Hyrje: Drejt një doktrine të re strategjike shqiptare në epokën e transformimit të marrëdhënieve transatlantike
Transformimet e thella që po përjeton sistemi ndërkombëtar po sinjalizojnë fundin gradual të modelit strategjik që ka dominuar marrëdhëniet transatlantike që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Lufta në Ukrainë, rivaliteti sistemik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, rikthimi i Rusisë si fuqi revizioniste, krizat energjetike, sfidat teknologjike dhe presioni mbi financat publike të demokracive perëndimore po e shtyjnë Uashingtonin drejt një rishqyrtimi të rolit të tij global dhe, në veçanti, të marrëdhënieve me Evropën.
Në këtë kontekst, analiza e Dr. Jakub Grygiel nuk duhet lexuar thjesht si një debat mbi politikën e jashtme amerikane. Ajo përfaqëson një reflektim më të gjerë mbi mënyrën se si mund të rikonfigurohet arkitektura euroatlantike e sigurisë në dekadat e ardhshme.
Pesë pyetjet strategjike që ai shtron – mbi integrimin evropian, pozicionimin ushtarak amerikan, zgjedhjen e partnerëve kryesorë, shkallën e ndërhyrjes në politikën evropiane dhe autonominë ushtarake të Evropës – nuk kanë rëndësi vetëm për Uashingtonin. Ato krijojnë një kornizë të re analitike brenda së cilës edhe shtetet e vogla dhe të mesme duhet të rishikojnë supozimet mbi të cilat kanë ndërtuar strategjitë e tyre kombëtare.
Për hapësirën shqiptare, kjo përbën një moment me rëndësi të veçantë historike. Për më shumë se tri dekada, strategjia shqiptare është mbështetur mbi premisën se integrimi euroatlantik dhe garancitë e sigurisë të ofruara nga NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara përbënin boshtin pothuajse të pandryshueshëm të politikës kombëtare. Ky orientim ishte jo vetëm i drejtë, por edhe vendimtar për mbijetesën politike të Kosovës, për konsolidimin e shtetit shqiptar dhe për stabilitetin e rajonit.
Megjithatë, ndryshimi i mjedisit ndërkombëtar kërkon kalimin nga një kulturë strategjike e mbështetur kryesisht mbi pritjen e garancive të jashtme drejt një kulture të re, të bazuar në prodhimin e kapaciteteve kombëtare dhe në kontributin aktiv në sigurinë kolektive.
Aleancat nuk po humbasin rëndësinë e tyre; përkundrazi, ato po bëhen më selektive dhe më kërkuese ndaj anëtarëve të tyre. Në rendin e ri që po merr formë, pesha politike e një shteti do të matet gjithnjë e më shumë nga aftësia për të prodhuar siguri, për të ndërtuar reziliencë ekonomike e teknologjike dhe për të ofruar vlerë strategjike për aleancën.
Kjo nënkupton se edhe faktori shqiptar duhet ta rishikojë paradigmën mbi të cilën ka ndërtuar mendimin e tij strategjik. Shqipëria dhe Kosova nuk mund të konceptohen më vetëm si përfitues të arkitekturës euroatlantike të sigurisë, por duhet të synojnë të shndërrohen në aktorë që kontribuojnë në mënyrë të matshme në stabilitetin e Krahut Juglindor të NATO-s dhe të Evropës.
Dhjetë tezat që parashtrohen në vijim nuk përbëjnë një program qeveritar dhe as një platformë partiake. Ato janë një përpjekje për të formuluar elementet themelore të një doktrine të re strategjike shqiptare, të aftë për t’iu përgjigjur transformimeve të rendit ndërkombëtar dhe për të orientuar mendimin politik, akademik dhe institucional drejt një vizioni afatgjatë. Në thelb, ato synojnë të nxisin debat mbi mënyrën se si kombi shqiptar mund të kalojë nga pozita e një subjekti që kërkon mbrojtje, në një faktor që prodhon siguri, stabilitet dhe peshë strategjike në hapësirën euroatlantike.
Nëse shekulli XX ishte epoka e mbijetesës dhe e afirmimit të çështjes shqiptare, atëherë sfida e shekullit XXI është ndërtimi i kapaciteteve që e bëjnë faktorin shqiptar një komponent të pazëvendësueshëm të arkitekturës së re të sigurisë evropiane. Pikërisht mbi këtë premisë ndërtohen dhjetë tezat e mëposhtme.
Nga transformimi i marrëdhënieve transatlantike drejt një doktrine të re strategjike shqiptare
Duke u mbështetur në analizën e Dr. Jakub Grygiel,[1] por duke e lexuar atë nga perspektiva e interesit kombëtar shqiptar (Shqipëri–Kosovë, koha është të formulohet një platformë strategjike e re shqiptare. Thelbi i saj nuk duhet të jetë përshtatja pasive ndaj ndryshimeve transatlantike, por pozicionimi aktiv i faktorit shqiptar si pjesë e arkitekturës së re të sigurisë në Evropën Juglindore.
Në këtë kuadër, doktrina e re strategjike shqiptare duhet të përfshijë si objektiv afatgjatë transformimin gradual të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës drejt një bashkësie të integruar politike, ekonomike, të sigurisë dhe të politikës së jashtme, që në perspektivë mund të marrë formën e një Federate Shqiptare, të ndërtuar mbi vullnetin demokratik të qytetarëve të të dy shteteve, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me arkitekturën euroatlantike të sigurisë. Në këtë kuptim, Federata Shqiptare nuk paraqitet si një projekt revizionist territorial, por si faza më e avancuar e integrimit funksional të hapësirës shqiptare në kuadrin e rendit të ri evropian.
Më poshtë janë tezat themelore që, sipas meje, mund të përbëjnë bazën e një doktrine të re strategjike shqiptare.
Teza I
Nga “objekt sigurie” në “prodhues sigurie”
Për tri dekada politika shqiptare është ndërtuar mbi supozimin se siguria garantohet kryesisht nga SHBA-ja dhe NATO.
Transformimet aktuale sugjerojnë se aleatët do të gjykohen gjithnjë e më shumë sipas aftësisë së tyre për të prodhuar siguri dhe jo vetëm për ta konsumuar atë.
Prandaj objektivi strategjik shqiptar duhet të jetë:
- ndërtimi i kapaciteteve ushtarake moderne;
- rritja e industrisë së mbrojtjes;
- zhvillimi i aftësive në fushën kibernetike;
- inteligjenca strategjike;
- mbrojtja civile.
Në këtë mënyrë faktori shqiptar shndërrohet në eksportues stabiliteti.
Teza II
Rishikimi i partneriteteve strategjike në përputhje me evolucionin e Krahut Lindor të NATO-s
Analiza e Dr. Jakub Grygiel argumenton se qendra e gravitetit të strategjisë amerikane në Evropë po zhvendoset gradualisht nga boshti tradicional franko-gjerman drejt Krahut Lindor të NATO-s dhe shteteve të Evropës Qendrore e Veriore. Ky zhvillim nuk nënkupton zëvendësimin e aleancave tradicionale transatlantike, por përshtatjen e tyre me realitetet e reja të sigurisë evropiane.
Për interesin strategjik shqiptar kjo nuk përkthehet në një zhvendosje të boshtit të politikës së jashtme, por në një zgjerim dhe diversifikim të rrjetit të partneriteteve strategjike.
Në këtë kuptim, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara mbetet themeli i sigurisë kombëtare shqiptare, ndërsa bashkëpunimi i ngushtë me Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Kroacinë dhe Turqinë vazhdon të ketë rëndësi të dorës së parë për mbrojtjen, diplomacinë, zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin rajonal.
Megjithatë, transformimi i prioriteteve strategjike amerikane kërkon që edhe politika shqiptare të zhvillojë një dimension të ri të bashkëpunimit me shtetet e Krahut Lindor të NATO-s, të cilat po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në arkitekturën e re të sigurisë evropiane.
Në këtë kuadër, Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërtojnë partneritete më intensive me:
- Poloninë;
- Shtetet baltike;
- Finlandën;
- Suedinë;
- Çekinë;
si edhe të zhvillojnë një dialog strategjik më të strukturuar me Rumaninë dhe Sllovakinë, pavarësisht faktit se këto dy vende ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Interesi për një bashkëpunim më të ngushtë buron nga fakti se ato ndajnë një perceptim të ngjashëm lidhur me kërcënimet që vijnë nga politika revizioniste ruse dhe mbi nevojën për forcimin e Krahut Lindor të NATO-s.
Prandaj, rishikimi i strategjisë shqiptare nuk konsiston në zëvendësimin e aleancave ekzistuese, por në harmonizimin e diplomacisë dhe të politikës së sigurisë me evolucionin e prioriteteve të aleancës transatlantike. Sa më shumë që vëmendja strategjike e Shteteve të Bashkuara përqendrohet te Krahut Lindor i NATO-s, aq më shumë edhe faktori shqiptar duhet të jetë i pranishëm në këtë hapësirë, duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi pa cenuar marrëdhëniet e konsoliduara me aleatët e tij tradicionalë.
Teza III
Shqipëria dhe Kosova si porta jugore e arkitekturës së re euroatlantike të sigurisë
Nëse Polonia po konsolidohet si porta veriore e strategjisë së frenimit ndaj Rusisë në Evropë, atëherë Shqipëria dhe Kosova kanë potencialin të shndërrohen në portën jugore të kësaj arkitekture të re të sigurisë në Evropën Juglindore.
Ky rol nuk buron vetëm nga pozita e tyre gjeografike, por edhe nga fakti se hapësira shqiptare përfaqëson pikën kryesore të lidhjes ndërmjet Adriatikut, Ballkanit Perëndimor dhe Krahut Juglindor të NATO-s. Në një mjedis të karakterizuar nga konkurrenca gjeopolitike, rritja e ndikimit rus nëpërmjet Serbisë dhe paqëndrueshmëria e vazhdueshme në rajon, Shqipëria dhe Kosova mund të shndërrohen në një faktor kyç të stabilitetit dhe të projeksionit të sigurisë euroatlantike.
Në këtë kuptim, si dy shtete sovrane dhe aleate të natyrshme, Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërtojnë gradualisht një hapësirë të integruar strategjike. Në perspektivë, përmes procesit të integrimit institucional dhe funksional, e më pas edhe të institucionalizimit të një Federate Shqiptare, ky potencial do të mund të konsolidohej në një subjekt strategjik më të fuqishëm, i aftë të kontribuojë në mbrojtjen e Evropës Juglindore dhe në forcimin e Krahut Jugor të NATO-s.
Ky objektiv nënkupton:
- modernizimin e bazave ushtarake në Shqipëri;
- zhvillimin e korridoreve strategjike logistike Adriatik–Kosovë;
- integrimin progresiv të planifikimit të mbrojtjes ndërmjet dy shteteve;
- përshpejtimin e zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në përputhje me standardet e NATO-s;
- ndërtimin e infrastrukturës së përbashkët strategjike në transport, energji, komunikim dhe mbrojtje;
- koordinimin e politikave të sigurisë dhe të menaxhimit të krizave.
Në këtë mënyrë, hapësira shqiptare nuk do të perceptohej më vetëm si një konsumatore e sigurisë euroatlantike, por si një nyjë strategjike që kontribuon drejtpërdrejt në mbrojtjen e krahut jugor të Evropës nga kërcënimet konvencionale dhe hibride.
Teza IV
Integrimi shqiptar duhet të jetë funksional dhe jo burokratik
Nëse SHBA fillon të favorizojë shtetet funksionale mbi strukturat burokratike supranacionale,
atëherë edhe bashkëpunimi Shqipëri–Kosovë duhet të orientohet drejt integrimit praktik.
Prioritetet:
- treg i përbashkët;
- energji;
- mbrojtje;
- arsim;
- teknologji;
- infrastrukturë.
Më pak deklarata politike. Më shumë institucione të përbashkëta funksionale.
Ky proces integrimi nuk duhet të shihet si një qëllim në vetvete, por si faza përgatitore e një bashkimi gjithnjë e më të thellë institucional ndërmjet dy shteteve shqiptare. Në këtë kuptim, krijimi de facto i institucioneve të përbashkëta në ekonomi, mbrojtje, energji, diplomaci, infrastrukturë dhe arsim duhet të paraprijë krijimin, në kohën e duhur dhe mbi baza demokratike, të një Federate Shqiptare si forma më e lartë e organizimit politik të kombit shqiptar në shekullin XXI. Kalimi nga integrimi funksional në institucionalizimin de jure të këtij bashkimi duhet të përbëjë një nga objektivat afatgjata të doktrinës së re strategjike shqiptare.
Teza V
Siguria kombëtare duhet të konceptohet në hapësirën shqiptare
Kërcënimet nuk ndalen në kufijtë administrativë.
Prandaj strategjia shqiptare duhet ta trajtojë hapësirën shqiptare si një sistem të vetëm sigurie.
Në këtë kuptim:
- Shqipëria;
- Kosova;
- Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut;
- Lugina e Preshevës;
- Ulqini /Tuzi [viset shqiptare në Malin e Zi];
- Sanxhaku [Novi Pazari]
duhet të analizohen si elemente të së njëjtës arkitekturë strategjike.
Teza VI
Serbia si faktor strategjik dhe balanca e fuqisë në Ballkanin Perëndimor
Në doktrinën e re strategjike shqiptare, Serbia nuk mund të trajtohet vetëm si një shtet fqinj me të cilin ekzistojnë mosmarrëveshje historike apo politike. Ajo duhet të analizohet si aktori kryesor strategjik që ndikon drejtpërdrejt në mjedisin e sigurisë së Shqipërisë, Kosovës dhe të gjithë hapësirës shqiptare.
Kjo nuk buron nga një qasje ideologjike apo emocionale, por nga një vlerësim realist i zhvillimeve gjeopolitike në Ballkan. Politika e jashtme dhe e sigurisë e Serbisë vazhdon të karakterizohet nga përpjekja për të ruajtur një pozitë dominuese në rajon, duke kultivuar njëkohësisht partneritete strategjike me fuqi që sfidojnë rendin euroatlantik. Në këtë kuptim, Serbia mbetet kanali kryesor përmes të cilit ndikimi rus, e në disa fusha edhe ai kinez, projektohet në Ballkanin Perëndimor.
Nga ana tjetër, zhvillimi i një dialogu strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë duhet të interpretohet si pjesë e përpjekjeve amerikane për të ndikuar mbi orientimin strategjik të Beogradit dhe jo si një zëvendësim i partneritetit të privilegjuar me Shqipërinë dhe Kosovën. Pikërisht për këtë arsye, politika shqiptare duhet të shmangë reagimet emocionale dhe të mbështetet në një analizë të ftohtë të interesave dhe të ekuilibrave të fuqisë.
Kjo kërkon braktisjen e iluzionit se marrëdhëniet ndërkombëtare ndërtohen mbi simpati politike apo afërsi retorike. Në politikën ndërkombëtare, shtetet udhëhiqen nga interesa afatgjata dhe nga balanca e fuqisë. Për rrjedhojë, edhe strategjia shqiptare duhet të ndërtohet mbi këtë logjikë.
Në këtë kuadër, doktrina e re strategjike shqiptare duhet të mbështetet mbi katër shtylla themelore:
- balancimin strategjik të fuqisë, përmes forcimit të kapaciteteve kombëtare dhe të aleancave euroatlantike;
- parandalimin, duke rritur aftësitë ushtarake, diplomatike dhe ekonomike për të penguar çdo destabilizim të hapësirës shqiptare;
- reziliencën kombëtare, përballë kërcënimeve hibride, ndikimit politik, ekonomik, informativ dhe kibernetik;
- inteligjencën strategjike, si instrument për parashikimin e zhvillimeve, identifikimin e rreziqeve dhe mbështetjen e vendimmarrjes shtetërore.
Në këtë mënyrë, Serbia nuk konceptohet si një kundërshtar i përhershëm, por si një faktor strukturor i mjedisit strategjik të Ballkanit, ndaj të cilit politika shqiptare duhet të zhvillojë një qasje të qëndrueshme, realiste dhe të bazuar në interesin kombëtar. Objektivi nuk është konfrontimi, por ruajtja e ekuilibrit strategjik, mbrojtja e interesave shqiptare dhe forcimi i rolit të hapësirës shqiptare si një faktor stabiliteti në arkitekturën euroatlantike të sigurisë.
Teza VII
Nga diplomacia tradicionale te diplomacia strategjike dhe gjeopolitike
Transformimet e rendit ndërkombëtar po e bëjnë gjithnjë e më të pamjaftueshme diplomacinë tradicionale, e cila përqendrohet kryesisht në administrimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në përfaqësimin formal të shtetit. Në një mjedis të karakterizuar nga konkurrenca ndërmjet fuqive të mëdha, diplomacia duhet të shndërrohet në një instrument të projektimit të interesit kombëtar dhe të fuqisë shtetërore.
Për Shqipërinë dhe Kosovën, kjo nënkupton ndërtimin e një diplomacie strategjike, e aftë të integrojë politikën e jashtme me mbrojtjen, ekonominë, teknologjinë, energjinë dhe sigurinë kombëtare. Objektivi nuk është vetëm ruajtja e marrëdhënieve të mira me aleatët, por rritja e peshës së faktorit shqiptar në proceset vendimmarrëse euroatlantike.
Në këtë kuadër, diplomacia shqiptare duhet të zhvillojë pesë dimensione të reja:
- Diplomacinë e sigurisë dhe të mbrojtjes, duke e bërë Shqipërinë dhe Kosovën pjesë aktive të iniciativave të NATO-s, të planifikimit të mbrojtjes rajonale dhe të bashkëpunimit ushtarak me aleatët.
- Diplomacinë ekonomike dhe industriale, me synimin për të tërhequr investime strategjike në sektorët që lidhen me sigurinë kombëtare, infrastrukturën kritike, industrinë e mbrojtjes, inteligjencën artificiale dhe ekonominë digjitale.
- Diplomacinë energjetike, duke e pozicionuar hapësirën shqiptare si një nyjë e rëndësishme e korridoreve energjetike të Adriatikut dhe Mesdheut, me rol në diversifikimin e furnizimit evropian dhe në rritjen e sigurisë energjetike rajonale.
- Diplomacinë teknologjike, për të ndërtuar partneritete në fushën e inovacionit, inteligjencës artificiale, mbrojtjes kibernetike, teknologjive me përdorim të dyfishtë (civil dhe ushtarak) dhe transformimit digjital të administratës shtetërore.
- Diplomacinë e ndikimit strategjik, përmes instituteve kërkimore, universiteteve, diasporës, mediave ndërkombëtare dhe diplomacisë publike, me synim fuqizimin e pozitës së faktorit shqiptar në debatet strategjike evropiane dhe transatlantike.
Ky transformim kërkon edhe një ndryshim në kulturën institucionale të politikës së jashtme. Ministritë e Jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës nuk duhet të funksionojnë më vetëm si administrata diplomatike, por si qendra të planifikimit strategjik, të koordinuara ngushtë me institucionet e mbrojtjes, inteligjencës, ekonomisë dhe zhvillimit teknologjik.
Në këtë mënyrë, diplomacia shqiptare nuk do të kufizohej në administrimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, por do të shndërrohej në një instrument të drejtpërdrejtë të fuqizimit të shtetit dhe të realizimit të interesave strategjike të kombit shqiptar në rendin e ri shumëpolar.
Teza VIII
Mërgata shqiptare si komponent strategjik i fuqisë kombëtare
Në shekullin XXI, fuqia e një shteti nuk matet më vetëm nga territori, popullsia apo kapacitetet ushtarake. Po aq vendimtare janë kapitali njerëzor, rrjetet globale të ndikimit dhe aftësia për të mobilizuar burimet intelektuale, ekonomike dhe teknologjike që shtrihen përtej kufijve shtetërorë.
Në këtë kuptim, mërgata shqiptare duhet të konsiderohet një komponent organik i fuqisë kombëtare dhe jo thjesht një komunitet emigrantësh apo burim remitancash. E shpërndarë në Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Gjermani, Zvicër, Itali, vendet nordike dhe në qendra të tjera të rëndësishme ekonomike e shkencore, ajo përfaqëson një potencial unik për të rritur peshën ndërkombëtare të faktorit shqiptar.
Doktrina e re strategjike shqiptare duhet të synojë institucionalizimin e këtij potenciali përmes një partneriteti të qëndrueshëm ndërmjet shtetit dhe diasporës.
Në këtë kuadër, mërgat duhet të integrohet në mënyrë sistematike në:
- diplomacinë publike dhe strategjike, duke fuqizuar ndikimin shqiptar në qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes;
- rrjetet e dijes dhe inovacionit, përmes transferimit të teknologjisë, ekspertizës dhe kërkimit shkencor;
- zhvillimin ekonomik dhe industrial, veçanërisht në sektorët me vlerë të shtuar, industrinë e mbrojtjes dhe ekonominë digjitale;
- sigurinë kombëtare, përmes angazhimit të ekspertëve shqiptarë në fushat e inteligjencës strategjike, mbrojtjes kibernetike, analizës së rrezikut dhe planifikimit të sigurisë;
- investimet strategjike, duke orientuar kapitalin financiar dhe sipërmarrës drejt projekteve që forcojnë konkurrueshmërinë dhe reziliencën ekonomike të hapësirës shqiptare.
Ky proces kërkon krijimin e mekanizmave të përhershëm institucionalë që lidhin diasporën me qendrat e vendimmarrjes në Shqipëri dhe Kosovë. Nuk mjafton më një politikë që e sheh diasporën vetëm si elektorat apo si burim kapitali financiar; ajo duhet të trajtohet si pjesë e arkitekturës strategjike të shtetit.
Në perspektivën e ndërtimit gradual të një Federate Shqiptare, mërgata fiton një rol edhe më të rëndësishëm. Ajo mund të shërbejë si ura kryesore ndërmjet hapësirës shqiptare dhe qendrave globale të politikës, ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, duke shumëfishuar kapacitetin e subjektit të ri politik për të ushtruar ndikim në sistemin ndërkombëtar.
Prandaj, një nga objektivat afatgjata të doktrinës së re strategjike shqiptare duhet të jetë kalimi nga një politikë ndaj diasporës në një strategji të integrimit të diasporës në fuqinë kombëtare, duke e bërë atë një nga shtyllat kryesore të zhvillimit, sigurisë dhe projeksionit ndërkombëtar të kombit shqiptar.
Teza IX
Inteligjenca strategjike duhet të bëhet kapacitet kombëtar
Në një rend ndërkombëtar të karakterizuar nga pasiguria, konkurrenca gjeopolitike dhe krizat e njëpasnjëshme, shtetet nuk mund të qeverisen vetëm përmes reagimit ndaj ngjarjeve të ditës.
Ato kanë nevojë për kapacitete të qëndrueshme të inteligjencës strategjike – aftësi për të mbledhur, analizuar dhe interpretuar informacionin, për të identifikuar rreziqet, për të parashikuar skenarët e mundshëm dhe për të orientuar vendimmarrjen kombëtare.
Kjo kërkon ndërtimin e një ekosistemi të ri të dijes strategjike përmes:
- qendrave kombëtare të analizës dhe parashikimit strategjik;
- instituteve të pavarura të gjeopolitikës dhe studimeve të sigurisë;
- laboratorëve të skenarëve për zhvillimet afatgjata;
- mekanizmave profesionalë të vlerësimit të rreziqeve kombëtare.
Inteligjenca strategjike nuk duhet të shihet vetëm si funksion i strukturave të sigurisë, por si një kapacitet i shtetit për të menduar përtej ciklit politik, për të mbrojtur interesin kombëtar dhe për të vepruar me parashikim.
Teza X
Nga politikat e fragmentuara drejt një doktrine strategjike shqiptare për shekullin XXI
Në një epokë të konkurrencës së fuqive të mëdha dhe të rikthimit të gjeopolitikës, hapësira shqiptare ka nevojë për një vizion strategjik që tejkalon politikat e fragmentuara dhe ciklet e shkurtra politike.
Një doktrinë e re strategjike shqiptare duhet të përcaktojë interesat afatgjata kombëtare, burimet e fuqisë dhe mënyrën e koordinimit të tyre në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më kompleks.
Ajo duhet të krijojë një qasje të integruar ndërmjet:
- politikës së jashtme dhe diplomacisë gjeopolitike;
- sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare;
- zhvillimit ekonomik dhe kapaciteteve industriale;
- teknologjisë, inovacionit dhe ekonomisë së dijes;
- sigurisë energjetike dhe burimeve strategjike;
- arsimit, kapitalit njerëzor dhe diasporës;
- dinamikave demografike dhe qëndrueshmërisë shoqërore.
Kjo doktrinë nuk do të ishte thjesht një dokument politik, por një kornizë kombëtare orientimi, që synon të ndërtojë kapacitetet e shqiptarëve për të vepruar si faktor i qëndrueshëm në rendin shumëpolar të shekullit XXI.
Në këtë perspektivë, ideja e Federatës Shqiptare duhet të trajtohet si një horizont strategjik i organizimit dhe bashkërendimit të potencialeve shqiptare, në përputhje me realitetet evropiane, euroatlantike dhe me parimet e zhvillimit demokratik.
Qëllimi i saj do të ishte përgatitja e kombit shqiptar për rendin shumëpolar të shekullit XXI.
Përfundim
Analiza e Dr. Grygiel nënkupton se SHBA-ja po kalon nga një strategji e administrimit të Evropës në një strategji të zgjedhjes së aleatëve më të aftë dhe më të gatshëm për të ndarë barrën e sigurisë. Për hapësirën shqiptare, kjo krijon një mundësi historike: të mos mbetet në periferi të arkitekturës euroatlantike, por të pozicionohet si nyjë strategjike e Krahut Juglindor të NATO-s.
Në këtë kontekst, teza qendrore e një strategjie të re shqiptare mund të formulohet kështu:
Objektivi strategjik i kombit shqiptar nuk duhet të jetë më vetëm integrimi në strukturat euroatlantike, por shndërrimi në një faktor të domosdoshëm të sigurisë, stabilitetit dhe projeksionit strategjik të NATO-s në Adriatik dhe Ballkanin Perëndimor.
Kjo nënkupton që Shqipëria dhe Kosova duhet të imponohen si subjekt strategjik ndaj faktorit ndërkombëtar dhe, para së gjithash, ndaj fqinjëve të tyre, me theks të veçantë Serbisë, e cila vazhdon të ndjekë politika me potencial destabilizues. Qëllimi është që hapësira shqiptare të mos trajtohet më si “plaçkë tregu” apo si “monedhë këmbimi” në kalkulimet e fuqive të mëdha, por të konsolidohet si një faktor dhe aktor kombëtar e ndërkombëtar, pesha e të cilit nuk mund të anashkalohet në asnjë arkitekturë të re të sigurisë dhe të rendit politik në Evropën Juglindore.
Një tezë e tillë do të përfaqësonte kalimin nga një kulturë strategjike e mbështetjes te aleatët në një kulturë të bashkëprodhimit të sigurisë, në përputhje me transformimin që pritet të pësojnë marrëdhëniet transatlantike gjatë dekadës së ardhshme.
Nga kjo perspektivë, transformimi gradual i marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës drejt krijimit de facto dhe, në një fazë të mëvonshme, de jure të Federatës Shqiptare nuk duhet të trajtohet si një projekt politik i momentit, por si një proces strategjik afatgjatë i ndërtimit të një subjekti më funksional, më konkurrues dhe më të aftë për të kontribuar në sigurinë e NATO-s dhe në stabilitetin e Evropës Juglindore. Në rendin e ri gjeopolitik që po merr formë, bashkimi funksional i kapaciteteve shqiptare nuk është vetëm një aspiratë kombëtare, por edhe një domosdoshmëri strategjike.
____________________________
1. Varianti origjinal: https://www.thefreedomfrequency.org/p/five-choices-for-american-strategy,
Në shqip: https://ishgj.org/analize/pese-zgjedhje-per-strategjine-amerikane-ndaj-evropes/



