse mund të kufizohen kostot pa ftuar kosto edhe më të mëdha më vonë.
Kjo mund të përshkruhet si një moment diplomatik. Është më e saktë ta quajmë një gjendje ndërmjetëse.
Kjo nuk do të thotë se një luftë e madhe është e pashmangshme nesër. Nuk do të thotë se çdo armëpushim është i pakuptimtë. Nuk do të thotë as se të gjithë aktorët kërkojnë përshkallëzim maksimal. Do të thotë diçka më e kufizuar, por edhe më serioze – shkaqet themelore të luftës mbeten në masë të madhe të paprekura, ndërsa mësimet praktike nga kjo fazë tashmë po formojnë tjetrën.
Prandaj ajo që duhet ndjekur tani nuk janë vetëm deklaratat publike, por katër pyetje më të thella.
E para: a e sheh SHBA-ja këtë armëpushim si fund apo si një pauzë?
E dyta: a ka Izraeli hapësirë për të vazhduar goditjet ndaj rrjeteve iraniane jashtë Iranit?
E treta: sa shpejt mund ta rikuperojë Irani kapacitetin e tij për të rivendosur parandalimin?
E katërta: a e kupton Perëndimi seriozisht se dronët, raketat dhe pikat kyçe përcaktojnë luftën e ardhshme?
Nëse përgjigjja ndaj kësaj të fundit është jo, atëherë lufta tashmë ka filluar të përgatisë humbjen e radhës. Sepse ajo që sapo ndodhi nuk ishte vetëm një përplasje mes Izraelit, Iranit dhe SHBA-së. Ishte një demonstrim i brishtësisë së botës moderne përballë aktorëve që kombinojnë këmbëngulje ideologjike me mjete të lira për të shkaktuar goditje të mëdha. Një regjim nuk ka nevojë të dominojë qiellin për të krijuar panik global. Nuk ka nevojë të fitojë një luftë klasike për të ndryshuar llogaritë politike në Uashington, në tregjet e naftës apo në debatet e sigurisë në Evropë.
Prandaj pyetja “a ka përfunduar lufta?” është shumë e thjeshtë.
Pyetja më e mirë do ishte: në ç’ lloj lufte ndodhemi tani?
Dhe përgjigjja është se nuk bëhet më fjalë kryesisht për një ofensivë apo një armëpushim të vetëm. Bëhet fjalë për një provë të zgjatur të vullnetit, këmbënguljes, kapacitetit industrial, përshtatjes teknologjike dhe nervit politik. Në këtë pikë, asgjë nuk mund të quhet “e përfunduar”.
Lufta nuk ka përfunduar.
Ajo thjesht ka hyrë në fazën më të rrezikshme, në atë ku të gjithë marrin mësim.
Në foto: Ngushtica e Hormuzit, një nga pikat më të ndjeshme të ekonomisë globale, ku konflikti lokal mund të ketë pasoja botërore.

Propaganda për Amerikën e vetmuar, për etiketat ndaj Trump si i çmendur, në kontrast me regjimin e ajatollahëve që ka vrarë dhjetëra mijëra

0

Doc-TV
Document.no / Redaksjonen , me 08.04.2026 19:14
Para shumë vjetësh, Mark Steyn publikoi librin America Alone. Në të, ai parashikoi se SHBA-të do të qëndronin përsëri të vetmuara në fushën e betejës si mbrojtëse e qytetërimit perëndimor. Koha e ka bërë atë të ketë të drejtë. Mediat perëndimore dhe politikanët garojnë për të folur keq për Trump. Ai paraqitet si i çmendur dhe i rrezikshëm. Në kontrast me regjimin e ajatollahëve që ka vrarë dhjetëra mijëra. Kjo është nxirosje.

Është një situatë e çuditshme, por pak njerëz duket se e vënë re. Ata janë thellësisht të bindur se kanë të drejtë.

Document ka qenë media e vetme në Norvegji dhe ndoshta në Skandinavi, që ka mbrojtur SHBA-të e Trumpit dhe Izraelin.

Që të dy këta janë pothuaj të pathyeshëm së bashku bën që kundërshtarët të shkrepin dhëmbët. Prandaj ata përpiqen të ulë SHBA-të dhe Izraelin.

Thuhet se pozicioni i SHBA-ve është dobësuar.

Nga çfarë marrin ata mendimet dhe informacionet e tyre?

SHBA-të kryen një operacion heroik shpëtimi të pilotit të dyte të avionit të rrëzuar të dielën. Kur sheh Laura Ingraham dhe Jesse Watters të flasin për “kombin” është i njëjti shpirt që mundi nazizmin dhe komunizmin.

SULM: Tymi ngrihet pas një sulmi ndaj kryeqytetit të Libanit, Bejrut, të mërkurën. Foto: Anwar Amro / AFP / NTB

Por Evropa nuk ka shpirt. Ata duket se më tepër janë të zënë me diçka. Kontinenti po përballet me një të ardhme të errët nëse nuk mund të marr frymëzim nga SHBA-të. SHBA-të ecin para dhe udhëheqin, por Evropa refuzon të ndjekë.

Në program janë edhe Christian Borchsenius dhe redaktori.

Doc-TV: America alene

Prisi i Krujs’…, kushtuar Gjergj Kastriotit

1
Përmendorja e Gjergj Kastriotit – Skënderbegu
                                                                                                       Ismet Hasani, Suedi
PRISI I KRUJS’
(Kushtue Gjergj Kastriotit – Skënderbegut)
 SKJARIM: Masi kanga âsht e moçme edhe une e shkrova në dijalektin e t’moçmëve
 Baba i Gjergjit âsht ngushtu’
Haraç për me dhânë
Atëherë Sulltani ka urdhnu’
Djemt o me ja marr’!
Kur të vjen o hasmi mrena,
Kokën ta rrënon,
Sikur gjarpni me dy krena
O helmin ta lëshon!
E kan’ nda Gjergjin pej nane,
Shtatë vjeç – në vogjëli
Pikëlloj zemra e Vojsavës,
Kruja ra në zi.
O e kanë çua Gjergjin n’Turqi,
Në shkollë ushtarake,
U tregua me zotësi,
Por si mjeshtër shpate!
Aiii kudo luftat i kish’ fitu’
Bash në çdo betej’
Dhe Sulltani ia ka vu’
Emnin – Skënderbej!
Nji ditë Sulltani me provu’
O e paska dvetë:
Në Shqipni a don me shku¨
Baba ty t’ka vdekë?!
Heu, Skënderbeu mirë kish’ dijt’
Edhe i kishte than’
Do t’liftoj unë për Turqi,
O Baba Sulltan!
O Skënderbeu priste rastin
Për me ardh’ n’Shqipni,
Erdhi dita, e mori atin,
Erdh nji yll i ri!
O natë e dit’ tuj kalëru
Arrinë në Kalá
Në shtëpi, kur ka shku¨
E gjen’ nanën tuj qa.
Nana e Gjergjit tuj vajtu,
Shpatë n’mur shiqonte,
Kur do t’ktheht mo ai burrë?
Shqipnin’ ta shpëtonte!
O n’ato çaste t’përmallimit,
Djali e përqafoj
”Na ka ardhë ky yll prej Qielli”
Nana e përqafoj.
Atëher’ trimi n’kam’ u çu’
Shpatën e rrëmbeu,
Gjith’ Shaqipnia kan’ ndëgju’
”Erdhi Skënderbeu!”
An’e kand nëpër Shqipni,
Dasmja ka fillu’
Per rreth trimit – Skënderbé
Të gjith’e janë bashku’!
Kur për këte ndjeu Sulltani
Se Skënderi ka shku’
Shumë ushtrinë e bani gati
Shqipnin’ me sulmu’!
Vjen ushtrija pa nderpre
Gjergji e pa çka ndodhi,
Krejt ushtrinë ja ka pré
U tmerrue Stambolli!
E ka shkru’ me shkronja t’arit
N’ histori botnore,
Dy sulltana na i rrëxoi shpata,
O n’tokën arbnore!
Mos harroni o sulltan,
Mos harroni n’ajher’
Se Shqipnia ka lind trima
O të tjerë – Skënder’!
Për Flamur e tokë arbnore,
Të hedhin në erë!
*
Shënoi: në dialektin e moçëm/IMH

Isa Mulaj e analizon dhe jep mendime “për një punë të kryer me zell…”

0
Isa Mulaj, Istog
____
Dick Marty ndoshta jo, por Shkëlzen Gashi me prova është anti-shqiptar dhe pro-sërb i zellshëm
“E l’shova një rrenë qatje n’fund t’katunit dikun, e kur dola n’krye ish ba e vërtetë” – Nastradini
Por, kur Shkëlzen Gashi lëshon shumë rrena në qëndër dhe studiot televizive të kryeqytetit, ato përnjëherë marrin me mijëra pëlqime dhe shpërndarje në rrjete sociale, që do të thotë se ai është shumë më i shkathtë se Nastradini.
Jemi për linçimin publik të Shkëlzen Gashit nëse Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) e neglizhon, fsheh, ose hesht rastin me prova të nxitjes së urrejtjes kombëtare, legalizimin e përmbajtjes së rreme, prishjen e rendit dhe të qetësisë publike.
“Sërbia Tjetër” është pjesë e projektit “Bota Sërbe” i cili u bë publik si koncept në shtator të vitit 2020 kur edhe filloj angazhimi i zellshëm i Shkëzlen Gashit për t’ia shitur “Sërbinë Tjetër” shqiptarëve, ose vazhdimësi e projektit të Sërbisë së Madhe të filluar në vitet 1990-ta.
***
Shkëlzen Gashi nuk është aq studiues sa është strateg i vënies së botimeve të tij në shërbim të fajtorit ose armikut kundër viktimës ose shqiptarëve. Ai filloj të bëhët i njohur me një biografi për Adem Demaqin të cilën e kishte botuar duke u mburrur me njoftimin si biografi E PA AUTORIZUAR.
Sigurisht, nuk kishte nevojë të ketë ndonjë autorizim ose leje nga Adem Demaqi pasi ky i fundit mund të ndikonte në përmbatjen e biografisë duke i censuruar gjërat që nuk i pëlqënin. Mirëpo, pasi ishin themeluar Dhomat e Specializuara dhe Gjykata Speciale, Shkëlzen Gashi iu përvish punës me zell, për çka edhe financohej, për botimin e përmbledhjeve nga projekti “Sërbia Tjetër” në seri: “Sërbia Tjetër 1: Bogdan Bogdanović” (2021), “Sërbia Tjetër 2: Miloš Minić” (2021), ““Sërbia Tjetër 3: Srđa Popović” (2022), “Sërbia Tjetër 4: Lazar Stojanović” (2023). Nuk ishte projekt i tij por i Sërbisë, i botuar për herë të parë në vitin 1992 si “Druga Srbija” (Sërbia Tjetër).
Projekti ishte pjesë e mendimeve të pavarura të disa intelektualëve sërb, aty-këtu, që e kundërshtonin nacionalizmin sërb dhe luftën për Sërbinë e Madhe duke e shkatërruar Jugosllavinë. Kushdo mund të bënte aso shkrime kundërshtuese derisa nuk ndikonin asgjë tek ngjarjet në terren dhe te regjimi i Sërbisë. Po i njëjti regjim i asaj kohe, është edhe sot në pushtet të Sërbisë, pra, nuk ka ekzistuar as atëherë e as sot ndonjë Sërbi tjetër pos e njëjta dhe me regjim të njëjtë, tani e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq, ish ministër i informacionit në regjimin e Millosheviqit.
Projekti “Sërbia Tjetër” i filluar në Beograd më 1992 u eksportua në Kosovë tek “Shqiptari Tjetër” Shkëlzen Gashi. Dallimi ishte se, përderisa për biografinë e Adem Demaqit nuk kishte autorizim, “Sërbia Tjetër” e kishte autorizimin jo të sërbëve “tjerë” por të regjimit të Serbisë së njëjtë. Sërbëve tjerë, atëherë por edhe sot, nuk u ka interesuar të gjëjnë “Shqiptarë Tjerë” si Shkëlzen Gashin por pas luftës në Kosovë, projekti i “Serbisë Tjetër” më së shumti i lëvërdisë regjimit të sotëm ose dhe të atëhershëm të Republikës së Sërbisë. Sepse, në këtë mënyrë regjimi i sotëm (i njëjti që nga vitet 1990-ta) synon t’i mbajë shqiptarët e Kosovës në iluzione se ekziston “Sërbia Tjetër”, gjersa ajo dhe kjo e vërteta e sotshme vazhdon projektin konkret të Sërbisë së Madhe në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, dhe Mal të Zi. Bartës dhe financues i këtij projekti për “Sërbinë Tjetër” për t’i vënë shqiptarët në letargji përballë projektit konkret të Sërbisë së Madhe, duhet të jenë sërbët tjerë në bashkpunim me shqiptarët tjerë si Shkëlzan Gashi.
Autori i “Sërbisë Tjetër” në Kosovë, për t’ia mohuar fajin kolektiv Sërbisë për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit e cila është dënuar në rastin e Bosnjë-Hercegovinës përmes Rezolutës A/RES/78/282 të Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së të datës 23 maj 2024, ka marrë misionin për ta ndalur dënimin thuajse të pashmangshëm të Sërbisë edhe në rastin e Kosovës. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e ka dënuar atë Serbi që ekziston ose të vërtetën dhe nuk ka qenë në dijeni “Serbinp Tjetër” sepse nuk ekzistonte. “Serbia Tjetër” është projekt i Sërbisë ekzistuese për t’ua shpërlarë trurin shqiptarëve përmes librave të Shkëlzen Gashit duke i ngrakuar me mendimet e kota të disa intelektualëve sërbë në njerën anë, e duke e shtrembëruar gjendjen faktike kundër viktimave shqiptare në anën tjetër, si për shembull, në masakrën e burgut të Dubravës në komunën e Istog. Në të dyja rastet, Shkëlzeni jo vetëm që shërbehet me burimet tendencioze serbe por ato i miraton dhe mundohet me forcë t’ua imponoj viktimave shqiptare në këtë formë origjinale:
“Sipas HLC-së, në Burgun e Dubravës janë vra gjithsej 106 veta (3 veta më 10 maj; 34 veta më 21 maj; 58 veta më 22 maj dhe 11 veta më 23 maj), prej të cilëve 48 figurojnë si persona të armatosur shqiptarë kurse 58 si civilë të paarmatosur (56 shqiptarë, një ashkali dhe një boshnjak).”
Kështu e ka formuluar tekstin Shkëlzen Gashi, e jo HLC e cila ka dhënë tabelën me numra dhe emra te të vrarëve. Për t’u bërë edhe më tendencioz, referencës në HLC Shkëlzeni ia shton vetë edhe këtë interpretim të tij: “Ndër civilët, të gjithë janë meshkuj, asnjëri nuk është nën 18 vjeçar e as mbi 65 vjeçar.”
HLC nuk ka thënë askund se “48 figurojnë si persona të armatosur shqiptarë” por kështu e thotë Shkëlzen Gashi. Pyetja e parë dhe e mënjershme e çdo lexuesi që nuk do t’iu lejonte të vazhdonit më tutje nëse ua tregoni këtë në formë gojore, do të ishte: “Qysh, a kanë shku me sulmu burgun ata 48 shqiptarë të armatosur, apo dikush ua ka sjellë armët brenda burgut?! Apo, i kanë vra njëherë, e tani te koka ua kanë paraqitur nga një apo më shumë armë, dikujt revole, tjetrit AK-47, tjetrit M-48, tjetrit RPG, tjetrit granatë dore?!” Këtij skandali të “studiuesit” i cili nuk din çka është metologjia, statistika, provat, recensioni, dhe interpretimi i shtohet edhe interpretimi i tij se “Ndër civilët, të gjithë janë meshkuj, asnjëri nuk është nën 18 vjeçar e as mbi 65 vjeçar.” Kjo do të thotë se të gjithë paskan qenë të moshës për luftë por s’paskan pasur armë brenda burgut sikur ata 48 tjerë, prandaj është dashur të vriten! Autori ose studiuesi qëllimisht i bënë të burgosurit shqiptarë njerëz të armatosur, duke e mohuar faktin se ata ishin të burgosur. A e dini çka është i burgosuri? Si Hashim Rexhepi, ish-guvernatori i Bankës Qendrore me kravatë (i liruar i pafajshëm), si ai që ka vjedhur dhe vrarë, si kryetari dhe kryeministri, si ai që e ka mbytur dikë me veturë në komunikacion pa dashje, krejt janë njësoj – të burgosur ose të privuar nga liria. Që të gjithë i kanë të drejtat e të burgosurve, kështu që, vrasja e njërit, cilit do qoftë, llogaritet krim.
Posa është liruar me procedurë të rregullt, Shkëlzen Gashi nxiton ta njoftoj publikun se ka marrë mbështetje kundër PSRK-së nga historianët si Noel Malcolm dhe Oliver Schmitt. Po mendojka se deklaratat e historianëve e ndalin PSRK-të nga kryerja e detyrës zyrtare të përckatuar me ligj. Kjo vetëm ia ranon vllaçën më shumë Shkëlzenit pasi PSRK mund ta përdorë si provë në gjykatë për ta dënuar. Më mirë do të ishte t’i përdorë sërbët dhe “Sërbinë Tjetër” si referencë mbështetëse që e kundërshtojnë përndjekjen dhe dënimin e tij.
Nga PSRK kërkohet ndjekja penale rreth faktit se si arriti Shkëlzen Gashi ta vërtetoj se 48 të burgosurit e masakruar shqiptarë në burgun e Dubravës ishin të armatosur? Nuk ka këtu “kështu ka thënë ose po thotë ky apo ai botim.” Studiuesi normal e përdorë burimin por ia sqaron lexuesit dhe publikut se a qëndron ai burim apo jo, pra e ka aftësinë e analizës kritike dhe kërkimit të mëtejmë. Nëse nuk din, e lë si rekomandim për të tjerët që ta vërtetojnë më mirë. Nëse PSRK frikësohet, shantazhohet dhe qenka kufizuar vetëm në një nen të Kodit Penal për “nixtjen e urrejtjes, përçarjes, dhe mosdurimit kombëtar” nga Shkëlzen Gashi, ne po ia bëjmë me dije jo vetëm prokurorit të rastit por edhe juve si publik, se hetimi dhe ndjekja penale duhet të zgjerohet edhe në këto vepra të dyshuara penale sipas Kodit Penal:
1) “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, për shkak se Shkëlzeni i paraqet 48 të burgosur si njerëz të armatosur të cilët ose kanë shkuar për ta sulmuar burgun, ose janë armatosur brenda burgut dhe qenkan vrarë të armatosur; dhe
2) “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, kur Shkëlzeni me financim dhe ekspozitë me pllakata/billborde/banera përgjatë sheshit “Nënë Tereza” në Prishtinë e terrorizon publikun me dezinformata se 48 të burgosur shqiptarë të masakruar figurojnë të armatosur (pa e theksuar llojin e armëve).
Tjetërgjë është t’ia huqni apo keqkuptoni jo vetëm në një por edhe në disa studime. Por t’i marrësh 40 497 euro vetëm për botimin e librit “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e pastaj edhe me financim nga Kuvendi i Kosovës për t’ua shitur kalimtarëve të rastit shtrembërimet e qëllimshme në sheshin “Nënë Tereza” përmes ekspozitës me pllakata/banera nga 2 metra të larta, është e pafalshem dhe duhet të ndiqet penalisht.
Dhe kjo nuk është e tëra për hetimet e PSRK-së sipas ligjit rreth “Shqiptarit Tjetër” me projektin e “Sërbisë Tjetër” në Kosovë. Ka edhe perla tjera nga deklarat e tij gjithandej mediave sikur këto që vijojnë:
“Edhe, unë kam thanë që na duhet me i kanë mirënjohës Dik Martit, duhet me falenderu, ai është një mik i madh i Kosovës, sepse, ai nuk ka faj për krimet që kanë ndodhë. Dik Marti nuk është antishqiptar; përkundrazi. Fakti se Gjykata e Hagës i ka liruar Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn, nuk do të thotë se këta nuk kanë kryer krime.” – Shkëlzen Gashi.
Këto nuk janë gabime për t’u përmirësuar, ashtu siç nuk kanë qenë dhe nuk janë “gabimet” për “Sërbinë Tjetër” dhe “48 shqiptarët e armatosur në Burgun e Dubravës.” Këto janë vepra të dyshuara penale shtesë të Shkëlzenit, sidomos mllefi i tij ndaj Gjykatës së Hagës për krime të luftës në ish-Jugosllavi pse nuk i ka dënuar por i ka liruar Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn. Derisa ka mundur t’i akuzoj publikisht për ndonjë krim pas lufte për çka nuk ka pasur ndonjë gjykim ndaj tyre, mllefi më i madh i Shkëlzenit është ndaj aktgjykimit lirues të Gjykatës së Hagës. Pra, ai nuk i njeh aktgjykimet e Gjykatës së Hagës nëse ato i lirojnë shqiptarët. Në këtë kuptim, Ramushi dhe Fatmiri mund ta padisin Shkëlzenin, nuk kanë nevojë as të paraqiten në seanca, por vetëm i dorëzojnë aktgjykimet e formës së prerë dhe ato mjaftojnë. Kurse për akuzat e ndonjë apo më shumë krimeve pas luftës ndaj shqiptarëve qoftë të Hashimit, Kadrisë, Ramushit, Fatmirit apo edhe të tjerëve nga UÇK, Shkëlzeni nuk ka ndonjë vërejtje sepse nga këto nuk përfiton projekti i “Sërbisë Tjetër” dhe regjimi ekzistues në Sërbi. Këtë ia bëjmë publike në bazë të pretendimit të ngjashëm nga pronari i një mediumi i cili na pyeste: “Qiky profesori, a i ka pasë do afera para do vjete”, kurse ne ia treguam lajmin me aktgjykim refuzues të formës së prerë dhe e paralajmëruam: “Ruaju se qiky profesori t’paditë e t’përrzhitë për këtë akuzë. Kujdes me akuzë prapa së cilës qëndron aktgjykimi lirues i formës së prerë.”
Për dallim nga Nastradini që e ka l’shu një rrenë qatje n’fund t’katunit dikun e kur ka dalë n’krye është bërë e vërtetë, Shkëlzeni ka lëshuar shumë rrena nëpër qendër të kryeqytetit dhe studio televizive, dhe po pret që të gjitha të bëhën të vërteta. Nuk do të bëhën, edhe nëse PSRK e neglizhon dhe hesht rastin.
_______
Ps!

Mendimet e autorit Isa Mulaj në këtë shkrim, nuk janë të Redaksisë së Drinit, pasi si portal nuk e njohim problematikën që shtjellohet në shkrim.

Çka i bashkon Kurtin, Hoxhen e fashistët italian

MENTOR NAZARKO: 7 PRILLI QË BASHKON KURTIN, HOXHËN, FASHISTËT ITALIANË DHE…. GREKËT (DJE DHE SOT)?
Pyetja në titullin e shkrimit ngjan absurde: (…) Ç’lidhje kanë Kurti, Hoxha dhe grekët me Zogun? Lidhja është tek 7-8 prilli 1939.
Kurti duke imituar Ramën, i kushton shpesh në facebook një lexim modern ngjarjeve të historisë kombëtare (jo vetëm përkujtim masakrash serbe). Kështu ndodhi në 7 prill 2024 kur u mor me pushtimin italian të Shqipërisë që nuk ishte dhe aq keq për Kosovën. Dhe shkroi si pretendon Enver Hoxha: Zogu nuk bëri rezistencë.
Enver Hoxha shkoi në Konferencën e Paqes (me Italinë) në Paris në 1946, ku diskutoheshin kufijtë e Shqipërisë së Jugut, dhe foli për rezistencën e shqiptarëve në Luftën e dytë botërore (posaçërisht ndaj italianëve). Shqipëria e Jugut rivendikohej nga grekët, e mbështetur nga anglezët, por mbrohej nga Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia e Titos. Enveri tha duke mohuar totalisht pasardhësin: populli rezistoi në 1939! Asnjë fjalë për Zogun.
Greqia, atëherë, por dhe sot, pa ndryshuar asgjë, as nga dialogu me qeveritë shqiptare, por as nën peshën e fakteve historike, afirmon: institucionet shqiptare, parlamenti, u bashkuan vullnetarisht me Italinë dhe i dhanë kurorën Viktor Emanuelit. Shqipëria bashkë me Italinë, na sulmuan në 28 tetor 1940!
Galeazzo Ciano,dhëndrri i Musolinit dhe ideatori apo ekzekutori i pushtimit, ideologët fashistë po ashtu i mbahen kësaj teze. Bashkimi ndodhi vullnetarisht; ne nuk e pushtuam Shqipërinë, por zbatuam një nen të Pakteve të Tiranës të 1926. Shqipëria kërcënohej nga një turbullirë e brendshme dhe rreziku jugosllav, ndaj ne ndërhymë ushtarakisht për ta mbrojtur.
Mirëpo cili është versioni i vërtetë mbështetur mbi faktet e gjithëpranuara?
Pushtimi zgjati dy ditë, sepse rezistenca kryesisht e policisë (trajnuar prej anglezëve) zgjati dy ditë. Italianët përshkruan 40 kilometrat nga Durrësi për Tiranë për një ditë e gjysmë, ndonëse kishin një ushtri 50 herë më të madhe se ushtria shqiptare e sabotuar prej instruktorëtve të saj. Zogu ka ikur natën duke gdhirë 9 prilli nga kufiri shqiptaro- grek. Gjatë dy ditëve pati rezistencë të organizuar ndonëse e dështuar: u vranë 400 italianë që nuk vriten spontanisht nga tributë e shoqërisë “civile” shqiptare ku 90% ishin analfabetë. Abaz Kupi, major i ushtrisë mbretërore udhëhoqi rezistencën dhe ishte heroi i saj. Për të u kënduan këngë me gjallje, në muajt që pasuan pushtimin. Komunistët duke njohur rolin e tij historik (si individ?) e përfshinë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë çlirimtare. Mujo Ulqinaku simbol i gjithëpranuar i rezistencës ishte ushtarak. Një ushtarak tjetër në Durrës me mbiemrin Papakristi- për të cilin flet ish ambasadori amerikan, Hugh Gladney Grant-, në fakt ishte simboli real i saj. Papakristi rezistoi nga llogorja e tij duke vrarë shumë italianë. Kur italianët e bombarduan llogoren e tij me mortaja, ai u tërhoq në shtëpinë e tij dhe qëllonte prej aty. Kur rrethuan shtëpinë e tij, ai i vuri flakën vetes për të mos ju dorëzuar pushtuesve. Skenar për film Hollivudi të cilin historiografia jonë, memoristika politike e hesht. Mirpo gjithë gazetat botërore happen me titujt e parë për rezistencën shqiptare shtetërore!!
-Kush e udhëhoqi rezistencën nëse jo sovrani? Shoqëria civile? Nëse Zogu do bashkëpunonte me italianët, pse nuk ndejti në krye të vendit duke i dhënë dukje legale paqësore pushtimit dhe dorëzimit të sovranitetit tek pushtuesit? Mbreti Zog e ka dhënë versionin e vet për rezistencën me librin e kujtimeve të Hysen Selmanit, që në fakt janë thjesht të tijat. Redaktorët e librit, të pakujdesshëm, shpesh kanë kujtimet në vetën e parë, si janë rrëfyer nga Mbreti. Ata që e kundërshtojnë librin, pra Enveri, grekët, italianët dhe … Kurti nuk kanë ofruar faktet e tyre kundërshtuese!
Pse të gjithë janë më një llogore?
-Nëse grekët në emër të pretendimeve territoriale, e mohuan rezistencën e organizuar shtetërore të Mbretit, duke pretenduar se Shqipëria e tetorit 1940, ishte sovrane, ndaj mban në këmbë ende Ligjin e Luftës; ka në sirtar rivendikime territoriale, bllokon kthimin e pronave;
-Nëse Enveri e mohoi rezistencën e paraardhësit sepse nuk donte t’ja jepte meritat Mbretit Zog për një ngjarje kaq të madhe ndërsa komunistët nuk kishin parti dhe shumë prej tyre mbanin pozicionin se pushtimi është gjë e mirë pasi zhvillon klasën punëtore;
-Nëse ideologët fashistë përdorën argumentat e dorëzimit paqësor të pushtetit për të justifikuar fashizmin dhe ndërmarrjet e veta imperiale;
Po Kurti pse e mohon rezistencën shtetërore të Mbretit Zog?
Sigurisht, jo pse është enverist, apo filogrek si e sulmojnë opozitarët e Kosovës. Po sepse historiografia jonë postdiktaturë nuk ka mundur të afirmojë përfundimisht të vërtetën për ngjarje të tilla kaq të mëdha; inercia e veprave të autorëve komunistë, mbetet në gjithë hapësirën kombëtare. Pra Kurti e sheh padashje këtë moment me sytë (të paktën) e Enverit.
Sa pak njohim njeri tjetrin,veten dhe historinë tonë të përbashkët, apo të zhvilluar në territoret e ndara ku jetojnë shqiptarët! Ndaj kur flasim në Shqipërinë londineze apo Kosovë, apo mbarë hapësirën tonë etnike, si politikanë, si shkollarë, apo si qytetarë flasim si don apo si bën akoma shteti që ligjërisht e quan Shqipërinë e 1939-1944, shtet sovran! Si grekët!
ALBIN KURTI:
Në historinë moderne të shqiptarëve, data 7 prill 1939, është fiksuar si dita e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Sot u bënë 85 vite nga ajo ditë.
Mes zhvillimeve që i paraprinë fillimit të Luftës së Dytë Botërore, pushtimi i Shqipërisë nga Italia më 7 prill 1939, ngjau ndërmjet aneksimit të Austrisë nga Gjermania më 12 e 13 mars 1938, të njohur edhe si Anschluß, dhe sulmit pushtues të Gjermanisë mbi Poloninë më 1 shtator 1939, kur edhe filloi Lufta e Dytë Botërore.
Në ora 05:30 të mëngjesit të 7 prillit të vitit 1939, plot 22,000 ushtarë italianë me anije luftarake dhe transportuese, me avionë dhe me tankse e sulmuan territorin e Mbretërisë së Shqipërisë në katër portet e saj kryesore: në Vlorë, Shëngjin, Durrës dhe Sarandë. E vetmja rezistencë e shënueshme ishte ajo e bërë në Durrës nga xhandarmëria shqiptare e mbështetur nga vullnetarë, të komanduar nga Abaz Kupi dhe oficeri Mujo Ulqinaku. Në mesditë, Durrësi ishte plotësisht në duart e italianëve. Tirana u mor mëngjesin e 8 prillit, kurse brenda tre ditësh trupat italiane arritën edhe në zonat më kufitare të terriorit shqiptar.
Mbreti Zogu nuk organizoi rezistencë dhe u largua nga Shqipëria. Plani për pushtimin e Shqipërisë ishte përgatitur një vit më parë. Rrethanat dhe zhvillimet që çuan deri te ky pushtim, nga dominimi politik dhe ekonomik i shtetit dhe kapitalit të Italisë në Shqipëri e deri te ndikimi i oficerëve italianë mbi ushtrinë shqiptare, janë sqaruar deri në detaje nga historianët shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Dy vjet më pas, më 6 prill 1941 kur Gjermania e sulmoi dhe e pushtoi Jugosllavinë, shumica e territorit të Kosovës iu bashkua zonës italiane të pushtimit nën Mbretërinë e Shqipërisë. Historia e shqiptarëve gjatë atyre viteve të Luftës së Dytë Botërore, ka shumë zhvillime specifike që u takojnë historisë dhe historianëve t’i studiojnë dhe përshkruajnë. Ajo që përkujtojmë ne sot në 85-vjetorin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, janë viktimat civile dhe dëshmorët shqiptarë të rënë në rezistencë ndaj pushtimit e në luftën antifashiste.
Dekadat kanë kaluar dhe teksa vitet ecin do të bëhen shekuj nga këto ngjarje, por rreshtimi politik i shqiptarëve, i Shqipërisë dhe i Kosovës, duhet ruajtur gjithmonë në anën e drejtë të historisë, për çka busulla më e sigurtë është ajo gjilpëra e së cilës e tregon lirinë!
Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar mes përkujtimesh dhe nderimesh për të gjitha përpjekjet dhe luftërat e tij për liri!
(FB, 7 prill 2024)

Shteti shqiptar, në statut, asht afetar por jo në vepra as në punë të përditshme në marrëdhanie me popullin

Prenk Gruda, Tiranë, me 5 shtatuer 1937

Përgatitur nga: Ragip Kçiku

BESIMET

Shteti shqiptar, në statut, asht afetar por jo në vepra as në punë të përditshme në marrëdhanie me popullin.

Mâ në fund, ndër këto kushte shoqnore të vendit tone, as nuk mund të jemi afetarë ashtu sikurse duen me u paraqitë disa tue e luftue besimin, jo si fé, por si parim të nji krahi tue rrëzue njenën anë e tue e çue tjetrën. Kjo gjâ asht shumë e damshme për kombin tonë, përsëritje helmuese e shekujve të kaluem për mirëkuptimin e shqiptarëve. Duhen hapë mirë sytë për çeshtjet fetare nga njerzit me detyrë shtetnore dhe prej tanë atyne qi merren me punë të ndryshme shoqnore.

Populli shqiptar asht i mire dhe tolerues, shembull për popuj të tjerë me shumë besime. Në Lurë dhe në shumë katunde në Malsi të Madhe, kemi në familje edhe në kushuri katolikë e muslimanë dhe shkojnë mirë me shoqishojn e jetojnë plotësisht në harmoni e në dashuni vëllaznore, Populli ynë ka dy besime kryesore: Kristianizmin edhe Muhamedanizmin.

Në të parën janë katolikët e ortodoksit dhe nji pjesë e vogël unit, qi synojnë me i bashkue të tanë shqiptarët kristianë. Kurse në të dytën janë muslimanët të ndamë ndër tri sekte kryesore, ende t’interpretueme keq, jo pse janë të këtilla në bërthamën e tyne teologjike, por për shkaqe të vjetra politike të disa kalifëve dhe sulltanëve qi sundojshin si u pëlqente atyne, gjoja tue u mbështetë në fenë islame.

Këtyne u shtohet edhe nji: Feja e të pafeve; edhe kjo asht fë në vete dhe mjaft e rrezikëshme për kushtet shoqnore të kombit. Kristianët shqiptarë duhet t’a dijnë mirë se muslimanët shqiptarë janë vëllazën të vërtetë gjuhe e gjaku me ta, tue qenë të bindun se përsekutimet shekullore si kristianë kanë qenë mashë otomane për përçamjen shfrytëzuese e shkatërruese të shqiptarëve.

Por edhe muslimanët duhet të binden, njiherë e mirë, se kristianët i kanë vëllazën dhe nuk kanë të bajnë aspak me muhamedanë të tjerë, përveç nga pikëpamja fetare. Vëllaznit muslimanë duhet ta dijnë fort mirë se qëndresa e kristianëve gjatë pesë shekujve ka qenë jetesë vuejtjesh me sakrifica shumë të mëdha.

Si shembull po sjellim Sulin e Himarën në Jug dhe Kelmendin, Mirditën e Dukagjinin në Veri.

Ato kohna kanë kalue dhe pse nuk kanë dijtë me qëndrue ashtu si kanë dashtë të parët tonë, kemi mbetë kështu si jemi me gjysmën e atdheut…