_____
Ramadan Shkodra, në intervistën e tij në podcastin “Zë” të BIK-ut dhe në shkrimin e botuar në portalin Mesazhi.com, në vend se t’u përgjigjet pyetjeve konkrete dhe dokumenteve që kam paraqitur, ka zgjedhur rrugën e etiketimit, diskreditimit dhe personalizimit të debatit. Më quan “tellall”, “misionar përçarës”, më krahason me “stalinistët” dhe flet për “inkuzicion”.
Kjo nuk është përgjigje. Kjo është shmangie.
Unë nuk i kam kërkuar Ramadan Shkodrës dhe BIK-ut të më tregojnë se çfarë jam unë. Kam kërkuar të tregojnë çfarë thonë dokumentet. Mua nuk më intereson etiketa që më vendos BIK-u. Më intereson dokumenti.
Kritika ndaj një institucioni fetar, ndaj veprimtarisë së tij publike apo ndaj një narrative historike nuk është sulm ndaj besimit islam dhe as ndaj myslimanëve. Ajo është pjesë e lirisë së shprehjes dhe e debatit demokratik. Etiketimet si “dashakeq”, “mercenar”, “përçarës”, “islamofob” apo “anti-kombëtar” ndaj kujtdo që ngre pyetje dhe kërkon dokumente nuk janë përgjigje ndaj argumentit. Një gjuhë e tillë mund të krijojë klimë frikësimi ndaj kritikëve dhe duhet përdorur me përgjegjësi.
Roli i BIK-ut në rezistencën e viteve 1990
Në vitet 1990 pronat e bashkësive fetare u vunë në dispozicion të shkollave publike, pasi Serbia mbylli shkollat shqipe. Shumë objekte fetare dhe private u shndërruan në shkolla. Kjo nuk ishte meritë ekskluzive e bashkësive fetare – as e Bashkësisë Islame, as e asaj katolike apo protestante – por rezultat i angazhimit politik dhe shoqëror të shqiptarëve për të rezistuar okupimit dhe dëbimit nga objektet e arsimit publik.
Medreseja e Prishtinës, si çdo institucion tjetër fetar, kishtar apo privat që ishte në duart e shqiptarëve, u vu në dispozicion të rezistencës. Disa e bënë me dëshirë, të tjerë nga presioni shoqëror. Kundër vullnetit të gjerë të shqiptarëve, as BIK-u nuk do të kishte mundur të mbijetonte në tjetër formë.
Unë nuk mohoj kontributin e individëve me edukim fetar mysliman në rezistencën shqiptare, as kontributin e BIK-ut me infrastrukturën e tij. Në mbështetje materiale ka qenë si gjithë populli – por shumë më pak se potenciali i një institucioni që pretendohet se përfaqësonte mbi një milion e gjysmë besimtarësh.
Ajo që kundërshtoj është keqpërdorimi i historisë, ekzagjerimi i rolit institucional të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe çdo përpjekje për ta paraqitur atë si “shtyllën kryesore” apo faktor përcaktues të çlirimit të Kosovës pa fakte, dokumente dhe prova historike.
Unë mbes në qëndrimin se në organizimin e UÇK-së dhe të rezistencës paqësore kontributi institucional i BIK-ut ka qenë zero.
Nuk kam thënë dhe nuk them se çdo imam, hoxhë apo zyrtar i BIK-ut ishte kundër çështjes shqiptare. Përkundrazi, klerikë zyrtarë të BIK-ut kanë qenë pjesë e rezistencës dhe e luftës. Ashtu siç në UÇK kanë luftuar shqiptarë me prejardhje dhe bindje të ndryshme fetare: myslimanë, katolikë, protestantë dhe njerëz laikë. Kjo dëshmon se UÇK-ja ishte ushtri e popullit shqiptar dhe jo ushtri e një bashkësie fetare.
Në rezistencë dhe në luftë ishin familjet shqiptare, mësuesit, studentët, veprimtarët politikë, aktivistët humanitarë, diaspora, gratë dhe burrat e Kosovës, rezistenca paqësore dhe, mbi të gjitha, UÇK-ja dhe luftëtarët e saj. Kontributi nuk është e njëjta gjë me monopolin mbi historinë. Prandaj kontributi i BIK-ut duhet vlerësuar në kontekstin e përgjithshëm të rezistencës shqiptare dhe jo si monopol mbi të.
Dokumenti i 15 gushtit 1992 – çështja që nuk mund të anashkalohet
Pika kryesore e debatit është dokumenti për themelimin e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, datë 15 gusht 1992, nr. 443/92. Në të thuhet:
1. Themelohet Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë.
2. Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë është institucion islam universitar i pavarur.
3. Në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë organizohet dhe zhvillohet veprimtaria arsimore-edukative dhe shkencore në gjuhën shqipe.
4. Fakulteti ka për detyrë zhvillimin e veprimtarisë fetare-islame dhe krijimin e kuadrove islame të nivelit universitar.
5. Veprimtaria e Fakultetit financohet nga buxheti i Mesihatit të Bashkësisë Islame për Kosovë, Sërbi dhe Vojvodinë në Prishtinë.
6. Fakulteti fillon punën në vitin shkollor 1992/93.
Dokumenti mban nënshkrimin e kryetarit të Kuvendit, Miftar Hajdini, dhe vulat: “KRYESIA E BASHKËSISË ISLAME PËR KOSOVË, SËRBI DHE VOJVODINË – PRISHTINË” dhe në serbokroatisht: “MESIHAT ISLAMSKE ZAJEDNICE ZA KOSOVO, SRBIJU I VOJVODINU – PRIŠTINA”.
Pas Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe Kushtetutës së Kaçanikut, institucionet e rezistencës shqiptare po ndërtonin një strukturë të veçantë politike dhe institucionale të Republikës së Kosovës. Pse Bashkësia Islame vazhdoi të përdorte në vitin 1992 një strukturë institucionale që në emërtimin e saj përfshinte “Kosovë, Sërbi dhe Vojvodinë”? Nëse institucionet e tjera të arsimit dhe rezistencës shqiptare funksiononin jashtë sistemit të pushtetit serb, në çfarë sistemi juridik e arsimor funksiononte Fakulteti i Studimeve Islame?
Kjo nuk është pyetje anti-myslimane. Është pyetje institucionale. Unë nuk e kundërshtoj ekzistencën e Fakultetit të Studimeve Islame, as të drejtën e shqiptarëve myslimanë për të pasur institucione të arsimit fetar. Ajo që kërkoj është sqarimi dokumentar:
• Ku është regjistruar Fakulteti?
• Kush e ka njohur, licencuar dhe akredituar?
• Në cilin institucion arsimor është regjistruar?
• A është regjistruar në strukturat arsimore të Republikës së Kosovës apo në ato të Serbisë?
• Nëse është regjistruar në institucionet e Serbisë, pse?
• Nëse është regjistruar në institucionet e Republikës së Kosovës, të publikohen dokumentet përkatëse.
Fakti që mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe nuk e zgjidh automatikisht çështjen e statusit juridik. Prandaj, zoti Shkodra, mos i ikni thelbit të pyetjes. Unë nuk po them “Mos ekzistojë Fakulteti i Studimeve Islame”. Po them: Tregoni se në cilin sistem juridik dhe arsimor është regjistruar dhe akredituar në vitin 1992-93.
Nëse njësitë dhe institucionet e tjera akademike të sistemit paralel shqiptar janë regjistruar pranë strukturave të arsimit të Republikës së Kosovës dhe jo pranë institucioneve të pushtetit serb, atëherë duhet shpjeguar pse Fakulteti i Studimeve Islame përdori një strukturë tjetër. Kjo nuk është denigrim e as sulm. Është evidentim i një mospërputhjeje institucionale që kërkon shpjegim historik dhe juridik. Nëse dokumentet tregojnë se BIK-u nuk ka pasur mundësi reale të vepronte ndryshe për shkak të rrethanave të kohës, kjo duhet të thuhet dhe të analizohet në kontekstin e plotë historik. Por dokumenti nuk mund të fshihet vetëm sepse pyetja është e pakëndshme.
Pretendimi se fakulteti u krijua me konsultimin e elitave politike e intelektuale të kohës nuk qëndron. Është i njëjti narrativ që përdorin edhe bashkëpunëtorët e Serbisë, se gjoja kanë qenë bashkëpunëtorë të profesor Fehmi Aganit – kështu spekulon edhe Fatmir Sheholli, agjenti i BIA-s që tashmë është në burg. Fehmi Agani u vra nga policia serbe dhe ai nuk mund të dëshmojë. Mos gënjeni dhe mos shpifni.
Edhe fakti që në objektin e Fakultetit të Studimeve Islame ka pasur hapësirë për veprimtarinë e një komiteti për të drejtat e njeriut nuk e zgjidh çështjen e statusit juridik. Mund të ketë qenë gjest patriotik, solidaritet i sinqertë ose zgjedhje praktike e rrethanave. Unë dua të besoj se stafi dhe kleri patriotik i BIK-ut u nënshtruan vullnetit për liri dhe rezistencë. Por cilado qoftë arsyeja, ajo nuk e ndryshon pyetjen themelore mbi regjistrimin dhe statusin institucional të Fakultetit.
Pretendimi se pronat private nuk u prekën sepse kjo do të ishte “e kundërligjshme” nuk mund të shpjegojë sjelljen e pushtetit serb. Mbyllja e shkollave shqiptare, dëbimi i mësuesve dhe nxënësve, konfiskimet, dhuna dhe shkeljet e të drejtave ishin pjesë e një politike që shqiptarët e konsideronin të paligjshme dhe represive. Prandaj pyetja mbetet: Pse disa institucione fetare vazhduan të funksiononin në mënyrë institucionale në një kohë kur institucionet publike shqiptare u nxorën jashtë ligjshmërisë nga pushteti serb?
Narrativa osmane, identiteti kombëtar dhe praktikat kulturore
Shqiptarët nuk kanë nevojë të zgjedhin mes kombit dhe fesë. Ne nuk mohojmë praninë e Islamit në historinë shqiptare. Po refuzojmë që Islami të përdoret për ta zëvendësuar shqiptarinë.
Historia shqiptare ka një periudhë të gjatë nën pushtimin e Perandorisë Osmane, por shqiptarët nuk e humbën identitetin e tyre. Ata ruajtën gjuhën, zakonet, lidhjet familjare, traditat, Kanunin, kujtesën historike dhe, në luftë për liri kundër perandorisë pushtuese osmane, krijuan shtetin e tyre kombëtar. Prandaj nuk pranoj një narrativë që e paraqet pushtimin osman si histori “çlirimi” apo “shpëtimi” të shqiptarëve. Kjo çështje është trajtuar me dokumente dhe historiografi, dhe nuk mund të ndryshohet me propagandë.
Kritikët tanë janë edhe kundër ligjërimit dhe futjes së praktikave që bien ndesh me kulturën, zakonet shqiptare dhe ligjin aktual për familjen – si martesa brenda fisit të gjerë (vajza e hallës, tezës, dajës apo axhës) – gjë që është e papranueshme për kulturën dhe traditën tonë shqiptare. Çdo ligjërim fetar që bie ndesh me normat juridike të Republikës së Kosovës apo me parimet themelore të familjes dhe dinjitetit njerëzor duhet të kritikohet seriozisht. Nëse janë bërë deklarime që justifikojnë të tilla praktika, ato duhet të identifikohen dhe të denoncohen nga institucionet kompetente.
Nuk është e pranueshme që çdo praktikë e ardhur nga një traditë tjetër kulturore të shpallet automatikisht “traditë shqiptare”. Kultura shqiptare duhet të vlerësohet mbi bazën e historisë shqiptare, jo të importohet dhe pastaj t’i vihet emri shqiptar.
Misioni i lëvizjeve, transparenca dhe raste konkrete
Misioni i lëvizjeve që dolën nga tubimi i Deçanit nuk është të përbaltin BIK-un apo myslimanët. Ato kanë mision të mbrojnë kulturën dhe identitetin shqiptar nga sulmet që vijnë nga vetë BIK-u dhe zyrtarët e tij. Po të mos e kishte quajtur kreu i BIK-ut Sulltan Muratin “çlirimtar” në 2015, po të mos fyheshin heronjtë kombëtarë dhe flamuri, po të mos kishte tendencë për të zëvendësuar identitetin shqiptar me atë islam dhe kulturën shqiptare me atë turko-arabe, as tubimi i Deçanit e as lëvizjet që pasuan nuk do të kishin ekzistuar. Shqiptarët rezistuan pushtimit osman, nuk pranuan kurrë të qeveriseshin me sheriat, por me zakonet e veta me Kanunin e Lekë Dukagjinit, dhe kurrë nuk pranuan praktikat e importuara që cenojnë nderin e familjes dhe të fisit.
Z. Shkodra, filozofia e Kadaresë ka ngadhënjyer edhe pse ju e sulmoni. Intelektualë si Blerim Latifi dhe Ag Apolloni nuk heshtin; ata ndjekin të njëjtën filozofi. Intelektualët e mirëfilltë dhe populli ndjekin filozofinë e shqiptarisë, jo atë të tjetërsimit.
Ju e quani debatin të kotë. Debati nuk është i kotë. Ne kërkojmë llogari për punën antishqiptare, transparencë për financat dhe donacionet e kushtëzuara, si dhe zbardhje të dyshimeve se Serbia është e përfshirë në islamizimin e shtetit dhe shoqërisë. Rastet e Hyzri Selimit (me vendim gjyqësor), i imamëve të shkolluar në Novi Pazar (të akredituar nga Serbia) dhe i Fatmir Shehollit (në proces gjyqësor) janë fakte, jo shpifje.
Ju tentoni ta relativizoni reagimin tim duke thënë se “nuk di a ja vlen të merrem me Basri Bekën”. Para argumenteve ju përgjigjeni me fyerje, insinuata, gënjeshtra dhe kërcënime. Fjalët e ekzagjeruara të disa personaliteteve publike po përdoren si mburojë dhe material propagandistik. Kjo nuk duket si rastësi. Është pjesë e një strategjie të islamit politik.
Ju shpifni se gjoja unë kam kontestuar figurën e Adem Demaçit apo të profesor Qosjes. E vërteta është se kam kontestuar abuzimin dhe kam kritikuar propagandën që bëni duke shfrytëzuar fjalimet e ekzagjeruara të disa personaliteteve, që shpesh kanë ardhur si pasojë e kulturës shqiptare të nderimit të nikoqirit kur je mysafir. Kjo është pjesë e strategjisë së islamit politik.
Unë me mentorët e mi – intelektualë, profesorë, gjeneralë, doktorë, historianë dhe patriotë të dëshmuar – do të vazhdojmë t’ju demaskojmë dhe të ndalim manipulimin dhe tjetërsimin kulturor e identitar. Shqiptarët i takojnë qytetërimit perëndimor dhe ju nuk do të arrini t’u impononi një kulturë të huaj dhe ta falsifikoni e keqpërdorni historinë.
Akuzat për përçarës, islamofob, mercenar dhe nxitës të urrejtjes i përdorni për të ndalur kritikën dhe për të krijuar masë të frustruar që mund të kalojë në dhunë – gjë që personalisht e kam përjetuar. Por as mua e as neve nuk na zmbrapsni. Ju po shpërfaqeni hapur me gjuhën tuaj linçuese dhe demonizuese, prandaj për çdo incident dhe për çdo rrezikim të integritetit fizik të çdo njeriu nga ne do të përballeni me përgjegjësinë tuaj penale.
Ju pretendoni se po e mbroni identitetin shqiptar. Në fakt po impononi një identitet fetar dhe po cenoni atë kombëtar. Ne ju kritikojmë për këtë dhe nuk jemi as përçarës e as urrejtës. Ideologjia jonë është shqiptarizmi. E juaja është islamizmi dhe shërbimi për interesa e axhenda të huaja.
Prandaj kërkojmë transparencë për financimin dhe donacionet e kushtëzuara. Fakti është se shumë xhami të ndërtuara me para të jashtme imponohen emra pushtuesish dhe sheikësh arabë, e jo emrat e hoxhallarëve që lanë gjurmë në shqiptari (Mulla Idriz Gjilani, Hoxhë Kokrruku, Mulla Vehbi Dibra, Mulla Zekë Bërdyna e të tjerë).
Ju na akuzoni se ne kemi portale, por në fakt ju keni ngritur qindra portale e mediume (siç thotë profesori Nusret Pllana) për t’u shpëlarë trurin njerëzve. Ajo që po ndodh me debatin sot në Kosovë është një reaksion imuniteti i natyrshëm. Kur një fe përpiqet të ndryshojë kombin, kombi i përgjigjet me kthim te rrënjët.
Ju thoni se besimi është i lirë dhe se nuk merreni me besimin e tjetrit. Por imamët tuaj fyejnë shenjtorët e tjerëve (përfshirë Nënë Terezën) dhe ju heshtni. Nëpërmjet strukturave që po ndërtoni po përpiqeni të impononi ideologji dhe diktat. Ne nuk kemi fonde të huaja e as bashkëpunim me organizata që merret me shkombëtarizim. Ju jeni ata që duhet të përgjigjeni.
Rasti Sheholli dhe rastet e tjera ju kanë nxjerrë lakuriq. Populli ka filluar të kuptojë hipokrizinë. Dokumentet kanë dalë: vendimi gjyqësor për Hyzri Selimin, rasti Sheholli, raportimet për korrupsion, abuzime seksuale në medrese, tentimi për prishjen e rendit kushtetues. Prandaj përgatituni se debati do të thellohet.
Identiteti shqiptar nuk është fetar, por gjuhësor dhe kulturor. Ne jemi 95 % shqiptarë, jo “95 % muslimanë” sipas narrativës suaj dhe të Mevludin Duliqit që tha në Prizren se “nuk ka shqiptarë e boshnjakë, ka vetëm muslimanë”.
Mos harro, z. Shkodra: populli po i sheh “barbusat”, “mercedesat” dhe “villat e sheikëve të Kosovës”. Ai po kupton hilën. Ai po e kupton se ne po luftojmë që të mos krijohet identitet fetar në dëm të atij kombëtar dhe po duam të krijojmë kohezion kombëtar, ndryshe nga ju që po punoni edhe më tej ta fragmentoni këtë komb.
Ju thatë se jemi në kohën e teknologjisë e globalizimit. Po, jemi në kohën e teknologjisë, inteligjencës artificiale dhe globalizmit. Prandaj ne po ju rezistojmë që të mos na ktheni në mesjetë. Ju po ofroni mesjetën; ne nuk po e pranojmë mesjetën që po e ofroni ju. Ne duam zhvillimin dhe prosperitetin, lartësimin dhe madhështimin e kombit tonë.
_____



