Kreu Blog Faqe 99

Klina nderoi Dr. Ibrahim Rugovën me shtatoren e sponsorizuar nga Marjan dhe Ilir Cubi nga Nju-Jorku

0

Lekë Mrijaj, Klinë

Sot në Klinë, në një atmosferë solemne, përkujtimore dhe qytetare, u zbulua shtatorja e Presidentit Historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, njërit prej personaliteteve më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare dhe figurës qendrore të rrugëtimit politik të Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetformimit demokratik. Ceremonia e sotme solemne u mbajt me rastin e 2 Korrikut, Ditës së Deklaratës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në sheshin “Ibrahim Rugova”, në dalje të qytetit të Klinës, në rrugën për Skenderaj. Ky aktivitet përurues u organizua nën përkujdesjen e Komunës së Klinës dhe kryetarit të saj, Prof. Dr. Zenun Elezaj, duke mbledhur qytetarë të shumtë, përfaqësues të institucioneve, personalitete politike e publike, veprimtarë të çështjes kombëtare, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave. Ngjarja u hap nën moderimin e Shqipe Deskut, moderatore e Radio Alba në Klinë, e cila i dha ceremonisë një rrjedhë dinjitoze, të matur dhe në përputhje me karakterin solemn të kësaj dite.

Në këtë ceremoni morën pjesë Ukë Rugova, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe biri i Presidentit Historik, Vjosa Osmani-Sadriu, ish-kryeministrat Avdullah Hoti dhe Ramush Haradinaj, Sali Cacaj, ish-këshilltar i Presidentit Rugova, përfaqësues institucionalë shtetërorë e lokalë, familjarë të Presidentit Rugova, qytetarë të Klinës dhe veprimtarë të shumtë nga Kosova e mërgata. Prania e tyre i dha kësaj ngjarjeje peshë institucionale, historike dhe kombëtare.

Në vazhdim të ceremonisë, me fjalë rasti u paraqitën kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, nënkryetari i Komunës, Fadil Gashi, si dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Në fjalimet e tyre, ata evokuan me respekt jetën, veprën dhe trashëgiminë politike e kombëtare të Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, duke e vlerësuar si arkitekt të lëvizjes paqësore, prijës të urtisë politike dhe simbol të shtetformimit demokratik të Kosovës. Folësit theksuan se Dr. Ibrahim Rugova, në një nga periudhat më të rënda të historisë sonë kombëtare, diti ta orientojë popullin e Kosovës drejt një rruge të mençur, të dinjitetshme dhe euroatlantike. Me vizionin e tij të qartë politik, me besimin e palëkundur në liri, pavarësi dhe demokraci, ai ndërtoi themelet e rezistencës institucionale, duke e ngritur çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe duke e bërë zërin e popullit të saj të dëgjohej në qendrat më të rëndësishme të diplomacisë botërore. Në fjalimet e rastit u nënvizua edhe rëndësia historike e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, si një nga aktet më të guximshme politike dhe juridike të përfaqësuesve të popullit të Kosovës.

Ky akt, siç u theksua, ishte një gur themeli në rrugëtimin e gjatë drejt pavarësisë, sepse shprehu qartë vullnetin politik të Kosovës për liri, barazi dhe shtetësi. Në këtë kontekst, figura e Dr. Rugovës u vlerësua si mishërim i këtij vizioni historik, që më vonë do të kulmonte me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Njëkohësisht, u rikujtua se Rugova nuk ishte vetëm udhëheqës politik, por edhe intelektual, humanist dhe njeri i kulturës, i cili politikën e shihte si mision shërbimi ndaj popullit. Ai besonte në forcën e fjalës, në fuqinë e durimit, në kulturën e dialogut dhe në mbështetjen e miqve ndërkombëtarë. Me këtë filozofi, krijoi një model të veçantë lidershipi shqiptar, të mbështetur në paqe, urtësi, dinjitet dhe orientim të qartë perëndimor. Një vend i veçantë në këto fjalime iu kushtua edhe mbështetjes madhore të Marjan dhe Ilir Cubit nga Nju-Jorku, të cilët me përkushtim atdhetar dhe bujari të lartë financiare e shpirtërore mundësuan realizimin e kësaj vepre përkujtimore. U theksua se ky kontribut nuk është vetëm ndihmë materiale, por akt i lartë nderimi ndaj figurës së Presidentit Rugova dhe dëshmi e lidhjes së fuqishme të mërgatës shqiptare me vendlindjen, kujtesën historike dhe vlerat kombëtare.

Një nga momentet më të rëndësishme të ceremonisë ishte fjala e Ilir Cubit, ssponsor I tërësishëm i projektit të shtatores së Dr. Ibrahim Rugovës. Në emër të tij dhe të familjes Cubi, ai falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë ditë të veçantë dhe e cilësoi përurimin e shtatores si nderim të përjetshëm për Presidentin Historik të Kosovës. Në fjalën e tij, Ilir Cubi theksoi se Dr. Ibrahim Rugova u përjetësua në Klinën kreshnike e historike si shenjë respekti dhe mirënjohjeje për veprën e tij madhështore në shërbim të Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar. Ai e vlerësoi Presidentin Rugova si një nga figurat më të mëdha të historisë moderne kombëtare, burrë shteti me vizion të rrallë dhe udhëheqës që e ngriti çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke i dhënë popullit shpresë në kohët më të vështira. Ilir Cubi nënvizoi se Dr. Rugova ishte personalitet i veçantë si njeri, politikan, ideolog dhe filozof. Me urtësi, mençuri, vizion dhe përkushtim të palëkundur, ai e udhëhoqi popullin e Kosovës në njërën nga periudhat më të rënda të historisë, duke ndërtuar rezistencën paqësore dhe duke mbajtur gjallë idealin e lirisë.

Duke folur për kuptimin e kësaj vepre, Cubi u shpreh se shtatorja e zbuluar në Klinë nuk është thjesht një vepër arti e punuar në bronz, por simbol i një epoke, i qëndresës paqësore, i besimit në liri, demokraci dhe pavarësi. Sipas tij, ajo përfaqëson vizionin e Presidentit Rugova për një Kosovë të lirë, demokratike, të integruar në familjen euroatlantike dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin më të madh dhe garantuesin e paqes, sigurisë dhe lirisë së Kosovës. Në një pjesë emocionale të fjalës së tij, Ilir Cubi tha se është dardan i lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se ndihet jashtëzakonisht me fat që pati privilegjin ta njihte nga afër Presidentin Rugova, ta shoqëronte, ta priste dhe ta përcillte gjatë vizitave të tij diplomatike e patriotike në Amerikë. Këtë privilegj, siç theksoi ai, e kishte pasur së bashku me babain e tij, Marjan Cubi, i cili në atë kohë ishte kryetar i Degës së LDK-së për New York, New Jersey dhe Connecticut. Ai e cilësoi si krenari të madhe faktin që është biri i një burri që pati fatin të ishte mik i afërt i Presidentit Dr. Ibrahim Rugova. Këtë trashëgimi morale, u shpreh ai, do ta mbajë me nder gjatë gjithë jetës. Fjalën e tij e përmbylli me bekimin: “Zoti e bekoftë Amerikën. Zoti e bekoftë Kosovën. Dhe Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë.”

Pas fjalës së sponsorizuesit Ilir Marjan Cubit, të pranishmëve iu drejtua edhe skulptori ekselent, prof. Burim Berisha, autor i shtatores së Dr. Ibrahim Rugovës, i cili foli për realizimin artistik të kësaj vepre, për domethënien e saj në hapësirën publike të Klinës dhe për kontributin e Marjan dhe Ilir Cubit, falë të cilëve kjo shtatore u bë realitet. Paraqitja e tij i dha ceremonisë një dimension artistik dhe krijues, duke e lidhur monumentin me kujtesën historike që ai përfaqëson.

Ceremonia u pasurua edhe me një pikë tjetër artistike nga sopranoja Eliona Sadiku, e cila me interpretimin e saj i dha kësaj dite një frymë të veçantë emocionale, kulturore dhe solemne. Pjesa artistike u prit me respekt nga të pranishmit dhe u bë pjesë e harmonisë së përgjithshme të ngjarjes.

Në fund të ceremonisë u bë akti solemn i zbulimit të shtatores së Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova. Zbulimin e saj e bënë kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, nënkryetari Fadil Gashi, Ukë Rugova, Vjosa Osmani-Sadriu, Avdullah Hoti, Ramush Haradinaj, sponsorizuesit dhe veprimtarët e kauzës kombëtare, Marjan Cubi dhe Ilir Cubi. Ky moment u përcoll me emocion, duartrokitje dhe respekt të thellë nga qytetarët e pranishëm, duke shënuar kulmin e kësaj dite përkujtimore.

Vlen të thuhet se vendosja e këtij monumenti në Klinë nuk përfaqësoi vetëm një akt përurimi, por edhe një moment të rëndësishëm të kujtesës historike, institucionale dhe kombëtare. Me këtë vepër përkujtimore, qyteti i dha hapësirës së tij publike një simbol të përhershëm të paqes, urtisë politike, qëndresës qytetare dhe orientimit euroatlantik të Kosovës. Në këtë ditë, Klina u shndërrua në vendtakim të historisë, mirënjohjes dhe respektit për një udhëheqës që, në kohët më të vështira për popullin e vet, zgjodhi rrugën e mençurisë, dialogut dhe diplomacisë ndërkombëtare. Njëkohësisht Data e 2 Korrikut i dha ceremonisë një kuptim të veçantë historik. Deklarata Kushtetuese e vitit 1990 mbetet një nga aktet më të rëndësishme politike të shqiptarëve të Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe shtetësisë. Ajo shprehu vullnetin e një populli për të jetuar i lirë, i barabartë dhe me dinjitet në tokën e vet. Pikërisht në këtë kontekst, zbulimi i monumentit të Dr. Ibrahim Rugovës në Klinë e lidhi kujtesën e kësaj date me figurën e njeriut që i dha Kosovës drejtim politik, zë ndërkombëtar dhe vizion shtetformues. Dr. Ibrahim Rugova mbeti në historinë shqiptare si prijësi i një filozofie politike të veçantë, ku urtia nuk ishte dobësi, por forcë morale; ku durimi nuk ishte dorëzim, por strategji; ku fjala nuk ishte vetëm komunikim, por instrument i lirisë. Në periudhat e rënda të shtypjes, kur Kosova përballej me represion, diskriminim dhe mohim të të drejtave themelore, ai e ndërtoi qëndresën qytetare si projekt politik dhe e ngriti çështjen e vendit në ndërgjegjen e botës demokratike. Prandaj, kjo vepër nuk u vendos vetëm për të përkujtuar një emër, por për të nderuar një epokë të tërë të historisë së Kosovës.

Pra, krahas nderimit për Presidentin Historik, vëmendje e veçantë iu kushtua edhe donatorëve, z. Marjan Gjergj Cubi dhe birit të tij, z. Ilir Cubi, shqiptaro-amerikanë me rrënjë nga Drenoci i Klinës. Mbështetja e tyre për ngritjen e shtatores u vlerësua si akt fisnik, atdhetar dhe i qëndrueshëm, i cili dëshmoi lidhjen e thellë të mërgatës shqiptare me vendlindjen, kujtesën historike dhe vlerat kombëtare që përfaqëson figura e Dr. Rugovës. Ky donacion nuk ishte veprim i shkëputur, por vazhdimësi e një tradite të gjatë veprimtarie kombëtare dhe humanitare. Marjan Cubi, patriot dhe humanist i shquar, me lidhje nga Klina e Republikës së Kosovës, u vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1974. Që nga ajo kohë, ai u bë pjesë aktive e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe një nga veprimtarët e përkushtuar të çështjes kombëtare. Mërgimin nuk e pa si shkëputje nga atdheu, por si mundësi për t’i shërbyer më fuqishëm Kosovës dhe çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare. Në jetën komunitare të shqiptarëve të Amerikës, Marjan Cubi, së bashku me familjen e tij, u dallua për angazhimin kulturor, kombëtar, humanitar dhe kishtar. Ai ishte drejtues i Qendrës Kulturore “Nënë Tereza”, pranë Kishës “Zoja e Shkodrës” në Nju-Jork, një qendër e rëndësishme për ruajtjen e identitetit shqiptar, bashkimin e komunitetit dhe kultivimin e vlerave kombëtare e shpirtërore. Po ashtu, ishte anëtar i Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, organizatë historike e shqiptarëve të Amerikës, e cila ndër dekada ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e interesave kombëtare shqiptare. Në vitet e rënda për Kosovën, Marjan Cubi u angazhua fuqishëm në organizimin e demonstratave në Amerikë. Ai i përkiste brezit të mërgatës shqiptaro-amerikane që ngriti zërin kundër represionit serb, sensibilizoi opinionin amerikan dhe kërkoi mbështetjen e institucioneve më të larta të Shteteve të Bashkuara për lirinë e Kosovës. Përmes takimeve, organizimeve dhe kontakteve me miq amerikanë të çështjes shqiptare, kontribuoi në çuarjen e zërit të popullit të tij deri në Capitol Hill dhe në Shtëpinë e Bardhë. Në këtë rrugëtim, ai ishte pjesë e përpjekjeve të diasporës për të ndërtuar ura komunikimi me kongresmenë, senatorë dhe personalitete të politikës amerikane. Në kujtesën e kësaj veprimtarie përmenden edhe kontaktet me figura të rëndësishme amerikane, përfshirë Presidentin Bill Clinton dhe kongresistin e njohur mik të shqiptarëve, Eliot Engel. Këto përpjekje kishin një qëllim të qartë historik: ndërprerjen e dhunës ndaj shqiptarëve të Kosovës, çlirimin e vendit nga regjimi serb dhe përkrahjen e ndërhyrjes së NATO-s. Veprimtaria e Marjan Cubit nuk u kufizua vetëm në fushën politike. Ai dha ndihmesë të rëndësishme edhe në fushën humanitare, kulturore dhe shpirtërore. Një nga angazhimet më të njohura të tij ishte roli si Kryetar i Komisionit për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë. Ky projekt kishte rëndësi të madhe jo vetëm fetare, por edhe kulturore e kombëtare, sepse katedralja u bë një nga simbolet më të njohura të Kosovës së pasluftës dhe dëshmi e pranisë së vlerave shpirtërore, humane dhe qytetëruese në zemër të Prishtinës. Në këtë angazhim ishte e përfshirë edhe familja e Marjan Cubit, veçanërisht biri i tij, Iliri, i cili e vazhdoi rrugën e të atit me përkushtim dhe ndjenjë të lartë atdhetare. Ilir Cubi u dëshmua si veprimtar në gjurmët e babait të tij, duke mbështetur nisma që lidhen me kujtesën kombëtare, projektet me rëndësi publike dhe ruajtjen e lidhjes së mërgatës shqiptaro-amerikane me Kosovën. Në këtë mënyrë, kontributi i familjes Cubi nuk mbeti vetëm akt individual, por u shndërrua në trashëgimi familjare dhe në shembull të vazhdimësisë së atdhedashurisë shqiptare. Donacioni për monumentin e Dr. Ibrahim Rugovës në Klinë u kuptua si kulmim i një rrugëtimi të gjatë veprimtarie. Ai lidhi në një pikë të vetme Presidentin Historik të Kosovës, mërgatën shqiptaro-amerikane, qytetin e Klinës, Drenocin dhe kujtesën kombëtare. Në këtë akt u bashkuan historia politike e vendit, roli i diasporës dhe mirënjohja qytetare për njeriun që u bë simbol i lirisë, paqes dhe shtetësisë. Shtatorja e Dr. Rugovës do të qëndrojë në Klinë si dëshmi e një kohe kur Kosova, edhe pse nën shtypje, nuk e humbi besimin në liri. Ajo do t’u flasë brezave për një udhëheqës që besoi në forcën e fjalës, dinjitetin njerëzor, kulturën politike dhe miqësinë e përhershme me botën perëndimore. Ajo do të kujtojë se liria nuk erdhi rastësisht, por përmes sakrificës, qëndresës, organizimit institucional, diplomacisë, ndihmës së miqve ndërkombëtarë dhe përkushtimit të pazëvendësueshëm të mërgatës shqiptare. Me zbulimin e kësaj vepre përkujtimore, Klina nderoi Dr. Ibrahim Rugovën, por njëkohësisht edhe 2 Korrikun, kujtesën shtetërore të Kosovës dhe të gjithë ata që punuan për lirinë e vendit. Në këtë ditë, qyteti e vendosi në zemrën e tij një simbol që i përket historisë mbarëkombëtare. Bronzi i shtatores nuk foli vetëm për një portret, por për një epokë; nuk shënoi vetëm një emër, por një rrugë; nuk përfaqësoi vetëm një kujtim, por edhe një amanet për brezat që vijnë. Kjo ditë mbeti një faqe e veçantë në kronikën qytetare të Klinës. Ajo bashkoi institucionet, qytetarët, mërgatën dhe kujtesën historike në një akt të përbashkët nderimi. Në figurën e Dr. Ibrahim Rugovës u nderua Presidenti Historik, arkitekti politik i Kosovës së pavarur dhe simboli i urtisë shtetformuese. Në mbështetjen e Marjan Gjergj Cubit dhe Ilir Marjan Cubit u vlerësua mërgata shqiptaro-amerikane, e cila për dekada ishte zëri, mbështetja dhe ndërgjegjja e Kosovës në botën demokratike.

Në Klinë, më 2 korrik 2026, u nderua historia, shtetësia, Presidenti Rugova dhe diaspora shqiptare, e cila kurrë nuk e harroi atdheun. Shtatorja e tij do të mbetet aty si shenjë e përhershme e lirisë, paqes, kujtesës dhe mirënjohjes kombëtare.

Lavdi veprës së Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Mirënjohje e përhershme për Marjan Gjergj Cubin dhe Ilir Marjan Cubin, për kontributin e tyre fisnik, atdhetar dhe historik në ngritjen e shtatores së Presidentit Historik në Klinë.

Urime, Klinë! Urime, Republika e Kosovës!

Më 2 Korrik 2026

Shtatorja e Rugovës vjen në Klinë falë Marjan e Ilir Cubi, babë e birë të një ideali!

0

Pas përurimit të shtatores së Ibrahim Rugovës në Klinë

Iniciativa personale e veprimtarit me qëndrim të përkohshëm në New York të SHBA-ve, z. Marjan Cubi nga Drenoci i Klinës, përveqse unikate, ngërthen në vete edhe mesazhin e qartë për të gjithë mërgimtarët, se punët e mira bëhen pa bërë bujë dhe pa zhurmë në rrjetet sociale.

Shpirti human i mërgimtarit

Marjan Cubi është emër i njohur në komunitetin mbarëshqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shquar për kontributin shumëdimensional në shërbim të çështjes kombëtare, të Kosovës në veçanti.

Marjan Cubi me djalin e tij Ilirin janë ideator dhe donator të vetëm të shtatores së presidentit historik, Ibrahim Rugova në Klinë.

Në rrëfimin e tij për ‘Radio Alba’ në Klinë, z. Marjan Cubi theksoi se “ideja për ndërtimin e shtatores së Ibrahim Rugovës buron nga dashuria, respekti dhe simpatia që kishin familjarisht për presidentin historik”.

Pak njerëz e dinë, se Marjan Cubi ishte nga njerëzit e parë që e ka suportuar (ndihmuar) presidentin Rugova në vitet e ’90-ta me rastin e vizitave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht në Senat, Kongres dhe kudo që ka pasur nevojë të shkojë. E kishte shoqëruar prej Aeroportit në destinacion dhe anasjelltas me të gjitha shpenzimet përcjellëse nga buxheti familjarë.

Të tillë janë atdhetarët e vërtetë, janë fjalë pak dhe modest, jepin gjithçka nga vetja e tyre për shtetin dhe për njerëzit misionarë dhe të përkushtuar për shtetin siq ishte Ibrahim Rugova.

Andaj, edhe ideja e tyre rrodhi natyrshëm nga shpirti fisnik, që të bëjnë diçka më vlerë për qytetin e Klinës, që ta pasurojnë vendin e tyre me shtatoren e njeriut më të madh të epokës sonë, hyjnorit Ibrahim Rugova.

Sipas ideatorit dhe donatorit Cubi, “Ibrahim Rugova ishte njeriu i tretë më i madh në botën shqiptare pas Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe Nënë Terezës, andaj e meriton që busti i tij të hedhë shtat në njërën nga rrugët kryesore të Klinës”.

Kush është Marjan Cubi?

Marjan Cubi ka lindur në fshatin Drenoc në vitin 1948. Rrjedhë prej një familje me tradita të pastra atdhetare. Në vitin 1974 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me familjen e tij, ku e kaloj një gjysëmshekulli jetë në shërbim të komunitetit shqiptarë.

Marjan Cubi është një nga figurat më të shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan në New York, me angazhime të pandërprera në shërbim të çështjes kombëtare.

Marjan Cubi është personalitet që ka sherbyer për më tepër se pesë dekada në forcimin e lidhjeve ndërmjet diasporës shqiptare në SHBA dhe atdheut.

Ishte ndër veprimtarët më aktivë në Federatën Panshqiptare “VATRA”, ku shquhet për kontributin vlerëmadh në unifikimin e kësaj organizate.

Ishte ndër veprimtarët më aktivë në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar, në promovimin e kulturës shqiptare dhe mbështetjen e çështjes së Kosovës në SHBA.

Përgjatë viteve të vështira por krenare për Kosovën, Cubi ishte aktiv në organizimin e jetës politike dhe kulturore të shqiptarëve në New York.

Ishte njëri prej themeluesve të degës së LDK-së dhe kryetar i saj për disa vite më radhë.

Gjatë aktivitetit të tij politik veproi dhe bashkëpunoi me personalitete të shquara të politikës amerikane, kandidatë për presidet të SHBA-ve, senatorë, kongresistë dhe përfaqësues të politikës amerikane, duke u bërë krah i djathtë i Ibrahim Rugovës me rastin e vizitave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke ndihmuar çështjen e Kosovës dhe asaj shqiptare në përgjithësi.

Marjan Cubi ishte pjesëmarrës në shumë aktivitete të mërgatës sonë gjithandej SHBA-ve, si në manifestime kulturore, protesta dhe demonstrata në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në trojet e tyre etnike.

Shpirti human i mërgimtarit

Marjan Cubi njihet për veprimtarinë e tij humanitare në të mirën e komunitetit shqiptar. Për disa vite rresht ishte kryetar i Keshillit për grumbullimin e mjeteve financiare për ngritjen e Katedrales në Prishtinë.

Në komunitetin shqiptaro-amerikan, Marjan Cubi vlerësohet si një atdhetar i devotshëm, organizator i spikatur, humanist i përkushtuar në shërbim të bashkombasve në Kosovë dhe gjithandej trojeve etnike shqiptare.

Marjan Cubi shquhet si personalitet unifikues në bashkimin e komunitetit shqiptar në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare.

Marjan Cubi kudo që ka shkuar ka lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën e komunitetit shqiptar, duke u bërë model i mërgimtarit të urtë dhe të përgjegjshëm.

Edhe pse në një distancë të largët me vendlindjen, Marjan Cubaj gjithmonë me mendje dhe zemër ishte afër atdheut, në shërbimit të kombit dhe bashkatdhetarëve.

Mirëpo, pa asnjë dyshim, ideja dhe sponsorimi i shtatores së Dr. Ibrahim Rugovës në qytetin e Klinës konsiderohet kryevepër kombëtare dhe humanitare e z. Marjan Cubi bashkë me të birin Ilirin.

Zoti i bekoftë babë e birë, Marjan dhe Ilir Cubi për iniciativën dhe donacionin familjar në realizimin e kësaj vepre madhore!

Ky është shpirti human i mërgimtarit!

Tani e tutje, 2 Korriku do të jetë festë me simbolikë të dyfisht për qytetarët e Klinës!

Urime 2 Korriku, urime shtatorja e Atit themeltar të shtetit të Kosovës!

Konkluzion 

Mesazhi i kësaj iniciative personale (familjare) duhet të trokas në ndërgjegjën e çdo politikani, veçanarisht në ndërgjegjën e drejtuesve të LDK-së, të cilët nuk dhanë asgjë personale për ndërtimin e një busti apo vepre tjetër vlerëmadhe për presidentin historik, por vetëm morën gjithçka që munden duke u thirrur në emrin e Ibrahim Rugovës. U ngriten në karrierë politike në të dyja nivelet e qeverisjes (lokale dhe qendrore), punësuan familjarë e farefis në institucione shtetërore (komunale), si dhe u pasuruan (u bënë milionerë) pa asnjë meritë personale në ngritjen e LDK-së dhe as të shtetndërtimit të Kosovës!

Shtatorja e Rugovës erdhi në Klinë falë nismës atdhetare të Marjan e Ilir Cubi, babë e birë të një ideali.

Nga tani e tutje, qytetarët e Klinës në çdo përvjetor të shënimit të ngjarjes madhore historike të 2 Korrikut, do ta kujtojnë dhe nderojnë me pietet të lartë edhe veprën kolosale të Marjan e Ilir Cubi-vendosjen e shtatores së presidentit historik Ibrahim Rugova.

Familja dhe vendlindja vlojnë si vullkan në zemrat e mërgimtarëve. Kosova dhe Shqipëria në shtëpia që e marrin me vete kudo dhe kahdo që shkojnë mërgimtarët.

Respekt dhe mirënjohje atdhetare për Marjan dhe Ilir Cubi!

Florim Zeqa, 2 Korrik 2026

Zhduku, ti erë e keqe si ujërat e zeza!

0

Nga Aurel Dasareti

Aftësia për të parë ndryshimet midis fjalëve dhe veprimeve është parakushti kryesor për një shoqëri të lirë.

Hajduti i pangopur, cullaku i plazheve nuk jep dorëheqje sepse nuk frikohet nga demonstruesit paqësorë. Kriminel, the qafën, zhduku nga Shqipëria jonë! Ti, miu i kanalizimeve të Shqipërisë!

***

Ndërmarrja e ndeshjes (rezistencës) luftës kundër udhëheqësve politikë që kryejnë abuzime ose nuk i dëgjojnë njerëzit, ngre çështje të mëdha parimore. Në vendet demokratike ekziston një debat i vazhdueshëm nëse populli ka të drejtë morale për t’u rebeluar.

E drejta për rebelim në të drejtën ndërkombëtare:

  • Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e Kombeve të Bashkuara: Preambula thotë se populli ka të drejtën përfundimtare për t’u rebeluar kundër tiranisë dhe shtypjes, nëse të drejtat e njeriut nuk mbrohen me ligj. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut.
  • E drejta ndërkombëtare: Përtej kësaj njohjeje themelore, nuk ka ligje universale që rregullojnë se si ose kur përdorimi i tillë i forcës është i ligjshëm. Konsiderohet kryesisht si një çështje kombëtare e vendit përkatës.

Rezistenca jo e dhunshme:

Shumë mendimtarë historikë dhe politikë argumentojnë se mosbindja civile dhe lufta paqësore janë format më efektive të forcës kundër regjimeve jodemokratike. Metoda të tilla përfshijnë:

  • Greva dhe bojkote të përhapura gjerësisht.
  • Demonstrata paqësore.
  • Mosbindje civile e organizuar për të paralizuar funksionet administrative të shtetit.

Rezistencë e armatosur:

Historikisht, kryengritjet popullore ndonjëherë kanë çuar në konflikte të dhunshme kur mjetet paqësore kanë dështuar. Situata të tilla shpesh çojnë në kushte të ngjashme me luftën civile, kriza të mëdha humanitare dhe paqëndrueshmëri (jostabilitet).

Rruga drejt ndryshimit dhe metoda e zgjedhur varen nga situata specifike në vendin në fjalë. Shpesh, kërkohet mbështetje e gjerë ndërkombëtare për të nxitur reformën politike ose ndryshimin e regjimit.

***

Protestat masive qytetare kundër qeverisë së kryekriminelit, krye-tradhtarit që shet Shqipërinë, në të cilat po kërkohet dorëheqja e tij dhe një qeveri teknike, kanë hyrë në muajin e tyre të dytë. Pavarësisht tubimeve të vazhdueshme në Tiranë dhe thirrjeve të diasporës, ai qen bir qeni ka deklaruar publikisht se nuk do të japë dorëheqjen.

Reagimet kryesore lidhur me këtë situatë përfshijnë:

  • Kërkesat e qytetarëve: Protestat e organizuara nga lëvizjet qytetare dhe opozita kanë kulmuar me pjesëmarrje të gjerë, përfshirë edhe shqiptarët e ardhur nga diaspora. Ata kërkojnë largimin e menjëhershëm të hajdutit, kryekriminelit mafioz, antishqiptarit të pistë duke e akuzuar (me fakte të pakontestueshme) për të gjitha ligësitë ndaj Vendit dhe Kombit tonë. Shqipëria pothuajse është zbrazur tërësisht nga shqiptarët (të rinjtë dhe ekspertët-në emigracion masiv, kanë mbetur vetëm të moshuarit) dhe do zëvendësohet nga ardhacakët e të gjithë rruzullit tokësor. Kryekrimineli që urren Kombin Shqiptar, me decenie punon aktivisht për shpopullimin e kombit tonë (ndryshime demografike), të cilët janë zgjuar shumë vonë për ta hequr qafe, por ai nuk ikën sepse nuk frikohet nga pasojat. (PS: Ndryshimet demografike përshkruajnë ndryshimet në madhësinë, përbërjen dhe shpërndarjen e popullsisë. Ato ndikohen kryesisht nga tre faktorë: lindshmëria, vdekshmëria dhe migracioni.)
  • Qëndrimi i Kryekriminelit: I ka injoruar thirrjet për dorëheqje duke i cilësuar si politike, dhe madje ka ironizuar kërkesat e protestuesve në rrjetet sociale duke theksuar se ka marrë mandatin nga populli dhe nuk do të tërhiqet deri në vitin 2029.
  • Përshkallëzimi i situatës: Tubimet e përditshme kanë përfshirë marshime në kryeqytet, por ndonjëherë kanë precipituar edhe në përplasje dhe tensione me forcat e rendit para institucioneve qendrore.

***

PS: Le të shpresojmë që krye-armiku i popullit tonë do të largohet, por askush nuk mund ta parashikojë me saktësi rezultatin përfundimtar të protestave…

01.07.2026

  • Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike

Kthimi i LDK-së në identitetin e saj, përmes profilizimit të së djathtës të Kosovës

0
Idriz Zeqiraj, Gjermani       
     Rrëfimi i kryetarit Lumir Abdixhiku, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, por edhe rrjedhat përgjatë atij viti në LDK, ka qenë i sinqertë dhe bindës. “Tymi” i doli më 24 qershor 2026, në Facebook-ët e disa eksponentëve të LDK-së.
     Dy kryetarët komunal shumë të suksesshëm, përkatësisht, Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti, shpëtuan Pejën dhe Lipjanin, të kapura nga bandat e PDK-së dhe të AAK-së. Andaj, respekti e mirënjohja për krye-komunarët në fjalë ka qenë meritore.
     Mendoj se nuk ishte mënyra e duhur e revanshimit ultimativ, duke kërkuar dorëheqjen hiç të zakonshme të kryetarit të LDK-së, nga titullarët e LDK-së, respektivisht, nënkryetar dhe sekretar shumëvjeçarë.
     Edhe përgjigjja e kryetarit Lumir Abdixhikut, tejkalonte standardin e kreut të LDK-së, sepse qasja ishte e nxituar dhe hakmarrëse.
     Kuadrot e tjerë partiakë, si Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami, si pjesë e klanit të Isa Mustafës, ishin të vrazhdët, shantazhues dhe kërcënues, në kërkesat e tyre të porositura, duke shpërfillur strukturat e partisë dhe abuzues të mandatit të tyre të deputetit.
     Por këta nuk janë të vetmit. Janë edhe të tjerë, si pjesë votuese të vendimeve fatale për Kosovën. Ata morën guximin e amnistimit dhe të rehabilitimit të krimit dhe të kriminelëve! Kulmuan me bërjen president të njeriut të shantazhuar me dosje faktike penalizuese. Edhe pas pësimeve në vijimësi, duan zvarritjen pas PDK-së dhe të aleatëve të saj, persekutorë të LDK-së.
     Gjëma e LDK-së kulmoi kur PDK-ja ia katapultoi kryetarin monist në drejtimin e saj. Identiteti i LDK-së u vu në luhajë. Normalitetin me humbje kryetari Abdixhiku e trashëgoi, nga lidershipi paraprak. Por, gjithsesi, edhe revanshistët e tanishëm ishin bërë pjesë e këtij normaliteti humbës. Sepse përfitonin personalisht, ndërkohë që LDK-ja zvarritej e përskeqej, nga zgjedhjet në zgjedhje, dhe gjithnjë humbëse.
     Çështja e identitetit, e zvetënimit, deri në rrezik shuarje të tij, ka përçarë sot shtrukturat drejtuese të LDK-së. Disa duan ta harrojnë përgjakjen e LDK-së dhe të Kosovës! Në konspiracion me sundimtarët zullumqarë, të cilëve u shërbyen si patericë, për t`i mbajtur në pushtet, edhe pas faktimit të krimeve numerike, ata preferojnë aleancat me persekutorët!
     Anatema që i bëhet Lidershipit për rrjedhojat, pa gjykuar shkaqet, është e padrejtë dhe tërësisht e gabuar. Rasti i Dr. Vjosa Osmanit, më 25 maj 2015, në Kuvendin e 8-të Zgjedhor të LDK-së, sfida përballë kryetarit Isa Mustafa, në garën për drejtim të partisë, ishte shansë ideale, për ta kthyer LDK-në në identitetin e saj. Por ish-kryetari Mustafa, me klanin e tij, ishin në sulmin e egër kundër zërave identitarë, për ruajtjen e frymës rugoviane. Në atë Kuvend, në mënyrën më të poshtër, kriminale dhe rrugaçërore u godit dhe u përjashtua në pjesëmarrje në Kuvenbdin qendror LDK-ja e Mërgatës, respektivisht, delegatët e zgjedhur të saj.
     Vjosë Osmani, me guximin qytetar dhe intelektual që e karakterizon, kërkoi debat të hapur për katandinë e LDK-së nga Isa Mustafa dhe klani i tij. Njëherësh, kërkoi garë ligjore dhe të ndershme, me votim të fshehtë. Kërkesat u refuzuan, u kundërshtuan harbutërisht, cinikisht e rrugaçërisht.
     Nuk ishin Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla ato që dëmtuan LDK-në, por ishte Isa Mustafa, me klanin e tij, i cili çmontonte rugovizmin, deri në nxjerrjen nga binarët identitare. Sepse hisedar në drejtimin e LDK-së, tashmë, ishte bërë edhe Hashim Thaçi!
     Të pranosh koalicionin me PAN-in kriminal, me një majtizëm stalinist, deri në eliminimin fizik të kundërshtarëve politikë, duke refuzuar LVV heterogjene, është çmenduri.
     Kryetari Lumir Abdixhiku edhe mund të jepte dorëheqje, por, assesi, për faj të tij. Ai e mori LDK-në me identitet të lënduar. Për konkurrencë garuese u lakuan emra, kryesisht, pjesë e klanit të Mustafës! Por do të ishte papërgjegjësi e kryetari Abdixhiku, nëse do të pranonte ta kontrabandonte LDK-në, tek ata që kishin goxha do lidhje specifike me PAN-in.
     Një Kuvend i ngutshëm, qoftë edhe me votëbesim të fshehtë, u bë. Edhe pse strukturat partiake të LDK-së ishin dhe janë me shumësi të përzgjedhura nga Lidershipi i kaluar. Shto këtu edhe sabotimin dhe intrigimin e sinkronizuar, për shkarkimin e kryetari të ligjshëm, megjithatë u konfirmua legjitimiteti për vazhdimin në drejtimin e LDK-së.
     Rikthimi me kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve partiake, nga individë dhe grupe, qofshin edhe disa kryesi të degëve, nuk është as ligjor dhe aq më pak njerëzor. LDK-ja ka struktura, ka rregullore, madje edhe afate. Ajo nuk guxon t`u nënshtrohet individëve dhe grupeve të interesit.
     Një afat kohor, tashmë, është caktuar në Kuvendin e fundit, më saktë, afatet kohore 4 (katër) vjeçare janë të njohura, ndërsa Kuvendet e jashtëzakonshme, nuk e ndryshojnë datimin klasik. Edhe “yryshlinjtë” aktual duhet të mësohen me pritjen e afatit zgjedhor.
     Puçet partiake “alla hashimçe”, me revole në dorë dhe kërcënimin makabër, “ta vras djalin e hasretit”, siç bëri në vitin 1997, me shkarkimin e dhunshëm të Kryesisë të Vjetër të LPK-së, për ta zëvendësuar me një Kryesi skajshëm të dyshimtë, madje për shumëçka, nuk guxojnë të kopjohen nga LDK-ja.
     Shprehim keqardhje për zotërinjtë Gazin dhe Imriun, të cilët janë dëshmuar me përkushtimin e tyre ndër vite, në drejtimin e komunave të tyre, ndërsa nga ca të tjerë, të cilët herpashere kërkojnë zgjedhje, nuk mund dhe nuk duhet të merren seriozisht.
     LDK-ja, përmes kryetarit Lumir Abdixhikut dhe reformatores të ndryshimit të domosdoshëm, Vjosë Osmanit, shpalli bashkimin dhe profilizimin e të djathtës të Kosovës. Dhe, kjo duhet të jetë krye-kauzë e LDK-së, për t`u kthyer në identitetin e saj tradicional.
     Kemi dëgjuar zëra përçmues, për këtë nismë fisnike, nga nostalgjikë të aleancës me PAN-in, por duhet mbajtur shënime, për t`i denoncuar me fakte se nuk kanë asnjë lidhje me të djathtën. Si të tillë, ata/ato duhet të shkojnë atje ku u flenë mendja dhe zemra. Megjithatë, pengesat, destruktiviteti i tyre duhet demaskuar dhe tejkaluar.
     Shprehjet çmobiliziese, demoralizuese dhe thellësisht armiqësore ndaj LDK-së, siç janë: “LDK-ja vdiq me Rugovën”, “LDK-ja vazhdon të jetë bisht i PDK-së” dhe të tjera, janë qëllim këqija. Prandaj, djathtizmi i lëndëzuar me veprime e parime, i jep fund agonisë dhe hutisë aktuale.
     Rugovistët e vërtetë duhet t`i gëzojë kthimi i Dr. Vjosë Osmanit në shtëpinë e saj – LDK-e. Nga afro 123 mijë vota që ka marrë LDK-ja, për Vjosën kanë votuar afro 93 mijë votues. Dhe, kjo dëshmon se shumica absolute e anëtarësisë e kanë mirëpritur dhe aprovuar kthimin e Vjosë Osmanin në partinë e saj, të cilës i ka shërbyer me devotshmëri përtej dy dekadave. Kjo është dëshmi domethënëse e vetëfolëse se ajo ka qenë dhe mbetet pjesë mendore dhe shpirtërore të LDK-së.
     Thirrjet e binomit Lumir Abdixhikut dhe të Vjosë Osmanit, për bashkimin e strukturave, anëtarësisë, elektoratit të LDK-së dhe popullit, rreth të djathtës të Kosovës, janë e vetmja shansë, që partia ta tejkalojë përçarjen subjektive dhe artificiale, individuale apo grupore.
     LDK-ja ka forca dhe mundësi reale, për t`u ringritur të bashkuar me sinqeritet dhe jo me bërrylime. Debati i shpenguar, që nga baza deri në qendër, si dhe votimi i fshehtë demokratik, për të gjitha nivelet e strukturave partiake, do të jenë përcaktuese për të gjitha organet drejtuese të LDK-së, në të ardhmen.

Zyra e Stambollit që vendosi në Vatikan se identiteti është çështje e motit politik afgan

0

Shkruen e knon: Lirim Patrioti

(Lirim Gashi, Prizren)

Kam njohur një shqiptar që quhej Osman Osmani, të cilit i mungonte vetëm parashtesa “Perandor” që emri dhe mbiemri i tij, i trashëguar me krenari nga Perandoria Osmane, të bëhej vërtet madhështor.
Një ditë, miku im Osman Osmani shkoi rastësisht për piknik buzë lumit Vjosa, ku Allahu Gjeleshan befasisht e goditi me një stupc në kokë. Në atë çast iu ndryshuan emri dhe gjinia, ndërsa mbiemri i mbeti i njëjtë, sepse në Tiranë kishte krijuar lidhje të pathyeshme, me të gjithë djajtë dhe çakejtë.
Që nga ajo ditë, Osman Osmani — pardon, Vjosa Osmani — u ndie e bekuar dhe e privilegjuar që Allahu Gjeleshan e kishte goditur me atë stupcin hyjnor në kokë dhe, që njëkohësisht, i kishte dhënë urdhër Edi Ramës ta tërhiqte për brirësh si lopë.
Pas këtij “ndriçimi”, Osman Osmani — pardon, Vjosa Osmani — e humbi komplet orientimin.
Sepse filloi ta ngatërronte Migjenin me Naimin.
Dhe sikur të mos mjaftonte i gjithë ky hutim, ajo filloi ta ngatërronte edhe romantizmin me realitetin dhe rugovizmin me socializmin.
Në të vërtetë, atë e kishte hutuar fjala socializëm në emrin e partisë kapitaliste të Ramës, ndaj pa e kuptuar se çfarë po i ndodhte, u shndërrua në viktimën më konfuze të kurthit të tij dhe dramës.
Që atëherë e përqafoi parimin kinez: sillu si komunist shqiptar, por fito para si kapitalist anadollak, çerkez ose mongolez.
Pas këtij transformimi të papritur, “Vjosa Osmani” vendosi të kërkonte sqarim në zyrën më të afërt të identitetit kombëtar — një institucion që ekziston vetëm atëherë kur ke nevojë për të.
Nëpunësi i sportelit e pa me kujdes, pastaj me dyshim, pastaj edhe një herë me kujdes dhe, më në fund, i tha:
— Zonjë… ose zotëri… ose rast administrativ… ne për kategorinë tuaj nuk kemi formular.
— Si nuk keni? — pyeti ajo me qetësi filozofike. — Unë jam unë.
— Pikërisht këtu qëndron problemi — iu përgjigj nëpunësi. — Ne merremi vetëm me qytetarë që e dinë saktësisht se kush janë. Ju jeni një identitet në procedurë administrative e sipër.
Menjëherë u mblodh një komision i posaçëm me emrin:
“Komisioni për Identitete të Paqarta dhe për Emra që Refuzojnë t’i Rikthehen Identitetit të Tyre të Vërtetë Kombëtar, Politik dhe Fetar.”
Pas tri orësh diskutimesh, komisioni mori një vendim unanim:
— Personi në fjalë do të mbetet në status të përkohshëm emëror derisa realiteti të stabilizohet.
— Dhe sa do të zgjasë kjo? — pyeti ajo.
— Varet nga moti politik — u përgjigj komisioni.
Ndërkohë, Migjeni dhe Naimi u thirrën si ekspertë për ta sqaruar keqkuptimin filozofik. Migjeni deklaroi se nuk kishte asnjë lidhje me rastin, ndërsa Naimi u pajtua me gjithçka vetëm për ta shmangur debatin e kotë.
Në fund u vendos që personit t’i lëshohej një dokument i ri: “Letërnjoftim i Përkohshëm për Interpretimin e Realitetit”, i cili do të duhej të rinovohej sa herë të ndërrohej qeveria ose stina.
Dhe kështu qytetari doli nga zyra edhe më i hutuar sesa që kishte hyrë.
Në anën tjetër, administrata e shpalli këtë si një sukses historik, sepse kurrë më parë askush nuk kishte dalë nga një institucion shtetëror me më pak siguri për identitetin e vet politik, kombëtar dhe fetar.
Rroftë patriotizmi i zi me kornizë të bardhë!

LNG: nga parakusht teknik në alibi strategjike për krizën zgjedhore

0

Nëse e lexojmë me një minimum serioziteti institucional, debati aktual rreth zgjedhjes së presidentit/presidentes në Kosovë nuk është më thjesht çështje e aritmetikës parlamentare, por simptomë e një strukture më të thellë disonance mes tri racionaliteteve që nuk përputhen më: racionalitetit të shumicës politike, racionalitetit të opozitës dhe racionalitetit të orientimit strategjik shtetëror.

Nga njëra anë, Lëvizja Vetëvendosje ka artikuluar një pozicion që në dukje synon deeskalim institucional: president konsensual, jo partiak. Në teori, kjo është një lëvizje drejt modelit të stabilitetit republikano-parlamentar, ku figura e kreut të shtetit nuk është extension i mazhorancës, por pikë balancuese mbi të. Në praktikë, megjithatë, ky pozicion prodhon një zhvendosje të barrës politike: nga shumica te opozita, nga emërimi te propozimi, nga vendimmarrja te legjitimimi.

Në këtë pikë, opozita nuk reagon thjesht me kundërshtim procedural, por me një lloj eskalimi diskursiv që e zhvendos terrenin e debatit jashtë sallës së Kuvendit [kryesisht në studiot teevizive]. Futja e “kushteve strategjike” siç është çështja e gazit amerikan dhe projekti energjetik i Vlorës—i cili në fakt ekziston si kornizë bashkëpunimi Kosovë–Shqipëri për diversifikim energjetik dhe LNG—nuk është thjesht referencë ekonomike. Është një akt politik i ripozicionimit të krizës: nga një krizë e brendshme institucionale në një krizë të orientimit gjoja gjeopolitik.

Këtu lind disonanca: një projekt energjetik që në thelb i përket logjikës së tranzicionit afatmesëm strategjik përdoret si kusht për zgjidhje afatshkurtër institucionale. Në termat e teorisë së vendimmarrjes, kemi një mospërputhje të qartë midis horizonteve kohore të politikëbërjes: energjia kërkon planifikim shumëvjeçar, ndërsa kriza presidenciale kërkon zgjidhje brenda ciklit parlamentar.

Në këtë kontekst, çështja e presidentit/presidentes pushon së qeni vetëm çështje emrash dhe shndërrohet në test të aftësisë së sistemit politik për të prodhuar konsensus minimal funksional. Por konsensusi, në këtë rast, nuk është më thjesht kompromis aritmetik; ai është bërë instrument legjitimimi për orientimin strategjik të shtetit.

Prandaj, gjasat për shkuarje në zgjedhje të reja nuk varen vetëm nga mungesa e marrëveshjes për një figurë presidenciale, por nga fakti nëse palët janë të gatshme të bien dakord mbi hierarkinë e temave: çfarë është urgjencë institucionale dhe çfarë është projekt strategjik afatgjatë.

Nëse kjo hierarki mbetet e përmbysur—nëse çështjet energjetike përdoren si kushte për zgjidhje politike dhe nëse zgjidhjet politike përdoren si mjete për pozicionim strategjik—atëherë sistemi hyn në një cikël të njohur të “stabilitetit të paqëndrueshëm”: zgjedhje, bllokadë, negociata, dhe sërish zgjedhje.

Tashmë kur është më e qartë se ekzistojnë plane afatgjata për diversifikim energjetik rajonal (Kosovë–Shqipëri–SHBA–LNG), lidhja e tyre me zgjedhjen e presidentit është politikisht artificiale si mekanizëm kushtëzimi.

Prandaj, po—është e arsyeshme të lexohet kjo si një instrument negociues ose një alibi strategjike për të zgjatur ose ridrejtuar ciklin e krizës,më shumë sesa si parakusht teknik real për zgjidhjen institucionale.

Në fund, paradoksi është i thjeshtë por i pakëndshëm: sa më shumë që aktorët politikë deklarojnë gatishmëri për konsensus, aq më shumë rritet kompleksiteti i kushteve për ta arritur atë. Dhe në një sistem ku konsensusi bëhet gjithnjë e më i kushtëzuar nga faktorë jashtë institucionalë, zgjedhjet e reja nuk janë devijim nga normaliteti—por forma më e pastër e rikthimit të tij të përkohshëm.

Disa mendime rreth filmit “Besa, Myslimanët që shpëtuan Hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore” të hebreut amerikan Norman Gershman

1

Paul Tedeschini, Milano, Itali

Per këtë film lexova nga shkrimi i Prof. Dr. Eshref Ymeri me titull “Hebrenjt dhe Shqiptarët, një histori e pa rrëfyer plotësisht dhe një mirënjohje që nuk e pamë ende”.

Po perfitoj nga rasti ta pergëzoj Profesorin per ketë shkrim të qelluar dhe sintetik.

Du me vu në dukje se shqiptart pa dallim besimi fater i kan mbrojtë me Besë hebrejt në Shqipni, kur ato i ndiqte nazizmi. Pse ka ndodhe kjo gja? Sepse BESA asht nji cilësi e rranjosun me shekuj ne shpirtin e shqiptarit edhe që shfaqet edhe në vetë Mikëpritjen e mikut.

Nji shmbull asht rasti “Hebrenjte që u shpetuen nga Dom Shtjefën Kurti, At Pjeter Meshkalla dhe monsinjor Vinçens Prennushi” ( https://www.drini.us/hebrenjte-qe-u-shpetuen-nga-dom-shtjefen-kurti-at-pjeter-meshkalla-dhe-monsinjor-vincens-prennushi/ ).

Eksperimentet deshtake të komunistve (internacionalistave – pa Atdhè) me fatin e popullit shqiptar kan fillu qyshë gjatë Luftes Dytë Botnore e deri më sot. Në periudhen 1944-1990 kan deshtu në menyrë katastrofike. Po ashtu edhe në periudhen 1990-2026 kan dhanë rezultate katastrofike, per të cilat ka nji muej rresht që populli në Shqipni po proteston kundra tyne. Kjo gja ka ndiku edhe me qendrimin e tyne të shtrembët tendencioz dhe falsifikues të «Historisë së Shqipnisë» si dhe të krejtë shqiptarve, gjithmonë per të justifiku vijen  e tyne politike antishqiptare.

Persa i perket fotografit hebreo-amerikan Norman Gershman me filmin “Besa, Myslimanët që shpëtuan Hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore”, un nuk e marr me mend se çka kupton ai me termin “Besa muslimane” .

Muslimanizmi, të cilin na e solli pushtuesi turk-osman, ka lind në shekullin e VII mbas Krishtit nga arabi Muhamed, parimet e të cilit janë perfshi në librin KURANI. Un e kam lexu dy herë këtë liber me shumë vemendje dhe nuk e kam hasë kerkund termin BESA apo BESA MUSLIMANE. Kam lexu edhe shumë literaturë tjeter rreth muslimanizmit dhe kerkund as nuk permendet koncepti BESA dhe askerkund nuk aludohe nji koncept i tillë.
Persa u perket turqve osman, sa e sa koka shqiptarsh kan shku prej pabesisë të muslimanve turq.

Në qoftë se mund të flitet per «Besen e muslimanve shqiptar», kjo mund të ketë nji spjegim të kundert me atë, që perdorë hebreu amerikan Norman Gershman.

Zakonet e shqiptarve janë të permbledhuna në Kanunet e krahinave të ndryshme si Kanuni i Lek Dukagjinit Kanuni i Sknderbeut dhe ma i fundit Kanuni i Laberisë i permbledhun në vitet e fundit nga Prof. Dr. Ismet Elezi.

Në këto Kanune mbizotnon koncepti BESA. BESA jepet në shumë rrethana të ndryshme, nji prej të cilave asht edhe BESA, e cila i jepet atij që të troket tek dera e shtëpisë edhe në rastin kur personin e ndjek dikush. Në këtë  rast i Zori i shtëpisë asht i detyruem ta mbrojë mikun pa rrezerva.

Në rastin tonë hebrejt, që ishin të detyreum të largoheshin nga trojet e veta shumë vite ma perpara gjermanve nazist, si dhe edhe ato hebrej të ardhun per shkak të persekutimit nazist gjerman, të gjithë këto nuk jane vendas shqiptar, por janë të ardhun në trojet shqiptare. Pra këto kan ardhë në SHTȄPINË E SHQIPTARIT.

Fakti që edhe muslimant shqiptar i kan dhanë BESȄ HEBREJVE dhe i kan mbrojtë nga armiku i tyne nazist, nuk e ka prejardhjen prej «beses» së muslimanizmit të sjellun nga pushtuesi turk osman, por a ka prejardhejn nga BESA si cilësi e rranjosun me shekuj në shpirtin e shqiptarit edhe që shfaqet edhe në vetë Mikëpritjen e mikut.

Prej kësaj del se muslimant shqiptar me gjak të paperziem me gjak të pushtuesve turq-osman, prep qi prep ata i kan rujtë cilësitë e tyne shqiptare.

Persa i perket hebreut amerikan Norman Gershman shifet se ai as ia ka idenë e Beses Shqiptare dhe nuk e kuptoj se ku ka dashtë me dalë ai me këtë filmin me titull “Besa, Myslimanët që shpëtuan Hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore”.

Më 1 korrik 2026

A do ta shembë Revolucioni Flamengo mitin e kozmopolitizmit dhe a do ta ringjallë shqiptarizmin?

0

Në në fillim më duhet ta ridefinoj një hipotezë që ndoshta për shumëkënd duket e paqenë, por që për një sociolog me përvojë e zgjon kureshtjen shkencore, sidomos kur të kihet parasysh se shumë fenomene e dukuri të ndodhura në kulturën dhe etnopsikologjinë tonë kombëtare kanë nevojë për diagnoza e terapi adekuate. Aq më tepër kur koha në të cilën po jetojmë, me zhvillimet dhe rirreshtimet tektonike që po ndodhin në nivel global dhe kontinental, po kërkon shpjegime të duhura dhe të shpejta. Në këtë kontekst, sonda jonë do të bëjë përpjekje të analizojë një korelacion interesant sociologjik: atë të gjasave që Revolucioni Flamengo mund ta kontestojë e, pse jo, edhe ta shembë mitin e kozmopolizmit, të cilin e amputoi rrufeshëm dhe pa u diktuar rendi i neoliberalizmit, që dikush e identifikon me globalizimin e dikush me amerikanizmin apo perëndimizimin. Dhe se cilat janë perspektivat sociologjike që ky mit konsumist ta rikthejë shqiptarin në ish-shtratin e tij të njohur si shqiptarizëm. Shqiptarizmës që gjatë gjithë periudhës së tranzicionit iu periferizua me shpejtësi drite nga përditshmëria sociale, politike e kulturore. Pra, thënë më thjesht, jam shumë kureshtar ta di se në ç’drejtim po na çojnë protestat dhe revoltat popullore dhe në ç’masë pushtetet e këtyre 36 viteve e ndihmuan ngjizjen e mitit të lartcekur, që la pas vetes: shpopullimin përmes indiferencës ndaj migrimit të 1 milion shqiptarëve; kushte dhe dyshime serioze për krim dhe korrupsion galopant; zhveshje pothuajse totale nga ndjenja kombëtare dhe përgjegjësia shtetërore etj.

E themi kështu për shumë arsye, por njëra prej tyre, që sociologjikisht mund të konstatohet, është se shqiptarët e Shqipërisë, duke qenë të ngujuar me dekada të tëra në diktaturën komuniste, menjëherë pas rënies së saj, për dallim nga shoqëria kosovare, me një afsh të paparë ndonjëherë në vendet e tranzicionit, filluan të imitonin çdo (anti)vlerë dhe çdo (anti)normë perëndimore. Në gjykimin tim, kjo “grabitje” e shpejtuar dhe tejet e pakontrolluar nga elitat intelektuale dhe ato politike bëri që shqiptarët e rëndomtë, duke dashur t’i “shijonin” frytet e demokracisë, t’ua hapnin dyert e migrimit mbi një milion shqiptarëve, të cilët, përveç brezit të parë, të gjithë të tjerët u futën në “kazanin shkrirës” të botës perëndimore, për ta “mësuar” “leksionin” e kozmopolizmit evropian.

Dhe, nëse tani i kthehemi titullit hipotetik se sa Revolucioni Flamengo do të mund ta shembë në themel idenë, konceptin, por edhe arkitekturën e ngritur të “virusit” të amputuar vullnetarisht mbi kozmopolizmin e shqiptarëve, dhe sa po e rizgjon atë ndjenjë të munguar të përkatësisë etnike shqiptare që po manifestohet çdo natë përmes afishimit të simboleve kombëtare (flamujve kombëtarë, plisave, veshjeve tradicionale etj.) nëpër rrugët e Tiranës?

Por, kur jemi te ky ndikim i revoltës, që po manifestohet dhe demonstrohet përmes këtyre simboleve, duhet thënë se duhet të jemi të kujdesshëm dhe të vëmendshëm. Sepse, pas rënies së stalinizmit shqiptar në vitet 1990–1991, u krijua një boshllëk evident ideologjik, ku identiteti i ndërtuar mbi konceptin e marksizëm-leninizmit humbi legjitimitetin pothuajse brenda natës. Në këtë kontekst, flamuri kombëtar, historia kombëtare dhe figurat historike u shndërruan në pika të reja referimi për identitetin. Dhe, shikuar me “dioptrinë” sociologjike, kjo ishte mënyra më tipike e transformimit sociopolitik, ngase narrativa shkatërruese ideologjike u zëvendësua pothuajse në mënyrë të padukshme me narrativën kombëtare.

Megjithatë, do të ishte e tepruar të thuhej se e gjithë kjo “odisejadë” transformuese e shoqërisë shqiptare e “betonoi” përfundimisht ndjenjën kombëtare në kokat e brezave që erdhën më pas. Folur me gjuhën e një kirurgu social, ky proces duhet pranuar se identitetin kombëtar e bëri shumë më të dukshëm në jetën publike; pastaj krijoi simbolika të reja bashkimi në një periudhë pasigurie dhe rivlerësoi historinë kombëtare, e cila kishte qenë pjesërisht e interpretuar kryekëput përmes dioptrisë së “tytës” ideologjike komuniste.

Ndërkaq, kur është fjala te çështja e masës apo nivelit të “tronditjes” së rrënjëve dhe vlerave të mbjella pas rënies së stalinizmit, në gjykimin tonë, nga kjo distancë kohore katërdekadëshe, përgjigjja është se ky ndikim ishte shumë më i theksuar në planin simbolik, por jo edhe në atë social. Themi kështu, sepse sistemi vleror i tranzicionit, që identifikohej përmes pluralizmit politik, ekonomisë së tregut, si dhe emigracionit masiv, i cili injektoi tiparin e individualizmit në mendjet dhe etnopsikologjinë shqiptare, e ndryshoi me shpejtësi drite të gjithë strukturën e shoqërisë shqiptare. Dhe, si pasojë e gjithë këtij procesi transformues, nuk ishte nacionalizmi ai bartësi apo katalizatori i ndryshimit. Nacionalizmi, thënë ndryshe, nuk u bë asnjëherë ideologji dominuese në kulturën e veprimit dhe organizimit të shoqërisë shqiptare. E vetmja e arritur e nacionalizmit shqiptar në këtë kohë ishte dhe mbeti mbijetesa dhe “bashkëjetesa” me sistemin e ri vleror demokratik, i cili pa ndalur “prodhonte” ide si ato për integrimin evropian dhe globalizimin, që e “vriste” çdo ditë ndjenjën e të qenit shqiptar.

Revolucioni Flamengo, dashur apo padashur, de facto dhe de jure, në gjykimin tim, është duke shërbyer edhe si një lloj “karikatori” mobilizues për një rindërtim, të paktën simbolik, të identitetit kolektiv shqiptar. Themi kështu, ngase për çdo natë në rrugët e Tiranës ne po bëhemi dëshmitarë të një demonstrimi qytetërues, pa komplekse dhe pa inferioritet, as individual e as kolektiv, të shqiptarizmës së ndrydhur dhe të “ngujuar” në narrativat falso ideologjike, politike e partiake.

Por, duket se narrativa mbi kundërshtimin e çdo gjëje qeveritare dhe opozitare, pa ofruar alternativë konkrete dhe të definuar, i vuan edhe ca dobësi që duken të parëndësishme në këtë fazë kruciale për zgjerimin apo masivizimin e mëtejmë të revoltës. Për fillim, po përdorim konceptin e historianit amerikan Timothy Snyder si një kornizë analitike, por jo edhe si model e si provë adekuate për të shpjeguar synimet, ambicien dhe qëllimet e Revolucionit Flamengo. Sepse ai, si historian që është, më tepër është marrë me tiparet e funksionimit të pushteteve autoritare dhe mënyrat e rezistencës qytetare sesa me lëvizjet masive që e mundësojnë rënien e diktaturave demokratike. Dhe këto procese ai i shpjegon më së miri në librat “On Tyranny” dhe sidomos në “On Freedom”, ku si “paralajmërues i hershëm” ka identifikuar ato rreziqe potenciale që mund të sjellë koncentrimi i tepërt i pushtetit në duart e një njeriu të vetëm, duke aluduar kështu në rastin e Donald Trump-it dhe autokratëve të tjerë periferikë.

Ndërkaq, nëse e analizojmë Revolucionin e Flamingove duke u mbështetur te përvoja e protestave të tjera historike dhe te konceptet e Snyder-it, mund të afishojmë ca dobësi evidente e interesante. Si, p.sh., ajo e pretendimit të organizatorëve për t’i zgjeruar edhe më tej kërkesat, sikurse edhe ajo e formësimit të një strukture të qartë organizative, ku do të dihej me saktësi milimetrike kush dhe për cilin sektor të përgjegjësisë ka marrë përsipër detyrë në këtë revolucion; pastaj, ajo e rrezikut të përçarjes brenda komunitetit organizativ, që mund të shfaqet për shumë arsye e ambicie të protagonistëve që ende gjenden “nën hije”, si edhe mungesa e një strategjie të “daljes”, e cila zakonisht shfaqet kur nuk ka fitore simbolike që do ta “ushqente” mirëmbajtjen dhe vazhdimin e kauzës fillestare. Andaj, duket se “Revolucioni Flamengo”, i drejtuar nga organizatorë ende anonimë, nuk e ka si imperativ aq ringjalljen e nacionalizmit shqiptar, sa luftimin e padrejtësive dhe të pabarazive ekonomike. Ndërkaq, kozmopolitizmi, në këtë rast, po (keq)përdoret vetëm si një “kalë Troje” për ta rrënuar sistemin e korruptuar dhe të kriminalizuar të qeverisë dhe opozitës aktuale…

Të gjitha këto, si të themi, dobësi, por edhe defekte, nga të cilat ca veçse janë shfaqur, por edhe të tjerat që mund të shfaqen në rrugëtimin maratonik të protestës, kanë rëndësi dhe peshë domethënëse po aq sa edhe tentativat e pushtetit që është duke i ndërmarrë përmes stigmatizimeve dhe paragjykimeve të pareshtura për kinse mbrojtjen e institucioneve të grabitura përmes patronazhistëve dhe grupeve të interesit që po e “mirëmbajnë” peng shoqërinë shqiptare. Se sa do të zgjas ky proces i ndërgjegjësimit, këte askush nuk e di me saktësi, por efektet dhe pasojat afatgjata me siguri që do “regjistrohen” në katalogun e historisë…

Hebrenjt dhe Shqiptarët, një histori e pa rrëfyer plotësisht dhe një mirënjohje që nuk e pamë ende

1

Eshref Ymeri

Politika hebraike – mosmirënjohëse ndaj kombit shqiptar

Para më shumë se 12 vjetësh, publicistja e talentuar, Zonja Elida Buçpapaj, pati botuar një Ese, në të cilën bëhej fjalë për hebrenjtë që jetonin në trojet shqiptare gjatë Luftës II Botërore. Në një takim që ajo ka pasur asokohe në Zvicër me zonjën Johanna Naumann, qytetare hebraike me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qe emocionuar tej mase nga rrëfimi i saj, prandaj Esenë e pati titulluar “Johanna Naumann, zonja që i tregoi botës se moralin e Europës e shpëtuan shqiptarët”.

       Në bisedë e sipër, Zonja Naumann ja çfarë pati rrëfyer:

“Në Europë, hebrenjtë i spiunonin pa të keq, për pak flori, apo për aspak, ndërsa tek shqiptarët, kurrë”.

Pra, ajo zonjë 84-vjeçare ishte duke folur para një publiku zviceran, që po vizitonte ekspozitën “me fotot e fotografit hebreo-amerikan Norman Gershman. Gershman një tjetër hero. Fotot e mbledhura në Shqipëri, Gershman i përdori në librin ku mbështetet edhe filmi i tij “Besa, Myslimanët që shpëtuan Hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore”. E ka fjalën për shqiptarët. Si motiv të filmit Gershman e ka përgjigjen ndaj pyetjes së pamundur – nëse ka njerëz në rruzullin tonë që do ta jepnin jetën e tyre për një të huaj: “Po, ka, – thotë Gershman, shqiptarët do ta bënin” (Gazeta “Telegraf”, 14 maj 2014).

Më 27 janar 2017, në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës dhe të Holokaustit, në simbol të atyre qindra mijëra hebrenjve, të vrarë gjatë Luftës II Botërore, Presidenti Bujar Nishani pati dekoruar 35 familje shqiptare që strehuan dhe mbrojtën nga pushtuesit gjermanë familje hebreje. Por Presidenti nuk u ndal absolutisht në një fakt jashtëzakonisht domethënës: në rolin e disa krerëve kryesorë politikë shqiptarë, të cilët, në ato vite të vështira, luajtën një rol vendimtar për mbrojtjen e hebrenjve nga mizoritë e pushtuesve gjermanë, duke i pajisur me pasaporta, si shtetas shqiptarë.

Le të ndalemi në disa të dhëna konkrete.

Së-pari, “…Xhafer Deva ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në shpëtimin e hebrenjve, të përndjekur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe këtë fakt e njohin mirë historianët…” (Citohet sipas: “Xhafer Deva i shpëtoi hebrenjtë”. Faqja e internetit “Dardania Press”. 08 shkurt 2022).

Së-dyti, “Çast i madh triumfi i së vërtetës. Unë sot jam këtu të flas për një aspekt tjetër të Mustafa Krujës, që nuk e pashë se e cekën në këtë takim: atë se ky njeri human, shpëtoi hebrenjtë në kohën e Luftës së Dytë Botërore, kur ishte me detyrën e kryeministrit” (Citohet sipas: Marcel Hila. “Mustafa Kruja dhe hebrenjtë në Shqipëri”. Faqja e internetit e gazetës “Dielli”. 25 janar 2025).

Së-treti, “Komunistët e atëhershëm dhe pasardhësit e tyre në Partinë Socialiste në Shqipëri… nuk e thonë të vërtetën se hebrenjtë u shpëtuan nga Xhafer Deva, në cilësinë e tij si Ministër i Punëve të Brendshme, dhe Kol Bib Mirakaj, në cilësinë e ministrit të Drejtësisë të Shqipërisë etnike. Ata refuzuan t’i përndiqnin hebrenjtë dhe, përkundrazi, i pajisën me dokumente shqiptare, duke e udhëzuar popullatën vendase t’i fshehin dhe t’i mbrojnë, pa u ndjekur nga Ministria e Punëve të Brendshme” (Citohet sipas: Gani Geci. “Kush i shpëtoi hebrenjtë?”. Faqja e internetit “Syri”. 27 janar 2026).

Pra, tre personalitetet e njohura politike – Mustafa Kruja, Kol Bib Mirakaj dhe Xhafer Deva – kanë qenë figurat kryesore të viteve të luftës, të cilët, si në asnjë vend tjetër të Europës, në bashkëpunim të ngushtë me popullin shqiptar të Shqipërisë Etnike, manifestuan fisnikërinë dhe mikpritjen proverbiale të kombit tonë në qëndrimin ndaj hebrenjve. Madje Kol Bib Mirakaj, librin e botuar para disa vjetësh, me titull “Vetvrasja e një kombi”, e ka shoqëruar edhe me faksimile dokumentesh, në të cilat u kishte dhënë porosi organeve përkatëse për pajisjen e hebrenjve me pasaporta shqiptare.

Normalisht, pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Dardanisë më 17 shkurt 2008, Izraeli, në nderim të kombit shqiptar, si i vetmi komb në kontinentin tonë, në territorin e të cilit, gjatë luftës nuk ra në duart e nazistëve gjermanë as edhe një qytetar hebre, duhet të kishte qenë shteti i parë që duhej të kishte njohur pavarësinë e Dardansë. Ose, të paktën, të kishte ndjekur shembullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Siç dihet. sapo qe shpallur pavarësia e Dardanisë, Presidenti Xhorxh Bush, megjithëse ndodhej për një vizitë në Afrikë, menjëherë deklaroi njohjen e pavarësisë.

Kishte kaluar pak më shumë se një vit pas deklaratës së Kuvendit të Dardanisë për shpalljen e pavarësisë, kur më 28 prill 2009, Arthur Koll, ambasadori izraelit në Serbi, pati deklaruar se Izraeli nuk kishte ndërmend ta njihte pavarësinë e saj.

Ka qenë sa e çuditshme, aq edhe e pakuptueshme politika e Izraelit ndaj Republikës së Dardanisë, pavarësinë e së cilës e njohu 12 vjet më vonë. Dhe nismën për njohjen e pavarësisë nuk e mori vetë Izraeli. Ishte ndërhyrja e Presidentit Donald Tramp gjatë një takimi me Kryeministrin e Dardanisë, Avdullah Hoti, në Vashington më 04 shtator 2020. Në atë takim, Presidenti Tramp pati lajmëruar se Izraeli dhe Kosova e kanë njohur njëri-tjetrën dhe mes këtyre dy shteteve do të vendosen marrëdhënie diplomatike.

Vetvetiu lindin dy pyetje:

Së-pari, a është ngritur ndonjë përmendore ose ndonjë pllakë përkujtimore në Izrael, në nderim të shqiptarëve, të cilët, gjatë luftës, i patën mbrojtur dhe shpëtuar hebrenjtë nga nazistët gjermanë?

Së-dyti,  Mustafa Kruja, Kol Bib Mirakaj dhe Xhafer Deva a janë nderuar me ngritjen e shtatoreve madhështore në kryeqytetin e Izraelit?

Nuk kemi asnjë informacion për të marrë një përgjigje pozitive ndaj këtyre dy pyetjeve.

Shqiptarët u janë shumë mirënjohës të gjithë atyre qytetarëve izraelitë, që janë shprehur me shumë respekt ndaj popullit shqiptar, si zonja Johanna Naumann, Norman Gershman, Ana Kohen dhe të tjerë. Kurse shteti izraelit është treguar mosmirënjohës ndaj kombit shqiptar, çka e manifestoi me njohjen e pavarësisë së Dardanisë me 12 vjet vonesë, madje me ndërhyrjen e Presidentit Donald Tramp.

Kaliforni,  30 qershor 2026

Përderisa shteti merrej me vjedhje, radikalizmi islamik merrej me rekrutime

0
Ra protesta dhe u çjerr perdja. U pa e vërteta që për 30 vjet është fshehur nën qilimin e korrupsionit, nën heshtjen e institucioneve, nën frikën e politikanëve që kanë preferuar të mos shohin, të mos dëgjojnë, të mos veprojnë.
Ajo që u pa nuk është besim.
Nuk është komunitet fetar.
Është radikalizim ekstrem, një projekt politik i rrezikshëm, i ushqyer në terr, i toleruar nga shteti, i lënë të rritet si kancer në trupin e shoqërisë.
Prej dekadash janë lejuar hapësira të mbyllura, qindra struktura pa regjistrim, pa kontroll, pa transparencë, zona ku ligji nuk hyn, ku shteti nuk ekziston, ku indoktrinimi ka punuar pa pengesë.
Këto nuk janë objekte kulti; janë laboratorë ideologjikë, ku prodhohet njeriu pa identitet kombëtar, pa vetëdije demokratike, pa sens kritik.
Janë terren ku radikalizmi ka mbjellë frikë, bindje të verbër, urrejtje ndaj rendit kushtetues.
Kjo është arma më e rrezikshme që mund t’i krijohet një vendi:
Jo eksplozivi. Jo armët.
Por mijëra të rinj të indoktrinuar, të gatshëm të sakrifikojnë veten për një ideologji që synon përmbysjen e shtetit shqiptar.
Ky fenomen nuk ka lindur vetë.
Është prodhuar me lejen e heshtur të politikës.
Me lejen e qeverive që kanë qenë të zëna me tendera, me pasuri, me krim ekonomik, me shpronësime, me grabitje të pasurisë publike.
Ndërkohë që shteti merrej me vjedhje, radikalizmi merrej me rekrutime.
Për këtë katastrofë politike janë fajtorë të gjithë:
Kryeministrat që kanë firmosur buxhete pa kontroll.
Presidentët që kanë heshtur. Ministrat që kanë mbyllur sytë. Deputetët që kanë votuar ligje pa zbatim. Prokurorët që s’kanë hetuar. Gjyqtarët që s’kanë guxuar. Këshilltarët që kanë marrë rroga për të mos bërë asgjë.
Çdo njeri që ka marrë pagë nga shteti dhe ka dështuar të mbrojë rendin kushtetues.
Radikalizmi ekstrem nuk është thjesht problem sigurie. Është pasojë direkte e dështimit politik. Është faturë e korrupsionit. Është rezultat i braktisjes së shoqërisë nga ata që duhej ta mbronin.
Shqipëria nuk ka luksin të tolerojë më asnjë strukturë të mbyllur, asnjë hapësirë pa kontroll, asnjë ideologji që synon shkatërrimin e shtetit.
Demokracia është vija e kuqe. Rendi kushtetues është themeli. Radikalizmi ekstrem është armiku.
Shqypnija e shqyptarve 🇦🇱,
vdekje trathtarve politikë, institucionalë, radikalë që kanë punuar kundër shtetit e kundër kombit