Prof.dr. Fadil Maloku, sociolog, Prishtinë
Duke përcjellë me saktësi kirurgjikale demonstrimet e protestuesve shqiptarë me pankarta kryesisht të mbështjella me petkun e background-it kombëtar, në Tiranë, po edhe në Shkodër e gjetiu, më shkoi mendja te efektet, po edhe qëllimet afatgjata që mund të arrijnë ato në perspektivën e tyre.
Në fakt, ajo çfarë jam kureshtar ta kuptoj, po edhe ta interpretoj përmes “skalpelit” tim, ka të bëjë me dilemën, apo më mirë me thënë me hipotezën sociologjike që po e ngre në këtë demonstrim sa interesant, aq edhe atraktiv, për proceset që po ndodhin aktualisht në Shqipëri: se nëse shqiptarëve në këto kohëra të ndryshimeve tektonike në nivel global e kontinental u duhet ky lloj “nacionalizmi folklorik” dhe cilat janë gjasat që ky demonstrim qytetërues të kapitalizohet në përmbajtje të një nacionalizmi patriotik*)?
Pra, thelbi i hipotezës sime ka të bëjë me gjasat dhe “perimetrin” që mund të ngrihet dhe të ndërtohet argumenti sociologjik mbi idenë se kombeve të vonuara, sikurse jemi ne në Ballkan, për mbijetesë nuk u mjaftojnë vetëm mitet, ikonografia, kujtesa historike dhe emocionet kolektive, por u duhen, pa asnjë dyshim, edhe institucionet e fuqishme shtetërore dhe një ekonomi konkurruese, bashkë me një përgjegjësi të lartë qytetare.
Tani, po qe se këtë hipotezë provojmë ta “konvertojmë” në tezë fundamentale sociologjike, do të dukej kështu: Shqiptarëve në Ballkan nuk u duhet më nacionalizmi folklorik, por nacionalizmi patriotik. Sepse në shekullin XXI sfidat nuk fitohen me retorikë identitare, por me kapacitete shtetformuese dhe ide atraktive zhvillimore.
Mirëpo, paraprakisht mendoj se është e domosdoshme ta zbërthejmë natyrën e nacionalizmit folklorik. Pra, të shohim me çfarë ka të bëjë ai?
Në dioptrinë sociologjike, nacionalizmi folklorik mund të kornizohet kryesisht në ca atribute që, dorën në zemër, ende janë “gjallë” në kulturën, mentalitetin dhe etnopsikologjinë tonë kombëtare. E ato atribute, sa po hetoj dhe po kuptoj, kryesisht po “mirëmbahen” dhe po ushqehen ende përmes miteve të ndërtuara historike dhe narrativave heroike, pastaj përmes simboleve (flamuri), këngëve dhe festave kombëtare (28 Nëntori) dhe sidomos përmes mobilizimit të herëpashershëm emocional (lufta e ndodhur e Kosovës), që nuk arriti ende të prodhojë reforma dhe zhvillim të synuar shoqëror.
Dhe, për të qenë edhe më konkret, në gjykimin tim, përkundër që ky lloj nacionalizmi, që e dizajnoi dhe e prodhoi Rilindja Kombëtare, ai sot, në kushtet dhe rrethanat krejtësisht të tjera, nuk është as i mjaftueshëm, e as qaq i domosdoshëm. Ky tip nacionalizmi mund të shërbejë vetë si një shkëndijë fillestare, apo si një lloj “lokomotive” mobilizuese që do të krijonte konditat që po i lyp koha jonë për një reformë dhe zhvillim të thellë shoqëror.
Për ta kuptuar “peshën specifike” të nacionalizmit patriotik, më duhet në vija të trasha ta ilustroj frymën dhe natyrën e tij jo si kurtuazi, por si një domosdoshmëri që po e kërkon koha jonë dhe shekulli në të cilin po jetojmë si komb dhe si dy shtete të pranuara edhe ndërkombëtarisht.
Fillimisht, më duhet ta qartësoj: Nacionalizmi patriotik për të cilin po aludoj nuk matet as me deklarata (“Një komb, një shtet, një flamur”, “Në bashkim kombëtar nuk zvogëlohemi, por bëhemi më të mëdhenj”), të cilat i kemi identifikuar në platformat e ca liderëve karizmatikë shqiptarë andej e këndej kufirit, por me kontribut konkret për kombin. Ku kriteret e ndërtimit të një shteti ligjor, ato të luftës kundër korrupsionit, ato të arsimit cilësor, zhvillimit ekonomik, forcimit të institucioneve të sigurisë dhe sidomos ruajtjes së dinjitetit kombëtar në marrëdhëniet ndërkombëtare shndërrohen në atë bazamentin dhe fundamentin e qëllimit dhe imperativit të bashkimit.
Nacionalizmi i tipit të dytë, edhe sipas dëshmive historike, po edhe përvojës së kombeve të realizuara, po edhe hegjemone, do të shtoja, është ajo “road map-a”, që një kombi të vonuar, sikurse jemi ne, mund t’i sigurojë zhvillim afatgjatë, mirëqenie ekonomike e sidomos siguri e stabilitet afatgjatë gjithëkombëtar.
Ngase, sociologjia e njohjes së historisë sonë kombëtare, që mjerisht nuk mund ta gjejmë as në Tiranë e as në Prishtinë, na mëson se identiteti ynë kolektiv ka evoluar, në kuptimin se derisa në fazën e parë shqiptarët gjithandej u mobilizuan ekskluzivisht për mbijetesë dhe ekzistencë fizike (koha e Rilindjes Kombëtare), në fazën e dytë, ata u mobilizuan për qëllime shtetformimi. Dhe tani, në gjykimin tim, gjendemi në fazën e tretë, ku të gjithë duhet të mobilizohemi për t’u futur së pari në një konkurrencë rajonale (që Serbia po “kujdeset” përmes Projektit “Bota Serbe”) e më pastaj, pse jo, edhe në konkurrencë globale. Dhe meqë gjendemi në fazën e tretë emancipuese, që po kërkon një transformim racional të tipit të nacionalizmit emocional në një nacionalizëm institucional, apo nacionalizëm patriotik.
Por, në këtë “rrugëtim”, një studiues serioz has shumë paradokse që pak i gjen gjetiu. P.sh.
Ne shumë jemi të prirur të flasim për kombin, e në ndërkohë ta respektojmë pak shtetin; ta valëvisim kudo flamurin kombëtar, por ta tolerojmë korrupsionin; ose të krokasim gjithandej për bashkim kombëtar, e në ndërkohë të mos ndërmarrim asgjë për emigrimin masiv të të rinjve; apo të alarmojmë për sigurinë kombëtare, e të mos përgatitemi për këtë sfidë ekzistenciale për gjithë shqiptarët e rajonit?!
Pra, këto do të ishin në “vija të trasha” ca nga hendeqet evidente që i hetojmë dhe kuptojmë në përditshmërinë tonë rreth tipit të nacionalizmit folklorik dhe nacionalizmit patriotik qytetar.
Si përfundim, po gjithsesi edhe si apel publik, më duhet të them me përgjegjësi shkencore se: shqiptar patriot nuk është vetëm ai politikan, ai pedagog, ai opinionist, ai studiues, ai gazetar, etj., që flet e shkruan pandalur vetëm për kombin, por ai shqiptar që paguan taksat; respekton ligjin, mbron interesin publik, nuk vjedh shtetin, investon në dije, forcon institucionet e sigurisë e bën shtetin dhe kombin më të respektuar në këtë “kaos” të kontrolluar global që po na kërcënon çdo ditë edhe shtetet, edhe kombin…


