Plani i veteranëve për shpëtimin e Hashim Thaçit

Shkrime relevante

Vlora Çitaku, …dhe lotët pas verdiktit!

Në foto është Vlora Çitaku me Ivica Daciqin Sak Muji, Rugovë _____ VLORA ÇITAKU,...

Pse maskat…?

Sak Muji, Rugovë ____ Pse duhej të mbuloheshin fytyrat në një protestë që...

Plani i veteranëve për shpëtimin e Hashim Thaçit

Shkruen e knon: Lirim Patrioti (Lirim Gash, Prizren) ____ PLANI I ORGANIZATËS SË VETERANËVE...

Shpërndaj

Shkruen e knon: Lirim Patrioti
(Lirim Gash, Prizren)
____
PLANI I ORGANIZATËS SË VETERANËVE TË PASLUFTËS PËR SHPËTIMIN E HASHIM THAÇIT
(satirë politike)
Konferenca për shtyp e Organizatës së Çuditshme të Veteranëve, e cila tashmë ka dhjetë herë më shumë veteranë të pasluftës sesa veteranë të luftës, më shumë se çdo gjë tjetër, i ngjante një mbledhjeje të përsëritësve (ngelcanave) të shumëfishtë të klasës, të tubuar në oborrin e pasëm të shkollës për t’ia rrëmbyer njëri-tjetrit titullin e kampionit kosovar në disiplinën e budallallëkut.
Në një garë kaq të ashpër, në të vërtetë, mungonte vetëm Linda Morina si zëdhënëse zyrtare, që ky eveniment me rëndësi historike ta merrte edhe shkëlqimin e fundit që i mungonte.
Po të qëndronte Linda Morina në foltore, në cilësinë e zëdhënëses së shoqatës, ceremonia do ta arrinte atë shkallë përsosmërie që zakonisht arrihet vetëm atëherë kur marrëzia më në fund gjen institucionin e denjë për ta përfaqësuar.
Sepse atëherë edhe injoranca do ta kishte zërin e saj zyrtar.
Marrëzia do t’i nxirrte përsëri brirët.
Vula do të ishte mbi tavolinë.
Dhe dikush, natyrisht, do ta mbante edhe procesverbalin.
Sepse asnjë institucion serioz nuk mund të funksionojë pa administratën e vet të marrëzisë së nivelit më të lartë.
Dhe pikërisht pas këtij zbulimi shkencor do të fillonte pjesa më serioze e konferencës:
shpëtimi i Hashim Thaçit.
Sepse, pasi Gjykata Speciale në Hagë bëri atë që, çuditërisht, bëjnë zakonisht gjykatat — shqyrtoi provat, dëgjoi palët dhe dha aktgjykimin — në Prishtinë u mblodhën me urgjencë specialistët vendorë të drejtësisë së oborrit.
Ata nuk kishin ardhur për ta analizuar aktgjykimin.
Për këtë, megjithatë, do të duhej të dinin të lexonin.
Nuk kishin ardhur as për të diskutuar provat.
Për këtë, për fat të keq, do të duhej kompetencë.
Kishin ardhur për ta zhbërë aktgjykimin.
Dhe kjo ishte shumë më e thjeshtë.
Sipas logjikës së tyre, problemi nuk ishte se gjykata ia kishte shqiptuar Thaçit një dënim prej 25 vjetësh.
Problemi ishte se gjykata, para se ta merrte vendimin, nuk kishte kërkuar mendimin e Organizatës së Veteranëve të Pasluftës.
Ky, siç do të thoshin ata, ishte një shkelje e rëndë procedurale.
Sepse në Kosovë, me sa duket, një gjykatë mund të ketë gjyqtarë, prokurorë, avokatë, prova, dëshmitarë, rregulla procedurale dhe madje edhe aktgjykim.
Por, pa një konferencë për shtyp të Organizatës së Veteranëve të Pasluftës, asgjë nuk është vërtet përfundimtare.
Prandaj u shpall:
PLANI KOMBËTAR PËR SHPËTIMIN E THAÇIT.
Pika e parë: aktgjykimi të shpallet i padrejtë.
Pika e dytë: gjykata të shpallet e padrejtë.
Pika e tretë: kushdo që nuk pajtohet me dy pikat e para të shpallet armik i UÇK-së dhe i popullit.
Pika e katërt: të kërkohet ndryshimi i aktgjykimit.
Pika e pestë: nëse aktgjykimi nuk ndryshohet, të kërkohet ndryshimi i gjykatës.
Pika e gjashtë: nëse nuk ndryshohet as gjykata, të ndryshohet realiteti.
Kjo e fundit do të ishte pak më e ndërlikuar, por jo aq sa mund të mendojë ndonjë njeri normal.
Në fund të fundit, kur nuk mund ta ndryshosh realitetin me fakte, gjithmonë mund të përpiqesh ta ndryshosh me deklarata.
Dhe, nëse as deklaratat nuk mjaftojnë, gjithmonë është aty një konferencë për shtyp.
Nëse do të ekzistonte edhe pika e shtatë, ajo do të ishte veçanërisht praktike:
Gjykata Speciale do të ftohej në një takim konsultativ me veteranët e rrejshëm të Hysni Gucatit.
Njëri do ta lexonte aktgjykimin.
Tjetri do të zemërohej.
I treti do të deklaronte se nuk e njeh gjykatën.
I katërti do të shpjegonte se dënimi nuk është i drejtë.
I pesti do të kërkonte që dënimi thjesht të mos merrej parasysh.
Dhe, në fund, të gjithë do të votonin unanimisht që 25 vjetët të shndërroheshin në 25 minuta.
Ky do të ishte kompromisi i vërtetë kosovar.
Gjykata do t’i mbante 25 vjetët në letër, ndërsa veteranët do t’i mbanin 25 minuta në zemër.
Dhe çështja do të shpallej e zgjidhur.
Nëse as kjo nuk do të funksiononte, do të formohej një komision i posaçëm për shqyrtimin disiplinor të Gjykatës Speciale.
Komisioni do të kishte një kryetar, një nënkryetar, dy zëvendëskryetarë, një sekretar, tre këshilltarë dhe, për çdo rast, një veteran të rrejshëm që nuk do ta kishte idenë se çfarë po hetohej, por do ta dinte me siguri absolute se kush ishte fajtor.
Pas gjashtë muajsh punë, tri konferencash për shtyp, pesë deklaratash solemne dhe shtatë mbledhjesh pa procesverbal, komisioni do ta publikonte raportin përfundimtar:
“Pas një hetimi të thelluar, komisioni konstatoi se për dënimin e Hashim Thaçit është përgjegjës — vetë dënimi.”
Dhe kjo do të ishte një arritje historike.
Sepse, për herë të parë në historinë e drejtësisë, do të gjendej një fajtor që nuk kishte nevojë të kërkohej fare.
Fajtori do të ishte vetë faji.
Do të qëndronte aty, mbi tavolinë.
I shtypur në letër.
I vulosur.
Dhe gati për konferencën e radhës për shtyp.
Nëse edhe kjo do të dështonte, do të mbetej edhe arma e fundit:
një konferencë tjetër për shtyp.
Kjo është, në fund të fundit, gjithmonë zgjidhja më e sigurt në Kosovë.
Kur nuk mund ta ndryshosh vendimin — ndrysho konferencën.
Kur nuk mund ta ndryshosh faktin — ndrysho titullin.
Kur nuk mund ta ndryshosh historinë — ndrysho procesverbalin.
Dhe kur nuk mund ta ndryshosh as procesverbalin — thirre Linda Morinën.
Sepse një vendim që drejtësia nuk mund ta rrëzojë, ndoshta mund ta rrëzojë kënga.
Dhe nëse as kënga nuk mjafton, gjithmonë mbetet mundësia e një komisioni të ri.
Me një kryetar të ri.
Me një zëdhënës të ri.
Me një konferencë të re.
Dhe, natyrisht, me të njëjtën marrëzi.
Sepse, në fund të fundit, edhe marrëzia i ka institucionet e veta.
Dhe, si çdo institucion serioz, as ajo nuk dorëzohet kurrë pas humbjes.
Ajo thjesht e shpall humbjen të pavlefshme, e anulon realitetin, e korrigjon procesverbalin dhe cakton një konferencë të re për shtyp.
Sepse në këtë vend, kur drejtësia e thotë fjalën e fundit, marrëzia gjithmonë kërkon të drejtën e replikës.
Dhe kështu ndërtohet kultura institucionale, kur minjtë e përbuzin luanin Nasim Haradinaj.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu