Pal Shtufi, Riza Salih ju ka vizituar 3-4 ditë pasi kishin ndodhur vrasjet e Jusufit, Kadriut e Bardhoshit dhe ka kërkuar të bënit dëshmi të rreme për te, a e ke lajmëruar?

Shkrime relevante

Pal Shtufi, Riza Salih ju ka vizituar 3-4 ditë pasi kishin ndodhur vrasjet e Jusufit, Kadriut e Bardhoshit dhe ka kërkuar të bënit dëshmi...

Ibrahim Kelmendi,  Gjermani I respektuar Pal Shtufi, fillimisht të falënderoj që ke reflektuar...

Vushtrrias, zbardhjani vetit fytyrën

Xhafer Ahmetaj VUSHTRIAS ZBARDHJANI VETIT FTYRËN Sa më parë, 523 vushtrrias të bashkuar,...

Pal Shtufi rrëfen se si Riza Salihut “i ka penguar hija e Jusuf Gërvallës”

🔴“I KA PENGUAR HIJA E JUSUFIT”- PAL SHTUFI RRËFEN SE SI...

99% e priftërinjëse në trojet shqiptare ishin rusë, po ashtu dhe 60% e hoxhallarëve pas viteve 1780

Në foto: Arben Llalla ____ Rusia pas vitit 1780 dërgoj mijëra misionar në...

Shpërndaj

I respektuar Pal Shtufi,
fillimisht të falënderoj që ke reflektuar për një fragment historik lidhur me ndodhinë tragjike: vrasjet e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, më 17 janar 1982. Pra, pas shumë viteve e ke rrëfyer vizitën që ju ka bërë Riza Salihu Ty dhe shoqes Tënde, Zanës, atëherë të strehuar si azilkërkues në Gjermaninë veriore. Siç ke rrëfyer, Rizai ju ka vizituar 3-4 ditë pasi kishin ndodhur vrasjet e Jusufit, Kadriut e Bardhoshit dhe me atë rast, duke u bazuar në autoritetin e tij udhëheqës, ai ka kërkuar nga ju të bëni dëshmi të rreme, se natën e vrasjes Rizai ka qenë mysafir te Ti e Zana. Ju thoni se Rizai ka kërkuar ALIBI, ndërsa Ti atëherë nuk e ke ditur çfarë kuptimi ka ai term. Por, me gjasë, ende nuk je informuar se heshtja e atij fakti të ngarkon, ndoshta edhe me faj penal, sepse në Gjermani qytetari ka detyrim të informojë e të dëshmojë; nuk ka të drejtë ta fshehë njohurinë për një krim të ndodhur. Që do të thotë, moslajmërimi në polici i kërkesës së Rizait për dëshmi të rreme, bile edhe mosinformimi i policisë se Rizai ishte për vizitë te Ju kur po kërkohej nga policia përmes thirrjeve publike të emetuara në televizione, janë më shumë se faje. Nuk e di nëse janë të dënueshme sipas ligjeve gjermane.
Tani konkretisht, lidhur me ca detaje të intervistës:
Ti thua se je anëtarësuar në vitin 1980 në lëvizjen “Zëri i Kosovës” (minuta 8 e intervistës), të cilën e ka udhëhequr Riza Salihu. Në fakt je anëtarësuar në Grupin Komunist “Zëri i Kosovës”.
Përmend vjedhjen e letërkëmbimeve të Jusufit nga Rizai, përmes falsifikimit të çelësit të postfach-ut (minuta e 11-të). Në Gjermani, kur njerëzit ndryshojnë vendbanimin, mbushin një formular informues në postë për adresën e re. Posta për 6 muaj zbaton praktikën që dërgesat e adresuara në adresën e vjetër t’i bartë në adresën e re. Këtë lloj praktike e ka keqpërdorur Rizai dhe të paktën 4-5 vetave ua ka vjedhur postimet. Si adresë ku posta duhej t’i dorëzonte ato postime të “devijuara”, Rizai kishte një postfach në lokalet e postës në stacionin e trenit në Shtutgart. Kur postierët kanë vërejtur se në postfach-un e Rizait po përfundojnë letra të adresuara për shumë persona, e kanë informuar policinë. Policia e ka arrestuar Rizain në flagrancë, kur ka shkuar në atë postë për të parë nëse i kishte ardhur diçka në postfach. Më duket se për atë krim i ka mbajtur vetëm 6 muaj burg. Edhe unë isha i dëmtuar nga ai lloj krimi i Rizait. Hetuesia më pati marrë në pyetje. Më pati pyetur edhe për ca fragmente që i kishte shkruar Rizai në një bllok të vogël. Ta zëmë, kishte shkruar me datë, orë e vend se ku ishte takuar me diplomatë të Shqipërisë. I pata komentuar: “Ka bërë shënime dezorientuese, sepse e ka ditur që do t’i ndodhë bastisja e bllokut dhe ju pastaj do të duhej të dyshonit se ai është spiun i Shqipërisë.” (parafrazim).
Ke folur më shumë se një herë për mospajtimet me Jusufin, edhe për xhelozitë ndaj tij. Më përfole edhe mua, duke plasuar aludime të shoqëruara me informimin se nuk ke informacion konkret.
Që ta kesh të qartë Ti dhe të tjerët, të cilët ende kanë hamendësime — sepse nuk i kanë lexuar as ato që Jusufi ka shkruar për mua në letrat që m’i ka dërguar apo në raportimin që ia ka dërguar udhëheqësit Sabri Novosella (në tetor 1981) — Jusufi, nga janari 1980 deri më 17 janar 1982, nuk ka pasur bashkëpunëtor më të afërt se mua. Përjashto kohën kur kishte bashkëpunimin me Kadri Zekën nga marsi deri në tetor 1981 dhe nga 2–17 janar 1982. Pra, Jusufin, qysh në takimin e parë njohës, e kam lutur të na e redaktojë organin e FKP-së, “Bashkimi”, sepse në mes kishim Bardhoshin, vëllain e tij, me të cilin isha njohur e ishim bërë shokë qysh në verën e vitit 1977. Kam rrezikuar në mbrojtjen e Jusufit, sepse Rizai, në fund të dhjetorit 1979, ka urdhëruar një tjetër militant të Grupit Komunist për ta vrarë Jusufin, meqë Rizai e kishte shpallur publikisht Jusufin si bashkëpunëtor të UDB-së.
Vetëm një grindje aksidentale e kemi pasur Jusufi dhe unë, në qershor 1980, por shpejt e kemi tejkaluar. Ndërsa divergjenca ideologjike e ideopolitike nuk kemi pasur asnjëherë, përveçse ndonjëherë Ai shfaqte kritika se unë kisha tipare anarshisti që guxoja të kritikojë edhe Enver Hoxhën. Këto informime i ke të shkruara edhe nga Jusufi.
Po ta citoj letrën e fundit që ma ka dërguar Jusufi (më 15 janar 1982):
“I dashur shok Ibrahim,
Me bisedën që patëm në dasmë, unë në njëfarë mënyre u tregova i padrejtë ndaj teje. Por, duhet ta kesh kuptuar që gjaknxehtësinë time mund ta zbrazja vetëm mbi një shok me të cilin nuk kemi pasur kufij. Arsye për të qenë aq gjaknxehtë mbase nuk kam pasur. (…)”
Që do të thotë, në dasmë u fjalosëm sepse dasmori Jusuf rrinte i ngrysur, dhe kur e kritikova, u arsyetua: “Ti dhe Zeqa [Kadri Zeka] po më sabotoni pas shpine. Keni urdhëruar shokët tuaj të mos e shpërndajnë ‘Zërin e Kosovës’.” (Parafrazim). Ata që e kishin dezinformuar Jusufin ishin dasmorë. Por ishte i pranishëm edhe Hyzri Reka, kryetar i Klubit Shqiptar në Dyseldorf. Jusufi tha: “nuk po e bëjmë të madhe këtë punë me shumë ballafaqime, më mjafton informimi nga Hyzri Reka, meqë më kanë thënë se ti ke urdhëruar në Klub të mos shpërndahet ‘Zëri i Kosovës’.” E nxora Hyzriun nga ambienti i dasmës, meqë grindjen isha duke e bërë në katin e dytë. Hyzriu e informoi që 100 ekzemplarët i kishin shpërndarë në Klub. Kishin organizuar edhe lexim publik, sepse shumë imigrantë ishin gjysmë-analfabetë. Kishte kërkuar t’i dërgoheshin edhe 100 ekzemplarë të tjerë. I foli për mua se ato ditë nuk isha në Klub dhe se askush nuk i kishte thënë diçka të ngjashme për mua.
Jusufit i mjaftoi informimi i Hyzriut, me të cilin ka pasur relata shumë të mira. Pasoi sqarimi edhe me Kadriun dhe në atë moment qenë pajtuar Jusufi e Kadriu. Prandaj Jusufi na ka ftuar të shkonim te ai, Kadriu dhe unë, më 16 janar 1982.
As me Kadri Zekën Jusufi nuk ka pasur kurrfarë dallimesh e përplasjesh ideologjike apo ideopolitike. Bile ndonjëherë i tallja: “Zeqë, kësaj radhe Jusufi ta ka kaluar me enverizëm!” Herën tjetër e favorizoja Zeqën si më enverist.
Ja një insert që argumenton informimin tim (të shoqëruar me humor). Të premten e 3 prillit 1981, Jusufi më dërgon në Zvicër të takohesha me Zeqën, për të biseduar se çfarë mund të bënim bashkërisht, meqë tashmë në Kosovë ishte gjendje e jashtëzakonshme. Nuk më dha adresë konkrete të Zeqës, përveç adresës kontaktuese. Kur arrita në adresë, ajo kishte qenë libraria e zviceranit enverist Beat Scaffer, në Biel. Nuk njihesha me Beatin, prandaj shfaqi rezerva kur e pyeta se kur, ku dhe si mund ta takoja Shokun Zeqë. Libraria kishte shumë literaturë nga Tirana. Pas rreth një ore, pasi u ka bërë ca telefonata gjermanëve komunistë në Gjermani, më tha se Zeqa shkon aty herë pas here nëse lexuesit e “Lirisë” kanë dërguar letra. Shprehu gatishmëri të më toleronte aty deri kur të vinte Zeqa. Bile më krijoi mundësi për të fjetur dy net në librari. Më irritoi fakti se gjatë rreth 48 orëve asnjë shqiptar nuk erdhi në librari për të blerë libra, revista e gazeta nga Tirana.
Të dielën e 5 prillit 1981, rreth mesditës erdhi Zeqa. U njoftuam. Për pak minuta u morëm vesh për të filluar me protesta të përbashkëta. E para më 11 prill 1981. Pastaj Zeqa, meqë më njihte, filloi edhe të bënte humor, sepse kishte talent për të. Nuk ma tregoi emrin e vërtetë. Nuk më dha numër telefoni. As unë nuk ia kërkova, sepse tashmë e dija sa snob ishte konspiracioni enverist.
Edhe për inat Tëndin, por edhe të gazetarit Ermal (nëse do ta lexojë), po informoj: atë ditë u sqaruam me Zeqën se barra për t’i thirrur në protestë bashkatdhetarët më takonte mua me bashkëveprimtarët, meqë Jusufi nuk kishte anëtarësuar asnjë bashkatdhetar në Emigracion dhe kishte kontakt me pak veta, për shkak të pamundësive teknike e financiare për të bërë vizita. Ndërsa Zeqa pati thënë se OMLK-ja i ka 6 “kandidatë” në mërgatë. Vetëm FKP-ja ia kishte dalë të kishte kontakte me bashkatdhetarë, nga Zvicra e Austria deri në Suedi, Belgjikë, Holandë dhe përtej oqeaneve.
Fatkeqësisht, Jusufi të hënën e 6 prillit 1981 më urdhëroi të shkoja në Vjenë për t’i pyetur “shokët” (diplomatët në ambasadën shqiptare) nëse po veprojmë mirë me protestat. Kur arrita atje, më priti një diplomat që nuk e kisha takuar ndonjëherë. U keqkuptuam qysh në fillim. E sulmova fizikisht në zyrën e tij. Erdhi në zyrë ambasadori i alarmuar dhe më bëri zap, meqë ai më donte shumë…
Pra, merreshim vesh shpejt mes nesh — Jusufi, Kadriu, unë — si përfaqësues të organizatave tona, por patëm fatkeqësi me komplotin e Sabri Novosellës më 14 tetor 1981, në takimin që ka pasur me Kadri Zekën.
Fatmirësisht e tejkaluam atë komplot dhe morëm vendimin për bashkim më 17 janar 1982, në shtëpinë ku banonte Familja Gërvalla, në Untergruppenbach.
Fatkeqësisht, ai bashkim na u komplotua me vrasjet e udhëheqësve Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka.
Kaq ka ky “reagim” kësaj radhe. Nënkuptohet nëse do ta vazhdojmë. Apo ndoshta më mirë është të shpresoj se ke pyetje e vërejtje konkrete.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu