
Drita Halimi-Statovci
Promovimi i librit të Konferencës shkencore tetor 2025 me titull: PERSONALITETE DHE FIGURA ME VLERA SHKENCORE DHE KULTURORE SHQIPTARE NGA LUGINA E PRESHEVËS DHE VISE TË TJERA SHQIPTARE, mbajtur më 25-26 TETOR 2025 në Preshevë
Aktualiteti na mëson se kultura duhet gjurmuar aty ku jeton, por edhe ndryshe edhe aty ku ka jetuar dikur, qoftë kjo nën dhe ose mbi dhe e ku do që shfaqet. Po, tamam kështu! Ndërsa librat dhe teoritë etnologjike e antropologjike, sikurse edhe Gete i famshëm na mësojnë se “kush nuk di asgjë për të kaluarën nuk mund ta kuptojë të tashmen dhe as ta ndërtojë të ardhmen”. Domosdo shtoj këtu edhe thënien e Sami Frashërit[1] “njeriu pa arsim e pa kulturë është si një pemë e egër që nuk jep fryt”.
Tani po e vazhdojë këtë Promovim të Përmbledhësit të Konferencës shkencore të vitit 2025, dhe them se ky libër vërtetë shpërfaqë kulturë dhe arsim, madje me tematika më të ndryshme njerëzore-humane, shkencore dhe të dijes shqiptare përgjithësisht. Por, së pari, duhet kuptuar rëndësinë se libri shfaqet si një platformë, në të cilën realizohet takimi i një natyre shumë domethënëse, shumë dimensionale, natyrisht shkencore. Së dyti, lipset dalluar mrekullinë se brenda këtij Përmbledhësi voluminoz reflekton një pasqyrë reale shumë e rëndësishme e bashkëpunimit njerëzor shkencor, e takimeve shkencore dhe e shkëmbimit të dijes ndërmjet qarqeve shkencore e kulturore të trashëgimisë shqiptare përtej kufijve administrativ e shtetëror, si në Luginën e Preshevës, në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Malin i Zi, në Anamedvegjë dhe në Diasporën shqiptare.
Përmbledhësi mjaft voluminoz i punimeve të Konferencës së Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore i vitit 2025, jo se ofron materiale e të dhëna të dobishme të fushave të ndryshme shkencore, por njëherit ndriçon shumë figura, emra e personalitete meshkuj ose femra, të rëndësishme për shkencën dhe kulturën shqiptare kudo që këta jetuan e vepruan, që dhanë kontributin e vetë të çmuar. Natyrisht se me vizion e me përkushtim të sinqertë për ndërmarrje të këtillë, në këtë Konferencë por edhe në ato pararendëse të SHTKK të Preshevës, është përfshirë një numër i madh i autoriteteve të dëshmuara të shkencës e të kulturës shqiptare, dhe është ndriçuar identiteti kombëtar shqiptar, ndërsa kultura shqiptare gjithnjë është shpërfaqur si një dhe e pa ndarë, pa njohur kurrfarë kufijsh. E pra, kjo është bukuria dhe mrekullia e takimeve si këto që mbahen në Preshevë. Bukuria dhe domethënia e radhës, është se në aspektin e autorëve pjesëmarrës të konferencave me kumtesa janë përfshirë shumë studiues, shkencëtarë, hulumtues, veprimtarë e intelektualë, patriotë e dashamirës të trashëgimisë, pedagogë e muzikologë, poetë e piktorë e shumë të tjerë që shfaqet e pamundur të numërohen të gjithë.
Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Preshevës edhe kësaj radhe realizoi një Konferencë të frytshme, me plot personalitete të dijes e të shkencës, që realisht sajojnë një hapësirë të rëndësishme, përkatësisht një platformë shkencore të këmbimit të mendimeve, të përvojës, të arritjeve shkencore, të prezantimit e të zhvillimit të ideve të reja dhe krijimin e urave lidhëse të reja të bashkëpunimit shkencor ndërmjet shkencëtarëve të fushave më të ndryshme të trashëgimisë kulturore dhe të albanologjisë në përgjithësi. Prandaj, i gëzohemi faktit të pamohueshëm e të qëndrueshëm, të ekuilibruar mirë, se kultura shqiptare shfaqet rrënjëse aty ku është krijuar, ku krijohet dhe ku zhvillohet, ku e gjejmë në kujtesë e në aktualitet, në zakonet tona, në gjetjet tona arkeologjike, në këngët e në vallet tona në rite e në antroponime ose toponime e kështu me radhë. Kultura shqiptare si një dhe e pa ndarë, është identitet me karakter kombëtar dhe të këtillë e kemi trajtuar deri tani në Konferencat në Preshevë, dhe kështu do ta trajtojmë edhe në të ardhmen. Prandaj meritë e kësaj Konference dhe e atyre pararendëse është edhe kjo e arritur jo vetëm e pamohueshme, e mrekullueshme dhe e admirueshme, por është një shembull konkret i punës shkencore të Preshevës e të një treve të caktuar shqiptare, nga i cili shembull mund të mësojmë shumë.
Cilësisht dhe teknikisht Përmbledhësi i Konferencës së vitit 2025 është mjaft i ngritur, ndërsa numerikisht ka shumë autorë. Pa dalluar emra të veçantë, që gjithsesi e meritojnë, konstatoj se ka profile të ndryshme shkencëtarësh, ka të rinj e të moshuar, studentë e punonjës e hulumtues shkencor, por të gjithë të interesuar për kulturën shqiptare, qoftë kjo materiale, shpirtërore e shoqërore, si për një vlerë dhe një sukses të pamohueshëm. Konferencat e organizuara nga SHTKK si kjo e Preshevës, përveç përkushtimit, vizionit dhe misionit të tyre, na japin edhe shumë emocione, na ofrojnë shumë kulturë dhe shkencë dhe na tregojnë se vërtetë jemi një, prandaj edhe reflektojmë si një komb e një kulturë e njëjtë. Ndryshesat e vogla janë vetëm begati e kulturës shqiptare, janë tregues të pamohueshëm ku do që shfaqen, kudo ku kanë rrojtur ose rrojnë edhe sot. Nuk do të shtroj me këtë rast ndonjë vërejtjeje, ndonjë kërkesë apo sugjerim, sepse Përmbledhësi na ofron elemente e komponente më të vlefshme e më të bukura se sa sugjerimet që mund ti bëjë.
Kryetarin e SHTKK në Preshevë – vizionarin e palodhshëm zotëri Xhemaledin Salihu, të gjithë ndihmëtarët afër tij, traditën e krijuar të kësaj Shoqate, pjesëmarrësit autorë me kumtesa dhe dëgjuesit e interesuar, institucionet mbështetëse e përkrahëse të punës së Shoqatës, donatorët zemërgjerë e shumë organizmave të tjerë institucional dhe individëve, që natyrisht se nuk arrij t’i përmend që të gjithë, i përgëzoj nga zemra për këtë Përmbledhës të Konferencës së viti 2025, uroj për Konferencën e vitit 2026, dhe, mendoj se që të gjithë i gëzohemi takimeve në konferencat e së ardhmes.
Ju faleminderit për vëmendje,
Prishtinë-Preshevë, 25.10.2026
[1] Për Goethe dhe për Sami Frashërin, të shihet: Thënie të personaliteteve të shquara për kulturën botërore dhe shqiptare, qasje në internet në tetor 2026.


