ARKIVI:
25 Prill 2026

Vazhdim i intervistës së historianit e shkrimtarit Jusuf Buxhovi me Mujo Buçpapajn (3)

Shkrime relevante

Rishikimi i trashëgimisë toponimike në hapësirën shqiptare

Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan Një domosdoshmëri shkencore, kulturore dhe institucionale për...

Agim Vuniqi thotë se “Rexhep Qosja nuk debatohet më me slogane — lexohet me vepër”

Agim Vuniqi, Vashington Ka një çast në historinë e kombeve kur polemika...

U nda nga jeta Akademik Rexhep Qosja

Frank Shkreli  Një figurë e madhe e kulturës shqiptare dhe zëri që...

Shpërndaj

Intervistë në “Nacional” të Tiranës me rastin e 80 vjetorit të jetës dhe 60 vjet krijimtari
HOSTORIOGRAFIA INSTITUCIONALE NË TIRANË DHE PRISHTINË ENDE NËN DIKTATIN E HISTORIOGRAFISË HEGJEMONISTE SEREBE!
-Në një bisedë të gjerë për “Nacional”, Jusuf Buxhovi flet për marrëdhëniet midis fiksionit dhe faktit historik, për rolin e intelektualit dhe për sfidat e identitetit në kohë moderne. Në këtë bisedë të gjerë mbi krijimtarinë, kujtesën historike dhe identitetin shqiptar, autori ndalet edhe te sfidat e historiografisë bashkëkohore…
Mujo Buçpapaj
Nacional: Në romanet tuaja vërehen struktura të fragmentuara, ndërprerje kronologjike dhe një përdorim i theksuar i ndërtekstualitetit. Sa është kjo një zgjedhje estetike dhe sa një domosdoshmëri për të reflektuar kaosin historik shqiptar?
J. Buxhovi: Kjo ka të bëjë me raportin që shkrimtari ka ndaj faktit si dhe interpretimin që ia bën përmes imagjinatës. Natyrisht, se ku perceptim, nuk përjashton mundësinë që të nxjerr në pah kaosin historik shqiptar, si ngjarje, që lidhet me kujtesën…
Nacional: Në ç ‘mënyrë dramat dhe proza juaj ndërveprojnë? A ka një ndikim të dramaturgjisë në ndërtimin e tensionit narrativ në romanet tuaja?
J. Buxhovi: Proza, te unë, sikur nuk njeh kufijtë tradicional, që ato i ndajnë. Përkundrazi, ato thyhen edhe te “Libri i të mallkuarve”, pjesa e tretë “Njëqind vjet pushtet” dhe të “Dushkaja”, që mund të merren edhe monologje dramatik…
Nacional: Si historian, ju keni trajtuar ngjarje kyçe si Kongresi i Berlinit 1878. Si e shihni rolin e historiografisë shqiptare sot: si rishkrim kritik apo si vazhdim i narrativave ideologjike?
J.Buxhovi: Historiografia institucionale shqiptare vazhdon narrativat ideologjike të ngatërruara naivisht edhe me gjuhën e eufemizmave, kur bëhet fjalë për ngjarje tejet të ideologjizuara, siç janë ato të majit-dhjetorit 1924, si puçe dhe kundërpuce të ndërsjella, të cilat mbesin pezull, por më afër dogmës ideologjike, nga narrativja se ishte fjala për revolucion demokratike dhe në anën tjetër për kundërrevolucion me ndihmën e Beogadit! Me këtë rast anashkalohet fakti tepër i thjeshtë se nuk mund të ketë “revolucion demokratik”! Revolucioni dihet se çfarë paraqet, përmbysjen e gjendjeve me dhunë dhe assesi demokracinë! Ka edhe shumë e shumë marifete të ngjashme tek historia institucionale në Tiranë dhe Prishtinë, ku, në emër të disa demistifikimeve, siç është rasti me Skënderbeun, kalohet në mohime dhe shtrembërime të rënda historike, të ngjashme me narrativen e historiografisë serbe, dogma e së cilës mban peng në tërësi historiografinë institucionale në Tiranë dhe Prishtinë me të ashtuquajturën mbretëri serbe nga mesjeta, të identifikuar me dinastinë Nemanjane dhe me gjoja autoqefalinë e kishës ortodokse serbe nga shekulli XIII. Kur dihet se as njëra as tjera nuk kanë mbështetje historike, veçmas identifikimi i Rashës me shtetin mesjetar serb, si një dinasti feudale e pavarur në kohën e procesit të shembjes së Bizantin, që kudo historiografia objektive e cilëson si Rasha, Rasien, Rasia dhe askund si shtet mesjetar serb. Madje, tek perandorët bizantin, Porfyrogenti dhe Kantakuzeni dhe te shumë kronikë të kohës, Rasha quhet Tribalia, ndërsa rasianët – tribalë, të lidhur me mbretërinë antike tribale, që Herodoti e quan ilire. Ngjashëm ndodh edhe me autoqefalinë e kishës ortodokse serbe, gjoja nga mesjeta, kur dihet se autoqeflia ka ndodhur në vitin 1923, me bashkimin e katër mitropolive (Beogradit, Sremit, Malit të Zi dhe Pejës). Kjo na ka sjellë edhe Pakon e Ahtisarit me të cilën Serbisë i janë dhënë “tapitë historike dhe shpirtërore”, që shtetin e Kosovës e hendikepojnë shumanshëm dhe do ta vazhdojnë edhe tutje…
Nacional: A ekziston rreziku që historiografia të instrumentalizohet politikisht, dhe si mund të ruhet integriteti shkencor në një kontekst ballkanik shpesh të politizuar?
J. Buxhovi: shembullin më të mirë për instrumentalizimin e historiografisë duhet kërkuar te shkolla sllaviste e Vjenës e shekullit XIX, kur shqiptarët paraqiten nëpër histori të huaja (serbëve, turqve, bullgarëve etj.) dhe jo te fakti se ata janë popull antik, se kishin mbretëritë kryesore në antikitet (Maqedoninë, Dardaninë, Epirin). Kjo metodë e arnimit, është ndjekur edhe për gjuhën shqipe (me huazime të shumta) dhe po ndiqet edhe nga historiografia institucionale në Prishtinë dhe Tiranë. Shembulli më eklatant i kësaj ecurie u pa së voni me “Historinë e Kosovës”, volumi parë i botuara nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” i Prishtinës, që nuk është tjetër pos një kopje e koncepteve të historiografisë serbe, ku Kosova shihet shtëpi me tapi serbe! Aty u bëhet jehonë mashtrimeve të S. Novakoviqit të shfaqura në “Zakonik Cara Dušana od 1453” (Kanunin e perandorit serb, Stefan Dushani nga viti 1453), tekst ky që vet autori e pranon se nuk është nga shekulli XV, por i arnuar në shekullin XIX nga disa shënime te një mësuesi serb nga Prizreni dhe një prifti rus, të cilat po ashtu arnohen me 16 versione të ndryshme të mbledhura gjoja nëpër manastiret ortodokse serbe në Kosovë dhe Maqedoni, për ç’gjë këtij libri iu mor kredibiliteti nga Universiteti i Harvardit dhe qarqet tjera akademike botërore bashkë me katër vëllimet e Akademisë së Shkencave të Jugosllavisë “Istoria naroda Jugoslavie u bizantnskim izvorima”, ku burimet bizantine për Rashën Tribale dhe Tribalët, konvertohen në “Serbi mesjetare” dhe Tribalët në “serb” dhe falsifikime të tjera të burimeve bizantine, osmane dhe ruse madje! Kam reaguar rreth këtij rasti, por kanë munguar reagimet e historianëve “të pavarur” nga Kosova dhe Shqipëria, edhe pse libri, si duket, është tërhequr nën trysninë e disa historianëve brenda Institutit të pakënaqur me këtë diskurs serb si dhe të disa qarqeve nga jashtë , që kanë konsideruar se libri mund t’i shërbente Serbisë për pretendimet hegjemoniste ndaj Kosovës!
Nacional: Në veprat tuaja historike, a synoni të krijoni një “kundër-histori” ndaj narrativave zyrtare ndërkombëtare për Kosovën?
J. Buxhovi: Nëse shikohet teksti prej njëzet e sa rreshtave të deklaratës së pavarësisë, del se Kosova është shtet pa histori, një trung pa rrënjë. Ky ka qenë çmim që ndërkombëtarët kanë kërkuar për shpalljen e pavarësisë, që edhe mund të arsyetohet karshi qëllimit madhor. Por, si historian i pavarur, me “Kosovën” në tetë vëllime, “Maqedoninë”, “Dardaninë”, të përkthyera edhe në anglisht nga botuesi amerikan “Jalifat Publishing”dhe “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare e 1878”, kam synuar shkrimin objektiv të historisë së Kosovës si pjesë e historisë së Shqipërisë nga antikiteti, ku mbretëria e Dardanisë është bartëse e këtij identiteti historik. Po ashtu, kam synuar që certifikata historike e shtetit të Kosovës, të nxjerrët jashtë narratives së pragmatizmit politik të kohës, jashtë narratives ideologjike dhe diktatit të historiografisë serbe, gjë që kjo është përcjellë me reagime të ashpra, por të pritshme nga Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve nga Beogradi , po me reagime të pa pritshme nga mediumet tona dhe veçmas nga disa “akademikë” të Prishtinës, që janë munduar ta diskreditojnë veprën prej pesë mijë e treqind faqesh fillimisht në tri vëllime, mandej në pesë për t’u përmbyllur me tetë vëllime në vitin 2017, deri aty sa ta quajnë “edhe projekt të Serbisë”! Ndërkohë që në Serbi i madh e i vogël ulërinte kundër librit, që shtetin e Kosovës e paraqiste me histori të thellë nga antikiteti e jo pjesë e “mbretërisë” imagjinare mesjetare serbe! Reagimet e tilla nga Prishtina, mund të shpjegohen me atë se “akademikët” e Prishtinës si dhe historianët nga Instituti i Historisë dhe ai Albanologjik pa përjashtuar këtu edhe shumë prej tyre nga katedrat e universitetit, me mendësi ideologjike dhe partiake, kanë qenë xheloz, meqë vetë nuk kanë përmbushur një detyrim që të shkruajnë historinë e shtetit të Kosovës, e as t’i kundërvihen propagandës së egër politike të Beogradit për ta paraqitur Kosovën qendër të saj kulturore dhe historike mesjetare, për ç’gjë paguhen mirë e mirë nga shteti ynë i varfër, me të cilën do të legjitimohej ndërkombëtarisht edhe pavarësia e saj. Andaj, sulmi ka qenë mbrojtja më e mirë e tyre, por pse ka shkuar kjo në dëm të historiografisë sonë, të tillët nuk kanë çarë kokën për pasojat. Natyrisht se këtij diskursi kundër “Kosovës” në tetë vëllime i ka ndihmuar edhe një pjesë e politikanëve të Kosovës nga mendësia politike se shteti i Kosovës është i përkohshëm, se duhet refuzuar në emër të bashkimit kombëtar dhe broçkulla të ngjashme, që u panë edhe nga pazaret e nisura me Serbinë për shkëmbim territoresh, që u penguan nga Amerikanët në çastin e fundit! Por, këto anomali, u hoqën shpejt, në saje të popullarizimit të madhe të veprës, që brenda një viti pati gjashtë ribotime me një tirazh “astronomik” prej 50 mijë ekzemplarësh si dhe përkthimi i saj në anglisht në SHBA nga botuesi amerikan “Jalifat Publishing”, që arriti për pak kohë të depërtojë në institutet dhe universitetet më prestigjioze amerikane deri te ai i Harvardit, ku edhe fitoi edhe statusin e literaturës alternative për historinë e Evropës Juglindore. Ndërsa, unë u pranova edhe në Shoqatën Amerikane të Historianëve, ndër më të njohurën në botë. Ky zhvillim ndikoi që libri të pranohet dhe të promovohet në shumë universitete dhe akademi europiane dhe atë të Turqisë, si dhe ato rajonale, nga Akademia e Shkencave të Sllovenisë, e Kroacisë dhe e Malit të Zi. Së voni pati edhe dy promovim në Tiranë në Akademinë e Shkencave dhe në Muzeun Kombëtar të Historisë. Pra, “Kosova” sot paraqet certifikate të historisë së shtetit të Kosovës, të pranuar në shumë qendra akademike dhe universitare botërore, pos në Kosovë!
Nacional: Si një nga themeluesit e Lidhja Demokratike e Kosovës, përkrah Ibrahim Rugovës, si e shihni sot atë periudhë të organizimit politik dhe filozofinë e rezistencës paqësore?
J. Buxhovi: Me pak fjalë, do ta vlerësoja si një përgjigje që brezin tonë intelektual historia e ngarkoi me përgjegjësi politike, që ajo e kreu si mision në dy binarë paralel historik: në atë të rrënimit të komunizmit dhe në atë të shtetndërtimit të Kosovës përmes rezistencës aktive paqësore (Shtetin paralel nga 1992-1999), që ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës midis aleatëve perëndimorë, të cilët u vunë në anën e kauzës së saj përmes armëve si dhe protektorati ndërkombëtar të kthehet në pavarësi në vitin 2008…
Nacional: Lufta e Ushtria Çlirimtare e Kosovës shënoi një kthesë të madhe historike. Si e analizoni raportin midis rezistencës paqësore dhe asaj të armatosur në kontekstin e çlirimit të Kosovës?
J. Buxhovi: Siç u tha më sipër, UÇK dhe ishte pjesë e rezistencës institucionale, që nga fillimi, në kuadër të përcaktimit të LDK-së (kur nuk kishte qeveri dhe shtet paralel 1900-1902) për mbrojtjen e pragut të shtëpisë për ç’gjë përgjegjës ishin komision vendore të degëve dhe të nëndegëve. Me themelimin e Qeverisë së Kosovës në dhjetor 1992, në kuadër të ministrive, u përfshinë edhe Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Rendit Publik. Ato filluan mobilizimin e rekrutëve të larguar nga APJ si dhe të oficerëve që po ashtu ishin larguar nga APJ (rreth 420 sosh) disa të shpërndarë në luftimet në Kroaci e më vonë në ato të Bosnjës dhe Hercegovinës. Koncepti i këtyre dy ministrive ishte fillimisht i krijimit të njësive rezerve brenda dhe të brigadave jashtë. Por, ishte urdhri i kërshëndellave i Bushit i 24 dhjetorit 1992 që i vuri vija të kuqe Serbisë për përhapjen e konfliktit të luftës në Kosovë, po edhe Kosovës që të vazhdonte rezistencën institucionale paqësore, pra pa luftë. Dr. Rugova u urdhërua që menjëherë të ngihet puna e dy ministrive , asaj të Mbrojtjes dhe të Rendit, si dhe neutralizim i grupeve të gueriles (atij të Drenicës, në krye me Adem dhe Hamëz Jasharajn, të Deçanit, në krye me S. Çekun, të Llapit dhe kështu me radhë). Shumë prej tyre respektuan këto urdhra dhe dolën jashtë (Jasharajt, S. Çeku e të tjerë). Disa oficerë dhe policë që vazhduan veprimtarin në Kosovë në kuadër të mbrojtjes territoriale të drejtuar nga kolonel Hajzer Hajzeri u burgosën (126 veta) dhe u dënuan me burgime të gjata. Në vakumin e krijuar, ndërhyri LPK, deri më atëherë anëtarë kolektiv i LDK-së, dhe filloi aktivizimin e militantëve në disa aksione, në vitin 1996, që shumica e tyre, edhe ashtu ishin anëtarë të degëve dhe nëndegëve të LDK-së. Dalja në skenë e UÇK-së, në nëntor 1997, paraqet vazhdimin e politikës me mjete të tjera. Assesi ndryshe. Po të kishte vazhduar ky koncept, sot nuk do ta kishim procesin e Hagës dhe gjithë ato përplasje që ndodhen gjatë dhe pas luftës midis “krahut paqësor” dhe atij “të luftës”, kur ishin pjesë e të njëjtës kauzë dhe nga i njëjti brum…
Nacional: Pavarësia e Kosovës është një akt historik me shumë dimensione. Si e përjetuat atë moment dhe çfarë kuptimi ka sot në një perspektivë më të gjerë historike?
J. Buxhovi: Në veprat e mia historiografike pavarësia e Kosovës vlerësohet ngjarja më e madhe e shekullit.
Nacional: Si i vlerësoni raportet aktuale midis Kosovës dhe Shqipërisë në planin kulturor, politik dhe identitar?
J.Buxhovi: Për fat të keq, realiteti i dy shteteve shqiptare në Ballkan, nën sponzorizimin e drejtpërdrejtë të SHBA-ve dhe aleatëve europianë, nga një pjesë e mirë e politikës shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë, është shikuar dhe vazhdon të shikohet më shumë si hendikep, një si mallkim historik, se sa e arritura më e madhe e shqiptarizmit në përgjithësi. Heqja e kufirit, as në planin kulturor, as atë ekonomik, nuk është kthyer në një përparësi për afri dhe bashkim kulturor, ekonomik dhe shpirtëror në përgjithësi. Përkundrazi, politikat shtetërore në Tiranë dhe Prishtinë ndjekin agjenda të drejtuara nga ambicie personale të liderëve për protogonizëm dhe karshillëk feudalo-fisnor, po edhe mafioz! Kjo sjellje sikur përkujton atë përvojën e keqe nga themelimi shtetit shqiptar më 1912 e deri te ditët tona, që shteti për ta paraqet armik, që duhet luftuar dhe jo ombrellë që duhet forcuar, veçmas kur gjendemi edhe më tutje në gojë të ujkut!
(Vijon)

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu