Dy shtete? Po, por vetëm nëse nuk është një mashtrim i rrezikshëm
Ekziston një ide e përhapur se konflikti mes Izraelit dhe palestinezëve është veçse një çështje teknike. Dy popuj, dy shtete. Një vijë në hartë. Disa kompromise mbi kufijtë, çështja e Jeruzalemit dhe refugjatët… dhe problemi u zgjodh.
Është diplomatike, po. Por thellësisht e gabuar, sepse ajo supozon diçka që nuk ekziston – besim.
Ky konflikt nuk ka ngecur sepse nuk dimë ku të vendosim kufirin. Ka ngecur sepse asnjëra palë nuk beson se pala tjetër do të ndalet nëse i jepet ajo që kërkon.
Dhe për Izraelin, kjo nuk është një frikë abstrakte. Është një përfundim i nxjerrë nga përvoja konkrete.
Izraeli nuk ka luksin të gabojë edhe një herë
Kur Izraeli u tërhoq nga Gaza në vitin 2005, kjo nuk ishte një lëvizje ideologjike. Ishte një eksperiment strategjik: tërheqje për të reduktuar konfliktin. Rezultati ishte që Hamas mori kontrollin dhe territori u kthye në një bazë për raketa, tunele dhe luftë të vazhdueshme kundër qyteteve izraelite.
Kur procesi i Marrëveshjeve të Oslos po hynte në fazën përfundimtare, shpërtheu Second Intifada, një valë dhune që goditi drejtpërdrejt civilët e Izraelit. Pra, këto nuk ishin episode të izoluara, ishin pjesë e një modeli që ka formësuar mendimin strategjik izraelit; kur Izraelit i rrezikohet paqja, ai përballet me dhunë më të mëdha, jo më të vogla. Dhe jo, ideja që Izraeli duhet të tërhiqet nga Bregu Perëndimor dhe “të shpresojë” se gjithçka do të funksionojë, nuk është një politikë serioze. Sado që të përpiqen këmbët. Asnjë shtet racional nuk do ta pranonte një gjë të tillë.
Realiteti palestinez është real, po, por nuk është i mjaftueshëm
Nuk është se palestinezët jetojnë në një iluzion. Edhe ata shohin realitete konkrete; zgjerim të vendbanimeve
fragmentim të territorit, një sistem kontrolli që duket i pafund, dhe nga këto ata nxjerrin një përfundim logjik për ta; Izraeli nuk ka ndërmend të lejojë një shtet të vërtetë palestinez…
Ky mendim nuk mund të hidhet poshtë. Duhet kuptuar. Por kuptimi nuk është i njëjtë me justifikimin, sepse ekziston një problem themelor që shpesh anashkalohet; ai që një projekt shtetëror nuk mund të ndërtohet paralelisht me një projekt lufte.
Pika ku bie gjithçka – monopoli i dhunës
Thelbi i shtetit është i thjeshtë “kush kontrollon armët”? Nëse përgjigjja nuk është “qeveria”, atëherë nuk ka shtet. Tani, realitetin palestinez, për dekada, ka ekzistuar një situatë ku milici të ndryshme operojnë, organizata si Hamas mbajnë armë dhe agjenda të pavarura dhe dhuna ndaj Izraelit vazhdon si mjet politik.
Detaj i vogël, do thuash? Jo, detaj krusal, do thosha, dhe pikërisht arsyeja pse projekti i shtetit dështon. Sepse nga këndvështrimi izraelit, pyetja nuk është “a e meritojnë palestinezët një shtet”, por “a do të jetë ky shtet një fqinj, apo një front lufte”. Dhe për sa kohë që kësaj pyetjes i jepet një përgjigje absurde, përgjigjja izraelite do të jetë gjithmonë “jo”.
Propozimet absurde që vazhdojnë të përsëriten
Ka një seri idesh që qarkullojnë në diplomaci dhe media, të cilat mund të duken të arsyeshme në teori, por janë plotësisht të shkëputura nga realiteti izraelit; një shtet palestinez me ushtri të plotë, një tërheqje izraelite pa çarmatim të plotë të milicive, një integrimi i Hamas në një sistem politik pa ndryshim real ideologjik, një “e drejtë kthimi” që ndryshon përbërjen demografike të Izraelit.
Këto nuk janë kompromise. Këto janë kërkesa që, në praktikë, do të çonin drejt përfundimit të Izraelit si shtet. Prandaj janë të vdekura politikisht përpara se të diskutohen.
Bashkësia ndërkombëtare…? Problemi që nuk pranohet
Një nga elementet më të nënvlerësuara në këtë konflikt është roli i bashkësisë ndërkombëtare. Ajo është shumë e shpejtë për të reaguar kur Izraeli përgjigjet ushtarakisht, por shumë më pak e gatshme për të marrë përgjegjësi kur kushtet që çojnë në atë reagim ndërtohen gradualisht.
OKB-ja shpesh paraqitet si garant i paqes., por përvoja izraelite është shumë më e sfiduar. Sa e ndaloi UNIFILi armatosjen e Hezbollah-së në Liban? E pa. E raportoi. A e ndaloi?
Pra një mekanizëm që vetëm vëzhgon, por nuk ndërhyn, nuk është garanci sigurie. Nëse bashkësia ndërkombëtare dëshiron një zgjidhje, ajo duhet të jetë e gatshme të bëjë më shumë se të kritikojë. Duhet të jetë e gatshme të kontrollojë kufijtë në mënyrë aktive, të ndalojë kontrabandën e armëve, të ndërhyjë kur marrëveshjet shkelen dhe të mbajë përgjegjësi për dështimet.
Përndryshe, ajo nuk është pjesë e zgjidhjes. Është pjesë e problemit.
Çfarë do të kërkonte një zgjidhje reale?
Një zgjidhje reale nuk fillon me idealizime – jo “flee, flee Palestine, from the liver dhe në m… të sëmës”! Shtetet që lindin nga konflikte të thella nuk fillojnë me sovranitet të plotë.
Ato fillojnë me kufizime.
Kosova është një shembull i qartë. Siguria u garantua nga NATO dhe administrimi nga UNMIKu. Sovraniteti u ndërtua gradualisht.
E njëjta logjikë me Gjermaninë dhe Japoninë pas LDB, dhe askush nuk thotë sot se këto shtete janë më pak legjitime sepse filluan me kufizime. Por ka një dallim thelbësor – në të gjitha këto raste, lufta kishte përfunduar. Në rastin izraelito-palestinez, rreziku është që një shtet i ri të mos jetë fundi i konfliktit, por vazhdimi i tij në një formë tjetër. Dhe mu për këtë arsye, kufizimet nuk janë padrejtësi.
Janë kusht për paqe. Një shtet palestinez që mund të ekzistojë pranë Izraelit duhet të jetë i demilitarizuar, me monopol të plotë të forcës, me kufij të kontrolluar rreptësisht dhe i ndërtuar në faza, me verifikim të vazhdueshëm. Dhe po, duhet të ekzistojë edhe një mekanizëm që lejon Izraelin të mbrojë veten nëse gjithçka dështon.
Nuk ka të bëjë me mungesë besimi. Ka të bëje me menaxhim realitetiti.
Pala palestineze ka të drejtë për diçka reale, po. Një shtet që është vetëm në letër nuk është zgjidhje. Nëse kërkohen kufizime të forta sigurie, atëherë duhet të ketë territor funksional, lidhje reale mes zonave, kufij të qartë dhe një perspektivë reale për fundin e kontrollit ushtarak. Përndryshe, nuk është marrëveshje. Është vazhdim i konfliktit me mjete të tjera.
A mendoj se dy shtete janë të mundshme? Po, por vetëm nëse jemi të sinqertë për çmimin e tyre. Jo nëse një shtet palestinez bëhet një bazë për luftë. Jo nëse Izraeli pritet të pranojë rreziqe që ASNJË SHTET TJETËR NË BOTË nuk do i pranonte as sa për një ngritje dhe rënie e qerpikut. Jo nëse bashkësia ndërkombëtare vazhdon të ofrojë fjalë në vend të përgjegjësisë. Paqja nuk kërkon vetëm vullnet. Kërkon struktura që funksionojnë edhe kur vullneti dështon.
Dhe deri atëherë, përgjigjja e vetme e ndershme mbetet; po për dy shtete, por jo nëse njëri bëhet mjet për shkatërrimin e tjetrit.
Nuk ndërtohet paqja duke ndezur një zjarr dhe duke shpresuar se nuk do të përhapet.



