Mjaft me inate politike – Kosova ka nevojë për marrëveshje dhe përgjegjësi

Shkrime relevante

Ngritu, Nënë Terezë

  Luan Dibrani, Gjermani Shtator 2026 Ngritu, moj Nënë Terezë, nga heshtja e dheut, se...

Kim Mehmeti, analist apo myk ideologjik në murin e shqiptarisë?

Nga Rrezart Kalaja Uashington, SHBA Ka njerëz që dalin në skenën publike me...

Debat me sulme paragjykuese ndaj Dejona Mihalit

Agim Vuniqi, Vashington ____ Kur bëhet fjalë për Dejona Mihalin, zyrtare e lartë...

Frika ka emër, ajo e ka emrin “propagandë rrencake”

Lirim Gashi, Prizren ____ FRIKA KA EMËR, AJO E KA EMRIN PROPAGANDA RRENCAJKA ____ Në...

Shpërndaj

Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan

Zgjedhjet përfunduan. Populli foli. Dikush fitoi më shumë, dikush humbi më shumë. Ky është realiteti normal i demokracisë dhe duhet të pranohet si i tillë nga të gjitha subjektet politike pa përjashtim. Por ajo që nuk është normale dhe nuk guxon të vazhdojë më është zvarritja e pafundme e krizave politike, bllokadave institucionale dhe akuzave reciproke që po e lodhin shtetin dhe po e zhgënjejnë qytetarin.
Për vite me radhë, skena politike në Kosovë është shndërruar në arenë konfliktesh, inatesh personale dhe kalkulimesh të ngushta partiake. Në vend që energjia politike të fokusohet në zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë, mirëqenien sociale dhe forcimin e shtetit, ajo është harxhuar në beteja të pafundme për pushtet, në gjuhë përçarëse dhe në bllokada që kanë dëmtuar seriozisht funksionimin normal të institucioneve.
Mjaft më me këtë qasje destruktive.
Kosova nuk ka luksin të humbë kohë të çmuar në lojëra politike të pakuptimta. Qytetarët janë lodhur nga krizat artificiale, nga vonesat në formimin e institucioneve dhe nga pamjet e një klase politike që shpesh duket sikur merret më shumë me luftën kundër njëri-tjetrit sesa me hallet e popullit. Për fat të keq, kemi arritur deri aty sa shpesh jemi bërë objekt talljeje dhe shembull negativ para botës për paaftësinë tonë për të ndërtuar konsensus minimal shtetëror.
Prandaj, tani është koha që liderët politikë të tregojnë pjekuri dhe përgjegjësi historike. Kritikat dhe akuzat le të mbeten pjesë e fushatave zgjedhore, por pas zgjedhjeve duhet të fillojë dialogu. Demokracia nuk nënkupton armiqësi të përhershme; ajo nënkupton garë politike, por edhe aftësi për kompromis në interes të shtetit.
Kosova ka nevojë urgjente për krijimin e institucioneve stabile: për formimin e qeverisë, konstituimin normal të kuvendit dhe zgjedhjen e presidentit pa vonesa të panevojshme. Çdo ditë e humbur në bllokada politike është dëm për ekonominë, për integrimet ndërkombëtare, për investimet, për besimin e qytetarëve dhe për vetë të ardhmen e vendit.
Asnjë parti politike nuk duhet ta konsiderojë shtetin pronë të vetën, por përgjegjësi të përbashkët. Askush nuk fiton kur vendi mbetet peng i inateve politike. Në fund, humbësi më i madh bëhet qytetari i zakonshëm, i cili pret punë, zhvillim, siguri dhe perspektivë për familjen e tij.
Historia do t’i gjykojë liderët jo për fjalët që kanë thënë në studio televizive apo në rrjete sociale, por për aftësinë që kanë pasur të vendosin interesin shtetëror mbi interesin partiak. Sot Kosovës nuk i duhen heronj të retorikës politike, por udhëheqës të arsyes, dialogut dhe kompromisit.
Është koha të ndalet politika e inatit dhe të fillojë politika e përgjegjësisë.
Sepse shteti nuk pret pafundësisht.

Më 12 qershor 2026

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu