
Prof.Dr. Fadil Maloku,sociolog nga Prishtina
- Analizë hipotetike sociologjike.
Këtyre ditëve, duke pritur me shqetësim të madh, po edhe me një ankth të pashpjegueshëm, “bilansin” e aktgjykimit të katërshes nga Gjykata, nëpër kuloare, po edhe në ca media, po “fryhen” dhe po komentohen lloj-lloj skenarësh se çfarë mund të ndodhë në Kosovë më 16 shtator 2026, në orën 10:00?
Ndër këta skenarë ka të atillë që janë të zymtë, por ka edhe optimistë. Mirëpo, në gjykimin tim rreth kësaj “meteorologjie politike”, pyetja apo çështja kryesore sociologjike rreth kësaj date nuk më duket se qëndron te ajo “hamletiane”, se “a do të ketë ndonjë kaos?”, por “në ç’shkallë do të ketë tronditje” në formë dhe përmbajtje të një shoku moral që do të mund të shkaktonte ndonjë emocion masiv aq të fuqishëm sa që i njëjti emocion të mund të “kapej” nga aktorë politikë dhe të shndërrohet në ndonjë mobilizim konfrontues, brenda skenës sonë edhe ashtu të brishtë politike, apo do të ndodhë e kundërta dhe çlirimtarët do të shpallen të pafajshëm?”
Tani për tani duket që dy opsionet i kanë shanset e tyre 50%/50%. Mirëpo, nëse analizojmë opsionin e parë, përmes një fakti dhe treguesi evident që u demonstrua në shkurt, në ditën e Pavarësisë, ku dhjetëra mijëra njerëz dolën në Prishtinë në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së, kuptojmë se tashmë ekziston një bazë reale e gatishmërisë për mobilizim dhe demonstrim shumë më masovik ndaj aktgjykimit. Por, tani jo më si çështje juridike, por si atakim ndaj çështjes së identitetit, dinjitetit dhe historisë sonë kombëtare. Dhe ky është ai rreziku hipotetik, për të cilin kuloaret, po edhe ca media, po i “fryjnë” zjarrit.
Sepse në kulturën dhe etnopsikologjinë e përditshmërisë kosovare, është kah krijohet ngadalë, por sigurt ndjenja e rrezikut apo kërcënimit ndaj këtyre këtyre vlerave.Kjo ndjenjë, është interesant ka mbijetua sidomos te një shtresë e shoqërisë apo një kamp militant që ka lidhje emocionale, po edhe empati ndaj luftës së UÇK-së. Më interesantja është se kjo ndjenjë nuk ka qenë gjithaq “aktive” sidomos kur ishin në pyetje temat e shkeljeve dhe procedurave juridike, apo temat që ndërlidhen rreth vonesave për konstituimin e institucioneve të Kuvendit, po edhe ato qeveritare, sa mund të jetë e gatshëm tani të reagojë kur janë në pyetje kuptimet dhe mesazhet simbolike që u japin ngjarjet rreth aktgjykimit. Ku, për një pjesë të madhe të shqiptarëve të Kosovës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi që ende janë të lidhur me narrativën e luftës, çlirimit, sakrificës dhe krijimit të shtetit mund të “zgjohen” brofshëm. Kështu që, një aktgjykim i rëndë mund të përjetohet emocionalisht edhe si goditje ndaj kësaj pjese të identitetit tonë kolektiv, edhe nëse juridikisht ai aktgjykim nga ana e Gjykatës së Hagës, do të mund të “promovohet” vetëm si aktgjykim individual për secilin që gjendet atje.
Sipas teorisë së Émile Durkheim-it, situata për të cilën po flasim është ideale për një “collective effervescence”, apo për një gjendje të atillë ku emocionet individuale derdhen apo amplifikohen në një emocion të përbashkët, ku individi i deridjeshëm, i vetmuar nëpër skutat e rrjeteve sociale, apo nëpër kuloare “debatonte” në vetmi, tash ka rastin që në një protestë të madhe, si i revoltuar tejskajshëm, të shndërrohet në atom dhe t’i qesë jashtë të gjitha frustrimet e akumuluara, qoftë shkaku i ngërçit, qoftë shkaku i pakënaqësisë socioekonomike, apo qoftë edhe nga shkaku i aktgjykimit të Gjykatës në Hagë.
Pra, si po shihet, skenari i tillë bart me vete rreziqe edhe për sigurinë, po edhe për stabilitetin e vendit. Tani, nëse vazhdojmë të ngremë situata hipotetike për opsionin e parë, mund hasim edhe tre skenarë tjerë, po ashtu hipotetikë.
Skenari i parë, sipas lentes sonë sociologjike, mund ta identifikojmë si një skenar “të butë”, shkaku se shoku apo tronditja që mund të shkaktohet nga aktgjykimi, pra momenti kur merret lajmi se katërshja është dënuar ashpër, ka gjasa të shpërfillet politikisht por jo edhe emocionalisht dhe pa ndonjë shpërthim të theksuar kolektiv. Ky aktgjykim i Hagës mund të jetë i rëndë në kuptimin e ndonjë dënimi drastik, por shoqëria, mëllefin dhe zemërimin e saj nuk e shndërron me automatizëm në dhunë, por e artikulon në forma tjera më të buta dhe më paqësore. Me qëllim që të dëshmohet si shoqëri e pjekur që di të menaxhojë ndjenjat e veta kolektive, kundrejt një padrejtësie ndaj çlirimtarëve. Lajmi, në ditën e parë, ndonëse shokues, mund të karakterizohet në heshtje, në pritje, në protesta dhe deklarata politike nga të gjitha subjektet tona, pra, me një mobilizim jo edhe aq pompoz sa simbolik. Kjo ditë mund të shënohet përmes tubimeve madhështore, sikurse ai i shkurtit, ku u panë flamuj dhe protagonistët historikë të UÇK-së, veteranë, familjarë, ku mund të bëhen apele për padrejtësinë jo vetëm ndaj katërshes, por edhe ndaj vlerave të luftëtarëve dhe mbarë qytetarisë kosovare. Pra, një pamje impozante që Evropës do t’i dëshmonte kulturë sjelljeje, po edhe demonstrim të denjë civilizues, ku protesta nuk ka shanse të shndërrohet në dhunë dhe shkatërrime të tjera. Ndonëse ka frustrim e zemërim të madh, qytetarët arrijnë gjithë dufin ta kanalizojnë dhe shfryjnë përmes protestës, medias, deklaratave politike, peticioneve, apelit dhe sidomos përmes debateve konstruktive publike. Në fakt, ky do të ishte skenari më i dëshirueshëm.
Skenari i dytë, i opsionit të parë, që po e identifikoj si skenar “i mesëm”, që po ashtu është shkaktuar nga shoku apo tronditja morale dhe zemërimi ndaj aktgjykimit, ka gjasa të shkaktojë një kundërshti dhe përplasje shumë më të theksuar se sa ai i skenarit “të butë”. Imagjinone për një moment situatën hipotetike, po qe se, p.sh., në orën 10:00–10:15 shpallet aktgjykimi për ndonjë dënim drakonik! Jam shumë i bindur që me të dëgjuar aktvendimin me dhjetëra mijëra qytetarë do t’i vërshonin rrugët e kryeqytetit, po edhe ato të qyteteve kryesore të Kosovës. Sepse, ky “dënim” në sytë e këtyre qytetarëve nuk do të perceptohet më vetëm si dënim për “Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin”, por edhe për gjithë popullin e Kosovës. Dhe ky është ai ndryshimi fatal që mundet me na fut në “skenarin e mesëm” ku krahas patriotëve dhe njerëzve të rëndomtë mund të mobilizohen edhe grupe e klane tjera që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe që “kujdestarojnë” online për t’u bërë kaos në gjithë vendin. Në këtë skenar, protesta mund të bëhet shumë më dramatike, shumë më folklorike e ikonografike, po edhe shumë më mobilizuese sesa protesta e shkurtit. Kjo protestë me elemente të një eskalimi të shpejtuar po edhe me prirjet klasike krijon kondita reale edhe për një radikalizëm të rrezikshëm për sigurinë e Republikës. Madje, mund të ketë edhe arrestime sporadike, mund të ketë edhe përdorim të tepruar të forcës nga ana e organeve të rendit që do të mund ta elektrizonin masën protestuese. Kjo është ajo pika ku grupet që nuk ia dëshirojnë të mirën Republikës, do “shprehin gatishmërinë” e vetë për ta kthyer protestën dhe revoltën qytetare në një situatë kundër institucioneve, apo anti-establishment. Dhe disponimi kolektiv i nisur me moton “anti-Hagë”, “Duhet të mbrojmë luftën”, apo “Duhet të kundërshtojmë Gjykatën Speciale”, shumë lehtë mund të shndërrohej në sloganin e njohur si political opportunity, se: “Duhet të rrëzojmë qeverinë”, se “Duhet të bie qeveria Kurti”, e madje edhe ajo se; “Duhet të kundërshtojmë Perëndimin”!? Eh, kjo është ajo që Serbia, është kah e pret qe 27 vite!?
Skenari i tretë, i opsionit të parë, që po e identifikoj tani si skenar “i zi”, apo skenari më i keq që mund t’i ndodhë Kosovës, e që dikush nga armiqtë tanë të brendshëm dhe të jashtëm mezi pret të aktivizohet dhe Kosovës, t’i dal flaka! Ashtu siç paralajmëruan Xhozef Diogard dhe Xhorxh Robertëson, se kjo situatë gati tensionuese të pasojë nga collective effervescence në një kaos të rrezikshëm. Mirëpo, ndonëse ky është skenari më ekstrem që mund t’i ndodhë Kosovës, pas 16 shtatorit, ai në gjykimin tim ka pak shanse të ndodhë në rrethanat dhe konditat e një sigurie dhe mobilizimi që e ka Kosova aktualisht. Mirëpo, s’mund të themi që është edhe jo i pamundur, ngase varet shumë nga pesha dhe masa e dënimit që do të “peshohet” nga aktgjykimi i Gjykatës së Hagës. Një situatë e tillë dramatike do të prodhonte, përveç një shoku moral, edhe një mobilizim të shpejtë dhe masiv të qytetarëve, pastaj një polarizim shumë më të theksuar politik, ngase subjektet e dala nga lufta (PDK dhe AAK) do të ndiheshin të “obliguara” që ta acarojnë situatën edhe më tej me incidente sporadike të dhunshme, të cilat pastaj do të mund ta paralizonin edhe jetën institucionale. Pra, ky do të ishte ai momenti më i frikshëm kur qytetaria tani do të bëhej ai “akteri” kryesor i asaj që sociologjikisht njihet si “spirale e delegjitimimit”. Sepse derisa institucionet do të thirreshin në ruajtjen e rendit dhe të qetësisë së Republikës, masat protestuese do të mund të thonin: “Ju po na rrahni dhe po ndiqni”, pastaj “Ju po ushtroni dhunë të pa arsyeshme ndaj nesh, sepse ne jemi ata që e kemi krijuar dhe po e mbrojmë këte shtet” etj. Ndërkaq, në anën tjetër organet e rendit dhe qetësisë, do të bindeshin se janë në rrugë të drejtë për ta mbrojtur kauzën e shtetësisë dhe Republikës.
Ky skenar hipotetik as që e paramendoj se mund të ndodhë ndonjëherë, edhe për një arsye të thjeshtë: nuk besoj që ka subjekt politik apo grupe qytetare që e dëshirojnë shkatërrimin e asaj që u arrit me mund dhe sakrifica të mëdha në njerëz dhe dëme materiale. Mirëpo, meqë ende nuk e kemi finalizuar shtetësinë tonë dhe po jetojmë në kohën e “betejave” hibride, mund të ketë grupe dhe armiq që kanë plane meskine për ta degraduar dhe kontestuar këtë shtetësi, duke përhapur thashetheme si karburant emocional dhe duke prodhuar imazhe të rreme të dhunës të stilit “policia vrau dikë”, “ka shumë viktima”, “po arrestohen veteranët e luftës”, që do të mund të mobilizonin brenda një kohe shumë të shkurtër qindra mijëra njerëz në protestë. Një situatë e tillë emocionale do ta ngrinte konkurrencën midis politikanëve për një radikalizim të paparë, se “kush është më patriot?”, “kush po e mbron më shumë UÇK-në?”, “kush është më shumë kundër Hagës?”. Natyrisht, një gjendje e tillë polarizuese turmën demonstruese do ta shndërronte në turmë agresive ku do të depërtonin edhe elemente që do i frynin zjarrit dhe retorika agresive tash nuk do të drejtohej vetëm kundër Hagës, por edhe kundër “tradhtarëve”, kundër “kolaboracionistëve” dhe “shqiptarëve që e mbështesin Gjykatën”…
Aktualisht, mendoj se skenari i parë është i pritur, skenari i dytë është skenari që realisht duhet të merret më së shumti me seriozitet, ndërsa skenari i zi si i mundshëm. Fakti që vetë Gjykata e Hagës ka planifikuar transmetim publik të aktgjykimit dhe se interesi për pjesëmarrje fizike, po edhe përmes rrjeteve sociale, do të jetë jashtëzakonisht i lartë, tregon se 16 shtatori tashmë është “instaluar” në mendjen e elektoratit të Pdk-s e sidomos të ca zyrtarëve të lartë të cilët janë të pasinqert kur zhurmojnë për kinse interesimin e rikthimit të ish liderit të tyre nè krye të këtij subjekti që po ngarkohet panevojshem me emocione publike…


