Si u kthye Kosova në tokë pjellore për ISIS-in

0
559

Pas lutjeve të së premtes në xhaminë qendrore në Podujevë, Kosovë. Imami, një i moderuar, është përpjekur të frenojë ndikimin e ideologjisë fundamentaliste të ndjekur në Gjirin Persik. Foto: Andrew Testa për The New York Times

Klerikët ekstremistë dhe shoqatat sekrete të financuara nga Sauditët dhe të tjerët kanë shndërruar një shoqëri muslimane dikur tolerante në një bazë të ekstremizmit.

Nga Carlotta Gall,

The New York Times

21 Maj 2016

Përktheu nga anglishtja: Afrim Musliu, Suedi

Prishtinë, Kosovë – Çdo të premte, vetëm pak metra larg shtatores së Bill Clintonit me krahun lart në një valë të gëzueshme, qindra burra të rinj me mjekrra bëjnë një shfaqje të gjunjëzuar për t’u lutur në trotuarin jashtë një xhamie të improvizuar në një ish dyçan mobiljesh.

Xhamia është një nga rezultatet e ndërtuara këtu me paratë e qeverisë Saudite dhe që fajësohet për përhapjen e Wehabizmit – ideologjia konservatore dominante në Arabinë Saudite – në 17 vitet që kur një ndërhyrje e udhëhequr nga amerikanët çliroi Kosovën e vogël nga represioni serb.

Që atëherë – shumica e asaj kohe nën vëzhgimin e zyrtarëve amerikanë – paratë dhe ndikimi saudit e kanë shndërruar këtë shoqëri muslimane dikur tolerante në skajin e Evropës në një bazë të ekstremizmit islamik dhe një gyp përçues për xhihadistët.

Kosova tani e gjenë veten, si pjesa tjetër e Evropës, duke iu shmangur kërcënimit të Islamit radikal. Gjatë dy viteve të fundit, policia ka identifikuar 314 kosovarë – përfshirë dy sulmues vetëvrasës, 44 gra dhe 28 fëmijë – të cilët kanë shkuar jashtë vendit për t’u bashkuar me Shtetin Islamik, numri më i lartë për kokë banori në Evropë.

Ata u radikalizuan dhe u rekrutuan, thonë hetuesit e Kosovës, nga një korpus klerikësh ekstremistë dhe shoqata sekrete të financuara nga Arabia Saudite dhe shtetet e tjera konservatore arabe, duke përdorur një rrjet të errët, labirint të donacioneve për bamirësi, individë privatë dhe ministri qeveritare.

“Ata promovuan islamin politik,” tha Fatos Makolli, drejtori i policisë së Kosovës kundër terrorizmit. “Ata shpenzuan shumë para për ta promovuar atë përmes programeve të ndryshme kryesisht me njerëz të rinj, të prekshëm dhe ata sollën shumë literaturë wehabiste dhe salafiste. Ata i afruan këta njerëz më afër islamit radikal politik, i cili rezultoi në radikalizimin e tyre”.

Pas dy vite hetimesh, policia ka akuzuar 67 persona, arrestuar 14 hoxhallarë dhe mbyllur 19 organizata myslimane për veprime kundër Kushtetutës, nxitje të urrejtjes dhe rekrutimit për terrorizëm. Dënimet më të fundit, të cilat përfshinin një burg 10-vjeçar, u dhanë të premten.

Ishte një qarkullim mahnitës për një tokë prej 1.8 milion njerëz që jo shumë kohë më parë ishte ndër shoqëritë më pro-amerikane myslimane në botë. Amerikanët u mirëpritën si çlirimtarë pas muajve kryesorë të bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 prej nga doli një Kosovë e pavarur.

Bomba amerikane kundër pozicioneve serbe në Kosovë në 1999 gjatë fushatës ajrore nga NATO. Foto: Jerome Delay / Associated Press

Pas luftës, zyrtarët e Kombeve të Bashkuara administruan territorin dhe forcat amerikane ndihmuan në mbajtjen e paqes. Sauditët mbërritën gjithashtu, duke sjellë miliona euro ndihmë në një tokë të varfër dhe të shkatërruar nga lufta.

Por atje ku amerikanët panë një shans për të krijuar një demokraci të re, sauditët panë një tokë të re për të përhapur wehabizmin.

“Nuk ka asnjë provë që ndonjë organizatë u dha para direkt njerëzve për të shkuar në Siri,” tha Z. Makolli. “Çështja është se ata mbështesin mendimtarë që promovojnë dhunën dhe xhihadin në emër të mbrojtjes së islamit.”

Një portret i Bill Clintonit në një rrugë të pasme në Prishtinë pranë Bulevardit Bill Clinton. Foto: Andrew Testa për The New York Times

Kosova tani ka mbi 800 xhami, 240 prej tyre të ndërtuara që nga paslufta dhe fajësohen për ndihmën e indoktrinimit të një gjenerate të re në wehabizëm. Ata janë pjesë e asaj që hoxhallarët dhe zyrtarët e moderuar këtu e përshkruajnë si një strategji të qëllimshme, afatgjate nga Arabia Saudite për të riformuar islamin në imazhin e saj, jo vetëm në Kosovë por në të gjithë botën.

Dokumentet diplomatike saudite të lëshuara nga WikiLeaks në vitin 2015 zbulojnë një sistem financimi për xhamitë, qendrat islamike dhe klerikët e trajnuar sauditë që përfshin Azinë, Afrikën dhe Evropën. Vetëm në New Delhi, 140 predikues myslimanë janë renditur si në listën e pagave të Konsullatës Saudite.

Në të gjithë Kosovën, familjet po përballen me pasojat e viteve të prozelizimit nga predikuesit e trajnuar sauditë. Disa vajza refuzojnë të shtrëngojnë duart ose të flasin me të afërmit meshkuj. Disa djem kanë shkuar në xhihad. Vigjilentët fetarë kanë kërcënuar – ose kryer – dhunë kundër akademikëve, gazetarëve dhe politikanëve.

Ballkani, vija historike e fajit të Evropës, ende nuk është shëruar nga luftërat etnike të viteve të 1990-ta. Por ata tani janë infektuar me një intolerancë të re, paralajmërojnë hoxhallarë të moderuar dhe zyrtarë në rajon.

Se si Kosova dhe natyra e shoqërisë së saj u rindërtua në thelb është një histori e një ambicie globale prej dekadash nga Arabia Saudite për të përhapur verzionin e saj të vijës së ashpër të islamit – i financuar shumë dhe i zbatuar në mënyrë sistematike, përfshirë kërcënimet dhe frikësimet nga ndjekësit.

Idriz Bilalli, një imam në Podujevë, ka kërkuar të frenohen ekstremistët dhe ka marrë kërcënime me vdekje. Foto: Andrew Testa për The New York Times

Misionerët mbërrijnë

Pas përfundimit të luftës në vitin 1999, Idriz Bilalli, imami i xhamisë qendrore në Podujevë, mirëpriti çdo ndihmë që ai mund të merrte.

Podujeva, një qytet me rreth 90000 banorë në verilindje të Kosovës, ishte një qytet me prosperitet të arsyeshëm me shkolla të mesme dhe biznese të vogla në një zonë të përqafuar nga toka bujqësore dhe pyje. Ishte e njohur për traditën e saj të fortë myslimane edhe në një tokë ku njerëzit e praktikonin një verzion të lehtë të fesë.

Pas dekadave të sundimit komunist kur Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë, burrat dhe gratë përziheshin lirshëm, shkollat ​​ishin arsimore, dhe vajzat rrallë mbanin shami. Forcat ushtarake e paramilitare serbe dogjën 218 xhamia si pjesë e luftës së tyre kundër shqiptarëve etnikë të Kosovës, të cilët janë 95 përqind myslimanë. Z. Bilalli kishte nevojë për ndihmë për ta rindërtuar xhaminë e tij.

Kur dy hoxhallarë në të 30-tat e tyre, Fadil Musliu dhe Fadil Sogojeva, të cilët po studionin për master në Arabinë Saudite, u paraqitën pas luftës me para për të organizuar kurse verore të fesë, z. Bilalli pranoi të merrë pjesë.

Imamët ishin vetëm dy nga rreth 200 kosovarë që shfrytëzuan bursat pas luftës për të studiuar islamin në Arabinë Saudite. Shumë nga ata u kthyen me formë misionarësh.

Së shpejti, nën tutelën e z. Musliu, nxënësit filluan të përvetësonin një mënyrë të ngurtë lutjeje, të huaj për traditat e moderuara islamike të kësaj pjese të Evropës. Z. Bilalli njohu ndikimin dhe ai u shqetësua.

“Ky është vehabizëm që vjen në shoqërinë tonë,” tha Z. Bilalli, 52 vjeç, në një intervistë të fundit.

Z. Bilalli u arsimua në Universitetin e Medinës në Arabinë Saudite në fund të viteve 1980-ta dhe si student ai ishte paralajmëruar nga një profesor kosovar që të ruhej nga ndryshimet kulturore të vehabizmit. Ai e kuptoi se kishte një fushatë prozelitizimi, të ndikuar nga Sauditët.

“Gjëja e parë që vehabistët bëjnë është të marrin pjesëtarët e kongregacionit tonë, të cilët e kuptojnë islamin në mënyrën tradicionale të Kosovës që kemi pasur për breza, dhe të përpiqen t’i tërheqin ata nga ky drejtim,” tha ai. “Sapo t’i largojnë nga kongregacioni tradicional, atëherë ata fillojnë t’i bombardojnë me mendime dhe ide radikale.”

“Qëllimi kryesor i veprimtarisë së tyre është të krijojnë konflikt midis njerëzve,” tha ai. “Kjo së pari krijon përçarje, dhe pastaj urrejtje, dhe pastaj mund të vijë në atë që ndodhi në vendet arabe, ku fillon lufta për shkak të këtyre ideve konfliktuale.”

Që nga fillimi, klerikët e sapoardhur kërkuan të anashkalojnë Bashkësinë Islame të Kosovës, një organizatë që për breza të tërë ka qenë kujdestari i formës tolerante të islamit që praktikohej në rajon, thonë banorët e qytetit dhe zyrtarët.

Myslimanët në Kosovë, e cila ishte pjesë e Perandorisë Osmane për 500 vjet, ndjekin shkollën Hanefi të islamit, tradicionalisht një version liberal që i pranon edhe fetë e tjera.

Por në të gjithë vendin, një racë e re predikuesish radikalë po vendoseshin në xhamitë e lagjeve, shpesh të sapondërtuara me paratë saudite.

Në disa raste, ndërtesat e vjetra me shekuj u rrënuan me buldozherë, duke përfshirë  këtu edhe një bibliotekë historike në Gjakovë dhe disa xhami 400-vjet të vjetra, si dhe faltore, varreza dhe teqe të Dervishëve, të gjitha të konsideruara idhujtare në mësimin wahhabi.

Nga bazat e tyre, hoxhallarët e stërvitur nga Sauditët përhapën parimet e wehabizmit: epërsia e ligjit të Sheriatit si dhe idetë e xhihadit të dhunshëm dhe tekfirizmit, i cili autorizon vrasjen e myslimanëve të konsideruar heretikë për të mos ndjekur interpretimin e islamit.

Organizatat bëmirëse të sponsoruara nga Sauditët shpesh paguanin rroga dhe kosto të larta dhe financuan kurse për fe, si dhe mësimet në anglisht dhe me kompjuter, shpjeguan hoxhallarët e moderuar dhe hetuesit.

Por ndihma bamirëse shpesh kishte kushte të bashkangjitura. Familjeve u jepej paga mujore me kushtin që të ndiqnin predikimet në xhami dhe që gratë dhe vajzat të mbuloheshin me shami, thanë aktivistët e të drejtave të njeriut.

“Njerëzit ishin aq në nevojë, nuk kishte asnjë që nuk u bashkua,” kujton Ajnishahe Halimi, një politikane që bëri fushatë për të dëbuar një hoxhë radikal shqiptar pasi familjet u ankuan për abuzim.

Gjilani, një qytet me rreth 90000 banorë ku një hoxhë i moderuar u rrëmbye dhe u rrah nga ekstremistët. Foto: Andrew Testa për The New York Times

Kërcënimet intensifikohen

Brenda disa viteve nga fundi i luftës, brezi i vjetër i klerikëve tradicionalë filloi të ndeshej me agresion nga vehabistët e rinjë.

Në mënyrë paradoksale, disa nga tensionet më serioze të ndërtuara në Gjilan, një qytet lindor i Kosovës me rreth 90000 banorë, ku deri në 7000 trupa amerikane ishin vendosur si pjesë e forcës paqeruajtëse të drejtuara nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë në Kampin Bondsteel.

“Ata erdhën në emër të ndihmës,” tha një imam i moderuar në Gjilan, Enver Rexhepi, për bamirësitë arabe. “Por ata erdhën me një prapavi e qëllime të ndryshme dhe këtu filloi të ndahej feja islame këtu.”

Një ditë në vitin 2004, ai kujtoi, ai ishte kërcënuar nga një prej vehabistëve më të rinjë e më agresivë, Zekirja Qazimi, atëherë reth 20 vjeç, një ish-student i medreses.

Brenda xhamisë së tij, z. Rexhepi kishte shfaqur prej kohësh një flamur shqiptar. E stolisur me një shqiponjë dykrenare, ishte një simbol kombëtar i luftës për çlirimin e Kosovës.

Por, fundamentalistët e rreptë myslimanë e konsiderojnë përshkrimin e çdo qenieje të gjallë si idhujtare. Z. Qazimi rrëzoi flamurin. z. Rexhepi e ktheu përsëri.

“Nuk do të shkojë shumë gjatë kështu,” i tha Z. Qazimi me zemërim, rrëfeu z. Rexhepi.

Brenda disa ditësh, z. Rexhepi u rrëmbye dhe u rrah egërsisht nga burra të maskuar në pyjet e Gjilanit. Ai më vonë akuzoi Z. Qazimin se qëndronte pas sulmit, por hetimet e policisë nuk dërguan askund.

Dhjetë vjet më vonë, në vitin 2014, pasi dy të rinjë kosovarë shpërthyen në shpërthimet vetëvrasëse në Irak dhe Turqi, hetuesit filluan një hetim të gjerë mbi burimet e radikalizmit. Z. Qazimi u arrestua duke u fshehur në të njejtat pyje. Të premten, një gjykatë e dënoi atë me 10 vjet burg pasi ai u përball me akuza për nxitje të urrejtjes dhe rekrutime për një organizatë terroriste.

Para se të arrestohej Z. Qazimi, ndikimi i tij ishte i thellë, nën atë që hetuesit tani thonë se ishte ndikimi i ekstremistëve me bazë Egjiptiane dhe patronazhi i sponsorëve arabë të Gjirit Persik dhe Arabisë Saudite.

Nga mesi i viteve 2000, paratë saudite dhe klerikët e trajnuar sauditë tashmë po ushtronin ndikim mbi Bashkësinë Islame të Kosovës. Udhëheqja në heshtje e miratoi ecjen drejt konservatorizmit, thonë kritikët e BIK-ut.

Zekirija Qazimi u emërua fillimisht në një xhami të fshatit, dhe pastaj në xhaminë El-Kuddus në buzë të Gjilanit. Pak kush mund ta kundërshtonte, madje as Mustafa Bajrami, ish mësuesi i tij, i cili u zgjodh kryetar i Bashkësisë Islame të Gjilanit në vitin 2012.

Z. Bajrami rrjedh nga një familje e shquar fetare – babai i tij ishte kryemyftiu i parë i Jugosllavisë gjatë periudhës Komuniste. Ai ka një doktoraturë në studimet islame. Megjithatë, ai kujton që nxënësit filluan të rebeloheshin kundër tij sa herë që ai fliste kundër wehabizmit.

Ai shpejt kuptoi që studentëve u mësoheshin besime që ndryshonin nga kurrikula tradicionale e moderuar nga disa hoxhallarë radikalë në leksione pas orësh. Ai ndaloi përdorimin e xhamive pas kohës zyrtare të lutjes.

Armiqësia vetëm u rrit. Ai do të vinte re një gjest mospërfillës në kongregacion gjatë predikimeve të tij, ose dikush do ta shante me gruan e tij, ose do të mërmëriste “apostatin” ose “pabesinë” ndërsa kalonte.

Në fshat, ndikimi i Z. Qazimit përfundimisht u bë aq përçarës sa që banorët kërkuan largimin e tij pasi ai ndaloi vajzat dhe djemtë të shtrëngonin duart. Por në Gjilan ai vazhdoi të tërhiqte dhjetëra të rinj në predikimet e tij.

“Ata po lëviznin 100 përqind sipas mësimeve që po merrnin nga Zekirja Qazimi,” tha z. Bajrami në një intervistë. “Njëqind për qind, në një mënyrë ideologjike”.

Namazi i mbrëmjes në xhaminë e hoxhës radikal Fadil Musliu në periferi të Prishtinës, kryeqytetit.Foto: Andrew Testa për The New York Times

Ekstremizmi përhapet

Me kalimin e kohës, hoxhallarët e stërvitur nga Sauditët e zgjëruan punën e tyre.

Deri në vitin 2004, z. Musliu, një nga studentët e masterit nga Podujeva i cili ka studiuar në Arabinë Saudite, ishte diplomuar dhe ishte imam i një xhamie në kryeqytet, në Prishtinë.

Në Podujevë, ai ngriti një organizatë bamirësie lokale të quajtur “Devotshmëria”, e cila ofronte mësime fetare dhe programe shoqërore për gratë, jetimët dhe të varfërit. Ajo u financua nga Al Waqf al Islami, një organizatë Saudite që ishte një nga 19 të ndaluarat dhe të mbyllurat përfundimisht nga hetuesit.

Z. Musliu vuri në krye një kushëri të tij, Jetmir Rrahmanin.

“Atëherë e dija që po fillonte diçka që nuk do të sillte diçka të mirë”, tha z. Bilalli, kleriku i moderuar që kishte filluar të jepte mësim me të. Në vitin 2004, ata kishin një bërthamë prej 20 wehabistësh.

“Ky ishte vetëm fillimi,” tha z. Bilalli. “Ata filluan të shumohen”.

Z. Bilalli filloi një fushatë të fuqishme kundër përhapjes së xhamive të paautorizuara dhe mësimdhënies wehabiste. Në vitin 2008, ai u zgjodh kryetar i Bashkësisë Islame në Podujevë dhe krijoi shkolla fetare për gratë, në një përpjekje për të shkatërruar Devotshmerinë.

Ndërsa ai kërkonte të frenonte ekstremistët, z. Bilalli mori kërcënime me vdekje, duke përfshirë një shënim të lënë në kutinë e lëmoshës së xhamisë. Një telefonues anonim u zotua të bëjë që ai dhe familja e tij të zhdukeshin, tha ai.

“Kushdo që i kundërshton ata, ata e shohin si një armik,” tha z. Bilalli.

Ai i bëri thirrje udhëheqjes së Bashkësisë Islame të Kosovës. Por deri në atë kohë ai u ndikua shumë nga sponzorët arabë të Gjirit Persik, tha ai, dhe ai mori mbështetje të vogël.

Kur z. Bilalli formoi një bashkësi të kolegëve të moderuar, Bashkësia Islame e Kosovës e largoi atë nga posti i tij. Pasardhësi i tij, Bekim Jashari, i shqetësuar po aq nga ndikimi saudit, megjithatë vazhdoi luftën.

“Kam kaluar 10 vjet në vendet arabe dhe jam specializuar në sektarizëm brenda islamit,” tha z. Jashari. “Është shumë e rëndësishme që të ndalohet indoktrinimi i sektarizimit arab në Kosovë.”

Z. Jashari pati disa suksese të shkurtra. Ai bllokoi imamin e trajnuar saudit z. Sogojeva të hapte një xhami të re dhe ndaloi një pagesë prej 20000 Euro, rreth 22400 Dollarë, të destinuara për të nga bamirësia saudite Al Waqf al Islami.

Ai gjithashtu filloi një faqe në internet, Flisni Tani, për t’iu kundërvënë mësimit wehabist. Por ai mbetet aq i shqetësuar për predikuesit wehabistë, saqë kurrë nuk e lejon djalin e tij 19-vjeçar të marrë pjesë në lutje vetë.

Imamët radikalë z. Musliu dhe z. Sogojeva ende predikojnë në Prishtinë, ku për lutje tërheqin turma të rinjësh që tërhekë vëmendjen e reporterëve të huaj.

Z. Sogojeva vishet me një mantel tradicional dhe kapelë klerike me shirita, por xhamia e tij e sapo ndërtuar është një ndërtesë moderne shumëkatëshe. Ai e këshilloi kongregacionin e tij me një listë të shpejtë dhe të dhënash në një predikim të së premtes.

Asnjë nga imamët nuk duket se kanë mungesë fondesh.

Në një intervistë, z. Musliu këmbënguli që ai ishte financuar nga donacionet lokale, por konfirmoi se ai kishte marrë fonde Saudite për kurset e tij të hershme të fesë.

Instrukcionet janë në përputhje me traditat e Kosovës, tha ai, dhe vazhdoi se rritja e fetarisë tek të rinjtë ishte e natyrshme pasi Kosova fitoi lirinë e saj.

“Ata që nuk janë besimtarë dhe nuk lexojnë sa duhet, ndihen paksa të tronditur”, tha ai. “Por ne u koordinuam me hoxhallarë të tjerë dhe gjithçka ishte në përputhje me islamin.”

Hyrja në mjediset e manastirit ortodoks serb në Deçan në Kosovën perëndimore. Në janar, katër islamikë të armatosur kaluan përmes postbllokut dhe u arrestuan në portat e manastirit. Foto: Andrew Testa për The New York Times

Një prirje drejt terrorizmit

Ndikimi i klerikëve radikalë arriti kulmin e saj me luftën në Siri, pasi ata lartësonin virtytet e xhihadit dhe përdornin fjalime dhe emisione në radio dhe televizione për të nxitur të rinjtë të shkonin atje.

Z. Qazimi, të cilit iu dha dënimi me 10 vjet burg, madje organizoi një kamp veror për pasuesit e tij të rinjë.

“Është e obligueshme që çdo mysliman të marrë pjesë në xhihad,” u tha ai atyre në një bisedë të regjistruar në video. 

Shiqoni videon:

https://youtu.be/HD58AxgkqwE

“Profeti Muhamed thotë se nëse dikush ka një shans për të marrë pjesë në xhihad dhe nuk merr pjesë, ai do të vdesë me mëkate të mëdha”.

“Gjaku i të pabesëve është pija më e mirë për ne myslimanët,” tha ai në një inçizim tjetër.

Midis rekrutëve të tij, thonë hetuesit, ishin tre ish-punonjës civilë të kompanive kontraktuese amerikane në Camp Bondsteel, ku janë vendosur trupat amerikane. Ndër ata përfshihej edhe Lavdrim Muhaxherin, një udhëheqës i Shtetit Islamik i cili u filmua duke ekzekutuar një burrë në Siri me një granatë lëvizëse.

Pas bombardimeve vetëvrasëse, autoritetet hapën një hetim të gjerë dhe zbuluan se bamirësia saudite Al Waqf al Islami kishte mbështetur shoqatat e krijuara nga predikuesit si z. Qazimi në pothuajse çdo qytet rajonal.

Al Waqf al Islami u krijua në Ballkan në vitin 1989. Shumica e financimit të saj erdhi nga Arabia Saudite, Katari, Kuvajti dhe Bahreini, thanë hetuesit e Kosovës në intervistat e fundit. Boshllëqet e pashpjegueshme në librat e tij thellojnë dyshimet se grupi po financonte në mënyrë të fshehtë klerikë që po radikalizonin të rinjtë, thanë ata.

Hetuesit nga Njësia e Inteligjencës Financiare të Kosovës zbuluan se Al Waqf al Islami, i cili kishte një zyrë në qendër të Prishtinës dhe një staf prej 12 personash, kaloi me 10 milion € nga viti 2000 deri në vitin 2012. Megjithatë, ata gjetën pak dokumente për të shpjeguar pjesën më të madhe të shpenzimeve.

Më shumë se 1 milion € shkuan në ndërtesën e xhamisë. Por një herë e gjysmë e kësaj shume u disbursua në tërheqje parash të papërcaktuara, të cilat mund të kenë shkuar gjithashtu në pasurimin e stafit të saj, thanë hetuesit.

Vetëm 7 përqind e buxhetit u tregua se kishte shkuar për t’u kujdesur për jetimët, misioni i deklaruar i bamirësisë.

Deri në verën e vitit 2014, policia e Kosovës mbylli organizatën Al Waqf al Islami, së bashku me 12 bamirësi të tjera islamike dhe arrestoi 40 persona.

Zyrat qendrore të bamirësisë, në Arabinë Saudite dhe Holandë, që atëherë kanë ndryshuar emrin e tyre në Al Waqf, duke u ndarë qartë nga operacioni i Ballkanit.

I pyetur në lidhje me akuzat në një intervistë telefonike, Nasr el Damanhoury, drejtori i Al Waqf në Holandë, tha se ai nuk kishte njohuri të drejtpërdrejtë për operacionet e grupit të tij në Kosovë ose Ballkan.

Bamirësia ka pushuar të gjithë veprimtarinë jashtë Holandës që kur ai mori detyrën në 2013, tha ai. Paraardhësi i tij ishte kthyer në Maroko dhe nuk mund të arrihej në telefon, dhe anëtarët e bordit saudit nuk do të deklaroheshin, tha ai.

“Organizata jonë kurrë nuk e ka mbështetur ekstremizmin,” tha z. Damanhoury. “Unë e di që nga viti 1989. Unë u bashkova me ta tre vjet më parë. Ata kanë qenë gjithmonë një grup i butë. 

Kosovarët që festojnë pavarësinë e Kosovës nga Serbia në vitin 2008. Foto:  Bela Szandelszky / Associated Press

Paralajmërime të pavëmendura

Pse autoritetet kosovare – dhe mbikëqyrësit amerikanë dhe të Kombeve të Bashkuara – nuk vepruan më shpejt për të parandaluar përhapjen e ekstremizmit është një çështje që debatohet intenzivisht.

Qysh në vitin 2004, kryeministri në atë kohë, Bajram Rexhepi, u përpoq të prezantonte një ligj për ndalimin e sekteve ekstremiste. Por, ai tha në një intervistë të fundit në shtëpinë e tij në veri të Kosovës, zyrtarët evropianë i thanë atij se kjo do të shkelte lirinë e fesë.

“Nuk ishte në interesin e tyre, ata nuk donin të irritonin disa vende islamike,” tha z. Rexhepi. “Ata thjesht nuk bënë asgjë”.

Megjithatë, jo të gjithë ishin në dijeni të rreziqeve.

Në një takim në 2003, Richard C. Holbrooke, dikur i dërguari special i Shteteve të Bashkuara në Ballkan, paralajmëroi liderët kosovarë që të mos punojnë me Komitetin e Përbashkët të Ndihmës Saudite për Kosovën, një organizatë ombrellë e bamirësive Saudite emri i të cilave ende shfaqet në shumë prej xhamive të ndërtuara që nga paslufta, së bashku me atë të ish-ministrit të brendshëm Saudit, Princit Naif bin Abdul-Aziz.

Një vit më vonë, ishte në mesin e disa organizatave saudite që u mbyllën në Kosovë kur u vu nën dyshime si një front i Al Qaidës. Një tjetër ishte Al-Haramain, i cili në vitin 2004 u caktua nga Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara si organizatë e lidhur me terrorizmin.

Megjithatë, edhe pse disa organizata u mbyllën, të tjerët vazhduan të punonin. Stafi dhe pajisjet nga Al-Haramain u zhvendosën në Al Waqf al Islami, thanë hoxhallarët e moderuar të njohur me aktivitetet e tyre.

Në vitet e fundit, Arabia Saudite duket se ka zvogëluar ndihmën e saj për Kosovën. Shifrat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë grante nga Arabia Saudite mesatarisht 100000 € në vit për pesë vitet e fundit.

Tani janë para nga Kuvajti, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – të cilat secila mesatarisht dërgon nga 1 milion € në vit – që propagandojnë të njëjtin version të vijës së ashpër të islamit. Pagesat vijnë nga fondacione ose individë, ose nganjëherë nga Ministria e Zekatit (Almsgiving) nga qeveritë e ndryshme, thonë hetuesit e Kosovës.

Por pagesat shpesh devijohen përmes një vendi të dytë për të errësuar origjinën dhe destinacionin e tyre, thanë ata. Një transferim prej gati 500000 € nga një individ saudit ishte ngrirë në vitin 2014 pasi ishte dërguar për një adoleshent kosovar, sipas hetuesve dhe një raporti të Departamentit të Shtetit.

Raporti i SHBA-ve:

Country Reports on Terrorism 2014

Al Qaeda dhe organizatat e tjera terroriste ende po grumbullonin miliona nga “donatorët me xhepa të thellë dhe organizatat bamirëse” me baza në Gjirin Persik, tha nënsekretari për terrorizëm dhe inteligjencë financiare pranë Treasury, David S. Cohen, në një fjalim në 2014 në Qendrën për Siguri të Re Amerikane.

Hape dokumentin:

Remarks of Under Secretary for Terrorism and Financial Intelligence David Cohen before the Center for a New American Security on “Confronting New Threats in Terrorist Financing”

Ndërsa Arabia Saudite ka bërë përparim në shtypjen e fondeve për Al Qaidën, donatorët dashamirës në mbretëri ishin ende duke financuar grupe të tjera terroriste, tha ai.

Sot Bashkësia Islame e Kosovës është ndikuar aq shumë nga shumica e donatorëve arabë saqë klerikët radikalë kanë fituar pozicione të shquara brenda bashkësisë, thonë kritikët e saj.

Ahmet Sadriu, një zëdhënës i Bashkësisë Islame të Kosovës, tha se ruajnë versionin tradicionalisht tolerant të islamit në Kosovë. Por thirrjet po rriten për të rregulluar një organizatë që tani shihet se është korruptuar nga forcat e jashtme dhe paratë e tyre.

Ministri i brendshëm i Kosovës, Skender Hyseni, tha se ai kishte qortuar kohët e fundit disa nga zyrtarët e lartë fetarë.

“Unë u thashë atyre se po i bënin një dëm të madh vendit të tyre”, tha ai në një intervistë. “Kosova është me përkufizim, me Kushtetutë, një shoqëri laike. Historikisht ka pasur një tolerancë ndërfetare midis shqiptarëve këtu, dhe ne duam të sigurohemi që ta mbajmë ashtu. ”

Albert Berisha, i dënuar me burg që ka shkuar në Siri për të luftuar, thotë se ai nuk u bashkua me Shtetin Islamik. Foto: Andrew Testa për The New York Times

Familjet e ndara

Për disa në Kosovë, tashmë mund të jetë vonë.

Familjet janë shkatërruar. Disa nga më të mirët dhe më të ndriturit e Kosovës janë kapur nga joshja e xhihadit.

Një nga të diplomuarit kryesorë të shkencave politike të Kosovës, Albert Berisha, tha se u largua në 2013 për të ndihmuar popullin Sirian në kryengritjen kundër qeverisë së Presidentit Bashar al-Assad. Ai e braktisi përpjekjen e tij vetëm pas dy javësh – dhe ai thotë se nuk u bashkua kurrë me Shtetin Islamik – por është dënuar me tre vjet e gjysmë burg, në pritje të apelit.

Ismet Sakiqi, një zyrtar në zyrën e kryeministrit dhe një veteran i luftës për çlirim, përpiqet për t’a gjetur djalin e tij 22-vjeçar, Visarin, një student i drejtësisë, i arrestuar gjatë rrugës përmes Turqisë për në Siri me të fejuarën e tij. Ai tani viziton djalin e tij në të njëjtin burg të Kosovës, ku ai u mbajt nën sundimin serb.

Dhe në fshatin Busavate, në kodrat e pyllëzuara të Kosovës lindore, një i ve, Shemsi Maliqi, mundohet të shpjegojë se si është ndarë familja e tij. Një nga djemtë e tij, Alejhim, 27 vjeç, ka marrë familjen e tij për t’u bashkuar me Shtetin Islamik në Siri.

Mbetet e paqartë se si Alejhim u radikalizua. Ai ndoqi gjyshin e tij duke u stërvitur si imam në Gjilan dhe shërbeu në xhaminë e fshatit për gjashtë vjet. Pastaj, dy vjet më parë, ai i kërkoi babait të tij që ta ndihmonte për të udhëtuar për në Egjipt për të studiuar.

Z. Maliqi ende mban shpresën se djali i tij po studion në Egjipt e që nuk ka shkuar për të luftuar në Siri. Por policia e antiterrorizmit të Kosovës kohët e fundit lëshoi ​​një urdhër arresti ndërkombëtar për Alejhimin.

“Më mirë që ai të kthehet i vdekur sesa i gjallë,” tha z. Maliqi, një fermer i varfër. “Unë e dërgova atë në shkollë, jo në luftë. Unë e shita lopën time për të”.

Alejhimi ishte i martuar me një grua nga fshati Vërbice aty afër, e cila ishte aq konservatore saqë u mbulua deri në sy dhe nuk pranoi të shtrëngonte duart me kunatin e saj.

Nëna e gruas me zemërim refuzoi të intervistohej. Vajza e saj bëri atë që pritej dhe ndoqi burrin e saj në Siri, tha ajo.

Në fshehtësi, Alejhimi ka marrë me vete në Siri edhe tre të tjerë – motrën e tij; shokun e tij më të mirë, i cili u martua me motrën e tij; dhe motrën e gruas së tij. Të tjerët janë kthyer që atëherë, por mbeten radikalë dhe të larguar nga familja.

Xhaxhai i Alejhimit, Fehmi Maliqi, si pjesa tjetër e familjes, është i tronditur. “Është një katastrofë”, tha ai.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu