Prit me muaj e pritë me vjetë …!
Ajo gjendja kur e gjen veten duke shpresuar gjatë për një situatë që thjesht ka mbetur e bllokuar në vend.
Nëse dikur nga toka jonë na dëboi Serbia, sot për rikthim po na e mbyllë derën drejtësia!
LODHJA: VIRUSI I SHOQËRISË SHQIPTARE
A ju kujtohet kur Driton Selmanaj, i cili në atë kohë shërbente si Zëvendëskryeministër në Qeverinë Hoti nga radhët e LDK-së u pyet nga një gazetare për fatin e të pagjeturve të luftës? Ai u përgjigj: “Na keni lodhë me të pagjeturit.”
Kjo fjali, sa e dhimbshme aq edhe treguese, pasqyron një diagnozë të rëndë sociale.
Ju përgjërohem të gjithëve: ta fshijmë nga fjalori pyetjen “A je lodhur?”. Kjo lodhje kronike nuk do të na shqitet kurrë për sa kohë që vazhdojmë ta ushqejmë vetë. Jemi ndër të paktat shoqëri që lodhjen e kemi kthyer në përshëndetje të përditshme, dhe ky zakon po na kushton shtrenjtë. Jetoj prej më shumë se tri dekadash në mërgim. Gjatë gjithë kësaj kohe, askush nuk më ka pyetur nëse jam lodhur në punë, dhe as unë nuk ia kam bërë dikujt këtë pyetje. Pse duhet ta pyesim një nëpunës sporteli apo një zyrtar që paguhet për t’i shërbyer qytetarit nëse është lodhur? A po e kuptojmë se ne vetë jemi shkaktarët e kësaj “sëmundjeje” të shoqërisë sonë? Një sëmundje që në fund e paguajmë me padrejtësi, me shpërfillje të problemeve tona, me para—dhe fatkeqësisht, dikush e paguan edhe me jetë.
Isha sivjet në Prishtinë dhe më duhej një certifikatë lindjeje. Para meje, një zonjë iu drejtua nëpunësit te sporteli:
– Përshëndetje, a u lodhe?
Unë buzëqesha dhe e vështrova me keqardhje. Kur më erdhi radha, nëpunësi më pyeti:
– Pse qeshe pak më parë?
– Më bëri të buzëqesh nga sikleti zonja para meje, – i thashë.
– Pse, çfarë bëri ajo?
– Më dukej qesharake kur ju pyeti “a jeni lodhur?”.
– Po çfarë ka të keqe, njeri jam edhe unë! – tha ai.
– Po ti paguhesh për këtë punë; e nëse je lodhur, ka plot djem e vajza të shkolluar, të papunë dhe të palodhur!
– Qenke mërgimtare, se ju mërgimtarët i lëshoni këto fore…
– Jo, – i thashë, – këto nuk janë fore, por një sëmundje këtu që quhet “jam lodhur”.
Pas dy ditësh u takuam me avokatin. Për një çështje civile ai paguhet plot 2 000 euro për seancë. Na duhej një shkresë tjetër që e kërkonte gjykatësja. Edhe pse kishin kaluar disa seanca ku gjithçka u sqarua me fakte, dokumente dhe me një dëshmi prej 27 faqesh nga noteri—ku vërtetohej se i padituri kishte bërë lloj-lloj mashtrimesh e dhelpërish—gjykatësja në fund, në vend që të jepte vendimin dhe të mbyllte lëndën, na shtoi zvarritje të reja.
Gjykatësja na tha shkruani një letër dhe më tregoni çka po doni? Imagjinoni kur gjykatesja pas tërë seancave dëgjimore, prova dhe fakteve te pyet çka po don dhe kërkon edhe me shkrim t’ja sqarosh!? Dhe ti paguan për atë letër 700 euro avokatin për të shkruar për vetëm 10–15 minuta dhe në vend se të falenderon për pagesën ai të thotë u lodha, besoni se mu duk si një grusht fytyrës.
Dikur nga Kosova na dëboi Serbia, por sot k’thimin tonë në atdhe po e pengon drejtësia. Qe 10 vite trokasim dyerve të gjykatës që të fitojmë të drejtën e pronës sonë, që të k’thehemi në atdhe e ta kalojmë pjesën tjeter të jetës aty, por nuk gjejmë drejtësi. Prit me muaj e prit me vjetë dhe drejtësia nuk flet. Kur e pyet avokatin kur do të jetë seanca e radhës, ai i ngritë supet dhe thotë kur t’i nteket gjykatëses. Një Zot e di sa e lodhur është? Si duket atje disa janë betuar që popullit jetën me jau nxi me padrejtësi dhe të largohen nga aty, njësoj siq po na e mbyllin derën ne të tjerëve. Paçim shëndet e jetë e dhëntë Zoti që drejtësia të flet!!!


