
Agim Vuniqi, Vashington
____
Nga historia e zhvillimit industrial të Kosovës del një paradoks i madh: në kohën kur Kosova kishte më pak kompetenca politike se sot, kishte më shumë planifikim, më shumë studime dhe më shumë mendim profesional sesa në periudhën e pasluftës, kur u bë shtet i pavarur. Ky është një paradoks që meriton të ngrejë shqetësim serioz.
Një histori që nuk fillon dje
Sistemi elektroenergjetik i Kosovës nuk lindi me KEK-un, as me UNMIK-un dhe as me debatet e sotme për gazin amerikan, energjinë e erës apo panelet diellore.
Ai fillon në vitet gjashtëdhjetë, me Kombinatin Xehtaro-Energjetik të Kosovës (KXEMK), një ndërmarrje vertikalisht të integruar, e konceptuar sipas modeleve moderne të kohës, ku minierat e linjitit dhe termocentralet përbënin një tërësi funksionale.
Termocentrali “Kosova A”, me njësinë e parë të vënë në funksion më 1962, nuk ishte produkt i rastësisë. Pas tij qëndronin studime të gjata, ekspertë, projektues dhe institucione të specializuara.
Projektet kryesore u hartuan nga Energoprojekti i Beogradit, ndërsa financimi vinte kryesisht nga vetë Kosova dhe fondet federative, ku edhe Kosova kontribuonte.
Në këtë kuptim, Kosova jo vetëm që paguante zhvillimin e saj energjetik, por ndërtonte themelet e një ekonomie industriale moderne.
Gjermanët, amerikanët dhe teknologjia që i rezistoi kohës
Pak qytetarë e dinë se Termocentrali Kosova A përfaqësonte një kombinim të teknologjive më të avancuara të kohës.
Njësitë A1 dhe A2 u mbështetën në teknologjinë e kaldajave gjermane, ndërsa turbinat ishin të prodhimit të kompanisë amerikane Westinghouse, emër që edhe sot konsiderohet sinonim i inxhinierisë energjetike botërore.
Njësitë A3, A4 dhe A5 u ndërtuan me teknologji të Evropës Lindore, ku kaldajat ishin me origjinë polake, ndërsa pajisjet e tjera u integruan sipas standardeve të kohës.
Më vonë, ndërtimi i Termocentralit Kosova B me dy njësi prej 339 MW secila, në vitet 1983-1984, e vendosi Kosovën ndër qendrat më të rëndësishme energjetike të ish-Jugosllavisë.
Në këtë sistem u investuan miliarda dollarë në vlerën e sotme. Por mbi të gjitha, u investua dije.
Brezi i inxhinierëve që mendonte për dekada, jo për mandate
Në atë kohë ekzistonin sektorë të planifikimit afatgjatë, laboratorë, institute projektuese, qendra të mirëmbajtjes dhe ekipe të tëra ekspertësh. Vendimet nuk merreshin në studio televizive. Nuk merreshin në Facebook. Nuk merreshin sipas cikleve zgjedhore. Ato merreshin pas analizave teknike, ekonomike dhe studimeve të fizibilitetit. Inxhinierët mendonin për tridhjetë vitet e ardhshme. Politikanët e sotëm, shpesh mezi arrijnë të mendojnë për zgjedhjet e ardhshme.
Tragjedia e pasluftës
Pas vitit 1999, Kosova krijoi ministri, agjenci, borde, autoritete dhe dhjetëra institucione të reja. Por askujt nuk i shkoi ndër mend të themelojë një Institut Kombëtar të Energjisë. Një vend me rezervat e pesta më të mëdha të linjitit në botë. Një vend me më shumë se gjashtëdhjetë vjet përvojë në prodhimin e energjisë.
Një vend që pretendon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Por pa një institut të vetin energjetik. Pa një qendër kombëtare të studimeve të fizibilitetit. Pa një qendër strategjike për teknologjitë e reja. Pa një laborator kombëtar. Pa një tru institucional. Kjo është ndoshta humbja më e madhe e Kosovës së pasluftës.
Kur politika zëvendëson shkencën
Në mungesë të ekspertizës së institucionalizuar, boshllëkun e ka zënë politika. Politikanë që flasin për LNG-në pa pasur studime. Politikanë që flasin për hidrogjenin pa pasur analiza. Politikanë që flasin për mbylljen e termocentraleve pa pasur alternativa.
Politikanë që flasin për tranzicionin e gjelbër pa ditur historinë e sistemit që e kanë trashëguar. Paradoksi bëhet edhe më i madh kur kuptohet se në vitet gjashtëdhjetë, shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë, Kosova kishte më shumë mbështetje shkencore për zhvillimin energjetik sesa sot. Edhe pse atëherë nuk ishte shtet.
Çfarë do të bënin amerikanët dhe gjermanët?
Asnjëherë nuk do ta linin një sektor strategjik vetëm në duart e politikës. Në Shtetet e Bashkuara, Departamenti i Energjisë mbështetet nga laboratorë kombëtarë dhe institute kërkimore.
Në Gjermani, vendimet mbështeten në institutet Fraunhofer, qendrat kërkimore dhe universitetet. Në Francë ekziston tradita e planifikimit shtetëror përmes ekspertizës teknike.
Vetëm në Kosovë, shpesh krijohet përshtypja se një deklaratë politike mund të zëvendësojë një studim fizibiliteti.
Por fizika nuk negocion.
Termodinamika nuk bën kompromis.
Ligjet e energjisë nuk votojnë në parlament.
Koha për një rilindje të mendimit energjetik
Ndoshta projekti më i rëndësishëm kombëtar nuk është ndërtimi i termocentralit të ardhshëm.
As gazsjellësi.
As panelet diellore.
Por krijimi i Institutit Kombëtar të Energjisë së Kosovës.
Një institucion ku do të bashkoheshin përvoja e gjeneratës së vjetër të inxhinierëve të KXEMK-së, Elektroekonomisë së Kosovës dhe KEK-ut, me dijen e brezit të ri universitar. Sepse shtetet serioze ndërtojnë institucione që zgjasin më shumë se qeveritë. Ndërsa energjia është tepër e rëndësishme për t’u lënë në mëshirën e improvizimeve politike. Dhe ndoshta pyetja më e dhimbshme që duhet t’i shtrojmë vetes është kjo:
Si ka mundësi që Kosova e vitit 1962 kishte më shumë mendim të organizuar energjetik sesa Kosova e pavarur e vitit 2026? Sepse historia e energjisë së Kosovës nuk është vetëm histori e termocentraleve dhe e linjitit.
Është histori e dijes.
Dhe asnjë komb nuk mund të ndërtojë të ardhmen e tij duke harruar dijen që e solli deri këtu.


