Hyrje
__
Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare tregon se diplomacia dhe shërbimet e inteligjencës kanë bashkëjetuar në shekuj. Diplomacia ka funksionin zyrtar të përfaqësimit të shtetit, mbrojtjes së interesave kombëtare dhe zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet vendeve, prandaj literatura mbi studimet e inteligjencës pranon se disa shtete, në periudha të ndryshme historike, kanë përdorur misionet diplomatike si mbulesë për mbledhjen e informacionit ose për zhvillimin e operacioneve të ndikimit. Kjo nuk nënkupton se, çdo ambasadë apo konsulatë kryen aktivitete të tilla. Shumë raste të tilla janë dokumentuar në histori në vende të ndryshme.
Në rastin e ish-Jugosllavisë, Shërbimi i Sigurimit Shtetëror UDB-ja, më vonë SPB-ja; ka qenë objekt i shumë studimeve për aktivitetin e tij ndaj emigracionit politik, veçanërisht ndaj grupeve shqiptare, kroate dhe të tjera që konsideroheshin armiqësore ndaj regjimit jugosllav.
Operacionet e ndikimit:
Në teorinë moderne të inteligjencës, një nga metodat më efektive nuk është përballja e drejtpërdrejtë, por ndikimi gradual mbi opinionin publik dhe mbi grupet shoqërore. Kjo arrihet përmes krijimit të besimit, ndërtimit të rrjeteve shoqërore dhe futjes së individëve në organizata ku mund të ndikojnë në drejtimin e diskutimeve ose të mbledhin informacione.
Studiuesit e inteligjencës e përshkruajnë këtë metodë si “operacion ndikimi” (influence operation), ku agjenti synon të fitojë besimin e komunitetit përpara se të ushtrojë ndikim mbi të.
Rrëfimi i Ukshin Hotit:
Në këtë kontekst merr rëndësi një dëshmi gojore që autori i këtij shkrimi, vite më parë, e dëgjoi nga Prof. Dr. Zejnel Ali Kelmendi. Sipas tij, këtë histori ia kishte treguar vetë Ukshin Hoti.
Sipas këtij rrëfimi, gjatë studimeve në Shtetet e Bashkuara, Ukshin Hoti kishte krijuar marrëdhënie të mira me ambasadën jugosllave ( Zyrtari i ambasadës shqiptar). Një ditë, ai lexoi rastësisht një faks të brendshëm, ku, sipas tregimit; personelit diplomatik u kërkohej të afrohej me komunitetin shqiptar, të fitonte besimin e tij duke kritikuar Jugosllavinë dhe udhëheqjen e saj,-e, më pas, në mënyrë graduale, të fillonte të përhapte edhe kritika ndaj Shqipërisë. Sipas rrëfimit; qëllimi ishte krijimi i besimit për të ushtruar ndikim afatgjatë mbi komunitetin shqiptar, konkretisht në Shoqërinë “Vatra” në Boston. Autori nuk disponon dokumentin origjinal të përmendur në këtë rrëfim dhe për rrjedhojë, ai nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur. Për këtë arsye, kjo dëshmi paraqitet si një burim i historisë gojore, por jo si një fakt i provuar.
Interpretimi:
Edhe pse autenticiteti i këtij dokumenti nuk është i verifikuar, modeli i përshkruar përputhet me metoda të njohura në literaturën mbi inteligjencën: ndërtimin e besimit, depërtimin në organizata, krijimin e rrjeteve të ndikimit dhe ndryshimin gradual të bindjeve brenda një komuniteti. Këto metoda nuk janë karakteristike vetëm për ish-Jugosllavinë. Gjatë Luftës së Ftohtë, shërbime të ndryshme inteligjence në Lindje dhe në Perëndim, zhvilluan operacione ndikimi, dezinformimi dhe infiltrimi në organizata politike, kulturore dhe në mërgatë.
Shkodra në kontekst strategjik
Nga ky këndvështrimi gjeopolitik, Shkodra ka një rëndësi të veçantë gjeografike për shkak të pozitës së saj, në kufi me Malin e Zi, lidhjeve historike me Kosovën dhe rolit të saj në jetën kulturore e kombëtare shqiptare. Për këtë arsye, është e kuptueshme që qyteti të ketë rëndësi diplomatike dhe politike për shtete të ndryshme.
Megjithatë, çdo pretendim se një institucion diplomatik konkret përdoret për veprimtari të inteligjencës duhet të mbështetet me prova të verifikueshme.
Në mungesë të dokumenteve, dëshmive të drejtpërdrejta ose vendimeve gjyqësore, një përfundim i tillë nuk mund të konsiderohet i plotësuar.
Përfundim:
Studimi i marrëdhënies ndërmjet diplomacisë dhe inteligjencës mbetet një fushë me rëndësi të madhe për historinë politike dhe studimet e sigurisë.
Rrëfimi i Ukshin Hotit përbën një dëshmi interesante të historisë gojore, e cila meriton të krahasohet me dokumente arkivore dhe burime të tjera për të vlerësuar saktësinë e saj.
Pavarësisht, nëse ky rrëfim mund të verifikohet plotësisht, ai ngre pyetje të rëndësishme mbi mënyrën se si shtetet mund të ushtrojnë ndikim përmes mjeteve diplomatike, rrjeteve shoqërore dhe operacioneve të inteligjencës. Pikërisht për këtë arsye, analiza kritike, paraqitja e burimeve dhe verifikimi dokumentar mbeten elemente themelore të çdo studimi akademik.
4. 08. 2026


