ARKIVI:
2 Gusht 2026

Europa dhe Shqiptarët

Shkrime relevante

Letër e hapur drejtuar Kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti

Mehmet Lajqi ____ Lënda: Kërkesë për rivendosjen e sundimit të ligjit, mbrojtjen e...

Agim Morina për fillimin e luftës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kundër Perendorisë Osmane

Agim Morina, Prizren ___ Lufta e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kundër Perandorisë Otomane...

Europa dhe Shqiptarët

Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan Nga kujtesa e së kaluarës te partneriteti...

Kur diplomacia paralele e dobëson Kosovën

Agim Vuniqi, Vashington ___ Diplomacia nuk matet me numrin e konsullatave, por me...

Në Kishën e Papiqit të Deçanit u pagëzuan njëzet veta dhe u themelua Bashkësia Katolike Shqiptare e Insiqit

​Nga nderimi i dëshmorëve te pagëzimet, themelohet Bashkësia Katolike Shqiptare e...

Shpërndaj

Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan

Nga kujtesa e së kaluarës te partneriteti i së ardhmes

Hyrje – Një marrëdhënie që duhet rishikuar me sy të ri

Marrëdhënia e shqiptarëve me Evropën është një marrëdhënie e ndërlikuar, e mbushur me histori, kujtime, zhgënjime, por edhe me shpresa dhe orientime të fuqishme drejt Perëndimit. Për më shumë se një shekull, në ndërgjegjen kolektive shqiptare është krijuar bindja se Evropa, sidomos Fuqitë e Mëdha evropiane, në momente vendimtare të historisë sonë nuk kanë qenë në anën e interesave shqiptare.
Kjo bindje nuk ka lindur pa arsye.
Vendimet e Kongresit të Berlinit të vitit 1878, Konferencës së Londrës të vitit 1913 dhe zhvillimet e tjera diplomatike të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX prekën drejtpërdrejt fatin e trojeve dhe të popullsisë shqiptare. Krijimi i shtetit shqiptar më 1912–1913 ishte një arritje historike, por njëkohësisht një pjesë e madhe e trojeve të banuara nga shqiptarë mbeti jashtë tij.
Këto janë plagë të historisë sonë dhe nuk ka arsye të harrohen.
Por pyetja që duhet t’i bëjmë vetes sot është tjetër:
A duhet që vendimet e Evropës së shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX të vazhdojnë të përcaktojnë marrëdhënien e shqiptarëve me Evropën e shekullit XXI?
Përgjigjja ime është: jo.
Historia duhet të kujtohet, të studiohet dhe të shpjegohet drejt. Por ajo nuk duhet të shndërrohet në një pengesë psikologjike që na pengon të kuptojmë ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në Evropë dhe në botë.
Shqiptarët duhet të mësojnë të bëjnë një dallim të qartë midis Evropës së fuqive dhe rivaliteteve të shekullit XIX dhe Evropës së integruar të shekullit XXI, të përfaqësuar nga Bashkimi Evropian.
Ky dallim është vendimtar për të ardhmen tonë.

1. Historia që nuk duhet harruar

Në fundin e shekullit XIX, çështja shqiptare u zhvillua në një Evropë ku interesat e Fuqive të Mëdha, rivalitetet gjeopolitike dhe dobësimi i Perandorisë Osmane përcaktonin fatin e popujve të Ballkanit.
Shqiptarët hynë në këtë periudhë pa një shtet të konsoliduar dhe me një hapësirë të gjerë të banuar prej tyre, por të ndarë administrativisht dhe politikisht. Lëvizja Kombëtare Shqiptare u përpoq të mbrojë identitetin dhe territoret shqiptare, ndërsa fqinjët ballkanikë dhe Fuqitë e Mëdha ndiqnin interesat e tyre.
Kongresi i Berlinit dhe më pas Konferenca e Londrës mbeten pika të rëndësishme të kësaj kujtese historike.
Por duhet të kemi guximin ta shohim historinë në tërë kompleksitetin e saj. Copëtimi i hapësirave shqiptare nuk mund të shpjegohet vetëm me një “komplot evropian” apo vetëm me një faktor të vetëm. Në të u ndërthurën dobësimi i Perandorisë Osmane, nacionalizmat ballkanikë, interesat e shteteve fqinje, rivalitetet ndërmjet Fuqive të Mëdha, dobësia institucionale dhe politike e shqiptarëve (që fakeqësisht po na përjell edhe tash) dhe mungesa e një shteti shqiptar të konsoliduar.
Ky sqarim nuk e zvogëlon dhimbjen e historisë.
Përkundrazi, e bën analizën tonë më të drejtë dhe më të fuqishme.
Një popull që dëshiron të ndërtojë të ardhmen duhet ta njohë historinë pa mite, por edhe pa komplekse.

2. Stereotipet që vazhdojnë të veprojnë “nën rrogoz”

Historia nuk jeton vetëm në libra. Ajo jeton edhe në kujtesën e familjeve, në rrëfimet e brezave dhe në mënyrën se si një shoqëri e percepton botën.
Prandaj, edhe sot, në një pjesë të opinionit shqiptar mund të haset ideja se:
“Evropa gjithmonë ka qenë kundër shqiptarëve.”
Ky është një stereotip që duhet analizuar, jo thjesht mohuar.
Ai është krijuar mbi përvoja reale, por është përgjithësuar përtej kufijve të tyre historikë. Rreziku qëndron në faktin se një kujtesë e tillë, nëse nuk rishikohet në dritën e realiteteve të reja, mund të prodhojë mosbesim ndaj vetë Evropës së sotme.
Kjo do të ishte një gabim strategjik.
Sepse nuk është e njëjta gjë të thuash:
“Disa vendime historike evropiane kanë qenë të padrejta ndaj shqiptarëve” dhe të thuash:
“Evropa është në thelb kundër shqiptarëve.”
E para është një tezë historike që mund të argumentohet dhe diskutohet. E dyta është një përgjithësim që na mbyll rrugën drejt së ardhmes.
Ne duhet ta ruajmë të parën dhe ta kapërcejmë të dytën.

3. Evropa e Berlinit nuk është Evropa e Bashkimit Evropian

Ky është ndoshta dallimi më i rëndësishëm që duhet të bëjmë.
Evropa e Kongresit të Berlinit ishte një Evropë e Fuqive të Mëdha, e rivaliteteve imperiale dhe e ekuilibrave të forcës.
Bashkimi Evropian është një projekt krejt tjetër historik dhe politik.
BE-ja është ndërtuar mbi idenë se vendet evropiane duhet ta zëvendësojnë konfliktin me bashkëpunim, rivalitetin me integrim dhe arbitraritetin me rregulla të përbashkëta.
Kjo nuk do të thotë se BE-ja është e pagabueshme.
As nuk do të thotë se çdo politikë evropiane është domosdoshmërisht në përputhje me interesat shqiptare.
Por do të ishte gabim të barazohej Evropa e sotme me Fuqitë e Mëdha të së kaluarës.
Shqiptarët nuk kanë përballë të njëjtën Evropë që kishin përballë para më shumë se një shekulli.
Kjo është një pikë ku duhet të ndryshojë edhe mentaliteti ynë.

4. Një paradoks i madh shqiptar

Historia shqiptare përmban një paradoks të jashtëzakonshëm.
Shqiptarët kanë përjetuar momente kur vendimmarrja e Fuqive të Mëdha evropiane i ka dëmtuar rëndë interesat e tyre, por në të njëjtën kohë shqiptarët kanë ruajtur një orientim të fuqishëm drejt Perëndimit.
Edhe pse shumica e shqiptarëve u konvertuan në islam gjatë periudhës osmane, kjo nuk e zhduku identitetin e tyre kombëtar dhe as lidhjen e tyre kulturore e gjeografike me Evropën.
Përkundrazi, shqiptarët kanë zhvilluar një model të veçantë të bashkëjetesës ndërfetare dhe kanë dëshmuar se identiteti kombëtar mund të qëndrojë mbi ndarjet fetare.
Kjo është një vlerë që duhet ta shohim si pasuri shqiptare dhe evropiane.
Shqiptarët nuk duhet t’i thonë Evropës:
“Na pranoni pavarësisht dallimeve tona.”
Duhet t’i thonë:
“Ne jemi pjesë e Evropës dhe dëshirojmë të kontribuojmë në vlerat e saj duke ruajtur identitetin tonë.”

5. Kosova – pika më e ndjeshme e marrëdhënies shqiptaro-evropiane

Nëse ekziston një vend ku kjo qasje e re është veçanërisht e nevojshme, ai është Kosova.
Kosova ka arsye të forta historike dhe politike për të qenë e ndjeshme ndaj qëndrimeve evropiane. Ajo ka përjetuar luftë, represion dhe një proces të vështirë ndërkombëtar për konsolidimin e shtetësisë së saj.
Por pikërisht Kosova ka edhe një arsye të fuqishme për të qenë thellësisht proevropiane.
Sepse liria dhe perspektiva e saj janë të lidhura ngushtë me hapësirën euroatlantike.
Prandaj duhet të bëjmë një dallim të rëndësishëm:
Të kritikosh një politikë të BE-së nuk do të thotë të jesh kundër Evropës.
Përkundrazi, një partner i pjekur evropian ka të drejtë të kritikojë, të argumentojë dhe të kërkojë ndryshim.
Kosova duhet të mësojë të jetë proevropiane edhe kur nuk pajtohet me Evropën.
Kjo është shenjë e pjekurisë politike, jo dobësi.

6. Nga “çfarë na ka bërë Evropa?” te “çfarë mund të ndërtojmë bashkë?”

Kjo duhet të jetë kthesa e madhe në mendësinë tonë.
Për një kohë të gjatë, një pjesë e diskursit shqiptar është përqendruar te pyetja:
Çfarë na ka bërë Evropa?
Kjo pyetje ka rëndësi historike.
Por për të ardhmen duhet të shtrojmë një pyetje tjetër:
Çfarë mund të ndërtojmë së bashku me Evropën?
Këtu fillon politika e re.
Shqipëria dhe Kosova duhet të synojnë integrimin në BE jo thjesht për të përfituar fonde, tregje, lëvizje të lirë apo siguri.
Duhet të synojnë të bëhen pjesë aktive e vendimmarrjes evropiane.
Sepse interesat shqiptare nuk mbrohen më së miri duke qëndruar jashtë Evropës dhe duke e kritikuar atë nga larg.
Ato mbrohen duke hyrë brenda institucioneve, duke ndërtuar aleanca, duke fituar besim dhe duke marrë pjesë në vendimmarrje.

7. Interesi gjithëshqiptar dhe Evropa nuk janë kundërshtime

Këtu duhet të çlirohemi nga një keqkuptim tjetër.
Interesi kombëtar shqiptar nuk është domosdoshmërisht në kundërshtim me integrimin evropian.
Përkundrazi, në kushtet e shekullit XXI, integrimi evropian mund të jetë një nga format më të fuqishme të realizimit të interesave shqiptare.
Shqipëria dhe Kosova mund të forcojnë lidhjet ekonomike, infrastrukturore, arsimore, kulturore dhe njerëzore, ndërsa të dyja ecin drejt BE-së.
Kjo do të krijonte një hapësirë shqiptare shumë më të integruar ekonomikisht e kulturorisht, pa cenuar shtetet ekzistuese dhe pa krijuar konflikte të reja territoriale.
Kjo është një qasje moderne ndaj interesit kombëtar:
jo ndryshim kufijsh, por heqje e barrierave;
jo përplasje me Evropën, por integrim në Evropë;
jo izolim kombëtar, por bashkëpunim ndërkombëtar.

8. Çfarë duhet të ndryshojmë te vetja?

Nuk mund t’i kërkojmë Evropës të na besojë nëse institucionet tona nuk janë të besueshme.
Nëse duam integrim evropian, duhet të ndërtojmë shtete evropiane në standarde dhe  funksionale.
Kjo do të thotë:
shtet ligjor; drejtësi funksionale; luftë kundër korrupsionit;
administratë profesionale; arsim cilësor; ekonomi konkurruese;
institucione të qëndrueshme; respekt për pakicat; demokraci funksionale dhe përgjegjësi politike.
Evropa nuk duhet të jetë vetëm një destinacion ku duam të shkojmë. Ajo duhet të jetë standardi me të cilin duam ta ndërtojmë shtetin tonë.

9. Por edhe Evropa duhet ta kuptojë më mirë Kosovën dhe shqiptarët

Partneriteti nuk është rrugë njëkahëshe. Edhe Evropa duhet të bëjë përpjekje më të mëdha për ta kuptuar historinë, realitetin dhe ndjeshmëritë e shqiptarëve.
Kosova nuk mund të shihet vetëm përmes raporteve teknike, krizave politike apo problemeve të saj të brendshme.
Duhet parë edhe si shoqëri që ka kaluar një histori të rëndë, që ka investuar fuqishëm në orientimin euroatlantik dhe që ka nevojë për perspektivë të qartë evropiane.
Evropa duhet ta kuptojë se besimi nuk ndërtohet vetëm me kërkesa që vijnë nga Brukseli drejt Prishtinës, por edhe me dëgjimin e shqetësimeve që vijnë nga Prishtina drejt Brukselit.
Nëse duam besim të ndërsjellë, duhet të ketë respekt të ndërsjellë.

10. Një diplomaci shqiptare më e mençur

Shqipëria dhe Kosova duhet të investojnë shumë më tepër në diplomaci profesionale dhe strategjike.
Jo diplomaci të deklaratave emocionale.
Jo diplomaci të viktimizimit.
Jo diplomaci që kujtohet vetëm kur paraqitet një krizë.
Por diplomaci të përhershme, të argumentuar dhe të orientuar drejt ndërtimit të aleancave.
Duhet të kemi më shumë bashkëpunim me universitetet evropiane, institutet kërkimore, parlamentet, mediat, bizneset dhe shoqërinë civile.
Duhet që Evropa të njohë shqiptarët jo vetëm nga problemet politike, por edhe nga dija, kultura, arsimi, ekonomia, shkenca, arti dhe potenciali njerëzor.
Kjo është mënyra më e mirë për të ndryshuar perceptimet.

11. Nga mosbesimi te besimi i ndërsjellë

Besimi nuk mund të kërkohet me fjalë. Ai ndërtohet me sjellje. Shqiptarët duhet t’i tregojnë Evropës se janë partnerë të përgjegjshëm, ndërsa Evropa duhet t’u tregojë shqiptarëve se i sheh si partnerë evropianë me perspektivë të barabartë.
Kjo kërkon kohë. Por është e mundur. Dhe rruga më e mirë është të ndërtojmë besim përmes rezultateve.
Sa më demokratike të bëhen institucionet tona, aq më shumë do të rritet besimi evropian.
Sa më e fortë të bëhet ekonomia jonë, aq më shumë do të rritet interesi evropian.
Sa më profesionale të jetë diplomacia jonë, aq më shumë do të dëgjohet zëri ynë.
Sa më shumë të kontribuojmë në Evropë, aq më shumë do të shihemi si pjesë e saj.

12. Dhjetë parime për një kurs të ri shqiptar ndaj Evropës

Tani na duhet që:
1. Të mos e harrojmë historinë, por të mos mbetemi peng i saj.
Kujtesa është detyrë; mllefi i përhershëm nuk është strategji.
2. Të dallojmë Evropën historike nga Bashkimi Evropian i sotëm.
Nuk mund të përdorim hartën politike të shekullit XIX për të orientuar politikën e shekullit XXI.
3. Të jemi proevropianë edhe kur kritikojmë Evropën.
Kritika e argumentuar është pjesë e partneritetit.
4. Të synojmë anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kosovës në BE.
Integrimi evropian duhet të jetë objektiv strategjik kombëtar.
5. Të bashkërendojmë interesat shqiptare.
Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkëpunojnë më ngushtë në ekonomi, energji, infrastrukturë, arsim, kulturë dhe diplomaci.
6. Të ndërtojmë shtete evropiane të bazuara në standarde.
Shteti ligjor, demokracia, arsimi, drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit janë pjesë e interesit kombëtar.
7. Të mos kërkojmë privilegje, por partneritet.
Shqiptarët duhet të kërkojnë trajtim të drejtë, jo përjashtime nga rregullat.
8. Të investojmë në diplomacinë e dijes.
Historia dhe kultura shqiptare duhet të prezantohen në Evropë përmes kërkimit serioz, jo përmes propagandës.
9. Të ndërtojmë besim shoqëror shqiptaro-evropian.
Universitetet, të rinjtë, biznesi, kultura dhe diaspora duhet të jenë ura të përhershme ndërmjet shqiptarëve dhe evropianëve.
10. Të realizojmë interesat shqiptare brenda Evropës.
Kjo duhet të jetë formula e re strategjike: shqiptarët nuk duhet të ndërtojnë të ardhmen kundër Evropës, por si pjesë e Evropës.

Përfundim – Të mos ia dorëzojmë së kaluarës të ardhmen

Shqiptarët kanë arsye ta kujtojnë historinë.
Kanë arsye të flasin për padrejtësitë.
Kanë të drejtë të kërkojnë që historia e tyre të njihet dhe të kuptohet drejt.
Por një popull që dëshiron të ndërtojë të ardhmen duhet të dijë edhe kur ta mbyllë një kapitull të dhimbshëm dhe të hapë një kapitull të ri.
Ne nuk mund ta ndryshojmë Kongresin e Berlinit.
Nuk mund ta ndryshojmë Konferencën e Londrës.
Nuk mund t’i zhbëjmë vendimet e një shekulli më parë.
Por mund të vendosim se çfarë do të bëjmë sot me trashëgiminë e tyre.
Dhe sot kemi një mundësi historike.
Shqiptarët kanë dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën, dhe një hapësirë të gjerë njerëzore, kulturore e ekonomike të lidhur me Evropën. Sot nuk duhet të mendojmë vetëm si një popull që dikur u nda nga vendimet e të tjerëve.
Duhet të mendojmë si një popull që mund të ndërtojë të ardhmen e vet përmes dijes, demokracisë, ekonomisë, bashkëpunimit dhe integrimit.
Nga viktima historike duhet të bëhemi subjekt i historisë.
Nga mosbesimi duhet të kalojmë te besimi.
Nga mllefi te maturia.
Nga stereotipi te analiza.
Nga izolimi te integrimi.
Dhe mbi të gjitha:
Ta kujtojmë të kaluarën, por të mos ia dorëzojmë asaj të ardhmen tonë.
Sepse qëllimi i ne shqiptarëve nuk duhet të jetë të ndërtojmë një Evropë kundër dikujt, por të ndërtojnë një Shqipëri, një Kosovë dhe një hapësirë shqiptare aq demokratike, të zhvilluar dhe evropiane, sa të jenë pjesë e natyrshme e Evropës së bashkuar.
Ky është ndoshta kapitulli më i mençur që mund t’i hapim sot historisë shqiptare: jo luftë me Evropën, por hyrje me dinjitet në Evropë.

Më 2 gusht 2026

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu