ARKIVI:
4 Maj 2024

“Fluturuesit politik”: hajde, kush po jep më shumë?!      

Shkrime relevante

Gjergj Kastrioti dhe koloneli amerikan

Nga: Sami S. Shatri, Prishtinë ___ Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe koloneli amerikan ___ (Interesante: Çka...

Skandaloze: Në Zyrën e Pensionistëve në Drenas punohet vetëm tri orë në javë!

Nga: Zeqir Bekolli Në Drenas, po bëhen më shumë se dy muaj...

Një debat për Atdheun i Aurel Dasaretit e të tjerëve

Aurel Dasareti, ekspert i shkencave psikologjike-ushtarake, SHBA Përshëndetje bashkëkombës të nderuar,  Atyre fragmenteve...

Kemi probleme teknike tu kthejmë përgjigje atyre që shkruajnë për Drinin, mund ta dërgoni porosinë në wibber

Sqarim i Redaksisë së Drinit, Të nderuar bashkëpunëtë të portalit Drini. Po...

Shpërndaj

Nga: Arbër I. Halilaj

  • Asamblist në KK Drenas

Karkaleci është insekt i lashtë dhe që ka relacion të hershëm me njeriun. Përmes mekanizmit të katapultimit që shfrytëzon, kërcen deri në 1 metër larg (sa 20 herë gjatësia e tij trupore). Kamuflohen shumë mirë, shkaku i ngjyrës së gjelbër të trupit. Lloje të tyre janë dëmtues serioz të të mbjellave, edhe kur janë të pakët në numër. Me tiparet e tij të kërcimit, kamuflimit, dëmtimit të të mirave materiale, karkaleci ka një përputhshmëri të habitshme me disa politikanë, asamblist e deputetë pa kurriz, pa dinjitet dhe me një nivel të mjerë intelektual. Mënyra e funksionimit të Asamblesë Komunale në Drenas dhe jo vetëm në Drenas, e ilustron këtë më së miri !

Fenomeni i “fluturimeve” joparimore partiake nga partitë e iniciativat tjera drejt partisë e cila qeverisë komunën e Drenasit, fenomen ky i cili nuk ka anashkaluar asnjëherë skenën politike në Drenas, por edhe në komuna e subjekte të tjera, dëshmon se në politikën kosovare lejohet gjithçka dhe më së paku mendohet për korrektësinë politike dhe votuesit. Kalimi nga një parti në tjetrën, më së shpeshti për hir të interesave personale, është tradhti si ndaj partisë paraprake, ashtu edhe ndaj vullnetit të votuesve. Votuesit zgjedhin listat, pjesë e të cilave janë pikërisht ata që pastaj po i ndërrojnë “ngjyrat” partiake, ndërsa janë në lista vetëm falë partive të tyre paraprake dhe programit me të cilin janë prezantuar.

Transferimi i një këshilltari komunal, deputeti, aktivisti etj. në një parti tjetër për shkak të një përfitimi të premtuar, do të duhej të sanksionohet qartë edhe me Kodin Penal dhe Ligjin për Zgjedhjet në Kosovë. Korrupsioni nuk përfshin vetëm përfitimet e paligjshme financiare siç e percepton shumëkush, por edhe ato të marrjes së pozitës, privilegjeve apo benefiteve tjera të ndërlidhura me këto “transferime politike”. Vet “shitja” e përfaqësimit partiak dhe besimit të votuesve, po bëhet një dukuri e shpeshtë që çon në mashtrim përmes ndryshimit të këtij besimi, gjë që është problematike para së gjithash për arsyen se këto veprime të këshilltarëve apo deputetëve, të zgjedhurve të popullit, cenojnë drejtpërdrejt vullnetin elektoral.

Bindjet politike zakonisht nuk janë motivi i vërtetë për ndryshimin e “fanellës partiake”. Kjo më shumë ka të bëj me interesat personale dhe luftën për ekzistencë politike. Pothuajse si rregull, në partinë e re apo pozicionimin e ri fitohet një nivel i njëjtë ose pozicion më i lartë për “fluturuesin” e ardhur.

“Pazarxhinjtë politik” njihen edhe për përdorimin e votës së tyre që të mundësohet formimi i një mazhorance që nuk u zgjodh përmes votimeve në zgjedhje, apo zhbllokimi i “ngërçeve parlamentare” në mënyrë jo parimore, që është sërish mashtrim i turpshëm i votuesve, siç ka ndodhur në Asamblenë ku unë bëj pjesë. Shumica parlamentare së bashku me “këshilltarët e transferuar” përbëjnë shumicën “e rishkruar” parlamentare. Ndryshimi i vullnetit elektoral të qytetarëve përtej zgjedhjeve rrëzon besimin e tyre tek institucionet dhe shteti i së drejtës. Kalimi i këshilltarëve apo deputetëve nga njëra parti në tjetrën, duke ia mundësuar kësaj të fundit të krijojë edhe shumicën e paarritur përmes votimit në zgjedhje, është një nga format më të këqija të korrupsionit politik. Edhe më i pranishëm është votimi në favor të atij që ushtron pushtetin, pa ndryshimin formal të partisë, që është veprim shumë më perfid dhe më i rrezikshëm sesa një “transferim” i hapur. Në këtë mënyrë, këta “shpirtëra të shitur” kanë shkelur parimet dhe premtimet me të cilat kanë dalë para votuesve p.sh.: në asamblenë tonë ka opozitar që nuk kanë “fluturuar” formalisht në taborrin qeverisës, por pavarësisht kësaj blanko votojnë “pro” çdo propozim-vendimi të qeverisë lokale. Ata që tashmë haptazi janë shitur, veçse janë rehatuar në pozita pune ose presin të përfitojnë në të ardhmen e afërt.

Në një shoqëri ku ka papërgjegjshmëri politike, ndërrimi i shpeshtë dhe oportun i partisë apo grupit është një nga fenomenet kryesore. “Fluturimi” nga njëra parti në tjetrën është problematik, së pari për arsyen se kjo sjellje e këshilltarëve cenon drejtpërdrejt vullnetin elektoral të qytetarëve, ndërsa motiv kryesor për këtë veprim të politikanëve është interesi. “Rehatimi” në pozita pune dhe ofrimi i përfitimeve tjera bëhet haptazi, sikurse asgjë jonormale nuk po ndodh. Çfarë mund të pres komuniteti nga një qeverisje apo kryetar, që shumicën e krijon përmes këtyre “karkalecave politik” që kërcejnë nga një taborr në tjetrin, sipas interesit dhe pazarit që iu ofrohet? Tmerr!

Dispozitat kushtetuese që theksojnë se mandati i takon deputetit apo këshilltarit, nuk mund të jenë arsyetim për ‘fluturimin’ e mandatit nga njëra parti në tjetrën, sepse në këtë mënyrë mbajtja e zgjedhjeve. dhe shprehja e vullnetit të lirë të qytetarëve nëpërmjet tyre është e pakuptimtë. Lypset të mendohet ndryshimi i Kodit Penal, për të siguruar mbrojtje penalo-juridike nga tregtimi i paskrupullt i mandateve, sepse në të kundërtën humbet vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhje, sidomos në ato kuvende ku për vendime pro pushtetit apo opozitës vendosin një apo dy mandate, pra është diferencë e ngushtë.

Në garën zgjedhore konkurrojnë programet, jo njerëzit. Njerëzit mund të ndryshojnë, por programet mbeten të njëjta. Duket sikur “transformuesit e votës” që po shiten në tregun politik po mendojnë se qytetarët kanë kujtesë të dobët dhe harrojnë, prandaj edhe këto kalime ndodhin në të gjitha nivelet. Ngjashëm me karkalecat e fillimit të këtij shkrimi, “fluturuesit” po e dëshmojnë se preferojnë të konkurrojnë për poste, privilegje, për të zënë pozicionin më të mirë të mundshëm në qeverisje e jo për ide politike, programe dhe për të mirën e përgjithshme publike, për çfarë janë votuar.

Mbështetja e mediave, ndërrimet e pozicionit politik me deklarime para kamerave apo me festime të organizuara nga partia “përfituese”, janë dëshmi publike se këshilltarët që kanë aderuar në një parti tjetër, kanë marrë shpërblim për këtë ose do ta marrin në rastin e parë të mundshëm. Këto veprime po i bëjnë zgjedhjet të pakuptimta dhe po e rrisin mosbesimin e qytetarëve tek institucionet dhe përfaqësuesit e zgjedhur, rrjedhimisht e ulin motivin dhe shkallën e daljes së votuesve në zgjedhje. Kjo pastaj çon në situatën kur votuesi bojkoton procesin zgjedhur , duke mbajtur qëndrimin se “nuk ia vlen, të gjithë janë të njëjtë”. Këto transferime, fluturime, shitje, transformime… sido që t’i quajmë ato, krijojnë pasigurinë për faktin se ju nuk e kini më idenë se kush po ju përfaqëson dhe po merr vendime në emër të votës suaj. A mund të ndalet ky trend ?

Së pari, duhet nisur nga individi, i cili duhet të dijë se mandati i fituar me votë apo pozicioni politik nuk është pronë e tij private, që mund të tregtohet, përkundrazi ai në çdo moment duhet të jetë i gatshëm për të dhënë llogari para qytetarëve, të cilët e kanë votuar për ta vënë në atë pozicion. Por, praktika me rastet që po ndodhin tregon se e vetmja zgjidhje efektive do të ishte ndryshimi i sistemit zgjedhor, që është edhe pjesë e problemit, meqë votuesit në zgjedhje votojnë për lista, e jo për individë. Deputetët dhe kuvendarët e kanë të qartë se tek ne në Kosovë politika është bërë veprimtari shumë e rëndësishme, prandaj gjithmonë ka individ që me çdo kusht kërkojnë pozicionin e të qenit brenda partisë në pushtet, qoftë edhe përmes “shitjes në pazarin politik”, sepse mazhoranca është gjithmonë në anën e qeverisë dhe zakonisht voton çdo propozim të saj.

Këto “transferime” joparimore mund të dënohet vetëm nga votuesit, të cilët kanë njohuritë e mjaftueshme se kush dhe si po i përfaqëson, duke e pasur të qartë se asambletë, parlamenti, qeveria lokale apo qendrore, në fund të fundit janë përgjegjëse para sovranit që ua ka dhënë besimin përmes votës. Tradhtia ndaj këtij besimi qytetar duhet të jetë shkas i mjaftueshëm edhe për inicim të hetimeve nga prokuroria për ndikim eventual, shtytje në marrjen e këtij vendimi si dhe ndërlidhje të mundshme të “fluturimeve” partiake me korrupsion dhe përfitim personal. Është e ditur se mandati i takon individit e jo një partie politike, sepse në legjislacionin tonë zgjedhor kemi arritur një nivel të lartë të demokracisë dhe kjo na lejon që brenda një liste kandidatësh, të japim votën tonë për kandidatin në të cilin kemi më shumë besim. Por, kur ky besim tradhtohet, më efektive do të ishte që qytetarët votues të sanksionojnë ata kandidatë që tradhtojnë, duke mos u dhënë votëbesimin njerëzve të tillë në zgjedhjet e ardhshme. Kjo do të detyronte edhe partitë dhe subjektet politike që të analizojnë mirë se kujt po ia japin mundësinë që të hyjnë në lista zgjedhore, e përmes votimit të shkojnë si përfaqësues në asambletë komunale apo parlamentin nacional.

Në Kosovë ekziston liri e shprehjes së mendimit dhe demokraci e brendshme partiake, që i mundëson çdo deputeti apo kuvendari të shpreh edhe qëndrime ndryshe nga partia, kuptohet të argumentuara dhe të faktuara, gjë që e bën të panevojshëm ndërrimin e “dresit partiak” me arsyetimin për të pasur pavarësi në mendime e vendime. Ai intelektual që është parimor, i mirë-informuar dhe i guximshëm, është edhe i pavarur në qëndrime, kudo që vepron. Deputeti i parlamentit apo kuvendari në asamble duhet të kuptoj që në momentin e marrjes së mandatit, është përfaqësues i popullit e jo vetëm i votuesve të tij dhe i partisë prej nga vjen, si dhe kryen detyrat pa detyrimin për të dëgjuar direktivat e partisë dhe pa dhënë llogari për mënyrën se si ka votuar në parlament apo asamble për çështje të caktuara. Këtë pavarësi në ushtrimin e funksionit e mundësojnë rregulloret dhe ligjet në fuqi, prandaj pikërisht kjo e dëshmon paarsyeshmërinë e kalimit drejt partive në pushtet, kamuflimit si i pavarur, e aq më keq votimit “blanko” të çdo propozimi që vjen nga ekzekutivi.

Zemërimi i qytetarëve ndaj njerëzve që sillen në këtë mënyrë jo korrekte është i kuptueshëm, prandaj e para është që mos t’i votojnë nëse kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme, e ky do të ishte një dënim i madh. Veprimi i “transferimit” të mandatit diku tjetër kontribuon në perceptimin se ne nuk e dimë në fakt se çfarë është pozita dhe çfarë është opozita. Në Kosovë ashtu-kështu nuk ka parti të profilizuara qartë, gjë që e dëshmon edhe fakti i këtyre lëvizjeve nga një parti në tjetrën brenda natës, kurse shumë parti e subjekte harrojnë fare ideologjitë e tyre, sepse për fat të keq janë shndërruar në grupe interesi që shpërfillin prioritetet e votuesve. Sistemi aktual zgjedhor nuk i pengon deputetet/asamblistët që fill pas zgjedhjeve të kalojnë tek taborri tjetër, duke i dhënë goditje fatale pikërisht vullnetit elektoral të qytetarëve. E gjithë kjo bën që qytetarët të ndihen të mashtruar dhe kjo dukuri ndikon në rënien e interesimit për dalje më masovike në zgjedhje.

Kalim të individëve nga një parti politike në tjetrën fatkeqësisht ka pasur dhe ka në vazhdimësi në Kosovë, në nivelin lokal apo qendror. Në raste të caktuara, këto tranzicione janë vendimtare në formimin e qeverive në nivel lokal, apo të shumicës nëpër asamble. Kur shterrojnë përfitimet klienteliste që kanë joshur për ikje nga partia amë, atëherë “shitësit e votës” hyjnë në negociata me një subjekt tjetër, thjesht duke vlerësuar në prizmin e asaj se ky tranzicion i ri a do të jetë i siguruar edhe materialisht apo me pozitë, ndërsa përfitimet shkojnë jo vetëm ndaj personit “të shitur”, por edhe ndaj anëtarëve tjerë të familjes së ngushtë që shpërblehen me pozita pune apo favore të tjera pa kritere.

Ky korrupsion i hapur politik, nën maskën e kalimit në një parti tjetër ose kalimit në statusin e të “pavarurit”, si diçka “normale” dhe “demokratike”, ka marrë përmasa shqetësuese. Këtu nuk bëhet fjalë për “transferime” nga arsyet etike apo ideologjike, por për qëllime përfitimesh klienteliste-ekonomike, financiare apo edhe arsye tjera me bazë korruptive. Disa nga “të zgjedhurit e popullit” për anëtar parlamenti apo kuvendar në asamble,  në varësi të ambicieve dhe grykësisë personale, mendojnë se si të materializojnë (shesin)  sa më mirë që të jetë e mundur “angazhimin për interesin e qytetarëve” dhe kështu të kapitalizojnë përfshirjen në politikë, duke kaluar në partinë që qeverisë pas zgjedhjeve ose duke marrë një status të ashtuquajtur “të pavarur”. Kalimi në statusin e të pavarurit, nuk e zvogëlon fare këtë lloj korrupsioni politik, por vetëm e paketon atë në formë tjetër. Thjeshtë, ky ndryshim synohet të arsyetohet si një veprim “demokratik”, “parimor”, “normal” dhe që t’iu duket i drejtë votuesve, por në realitet ky pozicion do të nënkuptojë ose hyrjen në koalicione (jo)parimore politike dhe të interesit, ose tregtimin e votave rast pas rasti e vendim pas vendimi, në varësi të asaj se kush është në çfarë pozicioni dhe çfarë ofrohet në shkëmbim të votës.

Më duhet të theksoj se ka edhe një lloj tjetër deputetësh apo kuvendarësh, edhe pse të paktë në numër, që largohen nga partia e tyre politike për arsye se ajo i ka braktisur premtimet e dhëna parazgjedhore, duke treguar kështu respekt për votuesit që iu besuan për t’i përfaqësuar në legjislativ. Këto unë i konsideroj lëvizje parimore e me motiv etik, e që nuk mund të përzihen me rastet tjera të “shitësve të mandatit”. Ndryshimi i pozicionit politik për arsye etike, për shkak të ndryshimit të vlerave dhe lëvizjes programore të partisë amë, është korrektësi politike dhe personi i tillë duhet të vazhdojë të angazhohet profesionalisht në politikë si dhe të vlerësohet. Fatkeqësisht, këto ndryshime të përkatësisë partiake në shumicën e rasteve po ndodhin për arsye thjesht oportuniste. Duke u nisur nga fakti që politika është shndërruar në mundësi për poste, tenderë të dedikuar për grupe interesi si dhe përfitime tjera, njerëzit po i hyjnë politikës sikur janë duke nisur një biznes fitimprurës.

Realisht, nuk shoh zgjidhje të shpejtë dhe efektive për këtë kancer që e mbyt zhvillimin e demokracisë. Partitë në Kosovë nuk po mund të pozicionohen si bartëse të ideologjive politike, por si organizata që mbijetojnë falë klientelizmit politik. Fatkeqësisht, rrethanat aktuale politike nuk na mundësojnë një debat të gjërë dhe demokratik lidhur me projeksionet politike dhe karakterin e mandatit të përfaqësimit politik. Kjo nënkupton që të fillohet një proces afatgjatë i socializimit politik dhe profilizimit të vërtetë ideologjik të partive në arenën politike. Është shumë shqetësuese dhe jashtëzakonisht e rëndësishme zgjidhja e problemit të ndryshimit të vullnetit elektoral të qytetarëve, përmes kalimit oportunist në parti apo grupim tjetër politik, i cili e bën të pakuptimtë demokracinë. Zgjidhja e këtij problemi kërkon që të fillohet nga individi politikisht aktiv, i cili më në fund duhet të kuptojë se nuk mund ta tregtojë pozicionin duke nënvlerësuar votuesit, sepse mandati nuk është pronë private e tij dhe se duhet të japë llogari para qytetarëve që e kanë emëruar (votuar) në atë detyrë.

Këto lëvizje janë shenjë e një sistemi politik jofunksional, ku nuk ekziston minimumi i dakordimit për rregullat dhe etikën politike ndërmjet subjekteve politike. Dhe aty ku nuk ka përgjegjësi, nuk ka dinjitet dhe vlera. Kur politika kthehet në tregti, shit-blerje shërbimesh e vote, ajo kthehet në një pazar mallrash të dorës së dytë, të llumit politik e intelektual. Kudo që ndodh ky tregtim, qoftë në komunën time ku është mjaft i shprehur, por edhe në tërë vendin, është veprim që nuk jep shije, nuk sjell përparim, nuk ka kënaqësi në blerjen dhe shitjen e korruptuar politike.

“Fluturimi politik” për hir të realizimit të interesave personale është direkt i drejtuar kundër demokracisë dhe interesave të qytetarëve, në emër të të cilëve thirren të gjithë “pazarxhinjtë”, e që pastaj shkakton ndryshimin e vullnetit të shprehur elektoral pikërisht të këtyre dhjetëra mijëra qytetarëve. Kjo dukuri kontribuon që besimi i qytetarëve në zgjedhjet korrekte dhe përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë demokratike të dëmtohet gjithnjë e më shumë, sa më shumë që kemi këso “pazare politike” në cilindo nivel, lokal apo nacional. Votuesit zgjedhin listat, pjesë e të cilave janë edhe ata që më vonë ndërrojnë “ngjyrat” partiake, e që harrojnë se janë në lista zgjedhore vetëm falë partive të tyre dhe liderit që i ka propozuar për ato lista.

Në këto raste nuk ka përgjegjësi për fjalën e thënë publikisht, për rolin e intelektualit në shoqëri, pasi interesi publik është zëvendësuar me atë privat. Humbësit më të mëdhenj në gjithë këtë histori, përveç pengimit të demokratizimit të mëtejshëm të shoqërisë përmes zhvillimit të parlamentarizmit, do të jenë vetë qytetarët që do të manipulohen në vazhdimësi me këto lojëra të pista politike. 

K O M E N T E

5 KOMENTE

  1. Pa te keq, por nuk paske thene ose treguar asgje ne kete shkrim te gjate dhe pa kurrfare vlere as kuptimi, i cili te ngjane ne fjalekryqin e njohur nordik ose skandinavik.

    Qenke futur ne mal (pyll) me e gjetur arushen (ariun) dhe te paskesh zene kallukangja.

    A e dine ti se ne Kosove edhe ata qe perfolen dhe akuzohen si peder, homoseksual ( per te qira ne bythe pra!)-jane te mbrojtur nga shtetit, pushteti, ligji ose drejtesia….!?

    Plus te dyshuarit ( e sakte ose faktik) per vrasjen e mistershme ose enigmatike te Liridones ne komunen e Gjakoves etj.etj….!!!

    Kosova e sotme eshte bere si Cikagoja e viteve te tredhjeta (3O) te shrekullit te kaluar ne ShBA-s.

    Nuk ia vlen.

    • Kur një fenomen kaq i shëmtuar dikujt i duket sikur “nuk është asgjë”, aty e kemi përgjigjen pse jemi kështu siç jemi si shoqëri. Për këtë arsye edhe janë përmbysur vlerat në shoqërinë tonë dhe “i fortë” apo “i zoti” është matrapazi dhe mashtruesi !
      Gjatësia e shkrimit nuk e përcakton vlerën, por tematika që e shtjellon.Jemi mësuar që fenomenet të cilat e shkatërrojnë nga brenda një shoqëri, t’i shohim si normale ndërsa kritikën ndaj tyre si “punë e kotë”!

      • mos e merr me gjak te nxehte o ti lume autori!

        Une e kisha fjalem mbi “vlerenen” (xero-O) te ketij shkrimi te gjate dhe moton; e jo per ato “m´the e t´thashe” te lagjeve, mehallave ose kpoerativave te ndryshme tribale, fshatareske, paranormale ose parapolitike te Kosoves.

        Kaq ishte muhabeti. Lexoje dhe reflekto edhe njehere ne shkrimin tend, dhe do me beson se kisha te drejte, nese vec pak te punon truri ose logjika.

        Nuk te njoh dhe as qe me intereson se kush je. Jo per bese.

    • z.Shaqir, kur të minimizohet ky fenomen i shtjelluar, shkrimi do të hetë në tre rreshta ose nuk do të ketë nevojë fare. Shkrimi në fakt është i shkurtër sepse merret vetëm me korrupsionin politik, e jo me fenomenin e njejtë në arsim, ekonomi, shëndetësi, administratë etj.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu