E lexova letrën e hapur të një grupi intelektualësh drejtuar Naim Tërnavës dhe Dodë Gjergjit.
Në mesin e nënshkruesve ka emra të njohur për kontributet e tyre në shkencë, kulturë, art, çështjen kombëtare dhe lirinë e Kosovës. Pikërisht për këtë, letra juaj meriton respekt, por edhe një kritikë të ashpër dhe të sinqertë.
Letra është e drejtë në parim. Gjuha fyese dhe përçarëse mbi baza fetare duhet të ndalet. Por ajo është adresuar gabim dhe është shkruar pa analizë të mjaftueshme të kontekstit real të asaj që po ndodh.
Ju e keni formuluar problemin si një konflikt simetrik: individë myslimanë që fyejnë katolikët dhe individë katolikë që fyejnë myslimanët. Kjo është një thjeshtëzim i rrezikshëm. Fyerjet dhe sharjet në portale e rrjete sociale nuk vijnë kryesisht “mes myslimanëve dhe katolikëve”. Ato vijnë kryesisht mes ekstremistëve islamikë të ndikuar nga Islami Politik – që synojnë të imponojnë një kulturë dhe mënyrë jete të huaj, që nuk ka asgjë të përbashkët me shqiptarin dhe me kulturën tonë evropiane – dhe njerëzve me vetëdije kombëtare që janë të shqetësuar për kahjen kulturore që po i imponohet kombit, për rrënimin e demokracisë dhe për imponimin e teokracisë.
Prandaj, të nderuar intelektualë, kjo letër nuk duhej t’u drejtohej krerëve fetarë. Para se t’u drejtohej Tërnavës dhe Gjergjit, ajo duhej t’u drejtohej:
• Prokurorisë së Shtetit,
• liderëve politikë dhe institucionalë,
• kryetarëve të komunave.
Dhe kërkesa duhej të ishte e qartë dhe e fortë:
• Të respektohet Kushtetuta dhe ligji nga të gjitha bashkësitë fetare, dhe veçanërisht nga bashkësia më e madhe – Bashkësia Islame e Kosovës (BIK).
• BIK-u të respektojë Kushtetutën laike.
• Të ndalen menjëherë thirrjet antikushtetuese dhe antiligjore, si ajo e imamit Labinot Maliqi që u bëri thirrje vajzave të mitura të shkojnë me shami në shkolla, në kundërshtim të hapur me ligjin.
• Të hetohen investimet religjioze që vijnë nga Lindja dhe që menaxhohen nën ndikimin e Serbisë.
• Të ndalet narrativa antikombëtare e BIK-ut mbi historinë.
• Të ndalet imponimi i një kulture dhe tradite të huaj antishqiptare mbi shoqërinë tonë.
• Të ndalet korrupcioni fetar i Islamit Politik që po e ushtron BIK-u duke shtrirë ndikim në parti politike dhe institucione publike të Kosovës.
Këtu qëndron thelbi i problemit. Jo te “respekti i ndërsjellë” i formuluar në mënyrë të përgjithshme, por te përpjekja për të ndryshuar orientimin kulturor të shqiptarëve dhe për të dobësuar karakterin laik të shtetit.
Ajo që më shqetëson thellësisht në letrën tuaj është koha dhe mënyra se si e keni formuluar. Në vend që të adresohej pengimi i lirisë së besimit të komunitetit katolik në Zogaj të Vushtrrisë nga ekstremistë islamikë që protestuan kundër një kishe, dhe në vend që të kërkohej hetim i çdo investimi në religjion dhe në xhamitë e ndërtuara vend e pa vend – pas gjetjeve të Prokurorisë Speciale ku në islamizimin e shoqërisë dhe të shtetit të Kosovës del e involvuar drejtpërdrejt Serbia – ju me letrën tuaj i futni në një thes sulmuesin dhe viktimën: BIK-un dhe Ipeshkvinë.
Sa për informim: me aktivizmin tim në Organizatën Shqiptaria, për gati tri vite monitorimi të ndikimit të bashkësive fetare në orientimin kulturor të shqiptarëve, unë nuk kam gjetur gjuhë urrejtjeje dhe përçarjeje te asnjë bashkësi tjetër, përveç se te disa kuadro të BIK-ut. Dhe ky institucion fetar nuk ka marrë asnjë masë ndaj tyre. Kjo e bën fajtor. Prandaj mos i fusni të gjithë në një thes.
Adresoni problemin drejt.
Mos kërkoni vetëm që myslimani të mos e shajë katolikun dhe katoliku të mos e shajë myslimanin.
Kërkoni që asnjë institucion fetar të mos e vendosë veten mbi Kushtetutën dhe ligjin.
Kërkoni hetim të ndikimeve të huaja.
Kërkoni mbrojtje të karakterit laik të Republikës së Kosovës.
Sepse konflikti kryesor nuk është mes myslimanëve dhe katolikëve.
Konflikti është mes shtetit laik dhe atyre që duan ta shndërrojnë fenë në instrument politik për kontroll dhe imponim.
Mes një shoqërie shqiptare me identitet evropian dhe atyre që përpiqen t’i imponojnë asaj një kulturë e model jetese të importuar.
Mes demokracisë dhe teokracisë.
Dhe kjo duhet thënë pa frikë dhe pa eufemizma.
Harmonia ndërfetare nuk ndërtohet duke relativizuar problemin dhe duke i barazuar palët. Ndërtohet duke e adresuar problemin aty ku është – me emër, me guxim dhe me përgjegjësi.



