Sot, në Mitrovicë, pata nderin e veçantë të jem mysafir special dhe folës profesional në promovimin e monografisë së Komandantit Aleksander Istref Bajgora, “Rrëfime për Luftën dhe Paqen”, në një nga amfiteatrot e Universitetit “Isa Boletini”.


Me ftesë të Profesor Shqiptar Shaljanit, udhëtova nga Gjermania për të qenë pjesë e këtij momenti të veçantë. Një nga dhuratat më të bukura të kësaj dite ishte njohja me shumë miq të rinj nga Kosova dhe më gjerë. Ishte kënaqësi e veçantë ta ndaj këtë ngjarje edhe me mikun tim të dashur, Dr. Vat Marashin, i cili ishte gjithashtu mysafir special.
Pas promovimit, bisedat vazhduan në një drekë miqësore e vëllazërore, ku ndjeva ngrohtësinë, respektin dhe mikpritjen që të bëjnë të ndihesh si në shtëpinë tënde. Momente të tilla të kujtojnë se lidhjet mes njerëzve janë pasuria më e madhe që mund të ndërtojmë.

Falënderimi im më i sinqertë shkon për:
Komandantin Aleksander Istref Bajgora, për veprën që ruan të gjallë kujtesën historike.

Dr. Vat Marashin, për miqësinë e sinqertë dhe praninë e tij të çmuar.
Kur historia shkruhet me të vërtetën, ajo nuk i përket më vetëm autorit. Ajo bëhet trashëgimi e një kombi. Ishte nder dhe privilegj të jem pjesë e kësaj dite që do të mbetet gjatë në kujtesën time.

NJË DITË QË DO TË MBAHET MEND NGA MIQTË E LIBRIT NË MITROVICËN E ISË BOLETINIT!
____
Një promovim akademik, një libër dëshmie dhe një kujtesë që nuk duhet të harrohet !
Ka ditë që kalojnë si shumë të tjera, por ka edhe ditë që mbeten në kujtesë. E tillë ishte dita e promovimit të monografisë “Rrëfime për Luftën dhe Paqen”, në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë.
Ishte një promovim akademik, por edhe një takim i veçantë i njerëzve të librit, të dijes, të kujtesës dhe të historisë sonë të re.
Në sallë ishin të pranishëm profesorë universitarë, doktorë shkencash, diplomatë, studentë, mërgimtarë, intelektualë, bashkëpunëtorë e miq të librit, të ardhur nga Mitrovica, Shala dhe vise të ndryshme shqiptare e nga Diaspora.

Promovimit i parapriu një moment veçanërisht solemn.
U lexua Betimi i Ushtarit.
Të pranishmit u ngritën në këmbë dhe, për disa çaste, salla universitare u shndërrua në një hapësirë të heshtur reflektimi për ata që e bartën mbi supe barrën e luftës dhe sakrificës.
Pas këtij momenti solemn, fjala iu dha redaktorit të librit.
Në cilësinë e redaktorit, pata nderin t’u drejtohem të pranishmëve dhe të ndaj disa nga përshtypjet e mia për një vepër që nuk është vetëm një libër kujtimesh, por një dëshmi që i bashkohet përpjekjes për të ruajtur kujtesën e luftës së Kosovës.
“Rrëfime për Luftën dhe Paqen” nuk është thjesht rrëfimi i jetës dhe përvojës së Komandant Hajzer Istrefit – Aleksandër Bajgorës. Është një dëshmi personale e një periudhe të rëndësishme të historisë sonë dhe një material me interes për studiuesit, historianët dhe brezat e ardhshëm.

Një meritë të veçantë i takon autorit të monografisë, Hysen Ibrahimit, i cili me përkushtim dhe përgjegjësi ka mbledhur, sistemuar dhe përpunuar rrëfimet e protagonistit, duke i shndërruar ato në një vepër me vlerë dokumentare.
Gjatë punës redaktuese, tri pjesë të librit më kanë lënë mbresa të veçanta.
E para është formimi i Brigadës 141 “Mehë Uka”, më 30 qershor 1998, një ngjarje me rëndësi në organizimin e UÇK-së në Zonën Operative të Shalës.
E dyta është rrëfimi për zënien rob të tetë pjesëtarëve të ushtrisë serbo-jugosllave nga njësitë e UÇK-së në Zonën Operative të Shalës dhe këmbimin e tyre të mëvonshëm, me ndërmjetësimin e misionit të OSBE-së dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
Ky episod merr një rëndësi të veçantë edhe për faktin se monografia sjell fotografitë e tetë robërve të luftës, duke i dhënë dëshmisë edhe një dimension të drejtpërdrejtë vizual.
Për studiuesit që mund të merren më tej me këtë ngjarje, gjatë fjalës sime bëra edhe një sqarim: emrat e tetë robërve janë të dokumentuar në arkivin shtetëror, ndonëse nuk janë përfshirë në tekstin e monografisë. Kjo mund të jetë një pikënisje e vlefshme për hulumtime të mëtejshme arkivore dhe për plotësimin e dokumentimit historik të këtij episodi.

Ngjarja e tretë është një nga pjesët më prekëse të librit: rrëfimi për ditët kur luftëtarët e brigadës ndodheshin të rrethuar, të lodhur dhe pa ushqim, por të pathyer. Pas ditësh urie dhe qëndrese, ndihma ushqimore erdhi nga ajri me avionët e NATO-s.
Është një episod që përtej dimensionit ushtarak flet për qëndresën, shpresën dhe vullnetin për të mos u dorëzuar.
Por “Rrëfime për Luftën dhe Paqen” nuk ndalet te lufta.
Dy kapitujt e fundit na sjellin te periudha e paqes dhe te angazhimi qytetar i Aleksandër Bajgorës. Ato na kujtojnë se shërbimi ndaj atdheut nuk përfundon me pushimin e armëve.
Liria nuk fitohet vetëm me armë; ajo ruhet çdo ditë me përgjegjësi qytetare, me kulturë, me punë dhe me përkushtim ndaj së mirës së përbashkët.
Për mua, si redaktor, ishte kënaqësi dhe përgjegjësi e veçantë ta përcillja këtë vepër në duart e lexuesit, pikërisht në një universitet që mban emrin e njërit prej figurave më të njohura të historisë sonë kombëtare – Isa Boletinit.
Por promovimi i këtij libri kishte edhe një dimension tjetër, më personal.
Disa prej të pranishmëve më njohin prej vitesh si profesor Ahmet Musa. Sot mbaj me krenari emrin Shqiptar Shaljani.

Për mua, ky nuk është thjesht ndryshim emri. Është një zgjedhje identitare, përmes së cilës kam dashur të shpreh më drejtpërdrejt lidhjen time me gjuhën, kulturën, historinë dhe identitetin shqiptar.
Nëse dikur shqiptarësinë e kam mbajtur mbi të gjitha në zemër, sot kam zgjedhur ta shpreh me zemër, me emër dhe me mbiemër.
Dhe ky është edhe një nga mesazhet që do të doja t’ua lija brezave: ta duan gjuhën e tyre, kulturën, historinë dhe identitetin e tyre dhe t’i përcjellin ato me krenari e dinjitet.
Në fund të fjalës sime solla edhe një mendim që, për mua, lidhet drejtpërdrejt me këtë libër:
Lufta përfundoi në qershor të vitit 1999. Por beteja për kujtesën vazhdon edhe sot.
Në këtë betejë nuk fitohet me armë, por me dokumente, me libra, me dëshmi dhe me të vërtetën.

“Rrëfime për Luftën dhe Paqen” është një kontribut në këtë betejë të kujtesës.
Dhe nëse universitetet janë tempuj të dijes, libra të tillë janë pjesë e kujtesës së tyre. Një komb nuk e ndërton të ardhmen duke harruar të kaluarën, por duke e dokumentuar, studiuar dhe duke ua përcjellë brezave të vërtetën.
Në përmbyllje, më erdhi ndër mend thënia e njohur e Marcus Tullius Ciceronit:
“Historia është dëshmitarja e kohëve, drita e së vërtetës, jeta e kujtesës dhe mësuesja e jetës.”

Hysen Ibrahimi
Ndoshta ky është edhe misioni më i rëndësishëm i një libri të tillë: të dëshmojë, të ruajë dhe të mos lejojë që kujtesa të humbasë.
Një falënderim i përzemërt për autorin Hysen Ibrahimi, për protagonistin e monografisë Aleksandër Bajgora, për recensentin, për Universitetin “Isa Boletini” dhe për të gjithë ata që me praninë e tyre e nderuan këtë promovim.
Një ditë e bukur për librin.Një ditë e rëndësishme për kujtesën.Dhe, mbi të gjitha, një ditë që ia vlen të mbahet mend.
Profesor Shqiptar Shaljani Redaktor i monografisë “Rrëfime për Luftën dhe Paqen”.


