
Musa Sabedini, Gjilan, gazetar hulumtues dhe profesor i gazetarisë
____
Sot e ndiej më të lehtë se kurrë të shkruaj dhe t’ju falënderoj nga zemra, sepse fjalët vijnë të mbushura me mirënjohje, përulësi dhe emocion të thellë.
Falënderimi im shkon për secilin prej jush që gjetët kohë nga jeta juaj për të më uruar me sinqeritet, duke treguar jo vetëm interesim dhe kujdes për mua si autor, por edhe respekt për librin tim, një vepër për të cilën shpresoj dhe besoj se do të jetojë gjatë dhe do të mbijetojë si referencë në fushën e gazetarisë hulumtuese.
Ju falënderoj të gjithëve, pa asnjë dallim, për kontributin, përkrahjen dhe mbështetjen e pakursyer, secili në mënyrën e vet, por me të njëjtën dashamirësi.
Kjo mbështetje ka qenë shtyllë force në një rrugëtim që nuk ka qenë i lehtë, por ka qenë thellësisht domethënës.
Libri është i shenjtë. Sot, sa herë që e shfletoj, ndiej se jam i pasur jo materialisht, por me vlera profesionale dhe njerëzore.
Arrita ta finalizoj një projekt madhor, për mua personalisht, por edhe për brezat e rinj, të cilët përmes këtij libri do ta kenë më të lehtë ta kuptojnë, si në teori ashtu edhe në praktikë, thelbin, përgjegjësinë dhe rreziqet që bart në vetvete gazetaria hulumtuese.
Kam pasur fatin të kem pranë vetes miq të vërtetë, partnerë, donatorë të sinqertë dhe njerëz të jashtëzakonshëm, të cilëve u jam thellësisht mirënjohës, këtu në tokë dhe në heshtjen e qiellit.
Pa ju, kjo rrugë do të kishte qenë shumë më e rëndë, ndoshta edhe e pamundur.
Me respektin më të madh, shpreh falënderimin tim të përzemërt për të gjithë ata që më qëndruan pranë në këtë udhëtim krijues, njerëzor dhe profesional. Kjo vepër mban edhe gjurmën tuaj.
Faleminderit rektorit të UBT-së, Edmond Hajrizi, për besimin, mbështetjen dhe përkushtimin e tij ndaj zhvillimit akademik e profesional, recensentit Safet Zejnullahu, për profesionalizmin, kujdesin dhe vlerësimet e çmuara, dhe Sali Salihun, Enver Sadikun dhe Albert Zukën për kontributin e tyre të çmuar në këshilla, lekturim dhe dizajn.
Mirënjohje të veçantë për familjen time, për durimin, përkrahjen dhe dashurinë që më kanë dhënë gjatë gjithë procesit të përgatitjes së këtij dhe tri librave të tjerë me natyrë studimore e universitare.
Ky libër është më shumë se një botim profesional është një rrëfim i përvojës, pasionit dhe përkushtimit tim për gazetarinë si mision jetësor.
Është një ftesë për të gjithë ata që besojnë se e vërteta meriton të zbulohet, pavarësisht pengesave e rreziqeve që sjell ajo.
“Çdo hulumtim ka një mision, dhe çdo mision bart në vete një rrezik real. Ky përkufizim i thjeshtë mjafton për të kuptuar thelbin e gazetarisë hulumtuese, një profesion që jeton gjatë, sepse rrënjët e saj ushqehen nga e vërteta dhe drejtësia.
Gazetaria hulumtuese është dhe do të mbetet në shërbim të shoqërisë, zëri i atyre që nuk kanë zë, mbrojtësja e guximshme e së vërtetës dhe e çdo njeriu që përballet me padrejtësi, pavarësisht nëse ajo vjen nga individë, grupe kriminale apo struktura të kriminalizuara institucionale.
Gazetaria hulumtuese është gjithmonë aty e pranishme, e guximshme, e pa kompromis në çdo shtresë të shoqërisë, në çdo hapësirë ku e vërteta kërkon të dalë në dritë. Ajo na mëson kujdesin ndaj parasë publike, ndaj hajnisë së organizuar dhe krimit të maskuar me pushtet. Na paralajmëron për rreziqet që shpesh ia shkaktojmë vetes përmes heshtjes apo mosveprimit.
Ky është një mision që nuk fal lehtë dhe nuk përkëdhel askënd, pavarësisht pozitës, autoritetit apo pasurisë që dikush mund të ketë. Gazetaria hulumtuese nuk njeh frikë nga pushteti, sepse burimin e saj e ka te liria, përgjegjësia dhe ndërgjegjja qytetare.
Në thelb, gazetaria hulumtuese është edukim dhe vetëdije, një fuqi që përmirëson pushtete, reformon institucione dhe pastron ndërgjegje. Ajo ndjek të fuqishmit, i vë përballë fakteve dhe nuk i toleron të paskrupulltit që kërkojnë të ndërtojnë jetën mbi mashtrime, paragjykime apo krim.
Gazetaria hulumtuese është dhe do të mbetet shërbesë ndaj së vërtetës dhe shoqërisë, një mision që nuk ndalet, sepse e vërteta nuk pushon kurrë së kërkuari dritë”.
( Marrë nga Musa Sabedini, autori i librit: “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”).


