Një grup i pakënaqurish, të mbështjellë me aureolën e veteranëve të luftës, kanë filluar ta paraqesin veten si “roje të vlerave të luftës”. Ky autoportretim i vonuar është në fakt një farsë, sepse vetë ata që sot brohorasin më së shumti për “ruajtjen e lavdisë” kanë qenë ndër përdhosësit më të mëdhenj të saj. Lufta është shfrytëzuar pamëshirshëm si pretekst për përfitime materiale, për poste politike dhe për privilegje të garantuara. Në vend të sakrificës, ka mbetur vetëm shfrytëzimi.
Këta “roje” heshtën kur Hashim Thaçi i dha formë Asociacionit të komunave serbe, duke e futur Serbinë përmes derës së pasme në institucionet e Kosovës. Ata nuk protestuan kur u nënshkrua demarkacioni i dhimbshëm me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, pa parime të qarta e pa transparencë kombëtare. Ata madje e përkrahën, në heshtje ose hapur, themelimin e Gjykatës Speciale, të imponuar nën trysninë e Thaçit, në bindjen naive se kjo do ta shpëtonte vetë atë nga peshorja e drejtësisë. Asokohe nuk kishte protesta, nuk kishte konferenca për shtyp, nuk kishte fjalime patriotike. Kishte vetëm llogari personale.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte mobilizim i madh popullor – rezistencë, mbrojtje dhe mbijetesë në orët më të zeza të historisë sonë. Ajo është e të gjithëve dhe e askujt. Nuk është pronë që të regjistrohet në kadastra partiake, nuk është aksion i ndarë mes klaneve politike. Është vullnet kolektiv, një akt i përbashkët i një populli të shtypur, i cili nuk kërkonte privilegje, por vetëm liri.
Por disa prej atyre që sot mburren si “trashëgimtarë të luftës” e kanë degraduar këtë trashëgimi në pazare të ulëta. Në vend të idealit, kanë mbetur vilat, tokat e përvetësuara, tenderët dhe fondet e zhdukur. Ata që luftën e kanë pasur mjet të mbijetesës morale, sot jetojnë me pensione të zakonshme, ose në heshtjen e tyre dinjitoze. Ata që luftën e shndërruan në mall tregu, sot bëjnë zhurmën më të madhe në korridoret e politikës.
Polemikat e fundit për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit e nxorën këtë fenomen në pah me gjithë lakuriqësinë e tij. Vota e kontestuar, ku formacioni serb i Rashiqit u vendos përballë Lëvizjes Vetëvendosje, u përdor nga OVL-UÇK si shantazh ndaj kryekuvendarit. Kjo nuk është më organizatë e kujtesës, por instrument i presionit politik. Lufta është përdorur si kartë për të kontrolluar institucionet, për të manipuluar vendimmarrjen dhe për të ruajtur pozitat e një elite të diskredituar.
Heronjtë e vërtetë – ata që ranë në beteja të hapura apo në prita tinëzare pasluftës – nuk presin as pensione speciale e as trajtime privilegjuese. Ata nuk i kanë duart e zgjatura te buxheti i shtetit. Ata nuk mbajnë konferenca për shtyp. Lavdia e tyre është e gdhendur në kujtesën popullore dhe në vetë themelet e shtetit të Kosovës.
Nëse dikush duhet të kërkojë falje, janë pikërisht ata që sot bërtasin më shumë. Sepse kanë abuzuar me sakrificën, kanë përdhosur vlerat dhe kanë ndërtuar një kulturë të përfitimit mbi një trashëgimi që duhej të ishte e shenjtë. Ky borxh nuk shlyhet me retorikë patriotike, as me flamuj në duar. Shlyhet vetëm me pranimin e së vërtetës dhe me ndarjen përfundimtare mes sakrificës dhe shfrytëzimit. @followers, Highlights



