
Sa herë që Serbia humb kapacitetin për të operuar përmes strukturave të saj në terren, ajo zhvendos aktivitetin drejt metodave të luftës hibride. Kjo nuk është një taktikë e re, por një evolucion i mënyrës së mbledhjes së inteligjencës. Në vend të rrjeteve klasike të vëzhgimit, përdoren mjete teknologjike që krijojnë një prani të vazhdueshme informative. Pikërisht në këtë kontekst duhet parë çdo rrjet i kamerave të vendosura në mënyrë të paligjshme në veri të Kosovës.
Nëse këto kamera funksionojnë me SIM kartela aktive dhe internet të paguar për të garantuar transmetim 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, atëherë nuk kemi të bëjmë me pajisje të zakonshme të regjistrimit. Kemi të bëjmë me një infrastrukturë të aftë për të mbledhur inteligjencë në kohë reale, duke monitoruar vazhdimisht hapësirën ku veprojnë institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë.
Objektivi nuk është vetëm të shihet se çfarë ndodh në rrugë. Objektivi është të ndërtohet një pasqyrë e plotë operative mbi lëvizjet e Policisë së Kosovës, reagimet taktike, oraret e patrullimit, pikat e kontrollit, procedurat operacionale, si dhe aktivitetet e KFOR-it, EULEX-it dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë që kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Ky informacion mund të shfrytëzohet për analizë, planifikim dhe koordinim nga aktorë që synojnë të sfidojnë autoritetin institucional të Republikës së Kosovës.
Prandaj, largimi i këtyre kamerave nuk është thjesht një aksion teknik apo administrativ. Ai përfaqëson një operacion kundër një infrastrukture të mundshme të mbledhjes së inteligjencës. Në luftën moderne, kontrolli i informacionit është po aq i rëndësishëm sa kontrolli i territorit. Kush monitoron lëvizjet e forcave të sigurisë, fiton avantazh informativ që mund të përdoret për të shmangur veprimet policore, për të paralajmëruar rrjetet kriminale ose për të ndërtuar një pasqyrë të plotë të kapaciteteve shtetërore.
Policia e Kosovës meriton vlerësim për goditjen e çdo infrastrukture të tillë, por sfida nuk përfundon me çmontimin e kamerave. Hetimi duhet të shkojë deri te organizatorët, financuesit dhe administruesit e këtyre rrjeteve, duke zbardhur kush paguan SIM kartelat, kush financon trafikun e internetit, ku transmetohen të dhënat dhe kush i analizon ato. Duke pasur parasysh modelin e deritanishëm të operacioneve hibride kundër Republikës së Kosovës, një nga pistat kryesore të hetimit duhet të jetë verifikimi i çdo lidhjeje me strukturat shtetërore të Serbisë, përfshirë rrjetet e inteligjencës të lidhura me Agjencinë e Inteligjencës së Sigurisë së Serbisë (BIA).
Nëse një lidhje e tillë provohet nga autoritetet kompetente, atëherë nuk do të bëhej fjalë për veprime të izoluara kriminale, por për një operacion të organizuar të mbledhjes së inteligjencës me mbështetje shtetërore.
Në këtë fazë shtrohen disa pyetje me rëndësi strategjike. Kush i vendosi këto kamera dhe kush i administronte ato? A ekzistojnë ende rrjete të vëzhgimit njerëzor, të financuara dhe të koordinuara në terren, pavarësisht shpërbërjes së strukturave të ashtuquajtura të “Mbrojtjes Civile”? A ishte ky operacion rezultat i koordinimit të plotë ndërinstitucional ? Cili është roli i mekanizmave të inteligjencës të KFOR-it dhe i strukturave monitoruese të EULEX-it në identifikimin dhe parandalimin e infrastrukturave të tilla para se ato të konsolidohen? Dhe mbi të gjitha, a ekzistojnë ende individë ose rrjete brenda Republikës së Kosovës që bashkëpunojnë me strukturat shtetërore të Serbisë, duke ofruar mbështetje logjistike, teknike apo operative për aktivitete të tilla?
Përgjigjet ndaj këtyre pyetjejeve janë shumë më të rëndësishme sesa vetë çmontimi i kamerave. Ato do të tregojnë nëse kemi të bëjmë me një incident të izoluar apo me një arkitekturë më të gjerë të inteligjencës hibride, e cila vazhdon të funksionojë në veri të Kosovës përmes teknologjisë, rrjeteve mbështetëse dhe bashkëpunëtorëve lokalë.
Kosova nuk përballet më vetëm me kërcënime tradicionale. Sot sfida është një luftë hibride ku kamerat, rrjetet mobile, platformat e komunikimit dhe teknologjia përdoren si mjete për mbledhjen e informacionit dhe cenimin e sigurisë kombëtare. Çdo pajisje e vendosur në mënyrë të paligjshme duhet trajtuar si një kërcënim potencial ndaj rendit kushtetues dhe aftësisë së institucioneve të sigurisë për të vepruar pa u monitoruar nga aktorë armiqësorë.
Lufta hibride nuk zhvillohet vetëm me armë; ajo zhvillohet me informacion, teknologji dhe rrjete të fshehta që synojnë të sfidojnë sovranitetin e shtetit.
Shih videon:


