A jemi gjallë?!

Shkrime relevante

A do të tërhiqet Shqiptar Shaljani nga aktiviteti për kauzën, përkatësisht për kauzat gjithëkombëtare?

Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë ____ JO, SHQIPTARI NUK TËRHIQET! Nuk tërhiqem dhe...

Shqiptarët mes historisë dhe harresës. Kush jemi ne përgjigjen arkeologu Qazim Namani dhe historiani Emin Sallahu? (Video)

Shpjegojnë me të dhëna arkeologjie Qazim Namani dhe historiani Emin Sallahu. Emin...

Emigracioni nuk është vetëm largim, por edhe mundësi zhvillimi për Kosovën

Agim Vuniqi, Vashington ____ Pse debati për 250 mijë leje qëndrimi dhe 85...

Shpërndaj

Gani I. Mehmeti

Po, me plot të drejtë ia shtroj vetes këtë pyetje. Dhe, secili nga ju, kushdoqoftë, mund ta marrë e t’ia shtrojë vetes.

Prej kur ne nisëm e u shpërndamë e dolëm jashtë vendlindjes, jashtë rrethit ku jemi rritur, shkolluar e punuar, prej kur lëshuam Kosovën, ne si shokë, si miq, si kolegë, si bashkëpunëtorë, po edhe si familje – më sikur nuk jemi të gjallë për njëri – tjetrin.

Unë që kërkoj të takohem me të gjithë ata me të cilët kam kaluar kohën si në fshat, si në qytet, në vend pune, po edhe në Kosovë, nuk mundem, nuk takohem.

Ka vite e vite që me mallin e madh jetoj larg të afërmëve, larg shokëve e miqve, larg të gjithë atyre me të cilët do doja të rrija e të shmallesha, duke kujtuar jetën e deritanishme me secilin bashkarisht dhe veç e veç.

E, deri sa ne nuk jemi n[ë gjendje sot të takohemi e të shmallemi sa duhet e si duhet edhe me familjet tona, është e vërtetë se nuk kemi mundësinë të takohemi e të shmallemi as me të gjithë të tjerët që i kemi në mendje e zemër.

Prandaj, them se, ne jemi gjallë vetëm sa për të ngrënë e për të pirë, e nuk jemi gjallë për njëri-tjetrin, sepse nuk mund ta gjejmë me ndlërrime vendbanimesh brenda e jashtë Kosovës, duke jetuar larg njëri –tjetrit, për çka nuk na mjafton as koha.

Nuk e kam menduar se do të shkojnë disa nga kjo botë e të mos takohem edhe një herë me ta!

Kjo më ndodhi edhe sot, kur në FB, lëshuar nga ish nxënësi im, Agon Avdiu e të tjerë, kishin dhënë lajmin e hidhur që më pikëlloi deri në palcë për ndërrimin e jetës të

Dr. Mr. Sci Muharrem Avdiu,

që e njoha për herë të parë në korridoret e Fakultetit të Gjuhës e letërsisë shqipe atëhere, në Universitetin e Kosovës (si quhej asokohe) në Prishtinë, që po fliste me aq pietet dhe me aq njohuri të gjallë për veprën e Jakov Xoxës “Lumi i vdekur”. Prej asaj dite, kur i mora emrin e mbiemrin ne u shoqëruam dhe kishim një respekt të lartë ndaj njëri-tjetrit, ani që ai kishte një profesion tjetër.

Kaluan gjithë vitet 1990 – 1999, duke punuar për Republikën e Kosovës kah mundëm. Ai, në profesionin e pediatrit, kishte synimin tek rrita sa më e shëndetshme e fëmijëve, që ishin dhe janë ardhmëria e njerëzimit, pra edhe e Kombit Shqiptar. Edhe mjekët qenë larguar nga puna prej Serbisë, por ata diturinë e kishin me vete dhe puna nuk ishte ndalur. Pastaj kyçja me UÇK e kështu me radhë kush si mundte.

Paslufta na largoi në distancë, ai iku në Prishtinë dhe ne mbetëm në periferi. Nuk e di sa kohë ka që nuk jemi parë, por janë ndoshta diku nja 20 vite pa u parë, sepse 14 vite jam në kurbet.

E, kur lexova, siç thash më lart, për ndërrimin e jetës së Dr. Muharrem Avdiut, vetmevete mendova e thash, A JEMI TË GJALLË, kur, deri sa ne nuk takohemi me të gjallët, jemi si të vdekur, ani që marrim frymë ende.

Dr. Muharrem Avdiu, ishe njeri në kuptimin e plotë të fjalë, prandaj edhe prehja e shpirtit tuaj në parajsë e ka vendin!

Je i paharrueshëm gjithmonë, doktor!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu