Diplomacia nuk matet me numrin e konsullatave, por me aftësinë për të mbrojtur interesin strategjik të shtetit. Pikërisht për këtë arsye debati për hapjen konsullateës shqiptare në Luginën e Preshevës dhe të konsullatës serbe në Shkodër nuk është një çështje rutinë e reciprocitetit diplomatik. Ai prek vetë arkitekturën e dialogut Kosovë–Serbi.
Në teori, një konsullatë mund të lehtësojë kontaktet kulturore dhe ekonomike. Në praktikë, ajo nuk e zgjidh asnjë nga problemet themelore të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Shqiptarët e Luginës nuk kanë nevojë vetëm për një adresë konsullore; ata kanë nevojë për punësim, përfaqësim proporcional në institucionet shtetërore, njohje të diplomave, mbrojtje të pronës dhe respektim të të drejtave të tyre si qytetarë të Serbisë. Këto janë detyrime të shtetit serb dhe pjesë e procesit të normalizimit me Kosovën.
Pikërisht këtu lind dilema. Nëse këto çështje janë pjesë e dialogut të Brukselit dhe Ohrit, pse po zhvendosen në një kanal të ri Tiranë–Beograd? A nuk rrezikohet kështu të krijohet përshtypja se çështjet që prekin shqiptarët e Luginës mund të trajtohen pa Kosovën?
Kjo pyetje bëhet edhe më e rëndësishme në një kohë kur Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa po forcon marrëdhëniet me aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë. Në të njëjtën kohë, Kosova vazhdon të përballet me paqëndrueshmëri institucionale dhe me sfidën për të folur me një zë të vetëm në politikën e jashtme. Në diplomaci, boshllëqet nuk mbeten bosh; ato mbushen nga të tjerët.
Konsullatat nuk janë shqetësimi i vetëm. Ato janë pjesë e një tabloje më të gjerë. “Ballkani i Hapur”, iniciativa për një draft të Asociacionit, deklaratat për veriun e Kosovës dhe tani kjo nismë e re krijojnë përshtypjen e një diplomacie paralele që prek drejtpërdrejt tema për të cilat Kosova është palë në dialog me Serbinë. Secili episod, i marrë veçmas, mund të ketë shpjegime të ndryshme. Por kur shihen së bashku, krijojnë një model që nuk mund të injorohet.
Koha e kësaj nisme ngre gjithashtu pyetje. Ndërsa në veri të Kosovës po zhvillohen gërmime në një varrezë të dyshuar masive dhe çështja e personave të zhdukur rikthehet në qendër të vëmendjes, debati publik zhvendoset drejt konsullatave. Nuk ka prova që këto zhvillime janë të lidhura dhe nuk do të ishte serioze të pretendohej një gjë e tillë. Por në diplomaci, koha rrallëherë është krejtësisht rastësi. Serbia ka interes që agjenda të fokusohet në tema ku ajo shfaqet si partnere rajonale, ndërsa çështjet e përgjegjësisë për krimet e luftës dhe zbatimin e marrëveshjeve mbeten në hije.
Nëse Serbia dëshiron një kapitull të ri në marrëdhëniet me shqiptarët, gjesti më bindës nuk është hapja e një konsullate në Shkodër. Është zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, njohja efektive e diplomave, garantimi i të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, bashkëpunimi për personat e zhdukur dhe hapja e arkivave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të viktimave të luftës.
Shqipëria ka të drejtë të zhvillojë marrëdhënie me Serbinë. Askush nuk e vë këtë në diskutim. Por kur këto marrëdhënie prekin drejtpërdrejt çështje që burojnë nga dialogu Kosovë–Serbi, koordinimi me Prishtinën nuk është formalitet diplomatik; është domosdoshmëri strategjike.
Kosova nuk mund të lejojë që subjektiviteti i saj ndërkombëtar të zbehet nga kanale paralele. Sepse shtetet nuk dobësohen vetëm kur humbin territor. Ato dobësohen edhe kur të tjerët fillojnë të negociojnë për çështjet e tyre pa praninë e tyre.
Pra, pyetja që mbetet pa përgjegje nuk është nëse duhet apo jo të hapen konsullata.
Pyetja është shumë më e madhe:
A po ndërtohet një arkitekturë e re diplomatike ku Serbia fiton partnerë të rinj negociues, ndërsa Kosova rrezikon të mos jetë më adresa e parë kur diskutohen interesat e saj?
Nëse kjo pyetje nuk shtrohet sot, nesër mund të jetë shumë vonë.



