KOMUNIKATË ZYRTARE ORGANIZATA “SHQIPTARIA”
___
Prishtinë, më 5 nëntor 2025
___
Lidhur me mbylljen e shoqatave islamike radikale në Gjermani dhe rrezikun që përbëjnë për identitetin kombëtar shqiptar
Organizata “Shqiptaria” rikujton opinionin publik se prej kohësh kemi paralajmëruar se Perëndimi do të mbrojë qytetërimin e vet, një qytetërim që është edhe qytetërim i shqiptarëve.
Ky qytetërim i bazuar në liri, dinjitet njerëzor dhe demokraci, është themeli mbi të cilin duhet të qëndrojë edhe shoqëria jonë – në vend dhe në diasporë.
Ngjarjet e fundit në Gjermani, ku autoritetet kanë mbyllur shoqatën islamike “Muslim Interaktiv” për veprimtari kundër rendit kushtetues dhe thirrje për kalifat, tregojnë qartë se rreziku i islamit politik është real dhe se ai po përpiqet të depërtojë në zemrën e Evropës përmes strukturave fetare të maskuara si organizata kulturore apo humanitare.
Ne kemi theksuar vazhdimisht se shoqatat dhe xhamitë jo rrall here dikur ruanin gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar, sot në shumë raste janë shndërruar në qendra propagande ku po tjetërsohet ndërgjegjja kombëtare dhe po orientohet rinia shqiptare drejt një kulture të huaj, me frymë kundërperëndimore dhe armiqësore ndaj qytetërimit që na ka pranuar e integruar.
Organizata “Shqiptaria” i bën thirrje të gjithë shqiptarëve në diasporë që të mos bien pre e manipulimeve fetare apo politike, por të forcojnë unitetin kombëtar përmes klubeve, organizimeve civile, kulturore dhe atdhetare.
Në Evropën e së nesërmes nuk do të ketë më hebrenj të persekutuar apo minoritete të margjinalizuara – por mund të ketë shqiptarë të manipuluar, që do të përdoren si vegla të projekteve sllavo-islamike për tjetërsim dhe shkatërrim të kombit.
Ne besojmë se qytetërimi perëndimor është edhe qytetërimi ynë, dhe mbrojtja e tij është mbrojtje e vetë identitetit shqiptar.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për “kalifat”, por për vetëdije kombëtare, kulturë dhe bashkim në themelet e një qytetërimi që respekton njeriun dhe lirinë.
***
Organizata “Shqiptaria”
Zyra për Marrëdhënie me Publikun
Tiranë – Prishtinë – Diasporë



Ky reagim i organizatës “Shqiptaria” është i mirë argumentuar dhe me ton përgjegjës qytetar e kombëtar. Ai shtron në mënyrë të drejtpërdrejtë problemin që për dekada është anashkaluar — mungesën e mbështetjes institucionale për diasporën shqiptare, sidomos mos institucionalizimi i Shkollës shqipe të mësimit plotësues.Fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë çdo ditë janë nën nofullat e asimilimit dhe askush nuk interesohet për ta. Pikërisht kjo mungesë ka krijuar vakum në organizimin kulturor e arsimor të mërgatës, duke e lënë shpesh në duart e strukturave fetare që, në disa raste, kanë devijuar nga roli tradicional i ruajtjes së gjuhës e identitetit dhe janë shndërruar në qendra të ndikimit ideologjik.
Teksti fiton peshë edhe për faktin që nuk është kundër besimit fetar në vetvete, por kundër instrumentalizimit të tij politik e ideologjik. Ai mbron me vendosmëri qytetërimin perëndimor si pjesë të natyrshme të identitetit shqiptar – një qëndrim që përforcon idenë se përkatësia kombëtare nuk është në kundërshtim me vlerat demokratike, por përputhet me to.
Në përfundim, komunikata është një thirrje e arsyeshme për vetëdijësim dhe veprim – për t’u kthyer te rrënjët kulturore shqiptare, për të forcuar strukturat kombëtare në diasporë dhe për të ruajtur identitetin tonë në një Evropë që kërkon qytetarë të integruar, të lirë dhe të vetëdijshëm për origjinën e tyre.