Pa Shqip, s’ka komb
Piloti dhe ekipi i shpëtimit janë jashtë Iranit
Hans Rustad / Document.no
Pilotin nr. 2 të aeroplanit të rrëzuar dhe ekipin që e gjeti ata janë jashtë Iranit, njoftojnë burime për Fox. Kjo është një fitore e madhe për Trump dhe forcat e tij speciale. Të arrijnë të kryejnë operacionin e shpëtimit pa humbje, mund të tregojë se rrëzimi i aeroplanit F-15E ishte një rastësi. Zona ishte e mbushur me Gardistë Revolucionarë, dhe ishte vendosur një çmim për kokën e pilotit. As ky triumf nuk e përballoi regjimi.
Nuk ka dyshim se regjimi iranian dhe koalicioni anti-Trump në Perëndim do të kishin nxjerrë maksimumin nga një situatë ku regjimi kishte shfaqur pilotin dhe e kishte detyruar të distancohej nga presidenti i vet.
Avioni u qëllua të premten. Piloti i parë u gjet menjëherë. Tjetri ka mbijetuar dy ditë në territor armiqësor. Ai mund të ketë marrë ndihmë nga fiset lokale që urrejnë regjimin. Raportohet se ka pasur shkëmbim zjarri.
Operacioni i suksesshëm i shpëtimit ka shumë rëndësi për moralin.
Gjatë luftës në Irak, SHBA humbi 75 avionë.
Trump thotë se është një nga operacionet më të guximshme dhe heroike të shpëtimit ndonjëherë. Të shpëtosh dikë nga një territor armiqësor kërkon kurajë të madhe. Helikopterët duhet të fluturojnë afër tokës.
Për Trump, ishte një dhuratë e madhe në fillim të Pashkëve.
NE E KEMI TËRHEQUR SIGURISHT! Të dashur bashkëkombës: Gjatë orëve të fundit, ushtria amerikane ka kryer një nga operacionet më guximtare të shpëtimit në historinë e SHBA-së, për të shpëtuar një nga oficerët tanë të shkëlqyer, i cili gjithashtu është një kolonel shumë i respektuar, dhe që me kënaqësi të madhe mund t’ju them tani se është në gjendje të mirë!
Ky luftëtar i guximshëm ishte pas vijave të armikut në malet tradhtare të Iranit, ndjekur nga armiqtë tanë, të cilët afroheshin gjithnjë e më shumë me kalimin e çdo ore, por ai nuk ishte kurrë krejtësisht i vetëm, sepse komandanti i tij i lartë, Ministri i Mbrojtjes, shefi i stafetës së mbrojtjes dhe luftëtarë të tjerë monitoronin pozicionin e tij 24 orë në ditë dhe planifikonin me përkushtim shpëtimin e tij.
Me urdhërin tim, ushtria amerikane dërgoi dhjetëra avionë, të armatosur me armët më vdekjeprurëse në botë, për ta marrë atë. Ai pësoi lëndime, por do të jetë mirë. Ky operacion i mrekullueshëm kërkim-shpëtimi i është përveç shpëtimit të suksesshëm të një piloti tjetër trim dje, të cilin nuk e konfirmuam, sepse nuk donim të rrezikonim operacionin tonë të dytë të shpëtimit. Kjo është hera e parë në historinë ushtarake që dy pilotë amerikanë shpëtohen, veçmas, thellë në territorin e armikut. NE KURRË NUK DO TË LËMË PAS NJË LUFTËTAR AMERIKAN! Fakti që ne ishim në gjendje t’i kryenim të dyja këto operacione pa u vrarë ose plagosur një amerikan dëshmon edhe një herë se ne kemi arritur superioritet dhe dominim dërrmues ajror mbi hapësirën ajrore iraniane. Ky është një moment për të cilin të gjithë amerikanët, republikanët, demokratët dhe të gjithë të tjerët, duhet të jenë krenarë dhe të bashkuar. Ne me të vërtetë kemi ushtrinë më të mirë, më profesionale dhe më vdekjeprurëse në historinë e botës. ZOTI BEKOFTË AMERIKËN, ZOTI BEKOFTË TROPPAT TONA, DHE GEZUAR PASHKËT PËR TË GJITHË!
Etika publike në një shoqëri të re: midis hijes së së kaluarës dhe premtimit të së ardhmes
Isuf Bajraktari, Suedi
Premtimi i madh dhe fatura e së kaluarës
Çdo shtet i ri lind me një energji të veçantë. Me shpresën se drejtësia mund të rivendoset, institucionet mund të reformohen dhe e ardhmja mund të projektohet më e ndritur se e shkuara. Por ky entuziazëm përplaset shpesh me realitetin e vështirë se ndërtimi i shtetit nuk është një ceremoni solemne, por një proces i gjatë moral, kulturor dhe institucional.
Shoqëritë e reja mbartin hije të rënda nga e kaluara, jo vetëm historike, por edhe kulturore e psikologjike: zakone politike të mykura, logjika të konsoliduara pushteti dhe modele të ngurta të vendimmarrjes. Pikërisht këtu lind pyetja thelbësore:
A do ta lirojmë të ardhmen nga e kaluara, apo do ta riciklojmë atë në forma të reja?
- Ripërsëritja e së kaluarës në brezat e rinj
Një nga paradokset më të dhembshme të shoqërive të reja është se brezat që premtojnë ndryshim shpesh përfundojnë duke riprodhuar të njëjtat praktika të cilat dikur i kanë kritikuar. Në vend se të sjellin frymë të re, ata shpesh adoptojnë modele të njohura pushteti.
Shkaku kryesor është mungesa e një etike të brendshme të shërbimit publik, një etike që e sheh politikën si mision, e jo si instrument përfitimi personal. Kur e kaluara nuk sfidohet, ajo vetëm riformatohet.
- Korrupsioni si kulturë, jo si devijim individual
Në shoqëritë e brishta, korrupsioni nuk paraqitet vetëm si akt individual; ai shndërrohet në mënyrë funksionimi, në kulturë institucionale dhe shpesh në strategji mbijetese politike.
Dëmi më i madh i tij nuk është financiar, por moral.
Kur qytetari sheh se meritokracia zëvendësohet nga lidhjet, se transparenca zbehet dhe se llogaridhënia mbetet veç retorikë, lind një ndjenjë e rrezikshme:
drejtësia nuk shihet më si vlerë universale, por si privilegj i të fortëve.
Në këtë moment fillon erozioni i besimit publik, e me të, edhe dobësimi i vetë shtetit.
- Drejtësi apo hakmarrje: dilema e shoqërive të reja
Shoqëritë në tranzicion shpesh përballen me zgjedhjen e vështirë midis ndërtimit të drejtësisë dhe tundimit për hakmarrje.
Drejtësia kërkon institucione të forta, mençuri, durim dhe kohë. Hakmarrja kërkon vetëm një moment zemërimi.
Historia ka treguar se kur drejtësia dështon, shoqëritë bien në grackën e imitimit të asaj që kritikojnë. Në këtë pikë lind rreziku që shoqëria të shndërrohet në pasqyrë të së keqes që pretendon të luftojë.
- Banalia e së keqes: imitimi pa reflektim
Hannah Arendt paralajmëronte se e keqja shpesh nuk shfaqet në forma spektakolare, por të zakonshme, sepse imitohet pa reflektim.
Kjo ndodh kur politika humbet dinjitetin, qytetaria humbet vigjilencën dhe praktikat e së kaluarës normalizohen. Rezultati është stagnimi: shoqëria nuk përparon, por riciklon veten, me forma moderne, por me përmbajtje të vjetër.
- Etika e re publike: themeli i vetëm i progresit
Shoqëritë e reja nuk ndërtohen me slogane, betime patriotike apo reforma kozmetike. Ato ndërtohen mbi: moral qytetar të fortë, kulturë të vërtetë llogaridhënieje, transparencë reale, meritokraci funksionale.
Institucionet janë pasqyra e moralit shoqëror. Ato nuk mund të jenë më të mira sesa ndërgjegjja e njerëzve që i krijojnë.
Përfundim: Ndërtim apo riciklim?
Sfida më e madhe e çdo shoqërie të re është të mos bjerë në grackën e imitimit të së kaluarës. Nëse brezat e rinj arrijnë të thyejnë zinxhirët e zakoneve të vjetra politike, atëherë është e mundur ndërtimi i institucioneve me integritet dhe vlera të qëndrueshme.
“E keqja lulëzon kur njerëzit heqin dorë nga të menduarit.” – Hannah Arendt
“Drejtësia është virtyti i parë i institucioneve.” – Aristoteli
Ka zgjidhje për dy shtete Izrael-Palestinë, por Jo nëse një shtet palestinez bëhet një bazë për luftë
Për kastën e qafëtrashëve



Nuk ka ndryshim të madh pa një ndryshim të brendshëm
Dardan Osmanaj
Ka një plagë të padukshme që e kemi bartur për shumë gjatë… një lodhje shpirtërore që nuk vjen vetëm nga historia, por nga mënyra si jemi mësuar të jetojmë me njëri-tjetrin. Nuk është vetëm varfëria, as politika, as padrejtësitë është diçka më e thellë: mosbesimi që na është futur në mendje, frika për t’u hapur, dhe zakoni për të menduar se tjetri do të na tradhtojë para se të na kuptojë.
Dhe kështu, pa e kuptuar, ne jemi bërë të fortë për të mbijetuar… por jo gjithmonë të fortë për të besuar.
Shoqëria jonë shpesh jeton në një kontradiktë të dhimbshme: ne duam bashkim, por ushqejmë ndarje; kërkojmë drejtësi, por tolerojmë padrejtësi; flasim për dashuri për kombin, por shpesh dështojmë të respektojmë njëri-tjetrin në përditshmëri. Dhe politika… ajo vetëm pasqyron atë që ne jemi brenda. Nuk është e ndarë nga ne është hija jonë kolektive.
Por e vërteta më e fortë është kjo: nuk ka ndryshim të madh pa një ndryshim të brendshëm.
Një popull nuk bëhet i fortë vetëm nga historia që ka kaluar, por nga vetëdija që zgjedh të ndërtojë. Forca jonë e vërtetë nuk qëndron te kokëfortësia apo krenaria boshe, por te aftësia për të kuptuar, për të dëgjuar dhe për të bashkëpunuar. Sepse kur ne bashkohemi me ndërgjegje, jo nga frika apo interesi, lind një energji që nuk mund të thyhet.
Imagjino një shoqëri ku njeriu nuk e sheh tjetrin si kërcënim, por si pasqyrë. Ku suksesi i njërit nuk shihet si humbje për tjetrin, por si një mundësi për të gjithë. Ku fjala “besë” nuk është vetëm histori, por praktikë e përditshme. Aty fillon transformimi i vërtetë.
Ne nuk jemi të dënuar të mbetemi peng i tradhtisë, përçarjes apo dyshimit. Këto janë modele të mësuara dhe çdo model i mësuar mund të ç’mësohet. Por kjo kërkon guxim. Jo guxim për të luftuar tjetrin… por për të përballur veten.
Sepse armiku më i madh nuk ka qenë kurrë vetëm jashtë nesh. Ai është në çdo moment kur zgjedhim egoizmin mbi bashkëpunimin, dyshimin mbi mirëkuptimin, heshtjen mbi të vërtetën.
Kur ne ndryshojmë këtë brenda vetes, diçka fillon të lëvizë edhe jashtë. Marrëdhëniet ndryshojnë. Komunitetet forcohen. Dhe politika, herët a vonë, detyrohet të ndjekë një popull më të zgjuar, më të bashkuar dhe më të vetëdijshëm.
Ne nuk kemi nevojë të jemi perfektë për t’u bashkuar. Kemi nevojë të jemi të sinqertë.
Le të jemi brezi që nuk ushqen më përçarjen si normalitet.
Le të jemi ata që ndërtojnë besim edhe kur është e vështirë.
Le të jemi ata që kuptojnë se forca nuk është të jesh kundër njëri-tjetrit… por të jesh me njëri-tjetrin.
Sepse kur ne jemi bashkë me mendje të hapur dhe zemër të pastër ne nuk bëhemi vetëm më të fortë.
Ne bëhemi më njerëzorë. Dhe aty fillon çdo ndryshim i vërtetë.
“Ç’aq të poshtër turqelitë”, një këngë e vjetër popullore
- Ec moj bijë rrugës, jo n’hendeqe,
- Se dikund asht rruga e keqe
- Rrugë e largët e ka shumë leqe,


- Qoftsh i poshtër, o tyrqeli
- Katër vet m’i vra një pehrri!
- E mjera nona Ajshe ti,
- Menxi nona t’ka rrit tye,
- Bija lokës, hajmede,
- Ruejte nderin e shkove vet,
- Hallall t’qoft ke bo gajret
- Ke luftue me katër vet.
- Hallall bona ti moj bi’
- Pak fajtor jemi për ty,
- Lam Kosovën si Engjëllushë
- Turr armikut i kem’ hy n’gushë!
Triditëshi i Shenjtë i Javës së Madhe të Pashkëve, është rruga e njeriut drejt shëlbimit

Fran Sopi, Pejë
Ka momente të ndryshme në historinë e njerëzimit që nuk maten me kohën, por me përjetësinë. Pikërisht edhe ka ditë që nuk janë thjeshtë pjesë e kalendarit, por janë porta të hapura drejt misterit të Hyjit. Kështu është Triditëshi i Shenjtë – tri ditë që mbajnë në vetvete peshën e historisë së botës dhe thellësinë e dashurisë hyjnore. Në këto ditë, qielli dhe toka duket se afrohen, koha dhe amshimi preken, ndërsa njeriu ftohet të hyjë në dramën më të madhe dhe më të shenjtë të historisë: dramën e shpëtimit. Ky nuk është vetëm një kujtim i largët i asaj që ndodhi dikur në Jerusalem. Është një mister që përsëritet në çdo zemër, në çdo epokë, në çdo popull. Është rrugëtimi i njeriut nga errësira drejt dritës, nga mëkati drejt faljes, nga vdekja drejt jetës.
Në këtë udhëtim shpirtëror, Ungjijtë e Besëlidhjes së Re nuk janë thjesht tregime, por janë dëshmi të gjalla të dashurisë së Hyjit për njeriun. Në faqet e tyre, ne nuk lexojmë vetëm histori – ne dëgjojmë zërin e vetë Krishtit që na thërret: “Ejani tek unë, të gjithë ju që jeni të lodhur dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap pushim”
E Enjtja e Shenjtë: Tryeza e dashurisë që bëhet përjetësi: Në mbrëmjen e fundit, në atë dhomë të sipërme në Jerusalem, ndodh një heshtje e thellë që paraprin misterin. Jezusi e di se ora e Tij ka ardhur. Ungjilli sipas Ungjilli sipas Gjonit na thotë se Ai “i deshi të vetët deri në fund.” Dhe ky “fund” nuk është vetëm fundi i jetës së Tij tokësore, por kulmi i dashurisë së Tij hyjnore. Ai merr bukën në duart e Tij – duar që kanë shëruar të sëmurët, kanë bekuar fëmijët, kanë ngritur të rënët – dhe thotë: “Ky është trupi im që jepet për ju”. Pastaj merr kupën dhe shpall: “Ky është gjaku im i Besëlidhjes së Re, që derdhet për shumëkënd për faljen e mëkateve” (siç dëshmohet në Ungjilli sipas Mateut dhe Ungjilli sipas Lukës)
Në atë çast lind Eukaristia – jo si një simbol i thjeshtë, por si prania reale e Krishtit në mes të Kishës. Altari bëhet tryezë, tryeza bëhet sakrificë, dhe sakrifica bëhet jetë. Por Jezusi nuk ndalet këtu. Ai përkulet. Ai bie në gjunjë. Ai lan këmbët e dishepujve. Në një botë ku pushteti matet me forcë, Ai e përmbys rendin: “Kushdo që do të jetë i pari ndër ju, le të bëhet shërbëtori i të gjithëve”. Kjo është logjika e Hyjit: përulësia që lartëson, shërbimi që shenjtëron, dashuria që dhurohet pa kushte.
Në këtë natë të shenjtë, çdo altar i botës bëhet vazhdim i asaj tryeze të parë. Edhe në tokat shqiptare, në kisha të vogla e të përvujta, në kohë përndjekjesh e heshtjeje, kjo bukë e shenjtë nuk mungoi kurrë. Ajo u ruajt si një zjarr i fshehtë në zemrat e besimtarëve – si një dëshmi se Krishti nuk e braktis popullin e Tij.

E Premtja e Shenjtë: Kryqi që përqafon botën: Dita e dytë e Triditëshit është dita e errësirës së madhe. Qielli duket i heshtur. Toka dridhet. Njeriu përballet me misterin e vuajtjes. Jezusi del përpara botës i tradhtuar, i braktisur, i përbuzur. Ai që shëroi të verbrit, tani goditet. Ai që ringjalli të vdekurit, tani dënohet me vdekje. Ai që shpalli dashurinë, tani kryqëzohet nga urrejtja. Ungjilli sipas Ungjilli sipas Markut e përshkruan këtë moment me një thjeshtësi tronditëse:“Dhe e kryqëzuan”. Por në këtë thjeshtësi fshihet drama më e madhe e historisë. Në kryq nuk është vetëm një njeri që vuan – është vetë Hyji që merr mbi vete mëkatin e botës. Dhe kur gjithçka duket e humbur, kur dhimbja arrin kulmin, nga kryqi del një fjalë që ndryshon historinë: “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë çfarë bëjnë.” Kjo është fitorja e dashurisë mbi urrejtjen. Kjo është forca e faljes që thyen zinxhirët e dhunës. Kryqi, që ishte simbol turpi, bëhet simbol i lavdisë. Ai bëhet ura midis tokës dhe qiellit, midis mëkatit dhe faljes, midis njeriut dhe Hyjit. Në këtë dritë, çdo vuajtje njerëzore merr një kuptim të ri. Edhe historia e popullit tonë, me plagët e saj të shumta, me kalvaret e saj të gjata, bëhet pjesë e këtij misteri. Martirët, dëshmitarët e besimit, ata që nuk e mohuan dritën edhe në errësirë – janë si yje që ndriçojnë natën e historisë.
E Shtuna e Shenjtë: Heshtja që lind dritën. Pastaj vjen heshtja: E Shtuna e Shenjtë është dita më e mistershme. Nuk ka këmbana. Nuk ka këngë. Nuk ka fjalë. Jezusi është në varr. Dishepujt janë të shpërndarë. Shpresa duket e shuar. Por kjo heshtje nuk është bosh. Është një heshtje e mbushur me pritje. Është heshtja e tokës para lindjes së një dite të re. Tradita e Kishës e përshkruan këtë si zbritjen e Krishtit në thellësitë e vdekjes, ku Ai shkon për të çliruar ata që prisnin dritën. Është një lëvizje e fshehtë e Hyjit në historinë e padukshme. Dhe pastaj – në natën më të errët – ndizet një dritë. Një flakë e vogël që përhapet. Një fjalë që shpërthen në gëzim: “Krishti u ringjall!” Ungjilli sipas Ungjilli sipas Gjonit dëshmon: varri është bosh. Guri është rrokullisur. Vdekja është mundur. Ringjallja nuk është vetëm një mrekulli – është themeli i gjithë besimit. Ajo është përgjigjja e Hyjit ndaj errësirës së botës. Ajo është fjala e fundit mbi historinë: jo vdekja, por jeta; jo urrejtja, por dashuria; jo errësira, por drita. Ndaj Triditëshi i Shenjtë është rruga e njeriut. Është rruga e çdo populli. Është rruga e historisë. Në një botë të trazuar, ku luftërat vazhdojnë të hapin plagë – veçanërisht në tokat ku lindi Ungjilli – këto tri ditë janë një thirrje për ndërgjegjen njerëzore. Ato na kujtojnë se paqja nuk lind nga forca, por nga falja; se drejtësia nuk ndërtohet mbi hakmarrje, por mbi dashuri; se e ardhmja nuk fitohet me dhunë, por me shpresë. Dhe kështu, si meshtar, si besimtar, si njeri në këtë kohë të trazuar, unë e ndiej se Triditëshi nuk është vetëm një mister për t’u medituar, por një thirrje për t’u jetuar. Sepse Krishti nuk qëndron vetëm në altarin e kishës – Ai ecën në rrugët e botës, në plagët e njerëzimit, në historinë e popujve.
Dhe në fund, përtej çdo kryqi, përtej çdo varri, përtej çdo errësire, mbetet kjo e vërtetë e madhe, e palëkundshme dhe e përjetshme: Se drita e ringjalljes nuk shuhet kurrë, sepse ajo është vetë dashuria e Hyjit që nuk vdes, por jeton dhe mbretëron në amshim.
Ambasadori Avni Nasufoski forcon urat e bashkëpunimit ndërkombëtar
Diplomacia dhe zhvillimi ekonomik:
–Komunikatë për shtyp
EAA-WSA, pranë OKB në Gjenevë, ka publikuar një komunikatë për shtyp lidhur me vizitën zyrtare të Ambasadorit Avni Nasufoski, në Lindjen e Mesme.
Takimi u organizua nga mikpritësi i tij, në Riad nga Z. Salman bin Aboud, Dr. Hind Al-Hamlān dhe Kapiteni Fahd Al-Otaibi. Vizitat e Ambasadorit Avni Nasufoski kanë marrë vëmendje edhe në media të Arabisë Saudite edhe te ato të Zvicrës, duke vënë në pah rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral 🇨🇭🤝🇸🇦 dhe krijimin e urave të qëndrueshme të partneritetit ndërmjet dy vendeve.
Avni Nasufoski është një diplomat me përvojë të gjerë ndërkombëtare, i cili aktualisht përfaqëson interesat e 35 vendeve të Unioni Afrikan, duke luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit shumëpalësh. Përveç angazhimeve diplomatike, ai përfaqëson dhe mbështet një sërë projektesh ekonomike si dhe fonde të ndryshme që synojnë zhvillimin dhe zbatimin e këtyre projekteve. Njëkohësisht, ai është anëtar i Klub-it të Diplomatëve të Zvicra, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku kontribuon në zhvillimin e dialogut diplomatik dhe në përparimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në sektorin e kujdesit shëndetësor, një kompani e specializuar me seli në Riad (Arabia Saudite) priti në një vizitë zyrtare Shkëlqesinë e tij Ambasadorin Avni Nasufoski. Vizita përfshiu një turne në ambientet e kompanisë, ku spas protokollit u vizittan disa nga klinikat mjekësore dhe laboratorët e specializuar. Gjatë qëndrimit, u zhvillua një takim i zgjeruar me drejtuesit e kompanisë, ku u diskutuan mundësitë për bashkëpunim strategjik në fusha të avancuara të mjekësisë. Në këtë vizitë, e cila u mundësua dhe u organizua nga mikpritësi i tij, u zhvillua një takim i zgjeruar me menaxhmentin e kompanisë, të përfaqësuar nga Z. Salman bin Aboud, Dr. Hind Al-Hamlān dhe Kapiteni Fahd Al-Otaibi. Në këtë takim u diskutuan mundësitë për bashkëpunim strategjik ndërmjet palëve në fusha të avancuara të mjekësisë. Kjo vizitë dhe takimet përkatëse kanë marrë jehonë të gjerë në mediat vendore, përfshirë edhe ato të Zvicrës, duke theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi.
Palët theksuan rëndësinë e ndërtimit të partneriteteve cilësore, duke u mbështetur në reputacionin ndërkombëtar të Zvicrës për përsosmëri në teknologjitë mjekësore dhe produktet e kujdesit shëndetësor. Diskutimet përfshinë disa sektorë kyç si dermatologjia dhe mjekësia estetike, stomatologjia, laboratorët mjekësorë, si dhe fusha të avancuara si gjenomika, gjenetika, diagnostikimi dhe trajtimi i kancerit dhe sëmundjeve trashëgimore. Gjithashtu u trajtuan terapi moderne, përfshirë infuzionet intravenoze dhe produkte të avancuara shëndetësore.

Ky takim pasqyroi një nivel të lartë mirëkuptimi të ndërsjellë dhe hap perspektiva konkrete për bashkëpunim të ardhshëm, me synim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe promovimin e inovacionit mjekësor në rajon. Vizita pritet të tërheqë vëmendjen e mediave ndërkombëtare, duke nxjerrë në pah rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe duke krijuar mundësi për tërheqjen e ekspertizës dhe investimeve në sektorin e shëndetësisë. Në përmbyllje, përfaqësuesit e kompanisë u shprehën:
“Jemi krenarë për këtë vizitë, e cila përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të partneriteteve strategjike me Zvicrën në fusha të avancuara mjekësore, dhe presim që këto shkëmbime të konkretizohen në projekte të dobishme për zhvillimin e sektorit të shëndetësisë.”Kompania është e vendosur në zonën Irqah në Riad, një nga lagjet më prestigjioze të qytetit, pranë projekteve të rëndësishme zhvillimore, duke e pozicionuar atë si një platformë tërheqëse për investime dhe partneritete ndërkombëtare në fushën e mjekësisë.
Në një kohë kur bashkëpunimi ndërkombëtar është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm, angazhimi i Avni Nasufoski dëshmon rëndësinë e një diplomacie aktive që shkon përtej përfaqësimit formal. Përmes nxitjes së partneriteteve strategjike, mbështetjes së projekteve ekonomike dhe promovimit të inovacionit në sektorë kyç si shëndetësia, këto iniciativa krijojnë ura konkrete bashkëpunimi dhe hapin perspektiva të reja për zhvillim afatgjatë në nivel ndërkombëtar.
E veçanta e komunikimit tonë telefonik lidhur me këtë vizitë, me Ambasadorin Avni Nasufoski ishte edhe sqarimi, se takimet janë zhvilluar në një zonë qendrore të Riad, pranë institucioneve me rëndësi të veçantë shtetërore dhe në afërsi të oborrit mbretëror. Ai nënvizoi se vetë niveli i organizimit, hierarkia e përfaqësimit dhe respektimi i protokolleve zyrtare i japin kësaj vizite një dimension të qartë diplomatik, duke e vendosur atë përtej një takimi të zakonshëm institucional.

Përgatiti: Safet Sadiku
Kuvendi në kaos, qeveria e ushqen krizën që vetë e krijon

Selatin Retkoceri, Llugagji, Gjilan
Seanca e djeshme e Kuvendit të Kosovës për pak sa nuk degjeneroi në një arenë përleshjeje fizike. Skenat e djeshme dhe diskutimet janë një pasqyrë e qartë e degradimit politik që po e përjeton vendi nën drejtimin e Albin Kurti dhe qeverisë së tij. Kjo seancë nuk ishte thirrur për spektakël, por për një nga problemet më të rënda që po godet qytetarët: rritjen e pakontrolluar të çmimeve të derivateve.
Në vend që të ofrohej zgjidhje konkrete, pozita zgjodhi arratisjen politike, duke braktisur sallën dhe duke bllokuar çdo mundësi për ndërhyrje urgjente, si heqja e përkohshme e akcizës apo përshkallëzimi i TVSH-së.
Ndërkohë, realiteti jashtë Kuvendit është brutal: çmimi i naftës ka arritur në 2€ për litër, ndërsa inflacioni sipas ASK-së ka prekur 6% për muajin shkurt, me parashikime që marsi dhe prilli të jetë edhe më i lartë. Por në vend të masave lehtësuese, qeveria ka zgjedhur të hedhë benzinë mbi zjarrin ekonomik. Shpërndarja e pagës së 13-të për rreth 85 mijë punëtorë të sektorit publik, një injeksion prej rreth 65 milionë eurosh në ekonomi, nuk është politikë sociale, por populizëm i rrezikshëm.
Këto para nuk krijojnë zhvillim, por nxisin konsum artificial dhe rritje të mëtejshme të çmimeve. Sikur të mos mjaftonte kjo, paralajmërohet edhe një pako tjetër prej 200 milionë eurosh, e cila më shumë ngjan me një strategji elektorale sesa me një plan ekonomik. Kur i shtohet kësaj edhe efekti total prej 265 milionë eurosh shpenzime direkte, është e qartë se inflacioni do të marrë një tjetër goditje rritëse, duke e rënduar jetën e çdo qytetari. Kjo nuk është qeverisje, kjo është papërgjegjësi e institucionalizuar.
Politikat që po ndjek kjo qeveri nuk janë moderne, as zhvillimore. Ato janë një rikthim i rrezikshëm tek mendësitë e vjetra ekonomike, të frymëzuara nga doktrina të dështuara që nga koha e Vladimir Leninit dhe ideologjitë e përshkruara në Manifestin e Partisë Komuniste, teori që historia i ka rrëzuar si të paqëndrueshme dhe të dëmshme.
Sot, qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë për eksperimente ideologjike, por për stabilitet ekonomik, përgjegjësi fiskale dhe masa konkrete që lehtësojnë barrën e jetesës. Në vend të kësaj, ata po përballen me një qeveri që prodhon krizë dhe pastaj përpiqet ta maskojë atë me shpërndarje parash, një cikël i rrezikshëm që na çon drejt një kolapsi ekonomik me pasoja të paparashikueshme.
Nëse kjo qasje vazhdon, atëherë kriza nuk është më rrezik i ardhshëm ajo është realiteti që po jetojmë çdo ditë.



