Nga Frank Shkreli
____
Në historinë e popujve ka fjalë që nuk janë thjesht pjesë e fjalorit. Ato janë simbole të identitetit, të karakterit dhe të ndërgjegjes së një kombi. Edhe për shqiptarët, ka fjalë që nuk janë thjesht pjesë e fjalorit, por përfaqësojnë shtyllat morale mbi të cilat është ngritur identiteti kombëtar i shqiptarëve. Dy prej tyre janë Rilindja dhe Besa.
Për shumë shqiptarë, emri Rilindje evokon menjëherë Rilindjen Kombëtare, atë epokë të ndritur kur mendimtarë, shkrimtarë dhe patriotë, me sakrifica të jashtëzakonshme, hodhën themelet e ndërgjegjes kombëtare dhe të shtetit shqiptar. Megjithatë, në vitet e fundit kjo fjalë është përdorur nga qeveria aktuale socialiste si emërtim politik, duke zbehur për shumëkënd kuptimin e saj historik dhe simbolik. Sot duket se një fat i ngjashëm po i kanoset edhe fjalës Besa. Thjesht, një keqpërdorim i fjalëve me peshë kombëtare! Ashtu, siç përdoret gjithnjë nga partia në pushtet, fjala Rilindje e cila në historinë shqiptare lidhet me Rilindjen Kombëtare dhe sakrificat e rindësve për gjuhën, kulturën dhe shtetin shqiptar, sot po rrezikon të banalizohet edhe fjala Besa.
Kur qeveritë ose partitë politike përvetësojnë simbole të tilla për qëllime politike propagandistike, lind pyetja: a po u japin atyre përmbajtje përmes veprave, apo thjesht po përpiqen të përfitojnë nga pesha emocionale dhe historike që ato mbartin? Fjalët me peshë kombëtare nuk duhet të shërbejnë si dekor politik. Ato duhet të mbeten pronë e të gjithë shqiptarëve. Asnjë qeveri nuk mund të monopolizojë Besën, ashtu siç nuk mund të monopolizojë Rilindjen. Besa nuk shpallet; ajo mbahet. Rilindja nuk mund të dekretohet. Ajo ndërtohet me punë, ndershmëri dhe përkushtim ndaj interesit kombëtar. Prandaj vendimi i Kryeministrit Edi Rama, ditët e fundit, për ta pagëzuar programin e ri qeveritar me emrin “Besa”, nuk është një zgjedhje e zakonshme politike. Ai prek një trashëgimi morale që nuk i përket asnjë partie dhe asnjë qeverie. “Besa” nuk është pronë e një partie politike as e ndonjë pushteti ose individi. Ajo është pronë e Kombit shqiptar.
Në traditën shqiptare, Besa nuk ka qenë kurrë një dekor retorik, as një mjet politik. APër shqiptarët, ajo ishte dhe mbetet fjala e dhënë, e cila nuk shkeltj. Ishte garancia e nderit personal dhe e dinjitetit familjar e kombëtar. Në Kanunin e Lekë Dukagjinit, të mbledhur nga At Shtjefën Gjeçovi, Besa përbën një nga shtyllat kryesore të rendit shoqëror. Ajo siguronte paqen, mbronte mikun dhe vendoste besimin aty ku mungonin institucione. Frank Shkreli/ Na ishte dikur besa e shqiptarit! | Gazeta Telegraf
Edith Durham, mikja e madhe e shqiptarëve, kishte mbetur e mahnitur nga pesha që kishte fjala e dhënë në jetën e shqiptarëve. Për të, si e huaj, besa ishte dëshmi se nderi te shqiptarët kishte më shumë fuqi se frika dhe se morali kishte më shumë peshë se forca. Ndërkaq, Faik Konica i madh e konsideronte nderin dhe karakterin si themelet mbi të cilat mund të ndërtohej një Shqipëri e qytetëruar. Ai paralajmëronte, vazhdimisht, se një komb nuk ngrihet me fjalë të mëdha, por me përgjegjësi morale dhe me respekt ndaj së vërtetës. Edhe At Gjergj Fishta i madh, në veprën e tij, e ngriti Besën në rangun e një virtyti kombëtar. Në botën shqiptare të “Lahutës së Malcis”, nderi, fjala e dhënë dhe Besa janë shtyllat mbi të cilat qëndron dinjiteti malësorit, i burrit shqiptar dhe i kombit, në përgjithësi. Për Fishtën, shqiptari humb gjithçka kur humbet Besën. Ndërsa, At Shtjefën Gjeçovi, në përmbledhjen e Kanunit të Lekë Dukagjinit, e paraqet Besën si një nga shtyllat themelore të rendit zakonor shqiptar. Ajo ishte garanci paqeje, sigurie dhe besueshmërie. Edhe kur kishte gjakmarrje, Besa krijonte një periudhë paqeje që respektohej nga të gjitha palët, një praktikë shoqëroroe që edhe sot respektohet në malësitë tona. Kjo tregon se Besa nuk ishte një slogan emocional, por një normë juridike e morale për shqiptarët. Edhe shkrimtari Ismail Kadare e ka trajtuar Besën si një nga simbolet më të fuqishme të qytetërimit shqiptar. Në veprat e tij, ajo nuk paraqitet thjesht si zakon, por si një kategori morale që përfaqëson, jo vetëm identitetin por edhe dinjitetin kombëtar.
Por ndoshta dëshmia më e fuqishme e kësaj vlere nuk gjendet vetëm në letërsi apo në Kanun. Ajo gjendet në historinë e Luftës së Dytë Botërore. Kur mijëra hebrenjë kërkonin strehë për t’i shpëtuar shfarosjes naziste, shqiptarët, pa dallime fetare, krahinore a politike të kohës, Frank Shkreli:Pse nuk përmendet roli unik i Kol Bib Mirakës për shpëtimin e hebrejve në Shqipëri në Luftën e Dytë Botërorë? | Gazeta Telegraf –hapën dyert e shtëpive të tyre. Ata nuk pyetën për fenë, kombin, as politikën apo prejardhjen e tyre. Shqiptarët e asaj kohe, pa dallim, i mbrojtën hebrenjët nga nazistët sepse e ndienin si detyrim moral – bazuar në Besën e dhënë. Në shumë dëshmi të mbijetuarish përsëritet e njëjta ide: shqiptarët e mbajtën fjalën, sepse kishin dhënë Besën! Pikërisht, siç dihet tanimë edhe përtej kufijve të Shqipërisë, ky gjest bëri që Shqipëria të mbetej një nga rastet më të rralla në Evropë ku numri i hebrenjve pas luftës ishte më i madh se para saj.
Ky është kuptimi i vërtetë i Besës shqiptare. Prandaj lind pyetja: a mund të përdoret një trashëgimi e tillë si emër i një programi politik qeveritar, sot? Sigurisht që askush nuk mund ta ndalojë ligjërisht përdorimin e kësaj fjale, qoftë, nga një qeveri ose individ. Por, ama, ekziston edhe një përgjegjësi morale dhe kombëtare që nuk guxon të shkelet nga askush. Zakonisht, simbolet kombëtare do duhej të fitojnë respekt kur qëndrojnë mbi ndarjet politike, dhe jo kur bëhen pjesë e tyre. Duke pasur parasysh se, normalisht, një qeveri nuk gjykohet nga emri që i vë programeve të saj, por gjykohet nga mbajtja e premtimeve, nga drejtësia që ushtron ose jo, nga transparenca dhe nga shërbimi dhe respekti ndaj qytetarëve të vet, në përgjithsi dhe pa dallim. Nëse këto mungojnë, atëherë edhe emri dhe fjala më fisnike rrezikon të humbasë kuptimin e vet. Se Besa nuk është një markë politike dhe as një slogan fushate. Besa, është një nga vlerat më të lashta të kombit shqiptar, e mishëruar në Kanunin e Lekë Dukagjinit, (shpesh subjekt talljeje nga ish-regjimi komunist por edhe sot). Për shekuj me radhë, besa ka nënkuptuar fjalën e mbajtur, nderin, përgjegjësinë morale dhe kombëtare, si dhe gatishmërinë për të mbrojtur tjetrin madje edhe me sakrifica personale. Prandaj, kjo është arsyeja pse shumëkush mund ta shohë përdorimin sot të Besës për qëllime politike — si një banalizim të një ideje që, historikisht, u përket të gjithë shqiptarëve, pavarësisht bindjeve partiake, politike, krahinore a fetare. Është e turpshme që vlera historike dhe kombëtare e Besës të monopolizohet në këtë mënyrë, nga cilado parti, qeveri, parti apo lider politik, qoftë.
Si mund të përdoret ose të konsiderohet Besa si një strategji komunikimi të një program politik? Historia nuk do të kujtojë emrin e një programi qeveritar politik me këtë emër, por do të kujtojë nëse fjala e dhënë u mbajt apo u thye. Sepse, në traditën shqiptare, Besa nuk matet me deklarata, as me programe politike. Ajo matet me vepra. Dhe kjo është arsyeja pse Besa duhet të mbetet e paprekshme, gjithmonë mbi politikën dhe jo të monopolizohet, politikisht, në këtë mënyrë! Për ata që kanë sensin dhe respektin e historisë, Besa dhe vlera tjera kombëtare duhet të mbeten dhe të ruhen si porosi e të parëve, si nder i shqiptarit që e dallon nga popuj të tjerë dhe jo të çoroditet dhe të përdoret në këtë mënyrë nga politika dhe pushteti në fuqi, për qëllimet politike të rastit, nën presioniet e protestave dhe revoltës mbarë popullore në Shqipëri.
Besa shqiptare nuk mund dhe nuk duhet të përdoret në këtë mënyrë banale, se ajo nuk ka lindur në zyrat e shtetit dhe nuk është krijuar nga politika. Ajo ka lindur në jetën e shqiptarëve ndër shekuj, në familje, në fis, në kuvend dhe në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Ajo ishte garancia më e fortë e fjalës së dhënë, shumë kohë përpara se të ekzistonin kontratat e shkruara të korrupcionit, manipulimet politike, apo institucionet moderne shtetërore. Historikisht, shqiptari mund të humbiste pasurinë, por jo Besën. Humbja e Besës nënkuptonte humbjen e nderit… humbjen e gjithçkaje. Shkelja e besës, në disa raste konsiderohej si një ndër fajet më të rënda morale e shoqërore, me pasojë që personi të përjashtohej ose të izolohej nga fisi ose nga katundi – ose në minimum të mos i jepj më besë dhe të mos merrej fjala e tij më si e besueshme!
Prandaj, fjalët si Besa, Rilindja, simbolet dhe vlerat që u kanë mbijetuar shekujve meritojnë respekt të veçantë, sepse ato nuk janë pronë e qeverive të radhës. Janë pasuri e mbarë Kombit! Sidomos Besa është amanet i brezave që paraprinë. Ajo nuk fitohet me një vendim qeverie dhe nuk shpallet me konferenca për shtyp ose në mtingje partiake. Ajo fitohet çdo ditë, me ndershmëri, përgjegjësi dhe mbajtje të fjalës. Se Besa e shqiptarit nuk shitet pazarit, sipas qejfit! Nëse politika shqiptare sot, dëshiron t’i shërbejë vërtetë Besës, nuk ka nevojë ta përdorë si slogan. Mjafton ta zbatojë si parim. Vetëm atëherë fjala “Besë” do të ruaj madhështinë që i kanë dhënë historia, kultura, tradita dhe ndërgjegjja e Kombit shqiptar, në shekuj. “Besa, kjo mrekulli e botës shqiptare, me të cilën ndiesia heroike e detyrës dhe e nderës, e shëroi gjatë shekujve plagën etnike të indvidualizmës”, Frank Shkreli: Kjo ndodhë vetëm në Shqipëri, gjithmonë për mirë! | Gazeta Telegraf
Kjo është arsyeja, pra se pse BESA duhet të mbetet mbi politikën, si porosi e të parëve, si nder i shqiptarit dhe si një nga dhuratat më të çmuara që Kombi shqiptar i ka dhënë qytetërimit evropian dhe më gjërë. Edhe njpherë, Besa nuk shpallet me dekret, ajo provohet. Besa as nuk trashëgohet me pushtet, as nuk dekretohet nga pushteti, por fitohet me karakter. Një kujtesë për ata që as sot nuk ia dinë kuptimin e vërtetë fjalës Besë: për shqiptarin, Besa nuk është thjesht një fjalë që thuhet, ajo është një fjalë që mbahet!


