Mes Kosovës dhe Zvicrës – Rrëfimi dhe angazhimi i Arta Kryeziut

Shkrime relevante

A mendoni jashtë “të vërtetave partiake” dhe klanore ti zonja Eliza Hoxha dhe z.Ismail Tasholli!?

Msc Belisar Jezerci, historian ____ Zonja Eliza Hoxha dhe z.Ismail Tasholli! "Ju dëshmuat haptas,...

Tezat themelore të rishikimit të strategjisë shqiptare në transformimin e marrëdhënieve transatlantike

Dr. Sadri Ramabaja, Prishtinë Hyrje: Drejt një doktrine të re strategjike shqiptare...

Kërkuar fakte, ja ku janë ato! Nga rekrutimi për ISIS te spiunazhi për BIA-n e Serbisë

Lyuan - Asllan Dibrani, Gjermani Disa zëra që kundërshtuan shkrimin tim kërkuan...

Përgjigje ndaj akuzave dhe shpifjeve të Ramadan Shkodrës

Basri Beka, Prishtinë _____ Ramadan Shkodra, në intervistën e tij në podcastin “Zë”...

Mes Kosovës dhe Zvicrës – Rrëfimi dhe angazhimi i Arta Kryeziut

Intervistoj: Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë Ka takime që ndodhin rastësisht, por që të...

Shpërndaj

Intervistoj: Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë

Ka takime që ndodhin rastësisht, por që të shtyjnë të ndalesh e të dëgjosh një histori. Një i tillë ishte edhe takimi im me Arta Kryeziun, në Gjenevë, gjatë veprimtarisë përkujtimore kushtuar viktimave dhe personave të pagjetur të luftës në Kosovë.

Shqiptare e ardhur nga Kosova në Zvicër, ndërmjetëse ndërkulturore dhe aktiviste e palodhur e komunitetit shqiptaro-zviceran, Arta Kryeziu prej më shumë se dy dekadash e ka lidhur jetën e saj në mërgim me angazhimin qytetar, integrimin dhe ruajtjen e kujtesës. Që nga themelimi i shoqatës Jardin des disparus në vitin 2000, ajo ka qenë pjesë e kësaj nisme dhe një zë i pranishëm në veprimtaritë që mbajnë gjallë kujtimin për viktimat dhe personat ende të pagjetur.

Por pas aktivistes dhe ndërmjetëses ndërkulturore qëndron edhe historia e një gruaje kosovare që dikur erdhi si fëmijë në Zvicër, ndërtoi jetën e saj në një vend të ri dhe, njëkohësisht, nuk i shkëputi lidhjet me vendlindjen dhe komunitetin e saj.

Në këtë intervistë me Arta Kryeziun flasim për rrugëtimin e saj nga Kosova në Zvicër, sfidat e emigrimit dhe integrimit, angazhimin në komunitetin shqiptar të Gjenevës, rolin e diasporës dhe, mbi të gjitha, për një plagë që vazhdon të mbetet e hapur: fatin e personave të pagjetur të Kosovës dhe përgjegjësinë tonë për të mos i lënë në harresë.

NM: Kush është Arta Kryeziu dhe si nisi rrugëtimi juaj nga Kosova drejt Zvicrës?

Arta Kryeziu: Jam Arta Kryeziu, nënë e tri vajzave. Me profesion jam punëtore sociale dhe ndërmjetësuese ndërkulturore.

Rrugëtimi im drejt Zvicrës nisi në vitet ’90, kur u detyrova të largohesha nga Prishtina, në një periudhë shumë të vështirë për familjen time dhe për Kosovën. Ishte koha kur prindërit e mi u larguan nga puna, si shumë shqiptarë të tjerë të Kosovës.

Jam rritur në një familje ku atdhedashuria është kultivuar brez pas brezi, ku vlerat, përgjegjësia dhe angazhimi i pakursyer për çështjen kombëtare kanë qenë gjithmonë të pranishme.

Edhe angazhimi im buron pikërisht nga ky edukim dhe nga shembulli që kam pasur në familje. Nga stërgjyshi e deri te babai im i ndjerë, kjo frymë është përcjellë ndër breza dhe ka ndikuar thellësisht në formimin tim.

Besoj se kjo trashëgimi më ka bërë gruan dhe aktivisten që jam sot. Përpiqem që edhe unë ta përcjell këtë frymë te brezat e rinj dhe, në mënyrë të veçantë, te tri vajzat e mia. Dua që ato të shohin tek unë shembullin e një gruaje që, pavarësisht vështirësive dhe pengesave të jetës, nuk është ndalur, por ka vazhduar me përkushtim rrugën dhe vlerat e trashëguara nga të parët e saj.

NM: Si i kujtoni vitet e para në Zvicër dhe cilat ishin sfidat më të mëdha me të cilat u përballët si emigrante kosovare?

Arta Kryeziu : Dy vitet e para në Gjenevë kanë qenë shumë sfiduese për mua. E kisha të vështirë ta pranoja faktin se kishim lënë Prishtinën dhe, mbi të gjitha, gjyshen me të cilën isha jashtëzakonisht e lidhur. Jetoja me shpresën se shumë shpejt do të ktheheshim.

Në fillim madje refuzoja ta mësoja frëngjishten, si një formë mospranimi të realitetit të ri. Por, me përkeqësimin e situatës në Kosovë, kuptova se jeta jonë do të ndërtohej në Gjenevë dhe se gjuha ishte çelësi i integrimit.

Rrugëtimi nuk ishte i lehtë, sepse shpesh jam ndier e konsideruar si e huaj. Megjithatë, duke ruajtur vlerat familjare dhe kombëtare dhe duke përqafuar njëkohësisht vlerat e shoqërisë zvicerane, arrita të ndërtoj identitetin tim mes dy kulturave. Sot, pikërisht ky identitet më bën të ndihem krenare dhe e vlerësuar.

NM:  Sot jeni ndërmjetëse ndërkulturore në Gjenevë. Çfarë do të thotë për ju kjo punë dhe sa ju ka ndihmuar përvoja juaj personale si emigrante për t’i kuptuar njerëzit që mbështesni?

Arta Kryeziu: Përvoja ime si emigrante më ka ndihmuar shumë në punën si ndërmjetëse ndërkulturore. Duke qenë se edhe vetë kam kaluar nëpër sfida të ngjashme, e kam më të lehtë t’i kuptoj përjetimet e njerëzve, të krijoj empati dhe të kuptoj kodet e ndryshme kulturore.

Roli im nuk është t’u jap palëve zgjidhjen, por t’i dëgjoj, t’i orientoj dhe t’i shoqëroj drejt një zgjidhjeje që ata vetë e ndërtojnë. Për mua, ndërmjetësimi ndërkulturor kërkon njohjen dhe respektimin e kulturave të ndryshme, por para së gjithash njohjen e thellë të kulturës dhe identitetit tënd

NM: Si e shihni sot integrimin e komunitetit shqiptar në Gjenevë dhe në shoqërinë zvicerane? Çfarë kemi arritur dhe ku mbeten ende sfida?

Arta Kryeziu: Ne shqiptarët po i tejkalojmë gjithnjë e më shumë paragjykimet dhe po integrohemi mirë në shoqërinë zvicerane. Por besoj se integrimi duhet të bëhet me hapa të sigurt, sepse të integrohesh nuk do të thotë të harrosh prejardhjen, kulturën dhe identitetin tënd. Sa më të forta t’i kemi rrënjët, aq më të sigurt ecim përpara.

Një nga sfidat tona kryesore mbetet përcjellja e gjuhës, kulturës dhe vlerave tona te brezat e rinj, pa i penguar ata të ndërtojnë të pavarur jetën e tyre në shoqërinë zvicerane. Duke krijuar mirëkuptim dhe respekt ndërmjet brezave, mund të kemi një integrim të shëndetshëm, pa humbur atë që jemi.

NM:  Ju jeni pjesë e shoqatës Jardin des disparus që nga themelimi i saj në vitin 2000. Si nisi ky angazhim dhe çfarë ju ka bërë t’i qëndroni besnike kësaj kauze për më shumë se 25 vjet?

Arta Kryeziu: Angazhimi im në Jardin des disparus – Kopshti i të Zhdukurve nisi përmes babait tim, i cili, së bashku me veprimtarë të tjerë, ishte i përfshirë që nga themelimi i shoqatës. Duke e shoqëruar vazhdimisht në aktivitete, edhe unë u bëra pjesë e saj, fillimisht si anëtare e komitetit dhe më pas edhe si bashkëkryetare.

Ajo që më ka mbajtur të lidhur me këtë kauzë për më shumë se 25 vjet është fakti se fati i shumë personave të zhdukur ende nuk është zbardhur. Familjet kanë të drejtë të dinë se çfarë ka ndodhur me më të dashurit e tyre dhe ne kemi përgjegjësi që zëri i tyre të vazhdojë të dëgjohet.

Sot përpiqemi që përmes shoqatës të jemi një urë lidhëse mes Kosovës dhe institucioneve ndërkombëtare. Po punojmë gjithashtu në mbledhjen dhe plotësimin e dokumentacionit për personat e zhdukur, në bashkëpunim me institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës. Për mua, ky angazhim do të vazhdojë për aq kohë sa familjet presin përgjigje.

NM:  Çfarë përfaqëson për ju Jardin des disparus dhe çfarë mesazhi përcjell ekzistenca e tij këtu në Gjenevë?

Arta Kryeziu: Jardin des disparus – Kopshti i të Zhdukurve është për mua një vend kujtese, solidariteti dhe shprese. Ai u krijua më 7 tetor 2000 nga familje të personave të zhdukur nga vende të ndryshme të botës. Në inaugurimin e tij u mbollën pesë pemë, nga një për secilin kontinent, me dhe të sjellë nga vende të ndryshme. Mes tyre ishte edhe dheu i sjellë nga Kosova.

Nuk është rastësi që ky vend ndodhet në Meyrin, një komunë ku bashkëjetojnë mbi 140 kombësi dhe ku shumë njerëz kanë gjetur strehim pasi janë detyruar të largohen nga vendet e tyre.

Ky kopsht na kujton se zhdukja me forcë nuk njeh kufij apo kombësi. Ai mban gjallë kujtesën për të zhdukurit dhe përcjell një mesazh të fuqishëm: familjet kanë të drejtë të dinë të vërtetën dhe ne nuk duhet të reshtim së kërkuari zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre.

 

NM:  U njohëm pikërisht në një veprimtari kushtuar viktimave dhe personave të pagjetur. Çfarë ndjeni ju personalisht sa herë merrni pjesë në një tubim të tillë?

Arta Kryeziu: Sa herë marr pjesë në një tubim të tillë, ndiej dhimbje, përgjegjësi, por edhe nevojën për të mos heshtur. Çështja e personave tanë të zhdukur duhet të jetë mbi bindjet politike, dallimet dhe egot personale.

Kjo është një kauzë që duhet të na bashkojë. Vetëm duke i bashkuar forcat dhe duke e mbajtur këtë çështje si prioritet të përbashkët, mund ta bëjmë zërin e familjeve më të fuqishëm dhe të kontribuojmë në zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre.

 

NM:  Kanë kaluar më shumë se dy dekada nga përfundimi i luftës në Kosovë, ndërsa familje të shumta ende presin të mësojnë fatin e të afërmve të tyre. Çfarë mendoni se u detyrohemi këtyre familjeve?

Arta Kryeziu: Ne që sot gëzojmë lirinë, u detyrohemi dëshmorëve, të zhdukurve dhe të gjithë atyre që dhanë gjithçka për vendin tonë.

Familjeve të personave të pagjetur u detyrohemi respekt, solidaritet dhe, mbi të gjitha, përpjekje të pandërprera për të vërtetën dhe drejtësinë. Dhimbja e tyre nuk duhet të harrohet dhe pritja e tyre nuk mund të mbetet pa përgjigje

NM:  Si mund ta ruajmë kujtesën për viktimat dhe të pagjeturit pa kultivuar urrejtje, por njëkohësisht pa lejuar që e kaluara të harrohet?

Arta Kryeziu: Besoj se urrejtja ushqehet pikërisht aty ku e vërteta mohohet dhe e kaluara harrohet. Prandaj, sa më mirë ta njohim dhe ta kujtojmë historinë tonë, edhe kur ajo na rikthen dhimbjen dhe traumat, aq më shumë krijojmë hapësirë për të vërtetën dhe drejtësinë, e jo për urrejtjen.

Të ruash kujtesën nuk do të thotë të kultivosh hakmarrjen. Do të thotë të nderosh viktimat, të kërkosh drejtësi dhe të mos lejosh që ajo që ka ndodhur të mohohet apo të harrohet.

NM; Ju keni qenë vazhdimisht e pranishme në jetën e komunitetit shqiptaro-zviceran. Si ka ndryshuar diaspora shqiptare në Gjenevë gjatë këtyre viteve dhe çfarë roli duhet të ketë ajo sot?

Arta Kryeziu: Kam qenë pjesë e jetës së komunitetit shqiptar në Gjenevë që në moshë të re, fillimisht përkrah prindërve të mi Hevzi dhe Besime Kryeziu  dhe më pas përmes shoqatave e organizimeve të ndryshme shqiptare. Përmes tyre, diaspora jonë ka bërë shumë për ruajtjen e kujtesës, promovimin e kulturës, gjuhës dhe identitetit kombëtar.

Sot mendoj se ky aktivitet është zbehur disi. Ndoshta sepse lufta ka përfunduar dhe komuniteti ynë është integruar më shumë në shoqërinë zvicerane. Por nuk duhet të harrojmë se integrimi i mirëfilltë është më i lehtë kur je i rrënjosur dhe në paqe me identitetin tënd.

Sfida jonë më e madhe sot janë brezat e rinj. Duhet t’u përcjellim gjuhën, historinë dhe kulturën tonë, duke i ndihmuar njëkohësisht të jenë pjesë aktive e shoqërisë zvicerane. Për këtë duhet të bashkohemi përtej dallimeve politike apo fetare dhe, mbi të gjitha, ta fuqizojmë shkollën shqipe. Sepse gjuha është një nga urat më të forta që i lidh fëmijët tanë me rrënjët e tyre.

NM: Çfarë do t’u thoshit të rinjve shqiptarë të lindur apo të rritur në Zvicër, të cilët Kosovën dhe historinë e saj e njohin kryesisht përmes rrëfimeve të prindërve dhe gjyshërve?

Arta Kryeziu: Të rinjve shqiptarë do t’u thosha: “Rrënjësohuni, nëse doni të integroheni mirë.” Njiheni gjuhën, historinë dhe kulturën tuaj, kultivoni vlerat shqiptare dhe ndërthurini ato me vlerat e shoqërisë zvicerane. Kështu do të ndërtoni një identitet të plotë dhe do të vlerësoheni edhe më shumë në vendin ku jetoni.

Një mesazh kam edhe për gjyshërit: kaloni sa më shumë kohë me nipërit dhe mbesat tuaja. Ju jeni kujtesa, rrëfimi dhe dëshmia e së kaluarës. Përmes dashurisë dhe historive tuaja, ua transmetoni brezave të rinj atë që asnjë libër nuk mund t’ua përcjellë në të njëjtën mënyrë.

Sepse rrënjët ruhen jo vetëm duke treguar se nga vijmë, por duke ua bërë të rinjve ta ndiejnë se asaj historie i përkasin edhe ata.

NM: Pas gjithë këtij rrugëtimi, çfarë është Kosova për Arta Kryeziun sot, çfarë është Zvicra dhe cili është mesazhi që dëshironi t’ua përcillni shqiptarëve të diasporës?

Arta Kryeziu: Pas gjithë këtij rrugëtimi, për mua Kosova janë rrënjët, familja është trungu, ndërsa Zvicra janë degët ku kemi ndërtuar jetën tonë. Shoqatat, komuniteti dhe angazhimi ynë janë gjethet që e mbajnë këtë pemë të gjallë.

Mesazhi im për shqiptarët e diasporës është që të mos i harrojmë kurrë rrënjët tona, por njëkohësisht të japim më të mirën nga vetja në vendin ku jetojmë. Të jemi të bashkuar, sepse vetëm një pemë me rrënjë të forta, trung të qëndrueshëm dhe degë të shëndosha mund të japë fryte.

Le të jemi ne dhe brezat që vijnë frytet e kësaj peme të përbashkët.

Nexhmije Mehmetaj ; Faleminderit që ndatë me ne jo vetëm rrugëtimin tuaj personal nga Kosova në Zvicër, por edhe përvojën, angazhimin dhe përkushtimin tuaj shumëvjeçar ndaj komunitetit, ruajtjes së identitetit dhe kujtesës për personat e pagjetur.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu